Shtepia Botuese OMSCA-1 nxorri ne qarkullim keto ditet e fundit librin “Vjehërr amerikane” të autores Albana M. Lifschin.
Në foto është kopertina.
Të dhëna teknike:
Titulli: Vjehërr amerikane
Autorja: Albana M. Lifschin
Redaktor: Loredan Bubani
Gjinia: Novelë
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 112
Çmimi: 400 lekë
Për autoren:
Albana Mëlyshi - Lifschin, ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. U emërua fillimisht si gazetare tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në 1977 në Televizionin Shtetëror (TVSH). Punoi në televizion deri në vitin 1992, para largimit në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet në Universitetin prestigjoz të Nju Jorkut (NYU). Që nga viti 2002, Albana punon në një zyrë avokatie, që merret me problemet e migracionit, si dhe jep mësim në Institutin Globe, Manhattan. Zonja Albana Lifschin, është ndër anëtaret e para të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanё, që në themelimin e saj. Është autore e 10 librave në prozë dhe poezi si dhe autorja e librit të parë për historinë e SHBA-së, në gjuhën shqipe me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës” botuar në vitin 2003. Zonja Mëlyshi-Lifschin, ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) dedikuar ngjarjeve të vitit 1999, gjenocidit të popullsisë kosovare nga regjimi Milosheviçit. Libri u vlerësua nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut, si tekst për shkollat. Albana ёshtё autore e 5 vëllimeve me tregime, me tematikë jetën e emigrantëve në emigracion. Libri i saj “Ura mbi oqean” ka në fokus përpjekjet e emigrantëve për t’iu përshtatur jetës dhe kulturës amerikane. Libri i saj i fundit është “Magjia e një zëri”, përmbledhje me tregime.
Në maj të vitit 2008, Zonja Albana Melyshi Lifschin, nderohet me titullin, “Gruaja e vitit” nga Organizata e Grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”.
***
Me katër vëllime me tregime për jetën e emigracionit, duke filluar me "Kafe Shkodra e Nju Jorkut", "Fundjave në Hillsajd" "Takim me të papriturën" dhe së fundi me librin "Ura mbi Oqean", Albana Mëlyshi Lifschin ka kontribuar në letërsinë e emigracionit në Amerikë. Profesor Peter Prifti shprehet se ajo" ka fituar të drejtën të cilësohet si " pioniere në këtë rrugë të letërsisë shqiptare, këtu në Amerikë". Në të gjithë krijimtarinë e Albanës me temë nga emigracioni, lexuesi gjen një galeri të tërë figurash të gruas së sotme shqiptare.Vendi i gruas në prozën dhe poezinë e Albanës ka ardhur krejt natyrshëm. Ndoshta, sepse gruaja në emigracion këtë pozicion e 'ka okupuar" vetë, me meritën e saj, me qëndresën e saj, me këmbënguljen për të ecur përpara, e mbi të gjitha me shpirtin e sakrificës, të cilin shpesh e ka më të zhvilluar se edhe vetë burrat. Kush ka lexuar novelën "Fundjave në Hillsajd" në përmbledhjen me tregime me të njëjtin titull, vështirë t'i hiqet nga mendja Jona, që ruan me dinjitet personalitetin e saj e krenarinë e të qënit shqiptare. Mesazhi i autores është se emigrantet shqiptar të këtij shekulli,nuk vijnë në Amerikë më për 'një copë bukë'. Ata janë të aftë të kapërcejnë veshtirësitë e të njësohen me shoqerinë amerikane e progresojnë më tej.
Albana është vetvetja. Grua intelektuale me kërkesa, e vendosur në qëllimin e saj për të zënë vend në shoqërinë amerikane, Albana iu kthye universitetit për herë të dytë. ne moshen 49 vjece ajo filloi studimet ne Unviversitetin e Nju Jorkut prej ku u diplomua per paralegal dhe sot ajo punon në një zyrë avokatie që merret me emigracionin. Është bërë mjaft e njohur me rubrikën përjavëshme në gazetën ILIRIA me titull "Çështje të emigracionit"- Kjo rubrikë e rëndësishme e gazetës, tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë , dhe jo të gjithë e dinë, që ajo është iniciuar dhe mbahet nga Albana Mëlyshi Lifshin. Albana punon, por edhe jep anglisht tek Globe Institute of Technology, në Manhattan ku shumë nga studentet e saj janë emigrantë shqiptarë. Edhe pse kane kaluar 17 vjet nga dita e ardhjes së saj në Nju Jork, edhe pse e martuar me amerikan, vitet e shumta nuk e kanë larguar Albanën nga atdheu. Ajo vazhdon të hedhë ura bashkimi për bashkëatdhetarët. Këtë e dëshmon edhe vepra e saj e fundit "Ura mbi oqean", që ka ngjallur interes edhe në nivele institucionale. Instituti i Diasporës së Ministrise së Jashtme të Shqipërisë e ka vlerësuar si një instrument efikas njohurie për ata që vijnë si emigrantë në Amerikë. Lidhur me këtë, Zv. Ministrja e jashtme shqiptare, Znj. Edith Harxhi, e ka ftuar Albanën të referojë në disa çështje lidhur me emigracionin.
