2011-06-20

Jeta në burg e shkrimtarit Mitrush Kutel




Dëshmia tronditëse e Efterpi Paskos përmbyll rrëfimin e të shoqes së poetit të persekutuar. Nga kujtimet e 88-vjeçares që ka ndarë për 20 vjet gëzimet dhe hallet me Kutelin.
E shoqja e shkrimtarit të madh Mitrush Kuteli bën një rrëfim tronditës në një intervistë në gazetën “Panorama”, që janë mjaft tronditëse.-Një javë pasi doli nga burgu e deri në gusht shkuam në Pogradec. Në Tiranë nuk kishim shtëpi, pasi “na kishte dalë urbanizimi”. Gjatë kësaj periudhe, Dhimitri, kohën më të madhe e kalonte me përkthime, të cilat ia dërgonin nga “Zëri i Popullit”, por edhe me krijime të tijat. Në gusht të vitit ’49 e emëruan te “Zëri i Popullit”, në sektorin e përkthimeve. Tanimë që u rregullua me punë, problem mbetej strehimi. Për disa kohë qëndruam te një i afërmi ynë. Më pas, kur na lindi vajza, shkuam në hotel…
Në atë kohë e morën sepse kishin nevojë të ngutshme. Kur gjetën një tjetër siç iu përshtatej, e hoqën menjëherë. Sa punoi te “Zëri i Popullit”, në përgjithësi kaloi mirë. Megjithatë, fakti që kishte qenë dënuar për agjitacion e propagandë, nuk e la pa telashe. Çdo komunikim, çdo sjellje e tij shikohej me kujdes të madh. Patjetër në emër të parimeve. I vënë në këtë vëzhgim, nuk do t’u shpëtonte kritikave e bile edhe goditjeve…
Raste ka pasur disa, por tani pas kaq vitesh, nuk më kujtohen të gjitha. Mbaj mënd rastin kur e nxorën në gazetën e murit në formë karikature me diçiturën “Amerikaniada e shokut Pasko”. Me anë të saj mundoheshin ta godisnin si intelektual borgjez…
Në atë periudhë nuk kishin dalë fletë-rrufetë. Në vende publike e në qendra pune kishte gazeta muri, ku goditeshin sjelljet e shfaqjet e papërshtatshme me kohën, me frymën e saj. Kjo fushatë me karikatura e bejte të ndryshme, drejtohej nga lartë e shitej si zëri i masës…Gjatë punës në redaksi, një moment Dhimitri kishte vënë këmbët mbi një karrige aty pranë. Që nga koha e burgut ai kishte probleme me gjymtyrët dhe vuante nga dhimbjet e reumatizmës. Dikush e kishte parë dhe i ishte kundërvënë menjëherë. Një qëndrim i tillë, sipas tij, nuk mund t’i falej askujt, dhe jo më Dhimitrit që ishte dënuar për agjitacion e propagandë. Kjo ishte e mjaftueshme që “redaksia” e gazetës së murit, brenda redaksisë së “Zërit të Popullit”, ta vinte në ballë të kritikave dhe goditjes. Këtë here me diçiturën e padëgjuar më parë, “Amerikaniada e shokut Pasko”…
Te “Zëri i Popullit” punoi gati dy vjet. Në vitin 1953 e transferuan në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, gjithnjë si përkthyes, por jo si nëpunës në bordero. Aty paguhej me normë sipas sasisë së faqeve të përkthyera. Ishte kjo një rraskapitje e tmerrshme. Punonte gjithë ditën e gjithë natën për t’i dorëzuar materialet sipas afateve. Nuk më kujtohet me saktësi sa lekë e vlerësonin për faqe, por di të them që këtë mënyrë vlerësimi, Dhimitri e quante qesharake. Kjo mbetej e vetmja mënyrë jetese. Pikërisht në këtë periudhë ka përkthyer nga disa gjuhë mjaft nga kryeveprat e kohës. Të gjitha pa emrin e tij, sepse vazhdonte të ishte “i padëshirueshëm”…Sa ishte në burg, por edhe disa vite më pas, as që bëhej fjalë për t’i dhënë të drejtë botimi. Pasi doli nga burgu, i dërguan një letër nga Lidhja e Shkrimtarëve, ku e njoftonin se nuk ishte anëtar i saj. Pra, duhej të vazhdonte me normën e përkthimit. Të drejtën për t’u bërë anëtar i Lidhjes ia dhanë shumë kohë më vonë, falë ndihmës së Drago Siliqit që bëri ç’ishte e mundur për t’i kthyer të drejtën e botimit. Në verën e vitit ‘66 më në fund i dhanë një leje krijimi njëvjeçare. U gëzua jashtë mase e shpresoi mjaft për t’u dhënë jetë subjekteve të ndryshme, por nuk zgjati shumë. Në fillimin e ‘67-s, kur kishte nisur fushata e letrës së hapur për “thellimin e frymës revolucionare”, Lidhja e Shkrimtarëve e pa të udhës t’ia ndërpresë lejen e krijimtarisë. Në dëshpërim e sipër, Dhimitri la në mes veprat e nisura dhe rifilloi punën me përkthimet e normuara…E tërë periudha pas burgut ishte e vështirë dhe plot ankth. Ca më tepër kur lindën fëmijët, Polikseni, Atalanta, Pandeliu dhe Doruntina. Megjithatë, Dhimtri, falë kurajës, gjente forca për ta përballuar. Ndodhi një periudhë që e renditën krahas Konicës, Fishtës e Koliqit, si poetë të padëshiruar. Bile-bile, kjo përmendej si vjershë kudo, sidomos midis krijuesve. Ç’bëhet kështu, i thashë një ditë e frikësuar. Nuk e shikon, ma ktheu ai me buzën në gaz, po më nderojnë shumë dhe duhet t’i falënderoj…Pak a shumë kështu ka ndodhur./BotaSot/

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...