2011-06-19

REXHEP SHAHU : Lis i vetëm në fushë ( POEZI )





Babës  po plakem fëmijë jetim pa ty...


Titulli : Lis i Vetëm në fushë

Autori : Rexhep Shahu

Redaktor : Izet Duraku

© Të drejtat të rezervuara autorit



ISBN :  978-99927-685-5-6



Piktura në kopertinë: Nazmi Hoxha



Arti grafik: Albdesign

Shtëpia Botuese: Albdesign

Shtypshkronja: Albdesign

Tirazhi : 500



Tiranë,2011

SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.


TI JE PREJ UJI

Ti je prej uji se nuk të mbaj në duar
Më derdhesh në poret e lëkurës e sërish dua
Të derdhesh sërish e sërish.
Të pi si tokë e kallur nga etja,
ngopem një çast,
Mbush të çarat e thara të shpirtit
Dhe pas pak, prapë dua se prapë digjem,
E prapë pi e s’ngopem me ty.
Ti je prej ajri... Më përkëdhel edhe kur s’të shoh,
Kur kam ftohtë më ngroh,
Më mbush mushkëritë sa herë kam nevojë,
Më ledhaton flokët me dorë të padukshme,
Më ter djersët se mos ftohem,
Më flladit shpirtin kur më kallet zjarrmisë.
Duket se je prej drite, je drita vetë
Je dielli, hëna, ylli
Që hyn në sytë e mi e u jep dritë
Gjithë gjërave dhe botës që më rrethon
Gjithë gjërave dhe botës që kam në veten time,
Udhëve nga shkoj, të mos thej qafën në honet e hiçit
Tek ec mbi tokë, nëpër ëndërr a kur shtroj retë nën këmbë
Edhe hijes e natës time i jep dritë, ta shoh vetë e ta shohësh ti
Skutave ku ikën të natojë që të mos shihet,
Udhëve nga ecën që të mos e shkelin.
Duket je prej ëndrre, prej ëndrre je
Se vjen pa u ndjerë e më derdhësh kur dua,
Pa të parë edhe pse të thërras
Më hyn mes krahëve të hapur që të presin,
Mbështetesh në gjoksin tim që digjet, më puth lehtë
Më mbështjell për beli se e din që dua,
Më gudulis dhe hidhem përpjetë.
Po, po, prej ëndrre je, prej ëndrre
Se ta ndjej frymën që ma lëshon në fytyrë edhe pse je larg
Ta ndjej aromën e trupit mbi gjithë aromat e luleve,
Të ndjej ngjeshë për trupi kurdo,
Kudo ndjehem i mbështjellë me ty,
Si i zhytur në diell, det a Dri,
Më bëhet se ec dhe jetoj jetën brenda syrit tënd
Ndjej çdo çast trokun e hapit tënd në ritmin tim të nxituar
Në udhët e jetës që m’i ke paqtuar
Në tokën ku mbij e në qiellin ku hedh shtat
Ndjej lëngun e buzëve që s’di të teret në mua…


* * *

Ranë gjethet,
ulërimat e tyre ngjethëse
i pashë e dëgjova
ditë e natë në mua.


MË HUMBI VETJA

Më humbi  vetja, dheu i zi e përpiu
det’ i pangimë, ëndrra të pangime
në hijen time vetja u mbyt.
S’lashë vend që e rreh dielli pa e lypë
as hije e skuta të errëta të botës e të vetes
pa hy s’lashë...
I kreha retë me gishta edhe ëndrrat po e po
yll pa pyetur s’lashë në qiejt e pafund,
s’lashë dyshim timin pa e pyetur për veten time
thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit
thërras kot veten, brenda vetes thërras,
çfarë humbtë mos u gjettë kurrë, mërmërin deti a
thërret dikush zëngjirur brenda meje,
e unë s’e shoh kush thërret,
deti u step më keq se unë i shtangtë
prej dhimbjes sime, turfulloi si kalë i zi plot plagë
me kalorësin të vrarë mbi shpinë
u ndal, më pa e më tha,
meqë e dashke kaq shumë veten,
lype lype se një ditë do ta gjesh
të ngrime bri ndonjë ferre…


* * *

Mbeta me drapër në dorë…
Bari i shpresës mbin
Edhe në majë të shkëmbit.


