Në kuadër të edicionit të katërt të konferencës shkencore që do të mbahet në Prishtinë pritet të marrin pjesë rreth 150 studiues dhe albanologë vendës e ndërkombëtarë.
Nesër në Prishtinë do të fillojë konferenca shkencore ndërkombëtare “Java e Albanologjisë”. Ky aktivitet organizohet për herë të katërt nga nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ka për qëllim prezantimin e rezultateve një vjeçare të albanologëve nga vendi dhe bota.
Drejtori i Institutit, Hysen Matoshi, deklaroi për KultPlus, se për këtë edicion e kanë konfirmuar pjesëmarrjen rreth 150 studiues dhe albanologë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Turqia dhe Jordania.Ata do të paraqiten me kumtesat e tyre në 5 sesione, të cilat do të mbahen në degën e Gjuhësisë, Folklorit, Letërsisë , Etnologjisë dhe Historisë.Matoshi bëri të ditur se në kuadër të kësaj konference shkencore do të marrin pjesë studiuesit e njohur si Dalibor Jovanovski nga Universiteti i Shkupit, Igor Despot, studiues kroat, Mehmet Allkan nga Universiteti i Stambollt si dhe Muhamet Mufaku nga Jordania.
Ceremonia e hapjes së Javës së Albanologjisë do të fillojë në orën 10:00 në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë ndërsa me një fjalë rasti do të paraqitet vetë drejtori i këtij instituti, Hysen Matoshi ndërsa konferencën do ta përshëndesin Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë , Ramë Buja si dhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, Valter Memisha.
Në ditën e parë do të mbahen nga dy seanca në degën e Gjuhësisë dhe atë të Folklorit.Në kuadër të fushës së gjuhësisë do të trajtohet tema “Shqipja dhe rrethanat e sotme sociolinguistike dhe sociopolitike” ndërsa në atë të folklorit “Mendimi teorik në folkloristikën shqiptare”.
Ndërkaq studiuesit e letërsisë, në ditën e dytë të konferencës, do të paraqiten me kumtesat e tyre në temën ”Letërsia shqipe mes dy luftërave botërore” ndërsa në fushën e etnologjisë do të trajtohet “Përditshmëria , tradita dhe moderniteti”. Në ditën e fundit studiuesit e fushës së historisë do ti shpalosin rezultatet e punës shkencore në kuadër të temës “Shqiptarët, fqinjët dhe fuqitë e mëdha në rrjedhat e historisë”.
Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi tha se në fund të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë” , të gjitha kumtesat do të botohen dhe do të jenë në dispozicion për opinionin e gjerë.
Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi tha se në fund të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë” , të gjitha kumtesat do të botohen dhe do të jenë në dispozicion për opinionin e gjerë.