Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/26

ERUDITIZMI GALICIAN ...APO SHYQRI GALICA NDRYSHE



PROF.DR.  SHYQRI GALICA




Prof. dr. Shyqri Galica (1951) është studiues i letërsisë, publicist e pedagog. Ka botuar studime letrare, vështrime kritike, eseistike, publicistike, si dhe poezi e prozë në gazeta e revista të ndryshme.


Ka botuar edhe këto vepra: Koha flet me brezni, poezi, 1979; Poezia e Fatos Arapit, studim monografik, 1990; Amësia, tregime, 1991; Simbolika e sundimit, kritikë dhe ese, 1995; Konica – moderniteti, eseistika, kritika, studim monografik, 1997; Mesazhi kritik, ese dhe kritika, 1999; Dashuria vdekërisht, roman, 2003 dhe Identiteti artistik, kumtesa shkencore dhe vështrime kritike, 2005.


Është mësimdhënës i historisë së letërsisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, kurse lëndët bazat e gazetarisë, mediet dhe komunikimi publik, si dhe shkrim akademik dhe kulturë gjuhe i ligjëron në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Kosovë.


1.

Kur arti nuk është shkollë…



Sipas Shyqri Galicës, profesor në Fakultetin e Arteve, arsye pse sot fakultetet private nuk marrin akreditime dhe nuk dëshirojnë të kenë drejtime artistike, është kuadri dhe levërdia materiale.



Arti para së gjithash është shumë i kushtueshëm. Kemi problem edhe me kuadro, sepse nuk është adekuat, e sidomos për artistët që është edhe më problem. Më pas e kemi edhe levërdinë materiale e cila lidhet me numrin e studentëve që pranohen në këto drejtime, por që gjithashtu nevojitet hapësirë, investime në laboratore e shumë gjëra tjera”, shton Galica. Sipas tij, ekziston një arsye e mirë që ka një vakuum drejtimesh të tilla në institucionet tona private.

Nëse do të hapeshin degë të artit në fakultetet private ekzistuese, aktualisht nuk mendoj se do të kishte cilësi. Ky është rreziku, sepse realisht njerëz të interesuar për këto drejtime ka dhe mesiguri do të ketë edhe në të ardhmen. E kemi edhe dukurinë e profesorëve, ku shpesh këto drejtime në fakultetet private mbushen me profesorë që nuk i përkasin një niveli të lartë akademik...

Mendoj se ata do të duhej të merrnin profesorë adekuatë, të gjenin një hapësirë dhe të punonin me më shumë studentë... Fakulteti i Arteve në Prishtinë nxjerr kuadro të cilat, edhe pse në kushte të vështira, janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat.

Kemi kuadro sa për të mbuluar nevojat tona, por që natyrisht interesimi është i madh dhe pjesa tjetër e mbetur shkon në universitetet private, natyrisht në ato pak që kanë këso drejtimesh...


2.

IMAZHI I KRIJUESIT DHE INTELEKTUALIT




Dorëshkrimi i Profesor Shyqri Galicës me titull “Mesazhi intelektual” është përmbledhje studimesh, vlerësimesh e recensionesh të shkruara në rrethana dhe në kontekst të zhvillimeve të ndryshme kulturore dhe shkencore të dekadës së fundit.
Sigurisht kjo është arsyeja pse tekstet e këtij vëllimi janë ndarë në tre kapituj që nuk janë as vetëm tematik, as vetëm gjinor dhe më në fund as vetëm kodues. Sigurisht për shkak se tekstet e këtij vëllimi janë shkruar në kohë dhe rrethana të ndryshme, apo për aktivitete dhe paraqitje të cilat kushtëzohen përtej konferencave, diskutimeve letrare e shkencore, përurimeve dhe pse jo prej leximeve miqësore. Nuk ka dyshim, kjo është edhe arsyeja që titulli i këtij libri del nga mesazhi i atyre ideve që reflektojnë tekstet, autorët dhe mendimi a vlerësimi i kritikës së kohës.
Kapitulli i parë merret me qasje të mëdha të letërsisë shqipe, të para gjithashtu nga aspekti historik dhe metodologjikisht krahasues. Fjala është për motive të mëdha: liria, kulti i Skënderbeut, poetika moderne e poezisë së Fatos Arapit, konteksti europian i poezisë së Fatos Arapit, raportet historike, letrare dhe shpirtërore të Dritëro Agollit me Kosovën, gjendja dhe përfaqësimi i letërsisë në librin shkollor, të cilat në këtë vëllim paraqesin vlerat më përfaqësuese dhe më cilësore. Fjala është për tema dhe objekte studimi, një pjesë të të cilave madje Profesor Galica i ka trajtuar edhe më parë në projektet e tij shkencore, prandaj kjo është arsyeja që këto tekste jo njëherë paraqesin sinteza serioze edhe përtej aspekteve metodologjike të kërkimit dhe mesazhe përmbajtësore e intelektuale njëkohësisht.
Kapitulli i dytë merret me vepra, autorë dhe kërkime tematike të tyre. Fjala është për tekstet recensionale, vlerësuese dhe aktualizuese të kohëpaskohshme për vepra letrare dhe historiko-letrare me dimensione te veçanta në jetën tonë shkencore, si: përmasa teoriko-letrare e tekstit të romanit të Adem Demaçit “Dashuria e Filanit”, përmasa aktuale e dramës së Gjergj Fishtës “Juda Makabe”, tema e madhe e dramës së lirisë në romanin e Ramadan Rexhepit, përmasa e kërkimit dhe e sintezës së biografisë së Elena Gjikës në monografinë e Vehbi Balës, fati jetësor i shkrimtarit Kasem Trebeshina, si fat i një shekulli në jetën e një populli në veprën e Nuri Dragoit. Fjala është për tema të mëdha dhe të veçanta që dalin në vepra me karakter historik dhe letrar njëkohësisht, të cilat përfaqësojnë vlera të një kohe dhe të një hapësire, që përtej vlerave teoriko-letrare, estetike e historike përfaqësojnë edhe një zë dhe një mesazh intelektual.
Kapitulli i tretë përfshinë tekste, të cilat trajtojnë tema me mbizotërim kur autorët e kur veprat e tyre, për t’iu lënë hapësirë, shpesh, më parë autorëve se sa veprave. Fjala është për autorë të caktuar jeta e të cilëve shpesh na ka bërë të mendojmë, të lexojmë dhe të flasim për veprën e tyre. Në historinë tonë, janë disa individualitete të cilët me jetën e tyre kanë bërë që të ndryshojë për shumë dekada fati ynë historik, prandaj mu për këtë ndjejmë nevojë të lexojmë jo vetëm bëmat e tyre historike po edhe ato intelektuale dhe krijuese estetike njëkohësisht. Në këtë seri tekstesh hyjnë vlerësimet dhe kërkimet për veprën poetike të atdhetarit Azem Beqiri, poezia e studiuesit Ali Ahmeti, poezia e historianes Sabile Keçmezi-Basha, krijimet e eseistit dhe prozatorit të temës së madhe të mërgimit shqiptar Shpend Osmani, kujtimet e dhembshme për vdekjen e hershme të poetit, prozatorit e mikut Iljaz Prokshi, përvjetorët e shumëmotshëm të bardit të prozës shqipe Ramiz Kelmendi, qasja e studiuesit të përkushtuar në fushë të historisë së letërsisë Isak Ahemti etj.
Kjo është arsyeja pse tekstet e Profesor Shyqri Galicës për disa shkrimtarë i lexojmë jo vetëm si kërkime teoriko-letare a estetike, po më shumë si mesazhe të dala nga krijues që përtej përimtimit poetik të vargut kanë synuar esencat e mesazhit liridashës,thotë mes tjerash  Prof. asc. dr. Myrvete Dreshaj – Baliu




3.


Anembanë ushton jehona


Janë të shumtë sot adhuruesit e interpretimeve të amatorit të talentuar Shaqir Cërvadiku, anëtar i shoqërisë kulturore-artistike "Shota Galica" të Gllogocit. Kudo që u prezantua para publikut u duartrokit dhe krijoi atmosferë joshëse dhe mbeti kurdoherë në kujtesën e spektatorëve.

Zëri i tij i bukur dhe karakteristik sot dëgjohet edhe nëpërmjet radios e televizionit dhe ndiqet me dashuri nga dashamirët e këngës. Emri i këtij amatori me perspektivë të mirë është bërë sinonim i interpretimeve tona të bukura, i këngës që vetëm ai di ta krijojë. Ngjyrimet e vecanta dhe qasje vetjake kanë bërë që interpretimet e Shaqirit të dallohen edhe nga ato të shumë interpretuesve tanë të njohur. Dashamirët e këngës së tij kanë dëshirë të dinë më shumë për këtë këngëtarë të talentuar.

Mbase shumë nga ta dinë se Shaqiri është nga Pokleku i Drenicës, ku kënga e ciftelija janë përcjellë gjysh pas gjyshi e dorë pas dore. Ky djalosh është arsimtar i BAT-it që qendrën e arsimit të mesëm të orientuar "M. Tito" të Gllogovcit, kurse një pjesë të mirë të kohës e kalon në mesin e shokëve e të shoqeve të SHKA "Shota Galica" të Gllogovcit. Atmosfera e krijuar në ndejat e shpeshta nëpër odat e Drenicës te ky i ri ka mbjellë në shpirt dashurinë e zjarrtë për këngën e ciftelinë. Shaqiri tregon për takimet e ndryshme në oda e ndeja me rapsodë. Këto takime, thot ai, më kanë mundësuar që të mishërohem me këngën, me ciftelinë, por edhe me instrumentet tjera. Meqë edhe babai im e donte këngën si edhe të parët e tjerë, organizonim ndeja ku kënga skishte të sosur.