PA KRYE

Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm
Që rreket të kalbë fajet e tij
Por faji në varr është si në serë
Veç rritet e rritet në shëmti.
Gjithkush në vetvete është i varur
Nga pak në çengelin e fajit të vet
Askush me vetveten s’është në paqe të plotë
Askund, në asnjë botë s’je n’harmoni t’vërtetë.
Askush s’qëndron dot kollaj para vetes
E sidomos para vetes në gjumë
Është njësoj si ta lash të vërtetën
Në të vjellat e botës që rrjedhin si lumë.


* * *

Ti do të ikësh drejt pranverës,
Dimrin do ta lësh tek unë,
Ngricat brenda syve tu do mbeten
Si copat e akullit në lumë…


JEMI TË GJITHË VETËM

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Dhe kemi nevojë për dikë tjetër
Kush ndryshe bën e thotë
Gënjen të gjallë e të vdekur.
Shpesh vetmia na bëhet parajsë
Udhëkryqet kanë marramendje
Kërkojmë një palë sy, një sup, një krah
S’i gjejmë e drejtë vetmisë rendim me ëndje.
Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Drurë prej rrufeje shitur,
Pas syve që s’i gjejmë dot më,
Rendim mashtruar…


RRËNJË E PADUKSHME

Ëndërr që jeton kur nata është tretë
Diell që përvëlon kur vera ka ikë
Rrënjë të padukshme që s’më shkulen kurrë
Dorë që m’i mbyll qëpallat kur të kam pranë
Dhe më zgjon sa herë që s’je
Era dhe ajri që më duhet të thith
Pamja që më duhet për sytë
Lulja dhe kopshti që s’janë më
Ku rri e kundroj ikjen e mosardhjen tënde
Gjurmët që le në tokë, në ajër, në lëkurën time
Ku rri e kundroj ditën pa ty
Ditën pa sy...


QIELLI DIMËROR

Qielli dimëror lotonte në Paris
Grija bëhej më gri
Mijëra njerëz në Shën Elize
S’më hynin në sy.

Ecja mes tyre i pavënë re
Njerzia në punë të vet
Në dhjetra fytyra më bëhet se je
Mashtrim i shkretë.

Këtu gjithçka është gri
Dhe ëndrra më bëhet e hirtë
Ti atje buzë detit të largët
Sheh rërën që lahet.

Buzë Senës java pa ty
Ish e gjatë, ish një jetë
Dhe ky qytet ëndërr
Pa ty ish i shkretë.

Këtu qielli loton shi
Ti lahesh me diell në ato anë
Nata parisiene më përpin
Në tingujt e bardhë.



* * *
Larg më je sot, kaq larg
Të shoh me sytë e mendjes,
Buzët e puthjes s’të mbërrijnë
Veç krahët e zemrës.


NA LINI

Na lini të jemi të pa emra sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo, unë jam Adami
Dashnorët e parë në botë.
Na lini të jemi veç dy njerëz sonte
Të digjemi e të bëhëmi hi,
Mos na spërkatni me pështymë tek flisni
Mos villni nga sytë padi.
Na lini të jemi pa identitet sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo ,unë jam Adami
Dashnorët e fundit në botë.


TRISHTIMI YT

Kulm mbi Dri,
trishtimi i syve tu…
A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve
mungesa dhe heshtja e tyre
(ç’tu ketë ndodhur vallë?…)
A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha, të fjetur, të trembur
a nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura të njerzve
buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave që më kalojnë pranë,
çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin, sikur flasin e sikur qeshin
por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.
(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,
duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,
gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë…)
A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm
që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji
kurrë hënë në sy, yje përmbi…
Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu
se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë me mjaullima macesh të pafuqi
sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe…
Kurvat që më kalojnë pranë, (disa që i njoh dhe ua di hamshorët)
më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,
mbretëresha të virtytit dhe nderit…
Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot
edhe ato që kanë shkuar me to
edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.
Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve
ta plasin publikisht se i ke palluar…
Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim
edhe pse më sheh mes burrave kurva
me ligësinë e tyre pa kufi,
po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit
se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë
e të marrin erzin…
Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz
trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,
pasi më shemb përdhe fytyra e ditës
si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual…
Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave
derdhet kërcënuese nga kulla në kullë
nga zyra në zyrë, nga selia në seli
merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes…


