Nga Drilon Muriqi
Kështu shkruhet në faqet e fundit të pothuajse çdo gazete ditore në Kosovë. Më vjen keq kur shoh që një staf mjekësor kohëve të fundit aq i kërkuar në gjithë globin punësohet me vështirë se moleri e banakieri.
Sot sektori Farmaceutik përballet me probleme të shumta dhe lehtësisht të evitueshme me vullnetin dhe angazhimin e duhur.
Problemet fillojnë që në sistemin e edukimit dhe politikat e Universitetit tonë.
Përderisa qendra klinike Universitare (QKUK) nuk e ndjen nevojën për farmacistë, (që u duhet për çdo repart), prodhimi i produkteve medicinale e ka të vështirë të mbijetojë në tregun tonë, atëherë mundësia e vetme për një të sapodiplomuar mbetet të jetë barnatorja.
Diku afro treqind barnatore janë të regjistruara në territorin e Kosovës dhe 71 depo farmaceutike, që janë më shumë së që i duhen tregut tonë.
A thua ç’do të bëhet me fatin e 100 farmacistëve që do të diplomojnë katër vitet që vijnë nga universiteti i Prishtinës,Tetovës dhe ai privat.
Me siguri do të ketë më shumë barnatore se njerëz të sëmurë.
Vështirësitë e regjistrimit të produkteve medicinale në Agjensionin e Kosovës për produkte medicinal ”AKPM” dhe kërkesat e larta të pacientit për ilaçet që mungojnë ne treg krijojnë një hapësirë të përshtatshme për kontrabandimin e tyre. Kështu farmacisti i vënë në një pozicion të vështirë nga institucionet dhe nga nevoja e pacientit për t’u kuruar, detyron atë që të bëhet pjesë e ciklit kontrabandues.
Mungesa e komunikimit dhe unitetit të farmacisteve për qëllime të njëjta e bën të vështirë që të arrihen kërkesat e tyre.
Është tërësisht legjitime që produktet farmaceutike që dalin në treg t’iu prezantohen mjekëve të cilët edhe e bëjnë përshkrimin e atij medikamenti që mendojnë se është më i efektshëm për pacientin. Ky i fundit laik dhe lehtë i manipulueshëm viziton farmacinë më të afërt dhe për ato minuta brenda bëhet vetë farmacisti, duke kundërshtuar zgjedhjen e ilaçit që farmacisti mendon se është i mirë për të dhe xhepin e tij. “S’dua zëvendësim, mos me jap zëvendësim”, këto janë fjalët me të cilat një farmacist nis ditë e tij të punës.
Për fat të keq tërë ky konfuzitet është krijuar nga vetë personeli medicinal përfshirë mjekun dhe farmacistin.
Kur Kompania Farmceutike e viziton mjekun për ta informuar për barnat e reja të tregut, insiston që bari të shkruhet me emër të mbrojtur dhe jo me emër gjenerik. Kjo dukuri e leverdishme edhe për mjekun i mundëson pacientit t’i besojë më shumë mjekut duke menduar që farmacisti është vetëm një shitës i rëndomtë që nuk i mbron fare interesat e tij, e që në fakt nganjëherë është e kundërta.
Është shumë e qartë se si çdo komuniteti edhe këtij tonit i mungon komunikimi dhe iniciativa për të ndryshuar diçka për të ardhmen. Duke ndenjur mbyllur në katër mure dhe duke mos u ballafaquar direkt me sfidat por vetëm duke identifikuar problemet, nuk e besoj që do zgjidhet pika e Arkimedit e krijuar në këtë sektor.
Besoje që për secilin që e ushtron këtë profesion do të ishte mirë të ketë çmime të unifikuara të barnave, procedura të lehtësuara për regjistrimin e tyre në mënyrë që të plotësohen nevojat e çdo qytetari, një barnatore të ketë dy farmacistë të licensuar, të shkruhen recetat me emër gjenerik të barit që mos ta bëjmë konfuz dhe të pasigurt qytetarin që nuk e ka idenë për barnat dhe prejardhjen e tyre.
Këto kërkesa fillimin e ndryshimit duhet ta kenë nga brenda, nëse nuk bëhen të qarta nevojat tona dhe nuk qëndrojmë prapa tyre me presionin e duhur mbi Ministrin e Shëndetësisë nuk e besoj që ndonjë mrekulli do t’i zgjidhë ato.
Ad manum Farmacist.
“Në dorë të farmacistit”.