Për gjithë aktivitetin e saj, si patriote dhe shkrimtare, që veprën e saj e ka vënë në shërbim të komunitetit shqiptar këtu dhe në atdhe, një grua modeste, me një zemër të madhe dhe shpirt rinor, mishëruese e dashurisë njerëzore dhe sinqeritetit, Albana Mëlyshi Lifschin e meriton plotësisht çmimin që i akordohet nga Organizata e gruas Shqiptaro Amerikane "Mortat Qiriazi". Nomiminim e saj e pritën me kënaqësi dhe e përshëndetën shumë nga kolegët e saj të penës.
Për librin:
Çfarë ndodh, kur ke një vjehërr amerikane? Çfarë mësojnë palët nga njera tjetra? Këto dhe shumë pyetje të tjera shtrohen dhe gjejnë zgjidhje te libri i më i fundit të autores Albana M. Lifschin, e cila përvojat e saj në jetë i përçon në faqet e kësaj novele të bukur.
Libra të autores:
- Kafe Shkodra e Nju Jorkut, tregime, 1999
- Children of Kosova-stories of Horror, 1999 (në gjuhën shqipe: “Fëmijëri e përgjakur”, 1999)
- Fundjave ne Hillsajd , tregime dhe novelë, 2000
- Poezi - vëllim poetik, me pseudonimin Blerta Tirana. 2000
- Zëra nga larg, -antologji e të rinjve në mërgim, 2000
- Udhëtim ne Historinë Amerikane, 2003, ribot. 2006
- Takim me të papriturën, tregime dhe novela, 2006
- Yesterday I cut my hair, vëllim poetik anglisht/shqip, 2007
- Ura mbi Oqean, tregime nga Nju Jorku, 2008
- Magjia e një zëri, tregime dhe novela, 2008
- Ka gjithmonë diku, përmbledhje me poezi, 2010
- Vjehërr amerikane, novelë, 2010
SHKALLA E POEZISE
A. Podrimjes
Zotëri,
bujarisht
nga ai fron perëndie
ku qëndroni Ju
me lëshuat një shkallë...
Ngjitu! Më thatë
Tek ju shoh Ju aq lart
ndjej të më merren mënd.
AI/AJO
Ka gjithmonë diku
një Ai
një Ajo
për të cilët zgjohemi.
Pa Ata
jeta do të ecte somnambul.
Kjo është koha kur ti shfaqesh
Për të pagëzuar mengjezin tim
Ke të drejtë të sëmuresh,
Të qeshesh edhe të vdesësh.
Por jo të vonohesh.
SHPIRTI I POETES
Mbrëmë një gotë verë
piva me një poete
Pashë si shpirtin
magjishëm hodhi në gotë,
unë gotat i shkëmbeva
dhe shpirtin ia mora me vete.
TRI HERË E HUTUAR SOT
Sot që të takova ty:
Më kaloi pa vënë re
stacioni i autobusit ku do të zbrisja,
Ngatërrova telefonin e shtëpisë,
që t’u thosha se do të vonohem,
I lashë motrat pa mënd
kur thirra vëllanë me emrin tënd!
PLANETI
Në ç'planet të ri më fton, miku im,
kur e di, që s'shkojmë dot kurrkund tjetër,
ë ndrrave krahë u dhamë, por jo adresë,
tokësore do të kthehemi te planet' i vjetër .
2010
MOS MË DËRGO HESHTJE
Mos më dërgo heshtje
Heshtja bluan gurë.
Nuk është për mua.
Në çdo fjalë që dërgon ti
tek unë merr frymë një poezi
DJE PREVA FLOKËT
I dashur,
dje preva flokët,
flokët e mi të gjatë
që aq shumë i doje ti
flokët që të mbulonin
gjoksin mbrëmjeve
tek vija kokën
mbi ty.
I dashur,
dje preva flokët
qe të të harroja ty
I pashë si u këputën,
si ranë,
një fshesë i mblodhi
bashkë me plehrat,
tutje i hodhi...
Sot u zgjova
flokëprerë,
qafë zbuluar,
fytyrë e çuditshme,
në pasqyrë
shpërfytyruar,
aspak e lumtur
aspak e qeshur
vetes ngërdheshur,
pa ty dhe pa flokët
dy herë e zhveshur…
SI NDODH QË…
E di se ç’po mendoja tani?
Sikur ti të ishe unë dhe unë të isha ti,
në qytet do të vihej një shpallje:
" Ka humbur një vajzë njëzetvjeçare!"
E do t’i bëja gojët të flasin.
Si ndodh që djemtë njëzetvjeçarë
nuk humbasin?
1999
LËRMË
... lërmë të çlodhem
pas këtij udhëtimi të gjatë,
kryet ta vë në gjoksin tënd,
vështrimin qelibar,
ta mbaj nën qepallë,
vitesh u lodha kërkimit për të.
