Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/26

Shqipëria e pas perdes




Nga Fatmir Prof.dr. Terziu

Shqipëria është ende një skaj i ‘pashkelur’. Një skaj që e mbulon tisi i hollë dhe i trashëzuar i kohërave, paragjykimeve, edhe pse nga faktet dhe historia dimë dhe njohim mjaft. Janë jo pak ata që kanë shfaqur nga larg opinionet dhe më pas kanë dëshmuar se ishte ndryshe, ose kanë kërkuar falje publike. Por ky nuk është faji i tyre. Faji qëndronte, qëndron dhe besoj se do të qëndrojë mjaft kohë gjetkë. Kjo është në sitën e kohërave, kohës dhe kohërave që do të vijnë. Se kot nuk e thonë ‘ne jemi të mirët e botës dhe të këqinjtë e vetes’. Po pse ndodh kështu?


image


Reginald Uion, përpara se të shkruante librin e tij “Ballkani nga brenda” (1905) ai kishte botuar një artikull në revistën e asaj kohe “Blakvud” (Blackwood). Në këtë artikull që në titull e cilësonte Shqipërinë ‘të panjohur’. Dhe më tej ai vazhdonte se faji i kësaj qëndronte gjetkë. Kjo gjetkë, me sa duket është edne një enigmë. Një enigmë, që na krijon habi kur pyesim në rrugë se a e ‘njohin Shqipërinë, dhe a e dinë se nga bie’, në një kohë kur shekulli 21 ka prurë botën në të qindtat e sekondës në mjetin elektronik që e palosim në xhep. Kjo ndoshta më së shumti për skenat dhe skenarët televizivë të Parlamentit, Qeverisë apo... edhe zyrave me ‘jetë’ nga taksapaguesit shqiptarë. Ndoshta ky është thelbi? Apo pak paguhet për mediat dhe gazetat që janë jashtë Shqipërisë? Pak apo aspak bëhet për njohjen e Shqipërisë?





Shqipëria është ende një skaj i ‘pashkelur’. Një skaj që e mbulon tisi i hollë dhe i trashëzuar i kohërave, paragjykimeve, edhe pse nga faktet dhe historia dimë dhe njohim mjaft. Janë jo pak ata që kanë shfaqur nga larg opinionet dhe më pas kanë dëshmuar se ishte ndryshe, ose kanë kërkuar falje publike. Por ky nuk është faji i tyre. Faji qëndronte, qëndron dhe besoj se do të qëndrojë mjaft kohë gjetkë. Kjo është në sitën e kohërave, kohës dhe kohërave që do të vijnë. Se kot nuk e thonë ‘ne jemi të mirët e botës dhe të këqinjtë e vetes’. Po pse ndodh
kështu?
Reginald Uion shkruante tek “Blakvud”: “Ne kemi të bëjmë me një tokë të panjohur, të huaj dhe të mënjanuar. Harta e saj nuk është shumë e saktë. I ngjan vendeve të Afrikës qendrore. Për mjaft është një supozim. Një vend i luftëtarëve të ashpër dhe të pamatur”. Më tej shton se pse duhet të jetë kështu, kur ky vend është në zemër të Evropës dhe në një kohë kur “Mali i Zi ka pak shkolla, gjykatat e tij të ligjit, dhe gazetat e veta, Shqipëria nuk ka asnjë nga këto gjëra”. Dhe sot që ka me dhjetra e qindra gazeta në vend, me dhjetra e dhjetra të tjera në radhët e emigracionit, vazhdon të na shoqërojë kjo enigmë e mosnjohjes shqiptare. Atëherë pse?


Ndërsa Reginald Uion më vonë kërkoi falje dhe shpjegoi se “Unë sinqerisht pranoj se unë kisha paragjykime kundër shqiptarëve” ai tha se shqiptarët meritojnë respekt, njohje dhe madje bashkëudhëtim në jetën evropiane. Sot më në fund Shqipëria ka një kartë të hapur. U tha se është një vend kandidat dhe u duartrokit. Por a mjafton kaq? Qeveria e drejtuar nga Edi Rama duhet të kthejë sytë nga klasa e re shqiptare, klasa e integruar e emigracionit, se vetëm kështu, do të hapen fletë të reja njohjeje. Ambasadat janë vetëm disa strehëza ku taksapaguesit shtrydhin kursimet dhe shteti i bën nder mikut dhe militantizmit. Lutem bëni më shumë të zgjojmë më tej Shqipërinë dhe ta ndriçojmë atë në botë. Ndoshta sot më shumë se kurrë...



Adem Zaplluzha -DETI GATI SA NUK ISHTE ÇMENDUR

image


Unë eca deri në fund


Nuk di


A ishte fundi i errësirës


Apo ai i dritës


Por megjithatë ishte fundi





Kur desha të eci edhe pak


Para meje dolën milingonat


Një ushtri e përsosur luftëtarësh


Në një lafet prej shiu


Bartnin flokët e mbretëreshës





Binte edhe dëborë


Tani më nuk më kujtohet


Por shakullina i barte trupat e prerë të rrapeve


Barte çdo gjë


Që shkulej nga përgjumja e tokës





Frynte edhe një furtunë uji


Deti gati sa nuk ishte çmendur


Mbeta pa kapelën time të vjetër


Ia zgjata dorën molit


I cili luftonte me egërsinë e dallgëve








ISHTE KOHA E PËRSHTATSHME








Kjo tokë një ditë


Do thahet si lëkura e ime


Të çarat e dheut do dalin si sfinksat nga rëra





Në mundesh mos më beso


Por unë i përjetove këto ekzaltime


Kur binte shiu i hirtë i vjeshtës





Ishte koha e përshtatshme


Për këputjen e meteorëve


Dielli me xhelozi shikonte ylberin duke Pluskuar tej mjegullave





Në portretin e kulumbrive


Kishte zënë myshku


Dita fshihej pas një gjetheje të venitur





Nuk kuptova se si fishket gjelbërimi


Nga syri i dritës fluturoi një korb


Dhe dyqind vjet s’i ndali krakëllimat








KUR SHKOJNË SHIRAT








Këtu në qytetin tim


Lulet s’vdesin rastësisht


As vazot nuk thyhen


Vetëm portreti i mjegullave


Rri varur në degët e qiellit





Kur shkojnë shirat


Asnjë dallëndyshe nuk kthehet


Në atdheun tim


Dalin nuset te portat


T’i presin burrat e gjymtuar nga luftërat





Presin me vjet të tëra


Kur shakullin lotët nga rrënjët e barit


Çurgon një lloj eliksiri


Sa ora shërohen plagët e kuajve


Në mëgojëzat e fushëbetejës

Diana Lika Halili: Ditën dua ta mbyll me buzëqeshje

image


Pyetje: 1. Si e konsideroni jetën dhe arsyen e saj në krijimtarinë tuaj?


