2013-10-26

SAGA PROVINCIALE E TRANZICIONIT

Tre romane të shkrimtarit Thani Naqo

http://floripress.blogspot.com/2011/02/hej-mos-e-harroni-te-famshin-thani-naqo_20.html



“Përgjumje iluzionesh” (2006),
“Murmashët” (2011)
“I fundmi i shalëgjatëve” (2013)

Ta fillosh nga vendlindja, kjo është zgjedhja që kanë bërë dy shekujt e fundit shumë autorë të shquar nga Shqipëria dhe bota. Sepse në fëmini në ato dhomёzat e kujtesёs nё tru regjistrohen ngjarje dhe karaktere që nuk fshihen deri në pleqërinë e thellë. Kёtё po bёn romancieri Thani Naqo, aq më tepër kur fati ka bërë që të lindet në një fshat si Ziçishti ku mirësia, kultura dhe toleranca kanë ndёrtuar djepin më të përshtatshëm. Shto pastaj edhe qytetin e Bilishtit dhe Devollin në tërësi. Mund të duket e pabesueshme, po shkrimtari Thanas Jorgji e ka marrë brumin e rreth dyzet romaneve për fëmijë dhe të rritur vetëm nga Bilishti. Të njëjtën gjë po duket se po mëton të bëjë edhe Naqo, por duke u nisur nga fshati dhe duke zbritur në qytet.
Në përmbajtje, duke zgjedhur një këndvështrim ideologjik të deklaruar, nё romanin “Pёrgjumje iluzionesh” romancieri ka arritur të bëjë një anatomi të tranzicionit në provincat shqiptare dhe jo vetёm.
Në planin krijues ky roman mё rezulton që paska qenë vetëm përgatitja e një piste të madhe prej të cilit do të ngrihen fluturim disa romane tё tjerё, tё lidhur ngushtёsisht me fushёn-amё. Edhe pse autori në këto njëzet vite ka jetuar më shumë udhëkryqeve të botës, ai jo vetëm që i ka ndjekur më vëmendje ngjarjet, po ka ditur të hulumtojë dhe të zbulojë mekanizmin që vë në lëvizje këtë llavë të ngadalshme transformimi. Ai ka zhbiruar artistikisht marrëdhëniet ekonomike, levën e Arkimedit për kalimin nga një sistem i centralizuar i ekonomisё, ku çdo gjë kontrollohet nga shteti, në një sistem ku shtysё dhe përcaktues bëhet tregu i lirë. Këto marrëdhënie sillen përmes një galerie karakteresh që mbajnë nofka domethënëse, duke krijuar një sintoni me prozën e Th. Jorgjit. Po nëse te Jorgji këto nofka kanë pёrgjithёsisht origjinë fëminore dhe tingëllojnë përshkruese e dashamirëse, tek Naqo shumë prej tyre kanë më shumë ngarkesë negative sepse përftohen mes të rriturve dhe lidhen me marrëdhëniet politike dhe shoqërore nё diktaturё, enkas për të treguar një shoqëri të përçudnuar që ka një lupë të vetën për të parë bashkëkohësit, një lupë që kthehet në lugë për të ngopur atë që nuk ka mjet tjetër për eksploruar realitetin dhe për të qetuar urinë e vet shpirtërore. Magelani, Lejleku, berber Kokësallatori, Paganini prej Vërës së Ariut, Qimebardhi, Patoku i Majmë, Trëndafilja dhe Ciceroni, Shën Mëria e Parisit, Buzëkarafilja, Grifsha, Gjyvendeja, Mizëkali, Polic Pikaloshi, Taqo Pordha, etj janë karaktere që mund të zhvillohen si degëzime të veprës.
Autori me largpamësi ka deklaruar se ky prizëm nuk do të jetë më përthyes karakteresh në shoqërinë që do kapërcejë tranzicionin.
Edhe pse vepra ka parë dritën e botimit në vitin 2006, tabloja që sjell dhe përgjithësimet filozofike e bëjnё tё duket sikur është shkruar këto ditë, duke dëshmuar aftësinë e shkrimtarit për ta rrokur realitetitn shqiptar me të gjitha përmasat e veta. Besoj se pas tre-katër dekadash, kur prushi i tranzicionit do të jetë kthyer në hi, brezat që të vijnë do të kenë mundësi të kuptojnë atë që që ne e kemi përjetuar në këto njëzet vjet me etje dhe stres, me ankth e shpresë.
Kur merr në dorë dy romanet që pasojnë, menjëherë e ndjen se ke hyrë në një mjedis të njohur. Romani “Murmashët” mbart një pjesë të karaktereve të romanit të parë, po këtë herë në emigracion. Amerika ka qenë ëndrra e ndaluar për shqiptarët gjatë gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas, po që nuk pushoi së ushqyeri asnjëherë nga ajo nënshtresë që dihaste emigracioni i paraçlirimit. Ai pati shёrbyer si akti i parё i emancipimit tё provincёs sё zhytur nё moçalin qё shkaktoi perandoria otomane. Në se fshatrat e Devollit kanë dëshmuar zhvillim në kulturën e punës dhe të jetesës, duke bërë dallim nga teva të tjera shqiptare, kjo e ka patur shpjegimin pikërisht me emigrantët që zunë fill këtu që nga fundi i shekullit të 19-të duke shkelur hapësira të afërta e të largëta, duke filluar nga Greqia, Bullagria, Rumania, Turqia, Egjipti për të vazhduar me Amerikën, Amerikën e Zezë dhe Australinë. Tranzicioni krijoi hapësirat e nevojshme që kjo ëndërr të riaktivizohej. Veçse ëndrra dhe zgjëndrra janë dy gjëra që mund të mos përputhen. Por kjo nuk e ka zbehur aspak edhe sot e kësaj dite këtë ëndërr dhe kjo jepet nëpërmjet fatit të Anita Traboninit që e paguan realizimin e saj me çmimin e madh të jetës. Familja tradicionale shqiptare, kur vendoset në çerdhen e largët amerikane, pëson një tronditje të thellë. Është një pranëvënie e dy kohëve që nuk e kuptojnë njëra-tjetërn. Për më tepër, për brezin e tretë kjo nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë. Kjo përplasje botësh jepet nëpërmjet fatit të pjesëtarëve në dy familje të ndryshme, në atë të Artan Barelit dhe në atë të Gëzimit. Plasaritja më e madhe nga kjo përplasje vjen në marrëdhëniet mes brezave por edhe brenda bashkëshortëve. Artani ka marrë në Amerikë edhe prindërit, prandaj Donika, pas padurimit të vjehrrës dhe vjehrrës, e kërkon kënaqësinë e jetës në një marrëdhenie të re me bosin e bankës ku punon. Edhe Gëzimi nuk e ka dashur asnjëherë të vjehrrin, Leninin e Vogël dhe kjo rezonon në marrëdhëniet e tij me Migenën.
Tre romane të shkrimtarit Thani Naqo