... lërmë të çlodhem.
DREJTËPESHIMI
Ti hesht, miku im
për të mos shtënë më
në peshoren e fjalëve.
Ruajmë drejtëpeshimin,
duke kërkuar cakun e fjalës
që para nesh askush s'e gjeti.
ZBULIMI I KOLOMBIT
Zbulimi i Kolombit nuk qe asgjë,
para zbulimit që bëmë ne të dy:
Si dy anije në ujërat e njëri-tjetrit
ishim endur në vite,
kaq larg dhe kaq pranë,
ç uditërisht të panjohur ende!
DASHURIA E GRUAS
Vetëm
një moment
i duhet gruas
të bjerë në dashuri,
ai mund të jetë:
moment
admirimi,
sinqeriteti,
boshllëku,
përngjasimi,
ekzaltimi,
rrëfimi,
mirëkuptimi,
keqardhjeje,
pranvere,
rinimi,
iluzioni,
hakmarrjeje,
nevoje,
vetëm
Një Moment,
për te ngecur
në grackën e saj
e rreth Tij
të endë
fijen e mendimit
tërë jetën…
PA GJUMË MË LË
Sa kohë vallë kaloi nga ajo mbrëmje,
kur mbi duart e mia buzët vure ti?
Magjinë e dashurisë ndjeva unë
Si kisha bërë pa të, s’e di
Trazuar, hutuar përkulem sot
Mbi copëza shënimesh kërkoj për të
Drithërimi i ardhur nga tjetër mot
Prapa më merr, pa gjumë më lë.
PUTHJA
Dy herë hyra sot në dush
Dy herë dola e tharë...
Puthjen që më le në gushë
Nuk desha uji të ma marrë
DJE, SOT DHE NESËR
Dje, duke menduar për ty
humba autobusin
Sot, duke menduar për ty
humba trenin.
Nesër, nëse
ende do të jem
duke menduar për ty
do të humbisja jetën…
1996
MË MBAJ MEND TË SHËMTUAR
Më mbaj mend
të shëmtuar,
i dashur
të vrarë, të plakur
prej netëve pa gjumë,
me varrat e dhimbjes në fytyrë.
Pas operacionit të dështuar
me të shkuarën
erdha të të lë zemrën...
MAGJIA E NJË ZËRI
Ç’ magji pati yti zë
i derdhur vetëm në dy rreshta
frymëmarrja ime pa frymë u bë
nga dimri deri te vjeshta.
SI?
Më pate thënë, që në dashuri
nuk ka as skllevër, as fitimtarë.
Por... si më robërove ti?
NGJYRA E SYVE
Sot dikush më tha se
sytë i paskam të shkruar,
një tjetër më pat thënë
të trishtë i ke, të lënduar
Oh, unë ngjyrën syve të mi
qyshkur e kam harruar!
Por mbaj mend sytë e tu
të kaltër si qielli i ke,
blu të thellë, të menduar
kur s'më ke mua atje…
2002
VËSHTRIM I SHPEJTË
E ndjej vështrim tënd të shpejtë
pas shpatullave tek shket tani
A thua isha unë, Ajo?
A thua ishe ti, Ai?
S’ka më Veronë as magji.
U zbardhëm i dashur, u zbardhëm
Dashuria mbeti fëmijë…
Ç 'qe kjo e papritur
për ne, sonte!
Habitur, shtangur,
mbetëm te dy,
bota s'qenka aq e madhe,
sa thonë,
për t'më harruar ti mua,
e humbur unë ty...
SHINAT
Ndjenjat si trena të çmendur
vrapojnë mbi binarë paralele
përjetësisht
Afrohen, rënkojnë, ulërijnë e ndahen
për të thyer qafën diku tjetër
përfundimisht
Në pafundësi binarë që zgjaten
për të mos u takuar
kurrë
Njëra isha unë e tjetra ishe ti…
PRITJA
Jam kaq e lodhur
duke të pritur ty
të kthesh sytë nga unë,
sa, kur të kujtohesh ti,
ajo, s’do të jem më unë!
MOLLA
E fortë, e rrumbullakët,
I erdhi përreth dielli,
ajo u skuq, u rrit,
u lëngëzua,
nga pesha e saj
dega u rëndua,
mollë e pjekur pret te bjerë
TIS I HOLLË
Vetëm një tis i hollë
E ndante miqësinë nga dashuria.
Tani i qajmë të dyja!
CELULARI
Duhet të ndërroj zilen e celularit.
Tani çdo tingëllimë e saj më dridh.
Në kraharor, një zog i vogël zgjohet,
shkund pendlat, gati bëhet për fluturim
Harron se i ka të prerë…
VATHËT
Sot vura vathët, që më pate dhënë ti
dhe në restorant hyra me dikë tjetër.
Oh, jo! Nuk qe restoranti ynë.
Dhe porosia... jo nga menyja jonë.
E lashë të më lëvdonte sytë,
fustanin dhe vathët pikë-loti.