Njohja me këngëtarët e afirmuar, sic janë Tahir Drenica, Qamili i vogël, Ibrahim Krasniqi etj, drejtpërsëdrejti te unë kanë bërë një ndikim shumë të madh. Kështu edhe nisa prezantimet e mia, rrëfeu ai. Por në ndeja nuk më bënte gjithaq përshtypje paraqitja. Tek më 1977 pata rastin të dal para një publiku më të gjerë në Komaran. Aty interpretova këngën që pata krijuar vetë, titulluar "Anembanë ushton jehona" dhe ky ishte mbase casti vendimtarqë fitova njëfar besimi në vete.

Duartrokitjet e shumta të shikuesve te unë ngjallën dashurinë edhe më shumë për ta kultivuar e interpretuar këngën. Nga kjo kohë jam marrë vazhdimisht me interpretime, por edhe kam krijuar vetë këngë. Pos këngëve që janë të njohura, sipas teksteve të mia deri më tash kam bërë edhe meloditë e pesëmbëdhjetë interpretimeve, të cilat opinioni i ka pritur mirë. Këto janë disa nga këngët që i kam interpretuar në koncertet e SHKA "Shota Galica" nëpër Kosovë e më gjerë, e disa prej tyre edhe i kam incizuar në Radio televizionin e Prishtinës. Për krijimin e këngëve më kanë ndihmuar shumë librat që i kam lexuar...

Na thot ai pastaj se ka incizuar rreth njëzet këngë për radio televizionin, ndërsa tash, së bashku me shokët e tjerë, përgaditen për koncerte të reja. Edhe këngët me të cilat do të paraqitem para publikut do të jenë të reja, vazhdon ai. Ndër ato këngë do të jenë edhe: Këndo bylbyl, Zanin lart për ju trima, pastaj Moj e mira nga Gjakova, etj. Thot se ka marrë disa tekste të mira nga një shok dhe ndonjë nga ato do ta përgadisë për interpretim. Mu këto, thotë ai, i ka preokupim.

Ndahemi nga ky këngëtar duke i uruar suksese, të cilat, pa dyshim, nuk do të mungojnë. Talenti i tij i rrallë dhe dashuria për këngën e ciftelinë janë mishëruar thellë në shpirtin e tij. Këto do të bëjnë që kënga e tij të përjetohet edhe më shumë nga dashamirët e këtij arti kudo që do të ketë rast të prezantohet,thekson Shyqri Galica në shkrimin e tij në Rilindja.


4.




Vetëdija kritike dhe estetike e Konicës



Pos me zhvillimin e epokave stilistike të romantizmit, të realizmit e të natyralizmit, shekulli XIX karakterizohet edhe me zhvillimin e kritikës letrare. Në rrjedhë të ndryshimeve të sistemeve shoqërore do të ndryshojnë gjithsesi edhe orientimet krijuese letrare, duke sjellë zhvillime të reja në historinë e letërsisë botërore. Do të dalë në këtë periudhë një figurë e shquar letrare, që me penën e tij do të bëjë emër. Është ky Sharl Ogisten Sent-Bëvi (1804-1869), me të cilin kritika letrare do të zbresë nga katedra në shtyllat e gazetave1 dhe do të bëhet faktor në zhvillimin e jetës letrare franceze, madje në një periudhë të bujshme të krijimtarisë letrare, i cili do të quhet me të drejtë ”mbreti i kritikës”. Në shkrimet e tij kritike ai para së gjithash do të kërkojë artistin, cilësitë që portretizojnë më së miri figurën e tij. Diskursi i tij kritik përfshin fenomene e probleme të ndryshme letrare. Portretet letrare ai do t’i skalisë mjeshtërisht, duke i quajtur madje ”portrete eseistiko-psikologjike”. Sent-Bëvi, siç dihet, është themelues i shkollës kritike biografiko-psikologjike. Ai është pasardhës i drejtpërdrejtë i Montenjit të njohur, eseist francez, i cili me veprën e tij është shquar dhe ka bërë jehonë në mjediset letrare e intelektuale. Sent-Bëvi konsiderohet edhe themelues i historisë së letërsisë franceze.2 Ai me metodën historike shqyrtoi sidomos aspekte të poezisë dhe të teatrit të shekullit gjashtëmbëdhjetë dhe hapi shtigje në fushën e kërkimeve të ndërsjella dhe të analizave të autorëve e të veprave të ndryshme. Më pas Sent-Bëvin do ta vazhdojë e do ta plotësojë themeluesi i ”kritikës shkencore” Hypolit Teni, kurse kjo disiplinë e historisë së letërsisë do të pasurohet me metoda të reja hulumtuese shkencore.

Nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë në Francë lind kritika impresioniste, e cila kriter bazë kishte mbresën, impresionin që lë vepra letrare. Këtë emërtim kritika impresioniste do ta marrë sipas veprës së Zh. Lëmetrit, ”Impresione teatrore” (”Impressions de theatre”, 1898).3

Në rrjedhë të këtyre proceseve letrare, do të kultivohet e artikulohet vetëdija krijuese kritike e Faik Konicës, sidomos në kontaktet e vazhdueshme me qendra universitare e kulturore franceze, si dhe me mjetet e informacionit, që do të kenë ndikim në formimin e tij letrar dhe intelektual. Në këtë kontekst, ndikimi i Sent-Bëvit, i Tenit, i Lëmetrit etj. në krijimtarinë e tij kritike e letrare është i pranishëm. Epoka stilistike e romantizmit shqiptar do të kultivojë zhanre e forma të llojllojshme për të shprehur mendimin filozofik, shkencor e letrar për çështje të ndryshme të realitetit historik e aktual. Eseja, si një lloj i veçantë i krijimtarisë sintetike letrare-shkencore e publicistike, zë fillet mu në këtë periudhë, kur krijuesit shqiptarë priren t’i shprehin pikëpamjet e tyre për një varg çështjesh historike, filozofike, fetare, morale, kulturore, letrare e kombëtare. Kështu do të shkruajnë ese e fragmente eseistike De Rada, Dara i Ri, Z. Jubani, P. Vasa, J. Vreto, N. Frashëri, S. Frashëri, L. Gurakuqi, Z. Skiroi etj. dhe krijimet e tyre do të anojnë herë nga ana imagjinare, herë nga ajo shkencore. Këto trajtime eseistike u përkasin më shumë fushave filozofike dhe etike, siç janë, p. sh., esetë e Jani Vretos ”Për të vërtetënë edhe për shkronjënë e së vërtetësë”,4 ”Mirëvetija” dhe ”Për gjithëçishtënë dhe për Zon’ e jetesë dhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”. Pavarësisht sa këto ese janë origjinale, në ndonjë rast edhe përshtatje, ato afirmojnë sidomos mendimin filozofik në romantizmin shqiptar.5 Esetë e Naimit ngërthejnë një gjuhë më poetike. Eseja ”Mësime”6 është cilësuar ese etiko-fetare, ndërsa pjesë të prozës ”Fletore e Bektashinjët”7 konsiderohen ese fetare. Edhe në kuadër të këtij zhanri letrar, krijuesit shqiptarë bëjnë përpjekje të shprehin çështje universale, madje edhe filozofike, duke u përqendruar gjithsesi në çështjet kombëtare. Epoka e romantizmit është periudhë e Rilindjes Kombëtare, kur shprehjet zhanrore shpërthejnë nga erudicioni krijues i artistëve tanë, të cilët janë të detyruar të bëjnë njëkohësisht dy veprime: atdhetare dhe krijuese.

