2012-05-24

Tragjedia në Himarë kishte marrë dhenë, ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme


Qytetarë dhe studentë të Prishtinës u bashkuan me dhimbjen e familjeve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të të hënës në Himarë dhe ndezën qirinj në nderim të kujtimit të tyre.
Ndërsa në Shqipëri ishte shpallur ditë zije, Kosova e quajti 22 .05.2012  ditën e Dhimbjes gjithëkombëtare. Atmosfera e Ditës së Zisë Kombëtare në Shqipëri, u ndie edhe në Kosovë, përfshirë programet e radiove dhe televizioneve, si dhe gazetat e ditës, të cilat pasqyruan gjerësisht tragjedinë e Himarës.
Qytetarë dhe studentë të Prishtinës u bashkuan me dhimbjen e familjeve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të të hënës në Himarë dhe ndezën qirinj në nderim të kujtimit të tyre.
Duke filluar nga ora 20.30 e mbrëmjes së të martës, në shkallët e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u ndezën qirinj në nderim të viktimave të tragjedisë së studentëve të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan.
Vizioni Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe qytetarë të Prishtinës i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Drejtues të institucioneve shtetërore dhe partive politike të Kosovës kanë ngushëlluar familjet që humbën të dashurit e tyre, si dhe krerët e institucioneve të Shqipërisë.
 

Si në spitalin Ushtarak të Tiranës ashtu edhe në atë rajonal të Vlorës, vërehet përmirësim i gjendjes shëndetësore të vajzave të plagosura në aksidentin e rëndë të të hënës. Dy prej vajzave në gjendje më të rëndë mbahen akoma me frymëmarrje artificiale.   
 Gjendja shëndetësore e studenteve që po trajtohen në spitalin rajonal të Vlorës sot ka një përmirësim të ndjeshëm. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Shkëlqim Selami, "parametrat shëndetësore të 10 vajzave të plagosura kanë shënuar një përmirësim të ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit".
Sipas mjekut kirurg Fredi Muço, në këtë moment po zhvillohet një konsultë e grupit me mjekë të specializuar, për katër vajzat që janë duke u trajtuar në repartin e Rianimacionit, ndonëse gjendja e tyre paraprakisht paraqitet shumë më e mirë se ajo e një ditë më parë. Gjithsesi, për të dalë në një konkluzion përfundimtar, sipas mjekut kirurg Fredi Muço, do të bëhet një tjetër skaner rezonancë, si dhe disa analiza të tjera për vajzat e aksidentuara.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e vajzave të tjera, që po trajtohen në spitalin e qytetit, paraqitet e mirë dhe nuk përjashtohet mundësia që dy prej tyre të lenë sot spitalin, për t’u trajtuar në shtëpi.
Në Spitalin Rajonal të Vlorës aktualisht po trajtohen 10 nga vajzat që mbetën të plagosura në aksidentin tragjik të Himarës. Për trajtimin dhe kurimin e tyre u krijua një grup mjekësh, të specialiteteve të ndryshme, të cilët po ndjekin situatën e tyre shëndetësore prej 48 orësh.
Paraqitet përgjithësisht e mirë edhe gjendja shëndetësore e studenteve të plagosura që marrin shërbimin shëndetësor në Spitalin Ushtarak. Sipas drejtorit të Spitalit Bedri Mihaj, sa i takon dy rasteve më të rënda, mëngjesin e sotëm të plagosurat kanë parametra të stabilizuar mjekësorë, por ato akoma mbahen me frymëmarrje artificiale.  Dy vajzat që paraqiten më rëndë janë Florije Peci, që ka dëmtime në kokë, trup dhe palcën e kurrizit, shembje të gjoksit dhe barkut dhe Eriselda Gubere, e cila ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit.
Dje u bë operacioni i Fetije Pecit në shtyllën kurrizore, i cili, sipas mjekëve, rezultoi i suksesshëm. Ndërkohë rastet e rënda po ndiqen në vazhdimësi nga ekipet e mjekëve.
Për të gjitha të plagosurat janë angazhuar dhe ekipe të neurologjisë dhe psikologë për t’i  trajtuar për traumën psikologjike që kanë pësuar.