Ai i kënaqur nga hiçgjë,
Unë vështrimin te dera tretur.
Pse erdha këtu, kot së koti?
Kur shpirti te ti kishte mbetur?
TELEFONI
Alo?.. Alo?.. Alo?..
Heshtje, heshtje, heshtje
Ai maste heshtjen.
Ajo në heshtje maste dhimbjen.
PSHERËTIMË
O Zot! Ç’po ndodh kështu?
Si mund të jetë kaq indiferent
pikërisht ai, që UNË dua?
MEDALJONI
Dikur blemë një medaljon,
në formën e një zemre-kuti.
Aty mbyllëm dy shpirtra-flori.
Sot ndjeva zemrën të më rëndojë.
Ti shpirtin tim e kishe shitur,
I yti qe kthyer në plumb të zi.
NJË JETË
Lamë ditët të na shkisnim,
Lamë vitet të na iknin…
PETALE TË THARA
Brenda një libri sot në zarf
më erdhën dy petale të kuqe
Trëndafili i tharë ngacmoi kujtime,
djalin çapkën në rininë e parë,
foshnjaraken dashurinë time
Dy petalet - qenë buzët e mia
që ai at'her s’i puthi dot kurrë,
këpusja petale mbi buzë i vija
qeshja shenjtërisht, siç qesh fëmija
s'dija se isha lindur për një burrë.
PSE?
Pse duhet të vrasim më parë,
për të ndjerë më pas dashuri?
SHI NË ISHULL
Shopeni i dashuruar në ishull
kishte ngecur,
në një ishull të blertë, ishull me shi.
Sikur ta dinte që në atë ishull,
një ditë do të ngecja edhe unë
do të ngecje edhe ti...
A do ta vuante aq shumë limontinë e tij?
MESNATË TEK UNË
Te ti është mëngjes
mesnatë, tek unë
pa gjumë duhet të rri,
të mos presësh aq gjatë.
Tek unë shndrit Dielli,
tek ty hëna e artë
nga pas më ndjek, e dot s'më zë
sa larg jemi… Eh, sa larg!
ZEMËRIMI
Mbeti foleja bosh...
Unë padashur përplasa derën,
Ti nga zemërimi e tërhoqe… osh !
MOMENT
U ktheve një moment
sa të shkëmbenim lotët,
vetëm një sekondë
sa të më ngrije kokën
u largove i kërrusur
duke mallkuar botën...
DUELI I HESHTJES
Ushtria e fjalëve na la
Tani mbetëm unë dhe ti
tërhequr në duelin e heshtjes.
A duhet të ishin hedhur
aq shumë ushtarë,
kur mjaftonin vetëm dy pale
sy-kryqëzorët tanë?
ÇAPKËNËRI
S'e di pse më pëlqen,
të luaj me ty,
në shtëpi kur kthehesh,
të kërkosh çdo qosh,
e të mos më gjesh,
kur buzët të varësh,
e jashtë të dalësh
fshehur pas dere
fëmijërisht të qesh,
në krahë t'më marrësh,
e lart të më ngresh.
Gusht, 2001
NËN HIJEN TËNDE
Të falem o lis i madh,
nën hijen tënde
ndihem e sigurtë
nga krahë të fortë
mbështjellë.
Stuhisë nuk i jepem.
Por kur fryn i liri fllad
i paudhi bohem
shoqëri i bën shpirtit
e më rrëmben
PSE ERDHE KAQ VONË?
Pse erdhe kaq vonë tek unë?
kur gruri u korr
e në fushën e përvëluar
mbeti vetëm kashta?
Pse erdhe kaq vonë tek unë,
Kur edhe dera e fundit
u mbyll
Dhe dimri të la përjashta?
IMAZH
Mbi komodinë
nga fotografi e vjetër
vështrimi yt i trishtë
më merr me vete
në një kohë tjetër…
Në atë ballë të lartë,
në ata sy përrallë
ç’ sekret mbaje fshehur,
do ta thoshe vallë?
Me ata sy të bukur,
me ata sy blu
kë përgjoje natën
kush rendte ashtu?
Ç’ qe ai trim, ajo trokëllimë?
Si era fshatin mësynte
mbi vithe të kalit të hidhte
nën gunën e tij të fshihte?
E bukur ti dritë e hënës,
gjeraqinë e trembur,
në sytë e tu përrallë,
botës i mbaje fshehur
sekretin tënd të parë…
2000
PRIFTI I SHPRIFTËRUAR
(Atë ditë në kishë mungonte prifti Dominik
dhe në radhën e parë, e bukura Anna Mari Shik)
Kur ai ngrinte lart sytë e kaltër,
t’i lutej Zotit për besimtarët, i falte atij
dashurinë e mbledhur nga dyqind palë sy.
Por ajo Anna Mari Shik, perria e Kishës,
gjithnjë në radhën e parë, për vete e donte të tërën
dashurinë e Dominikut, dyqind pjesësh të ndarë.
