t
nga: Artan Shkreli
Sa më shumë i largohemi asaj periudhe shtypëse dhe t‘ankthshme
që përfundoi me të vonuarin vit 1991, aq më fort shtohen pyetjet e
"përse"-te për gjithë çka ndodhi, të cilave iu ngarkohet edhe pezmi se
nëse çka ndodhi "a duhej doemos të ndodhte". E sa më tepër del mpimja
45-vjeçare dhe njerëzia nis mësohet me lirinë, aq më qartë shpalohet
arsyeja pse autoritarizmi despotik pati atë efekt të fundbotshëm ndër
shqiptarë. Kështu që vijnë e bëhen gjithnjë e më të dallueshme
mistifikimet e turpshme të kujt kish marrë rolin e atit dhe bijtë e
mbetur "në besë" i mëkonte me ushqim të prishur. Profetnit e rreme
kishin zaptuar papritur rrugët dhe sheshet e qyteteve, e duke përfituar
nga plagët shoqërore dhe varfëria e trashëguar, i tregonin gjindjes si
shpëtim shtegun e humnerës
Dom Nikoll Gazulli
Arkiva e Dubrovnikut
Në dokumentin me titull "The notion of the public library in
the renaissance Dubrovnik" (Nocioni i bibliotekës publike në Dubrovnikun
e renesanses), arbano-kroati Aleksandër Stipçeviç hedh dritë mbi
zbulimin e dëshmive të shkruara të Gjon Gazullit dhe të dokumenteve
mesjetare, të cilat plotësojnë të dhenat biografike për të. Në dokument,
të dhënat për jetën dhe punën e Gjon Gazullit janë paraqitur të
bashkëlidhura me ngjarjet që kanë ndodhur në Raguzën e shek. XV, XVI,
XVII. Kështu një ndër gjerat që tërheq vëmendjen është fakti i rrallë,
që nxjerr në pah Stipçeviçi, se librat e koleksionit të tij privat
atbotë iu dhanë në përdorim qytetarëve të Raguzës (Dubrovnikut). Së
këndejmi mori shkas tash edhe ideja që bibliotekat e pasura private që
Dubrovniku disponon, t‘i hapen publikut.
Në njëfarë
mënyre ky akt i Gjon Gazullit shënoi edhe fillimin e lindjes së
bibliotekave publike në bregun lindor të Adriatikut, ku po qartësohet
gjithnjë më shumë fakti se, në atë që më pas do ikonizohej se Albania
Veneta (Shqipni Venedike), arbënit ishin ndër aktorët kryesorë të jetës
shpirtnore.
Në fakt, ecuria e njerëzve si Gjon Gazulli,
bir i parsit Gjin Gazulli, përsa e pazakontë mund të na duket sot, ka
qenë diçka rutinë në Arbëninë Mesjetare paraosmane. Ka të ngjarë që
mësimet e para ai t‘i ketë marrë në mjedisin humanist Scutari-n, i cili u
zhduk sikur të mos kish ekzistuar kurrë pas dramës së pakapërdishme të
1479-ës. Rektor i Universitetit të Padovas (lider shkencash në Europën e
kohës) dhe me një bibliotekë të paçmuar, ky dijetar shqiptar, që vdiq
më 19 shkurt 1465, nuk u tregua aspak i përkorë kur qe puna për lirinë e
vendit të vet. Ai qe përfshirë në një proces gjyqësor për kontrabandë
armësh, të cilat duhet t‘i dërgoheshin Gjergj Kastriotit në Arbëni. Por
autoriteti i tij dhe miqtë e fuqishëm që lobonin pro Skënderbeut i
shpëtuan qoftë njerëzit, qoftë reputacionin e Gazullit. Rrugët e lirisë,
sikundër ato të Zotit janë të pafundme. Nga dinastia fatlume e
Gazullorëve ato rrugë do të përshkoheshin ne qindvjetshat e ardhshëm në
njëmijë mënyra të ndryshme, por veçse për një qëllim të shndërruar
tashmë në ide të ngulmët: Lirinë.
Sot pas 500 vjetësh,
kroatët, apo hërvatët siç i thonë në Malsin‘e Madhe, e mëtojnë Gjonin
për bashkëkombës të tyre të lindur në Raguzë (fakt i pavërtetë ky), por
me origjinë arbënore. Saku ndër ne, ndodh e kundërta. Sot Gazujt a
Gazullorët e mbramë janë pa varr, të pabotuar e te pazânë ngoje.