Po mblidhen dokumentacionet nga agjencia e udhëtimit "Llixha 2001",  nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor dhe Universiteti i Elbasanit
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit të dy ditëve më parë, në Himarë, ku humbën jetën 13 studentët e universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, ndërsa mbetën të plagosura shumë të tjera. Hetimet duan të nxjerrin në dritë nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndonjë defekti teknik, apo për faj të shoferit.
Sipas ATSh-së, ekspertë të Prokurorisë kanë nisur hetimet, të cilat si fillim janë përqendruar në agjencinë e udhëtimit "Llixha 2001", duke marrë nga kjo e fundit të gjitha dokumentet teknike, ku edhe do të vërtetohet nëse agjencia ka plotësuar të gjitha rregullat e duhura të mjetit, sikurse është kolaudimi dhe kontrolli teknik i tij. Gjithashtu, në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Elbasan është tërhequr dosja, ku edhe ndodhet patenta e shoferit Pëllumb Çela, si edhe dokumentet teknike të automjetit.
Ndërkohë që edhe nga universiteti "Aleksandër Xhuvani" janë tërhequr të gjitha dokumentet,  ku do të vërtetohet nëse ky institucion kishte lidhur më parë një kontratë me agjencinë "Llixha 2001", për transportin e studentëve në ekspedita, si edhe ekskursione të ndryshme.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, është shprehur se "kontrata mes kësaj agjencie dhe universitetit është e rregullt dhe ka më shumë se tre vjet që studentët udhëtojnë me mjetet e kësaj agjencie".