Djalli lutjen pëshpërimë e dëgjoi, e tinëzisht
dashurinë e tërë, si krua ia derdhi në sy.
Fytyra e vajzës prush u bë, u përshkëndit.
Kur e bukura ngriti qepallat të digjte
nën qerpik të devotshmin Dominik,
prifti ndjeu turbullim djali,
e kaltra e syve u mbulua me mist…
Tek zgjaste duart nga Altari, zbrazëtirë
ndjeu t'i falte Zotit përulësisht.
Në gjunjë e ulën priftin Dominik,
të pranonte fajin,
se s'qe më i denjë për altarin,
se urdhrin e vet kish dhunuar
se kishte fyer vetë të madhin Zot.
Shën Mërinë, me Anna Marinë kishte ndërruar
nëmur nga Ati do të qe përgjithmonë,
nga njerëzia përgjithmonë i harruar.
Atë ditë në kishë mungonte prifti Dominik
dhe në radhën e parë, e bukura Anna Mari Shik.
2001 (bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, të cilën e mësova gjatë një vizite në London , ONT. Kanada)
PENTAGRAM
Mbi paralelet e tua
Edhe Dhimbjes më të madhe
pesë nota i mjaftojnë.
Për të klithur.
Lumturisë - për t’u dridhur.
Pentagram, çelësi është i yti
apo i shpirtit tim?
18 janar, 2010
I FALEM
I falem fisnikërisë së kalorësit
në pëllëmbë zemrën ia jap,
ndërsa lutem në heshtje,
ta marrë nën mbrojë,
në turravrap të mos i bjerë,
ndër patkonj.
ZONJA HESHTJE
Zonja Heshtje më porositi
me një lëvizje qerpiku.
Unë e përzura.
KOHË MONEDHASH
Në këtë kohë
monedhash
zemra erdhi falas.
Dhe
pësoi infarkt!
LARGOHEM
Larg
u rri xhamave të errët
që fshehin ligësinë e syrit,
bartësve të bagazheve
me ilaçe për të vdekurit
e gjarprinj për të gjallët.
U largohem,
që të mund të marr frymë
në hapësirën time...
Renda e fundit
para se të mbyllej porta e vitit.
Një orë më pas po të isha lindur
do kisha kapërcyer pragun tjetër.
Vetëm për një orë,- një vit më e vjetër!
Nga padurimi për t'u takuar Ju!
31 dhjetor 2009
MUZË E RE
Pas vargut tim
po të kërkojnë,
muza ime e fshehur.
Kërkojnë gjurmët
e nurit tim të pjekur.
Janar, 2010
FALJE DHE PENDIM
Dhe vjen një ditë, që i fal të gjithë,
se jeta zemrën të madhe e ka,
dhe dashuri e dhimbësuri pafund.
Ah, ky lëshim ç’më sjell pendim,
se djajtë paskan mbetur po ata!
shtator, 2002
METROTË E NJU JORKUT
Gojë gjigante
na përpijnë çdo mëngjes
na vjellin çdo mbrëmje.
Rit njëqindvjeçar.
Të durueshëm deri në habi
u besojmë jetën,
ndërsa për çdo rast
me vete mbajmë
qefinin e vdekjes.
APOKALIPSI
Pa u ndjerë,
ka kohë që na rri pranë
S'e vini re?
Lules i iku aroma,
Buzëqeshjes i iku hiri
Zemra u fut në kuletë.
Pëllumbi në korb u shndërrua
Në shtrat,
Burri ra me burrë
e gruaja me grua.
Apokalipsi-
S’përbën më lajm.
PRANGAT E MIQËSISË
Miqtë e mi,
Në më doni,
mos më vini pranga,
mos më thoni më kë të flas,
kur të hesht e kur të bërtas.
Në më doni,
gëzoni miqësinë time
ajo është lule që vetiu çel,
njëlloj si zemra urdhra nuk merr
komandant nuk njeh,
kurth për ju nuk bëhet
dhe as për mua çengel!
Miqtë e mi,
mos i vini pranga
miqësisë sime
As tuajën
në pranga, nuk e dua!
ZEMËRIMI I DIMRIT
E pashë sot zemërimin e dimrit,
tek i preu rrugën pranverës,
si dashnor hakmarrës e avdall!
I shfryu bulçitë, me vërtik i ra derës
kova uji derdhi, xhamet i ngriu, i bëri kristal.
Mars, 2007
SHIRAT E VJESHTËS
Nisën edhe shirat e vjeshtës
shirat që trokasin në dritare,
shirat që na sjellin kujtime, mall,
që na zgjojnë vargjet e të famshmëve,
që pas u shkojnë vargjet tona të thjeshta,
që na djegin edhe ato në shpirt e në eshtra...
2000
MBULESA E BARDHË
Sonte,
zonja e bukur Dëborë,
shtriu krahët mbi çdo gjë,
kangjellat, çatitë, oxhaqet
kërcinjtë e murrmë të pemëve,
të gjitha ngjyrat i mbuloi.