NËSE MË DO

Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën…



TRE ZOGJ…

Rrufeja ra
Lisin shkrumb e dogj
Edhe po të mbijë ndonjë filiz prej rrënjëve
S’bëhet lis për zogj.
Tre zogj mbeten pa fole
Të vetmuar cicërojnë në shkurrë…
A do t’i gjejë e ëma kur të kthehet
A do të mundet t’i ushqejë ?…
Tre zogj të vetmuar, pa fole
Qajnë në një shkurrë,
Rrufeja ra
E lisi shkrumb u dogj…



* * *

Jemi bërë si gurë

pa mundur t’i gjendemi njëri – tjetrit…
të brejtur,


ngulur rastësisht mbi tokë,




NË UDHË T’PA EMËR ME M’PRITË

Në udhë t’pa emër me m’pritë
në ditë të vdekura veshur me qefin,
në netë të shkreta veshur me vetmi,
në ardhsha me diellin ndonjë ditë,
me ndonjë yll të këputur ndonjë natë,
me pikat e trishta të ndonjë shiu të ngratë,
me hedhurinat që shtjell erë e forte…


ME M’I KPUTË KRAHËT

Me m’i kputë krahët, duart me m’i kputë
e di se kanë me më dalë prapë
se nuk mundem mos me i përkëdhelë
e shtërngue e me i mbushë duart plot me gjinjtë e tu
nuk mundem mos me të kapë e shtërngue gjithkund
në trupin tënd, me ta dëgjue zërin tek bërtet
auuaaa… më vrave, më sakatove, më nxive…
nuk mundem mos me të kapë për beli a për barku
tek më rrëshqet si ngjalë nën krahë e lumë nën urë
nuk mundem të mos ndjej dridhjen e dehjen e trupit tënd
e djersën e lehtë të lodhjes së ëmbël që të bulëzon mbi lëkurë…
Me mi nxjerrë sytë e ballit, me mi qorrue krejt
e di se prapë kanë me më ardhë sytë
se nuk mundem mos me të pa ty
e sytë e tu përmes të cilëve shoh botën…
nuk mundem pa e pa qetësinë hyjnore të syve të tu të qielltë,
s’mundem pa i pi ato dy pika loti që bulëzojnë në ato sy
teksa unë i thith e i pi që të mos rrjedhin faqeve tua,
tek perëndojnë e tulatën e derdhin një dritë qiellore në mua
teksa më thua fjalën tënde të zakonshme, ah i lig, i lig…
Me ma këput kryet në qafë si të pulës
e di se më ngjitet prapë, më del një krye tjetër
se s’mundem me ndenjt pa e vu kryet në gjoksin tënd
mes gjinjve të tu, s’mundem kurrë mos me e futë kokën
mes gjinjve të tu e me heshtë, me heshtë, me heshtë
s’mundem mos me e mbulue kryet me flokët e tu
e me u bë nervoz në çast tek më derdh flokët në fytyrë…
Me më mbytë krejt, me më blue gur për guri a me më djegë
e di se prej hiri kam me u ngritë kështu si jam
njeri që ha përditë fatin e vetën time me dhëmbë
që humbas pa mëshirë si në kumar orët, ditët, kohën time
që i ha e nuk i sos dot as në ëndërr thonjtë e mi
që të puth e të puth e nuk ngopem kurrë me buzët e tua që më çmendin
që qaj, qesh, flas e hesht, ulërij e vdes në të njejtën kohë
që e vras ditën me plumb në ballë dhe ashtu të vdekur e mbaj në krahë
udhës së yjeve me vaj e kujë ditë e natë
e gris, e çjerr përnatë natën e përdalë
ia shpërthej barkun e zi me thonjtë e mi të pistë
në prushin e yjeve ia pjek zorrë e mushkëri
Kam me u ngritë prej hirit të yjeve të djegur e kam me u ba
kështu, si më ke dashtë gjithmonë
ti, që për fatin tim të bardhë, nuk ke kërkue në mua dikënd tjetër...
ti, që më ke dhënë nga vetja jote plot sharm gjithë gruan e botës
dhe pafundësitë e saj…
prej hiri pra kam me u ngritë
e kam me ardhë, i gjallë…