Jeta është vetë një arsye madhore për tu jetuar. Pasioni dhe ndjenja e të përditshmes është pjesë e krijimtarisë sime ,është refreni i jetës që më mbush ditët e mia. Çdo ditë, çdo hap që hedh, çdo minut që jetoj mundohem ti shikoj në mënyrë sa më domëthënëse, mundohem ta jetoj jetën me gjithë sfidat e saj dhe gjithmonë ditën dua ta mbyll me buzëqeshje.


2. Ku qëndron forca me të cilën ju keni arsyen e fjalës në krijimtarinë tuaj?


E jetoj jetën ashtu siç vjen dhe mundohem të gjej pozitivitetin tek çdo gjë, qoftë edhe tek një ditë e lodhshme, qoftë edhe në një ditë me shi, mbase dita fillon me “rrebeshe” por mundohem ta jetoj me më shumë dashuri.Më intrigon shumë mënyra se si bashkëjetojnë bashkë uria ,skamja ,papunësia,varfëria dhe nga ana tjetër shkëlqimi, pasuria dhe arroganca .Dhe kur shpirti im nuk duron më padrejtësi dhe pabarazi shpërthej me forcën e fjalës ,me forcën e vargut dhe e ngre zërin deri aty ku notat e vargut transformohen në thirrje të drejtëpërdrejta drejt pushtetarëve që duhet të heqin maskat ,të luftojnë korrupsionin dhe të zhdukin padrejtësitë.


3. E arsyeshmja a është diçka më kontradiktore në krijimtari?


Po mendoj se poeti e ndjen kur duhet të ngrejë zërin, kur diçka nuk shkon,sepse shpirti i poetit se duron tiraninë,se duron forcën e diktatit ,sepse poeti është shpirt i lire. Krijimtaria bashkëjeton me arsyen dhe është pjesë e saj, por nganjëherë nuk njeh arsye, sepse vërshon si llava e vullkanit dhe krijon male dhe stërmale krijimesh ashtu siç dalin nga shpirti i poetit .


4. Pse ndodh që krijimtaria dhe jeta janë paralele dhe infinite?


Asnjë poet ose shkrimtar nuk mund të ketë limite sepse kur jeta vazhdon ajo çdo ditë ka të papriturat e saj, labirinthet e saj, ndaj patjetër që jeta dhe krijimtaria shkojnë bashkë ,janë paralele. Nëse poeti është i hidhëruar lexuesi mund të lexojë shpirtin dhe mëndjen e tij ,sepse poeti e shpreh me vargje hidhërimin ose lumturinë. Është bukur kur krijimtaria i reziston kohës dhe lexuesi gjen gjithmonë diçka nga vetvetja.


5. A ka një mesazh konkret për arsyen?


Arsyeja mendoj që është e paarritshme dhe spontane,mendoj që ndjenja e momentit përbën çastin e arsyes.

Fjala e lirë

Poezi: nga Raimonda Moisu, Vullnet Mato dhe Teuta Sadiku

"...nisa të ec me gjymtyrët e kujtesës...
image
-poezi-nga-Raimonda MOISIU


Nga dritarja ime shoh fluturimin e trumcakut,
krahët e tij janë imazhi i urës,
që lidh brigjet mes rrezeve të diellit
dhe kaltërsisë së qiellit.
-.-
Pas zogut unë papritur nisa të ec,
me gjymtyrët e kujtesës,
duke ndjekur pas pendët e tij
të fluturimit.
Nisa të gjykoja shpresën e dashurinë,
ankthin e embrioneve të zemrës,
dalldinë e përflakur.....
Nisa të rrëfehem se ende marr frymë.
-.-
Në psherëtimën e agimeve,
bulëzat e djersës tënde ledhatojnë
buzët që mërmërijnë nga dashuria,
si flatrat fërgëllonjëse të trumcakut.
-.-
Në burgun e intmiteteve të mija,
në errësirën e llampave që na lidhin,
rri strukur sekreti i artë i buzëqeshjes, ku
është burgosur liria tënde....
--.-
Në ishullin e bardhanës së carcafëve,
lulëzojnë margaritarët e virgjërisë së shpirtit tim...
Rilindim për të nesërmen.
-.-
Në cepin e shikimit zogu fluturon,
nëpër hapësirën e mitrës së hënës,
dëgjohet vetëm një zë,
Ai, më i sinqerti i botës,- zëri
që më grish për mëkat,
nëpër koralen përkëdhelëse të petaleve,
që kanë përmbytur kopështin e trëndafilave.
-.-
Cdo ditë vjen një trumcak, nga lart
dhe
cicërin
cicërin papushim,
në dritaren e burgut të gurtë...





Vullnet Mato: KUR FALEMI TE KY TEMPULL

Ndodh të ndjehem


sozia i Papës së Romës,


se kam Vatikanin tim


të ngritur mbi kërbishte.


Kur më duket vetja


kryemyftiu i botës,


kam dhe Mekën ku godas


djallin me gurishte.





Sepse predikoj në art


dashurinë e vërtetë


dhe i ftoj të gjallët


të vinë të falen tek unë,


të zbardhin shpirtin


nga mëkatet në jetë,


t’u prijë mbarësia


në shëndet e në punë.





Nuk jam shenjtor,


as magjistar iluzionist,


por dua me fjalë magjike


të bind çdo njeri,


se metaforat e vargjeve


dhe rimat e poezisë,


predikojnë në shpirtra


vetëm paqe e qetësi.





Largojnë nga mendimet


trishtimin dhe hakmarrjet,


që i vijnë trurit si dallgë


të padukshme ligësie,


nga dyndjet e politikave


që përhapin përçarjet,


me megafonët e fuqishëm


të mediave të tyre.





Unë bëj të puthen fort


miqtë dhe mikeshat,


t’i falemi më shpesh


tempullit të shenjtë poetik,


duke mërmëritur në heshtje


vargje nga vjershat,


për të fjetur gjithë natën


si në një shtrat kozmik!...