Gazujt, tabuja fatale e shtetit shqiptar, me dy vëllezër të zhdukur, i
pari nga Ahmed Zogu (varur n‘midis të Shkodrës) dhe i dyti nga Enver
Hoxha (mbetur në një shpellë të Vrithit, aty në malet e veriut). E ne
sot kemi mbetëë ende peng të Janarit të eger të 1946-ës.
Dom Nikolli, pasion i gjallë
Pa i hyrë kronikave gazullore, të cilat të çojnë deri aty nga
fundi i shek. XIII, por as atyre të rezistencës së pareshtur antiosmane,
e cila shtyhet deri në kohet tona, të tërheq vëmendjen personaliteti i
Nikoll Gazullit, pikërisht për ngjashmërinë e habitshme që ka mes tij
dhe humanistit të shek. XV, Gjon Gazulli. Kjo ngjashmëri vihet re në
spektrin e interesave që shqetësuan jetët e të dyve.
Sikundër Gjon Gazulli (lindur 1399-1465), edhe Nikolli (1891-1946) plot
pesë shekuj më pas, erdh në këtë botë në kapërcyell shekujsh dhe
ngjarjesh dramatike për historinë e Shqipërisë. Që të dy do të kishin
fatin e mirë të edukoheshin në voglì në një mjedis të orientuar nga
humanizmi dhe patriotizmi e të shkolloheshin për më s‘shumti në Europë,
por dhe fatin e keq që në të ngrysur të ditëve të përjetonin trishtimin e
një atdheu që rrëshqiste si mos më keq drejt një antieuropianizmi të
skajshëm. E ndërsa Gjoni vdiq atëherë kur emri i arbënit qe bërë simboli
evropian i qëndresës ndaj antivlerave, Nikolli dha shpirt si ideator
dhe luftëtar i po asaj qëndrese, në emër të atyre vlerave.
Nikoll Gazulli, në fakt qe shkolluar në Insbruk kur Austria ishte
ende perandori dhe Shqipëria konsiderohej nga Franc Jozefi si krahina e
humbur prej shekujsh e Konfederatës Ilirike. Futja e saj në suazën
perandorake austriake konsiderohej nga plaku i fiksuar pas shqiptarëve
si arritja e një objektivi që ish kërkuar që nga kohët e Karlit të Madh.
Ndeshtrashat historike kishin çuar në kohë të ostrogotëve një simbiozë
iliro-gote (Konfederata Herule e shek. V), ende të paeksploruar mirë e
që në qëndresën e saj ndaj faktorit sllav, kish lënë gjurmët e veta në
Arbëni me të ashtuquajturën Kulturë e Komanit. I gjithë ky iter jo
vijimor historiko-gjeografik (Ilirikum - Konfederata Herule -
Albania+Dalmatia Veneta - Konfederata Ilirike) në kuadrin e Perandorisë e
humbiste thellësinë kohore dhe ndarjen politike ekzistuese. Në këtë
kuptim, hapësira arbënore apo shqiptare merrte sërish përmasa mjaft të
mëdha. Në njëfarë mënyre Gazulli ynë, ndonëse jo bashkëkombës, ndihej
bashkështetas me b.fj. albanologun austriak Joklin, ose atë kroat
Shuflaj. Dhe është kjo frymëmarrje popujsh që kanë marrë e kanë dhënë në
shekuj, e cila pat krijuar klimën për studime komplekse e të thella.
Natyrisht, në familjen e popujve të Perandorisë Austro-Hungare, sllavet,
sikurse shqiptarët, nuk kishin asnjë primat dhe kjo i bënte shqiptarët
katolikë të kishin raporte të mira me sllavët katolikë (kroatët).
Nikoll Gazulli i ditur, konsiderohej një fenomen nga e gjithë
elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga
organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe
në periodiket e monarkisë. Zogu i vrau të vëllanë, por nuk guxoi më
tepër se kaq. Personaliteti i Gazullit dhe lidhjet e tij ndërkombëtare
me albanologë e ballkanologë e bënin të sikletshme çdo mase ndëshkimore
ndaj tij.
Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore
e Gazullit në Shkodër, si kur shërbente në famullinë e Rriollit, ashtu
edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas 1940-ës). Ndonëse
bashkëpunonte me Mjedjen e Fishtën, n‘atë bibliotekë gjendej kryesisht
në shoqërinë e At Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara
maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me
postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të
shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit "Visarët e Kombit".
Kështu në v. 1941, libri "Fjalorth i Ri - fjalë të rralla të përdorura
në veri të Shqipnisë" u bë një numër më vete (nr. XI) i këtij gjerdani
ish. Ishte i pari fjalor krahinor që botohej dhe bashkë me atë të Pano
Tasës (edhe ky i mbajtur larg nga shkenca e re zyrtare pas çlirimit)
hidhte baza të shëndosha në kursin që duhej mbajtur për njësimin e
mëtejshëm të gjuhës shqipe. Ky njësim në fakt kish nisur që me v. 1916
nga e famshmja Komisi Letrare, e që deri në kohë të përgatitjes së
Fjalorit, asistohej edhe nga austriakët R. Nachtigall dhe M. Lambertz.
Skrupoloziteti i Gazullit me shaka vihej në lojë edhe nga eruditi Karl
Gurakuqi, Inspektor i Lartë i Arsimit dhe promovues i Gazullit, i cili i
hoqi Fjalorit disa fjalë të karakterit erotik të konsideruara si
ofensive për kohën. Bëhej fjalë për një punë titanike, e cila nuk kishte
të bënte vetëm me mbledhjen, por edhe me analizën e thellë deri në
errësirë të shekujve të etimonit të fjalëve vërtet të rralla. Nga
erudicioni i tij, Nikoll Gazulli, i dhënë veçanërisht pas folklorit dhe
historisë arrin në përfundimin se Iliria ka një histori fetare paralele
me atë të Italisë, me martirë, me ipeshkvi e me Etën të vet, dhe thotë
se "ndë Shkodër t‘anë kemi një Rromë të dytë në Ballkan. Këtu fillimi i
Krishtnimit nis me kohna apostolike e vazhdon me nji Seli Ipeshkvnore që
ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona".
Kjo
dije po materializohej aty në heshtinë e luginës së Prronit Thatë në
Shkrel, ku Gazulli po hartonte një tjetër vepër madhore: "Fjalorin
Toponomastik", të shkruar nën pseudonimin "Gelasius".
Nuk mbërriti ta mbarojë
Mbetet një vepër madhore, ndonëse e shpërndarë ndër numra të
ndryshëm të "Hyllit të Dritës", dhe konsiderohet nga kritika e shëndoshë
si një punim monumental dhe si studim shkencor albanologjik ndër më të
mirët e të gjitha kohëve.
Martiri i Shkrelit
Kishte mbërritë deri te germa "K" e "Fjalorit Toponomastik"
kur në Malësinë e Madhe ndodhi ndërgjegjësimi i parë masiv në Shqipëri e
në krejt Europën Lindore se çfarë donte me thanë ajo që po ngjiste në
vend. Identifikimi qe fill pas luftës (fundi i 1944-ës) komunistët
shqiptarë i bënë kauzës së tyre me kauzën e Jugosllavëve, shoqëruar ky
me shtypjen marramendëse të të drejtave dhe lirive (për të cilat
malësorët e veriut qenë veçanërisht të ndjeshëm) çoi atë "përzierje
shpërthyese" që u quajt si Kryengritja e Postrribës ose Rezistenca e
Malësisë së Madhe (1945). Nikoll Gazulli la librat dhe rrahu kumbonat e
Kishës së Shën Kollit në Shkrel. Sot është e vështirë të kuptohet se si
një klerik, u bashkua me kryengritjen dhe kundër "qezarit". Porse atij
që njeh historinë e Shqipërisë Veriake, i bdaret çdo dyshim. Barijtë e
gjindjes nuk kish si të mos ishin krah besimtarëve të tyre.