Edhe të zezën nën të bardhë
e fshehu mjeshtërorja.
Në heshtje,
pres Diellin.
PËRSE DRUAJ T’U KËNDOJ TË GJALLËVE?
Thjeshtë:
Sepse nuk më le ime gjyshe.
Edhe përtej varrit më vjen ai zë:
Bijo, këngët janë për të vdekurit
Sa kohë që jemi gjallë,
Kemi kohë të turpërohemi…
AI QË S’JE
Shanset humbasin
kur mungojmë
aty ku duhet të jemi.
Humbasin
edhe kur s’guxojmë
të vërtetën të themi…
Humbasin
kur i vetëdijshëm i le.
Humbasin edhe kur hiqesh
Ai që s’je.
LOT NË SYTË E BURRIT
Thosha burri është si guri.
Sot, m’u shkul zemra, më tradhtoi bindja
Burrin shkëmb e paska bërë dhimbja…
Mars 19/2008
DJALI
Foshnjë, të mbaja në gji
Të vogël, të mbajta në duar,
S’të lashë kurrë të biesh,
as të pengohesh.
Tani u bëre burrë, bir,
Kujdes mos rrëzohesh!
Ë shtë si një copë qelqi,
transparente,
ju pëlqen ta merrni në duar
t'i besoni shëmbëlltyrën tuaj.
Kujdes, është ende e ngrohtë,
masë fluide,
në kërkim të formës së saj...
Do të shndërrohet në gotë vere
për pritje mondane?
Në kristal mikasa, shandanë solidë?
Në çfarë vallë... ju ende s’e dini.
Ndërkohë jepini kohë,
admironi transparencën
e mos harroni se është ende një copë qelq,
mos peshoni në të, se është e hollë, e brishtë.
Nuk mban, mund të thyhet, e në u theftë,
mund t’ju presë e t'ju dhembë në shpirt.
Prill, 2004
«GJER NË VDEKJE… »
S'më hiqet nga mendja piktura e Gojës,
e fishkura mbretëreshë para pasqyrës,
hoshafka pudroste rrudhat e fytyrës,
për shpirtin pudër gjetur s'kish...
NË THELLËSI TRISHTIMI
Ndjeva zemrën si gur
Në thellësi trishtimi u fundos
Përpiqem e verbër të gjej
spirancën dhe limanin
MUZG NË MOL
Sot në muzg
panë sërish gruan-fëmijë
të zbriste te moli.
Në breg u ul, pulëbardha
Këmbët zhyti në ujë
me krahë mblodhi gjunjët
mbi kokën e bukur
ë ndrrat ç’pështolli...
IKJE…
Ndonjëherë dua të iki diku
më mirë "e vetme"
në qetësinë time,
mrekulluar nga virgjëri
e natyrës diku, larg nga
buzëqeshjet hipokrite,
të pafundmet "çu çu çu".
TË DIELAVE
Të dielave miqtë e mi
i kërkoni Zotit t’ju falë,
e i flisni jo për ato
që bëtë dje e pardje,
por për ato që do të bëni
nesër e pasnesër,
e deri sa të vdisni…
Vjeshtë, 2001
VITET?
Ç 'janë këto vite që thoni ju,
unë nuk i takova vitet.
Ato i u afruan avllisë sime
më panë tek kërceja në litar,
e thanë se ngatërruan derën,
të qeshur fëmije më dhanë
e më kthyen sërish pranverën.
Korrik, 2002
NUK E KUPTOJ
Nuk ta kuptoj këtë poezi,
mik,
me drurë ia ke zënë dritën
pyll i zi - vargu yt,
më shtie frikën.
MËSIM
Sot, o mik, nga ty mësova
Të dua veten më shumë se të tjerët.
Unë paskëshe ngecur tek orë e vjetër,
Ti, që kur qenke hedhur në bregun tjetër?
INTER-FE
Meditim ne Krishtlindje
Babai im mysliman, kur qe 20
rrëmbeu pesëmbëdhjetëvjeçaren,
katoliken e bukur Mari.
Martesa u dha tre fëmijë,
me dy gjysma fe.
Vëllezërit
unazat shkëmbyen
me ortodokse.
Që cikli të bëhej i plotë,
për mua Zoti në Amerikë
kishte zgjedhur një hebre.
Tani, të shkoj në sinagogë,
në kishë apo xhami, nuk ka nevojë
Të tria janë tek unë,
apo unë - e ndarë në tre?
Dashurinë e përbotshme gëzoj
në Inter-fe.
25 dhjetor 2009
KËPUCËT E IMELDËS DHE TË MIAT
Kronikat thonë që Imelda Markos
iu gjenden në dollap 3000 palë këpucë…
Dikur në Tiranë, të vetmeve palë këpucë,
u merrja shpirtin nga e hëna tek e shtuna,
Të dielën, të mjerat gojëhapur,
prisnin në radhë te këpucari,
ndërsa prapa dritares në shtëpi
unë Hirushja, këmbëzbathur,
lutesha në heshtje që atë mbrëmje,
në shëtitjen e madhe, në bulevard,
të mungonte princi.