Diskursi kritiko-letrar (Diskursi estetiko-kritik)



Nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë shpeshtohet dalja e gazetave, e revistave dhe e botimeve të ndryshme, ku gjejnë shprehje edhe shkrime kritike. Mendimet kritike të Jeronim de Radës për letërsinë popullore dhe të Naim Frashërit, që shoqëron përkthimin e tij të këngës së parë të ”Iliadës” së Homerit,8 shënojnë fillimet e kritikës letrare shqipe.9 Mendime kritike rreth problemeve të ndryshme letrare janë shprehur edhe përmes letrave, si formë e komunikimit letrar. Një kritikë e tillë epistolare shprehet në letrat e Vretos dërguar Sotir Koleas në Manastir, letrat dërguar Kristo Shulit në Shkodër, letrat dërguar Sotir Koleas në Ohër etj. Kritika në këtë formë do të shndërrohet në gjykim për çështje të ndryshme të jetës historike, mendore, shoqërore, politike dhe morale të kombit.10 Kritika letrare shqiptare nis e zhvillohet së pari nëpër gazeta e revista të ndryshme të arbëreshëve, në formë të recensionit, të vështrimit dhe të esesë letrare. Revista ”Albania” dhe veçanërisht Faik Konica me krijimet e tij kritike e eseistike, do t’i vërë bazat e kritikës letrare dhe të teorisë së kritikës me shkrimet e tij, duke përmbushur kërkesën dhe vetëdijen për një zhanër aq të domosdoshëm të letërsisë e të kulturës kombëtare. Duke qenë i shkolluar në Francë, Konica do t’i formësojë njohuritë për kritikën nga krijuesit e shquar francezë Sharl Bodler, Zhyl Lëmetër, Pol Valer, Remi dë Gurmon e sidomos nga Sent-Bëvi etj. Te Faik Konica do të ndikojë gjithsesi fryma e kritikës impresioniste, përfaqësuesit e së cilës vlerësonin se kritika objektive nuk ekziston, siç nuk ekziston as arti objektiv…, se secili kritik shpreh temperamentin vetjak, sensibilitetin, qasjen e tij dhe ndjesinë e jetës. Mirëpo, si erudit, Konica do të nënkuptojë pa dyshim se ”edhe kritika impresioniste gjithnjë niset, qoftë edhe jo zëshëm, nga qëndrime teorike të caktuara, nga estetika e caktuar.”11 Si kritik impresionist në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, Konica shpreh përshtypjet e tij, përjetimet, kënaqësitë e pakënaqësitë për veprat dhe fenomenet letrare e kulturore. Ai sugjeron veprimtari në fushën e letërsisë, të artit dhe të kulturës, që do të ndikonin në zhvillimin kulturor dhe emancipimin kombëtar. Në veprimtarinë e gjerë e të shumanshme të Konicës, një vend të veçantë zënë kritika letrare dhe eseistika, të cilave u vë themelet me shkrime, që shquhen për përmbajtjen e tyre serioze, për saktësinë shkencore dhe për kulturën e trajtimit artistik. Krijues erudit, me një diapazon të jashtëzakonshëm, Konica do të shtrojë çështje e probleme në gjerësi e në thellësi, do t’i trajtojë ato me ndërgjegje të një shqiptari të kultivuar, gjithsesi me qëllim të informimit më të gjerë në suaza kombëtare e jashtëkombëtare. Botimi i shkrimeve dhe i informacioneve jo vetëm në gjuhën shqipe, por sidomos në atë frënge e më pas edhe në gjuhën angleze, janë dëshmi e vetëdijes kombëtare e kulturore të tij për ta shtrirë çështjen kombëtare në shkallë ndërkombëtare. Edhe pse në disa situata do të manifestojë karakterin e tij kontradiktor në politikë, në fushën e krijimtarisë e të shkencës do të jetë pak a shumë më konsekuent, me ndonjë përjashtim, sidomos në raportin art – ideologji. Ai shquhet më shumë si estet se esteticien, më shumë si teoricien se kritik dhe më shumë e ndiente artin se ç’e komentonte, sepse veten e kishte vënë në rolin e intelektualit në kuptimin e plotë të fjalës.12 Konica, i cili është njëri nga ndërlidhësit e letërsisë së Rilindjes me atë të Pavarësisë, me pikëpamjet e tij themeloi teorinë e kritikës letrare shqiptare, që do të shpihet më tej me Nolin, Malokin, Çabejn, Kutelin, Koçën, Shuteriqin, Pipën etj. Faik Konica, duke qenë në kontakt me letërsitë më të njohura të botës, do t’i shijojë vlerat e tyre, do t’i konceptojë nivelet artistike dhe do të kërkojë të kultivohet arti i bukur edhe në krijimtarinë tonë letrare-artistike. Është Oksidenti ai që do ta ngrejë shijen e tij kulturore, do ta kultivojë atë shije nëpër universitetet më të shquara, duke marrë edhe grada e lavdërime për erudicionin e kulturën e tij. Mbamendja dhe leximi, puna e pareshtur e përkushtimi do të jenë ndër faktorët thelbësorë që do të ndikojnë në ngritjen e tij intelektuale, kulturore e kombëtare. Në revistën e tij ”Albania” ai do t’i botojë njoftimet për librat shqip dhe për ata që kishin të bënin me shqiptarët, që do të thotë se ”ai kishte vetëdije të formuar për vështrimin, për studimin dhe për informimin letrar, e edhe për kritikën letrare.”13 Në epokën stilistike të romantizmit shqiptar, nëpër gazeta e revista shqipe fillojnë të botohen edhe shkrime për librat, ku në rubrika të veçanta jepen informacione dhe bëhen recensione e vështrime për ta. Bëhet kjo sidomos me botimin e revistës ”Albania”, në të cilën drejtori i saj Faik Konica sheh nevojën e paraqitjes së veprave dhe të krijimtarisë letrare e kulturore. Vetë ai në rubrikën ”Bibliographie”, në gjuhën shqipe e atë frënge, të revistës ”Albania”, do të paraqesë mendimet e pikëpamjet për vepra të veçanta dhe informacione për krijimtarinë e përgjithshme, do të shprehë nevojën e ngritjes së vlerave letrare dhe shqyrtimin analitik të tyre. Me penën e tij do të fillojë teoria dhe praktika kritike dhe kështu do të formohet vetëdija për kritikën letrare. Faik Konica është ”i pari që mendimin kritik e bën përcjellës të letërsisë dhe i pari që kritikën letrare e bën institucion të opinionit letrar dhe kulturor.”14 Faik Konica, në artikujt e tij kritikë, teorikë, eseistikë, shqyrtues dhe informativë, do t’i shprehë pikëpamjet dhe mendimet e tij rreth disa problemeve të përgjithshme teoriko-letrare e kritike, për autorë shqiptarë e të huaj, për çështje aktuale e historike. Ai do të botojë edhe shkrime të karakterit të përgjithshëm kulturor, etnologjiko-etnografik, si dhe do të bëjë portretizime të figurave atdhetare, kulturore e letrare dhe shkrime të tjera me interes historik, shkencor e kulturor. Stili i tij karakteristik, shprehja e qartë e plot mendime dhe fryma e krijimeve letrare e kritike integrohen në temperamentin e veçantë të Konicës dhe në qëndrimin e tij kritik ndaj dukurive të kohës.

Forma eseistike (Shqyrtimi fiksional e diskursisv)



Esetë dhe kritikat letrare, natyrisht, sa dihet deri tash, nuk qenë të shumta në krijimtarinë e Faik Konicës, por ato janë të veçanta, me një origjinalitet dhe me një spektër karakteristik trajtimi. Eseja dhe fryma eseistike, e pranishme tejetej krijimtarisë së tij, një zhanër i mësuar në Francë nga penat më të mprehta si Montenji, Volteri, Rusoi etj., do t’i përgjigjet flakë për flakë temperamentit dhe karakterit të Faik Konicës, figurës së tij të veçantë krijuese, që jo vetëm do të lërë gjurmë në shumë fusha, por edhe do të vërë shumë themele. Në shkrimet kritike e eseistike, shkencore e publicistike, ai do të shtrojë shumë çështje në mënyrë sinkretike, me mjeshtërinë e tij letrare, informuese e shkencore. E kësaj natyre është eseja, zhanër që provokon posaçërisht Konicën. Nëpërmjet esesë, shqyrtimit fiksional e diskursiv, ai zbërthen imagjinatën e tij krijuese dhe prirjet e afinitetet për shumë fusha të artit e të jetës. Stili eseistik i Konicës përshkon tërë krijimtarinë e tij, kurse elemente eseistike pleksen veçanërisht në shkrimet portretizuese. Në ato krijime gjen shprehje shpirti i tij specifik, elokuenca, ngrohtësia e poetit, argumenti i shkencëtarit dhe informimi i publicistit. Në këto portretizime shkrihen kufijtë ndërmjet portretit dhe esesë, duke shkrirë fizionominë e tyre me elemente plastike. Në krijimtarinë e tij janë edhe dy vepra eseistike, që jo vetëm e shquajnë Konicën sa i përket këtij zhanri sinkretik shkencor-letrar e publicistik, por e veçojnë si erudit, gjeni të kohës dhe figurë poliedrike, që ka mbetur vërtet i veçantë në botën tonë letrare e kombëtare. Vepra ”Shqipëria si m’u duk”,15 që është një kompleks esesh, dëshmon njohësin e thellë të Shqipërisë në aspektin historik, kulturor e etnopsikologjik: ”Ai ka logjikën e Montenjit, por edhe forcën apologjike të Marin Barletit.”16 Një vepër, që do të cilësohet e pakryer, ”Shqipëria si m’u duk”, si shumë krijime të tjera të Konicës, do të shprehë aktualitetin shqiptar të viteve 1928-1929, me ngjyra karakteristike, një realitet shqetësues, që edhe vetë autorin do ta lërë të shqetësuar. Që në konceptimin e parë të shkrimit receptuesi njihet me origjinalitetin e Konicës, i cili priret në mënyrë të brendshme, gati intuitive ndaj trajtimit pothuajse poetik të një subjekti të caktuar. Stili thuajse letrar, me prirje poetike, përfytyrimet dhe iluzionet e natyrës artistike i japin këtij shkrimi (jo fort të shkurtër) pamje interesante, tërheqëse për të gjitha kategoritë e lexuesve. Ishte ndoshta një ”dredhi krijuese” e autorit për të tërhequr lexuesin me nisjen e esesë në mënyrë sa poetike, aq dhe origjinale: ”Njeriu që e shkon kohën me ëndrra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak të ëndërrosh se lulëzon edhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjurmë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka turp dhe s’ndodhet gjëkundi, sepse në tru të ëndërronjësit… po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet.” Stili i Konicës si eseist shpaloset gjithnjë e më i pasur, duke u kombinuar në mënyrë të natyrshme elemente publicistike, të kronikës, përshtypje udhëtimi, kujtime, specifika të reportazhit, të dhëna e fakte historike. Të gjitha këto, në vështrim të parë, duket sikur e largojnë paksa nga lloji letrar, po, në të vërtetë, poeti dhe prozatori lë gjurmët edhe në këtë shkrim. Përfytyrimet poetike janë të pranishme në forma më të larmishme: ”po si një ëndërr e bukur”, ”posi një vend i bukur në mes shkretëtirës” ose ”Afër Shijakut, e çuditi një pyll i vogël plot me zogj, plot me popull zogjsh, këngët e të cilëve bashkohen dhe trazohen aq bukur dhe aq ëmbël, sa të duken si një simfoni e krijuar prej ndonjë muzikanti të natyrës që rron në shelgjet dhe bën shoqëri me shpesët”!Elementet e prozës poetike bëhen shpesh pothuajse mbizotëruese, ndërsa forma letrare plekset me trajtimin publicistik, të tipit të reportazhit, për të krijuar kështu përfytyrime sa më tërheqëse e interesante për receptuesin. Kombinimi i metaforave ”forcova zemrën”, ”filizi i fundmë i lisit të madh ilirian” me ironinë: Shqiptarë dhe ”ekspertë”, që shkon deri në sarkazëm të mprehtë: ”robotët e zyrave të Shqipërisë”, si dhe shfrytëzimi i elementeve të prozës artistike, si dialogu midis figurave reale, që marrin pamjen e personazhit artistik, krijimi i një rrëfimi mbi bazën e pyetjeve dhe përgjigjeve, gjithnjë të imagjinuara nga autori dhe shfrytëzimi i trajtave kohore të ndryshme janë të gjitha elemente të prozës artistike, që Konica i përdor dhe i kombinon me mjeshtëri të rrallë. Krahas tyre në konceptimin eseistik të tij gjejmë edhe mënyra të tjera, si krijimi i portretit të një figure historike, elementet e vizatimit të peizazhit (”me një ngjyrë vjollce, si themë të përgjithshme që i bashkonte e i lidhte të gjitha ngjyrat”). Me gjithë kombinimet e këtyre elementeve, të marra nga publicistika, nga historia a letërsia, Faik Konica strukturon një shkrim, që në formën më të qartë shpreh veçoritë e esesë, specifikën e këtij lloji tepër tekanjoz, që herë duket si trajtesë objektive, herë si trajtesë subjektive, me elemente të theksuara poetike.

