2013-10-26

LIBRI I MEMORIES


Ese



Çfarë simbolizon Lumi në poezinë time



LIBRI I MEMORIES



“Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete dhe misterin. Vlerën nuk e përcakton sasia. Poetët mbahen mend edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi im, nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje…”



Nga Ali Podrimja



I.

Për herë të parë ai kishte zbritur në Pargë dhe kishte takuar një nënë çame, vogëlushi i kishte përshpëritur unë jam Lumi, do e mund detin. Poezia është një udhëtim drejt së panjohurës, ka thënë një i urtë. Shkrimi i saj është punë sizifi. Nuk lind kur duam ne. Latohet derisa të vilet maksimumi nga fjala. Për të gjallë të autorit krijimi është qenie e “gjallë”, lëvizëse. Për shkak të një fjale, figure a strofe, autorët shpesh u kthehen teksteve. Edhe në Letrat shqipe ka shembuj. Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete dhe misterin. Vlerën nuk e përcakton sasia. Poetët mbahen mend edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi im, nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje…



II.

a)Çështja çame vazhdon të bëhet shqetësim dhe i të tjerëve. Znj. Hillari Klinton e ngriti para Senatit Amerikan, po këtë e bënë edhe dy evrodeputetë në Parlamentin Evropian. Triumfi i së drejtës është dhe triumf i ndërgjegjes. Se kur do të mbyllet kjo plagë e moçme, nuk varet nga ne shqiptarët. Mirëkuptimi i ndërsjelltë i dy popujve më të vjetër në Ballkan, grekëve dhe shqiptarëve, do të hapte faqe të re në kohë të modernitetit. Botimi i antologjisë Eni vjen pej Çamërie kishte për qëllim të vetëdijësojë njeriun, se liria u takon të gjithëve dhe akcili komunitet ka të drejtë të mbrojë hapësirën dhe identitetin e vet. A do të ngadhënjejë arsyeja mbi të keqen? Le të besohet se Ballkani, më në fund, do të lirohet nga gjaku i zi…



b)Shqiptarët e grekët nuk janë të sotëm. I afron diçka e largët. Lypset të mësohet edhe nga e kaluara. Të kujtohet ajo që tha Prometeu i Eskilit:

S’do t’i përmend, po do të flas për pikën



E fundit të shtegtimit tënd, kur erdhe

Në fushën e Molosëve ku majë

Një mali ngrihet lart’ Dodona-froni,

Orakulli i Zeusit Tesprotian,

Atje, gjë fort për t’u çuditur, ty,

Mjaft qart’ e hapur lisat ligjërues

Të shpallën grua të zgjedhur të vet’ Zeusit.

Të josh ky emër? Të pëlqen? E ndukur

Nga zekthi i tërbuar me vrap ti rende

Drejt gjirit Rea në det. Pastaj u ktheve

Si një e marrë nga tërbimi prapa,

Por dije se në të ardhmen gjiu i madh,

që ti kalove, emrin tënd do marrë,

Jonian do quhet, që të mbajnë ment

gjithmonë njerëzit shtegtimet e tua.

(Nga “Promteu i mbërthyer”)