Në spitalin e Vlorës po trajtohen gjithsesj 10 nga të plagosurat, katër prej të cilave ndodhen në repartin e reanimacionit për shkak të gjendjes ende delikate. Të tjerat, janë dërguar në dhomat e repartit të kirurgjisë, ku po mbahen nën kujdes të rreptë.
Elidona Gjinaj, 21 vjeçarja nga Laçi, është një prej vajzave në rianimacion. Rënkon nga dhimbjet. Ajo është akoma e shokuar dhe flet me mjaft vështirësi. Në një moment humbet disi vetëdijen dhe pyetjes "A mban mend diçka nga aksidenti?", i përgjigjet gjithashtu me pyetje; "Çfarë aksidenti?". Por, më pas kthjellohet disi dhe tregon me shumë vështirësi diçka nga ajo që ka ndodhur. "Kujtoj vetëm momentin kur autobusi po binte dhe më pas…asgjë…", thotë Elidona, duke marrë frymë me mjaft vështirësi.
Ajo thotë se i kanë ardhur të dy prindërit, të cilët tashmë janë më të qetë. "Jam vajzë e vetme, kam edhe dy vëllezër", vijon më tej 21 vjeçarja nga Laçi, ndërkohë që shton se, "tani ndihem më mirë".
Ndërkohë, në shtratin tjetër, ndodhet 23 vjeçarja Adiola Mustaku, nga Fier Shegani i Lushnjës. Është paksa më e qetë krahasuar me shoqen e saj, por gjithsesi mjaft e rënduar psikologjikisht. Madje është e shqetësuar për shoqet e saj, pyet për njërën prej tyre me mbiemrin Haka dhe kur mjeku Selami, që shikon një listë, i thotë se është gjallë dhe ndodhet në spitalin ushtarak të Tiranës, ajo lehtësohet dhe merr frymë thellë. Duket disi më e çliruar, aq sa mund të jetë e tillë një 23 vjeçare, që ka përjetuar një ngjarje tepër të rëndë. Mundohet të kujtojë ato momente "ferri", sikundër i cilëson ajo. "Autobusi po ecte me shpejtësi, kur në një nga kthesat ai devijoi. Unë isha ulur në sediljen e katërt pas shoferit dhe dëgjova që ai tha, nuk kam frenat. Të gjitha po bërtisnim. Ndërkohë, autobusi mori majtas duke shtuar shpejtësinë. Shoferi u mundua të kthente timonin por nuk arrinte pastaj pamë që autobusi u drejtua drejt bordurës anësore të rrugës dhe e goditi atë me pjesën e përparme. Më pas nuk mbaj më mend asgjë. U zgjova në ambulancë", përfundon Adiola.
Një shtrat më tej është Besjana Xhenati, 21 vjeçe nga qyteti i Kavajës. Nuk arrin të komunikojë. Në fytyrë nuk duket e dëmtuar, ashtu si shoqet e veta, por nuk reagon ndaj pyetjeve tona. Duket e tronditur. Madje, as mjekët nuk e bëjnë dot të flasë. Qëndron e heshtur dhe vetëm tund kokën, ndërkohë që herë pas here rënkon lehtë.
Në këtë dhomë të vogël të repartit të reanimacionit të Spitalit të Vlorës, nuk i kanë mësuar ende përmasat e tragjedisë. Gjendja ende e pavetëdijshme e të aksidentuarave, por edhe kujdesi i mjekëve dhe familjarëve dhe të afërmve për të mos u treguar, përbëjnë dy nga arsyet e kësaj.
Megjithatë, ato arrijnë të kuptojnë se diçka e rëndë, tepër e rëndë ka ndodhur. Kjo edhe kur shohin që në një dhomë të vetme janë tre shoqe, studente të një fakulteti. Adiola pyet për të mësuar diçka më tepër, por mjaftohemi duke u uruar të shkuara, për t’u drejtuar në një dhomë tjetër të këtij reparti, ku ndodhet një studente tjetër.
Liri Hasaj, 21 vjeç nga fshati Stërbeg i Kavajës, është paksa më e qetë dhe më e vetëdijshme se shoqet e tjera. Madje, për këtë arsye atë e kanë vendosur në një dhomë tjetër. Një e qepur e thellë në pjesën e djathtë të ballit, ku spikat ende gjaku i mpiksur, si dhe fyryra e verdhë, janë elementë që bien menjëherë në sy. Pavarësisht se flet me mjaft vështirësi dhe me një zë të ulët, Liria është në gjendje të tregojë mjaft detaje nga ajo çka përjetoi një ditë më parë. "Nuk e di ka ndodhur në realitet, apo jam në ëndërr. Më duket gjithçka si një ëndërr", shprehet ajo, duke vijuar më tej tregimin e saj. "Autobusi po lëvizte tepër ngadalë, madje edhe një gomar me ecjen e vet mund të na kalonte", thekson 21 vjeçarja, duke përshkruar disi ndryshe nga dy shoqet e tjera. Ajo thotë se ishte ulur në ndenjësen e tretë dhe ka parë mjaft gjëra nga ato momente të fundit përpara rënies.
"Në fillim ndiem një goditje në pjesën e pasme të autobusit, që u përplas, mbase në një shkëmb në anën e sipërme të rrugës. Pastaj nisi të rriste shpejtësinë dhe të lëvizte përpara në krahun e majtë drejt bordurës së anës tjetër të rrugës. Ne bërtisnim. Shoferi mundohej të drejtonte makinën. E ktheu në një moment. Por, autobusi ra anash bordurës. Ramë me pjesën e pasme. Kapërdimjen e parë të autobusit e ndjeva, duke u kapur fort pas sediljes. Më pas u zgjova dhe e pashë veten se ndodhesha 10 apo 20 metra larg autobusit. Po rënkoja. Pranë meje ndodheshin edhe dy vajza të tjera. Duke rënkuar dhe duke bërtitur aq sa mund të bërtisnin, kërkonin ndihmë. Njëra ishte Anisa Çoba. Tjetra Arta Ballabani. Shikonin nga unë dhe kërkonin t’i ndihmoja duke më thënë se ndiheshin keq. Por unë isha e mbuluar nga gjaku dhe e pafuqishme për t’u ardhur në ndihmë. Isha e larë gjithashtu kokë e këmbë me karburantin e autobusit, që ndodhej i shtypur 10-20metra më tej dhe poshtë tij, vajzat e tjera. O zot, Arta bërtiste me të madhe. Çfarë ishte kjo? Nuk e besoj dot ". Liria rrëmbushet dhe në sy i shfaqen lotët. Na falenderon që jemi pranë saj dhe humbet në botën e vet, në ato momente tmerri që ajo ka përjetuar një ditë më parë.
10 vajza trajtohen në Spitalin e Vlorës
Drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Shkëlqim Selami, thotë se aktualisht janë duke u trajtuar 10 vajza mes të cilave Elidona Gjinaj, nga qyteti i Laçit, Enkela Daja, 19 vjeçe nga Elbasani, Adiola Mustaku, 23 vjeçe nga Fier-Shegani, Lushnje, Ergita Opingari, 21 vjeçe nga Berati, Juliana Kuqi, 21 vjeçe nga Lushnja, Besjana Xheneti, 21 vjeçe nga Kavaja, Ticiana Hysaj, 21 vjeçe nga Elbasani, Liri Hasaj, 21 vjeçe nga fshati Stërbeg Kavajë, Anisa Hysa(Gjika), 20 vjeçe nga Elbasani, Adisa Çela, 21 vjeçe, nga Elbasani. Kirurgu Fredi Muço, shprehet se gjendja e tyre është drejt përmirësimit të vazhdueshëm. 
Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe në veshka.
Dy rastet e paraqitura më rëndë, ndër 14 vajzat e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e së hënës në Qafën e Vishës dhe që po marrin trajtimin në Spitalin Ushtarak, do të nisen ditën e nesërmne drejt Austri për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. 
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha në një konferencë për mediat se shqetësimi ynë më madhor ka qenë dhe mbeten dy vajzat që kanë paraqitur problematikë shëndetësore të komplikuar. “Duke bashkëpunuar me ambasadorin austriak, me përfaqësuesit e Raiffeisen Bank dhe aktorë të tjerë kemi arritur me një zgjidhje të përbashkët pozitive: trajtimin e këtyre vajzave në klinika të specializuara në Austri” ka thënë ministri Vasili. 
Ambasadori austriak në Tiranë u shpreh i lumtur për arritjen e një marrëveshjeje për kurimin e dy vajzave në Austri të ënjten në mëngjes, gjë që do të ishte bërë edhe të mërkurën nëse gjendja e tyre shëndetësore do të lejonte udhëtimin”. 
Kirurgu i Spitalit Ushtarak Amedin Xhaferri, bëri me dije se Florije Peci dhe Eriselda Gubere ende nuk kanë dalë nga terapia intensive, por nuk dha detaje lidhur me transportimin e tyre për mjekime të specializuara në Austri. Mjeku njoftoi gjithashtu se sot pasdite Doriana Kumria doli nga reanimacioni.
Nga spitali i Vlorës, pas përmirësimit  të dukshëm të parametrave të tyre shëndetësorë, janë dërguar pranë familjeve, pesë nga studentet që mbetën të plagosura në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë.
“Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja, Adisa Çela, dolën sot nga ky spital, ku trajtoheshin prej mbrëmjes së ditës së hënë, kur ato mbërritën pak orë pas aksidentit” ka thënë për mediat drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami. Ato u shoqëruan nga autoambulancat e Spitalit Rajonal të Vlorës për në shtëpitë e tyre, në Berat dhe Elbasan.
Sipas drejtorit, gjendja shëndetësore e tyre ishte normale dhe mjekët vlerësuan se ato mund të qëndrojnë në kushtet e shtëpisë. 
Aktualisht, në spitalin e qytetit të  Vlorës po mbahen nën kujdesin e mjekëve studentet e plagosura Elidona Gjinaj, Adiola Mustaku, Juliana Kuqi, Besjana Xheneti, Liri Hasaj, parametrat shëndetësorë të të cilave janë ende të pastabilizuar plotësisht.