Vepra tjetër eseistike ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”, që Konica e shkruan sipas porosisë për lexuesit amerikanë në vitet 1935-1939, botohet pas vdekjes së autorit, më 1957, kurse shqip do ta shohë dritën së pari më 1991.17 ”Libri përfaqësoi mirë Shqipërinë në botën amerikane, që nuk e njihte sa duhet vendin tonë, – thekson prof. dr. Jup Kastrati. Vepra ishte një manifest i kulturës kombëtare shqiptare, i qytetërimit të Shqipërisë gjatë shekujsh. Ishte një afirmim i plotë i cilësive, i karakteristikave dhe i virtyteve më pozitive të shqiptarëve përmes gojës së autoriteteve shkencore botërore: angleze, franceze, gjermane, austriake, italiane, amerikane etj. Me këtë libër autori i solli një dobi të madhe çështjes shqiptare, njohjes dhe popullarizimit të Atdheut tonë.”18 Problemet që shtrohen janë të shumta e interesante dhe kjo është vërtet një histori kritike.19

Pa dyshim, vepra ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” është krijimi më i ndërlikuar i Konicës sa i përket karakterizimit dhe tipologjisë së llojit. Ndërthurja e elementeve të publicistikës, të shqyrtimit shkencor dhe të përfytyrimit e figuracionit letrar i japin veprës më shumë formë eseistike. Këtu është shprehur raporti midis objektives dhe subjektives, ndërthurja e stilit gazetar me atë shkencor e letrar, si dhe vetë temperamenti i Konicës. Që në fillim autori premton se do të përpiqet të jetë sa më ”objektiv dhe i paanshëm”, por nuk mund t’i qëndrojë besnik deri në fund këtij parimi. Së pari, është vetë forma e esesë që e ”detyron” autorin të jetë më i lirë në shprehjen e mendimeve, të emocioneve e të shqetësimeve të tij. Si eseist, Konicën e cyt gjithherë një dëshirë e brendshme dhe një pasion i fuqishëm për të arsyetuar, gjykuar, pohuar ose mohuar diçka. Ky pasion i brendshëm nuk mund ta lejojë të jetë ”objektiv” në atë shkallë që e kërkon logjika shkencore. Mbase, duke mos iu drejtuar një auditori të kualifikuar, shkencor, ai e ndien veten krejt të lirë të shprehë atë që ndien, përfytyrimet dhe bindjet e veta. Së dyti, objektivizmi i veprës cenohet në një masë edhe nga vetë temperamenti i autorit. I ashpër deri në cinizëm ndaj dukurive që s’i pëlqejnë Konicës, s’ka forcë të ruajë ekuilibrin midis objektives dhe subjektives. Kështu, jo rastësisht eseja, si lloj i veçantë, bëhet e preferueshme prej tij, sepse ajo ngërthen një shenjë të theksuar të temperamentit krijues të autorit. Në këtë cikël esesh bie në sy synimi i autorit për të hedhur teza për studiuesit e historisë dhe prirja për të shfrytëzuar të dhëna e interpretime shkencore të studiuesve e të historianëve të huaj. Autori shfrytëzon përcaktime fjalësh, të dhëna gjeografike, etnografike, etimologjike, fetare etj. Stili shkencor kthehet shpesh në stil publicistik, kur autori sjell kujtime personale dhe në stilin letrar, poetik kur krijon përfytyrime, i jep veprës një atmosferë të këndshme dhe komunikuese për receptuesin e huaj. Duke respektuar specifikën e esesë, që nuk mbështetet në të dhëna të sakta shkencore, autori priret në mënyrë të dukshme nga stili letrar. Ai shfrytëzon vargje poetike (p. sh., nga Bajroni) për të mbështetur teza të ndryshme, që kanë të bëjnë me problemet e lashtësisë së Shqipërisë, të historisë dhe të kulturës së saj, të pozicionit gjeografik, të prejardhjes racore, të virtyteve etj. Nga ana tjetër, janë edhe përshkrimet e tij letrare me elemente poetike e fantazi të bujshme. Në përkufizimet teorike është thënë se ”eseja është një lloj i veçantë letrar”, që dallon me stilin e saj nga publicistika shkencore e gazetare. Eseja ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” ngërthen elemente të stilit letrar. Autori i largohet së tepërmi stilit shkencor e publicistik, duke përdorur me shumë sukses stilin bisedor të drejtpërdrejtë. Si në një krijim letrar, ndihet uni i rrëfimtarit, i cili herë rrëfen, herë bën pyetje dhe përgjigjet po vetë, herë zemërohet e bëhet ironik deri sarkastik, herë është aq i sinqertë me receptuesin, duke pohuar se ”zakonisht unë mbaj një heshtje mirësjelljeje, por më ndodh nganjëherë të mos jem me të mira dhe në raste të tilla nuk mund ta mbaj një të qeshur të fortë”. Mënyra e rrëfimit në vetën e parë krijon një komunikim më të drejtpërdrejtë me receptuesin, të cilin autori e përfytyron sikur e ka aty pranë vetes dhe me të cilin qan hallet! Nga ana tjetër, përfytyrimi i peizazhit, shënimet e komentet subjektive, duke iu referuar pohimeve të autorëve të huaj (gjithnjë jo në formë faktesh, por më shumë në formë përshtypjesh e kujtimesh) dhe prirja e herëpashershme për arsyetime edhe të karakterit filozofiko-shoqëror krijojnë një stil tejet të larmishëm, të rrjedhshëm e joshës. Duke pasur parasysh veçoritë specifike të esesë, sa i përket stilit të saj, temës së shtjelluar dhe destinimit, vepra ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” është një ese e gjatë. Sa i përket stilit mbizotërues në këtë vepër është vështirë të veçosh njërin apo stilin tjetër, sepse Faik Konica ka ditur të kombinojë stilin letrar me stilin publicistik dhe atë shkencor, në përputhje me problemin që trajton, momentin emocional dhe bashkëbiseduesin imagjinar. Kjo ndërthurje mjeshtërore i jep forcë dhe peshë të veçantë stilit të përgjithshëm eseistik të Faik Konicës.