* * *

Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë
Dhe zëri im s’bën më për fjalë…



TASH SA KOHË

Tash sa kohë shoh veten e varme në lis
Mu në mes të fushës
Me litar në qafë, natë e ditë.
Dimër verë njerzit pështyjnë,
Bëjnë shurrën në trung dhe rrënjë.
Lëvores, miza pafund, rrallë ndonjë korb a zog i pafaj
Merr vdekjen e vet në sqep.
S’ka mbetur gjë tjetër në mua,
As vdekje s’ka mjaft për gjithë zogjtë…



NË ËNDRRAT E MIA

Në ëndrrat e mia
Kam vdekë e
Jam varrosë qindra here,
Në tokën e mbretërisë së ëndrrave
Jam lindë,
Përmendore mjegulle jam bërë,
Nëpër varret e ëndrrave kam hyrë e dalë
Me ty në krahë,
Pa ty në krahë,
Me veten për dore
Drejt asgjësë.



LIS I VETËM NË FUSHË

Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithsinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur...
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je...



ASGJË TJETËR NUK DO TË KISHA DASHUR TË BËJ NË JETË

Nëse dashuritë shuhen e harrohen, atëhere nuk kanë ekzistuar kurrë.
Ndjenja e dashurisë për një shkak a një tjetër madhor mund të ndrydhet,
por nëse ka egzistuar vërtetë, kurrë s’mund të shuhet.
Sa më shumë përpiqemi t’i harrojmë dashuritë, aq më shumë mashtrojmë veten
dhe aq më shumë kujtimi i tyre fryn dhe na i ndez gacat e shpirtit,
rron gjithnjë si prush lisi i mbuluar me hi.
Shfaqjet që merr ndrydhja e një dashurie janë trishtuese dhe të dhimbshme,
pafundësisht të dhimbshme.
Kush beson dhe flet për shuarjen e ndjenjës së dashurisë, mashtron dhe
jeton vetëm me çerekun e qënies së tij, treçereku tjetër është lëngim.
Është e tmerrshme të ecësh gjithë jetën mbi shina… të shohësh burra
gjithmonë me pantallona, me model të njëjtë kostumi.
Është e tmerrshme, që duhet përgjithesisht të bëhesh i moshuar dhe pastaj të vdesësh.
Është dhe më i tmerrshëm detyrimi të përshëndesësh çdo ditë të njëjtat fytyra…
Është e dhimbshme që s’ke një këmbë vend të pashkelur prej vetes
në rrugen që të çon dhe të nxjerr nga shtëpia.
Po, po, e tmerrshme është, të jetosh ditën tip, punën tip, në shtëpinë tip,
në krevatin tip, në tryezë gjellët tip, të puthësh buzët tip,
të hysh në kafenetë tip, në nevojtoret tip, të shohësh pulpa këmbësh tip
e të mos jesh i lirë të kujtosh e të nderosh dashuritë që ke dashuruar…
Është shkak ankthi, që detyrohemi të flasim me fjalë, kur shpesh herë,
në mos gjithherë, më mirë flasin sytë.
Meqë kjo botë që prej fillimit i ka marrë shumë hua hipokrizisë, ne duhet
të përshtatemi që të jemi normalë se ndryshe damkosemi : të papërgjegjshëm.
S’kemi çfarë të bëjmë tjetër, por të mos harrojmë dashuritë
që të jemi të ndershëm sadopak me veten tonë të padukshme,
se me të dukshmen kjo s’ndodh,
kemi për detyrë, që pa droje, t’i kujtojmë e t’i pohojmë dashuritë.
Nderimi për dashurinë është nderimi për veten, është çlirimi i vetes
dhe njeriu kur çliron veten, kur është i çliruar, mund të shijojë lirinë
me të gjitha aromat e saj, në ato pak minutat e mbetura të jetës së tij.
Kur është i lirë njeriu plotëson detyrën e vet.
Në fund të fundit fare, njeriu ka për detyrë, të dashurojë dhe t’i kujtojë
e t’i nderojë dashuritë…
Asgjë tjetër s’do kisha dashur të bëj në jetë.



* * *

E kam vënë detin përpara,
Me fund do ta pi
Për ty...