Aksidenti në qafë të Vishës, fatkeqësi e jashtëzakonshme...

Klearko Koçi nga Himara, dëshmitar i ngjarjes: “S’kisha parë kurrë një aksident të tillë rrugor nga afër. Autobusi pothuajse nuk ka frenuar dhe ra “brenda” në humnerë së bashku me 50 qeliza të reja”. Astrit Kurti, shoferi i dytë i ekspeditës: “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhëton”



Shoferi dëshmitar i fatkeqësisë


Ishte nisur si ekspeditë unversitare, por autobuzi me të cilin udhëtonin studentet përfundoi tragjikisht në humnerë me 13 të vdekur dhe 30 të plagosur dhe kjo ka tronditur thellë Klearko Koçin nga Himara: “S’kisha parë kurrë një aksident të tillë rrugor nga afër. Shoferi në përpjekje për të marrë në kontroll autobusin përfundoi rreth 80 metra në greminën e Vishës, 2 km larg Himarës”, thotë Koçi, 61 vjeç, babai i tre fëmijëve. Ai është një prej dëshmitarëve kryesorë të tragjedisë, pasi e ka parë me sytë e tij të gjithë aksidentin. Po udhëtonte nga Vlora drejt Himarës, ku do të prenotonte një lokal për dasmën e djalit.