-----------------------



Teuta Sadiku


po goja e shtrembëruar,


e keni parë,


buzët e pengojnë të flasë


për pavarsinë e fituar.


E pavarur?!


e varur doja të thoja në të jetës litarë


prej duarve të të tjerve atë mot


sot,


varur nga duart e bijve të vet.





Pjella jote jam jetë


të shoh


prej kullës së vëzhgimit


e vetmja gjë që të ka mbetur në mes të fytyrës


sytë,


prej nga unë sodis botën tënde.








I hedh një sy penës,


padashje kam pikturuar vdekjen.


jam dhe unë brenda teje


si ,


si mund ti shpëtoj torbës së lypsit


po qendrës së grumbullimit


Hiqmu qafe më thuaj


po ku ,


ku të shkoj , më thuaj ku???


lejës së qëndrimit po i vjen fundi


as unë vetë nuk e kuptoj pse rri këtu


nga krenaria ime apo pabesia jote..





kur unë të përqafoj si fëmijë


ulur në prehrin tënd ,nënë


ha shqelmat e tua kudo


shqyej sytë nga lemeria


mos vallë ke shkalluar, jetë?!


në këtë krizë, papunësi


edhe marzia jote më duhej mua?!





Po bie muzgu mbi qyetet këtë mbrëmje.


Shihemi nesër,


me dritën e parë të mëngjesit.





Dhëmbë për dhëmbë


Jashtë xhamave qyteti im flë


nuk është zbardhur ende


vetëm Kriza vjen vërdallë


hyn shtëpi më shtëpi pa trokitur në portë


mbrëmë ,


kur nata u vesh në të bardha





Kriza mi futi në mish dy - tre dhëmbë .


u mbështolla një grusht


gojëkyçur kërkoja këmbët


kishin ngrirë në ftohtësinë e krevatit


kredhur vitesh në një heshtje varri.


Po, unë fle me një kob të zi


me emrin Krizë


në drekë


ha thërimet që lë Kriza në kuzhinë


lakuriq mes katër rrugëve tentakuloj


prej përbindshit në mitrën e Europës.


U gdhi


sa tmerr,


akoma këtij përbindshi nuk ia kanë prerë kërthizën


dhe unë si amfibë frymoj në ujrat e ndotura.





Mëngjesore





Sot gjithë ditën jam marrë me erërat


ndoshta erërat më kanë ndjekur mua


në mëngjes tek shkoja në punë


më guduliste hundën era e oxhakut të ndezur


zgjata të ngroh pak duart


nga tymi i skamjes më dogjën sytë


mora frymë thellë


era e qepës së rrëmbyer në tenxhere


avulli i çorbës së nxehtë ....


në kazanin ku zjen bota


copra gjuhësh , rrëmbe kombe, zemra popujsh


në kohë të ftohta ato haen


ata të tjerët veshin dorezat


e mbi menu nënshkruajnë


erëzat që do hedhin në gjellët e gatuara.


Kush tha se u mbyllën Mëngjesoret





Lindja


u gdhi


dhe hëna nuk mbylli sy gjithë natën


dhe në mëngjes


gjerdani me margaritarë lotësh


mbi gjoksin e xhamit gjithë avuj


i varësh.


tutje në horizont


dielli mes shtërzimesh


lindte i përgjakur .





Manifestimi





Parakalova dhe unë





në bulevardin e protestave të grave


me mendimet çadër


pashë nënën që u shërbente të gjithëve


njësh si skllave,


takova motrën


me lotët e saj lante shkallën,


përshëndeta shoqen që u rëzua tek cepi i lagjes


i dhashë dorën një vajze


me sy të nxirrë nga të qarët


për foshnjën lënë peng tek kazani…


Të paktën kështu mu prezantuan


sishte e nevojshme të flisnin shumë


Flisnin vetë plagët


në trupin dhe shpirtin e vrarë,


të Femrës.


Atje isha dhe unë


Me një gisht Make Up në fytyrë


Shoqja në krahë meje kishte një shtresë pudër


Çfarë marke , pyetët ju?!


Indiferentizmi juaj , me sa di unë.





SAGA PROVINCIALE E TRANZICIONIT

Tre romane të shkrimtarit Thani Naqo

http://floripress.blogspot.com/2011/02/hej-mos-e-harroni-te-famshin-thani-naqo_20.html



“Përgjumje iluzionesh” (2006),
“Murmashët” (2011)
“I fundmi i shalëgjatëve” (2013)