[1] Frida Filipovic, “O piscu” (pasthënie), te Sent Bev, ”Knjizevni portreti”, ”Kultura”, Beograd, 1960, f. 341.
[2] Larousse, “Opšta enciklopedija”, ”Vuk Karadzic”, Beograd, 1971, f. 46.
[3] “Recnik knjizevnih termina”, ”Nolit”, Beograd, 1986, f. 264.
[4] Jani Vreto, “Vepra të zgjedhura”, Shtëpia Botuese e Librit Politik, Tiranë, 1973, f. 67.
[5] Rexhep Qosja, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1984, f. 246.
6 Naim Frashëri, “Vepra 6”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1986, f. 157.
[7] Naim Frashëri, “Vepra 2”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1986, f. 153.
[8] Naim Frashëri, “Vepra 6”, f. 281.
[9] Rexhep Qosja, vep. e cit., f. 248.
[10] “Recnik knjizevnih termina”, f. 338.
[11] Aty.
[12] Ibrahim Rugova, “Kah teoria”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 80.
[13] Aty.
[14] Rexhep Qosja, “Faik Konica – kthimi i tij” (parathënie), te: Prof. Dr. Jup Kastrati, ”Faik Konica” (monografi), ”Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 11.
[15] U botua në vazhdime në ”Dielli” më 1929.
[16] Moikom Zeqo, cituar sipas: Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), ”Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 397.
[17] Faik Konica, “Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” (përkthyer nga dr. Abdullah Karjagdiu), ”Buzuku”, Prishtinë, 1991.
[18] Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), f. 476.
[19] Aty, f. 447.


Përgatiti:Flori Bruqi

Yjet janë atje thellë dhe presin natën...


  Resul Shabani u lind në Strugë më 14.10.1944. Filloren dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Gjuhë dhe letërsi shqiptare studioi në Universitetin e Shkupit dhe të Prishtinës. Fillimisht punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Prej vitit l971, u punësua në redaksinë e gazetës "Flaka e vëllazërimit" në Shkup, ku punoi reporter i lirë dhe redaktor i rubrikës së kulturës. Ka qenë edhe redaktor përgjegjës i revistave "Jehona" dhe "Gëzimi" dhe redaktor përgjegjës i Redaksisë së botimit të librit artistik.
Jeton dhe vepron në Shkup.

Ka botuar veprat:

1974-Liqeni, tregime (Flaka e vëllazërimit)
1975-Peshk, poezi ((Flaka e vëllazërimit)
1978-Hamleti me plis të zi, poezi (Flaka e vëllazërimit)
1978-Shën, tregime (Rilindja)
1982-Anija e vjetër, dy drama (Rilindja)
1983-Ora e liqenit, poezi (Rilindja)
1983-Dashuria e kapitenit, roman (Flaka e vëllazërimit)
1986-Ujëpërshkruesi i fushës, poezi (Flaka e vëllazërimit)
1987-Fani vjen vetëm, tri drama (Flaka e vëllazërimit)
1989-Liqeni, ribotim - lekturë shkolle (Detska Radost)
1989-Oh, Amerika, poezi (Flaka e vëllazërimit)
1990-Dashuria e kapitenit, ribotim-lekturë shkolle (Flaka e vëllazërimit)
1992-Oh, Amerika, maqedonisht (Makedonska kniga)
1994-Qerpik i lagur, tregime (Flaka e vëllazërimit)
1996-Mëkat i trilluar, poezi e zgjedhur (Onufri)
1997-Uji i zemrës, poezi (shqip-rumanisht) (Orient-Oksident- Rumani)
1997-Ora e liqenit, maqedonisht (Matica)
1998-Erë ftoji, poezi e zgjedhur, (në disa gjuhë) (Goce Delçev)
1999-Shtatë drama (Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë)
2001-Nuse vale, tregime (Klubi letrar ’94)
2003-Përsëri për shelgun vajtues, poezi të zgjedhura (Botim i autorit)
2004-Dashuria e Kapitenit, roman (Onufri)
2004-Përsëri për shelgun vajtues, (Onufri)
2005-POEZI, shqip-maqedonisht (Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë)
2005-Hamleti me plis të zi, (Serembe)
2007-Ura prej uji, tregime të zgjedhura (Serembe)
2008-Hamleti me plis të zi, poezi (Mikena)
2009-Ura prej uji, tregime të zgjedhura (Serembe)
2010-Vitrina e skenës, drama (Serembe)
2011-Hamleti me plis të zi, poezi, anglisht (BUN “Shën Kliment Ohridski)
2011- Ura prej uji, tregime të zgjedhura, maqedonisht (Slovo)
2012- Ëndërr e falur, poezi e zgjedhur, maqedonisht (Dijalog)

Pesë drama të autorit janë inskenuar në teatrot profesioniste.
Është prezantuar në disa antologji poezie dhe tregimi: - Aliu Aliu “Tregimi shqip”;
Alexandre Zotos “Anthologie de la poesie albanaise”;
Ali Aliu “Gjysmëshekulli i artë”
Antologji e poezisë shqipe; “Poeti Europei”(italisht);
Ali Aliu Antologjia e poezisë bashkëkohore shqiptare (maqedonisht);
Danilo Kocevski Fundi i shekullit (maqedonisht);
Sergej Glavnjuk Nga shekulli në shekull (rusisht);
Paul Polidor Fundi i shekullit (rumanisht);
Poetët e Maqedonisë;
Prozatorët e Maqedonisë,
Zoran Ançevski Poetët e P.E.N.-it të Maqedonisë etj;
Luan Topçiu Antologjia e poezisë shqipe (rumanisht);
Bashkim Kuçuku Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore,

Poezi dhe tregime të autorit janë përkthyer në gjuhë: - anglisht, italisht, rumanisht, frëngjisht, rusisht, spanjisht, serbisht, maqedonisht, turqisht, çekisht, etj.

Për krijimtarinë origjinale dhe për përkthimet ka marrë disa çmime:
"Çmimi për Opus letrar" (Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni);
"Pena e Artë" - për përkthimin në gjuhën maqedonishte, të poezisë së Fatos Arapit (Shoqata e Përkthyesve Letrarë në Maqedoni);
"13 Nëntori" - për përkthimin në shqip të Antologjisë së Poezisë Maqedonase (Kuvendi i Shkupit);
"Kiril Pejçinoviq" - për përkthimin në maqedonisht të poezisë së Visar Zhitit (ShPLM);
"Çmim special *Serembe*" - për opus lirik (Klubi i Artistëve Laçjanë);
"Çmim *Asdreni*" - për libër më të mirë me lirika midis dy festivaleve(Netët Korçare të Poezisë);
"Çmim *Skeptri Letrar*" - për opus letrar (Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë);
"Mirënjohje *Vilson Bloshmi dhe Genc Leka*" (Shoqata e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë”; Korçë)
"Çmim *Grigor Përliçev* (ShPLM);
"Çmim shtetëror për kontributin në njohjen reciproke të kulturave Nëna Tereze",
"Çmim *Mjeshtër i përkthimit*" (SHSHM dhe SHPLM);
"Çmim *Kurora poetike*" në Festivalin “Netët Korçare të Poezisë”;
"Çmim *Abdylazis Islami*" - për përkthimin shqip të librit poetik “Hijet e Atdheut” të poetit Rade Siljan;
"Mirënjohje për kontributin në veprimtarinë e festivalit *Këngë Jeho*"(Strugë);
"Mirënjohje për kontributin në dramaturgjinë dhe teatrin shqiptar" (Teatri Amerikan-shqiptar);
"Çmim shtetëror *23 Tetori*" - për kontribut të theksuar në lëmin e letërsisë dhe kulturës,etj.

Ka marrë pjesë në mjaft manifestime letrare ndërkombëtare, duke qenë edhe anëtar i shumë jurive. Në ditët e sotshme e gjejmë në gatishmëri si kontribues i pa shtershëm në shkrim, redaktor, si dhe përkthyes i veprave në shumë gjuhë, kryesisht ballkanike ku veçojmë në përditshmëri përkthym nga shqipja në maqedonishte dhe anasjelltas.



FLORA E MERMERI

Moreja e largët dhe deti prej kristali,
etja mitike si pirg drite,
e ti jetoje pa dritë, pa ditë, pa net, pa anije,
maje mali me zogjtë e urtë mitologjikë.
Kjo florë e dalldisur, ky det i dashuruar
në brigjet e veta, përherë i vetmuar,
me ç’erë të mbarë e barti anijen
në të katër anët?
Kush? O, kush reciton në skenë?
Ngre sytë dhe shikoj: një det heshtje,
florë dhe mermer.
Oj erë e dashur nga deti që po vjen,
merrmë edhe mua!
More!


PA AKTORË E SPEKTATORË

Kështu ngjau një nate parajsore,
tek i ngrysur po i bëja shoqëri vetmisë sime,
m’u bë se dëgjoja ciatjen e spirancave
dhe u trondita trembshëm.
E ndjeva - po frynte nagapak,
e lëviznin trerët e shtëpisë.

Oj, shtëpi e vjetër me antenë,
me muzikën e prajshme, me shtrat e dritare,
me degën e ullirit dhe lulen e zezë,
me përkëdhelinë e të dashurës mitare
shtëpi, e vjetra shtëpi,
bregliqenore.

Kështu ngjau?
Hapat më shpunë kejit
me shtylla uji e fosfori.
Ishte natë e ishte terr,
isha vetëm e ishte verë;
se kush më tha,
a ma zuri veshi,
se te sheshi
po shfaqej një premierë.
Shpejtova hapin, ndala frymën,
dhe të pash,
vërtet atje në shesh
ishe Ti,
e veshur si mbretëreshë.


PENTAGRAMI ME NJË KËNGË

Shkronjat këtu janë shkraba dhe shenja,
e fjalët heshtje e palexueshme.
Tani flet vetëm pentagrami,
se një dorë dhe një shpirt në ty jetoi,
jetoi,
jeton ende poeti.