BURRI
Shtyllë, mur, e çati bashkë,
strehë e dhimbjes, dashurisë
Ë ndrra e parë e vashërisë.
toreador i jetës.
NËNA IME KA DITËLINDJEN
Sot
nëna ime ka ditëlindjen
Fisnikja flokargjendë, me onde
Të bardhë si flokët, zemrën ka,
Ç’ më zgjon kaq mall e kujtime sonte!
17 prill, 2008
KONTRATAT
Sot
ka superprodhim
kontratash me
korrupsionin,
hipokrizinë,
falsitetin,
kurorëzimet,
me djallin,
armët,
seksin,
dollarin...
Të gjitha le t’i marrin!
Unë prej kohësh kam firmosur
kontratën me shpirtin tim.
SHAKA E ZOTIT
O Zot!
Ç’ shaka bëre me ne
Kur moshës i dhe vite
e zemrën pa moshë e le?
Gusht ‘2007
DYSHIMI
Të gjithë e ndjemë
se si papritur diçka e madhe
u thye,
e sotmja e gëzuar
në të djeshme u kthye.
Përpiqemi të buzëqeshim,
dikush gëlltit lotët,
me dyshim shikojmë njëri-tjetrin
në heshtje kërkojmë
shokët.
8 gusht, 2000
Dhjetëra mijëra trupa, pirg.
Qindra mijëra klithin
të rrëqethin Diellin.
Holokaust i natyrës, Haiti .
Lufta mes kontinenteve ngrin
Urrejtja hesht.
Sytë kërkojnë çmimin e jetës pa çmim.
14 dhjetor, 2010
URA QIELLORE
Sot,
ura qiellore ra,
(si mund të qëndrojnë
urat në qiell?)
Bota e të verbërve
më dysh u nda,
e baltosur.
POEZI TË AMPUTUARA
Kam frikë t’i shoh poezitë e mia
Rrinë shtrirë si në qivure,
me gjymtyrë të prera, si prej lufte.
Fqinjët m’i grabitën, siç mundën
U duheshin paterica për
pjellat e tyre.
Si harruan të më grabisnin zemrën?
GJINKALLAT E SHTATORIT
Disa rënë prej peme,
të plasura nga dielli i verës.
Të tjerat ende zhuzhojnë,
zhuzhojnë, zhuzhojnë, zhuzhojnë.
Duan mendjen të na mbushin...
S’e dinë që vapa iku me gushtin?
RREZE MIRËSIE
Kaq të etur jemi për mirësi
sa kur shohim një rreze
themi janë dy…
MARATONË
Ndryshe nga të gjithë,
në këtë botë, unë
erdha më këmbë.
Jeta për mua një vrap.
Maratonë në dy kontinente
Mbi qiej detesh bëj hark.
Janar, 2010
HIRUSHJA
Ma morët gëzimin
motra, ma morët
harruat se e ruaja për ju,
as sytë s’u panë
nga xhelozia e vjetër
më grisët, më çorët
të më shëmtonit.
S’donit tjetër.
Unë prapë ju dua
te hiri i vatrës,
për ju kthehem
Veç, e di? Princit
një këpuckë tjetër
i kam dhënë
për fare do më marrë
në një natë me hënë...
KODRA ME QIPARISA
U kthyem kokëvarur nga kodra me qiparisa,
Në mëndje na mbeti një zog i vogël, i zi
rreth këmbëve të gjyshit, seç desh të thosh
ndërsa trupi i nipit mbajtur nga litarë
të gjatë shkiste poshtë, poshtë…
I lamë varrezat me sytë drejt qiellit,
të pafuqishëm për të menduar, të mpirë,
të trembur në blasfemi, përulësisht ndaj
të Madhit. Kërkonim ngushëllim.
Veç një zemër gjithë jetën do të rënkonte
misterin “Pse o Zot, djalin tim?”
Natën ra një shi i butë, një shi si miliona lot
sipas profecisë së priftit për të njomur farën
e porsa hedhur në tokë, fryte për të dhënë.
Ç’ë ndërr vallë i dha të gjorës mëmë?
7 janar, 2007.
(Në kujtim të E.T. djalit që iku në lulen e moshës, javën e martesës)
NGJYRAT E KËTIJ DIMRI
Janari na mbështolli me dy ngjyra,
Të Bardhë e Gri, mbi to lufta
nxiton të pikojë të kuqen.
Unë?
Ti?
Pyetja merimangë kacavirret mbi glob
Këmbëthyer nisi rrugën ky shekulli i ri.
Janar, 2003
PRANVERË E KËPUTUR
Kjo,
pranverë që stinën humbi,
pranverë e këputur nga plumbi,
pranverë e ikur nga vetja,
pranverë e këputur nga vdekja,
mos ardhtë më!
Mars, 2001
MARSI I DYTË
kujtimet e ikjes, dhimbje na zgjon,
foshnjat mbi karroca ngarkuar,
familjet shtrydhur në një furgon.
