Ardian Klosi
Promovim
Ali Asllani (1882-1966) i paraqitet sot publikut shqiptar në gjithë krijimtarinë e tij me „Veprën e plotë poetike.Shumë pak e dija që Ali Asllani është një poet kaq i rëndësishëm i gjuhës shqipe. E kisha dëgjuar vetëm gjatë viteve të fakultetit, ku trajtohej si vjershëtor gati gjysmë folklorik i periudhës së para-realizmit socialist. Vepra e tij më e gjatë „Hanko Halla“ më pat lënë kujtimin e një poeme humoristike. E për më tepër në një kohë të tillë si vitet ’70 kur sytë dhe etjen e kishim drejt Perëndimit, natyrisht që nuk gërmova më tej për këtë poet. Koha dhe rrethana të tjera, konkretisht dëshira e nipit të poetit, Ardian Asllanit, që të nxjerrë një botim të mirë të krijimtarisë së gjyshit, e pruri që tani të përgatis për shtyp „Veprën e plotë poetike“ të Ali Asllanit (1882-1966), të cilën e prezantojmë sot. Dhe kështu ndodhi që njoha për së thelli një poet të buruar, me muzikalitet e magji vargu, siç ishte dhe e kultivuar gjuha e bashkë-themeluesit të shtetit shqiptar, e diplomatit të karrierës dhe kryebashkiakut të Vlorës për shumë vite. E ka kapur saktë Rexhep Qosja kur shkruan: „… Vjershat më të mira të Ali Asllanit janë si farë pjesësh të vogla muzikore, pikërisht për shkak të ekspresivitetit të tyre të veçantë eufonik. Shëmbëllyeshëm Nolit, edhe ai përsërit me mjeshtëri tingujt e natyrshëm më ekspresivë, krijon asonanca dhe aliteracione të mrekullueshme, që në ndonjë rast janë më të shquara se ato të Nolit.“ Këtu vimë te shkallëzimet e shkrimtarëve: „nga më të rëndësishmit, i rëndësishëm, më pak i rëndësishëm“. Nuk i kam aspak qejf, por që janë dhe ato të nevojshme, sepse „i rëndësishëm“ në të vërtetë është si një eufemizëm për shkrimtarin të cilit i kthehemi e i kthehemi. E ashtu siç i kthehem e i kthehem Migjenit, Mjedës, Camajt në Veri, po kështu do t’i kthehem që tash e tutje Ali Asllanit nga Jugu i Shqipërisë. Le ta pranojmë që Noli mori aq peshë si poet prej jetës së tij të stuhishme dhe veprave të tjera jopoetike, sepse vjershat një dorë i ka; po kështu Lasgushi u skalit në historinë e poezisë mes dy luftërave për plotërinë dhe harmoninë që përfaqësojnë dy vëllimet e tij poetike, të cilat nuk i preku më me poezi politike. Kurse Ali Asllani s’pati as jetë të stuhishme politike, por edhe vjersha politike shkroi (përfytyroni që sekretari i qeverisë së Ismail Qemalit, kryebashkiaku dhe autori i Himnit të Vlorës jetonte në vitet 50 e deri sa vdiq në dy dhoma e kuzhinë, me pesë familjarë të tjerë, s’kish të drejtë të botonte, dreqi e mori shkruan njeriu ca poezi për partinë). Mirëpo sot kur shohim nga larg veprën e secilit, vërejmë se janë një numër, po, janë shumë poezitë e Ali Asllanit që na japin gëzim, shumë më tepër se të Nolit (marshe) dhe më shumë se të Lasgushit; vërtet nuk e kanë simbolikën dhe mistikën e liqerit si te poeti pogradecar, por kanë limfën e jetës, kanë platonikën dhe sensualizmin e dashurisë në shumë e shumë trajta; po kanë dhe një si thelb të shpirtit shqiptar, atë dufin e pasionin e jugorit, që e ka bërë vetë Lasgushin të shkruajë: „E kështu mund të bëjë xheloz për atdhetarinë shumë poetë të tjerë me vargje. Shumë pak e dinim se gjatë Luftës së dytë botërore, Ali Asllani jo thjesht u tërhoq në fshatin Vajzë, a u pendua pse kishte qenë anëtar i Këshillit të lartë të Shtetit, por mënjanë shkroi vjersha frymëzuese kundër pushtuesit që qarkullonin ndër partizanë në mënyrë anonime, më anë tjetër një poemë si „Dasma e madhe“ ku bën thirrje për ndalimin e vëllavrasjes. Në botimet e paraluftës e deri dje, strofat e fundit të kësaj poeme u censuruan, pikërisht ato ku poeti shkruante: Kështu si në rastin e kësaj poezie, të botuar te „Bashkimi i Kombit“ në gusht 1944, krahasuam për botimin e sotëm të gjithë periodikët ku shfaqej para 1944-s Ali Asllani, për të nxjerrë një libër sa më të plotë sipas të gjitha kritereve filologjike. Po për dashurinë? E dija që shkruante shumë për dashurinë, por nuk e dija që diapazoni shkonte prej poezive të holla të zemrës si:
etj. Dhe nuk e dija aspak se kishte shkruar poezi erotike deri në ditët e fundit të jetës. Në librin e fundit që i botuan „Vajza dhe dallëndyshja“ më 1964, ka shtuar ndër të tjera, me shkrim dore këto vargje (të cilat i ka qepur pas letrës me një paramane të vrazhdë sot krejt të ndryshkur).Përfytyroni plakun poet, të veshur kërk deri në fund të jetës, me një kostum 10.000 lekësh që e qepi me këto para (sepse kaq i dhanë shpërblim pasi ia mohuan pensionin me një shkresë të vitit 1963) që mbyll sytë me vegimin e zojzave lakuriqe. Në Stamboll pat studiuar së pari për mjekësi e pastaj për shkenca politike e mjekësore. Këtu shkroi vjershat e para në turqisht, arabisht e persisht! Dhe ajo që deri dje nuk e dinte askush përveç familjarëve, në vitet e fundit të jetës ka shqipëruar apo më saktë ka rikrijuar një nga epopetë e mitologjisë bektashiane „Hadikanë“, në mënyrë të ngjashme siç ka bërë Naimi me „Qerbelanë“. Bëhet fjalë për rreth 5.500 vargje të shkruara me një shkrim të qartë e aspak të dridhur në moshën mbi 80-vjeçare