“Çfarë të them. Unë po mendoja të martoja djalin në fund të qershorit, përpara syve të mi më del aksidenti. Nuk kam zemër ta shoh e ta dëgjoj këtë gjëmë”, shprehet Koçi, ndërsa shton se “autobusi pothuajse nuk ka frenuar dhe ra “brenda” në humnerë së bashku me 50 qeliza të reja”.

Për të, kjo tragjedi është tepër e madhe për Himarën dhe himariotët. “Bashkëqytetarët e mi treguan një zemër të fortë dhe të madhe. Të gjithë, i madh dhe i vogël ,“rrethuan” qendrën e spitalit për të kontribuar sado pak”, rrëfen Koçi. “Të parët në vendngjarje, - tregon ai, - u gjendën banorët të zonës. Dëgjuan rrokullisjen e autobusit dhe ulërimat e studentëve. Policia erdhi shpejt, pasi dikush kishte gjetur kohë ta lajmëronte. Brenda 45 minutave kanë ardhur tre ambulancat e Sarandës”.

“Me intuitë banorët kanë nxjerrë të parët nga autobusi të plagosurit, ndërsa me të vdekurit u morrën zjarrëfikësit. Ata janë heronjtë”, pohon Koçi. Sipas tij, aksidenti tragjik i Himarës mund të ishte shmangur, ndonëse rruga ku ndodhi gjëma ka një pjerrësi të theksuar. “Personalisht udhëtoj në Himarë katër herë në javë. Shoferët zakonisht e ulin shpejtësinë. Për mua kjo është një fatkeqësi jashtezakonisht e madhe”, përfundon Koçi.

Kolegu i shoferit viktimë

Duart i dridhen, cigaret i konsumun pafund, fytyra zeshkane e tij është e zverdhur. “Nuk mund të ecja më tej. Sapo u informova për aksidentit kam gjetur një vendparkim përballë kalasë në Palermo dhe së bashku me studentët dhe dekanin e Letërsisë kemi parë në televizon tragjedinë”, thotë Astrit Kurti, rreth 55 vjeç.

Pavarësisht se shoferi i dytë i ekspeditës është traumatizuar, ai tregon për ATSH-në se kolegu i tij, tashmë i vdekur, kishte përvojë në drejtim e autobusit. “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhëton”, u shpreh Kurti, duke theksuar se ai po udhëtonte rreth 200 metra pas autobusit të parë që u aksidentua.

“Po udhëtoja drejt Sarandës. Në kilometrin e pestë një studente e plagosur lehtë mori në telefon shokët e vet dhe tregoi gjithçka”, pohon Kurti. “Në fillim, - vijon ai, - dyshova se mos ishte ndonjë shenjtallëk rinor, por më pas frenova përballë kalasë së Palermos, ku ishte një bar-restorant me një televizor të madh. Tragjedia kishte marrë dhenë, ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme”, thotë ai.


Sipas tij, gjysmë ore pasi kishte ndaluar erdhën dy policë me makinën e tyre. “Me shumë mirësjellje policët më kërkuan të mos lëviz nga vendi. Një autobus tjetër do t’i merrte studentet dhe ashtu u bë. Rreth orës 22:30, studentet u shoqëruam drejt Elbasanit me një makinë eskortë policie”, përfundon Kurti.