Helikopter, ti gjëmë mallkuar,
përsëri mbi kokat tona ti,
S’u ngope me ne dy vjet të shkuar
I bab ëzitur je për gjak të ri?!
A thua do të thahen lulet e mollës
përsëri syve do na shkasin lot,
Marsi nuk ardhka dot ndryshe për ne,
veçse me krisma e erë barot?
Mars, 2001
(Nga ngjarjet e Marsit 2001, n ë Maqedoni,)
BETIMI
Në solemnitet
atë mëngjes u betova
besnike t'i qëndroj
flamurit me 50 yje të bardhë.
Unë, më e reja amerikane e botës.
Në mbrëmje
dëgjova Himnin kuqezi
e nuk munda të gëlltis lotët…
SHTYPËSI DHE I SHTYPURI
Mik i dashur,
Na u dhimbse kur tregoje
Si të kishin shtypur,
marrë nëpër këmbë...
Liria erdhi… u ngrite.
Na le pa mënd:
Sa shumë i ngjave
Shtypësit tënd!
NJË ZARF PENG
Zotëri serbo-viç,
që në atë zyrë postare
pas syzeve të zeza,
zarfin tim e mban peng,
ç 'mendon?
Të theu në dysh adresa
“ Republika e Kosovës?”
Hajt, lëre zarfin tim të shkojë.
Don Kishot!
Akrepat e kohës pas s’i kthen dot.
Dhjetor, 2009
(Mjerisht korrespondenca postare me Kosovën ende kalon përmes Beogradit)
DHIMBJE DHE MALL
(Emocionet e vizitës sime të parë në Prishtinë)
Sot bulevardi i rinisë sime tiranase
me rrugët e tua Prishtinë u shkri e u bë një
E tronditur në mes pranverës së dubluar,
shpirti mall e lot mbi faqe për ty derdhte…
Një mollë ndahet në mes për dashuri, një pjeshke po ashtu,
por një Atdhe për dashuri nuk ndahet në mes, kurrsesi!
Damarët e gjakut na i prenë vëllezër,
damarët e jetës në fasha mbështjellë i kemi mbajtur,
gjaku të mos na ikë, të mos na prishet,
të fikët të mos na bjerë, në tokë të mos biem,
dhe në gjunjë të mos gjunjemi, gjithashtu….
S'e ndjeva mungesën tënde në Prishtinë, Tiranë,
Ç farë ndjeva ishte dhimbje dhe… mall.
Prishtinë, Maj 2001
Ç’TË THANË DHE Ç’U THE?
Je si fëmijë.
Dua jetën ta gëzoj
Je romantike.
Dashuroj
Je e vërtetë
Nuk dua t’u gëngjej.
Je idealiste.
Gënjemëni po mundet!
VARGU MBRET
Fantazma e tij në mes të natës, u shfaq
Urdhër dha t’i mblidhen ushtarët
Ç’ mund të bëjë një i vetëm mbret?
Poeti nga dheu zgjoi të vrarët...
PEJSAZH SHIU
Nën një mushama të zezë Klejborn
shëtis në lagjën time këtë mëngjes me shi
ç ati të pjerrta, të lagura, trotuare të larë
mbi bar këpurdha që s’ishin më parë...
Shiu i verës ullukut zhurmon, troket,
mbi mushamanë time rrukulliset, shket,
pika shiu mbi gjethe pjeshke, mbi bli,
inxhi mbin mbi flokë, në faqe, në sy...
Verë, 2000
DESHA SHPIRTIN TIM TË LIRË
E desha shpirtin tim të lirë
Që të ta jepja ty,
Bashkë me trupin tim të bukur.
Ah, sikur ta dija!
Gjithshka doje ti nga une,
Që trupi im i zhveshur
Nga shpirti dhe nga zemra
Menduar rri e mekur:
Si mundet vallë
Të bëjë dashuri një trup i vdekur?
HIRI I DASHURISË
Pusho pak, i dashur.
Sytë mbylli, fli pak.
Në mundsh.
E di që të kam lodhur.
Me hirin e dashurisë,
Përkundem dhe unë.
Kur t’i hapim sytë,
do të duhemi më shumë.
Mars
ARENA
M’u shfaqe i madh,
i fuqishëm, gladiator
Të vështroja nga larg,
Me atë hije fisnikërie
Për t’u provuar muskujt
Nuk ishte nevojë.
Arenën ta kishin imponuar.
PSE TË DESHA TY…
... sepse ti prure tek unë
thesarin e rinisë sime
që unë e kisha kyçur,
çelësin e kisha fshehur,
harruar e humbur diku...
Si munde ta gjesh ti?
ULU PRANË MEJE
Ulu këtu pranë meje,
të presim bashkë edhe një herë
ardhjen e mëngjesit, si atëherë
bashkë të presim hapjen e qiellit
të ndajmë bashkë ardhjen e Diellit,
të mos flasim, të mos bëjmë zë,
kujtimeve të tretemi, se s'do shihemi më!