PO THONË…

Veshur me natë
Ti vazhdon udhën
Pa ditë se për ku.
Hëna në shpinë
Ta çel shtegun
Drejt detit,
Udhëve të botës
A të shpirtit,
Poshtë dallgëve të fjetura
Të frikshme,
A në burg të reve
Të zeza të qiellit.
Sot e gjithë ditën
Më ruajnë
Sytë e tu,
E unë i falem Zotit dhe ty.
Nata mbetet çdo natë
Vetëm.
Dhe unë vetëm
Në vetminë time.
Drini vetëm
Ka me mbetë,
Pikëllima vetëm
Dhe ajo.
Ka me ra shi i ri
Në ditë të re
Dhe diell i ri
Ka me iu derdhë fushës.


NATA KA RA

Nata ka ra
e terri i saj n’dritare rri ulë,
ngeshëm sheh
e m’terron sytë.
Sytë e tu s’janë kërkund
për pak dritë, me ia shpue
zemrën natës.
Po s’erdhe me e djegë natën e zezë,
mos mungo nesër n’kortezhin tim
me hije njerzish…



KY QIELL

Ky qiell idiot që të mban në gji
Ky qiell i frikshëm, pafund i zi
Ky qiell që të zhduku nga sytë e mi
Ky qiell lugat që të mori ty
Ky qiell shpirtzi i errët e gri
Ky qiell… ah… ky qiell…
Ky qiell i mirë që mban diellin në gji
Stacion i ëndrrave dhe lutjeve të mia
Fron i zotit që thonë është atje
Mbretëri e paqes dhe shpirtit të bardhë
Kufi i fundëm i lirisë pa kufi…



NË GALERINË E PAFUND TË KOTËSISË

Në galerinë e pafund të kotësisë
Ne jemi tabllotë më tipike të pafat
Varur atje në gozhdat e idiotësisë
Ndihemi rehat.
Brenda kornizave ku na kanë vënë
Kemi hapësirë, komodë, jetojmë
Se natyrisht ne s’dimë korniza të shpërthejmë
As te qeshim, të puthim a derdhim lotë…


DIMËR PRAPË

Dimër sot, nesër, pasnesër, e dimër prapë
Zotat e mi thonë verë s’ka askund.
Endërrat e mia lindin, por nga ngrica s’rrojnë gjatë,
O zot, ky dimër a ka fund ?...
Dhe bëj sikur rroj, në skamje e mizori
Dhe sytë mi merr shkëlqimi i rremë,
Unë qorri me dy sy endem nëpër ferr,
Ne këtë ferr që s’lashë lëvdatë pa i thënë.


NUK SHKRUAJ PËR TY

Nuk shkruaj për ty, pa ty s’shkruaj dot
Sytë e botës të shohin gjithandej
Derdhur dhimbje në vargjet e mia
Si frymë, si dritë perendie.
Gjithkush brenda vetes ka zotin e vet
Dhe flet me të, se s’bën dot ndryshe
Gjithkush ka një udhë, një cak, një fund
Se jeta kuptim s’do kishte.
Por pak besojnë se në trenin e vdekjes
Udhëtojmë gjithë kohën sa jemi mbi dhe
Dhe në hije, të fshehur shtyjmë jetën
Burra dhe gra prej hijesh…


VALA ME BREGUN

Një mizë rriskon në buzët e gotës time plot dëshpërim
ca të tjera bredhin në xhamin e pistë të dritares së botës,
duke vizatuar me këmbët e tyre të llomta përhumbjen time.
Jashtë, dikujt s’i ndez makina, kërkon t’ia shtyjnë,
ca të tjera rrëshqasin fodulle me shpejtësi.
Nga streha pikojnë rrallë ca pika shiu të vjetra,
mbi kujtimet e mia godasin pa mëshirë.
Një qen i rjepur bën shurrën dhe rrëmon pa fat në plehra,
Një burrë ecën përkulur në breg të detit,
kujtoj se ai po kërkon perla dhe e admirova.
Një re e bardhë e vetmuar shpërbëhet ngadalë mbi det,
më duket po heq rrobat për t’u larë në diell.
Portreti yt më shfaqet në bebëzat e syve që fryhen,
Ca fëmijë rendin me qenin e lodhur të luajnë,
Më tej deti i paqetë më flet me fjalët e gjestet e tua.
Unë e vështroj ngultas përmes fytyrës tënde
këtë pikturë të kësaj të shtune buzë detit,
ku vala si ti luan pambarimisht me bregun…


