2011-06-20

nga Frrok Çupi: Fundi ofron luftë




Shpesh herë, studiues a vëzhgues të ndryshëm kanë thënë se lufta sjell fundin. Në fakt, nuk mund të jesh aq determinand sa të thuash njërën apo tjetrën; por ajo që po shikojmë sot me sytë tanë dhe po prekim pa ndërprerje, është ana tjetër: Fundi ofron luftë. Sa më shumë afrohet fundi i mandatit të Edi Ramës si kryetar Bashkie, në atë moment ndjehet më afër rreziku i luftës. Ose mund të themi jo “sa më shumë”, por sa herë afrohet fundi i mandatit të tij, në atë moment njerëzve iu afrohet rreziku i luftës.
Pse them “sa herë” i afrohet fundi?

Sepse që nga momenti kur u shpallen zgjedhjet lokale të 8 majit, Edi Rama ndjeu humbjen dhe nisi të reagojë sipas humorit të tij të ndryshueshëm, jo një herë, por shumë shpesh. Sa herë e shikonte ose i fantaksej humbja diku në ëndërr, menjëherë ngrinte repartet e luftës dhe kërcëllinte dhëmbët. Një herë tha se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, një herë tjetër se nuk ishin kushtet për zgjedhje, një herë tjetër se nuk do të pranonte të largohej nga Bashkia etj. Që në fillim organizoi një demonstratë të dhunshme para selisë së qeverisë dhe shkaktoi katër viktima, me qëllimin e vetëm që të fajësonte Lulzim Bashën, i cili do të ishte kandidati për kryetar Bashkie. Kjo ishte periudha e humbjeve dhe e luftërave pas çdo humbjeje virtuale para se të vinte dita e votimit…
Tani, pas ditës së votimit, sa herë afrohet më shumë humbja, Edi Rama ngre pluhurin e luftës. Procesi i numërimit të votave po vazhdon nën mbikëqyrjen e imtë të publikut dhe institucioneve të Drejtësisë e të Perëndimit; por kjo shikohet shpesh si betejë e humbur nga Edi Rama. Dje, përsëri si një valë e ardhur nga thellësia e dëshpërimit për humbjen, u ngrit vala e tensionit mbi njerëzit dhe mbi institucionet. Sepse dje, edhe një herë tjetër, Rama shikoi se po i afrohet fundi. Në momentin kur Kolegji Zgjedhor vendosi numërimin dhe vlerësimin e të gjitha kutive të votimit, njerëz shumë afër Ramës thanë me entuziazëm: “Kështu po, këtë kërkojmë, kjo është drejtësi”. Secili mund të lexonte lehtësisht pas kësaj situate, shpresën e Ramës se në këtë rrugë të lodhshme numërimi mund të nxirrte kokë sado pak fitore për ‘të. Mirëpo, dje, pas numërimit të katër njësive, shikoi edhe një herë shtrigën Humbje. Në atë moment ngriti valët e tensionit. Dje u sulmua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sikur “ka vjedhur kodin e pestë”; po dje një militante e Ramës desh shkatërroi kutinë e votimit; dje një militant deputet i Ramës e quajti “rrugaç” dhe “gangster” kryetarin e KQZ. Në përgjithësi, gjithë enturazhi i Ramës ka humbur toruan para humbjes së bosit. Sa herë shtriga Humbje iu shfaqet më afër, aq shpesh nxjerrin flakë nga sytë dhe kërcënojnë për luftë…
Sa shpesh herë fantazma e Humbjes së Ramës, brenda një muaji, i ka ngrirë gjakun njeriut të shkretë ose vetë popullit në Shqipëri! Gati një javë, njerëzit herë e hapnin e herë e shikonin fshehurazi prej fëmijëve, ekranin e televizionit ku shfaqeshin deputetët e Ramës duke u varur mbi kangjella të KQZ për të kapur fitoren e padukshme të Ramës. Sa pamje vulgare e të frikshme ishin ato. Në një moment Ramës iu duk se Humbja u largua, atëherë deputetët shqepën pantallonat nga heshtat e kangjellave metalike dhe u mblodhën nëpër kafene. Por përsëri në ëndërr i fantakset Humbja, prapë afër dhe e tmerrshme. Atëherë deputetët e tij dhe kryetarët e bashkive të rretheve ku kishin fituar, u lëshuan rrugëve të atdheut për të bllokuar lëvizjen. Zunë kryqëzimet e rrugëve, si në taktikat dhe strategjinë e Luftës së Dytë, mblodhën gomat e vjetra të makinave që janë me shumicë anës së rrugës, dhe iu vunë flakën. Një nga deputetët e Ramës, ndryshe nga shërbëtorët e luftës së kryetarit, ka thënë pardje se “nuk bëhet opozita me tym të zi”. Tymi i zi mbuloi imazhin e kombit, shkaktoi frikën se “do të kemi luftë” dhe e bëri njerëzimin e përparuar perëndimor të mendohet para se të hapë dritën jeshile për kombin shqiptar….
Gjithë lufta për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës… Sa herë ndjen humbjen, aq herë thërret luftë. Gjatë gjithë ditëve që po jetojmë, njerëzia jeton me ankthin çfarë do të ndodhë nesër. A do të ketë luftë?! Sepse ky ka kërcënuar se po humbi, kemi luftë. Nesër mund të shfaqet përsëri fantazma Humbje, dhe atëherë kush e mban?!… Kështu ka ndodhur në të gjitha luftërat e ndyta: Kur është afruar humbja e dikujt, në atë moment përbindëshi Luftë iu ka marrë jetën njerëzve që nuk kishin lidhje as me humbjen as me fitoren. Sa herë janë vrarë mbretër, sa herë dikujt i ka humbu mendja në nacionalizëm, sa herë i ka humbur mendja në madhështi, sa herë iu vjen fundi regjimeve, diktaurave dhe të këqijave të tjera; sa herë është shfaqur humbja e vlerës njerëzore, aq shpesh është shfaqur lufta..
Këtu jemi në kohën kur Edi Rama ka fituar vetëm neverinë dhe urrejtjen për popullin që e votoi kundër.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...