Romani “I fundmi i shalëgjatëve” edhe pse ka dalë më prapa në kohë, ka një pranëvënie me “Përgjumje iluzionesh”. Lejleku i romanit të parë bëhet Shalëgjati i romanit të tretë. Pasi është marrë me blegtori për disa vite, vendos të braktisë fshatin dhe të marrë udhët e Europës. Si një flutur që i qaset dhe i largohet dritës së llambës, ashtu edhe autori mbërthehet pas një pike kohore të së tashmes dhe sillet rreth saj me mjeshtëri duke prurë ngjarje dhe karaktere mbështjellë me një vel humori që të japin një dritë buzëqeshjeje. Marjana, teto Dabucka, Cigania me Gji të Florinjtë, Simo Babjeni, berber Shejtani, Marroku përbëjnë galerinë e karaktereve që mbushin imazhin e fshatit në vitet e tranzicionit dhe përtej tij. Raportet e dashurisë mes të rinjve, pleksen me problematikat e tjera të fshatit që përpiqet të sfidojë braktisjen. Sikurse ngjarjet rrotullohen rreth pikës kohore, ashtu edhe karakteret sillen rreth Shalëgjatit për të përvijuar heroin kryesor dhe vetveten.
Të tre këta romane janë pjesë e një sage për vendlindjen që, siç e ka deklaruar vetë autori, do të pasohen nga romane të tjerë, duke krijuar kështu një univers të konceptuar që herët me detaje.
Romanet janë trinjakë në pikëpamje të stilit. Rrëfimi është dinamik, me pak ndalesa në mjediset dhe me shumë përqëndrim tek karakteret dhe marrëdhëniet midis tyre,thotë mes tjerash studiuesi Kosta NAKE.



Thani Naqo


Thani Naqo ka lindur në vitin 1953, në Ziçisht të rrethit Korçë. Diplomuar ekonomist i lartë, ka mbaruar kursin pasuniversitar në Institutin e lartë të Arteve Tiranë në degën e skenarit kinematografik. Jeton në Florida të SHBA-së që nga viti 1997.

Botimet

Tregime e novela:
Shtëpia e përgjumur - 1977
Kabina e kuqe - 1985
Vatra njerëzore - 1987
Skenar i filmit artistik:
"Përsëri pranverë"
Roman "Përgjumje iluzionesh" - 2006
Libra me poezi:
Fate paralele - 2007
Çapkënët e mëhallave të botës - 2008
Simfonitë e stinëve - 2009

http://floripress.blogspot.com/2011/02/hej-mos-e-harroni-te-famshin-thani-naqo.html

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...