c)Eni vjen prej Çamërie, varg ky i Naimit, i cili i rri bukur librit, mbetet i hapur, sensibilizues, njerëzor; artikulim që nuk e lë të qetë ndërgjegjen. Jam i vetëdijshëm se ky libër do të vazhdojë të shkruhet edhe në të ardhmen, të pasurohet me vlera e ide dhe bëmat të mos interpretohen vetëm nga kujtesa historike… Eni vjen prej Çamërie bën të quhet rezolutë shpirtërore e gjeniut krijues shqiptar mbi çështjën çame. Filloi të shkruhet, ndoshta më herët, se kur u shfaq De Rada. Tragjika çame u bë shqetësim i të gjithë brezave tanë. Në kujtesë na u ngulitën detaje, toponime, tempuj, fjalë e bëma se shpërbërja çame ishte vdektare. Një madhështi e dhembshme e lashtësisë sonë, siç është Dodona, që ngrit në kult, nuk ka krijues të mos e ketë kujtuar. Edhe krijuesit e historianët grekë treguan interesim. Në tekstet e librat e tyre, në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta, tesprotianët lëviznin e dëshmonin diçka tjetër, çamët e sotëm. Andaj Çamëria nuk mbeti enigmë, trillim, por realitet i hidhur që grith ndërgjegjen njerëzore. Tek besohej se tragjika çame, ndjekjet shtazarake e vrasjet harroheshin; se mbylleshin siç e kishin paramenduar aneksuesit, filloi të problematizohet nga të huajtë; reagimet e tekstet e të cilëve sapo i lexon vëren shthurrje njerëzore e morbiditet, e padrejtësi që nuk mund t’i ketë hije as qytetërimit të sotëm. Turpërohesha nga vetja pse heshtja. A bën të varrosen faktet dhe të na ndëshkojë historia? Mbështetja Milan Kunderën se “një komb i cili humb dijen e së kaluares, gradualisht e humb edhe veten”. Pra, libri nuk përfundon se Çamëria shkruhet e interpretohet edhe nga të tjerët, të cilët, proceset e të drejtës njerëzore i kuptojnë ndryshe nga aneksuesit. Megjithatë, frika ekziston nga e ardhmja. Ndërgjegja ndodh të errësohet, siç ka ndodhur shpesh, kur çështja shqiptare është hedhur në bixhoz…



d)Qenia kombëtare vihet para një sfide harrestare… Eni vjen prej Çamërie është libër i memories sonë, i guximit intelektual dhe njerëzor.



III.



1.Vetë emërtimi i sprovës antologjike (2) I kujt je, Atdhe vë në spikamë hulumtimin, si dhe angazhimin e poetëve, që mundësuan të merrem me një çështje madhore. Në Familjën njerëzore akcili popull bën çmos të veçohet bile edhe me një shenjë. Kohët moderne sjellin të papritura në shumë rrafshe dhe vështirë të përballohen.



2.Para të panjohurës, ku nuk dihet asgjë, si e kur mbyllet marshimi ynë nacional, i filluar që nga lashtësia ndoshta, ndodh të vihet në pyetje kodi etik dhe ekzistencial. Nuk bën të na befasojnë pyetje të ndryshme që shtrohen nga krijuesit, sidomos në kohë kaosi, havarie – kur atdheu na shndërrohet edhe në monedhë, në leckë…



3.Ajo që ndodh rreth nesh, ka edhe gramatikën e gjallimit, po qe se dimë t’i themi bëmat në kohën kur lypset guxim dhe mjeshtri, artikulimi, idetë e ngritura, gjuha, figurshmëria, do i sensibilizojnë edhe qendrat e vendosjes?



4.Me I kujt je, Atdhe, nuk ballafaqohemi vetëm me veten tonë. Shtrohen edhe çështje të tjera, që lexohen dhe interpretohen si kërkesa të një kolektiviteti njerëzor.

Ndjenja e përkatësisë sa vjen e bëhet më e theksuar te krijuesit tanë. Ne mozaikun njerëzor duan ta shohin shenjën e vet. Unë këtë e kuptoj si vetëdijësim e kurajo krijuese.