Ta fillosh nga vendlindja, kjo është zgjedhja që kanë bërë dy shekujt e fundit shumë autorë të shquar nga Shqipëria dhe bota. Sepse në fëmini në ato dhomёzat e kujtesёs nё tru regjistrohen ngjarje dhe karaktere që nuk fshihen deri në pleqërinë e thellë. Kёtё po bёn romancieri Thani Naqo, aq më tepër kur fati ka bërë që të lindet në një fshat si Ziçishti ku mirësia, kultura dhe toleranca kanë ndёrtuar djepin më të përshtatshëm. Shto pastaj edhe qytetin e Bilishtit dhe Devollin në tërësi. Mund të duket e pabesueshme, po shkrimtari Thanas Jorgji e ka marrë brumin e rreth dyzet romaneve për fëmijë dhe të rritur vetëm nga Bilishti. Të njëjtën gjë po duket se po mëton të bëjë edhe Naqo, por duke u nisur nga fshati dhe duke zbritur në qytet.
Në përmbajtje, duke zgjedhur një këndvështrim ideologjik të deklaruar, nё romanin “Pёrgjumje iluzionesh” romancieri ka arritur të bëjë një anatomi të tranzicionit në provincat shqiptare dhe jo vetёm.
Në planin krijues ky roman mё rezulton që paska qenë vetëm përgatitja e një piste të madhe prej të cilit do të ngrihen fluturim disa romane tё tjerё, tё lidhur ngushtёsisht me fushёn-amё. Edhe pse autori në këto njëzet vite ka jetuar më shumë udhëkryqeve të botës, ai jo vetëm që i ka ndjekur më vëmendje ngjarjet, po ka ditur të hulumtojë dhe të zbulojë mekanizmin që vë në lëvizje këtë llavë të ngadalshme transformimi. Ai ka zhbiruar artistikisht marrëdhëniet ekonomike, levën e Arkimedit për kalimin nga një sistem i centralizuar i ekonomisё, ku çdo gjë kontrollohet nga shteti, në një sistem ku shtysё dhe përcaktues bëhet tregu i lirë. Këto marrëdhënie sillen përmes një galerie karakteresh që mbajnë nofka domethënëse, duke krijuar një sintoni me prozën e Th. Jorgjit. Po nëse te Jorgji këto nofka kanë pёrgjithёsisht origjinë fëminore dhe tingëllojnë përshkruese e dashamirëse, tek Naqo shumë prej tyre kanë më shumë ngarkesë negative sepse përftohen mes të rriturve dhe lidhen me marrëdhëniet politike dhe shoqërore nё diktaturё, enkas për të treguar një shoqëri të përçudnuar që ka një lupë të vetën për të parë bashkëkohësit, një lupë që kthehet në lugë për të ngopur atë që nuk ka mjet tjetër për eksploruar realitetin dhe për të qetuar urinë e vet shpirtërore. Magelani, Lejleku, berber Kokësallatori, Paganini prej Vërës së Ariut, Qimebardhi, Patoku i Majmë, Trëndafilja dhe Ciceroni, Shën Mëria e Parisit, Buzëkarafilja, Grifsha, Gjyvendeja, Mizëkali, Polic Pikaloshi, Taqo Pordha, etj janë karaktere që mund të zhvillohen si degëzime të veprës.
Autori me largpamësi ka deklaruar se ky prizëm nuk do të jetë më përthyes karakteresh në shoqërinë që do kapërcejë tranzicionin.
Edhe pse vepra ka parë dritën e botimit në vitin 2006, tabloja që sjell dhe përgjithësimet filozofike e bëjnё tё duket sikur është shkruar këto ditë, duke dëshmuar aftësinë e shkrimtarit për ta rrokur realitetitn shqiptar me të gjitha përmasat e veta. Besoj se pas tre-katër dekadash, kur prushi i tranzicionit do të jetë kthyer në hi, brezat që të vijnë do të kenë mundësi të kuptojnë atë që që ne e kemi përjetuar në këto njëzet vjet me etje dhe stres, me ankth e shpresë.
Kur merr në dorë dy romanet që pasojnë, menjëherë e ndjen se ke hyrë në një mjedis të njohur. Romani “Murmashët” mbart një pjesë të karaktereve të romanit të parë, po këtë herë në emigracion. Amerika ka qenë ëndrra e ndaluar për shqiptarët gjatë gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas, po që nuk pushoi së ushqyeri asnjëherë nga ajo nënshtresë që dihaste emigracioni i paraçlirimit. Ai pati shёrbyer si akti i parё i emancipimit tё provincёs sё zhytur nё moçalin qё shkaktoi perandoria otomane. Në se fshatrat e Devollit kanë dëshmuar zhvillim në kulturën e punës dhe të jetesës, duke bërë dallim nga teva të tjera shqiptare, kjo e ka patur shpjegimin pikërisht me emigrantët që zunë fill këtu që nga fundi i shekullit të 19-të duke shkelur hapësira të afërta e të largëta, duke filluar nga Greqia, Bullagria, Rumania, Turqia, Egjipti për të vazhduar me Amerikën, Amerikën e Zezë dhe Australinë. Tranzicioni krijoi hapësirat e nevojshme që kjo ëndërr të riaktivizohej. Veçse ëndrra dhe zgjëndrra janë dy gjëra që mund të mos përputhen. Por kjo nuk e ka zbehur aspak edhe sot e kësaj dite këtë ëndërr dhe kjo jepet nëpërmjet fatit të Anita Traboninit që e paguan realizimin e saj me çmimin e madh të jetës. Familja tradicionale shqiptare, kur vendoset në çerdhen e largët amerikane, pëson një tronditje të thellë. Është një pranëvënie e dy kohëve që nuk e kuptojnë njëra-tjetërn. Për më tepër, për brezin e tretë kjo nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë. Kjo përplasje botësh jepet nëpërmjet fatit të pjesëtarëve në dy familje të ndryshme, në atë të Artan Barelit dhe në atë të Gëzimit. Plasaritja më e madhe nga kjo përplasje vjen në marrëdhëniet mes brezave por edhe brenda bashkëshortëve. Artani ka marrë në Amerikë edhe prindërit, prandaj Donika, pas padurimit të vjehrrës dhe vjehrrës, e kërkon kënaqësinë e jetës në një marrëdhenie të re me bosin e bankës ku punon. Edhe Gëzimi nuk e ka dashur asnjëherë të vjehrrin, Leninin e Vogël dhe kjo rezonon në marrëdhëniet e tij me Migenën.
Tre romane të shkrimtarit Thani Naqo

Romani “I fundmi i shalëgjatëve” edhe pse ka dalë më prapa në kohë, ka një pranëvënie me “Përgjumje iluzionesh”. Lejleku i romanit të parë bëhet Shalëgjati i romanit të tretë. Pasi është marrë me blegtori për disa vite, vendos të braktisë fshatin dhe të marrë udhët e Europës. Si një flutur që i qaset dhe i largohet dritës së llambës, ashtu edhe autori mbërthehet pas një pike kohore të së tashmes dhe sillet rreth saj me mjeshtëri duke prurë ngjarje dhe karaktere mbështjellë me një vel humori që të japin një dritë buzëqeshjeje. Marjana, teto Dabucka, Cigania me Gji të Florinjtë, Simo Babjeni, berber Shejtani, Marroku përbëjnë galerinë e karaktereve që mbushin imazhin e fshatit në vitet e tranzicionit dhe përtej tij. Raportet e dashurisë mes të rinjve, pleksen me problematikat e tjera të fshatit që përpiqet të sfidojë braktisjen. Sikurse ngjarjet rrotullohen rreth pikës kohore, ashtu edhe karakteret sillen rreth Shalëgjatit për të përvijuar heroin kryesor dhe vetveten.
Të tre këta romane janë pjesë e një sage për vendlindjen që, siç e ka deklaruar vetë autori, do të pasohen nga romane të tjerë, duke krijuar kështu një univers të konceptuar që herët me detaje.
Romanet janë trinjakë në pikëpamje të stilit. Rrëfimi është dinamik, me pak ndalesa në mjediset dhe me shumë përqëndrim tek karakteret dhe marrëdhëniet midis tyre,thotë mes tjerash studiuesi Kosta NAKE.



