Pyetje: 1. Si e konsideroni jetën dhe arsyen e saj në krijimtarinë tuaj?
Jeta është vetë një arsye madhore për tu jetuar. Pasioni dhe ndjenja e të përditshmes është pjesë e krijimtarisë sime ,është refreni i jetës që më mbush ditët e mia. Çdo ditë, çdo hap që hedh, çdo minut që jetoj mundohem ti shikoj në mënyrë sa më domëthënëse, mundohem ta jetoj jetën me gjithë sfidat e saj dhe gjithmonë ditën dua ta mbyll me buzëqeshje.
2. Ku qëndron forca me të cilën ju keni arsyen e fjalës në krijimtarinë tuaj?
E jetoj jetën ashtu siç vjen dhe mundohem të gjej pozitivitetin tek çdo gjë, qoftë edhe tek një ditë e lodhshme, qoftë edhe në një ditë me shi, mbase dita fillon me “rrebeshe” por mundohem ta jetoj me më shumë dashuri.Më intrigon shumë mënyra se si bashkëjetojnë bashkë uria ,skamja ,papunësia,varfëria dhe nga ana tjetër shkëlqimi, pasuria dhe arroganca .Dhe kur shpirti im nuk duron më padrejtësi dhe pabarazi shpërthej me forcën e fjalës ,me forcën e vargut dhe e ngre zërin deri aty ku notat e vargut transformohen në thirrje të drejtëpërdrejta drejt pushtetarëve që duhet të heqin maskat ,të luftojnë korrupsionin dhe të zhdukin padrejtësitë.
3. E arsyeshmja a është diçka më kontradiktore në krijimtari?
Po mendoj se poeti e ndjen kur duhet të ngrejë zërin, kur diçka nuk shkon,sepse shpirti i poetit se duron tiraninë,se duron forcën e diktatit ,sepse poeti është shpirt i lire. Krijimtaria bashkëjeton me arsyen dhe është pjesë e saj, por nganjëherë nuk njeh arsye, sepse vërshon si llava e vullkanit dhe krijon male dhe stërmale krijimesh ashtu siç dalin nga shpirti i poetit .
4. Pse ndodh që krijimtaria dhe jeta janë paralele dhe infinite?
Asnjë poet ose shkrimtar nuk mund të ketë limite sepse kur jeta vazhdon ajo çdo ditë ka të papriturat e saj, labirinthet e saj, ndaj patjetër që jeta dhe krijimtaria shkojnë bashkë ,janë paralele. Nëse poeti është i hidhëruar lexuesi mund të lexojë shpirtin dhe mëndjen e tij ,sepse poeti e shpreh me vargje hidhërimin ose lumturinë. Është bukur kur krijimtaria i reziston kohës dhe lexuesi gjen gjithmonë diçka nga vetvetja.
5. A ka një mesazh konkret për arsyen?
Arsyeja mendoj që është e paarritshme dhe spontane,mendoj që ndjenja e momentit përbën çastin e arsyes.
Fjala e lirë