Atë që e thotë heshtja jote, fjala ime,
dhe fjala e poetit që vjen të jetojë,
e thotë,
më kot urtësia s’e dëshmoi se thesarët e fshehur
dikush i gjeti atëbotë.


AMSHIMI I HIRIT


KËNDON KUMRIA

A është vonë që njerëzit
i kanë fikur dritat e syve?
Marr të pi - vetëm s’më pihet,
marr të vritem s’më del gjak;
dru e gur zhur o valë
vetëm ngjyrë dhe vetëm pikturë.
Zgjuar eci, mbi vete mjegull;
a është vërtetë vonë,
apo ende s’jam zgjuar i tëri?
Në cilat vite po hynë vitet e mia,
në cilat rrudha, në cilat valë?
A është vërtet kohë e ftohtë,
apo fryn një fllad pranvere?
Ç’po ngjet me shqisat e mia?
Marr të marr rrugë e shtrati
vjen pas meje si anija që fundoset.
Me katërqind duart e mia
mezi i shtërngoj gishtërinjtë e mi.
Këmbët vetë përpara më shpiejnë.
Do të arrij sidoqoftë.


AMSHIMI I HIRIT

Këndej anës sime dëgjova,
ishte zëri yt i dashur;
zëri i tërë fyjeve të botës
që poeti u frynte me mushkëri.
Pa këtë fjalë të ëmbël që shkon pas bagëtisë
çdo gjë jotja do të ishte pluhur e hi.
Në rrugën e marrë verdhësia
s’do të arrinte as deri në tavolinë,
ku shfaqet ngjyra dhe loti.
Këndej, në krahun tim,
pikëllimi pa hala thellimi
i thërret anijet të marrin erën
me velat dhe retë e bardha n’kokë.
Të gjithë shkruanin
e thoshin: do të kthehemi
me fjalën e urtë.
Të gjithë shkruanin letra;
të gjithë zgjoheshin;
të gjithë flinin;
të gjithë pinin ujë;
të gjithë i përshëndesnin
të afërmit e tyre në rrugë.


PAGJUMËSIA

Pagjumësia e poetit
është barrë që s’e mban
frymëzimi.
Shtrati ka këmbë;
këmbët janë ngjitur polip
në letargjinë e agonisë.
Po zallisem, oj nënë!
Faqja ka mbetur
pa puthjen tënde,
letra - pa fjalë.
Qe, shiko, a u çova
dhe hapa dritaren?
Kush hyri - fryma
e më tha:
- Nisu! Nëna të pret
e rruga është e gjatë.
Shtrati ka këmbë
e dhoma ime është pjatë fluturuese.
Po të vete
kë të pyes?
-Fjala s’më del goje
qepallat s’shqiten dot
oj, Nënë!
Çfarë zallie!
Ndoshta jam plot shëndet
e gjumi më shëron.


TRIPTIK

PIKËPYETËSI I PARË

Mugullojnë kërpudhat
nën diellin e ri dhe hijen e vjetër
të Trungut ironik.

Koha zbret me përrenjtë
deri në Detin e Lumit të Thellë,
gijotina prej uji ku e pret.

Ishte i tejdukshëm
muri që i ndante largësitë e paprekura;
ishte i djegshëm
pirgu që ngrihet deri në diell
dhe mbi fjalët e poezisë,
si porosi e lashtë e faunës.

Nga copat e forta të mishit
dhe nga eshtrat e zogjve të mi,
përmendorja e yjeve dhe e diejve
u ngrit mbi një kodër lulekuqesh.

Mugullojnë kërpudhat
në rrënjën e hijshme të filizit,
dhe shirat e largët paralajmërohen me retë
që i prishin kurorat e blerta të pyllit të ri.

Asnjë kohë nuk i përsërit më bukur
motrat e veta të verdha
si kallami i sheqerit.
I mbijetoi në këngë që vala-valës
ia tha në besë liqenit.

Në shtratin e lindjes
kashta e vjetër tani është kalbur,
dhe druri i tijosur i shtratit
është djegur në një betejë dashurie.
Kanë mbetur vetëm dy toptha mesingu
si relikte të një akti të papërsëritshëm.

Zhur e gur,
kasolla në breg dhe moçali,
atje lart plisi i borës-flakë,
majë mali e lusin fushën
t’i bëjë shtrat Drilon lumit.

E lusin malin të hapet
e t’i bëjë rrugë trimit,
që me një kalë përrallash
vjen kallamishtes
e ndalet nën një mollë.

Bora e hollë e zallit saharik
këndej Urës së Qabesë,
kthen trimin e ndjellë nga një fjalë
Nëne me një bijë të pabesë.

Po them:
Asnjë kohë nuk përsëritet më e bukur!


PIKËPYETËSI I DYTË

Lëre ëndrrën e merre grua
më të bukurën mollë fshati,
le ta tjerë me bosht një fije
të gjatë peri, sa rruga e kurbetit;
le t’i thërrasë mëngjes - mëngjes
kumritë e detit
t’i këndojnë këngë vëllait -
atij të vogëlit.

Perin lidhe përdore,
si jetimi me jetimen,
që gjetën rrugë të shpërlarë
me nurin e hënës,
nëpër malin mijëvjeçarë.

Dije, se në mal
mugullon kërpudha helmuese,
por lara e fluturës mbi të si pikturë
ta shfaq përpara parajsën.

Ti nuk je më i kthjellët se liqeni,
më i thellë se uji i tij horizontal.
Nga çatia e përhimtë e bregut
duket oxhaku yt dhe koka jote e lartë.

Unë e di se do të kthehesh,
se je kthyer edhe më parë festave,
kur lumi zinte akull e lulja vesë,
në ditën mes pranverës e dimrit.

Agimet e rrëmbyera si vala
pikojnë nga strehët e shtëpisë sate,
e poeti e merr me një fjalë
këngën e këndezit.

As në këngët e epeve të lashtë,
nuk gjen mëngjes më të bukur,
se möngjesi buzë liqenit,
kur heshtja mërmërit
dhe dielli ujëvarë derdhet
mbi çatinë e kasollës sime.

Po ndërtoj një barkë
me trungjet që ka sjellë
lumi i malit me shtylla bore;
ti futem Drilon Ziut
gjirit të thellë e të kthjellët.

Kah t’ia mbaj me barkën,
kur ujvarë e kam shpirtin
e rrëzohem mbi trupin tim?

E di se një ditë do të kthehesh
se unë s’do të shterrem me pritje,
se jam ujë kaq i thellë.
Merre kthjelltësinë time e më shiko,
a mund të ma prekësh fundin e fjalës,
medet!


PIKËPYETËSI I TRETË

Me kurthin e errët të natës,
me thuprat e njoma të mëkatit
e thura rrugën e largët
të kthimit
oj, Nënë!

Unë s’di të ta shkruaj një letër,
se më është ënjtur gjuha e shkrimit
nga lashtësia e germave
që i mbajta në hejbetë e mia,
andej nga me gishtërinjtë
kërkova një kore buke
të kohës së largët.

Kur do kthehem,
më e vogël se dora,
do më duket shtëpia,
shtëpia ime buzë liqenit,
kështjella prej uji,
që kaq shumë po ma zmadhojnë
kujtimet e përfytërimet.
Ajo del mëngjeseve
nga syprina e liqenit,
e futet në gjirin e ëndrrës
si fëmija jetim
që i qepet mëndeshës.

O, bobo, Nënë, sa shumë kam mall
për syrin tënd të shterur,
që kulloi aq vesë mëngjesit
bashkë me bilbilin në degë.

Nuk e di, nuk e di, nuk e di,
pyetem, pyes e më pyesin,
pikëpyetës më janë bërë
tri dimensionet e rrugës
dhe harku magjik
që ka përmbajtje uji.
Në rebusin me yje
ta nxjerr, si në tepsi,
hartën shpirtërore të liqenit
me një kasollë në zall.

Ngrohtësi e ahurit dimrit
e ruan nën borë lulen e tharë
pa erë e pa rrënjë
e me bukurinë
që në pranverë shndërrohet në flutur.

Rrugën e pata mësuar nga zhuritja e lumit
dhe nisa me Drilonin tatëpjetë;
mal më mal grykave, Nënë
deri te portat me shtylla yjesh
që nuk i prek dora ime
e mallit.

Si të kthehem
kur lumi me mua s’vjen përpjetë?
Uji kthjelltësinë e ka trazuar,
e portretin tim
s’e lexoj dot në syprinë,
si Narcisi në një legjendë.

A jam unë ky, kaq i ri?
pas qindra vjet rrrugëtimi
që e bën etja
me këmbët prej shavari,
duke kërkuar burimin, pellgun, pusin
ku del si prej sise,
si qumësht i bardhë,
Drini i Zi,
zi e zi,
moj Nënë!

Më gjetën në gjumë,
me kokën nën plis dheu.
Mbi duart e mia të mbuluara me gjethe,
në ujin që kishte lëshuar nata me vesë,
kishte mugulluar kërpudha
dhe lulja pa rrënjë.

Një lis, moj Nënë, një lis
hije të vjetër po më bën
në malin që ma ndau rrugën dysh,
rrugën që shpie në zhurin tim.
U lodha në gjumë e pritje
dhe të mbiva si kërpudhë,
në këto fjalë.