5.Të mbrosh identitetin do të thotë se nuk je humbës, e as nuk e pranon poshtërimin. Vlen ta kujtojmë një mesazh të Tufës: Shqipëria është më e madhe se toka e saj… Nga një mesazh të themi nacional, mund të ngritet dhe një rezolutë për çështjen e Etnisë, nëse Shteti shqiptar nuk e ka. Do të thotë se Krijuesi shpirtërisht e emocionalisht është më afër Atdheut dhe Kombit se Pushtetari. Këtë mund ta ketë sjellë dhe dorë e huaj ose për interes personal është gozhduar për karrige…



6.Xhorxh Ourelli thoshte se nuk ulej të shkruante, po që se teksti i tij nuk ngrit ndonjë çështje. Kjo dëshmon për angazhimin e krijuesit të njëmendtë. Mbi konturat e misterit të quajtur politikë u ngrit edhe ekzistenca, edhe identiteti, edhe paqja njerëzore. Pra, asgjë nuk ekziston që nuk është politike, madje dhe një përshpëritje intime, edhe një vijë e hedhur në letër…

Në sprovën poetike (2) I kujt je Atdhe enigma qëndron në vetë titullin, nxjerë nga gjysëmvargu i Beqë Cufajt, që mundësoi t’u rikujtojë “jashtëplanetarëve” ç’është dhe i kujt është atdheu. poeti anglosakson, Frosti, ndër çështjet kryesore të poezisë së tij vë çështjen e atdheut. Fjalët e urta dhe epet Borhesi i konsideronte për lektyrë të parë, ku kërkonte magjinë e fjalës. Dhe, siç thotë Sabato



“Borhesit atdheu i jep dhembje



Me të drejtë kritika e quajti se ai ishte vetë Argjentina.

Fatëkeqësisht, te ne atdheu ndodh të shikohet si plaçkë e hedhur ndanë udhë, si vrimë e zezë; më tepër parapëlqehet diçka triviale. Por, çfarë e përcakton identitetin dhe mund të ketë baraspeshë me atë që e ka dhe atij që i mungon?

Kisha përqëndruar shikimin te Kodikët e Beratit dhe kisha kujtuar të parët tanë se me çfarë xhelozie mbronin shenjën tonë. Tek e shikoja pastaj një fotografi të Nënës Tereze të bërë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë (22 mars 1991, Dita e Sulltan Nevruzit) kisha lexuar tolerancën shqiptare që kishte fascinuar edhe metropolet. Dhe, në Ditën e Lumnimit të saj në Vatikan, derisa një engjëllushe nga tejatlantiku, diçka përrallore më ishte hedhur në qafë, në krye të vendit kisha parë kreun e Kryegyshatës Botërore të Bektashinjve. Mund të ekzistonte tekst më domethënës për mirëkuptimin e besimeve brendashqiptare? Nga ekranet TV-ve nuk zbriste libri i poezive Mësomë të dua i Nënës Tereze. Kishte hequr të zitë e ullirit derisa e kisha përpiluar. Kështu, maratoni i filluar nga Iliria e Shën Albanit e deri te shkulja e gurit e gurit në Koshare, ndodhi nga shkaku i një cope dheu që quhet atdhe e që tregon se kush je.

Vërtetë, i kujt je atdhe? Apo qenkemi, siç thotë Visar Zhiti: Komb pa popull?



IV.

Sprovat që i botova viteve të fundit masmedia dhe kritika i quajti dhe antologji. Falenderoj, po ashtu, dhe ata që zunë thua në to dhe nuk e pashë të arsyeshme të merrem me ta dhe as me të ashtuquajturit “teoricientë” të artit poetik. Sprovat i konsideroj gjymtyrë të një antologjie të ardhshme, ku mund të bjerë dhe ndonjë poet i prezentuar, se në një antologji kombëtare nuk ka vend për të gjithë. Edhe sprovën I kujt je Atdhe, vetëm e një krahu gjuhësor, përfaqëson ca krijues të viteve ’90-ta nga Shqipëria e Jashtme, pra nuk e shoh në kuadër të tërësisë kombëtare. Arsyeja e botimit të sprovave ishte të vë në lëvizje poetët, të hulumtoj të bukurën që vetë flet, t’i nxis botuesit për projekte të tilla. Ata që mendojnë ndryshe, i uroj për guxim…

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...