Thani Naqo


Thani Naqo ka lindur në vitin 1953, në Ziçisht të rrethit Korçë. Diplomuar ekonomist i lartë, ka mbaruar kursin pasuniversitar në Institutin e lartë të Arteve Tiranë në degën e skenarit kinematografik. Jeton në Florida të SHBA-së që nga viti 1997.

Botimet

Tregime e novela:
Shtëpia e përgjumur - 1977
Kabina e kuqe - 1985
Vatra njerëzore - 1987
Skenar i filmit artistik:
"Përsëri pranverë"
Roman "Përgjumje iluzionesh" - 2006
Libra me poezi:
Fate paralele - 2007
Çapkënët e mëhallave të botës - 2008
Simfonitë e stinëve - 2009

http://floripress.blogspot.com/2011/02/hej-mos-e-harroni-te-famshin-thani-naqo.html

LIBRI I MEMORIES


Ese



Çfarë simbolizon Lumi në poezinë time



LIBRI I MEMORIES



“Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete dhe misterin. Vlerën nuk e përcakton sasia. Poetët mbahen mend edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi im, nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje…”



Nga Ali Podrimja



I.

Për herë të parë ai kishte zbritur në Pargë dhe kishte takuar një nënë çame, vogëlushi i kishte përshpëritur unë jam Lumi, do e mund detin. Poezia është një udhëtim drejt së panjohurës, ka thënë një i urtë. Shkrimi i saj është punë sizifi. Nuk lind kur duam ne. Latohet derisa të vilet maksimumi nga fjala. Për të gjallë të autorit krijimi është qenie e “gjallë”, lëvizëse. Për shkak të një fjale, figure a strofe, autorët shpesh u kthehen teksteve. Edhe në Letrat shqipe ka shembuj. Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete dhe misterin. Vlerën nuk e përcakton sasia. Poetët mbahen mend edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi im, nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje…



II.

a)Çështja çame vazhdon të bëhet shqetësim dhe i të tjerëve. Znj. Hillari Klinton e ngriti para Senatit Amerikan, po këtë e bënë edhe dy evrodeputetë në Parlamentin Evropian. Triumfi i së drejtës është dhe triumf i ndërgjegjes. Se kur do të mbyllet kjo plagë e moçme, nuk varet nga ne shqiptarët. Mirëkuptimi i ndërsjelltë i dy popujve më të vjetër në Ballkan, grekëve dhe shqiptarëve, do të hapte faqe të re në kohë të modernitetit. Botimi i antologjisë Eni vjen pej Çamërie kishte për qëllim të vetëdijësojë njeriun, se liria u takon të gjithëve dhe akcili komunitet ka të drejtë të mbrojë hapësirën dhe identitetin e vet. A do të ngadhënjejë arsyeja mbi të keqen? Le të besohet se Ballkani, më në fund, do të lirohet nga gjaku i zi…



b)Shqiptarët e grekët nuk janë të sotëm. I afron diçka e largët. Lypset të mësohet edhe nga e kaluara. Të kujtohet ajo që tha Prometeu i Eskilit:

S’do t’i përmend, po do të flas për pikën



E fundit të shtegtimit tënd, kur erdhe

Në fushën e Molosëve ku majë

Një mali ngrihet lart’ Dodona-froni,

Orakulli i Zeusit Tesprotian,

Atje, gjë fort për t’u çuditur, ty,

Mjaft qart’ e hapur lisat ligjërues

Të shpallën grua të zgjedhur të vet’ Zeusit.

Të josh ky emër? Të pëlqen? E ndukur

Nga zekthi i tërbuar me vrap ti rende

Drejt gjirit Rea në det. Pastaj u ktheve

Si një e marrë nga tërbimi prapa,

Por dije se në të ardhmen gjiu i madh,

që ti kalove, emrin tënd do marrë,

Jonian do quhet, që të mbajnë ment

gjithmonë njerëzit shtegtimet e tua.

(Nga “Promteu i mbërthyer”)



c)Eni vjen prej Çamërie, varg ky i Naimit, i cili i rri bukur librit, mbetet i hapur, sensibilizues, njerëzor; artikulim që nuk e lë të qetë ndërgjegjen. Jam i vetëdijshëm se ky libër do të vazhdojë të shkruhet edhe në të ardhmen, të pasurohet me vlera e ide dhe bëmat të mos interpretohen vetëm nga kujtesa historike… Eni vjen prej Çamërie bën të quhet rezolutë shpirtërore e gjeniut krijues shqiptar mbi çështjën çame. Filloi të shkruhet, ndoshta më herët, se kur u shfaq De Rada. Tragjika çame u bë shqetësim i të gjithë brezave tanë. Në kujtesë na u ngulitën detaje, toponime, tempuj, fjalë e bëma se shpërbërja çame ishte vdektare. Një madhështi e dhembshme e lashtësisë sonë, siç është Dodona, që ngrit në kult, nuk ka krijues të mos e ketë kujtuar. Edhe krijuesit e historianët grekë treguan interesim. Në tekstet e librat e tyre, në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta, tesprotianët lëviznin e dëshmonin diçka tjetër, çamët e sotëm. Andaj Çamëria nuk mbeti enigmë, trillim, por realitet i hidhur që grith ndërgjegjen njerëzore. Tek besohej se tragjika çame, ndjekjet shtazarake e vrasjet harroheshin; se mbylleshin siç e kishin paramenduar aneksuesit, filloi të problematizohet nga të huajtë; reagimet e tekstet e të cilëve sapo i lexon vëren shthurrje njerëzore e morbiditet, e padrejtësi që nuk mund t’i ketë hije as qytetërimit të sotëm. Turpërohesha nga vetja pse heshtja. A bën të varrosen faktet dhe të na ndëshkojë historia? Mbështetja Milan Kunderën se “një komb i cili humb dijen e së kaluares, gradualisht e humb edhe veten”. Pra, libri nuk përfundon se Çamëria shkruhet e interpretohet edhe nga të tjerët, të cilët, proceset e të drejtës njerëzore i kuptojnë ndryshe nga aneksuesit. Megjithatë, frika ekziston nga e ardhmja. Ndërgjegja ndodh të errësohet, siç ka ndodhur shpesh, kur çështja shqiptare është hedhur në bixhoz…



d)Qenia kombëtare vihet para një sfide harrestare… Eni vjen prej Çamërie është libër i memories sonë, i guximit intelektual dhe njerëzor.



III.