Ende sot në Shkrel ruajnë kujtime të bisedave energjike që Dom
Nikolli bënte me njerëzit e tij. Atë e kujtojnë si tepër serioz, që ia
dilte më i mësue fëmijëve të rrethinave katekizmën rreth zjarrit të
ndezur aty para kishës-katedrale të Shkrelit. Ishte "burrë i pashëm
fort" me sy qiellorë, blu dhe ëndërrimtarë. Kur kërkuan ta arrestonin në
janar të 1946-ës nuk pranoi të burgosej; "Un nuk bij kurr i gjallë
n‘dorë t‘ktyne!" - kështu u thosh shkrelianëve që vinin me marrë mend o
me gjetë ngushëllim. Kishte dëgjuar për torturat që i bëheshin klerit në
burgun e Shkodrës. E nuk pranoi as të rrinte në shtëpitë e malësorëve
për "mos me i marrë në qafë". Represioni sa vinte e shtohej. Filologu i
madh u fsheh për 3 javë në një zgavër në tokë pranë Dedajve që sot quhet
Shpella e Priftit. Më pas u ngjit në Vrith ku qëndroi i fshehur në një
shpellë të mirfilltë. Vrasja e Dom Nikollit është histori filmash.
Velloja e misterit e mbulon atë vrasje për të cilën ende sot ka shumë
rezerva. Ushtarët e ndjekjes, të njoftuar për vendndodhjen e tij, e
rrethuan hyrjen e shpellës dhe shtinë batar të gjata pushkësh. Kur u
afruan, kurmi i Gazullit ishte i ftohtë dhe i ngrirë. Një vrimë e vjetër
plumbi i kish marrë jetën me kohë. Kush e kish bërë këtë? Dioqezani dom
Nikoll Gazulli nuk kish si të vriste veten. Emrin e atij që e pati
vrarë me një plumb në ballë dinë ta diftojnë malësorët e Shkrelit, si
dhe At Zef Pllumi - memoria historike e atyre anëve.
Krahina kishte mbetur pa frymë. Një qerre e barti trupin e tij deri në
fshatin e Stërkujës dhe aty ndaj rrugës, ballë kishës së Sterkujës e
varrosën. Ata djem që çelën gropën, morën urdhër të mos linin asnjë
shenjë, por ata duke e pasur famullitarin e tyre, të cilin gjithkush po e
njehte për martir, e rrethuan varrin me gurë dhe i mbuluan ata me pak
dhe. Shiu dhe koha do ta largonin atë dhe, menduan djemtë, e mandej
kushdo kish mundësi ta kuptonte se aty ish një varr.
Enigma e varrit të Gazullit mbeti e tillë deri në vitin 1995, kur zoja
Prendë, shërbyesja e dom Pjetër Grudës, famullitarit të ri të Shkrelit
(pas 1949), pak para se të ndërronte jetë, u tregoi motrave të Nanë
Terezës në Tiranë një sekret, të cilin kish kohë që e ndrynte në mendje.
Kështu në një natë të ftohtë me stuhi në fillim të viteve ‘50,
dom Pjetër Gruda në shoqëri të Gjomark Prelës, Kol Zefit dhe dy burrave
të tjerë, lidhin besë më i marrë reliket e dom Nikollit dhe me i çu në
kishë të Shkrelit. Ashtu ndodhi. Në "shi e kijamet" nën shkreptimën e
rrufeve të Alpeve, Gazulli u rivarros me një përshpirtje të shpejtë në
këmbë të altarit të Shna‘Ndojt brenda kishës së Shën Kollit. Dyshemeja
asokohe ish me dërrasa dhe pas varrosjes, u mbyll përsëri pa lënë
gjurmë. Sot trupi i albanologut fle ende në kishën e tij.
Sekreti u nxor vetëm prej së amës s‘Dom Pjetrit, e cila e kish
përgjuar gjaktrishtueshëm. E në merak të madh për të birin që kish dalë
atë natë të mnershme. E tronditur ajo ia kish treguar vetëm Prendës, së
cilës, më vonë në mbarim të ditëve të veta i kish kërkuar të kujdesohej
për të birin, dom Pjetrin, i cili tashmë qe burgosur. Dom Pjetër Gruda
vdiq në burg në Sarandë. Frymën e fundit e dha në duart e At Zef Pllumit
(sot Nderi i Kombit), por besën nuk e theu as në buzë të varrit. E
vërteta e Nikoll Gazullit fatmirësisht u "tradhtua" nga Prenda, një grua
e prunjtë e besnike, por që nuk ish e lidhur në besë.
Leksikografi i madh sot ka zënë vendin e tij në histori. Librat e tij më
së fundi po botohen. Edhe letrat, pasi ato janë dëshmi e pasionit të
këtij njeriu të jashtëzakonshëm për vendin e tij, të këtij njeriu, kumti
i të cilit na jep identitet dhe krenar si shqiptarë.