* * *

Nuk besoj në vdekje dashurish,
se bota është e vogël,
s’ka aq vend për varre…



HERONJTË

Ku janë heronjtë, ku janë,
ku rrinë, ku struken, ku pinë…
Kohë heronjsh nuk ka,
nuk ka stinë të tyre, as mot të tyre,
as shekull, as ditë, as orë, as çast heronjsh nuk ka.
Ata s’ishin kur na u deshën në luftra,
në tragjeditë tona jo e jo,
në komenditë tona,
pse t’i shpikim vallë ?
Heronj nuk ka kund motra ime,
viktima po, të mundur po,
të mundur që urrehen e vazhdojnë të munden nga të gjithë,
të mundur që s’munden t’ia kafshojnë xhelatit
as gishtin kur ua fut në gojë.
Të mundurit e përdhunuar gjithmonë kanë faj,
e kurrë jo xhelati.
Dhunuesi ishte hero dje,
sot e përgjithmonë.


HAPI SYTË

Hapi sytë
dhe ke me e pa pikën e lotit
në sytë e diellit,
lot që zjarri i diellit nuk e ter.
Në mos mundsh
shiko hënën se do t’ia shohësh
lotët për faqe
që i shndrisin dhe në terr.



* * *

Thanë se gurët kanë vdekur
e lulet mbijnë në gur
… i do qielli i kaltër



KA DO DITË

Ka do ditë
Që mendoj se s’do me dëgjue zërin tim.
Dyert e syve i ke mbyllë,
E ndaj unë nuk nxjerr dot zë,
Veç psherëtima.
Mu varros zëri në mua,
As nuk fërshëlloj dot.
Udha mbeti shkretë,
s’ka më të lojtur që fërshëllen.
Edhe deti si i lojtur do të gjëmojë nga dhimbja,
Nuk i thërras dot më, s’kam zë.
Kush do ta qetësojë zemërimin e tij,
Kush do ti tregojë detit për ty
Që të fshehë sirenat
Kur të vish ti,
Mos t’i turpërohen e t’i kopin marazit
Kur të të shohin…
Thua nuk e djeg dot ti varrin
Ku ma kanë mbyllë zërin
Të mundem të flas dhe njëherë,
Veç të them të dua.
Të mund të mos pështyj botën përditë
E gëlbazë të mos u hedh njerzve në fytyrë.
Të mund të fërshëllej,
Oooo të fërshëllej dhe njëherë,
Të zgjoj rrugën që flen…



MË MUNGON SHUMË

Më mungon shumë dhe pa ty jam bërë
tokë e ngrirë që dielli i mungoi gjatë,
jetë gjithë stinë dimri që i mungoi vera,
lule që kot i thonë lule se s’çel petale asnjëherë,
lis a dru që sythe e gjethe s’ka kurrë,
shtrat lumi që ujë s’rrjedh kurrë në të,
gjiri i nënës që kurrë s’pikon qumësht,
sy i bukur që rri çelë por nuk mundet të shohë kurrë,
lugë që rri në tryezë por s’ka dorë që ta kapë,
zemër që pulson kot se s’ka kujt t’i japë gjak,
krahë të hapura kot në hava se s’kanë kë rrokin n’përqafim,
mundim i jashtëzakonshëm për të folë por s’ka më zë,
s’ka më lotë, e syve të mi të pajetë pikon gjak
nga mungesa jote shumë e gjatë…



JAM THJESHTË VETËM

Jam thjeshtë vetëm,
Shumë vetëm në këtë jetë.
Lodër e pavlerë
E braktisur nga fëmijët,
Lule e harruar pa ujë në vazon
e dritares tënde.
Jam shumë vetëm pa ty,
Pa mallin që lexoja në sytë e tu.
Nuk mbolla heshtje,
Që të korr shkreti.
Nuk mbolla dhimbje,
Që të vjel vetmi.
Jam shumë vetëm
Pa ty…



RRUFETË…

Rrufetë i kam ndezë zjarr
Me ngrohë veten.
Me litarët e vetëtimave
Jam hedhë e kam bredhë
Honeve të djegura të mallit për ty.
Detet i kam kaptuar
Duke vënë këmbët
Si gur më gur
Nëpër supe dallgësh.
Kam mbërri, gjithmonë vonë.