1.Vetë emërtimi i sprovës antologjike (2) I kujt je, Atdhe vë në spikamë hulumtimin, si dhe angazhimin e poetëve, që mundësuan të merrem me një çështje madhore. Në Familjën njerëzore akcili popull bën çmos të veçohet bile edhe me një shenjë. Kohët moderne sjellin të papritura në shumë rrafshe dhe vështirë të përballohen.



2.Para të panjohurës, ku nuk dihet asgjë, si e kur mbyllet marshimi ynë nacional, i filluar që nga lashtësia ndoshta, ndodh të vihet në pyetje kodi etik dhe ekzistencial. Nuk bën të na befasojnë pyetje të ndryshme që shtrohen nga krijuesit, sidomos në kohë kaosi, havarie – kur atdheu na shndërrohet edhe në monedhë, në leckë…



3.Ajo që ndodh rreth nesh, ka edhe gramatikën e gjallimit, po qe se dimë t’i themi bëmat në kohën kur lypset guxim dhe mjeshtri, artikulimi, idetë e ngritura, gjuha, figurshmëria, do i sensibilizojnë edhe qendrat e vendosjes?



4.Me I kujt je, Atdhe, nuk ballafaqohemi vetëm me veten tonë. Shtrohen edhe çështje të tjera, që lexohen dhe interpretohen si kërkesa të një kolektiviteti njerëzor.

Ndjenja e përkatësisë sa vjen e bëhet më e theksuar te krijuesit tanë. Ne mozaikun njerëzor duan ta shohin shenjën e vet. Unë këtë e kuptoj si vetëdijësim e kurajo krijuese.



5.Të mbrosh identitetin do të thotë se nuk je humbës, e as nuk e pranon poshtërimin. Vlen ta kujtojmë një mesazh të Tufës: Shqipëria është më e madhe se toka e saj… Nga një mesazh të themi nacional, mund të ngritet dhe një rezolutë për çështjen e Etnisë, nëse Shteti shqiptar nuk e ka. Do të thotë se Krijuesi shpirtërisht e emocionalisht është më afër Atdheut dhe Kombit se Pushtetari. Këtë mund ta ketë sjellë dhe dorë e huaj ose për interes personal është gozhduar për karrige…



6.Xhorxh Ourelli thoshte se nuk ulej të shkruante, po që se teksti i tij nuk ngrit ndonjë çështje. Kjo dëshmon për angazhimin e krijuesit të njëmendtë. Mbi konturat e misterit të quajtur politikë u ngrit edhe ekzistenca, edhe identiteti, edhe paqja njerëzore. Pra, asgjë nuk ekziston që nuk është politike, madje dhe një përshpëritje intime, edhe një vijë e hedhur në letër…

Në sprovën poetike (2) I kujt je Atdhe enigma qëndron në vetë titullin, nxjerë nga gjysëmvargu i Beqë Cufajt, që mundësoi t’u rikujtojë “jashtëplanetarëve” ç’është dhe i kujt është atdheu. poeti anglosakson, Frosti, ndër çështjet kryesore të poezisë së tij vë çështjen e atdheut. Fjalët e urta dhe epet Borhesi i konsideronte për lektyrë të parë, ku kërkonte magjinë e fjalës. Dhe, siç thotë Sabato



“Borhesit atdheu i jep dhembje



Me të drejtë kritika e quajti se ai ishte vetë Argjentina.

Fatëkeqësisht, te ne atdheu ndodh të shikohet si plaçkë e hedhur ndanë udhë, si vrimë e zezë; më tepër parapëlqehet diçka triviale. Por, çfarë e përcakton identitetin dhe mund të ketë baraspeshë me atë që e ka dhe atij që i mungon?

Kisha përqëndruar shikimin te Kodikët e Beratit dhe kisha kujtuar të parët tanë se me çfarë xhelozie mbronin shenjën tonë. Tek e shikoja pastaj një fotografi të Nënës Tereze të bërë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë (22 mars 1991, Dita e Sulltan Nevruzit) kisha lexuar tolerancën shqiptare që kishte fascinuar edhe metropolet. Dhe, në Ditën e Lumnimit të saj në Vatikan, derisa një engjëllushe nga tejatlantiku, diçka përrallore më ishte hedhur në qafë, në krye të vendit kisha parë kreun e Kryegyshatës Botërore të Bektashinjve. Mund të ekzistonte tekst më domethënës për mirëkuptimin e besimeve brendashqiptare? Nga ekranet TV-ve nuk zbriste libri i poezive Mësomë të dua i Nënës Tereze. Kishte hequr të zitë e ullirit derisa e kisha përpiluar. Kështu, maratoni i filluar nga Iliria e Shën Albanit e deri te shkulja e gurit e gurit në Koshare, ndodhi nga shkaku i një cope dheu që quhet atdhe e që tregon se kush je.

Vërtetë, i kujt je atdhe? Apo qenkemi, siç thotë Visar Zhiti: Komb pa popull?



IV.

Sprovat që i botova viteve të fundit masmedia dhe kritika i quajti dhe antologji. Falenderoj, po ashtu, dhe ata që zunë thua në to dhe nuk e pashë të arsyeshme të merrem me ta dhe as me të ashtuquajturit “teoricientë” të artit poetik. Sprovat i konsideroj gjymtyrë të një antologjie të ardhshme, ku mund të bjerë dhe ndonjë poet i prezentuar, se në një antologji kombëtare nuk ka vend për të gjithë. Edhe sprovën I kujt je Atdhe, vetëm e një krahu gjuhësor, përfaqëson ca krijues të viteve ’90-ta nga Shqipëria e Jashtme, pra nuk e shoh në kuadër të tërësisë kombëtare. Arsyeja e botimit të sprovave ishte të vë në lëvizje poetët, të hulumtoj të bukurën që vetë flet, t’i nxis botuesit për projekte të tilla. Ata që mendojnë ndryshe, i uroj për guxim…

“APOLOGJI PËR UDHËN E KOMBIT”





“Apologji për Udhën e Kombit”, është libri më i ri, i shtati në radhë, i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu që sapo ka dalë në qarkullim.

Ky libër publicistik me polemika me ata që kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj arterie të kombit shqiptar, me redaktor Izet Duraku dhe recenzent Skender Zogaj, është i ndërtuar në tre kapituj, Apologjia ime, Apologjia e politikës dhe Apologjia e Miqve. Është një libër voluminoz me rreth 500 faqe, shtypur në shtypshkronjën “Geer”, Tiranë.