Kush e di sa shekuj -
rrënja ime?


TRËNDAFIL NË EKSPOZITË


KUTIA MAGJIKE E DRITËS


Ka kohë që po vdes për ty,
ditëve që janë pritje dhe këngë.
Tani di të shkruaj fjalë që m’i dërgon
me portretin tënd në zall,
kur vala bie mbi valë.

Me buzë nuk preke,
dhe natën e gdhive në dritare
duke qëndisur nurin që binte mbi liqen
dhe duke e vizatuar në zemër
fytyrën e atij, që rrugë shqotës merr.

Në zall janë ngritur tenda
dhe këmbët e mia sa s’u këputën
derisa hyra në atë dritë
që m’i fshehi duart,
që m’i kafshoi fjalët,
që më hodhi si peshkun e gjuajtur
përsëri në valën e ftohtë të vetmisë.

Kuti magjike plot dritë,
shtrati dhe vendi i lindjes,
kashtë e kallam
e ujë i kthjellët.

Sonte në këtë libër të dua,
që e shfletoj si porosinë,
duke ikur dhiareve të lashta
ku digjet pikëllimi
dhe gjelbëron kujtimi im.

Sonte po lahem
në brrakën tënde prej flokësh,
si myshqe e algje e bar shavari,
dhe po kalbem këmbësh,
si kallami
që ia presin nga lart fjalët -
bregun me gjelbërim mos e mbulojë.

Të desha një natë vjeshte,
më Një mijë e nëntëqind e dyzet e katër,
natën kur linda, apo linde në Kalisht.


ARKA E VOCKËL PREJ GUACE

Aty ruaj çikërrimat
brej bakri dhe argjendi,
dhe monedhat me të cilat
mund të blesh kujtime
në Sheshin e Strugës, te Ura
e Psherëtimave.

Zërat e acarit tim
ndrydhen në këtë guacë,
se prej cepit të saj
rrjedh uji pa ngjyrë,
i rëndë
dhe i ftohtë,
si psherëtima e shelgut vajtues
kur në acar e shfryn dufin
e vapave verore;
kur dielli nga uji i thellë
i ka spërkatur me rrezet e jetës.
Tani më kërkojnë nëpër botë,
si shelgjet shiun,
me shekuj pa prekur
gjatë verave lakuriqe.

Shkëmbi,
duhet të bëhet copë e thërrime,
që në bregun e tij,
ujin e shenjtë ta prekë, i rilindur.

Poezia ime,
u ngjanë shelgjeve vajtues,
të burimit.

E lartë është shtylla e mallit
që shpirtin mban vertikalisht,
si uji i thellë i Drinit tim
ku ruaj fjalët e mikut,
që tani nuk më përshëndet me letër
se i ka harruar shtigjet e ujit
në detin e dhembjes së njomë.


KALORËSI

Vinte i lodhur me kohën
dhe koha rrinte me ne e pushonte.
Por ai vazhdonte në hapësirën e shterur
ta ndjekë hijen e tij të zezë,
dhe kur kthehej koha e çlodhur,
e priste në pragun e kasollës sime,
të kalbur.

Ai shkeli me kujdes në barin e egër,
por ferrat e luleve më të bukura
ia përgjakën gishtërinjtë e tij të butë,
si mish i murrmë i mumjes.

Piu verë dhe theri kafshën e pyllit,
dhe gjaku rrodhi mbi shtrojën prej dheu,
duke lënë pas vetes erën e fierit
dhe pluhurin që nga larg e bien
të një dheu të huaj.
Tanushën e Dylqinën
në dritaren pa shtëpi që e pret,
në kështjellën ajrore
e puthi me mallin e tij gjysmëhëne
dhe u tkurr në mëshirën e vet,
si plisi i dheut lëvruar në vjeshtë,
e ngrirë në pranverë.

Rrymën rrezore të erës së largët,
e mbylli në shishe si gruaja e pabesë
djallin e zi,
dhe kur u shtri mbi shtratin e lartë,
si fron perëndish,
ballsam u bë prej kuarci,
dhe, sot e atë ditë,
pezullon në gjumin e pakohësisë.

Nga erdhi askush s’e di, i humbur.
A kërkoi vajzë, grua, nënë, ar apo gjak,
askush s’e di.
As emrin s’ia mësuan.
Thanë, këndej pari kaluan
dhe andej vajtën e shkuan,
koha mbeti këtu të çlodhet,
se hijen e zgjatën,
kur dita kah perëndimi merr,
dhe zgjohen ëndrrat me shtojzavalle
në thellësinë e liqenit.

Sa shekuj dritë bëri derisa u ngjit
në këtë Olimp,
prej nga bien si breshër
perënditë e rrejshme
dhe endacakët që ndjellin flakë,
që digjet e flakë nuk bën.


TRUPI - PLUHURI - YJET

Mos qofsh më i rëndë
se një pupël zgalemi
- i tha trupi shpirtit -
kur t’më lësh në këtë vend
pezull mbi çatinë e përhirtë,
e kur ta dëgjoj ankimin e Nënës
t’i vij i ri, lule molle
në pranverë.

Pluhur u bë, vesë - strall e purpur
as ujë, as re, as dru,
bilbili në gëmushë e thëllëza në degë,
prej pusit uji u derdh,
yjet u zgërdhinë të ftohtë
me bukurinë ndjellëse
dhe treguan rrugë të gabuara
kah errësira e pyllit
me një gjarpër bishtkëputur.

E uji, Nënë, uji?
Uji na këndoi me urtësinë e lashtë
dhe na e bëri fushën pyll trëndafilash.
Pemët i volën ata që dolën
me gjuhë të mpirë,
e nuk folën.

Tani askush nuk di të tregojë
për daljen time nga deti
si vajza ime Najada,
e pakufishme e kristaltë,
e paprekshme e qenë,
nëpër gushë më rrjedh
dhe më uluron
vala e llavës së përhirtë;
a po jap, a po marr shpirt - s’e di,
por do ta marr flakën e ujit
të gjolit tim të shuar,
le të shndërrohet në dritë pastaj.
Trupi im,
yll le të bëhet,
se e këndojnë në legjendë;
se vijnë e shohin e mahniten
me bukurinë e tij të qiellit,
atë ujë që ma ndal hapin
të dal nga dhoma e lindjes,
pas hapave të parë që bëj
nëpër brigjet e pikëllimit tim.


GJERGJ-ELEZ

Karvanët e kujtimeve kaluan
mbi qerpikun qull të natës,
syrin e thellë e shkelën
dhe ranë të fushojnë
në lugun ku fle lumi
dy ditë e një natë.

Bukuria u zgjua dhe ua ngjeu buzët
me vesën e lagshme,
i ndërroi pastaj pas ndërrimit të motit
me borën e rëndë.

Nga lodhja nuk u hetuan
se po diktoheshin padiktueshëm
në drurët e mbuluar me dhe,
xehetarët pas një mijë vjetësh
do t’i zbulojnë thëngjill të bardhë
eshtrat kërdhokulla -
as kafkë as këmbë.

Po të çahet toka tërmet,
tregoni Nënën sime
prej ku buron ky ujë ilaçi
midis bjeshkëve të blerta.

I lënë në altarin e mbuluar
me murin e rrëzuar nga tërmeti,
i shpërndanë eshtrat si relikte
dhe si ngjyra të paharxhauara të piktorit.

Sytë mallkojnë prej frike
kur panë bukurinë e llahtarshme,
që të lë pa gjuhë,
që të lë pa duar,
që të lë pa rrugë,
e të ngul në zall,
si hu ,
ku pastaj lidhen
litarët e barkave parahistorike.

Orkestrinat e sirenave të detarit
që i përmend plaku i verbët në lahutë
kanë ecur zbathur maje malesh me dëborë
dhe kanë ardhur këtu te uji i ëmbël
ku s’del shpuzori përbindësh
dhe forsfori i detit.

Jam larg prej këndit akrobatik
që bën sallto e bie gjithnjë në kokën e tij
prej guri,
thyhet vetëm zemra ime
sa herë që shkel - baltë e kallam.


NJË DITË PAZARI
    (Fragment)

Një ditë pazari në Strugë,
ditë vere,
i pyeta fëmijët e mi: nga jeni?
I njoha pastaj kur recitonin
vargjet e poetit nga liqeni
të librit tim.

Bukuria magjeps dhe bëhet mëkat
kur e prek dora jote e dridhur, dashuria
lodhet duke frymuar me mushkëritë
e liqenit
dhe niset me këmbë të xhamta drejt
rrugëve pakthim.

Largësitë,
pamjet e ngrysura në letrat që marrin nënat,
vezullojnë me neonët e shkëlqyeshëm metropolesh,
vendlindja i pret me ngrohtësinë e ditës
kur bëhet pazar në Strugë
dhe kur kthehen nga letrat e bardha
të gjitha mendimet dhe ndjenjat
që recitohen në shesh,
në pazar,
e pemët e njoma piqen.


MASHTRIMI I VERËS

Më tha: eja në këtë kthesë thyeqafëshe
se ta shëroj brengën
me një gllënkë të kuqërremtë,
dhe dehja t’i nxjerr pastaj
yjet e vendlindjes në sofër.

Dobësinë e pata mëri, dehjen,
dhe i thashë verës të pi për qejf.
Ajo heshti e kuqe në gjakun tim
dhe pastaj kënga u derdh
vend yjesh.