NJË TRUMCAK

Një trumcak i trembur cicëroi në xham
fjalë të ngrime zogu dhe iku nëpër borë.
Tej xhamit të plasur prej ngricës shikoja
trumcakun e strukur në një degë ftoi.
. . . . . . . . . . . . . . .
Kam vrarë dikur pa dashje një trumcak
dhe bashkë me të, përjetë qetësinë time.



TË MOS JEM

Të mos jem trishtimi i botës,
e fytyra ime të qeshë,
ti piko nga gjethja e vjeshtës,
piko hënë në sytë e mi.
Të mos jem trishtimi i botës,
guri që s’bëzan a pylli që hesht,
m’i sill zogjtë e zemrës,
të mos vdes…



NE TELAJON E NATËS

Në telajon e natës
Vetëtimat dhe rrufetë e zemëruara
Egërsisht vizatojnë portretin tim në flakë
Me penelata e ngjyra zjarri
Që s’shuhen edhe pse
Bie shi rrebesh e breshër.
Nëse pastaj do të më kesh
Kur të vish e të mos më gjesh
Merre natën dhe vare në mur
Që t’ma shohësh portretin
Me zgavrat e syve bosh
Pa ty –
Rrufetë sytë m’i kanë djegë
Me fytyrën e shkrumbuar
Si copë toke veç djerrë
Ku s’mbin as bar i keq.
Vetëtimat e rrufetë sonte
Po vizatojnë mbi terr
Gjithë zemërimin tim
E brengën
Nga mosardhja jote.




TANI TI KE IKË

Tani ti ke ikë në të gjitha ditët
Prej të gjitha ditëve.
Ke ikë në të gjitha stinët
Prej të gjitha stinëve.
Ke ikë
E nuk je kund.
Tani ti ke ikë
E unë rri e të pres
Të kthehesh sa për një buzëqeshje
Për një puthje në trëndafilin e buzëve
Të kthehesh në fundjavë
Si zogjtë shtegtarë
Që ikin e vijnë prapë.
(Pse vdekja s’bën kështu
Të na marrë në një stinë
E të na sjellë në një tjetër… !!)




SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.




* * *

Nëse gogla e rrufesë do bjerë,
Të digjemi bashkë dua.
Se po të jemi veç e veç
Digjet njëri dhe
Tjetri zgavër lisi mbetet.




* * *

Nuk di
gjethen a mua
e shtyn era.
Ajo bie në pellg
Sipër meje ...



UNË DO TË IK NJË DITË

Unë do të ik një ditë, ti mos beso, por
Shpejt do të ik nga kjo botë,
Fytyrën time që do të mungojë
Do ta njomësh ndonjë ditë me lotë.
Unë do të ik dhe ty do të mbetet,
Një boshllëk në zemër gjithësesi.
Nëse s’u bëra dot aromë të më ndjesh,
S’dua erë të bëhem që të bezdis ty.
Erë që të trazon flokët pa gishtat e mi,
Mbase dhe sytë, qëllon, t’i bën me lotë,
Se pas erës, prapë do të ketë shi,
Do të ketë diell e sërish do ketë shi.
Do mbetesh, siç je, pranverë me plot zogj,
Dimër, që deomos, kërkon e bën stuhi,
Verë, por, me diell që djeg e përvëlon,
Vjeshtë me bubullima, rrufe e shumë shi.
Deshirë të frikësuar s’do të ketë më,
Ajo është mosdashje e s’ka emër tjetër,
Unë shkaku i saj do do të jem askund,
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.