Kapitulli i parë “Apologjia ime” përfshin shkrime të autorit si “Nuk ishte luftë, ishte fjalosje”, “Dhe dashuria e Edi Ramës për udhën e Kombit”, “Deshpërimi nuk e çelë derën e pushtetit”, “Folkpatriotizëm”, “Gëzohu me mua zoti Lubonja”, “A flet si toskë Mustafa Nano”, “Shtribalizimi i Partisë Socialiste”, “Udha e Kombit po i shërben kombit”, “Sharës me pagesë”, “Replikë me hijen dhe hijet e hijes”, “Një metaforë me gratë vjeneze”, “Histori personale ku unë mund të jem ti”, “4 shkurt 2007 – shpërthimi i parë tek tuneli”, “Faqja e falenderimeve” etj, etj.

Kapitulli i dytë “Apologjia e politikës”, përfshin disa prej debateve më të nxehta politike në parlamentin shqiptar. Aty janë debatet kryesore të tri interpelancave për Udhën e Kombit. Si autorë janë të përfshirë, sipas radhës së diskutimeve, Erion Braçe, Sali Berisha, Lulzim Basha, Sokol Olldashi.

Kapitulli i tretë, “Apologjia e Miqve”, të cilët Rexhep Shahu i falenderon në libër si bashkëmendimtarë që e kanë frymëzuar dhe mbushur me dashuri e besim, është ndërtuar me shkrimet e 27 personaliteteve te njohur, shqiptarë e të huaj që kanë shkruar me dashuri për Udhën e Kombit Shqiptar, siç janë : Ndue Dedaj, Gjergj Marku, Elinda Marku, Jemin Gjana, Preç Zogaj, Eliot Engel, William Walker, Izet Duraku, Edison Ypi, Veton Surroi, Artan Fuga, Kastriot Myftaraj, Pandeli Majko, Kim Mehmeti, Benet Koleka, Aleksandër Çipa, Roland Qafoku, Shkëlzen Maliqi, Dalip Greca, Ramiz Lushaj, Agron Gjekmarkaj, Riza Hoxha, Sulejman Dida, Arbnora Dushi, Jean-Arnault Derens & Laurent Geslin, Karl-Peter Schwarz, Jonuz Hallaçi.

Që në ballinë të librit autori ka vendosur fraza të zgjedhura të thëna nga përsonalitete të ndryshme si :

Dritëro Agolli: Kjo udhë do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, për simbolikën dhe funksionin që ka si arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar kjo rrugë, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbeten në histori. Sepse kjo udhë nuk lidh vetëm Shqipërinë me Kosovën, por ajo lidh gjithë pjesën veriore të Ballkanit me jugun e tij.

Sali Berisha: Nëse do të duhet, ne do të shesim bizhuteritë e grave tona për të përfunduar këtë autostradë.



Ibrahim Rugova: Kërkojmë fonde nga Bashkësia Europiane për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës – Prishtinë.

Eliot Engel: Nga kjo rrugë, nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon.

Pandeli Majko: Ka pasur lobe kundër ndërtimit të rrugës. Të jemi të sinqertë, për mua e rëndësishme është që rruga të bëhet, që unë të ec në asfaltin e asaj rruge.

Lulzim Basha: Imuniteti është më e pakta që jap për këtë rrugë.

William Walker: Rruga Durrës – Morin bashkon Shqipërinë me Kosovën



Nga biografia e Rexhep Shahut

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960, në Bardhoc të Lumës, fshat i ngritur mbi rrënojat e Gabulit të lashtë, pranë kufirit me Kosovën, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Shkollën e mesme teknike – mekanike e kreu në Durrës në vitin 1980.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri… Ka jetuar e punuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej vitit 2005 edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare” organ i Ministrisë.

Veç librit “Apologji për Udhën e Kombit”,” ky autor ka botuar edhe gjashtë libra të tjerë, tre vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi, Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006; “Lis i Vetëm në Fushë”, poezi, Tiranë, 2011.

MBERRITI STINA E ARRATIVE



Lida Lazaj-Xhamo





     Lida Lazaj (Xhamo) Lindur në Dardhë të Korçës dhe jeton në Tiranë. Është antare e klubit të shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” Elbasan dhe Klub haik-ut Shqiptar prej vitit 2005. Botime:
1-Me zërin tënd. Poezi&haik. 2005; 2 -Rruga për nesër. Haik. Shqip-anglisht.20073.
3-Gishti i dheut të dhëmbshur. Poezi.2008
4.Poetesha të haikut shqiptar.
Bashkautore.2009 5.Poetë ballkanas të haik-ut.
Bashkautor. Botuar nga Rene Matouse. Kroaci Botime periodike onlain dhe në shtypin e shkruar në Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Kosovë,  të përkëthyera në  maqedonisht, serbisht e kroatisht.
Poetja ka në process një vëllim me tregime si dhe një vëllim me poezi, që së shpejti do shkojnë për botim.

MBERRITI STINA E ARRATIVE


Udhën e e ikjes së dallëndysheve
e preu ylberi
ku vjeshta ngjyen penelin
dhe gatit ikjen e gjetheve, për të njëjtën arsye ikje.
Njerëzia mori diell sa deshi
kapi jetën për frerësh dhe kalëron qytetit.
Eja,
të presin këtu grimca e rërës, guacka, leshterikë
zambakë të bardhë prej shkume
unë dhe deti.
Eja,
bashkoji frymën – pupël fluturaku
fijes së hollë të frymës sime, mëndafsh
holluar e tretur në shkrepa e labirinthe
dhe folmë,
folmë për trishtimet e stinës së shirave
Eja
anëdeti pa fundfillim
vetëm shenjat e flokëve të bijës së mbretit të erërave ka,
afroma fytyrën – hartë detare  të arrative të arrative të mëdha!

 E DJELA PËR QIELL SYÇKAT E PERLËS KA!