Ua ktheva shpinën yjeve,
e fjeta në terr
me dritë të fikur.
Vinte një ëndërr me fanar në dorë
dhe dëshironte të më shpjerë
rrugëve të mëkatit.


SHËN NAUMI

S’ka guxim të më dalë ta shoh
se do më magjeps me bukurinë
e trupit që ka, zemër mbi zemra,
dhe me tik-takun e amshimit
si ritmi i jetës sonë
dhe si rrjedha e Drinit
që ndanë më dysh liqenin.

Një gur, arkivol, fron, lavdi, bukuri;
e vë veshin dhe dëgjoj.
Të gjitha rrëfimet më të larta të kohës
rrjedhin në këtë legjendë.
Shën Naumi rri ngrysur me mjekër të gjatë
dhe më lut ta përfytyroj.

Ballsami që askush formulën s’ia di
e bën të më flasë me gojë,
kurse unë këto vargje t’i shtroj
mureve të bardhë të ëndrrave
dhe ditëve
që vijnë.

Perëndia aty rri këmbëkryq
dhe merr namin e vet
të ftohtë dhe të bardhë, si mëngjesi.


MARGARITARI

Gjuha e muzikës foli përçartë
në qiellin me gjethe vjeshte
që duket i çarë si toka në verën e thatë;
nga degët e këputura të mëkatit,
gjuha e muzikës vajton
gjithë natën.

Shenjtorët janë të pastër si uji i kroit
dhe shpirtin e kanë margaritar.
Ata largohen vazhdimisht të penduar
në listën e mëkateve të pashkruar
dhe unë pastaj mbetem vetëm,
në shuplakë e mbyll
një margaritar.

Sofra shtrohet me peshk e verë e
vjeshta përbaltet me kallamin.
Kësaj rruge ka kohë që asnjë i shenjtë
s’ka shkelur orët e vona të rrugëtimit
duke kërkuar librin e humbur
dhe vatrën ku si mikut
i ndizet zjarri i dashurisë, e
të mbeten me nesër prushi
e hiri i mbuluar,
qiell i përhirtë.
Yjet janë atje thellë dhe presin natën
t’i mbjellë,
se ata duken vetëm në terr.


FËMIJA I SËMURË

Pas mbarimit të lojës së kobshme
fëmija erdhi e ra në dyshek.
Prej goje i rridhte gjak i zi.
Mollëzat i kishte të verdha -
mollë të papjekura.
Ra.
Kur u ngrit më këmbë - flamur,
të gjitha stuhitë e kohëve
iu pasqyruan në fytyrë.

Fëmija ra në shtratin e lëngatës,
e ëma ia hapi dritaren natën
të hynte gurgullima e prrockës,
dhe si orë kënga e kumrisë
t’ia kumtonte çastet e agimit të ri.

Egërsira e padukshme po ia kafshonte
mushkëritë e njoma,
fryma tani i ngjante fashit polar,
acar po i merrte trupi
gojës po i dilte zjarr.
Besoni,
ai s’ka fuqi të këlthasë,
të thërrasë
ëmë e vëlla.

Vreri verë e verdhë,
bien boritë e barinjve ushtarë,
rruga ngrys vetullat dhe kërkon
një shtegtar të vonuar.
Cili lejlek po pret,
cili bilbil po këndon
në ograjë.

Fëmija ra në shtratin e lëngatës
një ditë pranvere
pasi loja e kobshme mori fund,
dhe hënë e re doli sipër lumit.
Nëna dënes e dënes,
shtrati është mbuluar me vesë,
lëngatë,
sa të dalë diell.

Motra tha: hapni perden në dritare
se lule - uji kërkon dritë,
lulja në saksi dhome
rritet vetëm me dritën e qartë.
Prit e prit që prej kësaj blerine
lule të lulzëojë - gonxhja
motra tha: Nënë,
hape derën le të hyjë
drita në degët e lules sime.

Fëmija i sëmurë në shtrat lëngate
s’ka fuqi ta pijë dritën me sy.
Mbi qepallat e mbyllura dhe psherëtimat
e përmbytura,
drita bëhet anije
e ai trupin nuk e ka të thellë si deti
se po merrte tjetër rrugë.

Vdekja kalëron mbi pegazin e harlisur
nëpër muret e dhomës si hije e padukshme,
vetëm fëmija e sheh këtë bukuri
me sytë e zgurdulluar.
Ec e mos e lësho perden
mbi dritare;
ec e mos e bëj dhomën terr pikë dite
pranverore,
kur kalorësi i moçëm me kosë në dorë
vjen të presë lule barishtore.

Thotë Nëna: mbase në terr
nuk e sheh bimën time të shpirtit?
Shllapurit trofta në shavar,
gagat pata,
e leh bardhoshi bishttrashi,
këndon klndezi
e macja mjaullon,
bilbil pranvere mbi degë kërkon
cicërron zgalemi,
pall gomari,
flora me faunën përsërisin ritmin e kobshëm,
derisa fryma mbi shtrat fëmije
dëshiron të ngrihet më këmbë ujore.

Egërsira brenda nëpër shkrumbin e buzëve,
fëmijës qumështin ia pi në gjuhë
koha ndalet dhe bën sehir.
A ka pëlhurë më të bardhë se fytyra e Nënës
kur gjaku ik më këmbë e tretet
nga dhembja?

Motra thotë: hape perden
le të hyjë në shtëpi drita,
se shtalbi i bimës lule kërkon.

Eja me Nënën
të marrim rrugë.


KËMISHA E GJARPRIT

Vapë, vapë.
rruga e mbytur në pluhur. Fshati,
dimri, Kalishti, bën baltë.
Shputa e këmbëve mbi zall, pisha
natën bën dritë -
si vala zhurmë.
Iriqi në pluhur rruge,
breshka ecën ngadalë nën rrotat e qerres
me dru të njomë ngarkuar.
Peizazhi i dritës e ditës vetmitare,
hukat lodhjen e barishtave nga vapa;
këmishë zhveshur
fëmija lahet
në ujin me kallam.

Askush prej nesh nuk e di
në cilin mal fshihet gjarpri
që ha mollë të pjekura,
e natën rri me yjet si sy dhe na shikon
si flemë e çlodhemi.

Fëmija në rërë me një shkop
rri dhe i pret peshqit të dalin
për të kullotur barin e njomë, fëmijë.

Në rrugën me pluhur,
kur kthehet agut,
këmishë e zhveshur gjarpri,
me larën trishtuese,
rrugën ia pret.

Ah, moj, rrugë!
Rruga që do marr për mëlçinë
bashkë, si në këngë,
me atë arabaxhinë.

Në shtëpinë tonë dhoma shumë e nuse,
e rrugë të largëta.
Letrat shkruhen me ngjyrë uji,
këmisha e varur në tra
prej pëlhurës mëndafsh,
në rreze vere përtha’.
Ah, moj, të keqen, Nënë!

Nënë, moj, më ler të iki
m’i hap dyer e frengji,
të marr mollë me gjarpër,
të mbulohem me degë shelgu,
të më lajë shi vere,
të më ngrijë borë majemali,
të dal mendje flokëshprishur,
që të ngas pas djalit!

Fëmija kthehet natën vonë
e rreze të argjendta hëne bien mbi pishë,
këmishë e zhveshur gjarpër në rrugë,
lëkurën rrëqethëse të nuses djersitur
ta përkujton.

Ajo merr fëmijën e huaj
dhe i jep mollë,
ta prekë me frikë,
e mos e kafshojë dot
me dhëmbët e qumështit.


NË VJESHTË

Mbi arkivolin e gjetheve
Osa dënes pa lot pa zë,
me këlthitjen e kaltër
e të heshtur.

Në fshatin që këmbët sharron
në baltë,
Osa ndërton kasollen
me eshtrat e zogjve,
me halë peshku
se dimër po vjen i acartë.
Me gjethe bën kapelë
e mbrohet nga shiu i mbrëmjes
kur del për peshk,
e kthehet me rrjetën plot yje
të akullt
që i shkrihen ndër duar,
e duarthatë pëherë
kthehet në baltën e tij, fshatin,
me një kasolle shavari.

Mbi shpatulla i rriten,
mbi dyzet vjet,
dy drurë si duar dhe sëpata,
që i pret për të bërë kasollen,
se vjeshta rigon ngadalë
mbi xhamin e dritares.
Osa ka dalë në oborr,
me baltën i përbaltur,
këmbëzbathur.

Gosti bën me gjethe të verdha hardhie,
vjeshta ia ka vjelë vreshtën,
dhe shtrati i njomë i borës,
që agu e shkrin,
mbi vetull
i ka vënë moti,
vetullat e zeza futë,
mbi malin e lartë që rrëzohet
pas verës
me tërmet.

Nuse mori Osa kësaj vjeshte
dhe u mboll në këtë baltë.

Do t’i dalë pranverë stina,
pa dimrin që s’do ta gjejë
e do ta kërkojë rrugëve të largëta
me sharrë e libellë.

Dy drurë në krah i rriten,
dhe dy lisa të gjatë atje në Kalisht
e presin me gjethe të rëna,
se vjeshtë i thonë.

Osa ynë
vjen e vjel vreshtën
mbjell edhe një lis
e përsëri shkon.




Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...