KA ME RA

Ka me ra shi me baltë
Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë
E kokërrdhak kemi me ra…
E pashë më sytë e mi
Si mbinin minj prej toke
Sa u mrrol pak dielli e u bë vrantë
Minjtë filluan me dalë
Me u ngjitë nëpër mure e pemë
Nëpër këmbë burrash e grashë
Me i gicilue e me i lëpi.
Plasi ulërima e gazi pa kufi
Filloi çveshja, grisja e flakja e rrobave tej
Lakuriq gjithë gratë e burrat mbeten shtangtë
Rrethuar nga minjtë që u rrinin pranë…
Sot e pashë me sytë ë mi
Si u terr toka me minj…



NJË QIELL TJETËR

E kam marrë për dore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s’të thonë “trus”…
Pronarët e qiellit janë harbutë
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.
Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh,
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq…





LIS I NGRIRË

Në çastet kur s’je
Bëhem lis i ngrirë në breg të ëndrrës
Me krahët zgjatur drejt teje…




PIKË LOTI

Sonte unë pikë loti në harenë tuaj të rrejshme
Rreze hëne që s’është kund në këtë natë të tmerrshme
Peng i një krimi të bërë që vret çdo lumturi
Erë që ndez kujtimet që askush s’do t’i kujtojë…
Sonte jam këngë rrënqethëse e njeriut të pagojë
Zhurmë e hapave të njeriut pa këmbë
Tingull i kambanës që s’ka thumb
Dallgë zhgënjimi që godet në mosmirënjohje…




ZOGJTË RESPEKTOJNË ZINË

Blirët anash rrugës sot janë te vdekur
Por njerëzit s’mbajnë qetësi
Fodullë deri në dhembje
Trishtimin ma bëjnë më të zi.
Zogjtë nga qielli zbritën
Në degët e blirëvë s’rrinë
Heshtin nëpër strehë e tela
Zogjtë respektojnë zinë.
Blirët s’do çelin më lule
S’do tregojnë për asgjë
Në s’jemi fshehur të gjithë pas tyre
Pa erë lulesh s’kanë lënë asnjë.
Blirët sot janë të vdekur
Njerëzit s’mbajnë qetësi
Fodullë deri në dhëmbje
Trishtimin ma bëjnë më të zi.



E PAMBARUAR…

E pikturon dot heshtjen ti,
heshtjen time që pikon pelin,
që më mbështjell si mjegull
e që shkel mbi të,
heshtjen që më së shumti ka fytyrën time
gjithë kohën kur jam pa ty?
Po ikjen e saj kur vjen ti,
të qeshurën e hareshme të syve të mi
që gurgullon kur ti je, e pikturon dot ?
Po tingullin e vdektë e timbrin pa jetë të zërit tim,
psherëtimën drithëruese,
dridhjen e mjekrës time,
bebet e zmadhuara sa dielli të syve të mi kur të
shoh,
bebet gati të shuara të syve të mi, kur s’të shoh ?
E pikturon dot mallin që më djeg,
boshllekun a zbrazëtinë mes krahëve të mi,
mungesën tënde aty,
djegjen e syve të mi që s’e lënë lotin të rrjedhë,
sy që e pinë vetë lotin e nxehtë ?
E pikturon dot ti atë që ndodh në mua kur të prek,
atë që kurrë fjala s’e thotë dot,
atë drithërimë vërbuese që provoj kur të rrok
në përqafim, e përjetoj paqen që e kërkojmë
e na mungon e na lëndon se mungon ?
E pikturon dot ti ndjesinë që provoj
kur më përqafon e gudulis në kurriz,
tek më tërheq nga vetja e shtërngon në gji
kur të dukem pupël e jo i rëndë përmbi,
po çastin kur mbetem pa mend mbi ty,
kur më dukesh Hënë e vetja Diell ?
E pikturon dot ti aromën time përzier me djersë,
duart e tua të vogla që gudulisin gjoksin tim,
aromën tënde jo të parfumit, të shpirtit tend,
duart e mia të mëdha e të ashpra mbushë me gjinjtë e tu,
dihatjen, dihatjen e dridhjen e trupave tanë,
shkëndijat, që s’i sheh dot ti as unë, i pikturon dot ti
kur flakërojnë mes trupave tanë ?
E pikturon dot ti atë që provon zemra ime,
atë që thonë e shkruajnë sytë e mi
kur thith pangopshëm buzët e tua,
kur ti ma shtërngon kokën me gjinj
e kur unë nga lumturia mbes pa frymë,
e vdes nga pamundësia të të fus brenda vetës
e i them zotit, ik se jam zot vete ?…








Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...