Eriola, studentja 25 vjeçare nga Elbasani shkruante për dashurinë, ëndrrat e jetës, udhëtimet
Eriola Xhoi
 “Jeta nuk pati për qëllim të na bënte qenie të përkryera. Kushdo qoftë apo pretendon të jetë i përkryer nuk e ka vendin këtu, por në muze….”. Një thënie e Remarkut ishte postimi i fundit i vajzës nga Elbasani, Eriola Xhoi, që humbi jetën në aksidentin tragjik të hënën pasdite në Qafën e Vishës në rrugën Himarë- Sarandë.
Eriola, studentja e vitit të tretë në degën Gjuhë-Letërsi, kishte ëndërr të saj të bëhej mësuese letërsie. “Ndoshta një ditë do të botohen poezitë e saj, në të cilat shkruante për dashurinë, ëndrrat e jetës, udhëtimet, etj, por nuk do të jetë Eriola që do të gëzojë për këtë vëllim por miqtë dhe të afërmit e saj". Kështu shprehen shoqet  e kursit dhe mikeshat e Eriolës, në shkollën ku ajo studionte.
Eriola, studentja 25 vjeçare nga Elbasani ka lënë pas kujtime të bukura dhe ëndrra të parealizuara. Është e pamundur të hysh në banesën e saj të vogël, ku ajo jetonte me nënën dhe vëllanë e saj më të vogël, pasi babai i saj ka më shumë se 7 vjet që ka ndërruar jetë. “Për arsye personale, Eriola i nisi studimet pak me vonesë, por ëndrra e saj ishte të studionte për gjuhë – letërsi, i pëlqente shumë letërsia dhe thoshte se donte të bëhej mësuese letërsie”, thotë një mikesha e saj, në pallatin ku edhe jetonte Eriola deri mëngjesin e së hënës.
Njihej nga shoqet si një vajzë me vizion, hobi i saj ishte parukeria, madje disa vite më parë kishte ndjekur edhe një kurs, por që për shkak të studimeve, nuk mund ta ushtronte edhe këtë profesion të dytë. Vjen një nga familje me një ekonomi normale, nëna e saj punon infermiere dhe nga çasti që mësoi se vajza e saj kishte vdekur në këtë aksident, nuk është më në gjendje të presë e të përcjellë njerëz.
Zia ka pllakosur këtë familje që tashmë ka mbetur vetëm me dy persona, nëna dhe vëllai i Eriolës.  "Nuk mund të harrojmë buzëqeshjen e saj, as fjalët e ëmbla, dhe dëshirën për të bukurën, është një fatkeqësi e madhe, për familjen që humbi një vajzë të mrekullueshme, por edhe për ne mikeshat e saj”, thonë shoqet e fakultetit të Eriolës, si edhe ato të fëmijërisë, që qëndrojnë pranë nënës së saj në këto ditë të vështira.
Bashkë me Eriolën në këtë aksident humbën jetën edhe 10 vajza të reja, trupat e tyre të pajetë u përcollën të martën në banesën e fundit, por kujtimi i tyre do të mbetet gjithnjë në mendjet e të afërmve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë.
Ëndrra të këputura në mes
Kishin plot ëndrra, dashuri për jetën. Jetë që tragjikisht iu këput në mes në një ditë të bukur maji. Lot dhe dhimbje kanë shoqëruar këto ditë të fundit shqiptarët; lot dhe dhimbje për të rinjtë që u ndanë kaq shpejt nga jeta. Vajzat e vitit të tretë të Degës Gjuhë Letërsi të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit ishin nisur në një ekspeditë në Sarandë. Por prej saj nuk u kthyen 11 prej tyre.
“Zemra ime është e mbushur me plot dashuri për ty Zoti; faleminderit që më krijove dhe je me mua në çdo moment të jetës tokësore që jetoj”, shkruante Dorina Stafa, një tjetër vajzë që humbi jetën në aksidentin tragjik.   
Ndërsa një ëndërr e madhe dashurie u këput në mes. Një dashuri e hershme që nisi kur Besjana Xheneti ishte në gjimnaz dhe që ishte kurorëzuar një vit më parë me fejesë. Armand Halilaga nga Kavaja nguli këmbë të shoqëronte të fejuarën e tij edhe pse pedagogët nuk kishin dashur ta lejonin të udhëtonte me to. Dhe ky ishte udhëtimi i fundit për Armandin. Një dhimbje tejet e madhe për familjarët e tij dhe të fejuarën Besjana që i mbijetoi aksidentit.

Përgatiti:Flori Bruqi

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...