Do mbushem me të djelë
e do shkoj te pendesa
gjethet e borzilogut, ti puth një nga një
t`ju pëshpëris fjalët e pathëna
që nga e hëna gjer tek e premtja
Do ti përkulem milingonës: ndjesë për mungesën
në banketin e së shtunës,
që shtroi me kokrën e grurit që i fala unë
Do ta bind veten të më falë
se, ndërsa mushkëritë i shpërtheja në ajër
tu fërshëllyer devizën: kostume nuk do vesh kurrë
këmbët më çuan në tubim
me njëmijë gjinkalla e arlekinë
do i tërheq veshin guximit,
që me gjith moshën e arkivuar
në pesëdhjet zarfe e ca
përdor akoma pampersa e biberonin
do ti mjekoj plagët me muzg
do lahem në detin e së dielës

E djela për det: syçkat e Perlës ka
    
TË BËRAT DHE TË PABËRAT E GRIMCËS

     Me vezullimin e pafajshëm të syrit të foshnjës
se mposhti dot shpërfilljen e njeriut
që mat të ndenjurat dhe shputën
në masën e pamatëshme të anëdetit.
Zbuloi brenda vetes kokëfortësinë e gurit
dhe iu ngjit në periferi të kofshës
e pret atje, me durimin e burrit, pret
të zbresë njeriu shpërfillës nga lartësitë e hundës
e të mësojë te perimetri i grimcës
përmasat e shpirtit të vet.

  MË MËSOI DIELLI

Pikën e lotit ma piu dielli!
Kokulur, fëmijë i bindur kuptova: me lotë nuk qeraset mëngjesi
me një gisht mes brinjëve, rrënojat, që ishin zemër dikur
i selita sërish si një shtëpizë
me dritare kanathapur, kthyer nga dielli
që të mbledh rreze, për të shtruar rrugët e fëmijëve
dhe një vend të fshehtë, si kishëz
ku të fsheh lotin dhe të falem ditë për ditë.


Korrupsion

Në vendbanimin e ëndërrave të mia
një mësonjtore dhe një shitore
rreken të mbajnë me dinjitet të njëjtin emër rilindasi
prej andej, si vijë e hollë lapsi rrjedh ujë magjik.

Me kokën në duar në duar,
kthyer në poç të zbrazët

duke kërkuar shtegun për një pikë ujë
humbas nëpër terr,
përpra më del një lëndinë bari
kuruar përsosmërisht si ekspozitë antikuaresh
që ekspozon vetëm një zemër (prej bari natyrisht).

Nëpër terr, të tjerë si unë
me kokën në duar për një pikë ujë
pëshpërisin: “ është dhuratë e kandidatit për deputet
për të na bindur ne dhe yjet, se na do marrëzisht”.

Zemra (prej bari natyrisht),
luhatet e shformohet
tjetërsohet e rikrijohet
në trajtën e të linjtave prej mashkulli
përsosmërisht.

Humbur në labirinth mendimesh
dyshoj për egzistencën time
“ Jam a s`jam…të luajë kështu nga rrënjët bari…?!”
Era pas veshit më pëshpërit: ‘’Është lëmyshk moçali”.
Me kokën në duar kërkoj shitoren dhe mësonjtoren
që rreken të mbajnë me nder të njëjtin emër
rropatem, humb në kërkim të ujit pafundësisht.


NGA PËRSHTYPJET E ANËDETIT

Një grimcë rëre
ishte një grimcë e masës së pamatshme
nën timin shikimin shpërfillës
në anëdetin e vendit tim
ose asgjë-ja, ose vetëm një grimcë
e masës së luhatshme
me forma shputash, këllqesh e barqesh
që nga lindja deri në perëndim.

Një grimcë rëre
pushoi së qëni një grimcë
kur Dielli u kërlesh mes valëve
dhe mes miliardave llambavedheve
doli Alçioneja dhe fshiu format e shputave, këllqeve e barqeve
grimca shëndriti si sy njeriu në kërcirin tim.

*Aliçioneja – bija e mbretit të erërave

KONFIDENCIALE

 (Vetëm ty, askujt tjetër)
Mos i beso
kur natën  të braktis në shtrat
e del e mediton nën yje,
mos i beso s`mendon për  ty
një nimfë po gjurmon në pyje.
Mos u gëzo
kur t’thot: “ me hirin tënd
monumentale u bë vepra”
mos u gëzo!
Ti vetëm emrin ke në kopertinë
e gjith brendia është  ajo tjetra.
 Mos u trishto
o mikja ime, mos u trishto
kështu e paska kjo botë e vjetër
ujrat freskojnë të gjith njëlloj.

Jam njeri i dobët


Kjo botë,
e bukur llahtarisht
dhe e pashpirt
nëse nuk je egzibicionist
duhet të gjesh guximin për të vdekur…
Mua më joshi
mandej shembi një xixëllonjë.
Bota harron
bën tualet e del shëtitje
e la mes brinjëve të mija zemrën plot ankthe.

Unë nuk bëj dot
as cirk
as vetvrasje…
.Top of Form
LEKSION VETPËRMBAJTJE
NË STINËN E LIRISË SË PASKAJSHME



Unë vij nga fushat e mbjella me utopi
ku bëhej dhe mendohej tufçe,
ku plumbi hante edhe mizën
nëse guxonte, zukaste ndryshe.

Kokën e sjellë nga katakombet e gënjeshtrës
si relikte të çmuar e marrë në prehër
e pastroj nga mendësitë e mykura cdo ditë
e ushqej me filozofi të re, me dije e dritë.

Në stinën e lirisë së paskajshme
viruset e dredhin belin si vashëza të hajthme.
Një lilipute, pinjolle e fisit të ndershëm te shtatshkurtërve
që kurrë s`ka shijuar artin e shkruar, për shkak të kthetrave -alias thonj,
më zhvlerëson me një shikim të rimelosur fyçke.
Nga lartësitë e këmbajkave dhe kodrave me silickon
demonët zgjohen, humb drejtpeshimin
një tik rebel në shesh të ballit kërcen vallen e sherrit
unë shpejt e shpejt si kundërhelm
mërmëris fjalë e vargje të Skënderit

“Në artin e qënies dhe të dritës 
përdorimi i trupit bëhet sipas dëshirës”

P.S. Fjalët në thonjëza, janë të poetit Skënder Sherifi

E diela vdiq!

Erdhi e purpurt
si foshnje e sapo zgjuar nga gjumi,
megjithatë e diela vdiq!
As funeral,
as tinguj funebër
as lot në cep të syrit
veç trëndafili e shkundi vesën.
E kërrusi kokën, u vyshshk, u mpak.
Qyteti pi kafe,
ha briosh e gazeta
me shqisat e lodhura nga jeta
nuk percepton vdekje fluide,
tronditëse të thjeshta …
megjithatë e diela vdiq!





Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...