Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/19

Deri kur shqiptaret mund te tolerojne kriminelet serb?

Shkruan Flori Bruqi

Veriu, shqiptarët bëjnë roje gjithë natën 

  Burimet në terren i kanë thënë portalit Indeksonline se shqiptarët tek Lagja e Vitakëve në veri po bëjnë roje edhe në këto orë të para të mëngjesit, nga frika e asaj që mund të ndodhë. Edhe në Lagjen e Boshnjakëve ka grumbullime të shqiptarëve, ndërkohë që përtej në anën serbe shihen lëvizje të kohëpaskoshme të njerëzve. 

“Nuk lëviz nga shtëpia ime dhe nga vendi im”

Vlerësimi i ish  presidentit Fatmir  Sejdiu, lidhur me strukturat ilegale(shpesh edhe militare”, duke i cilësuar si një grumbull kriminelësh të luftës së Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, ka zgjuar reagime të ndryshme nga analistë politikë, të sigurisë dhe të popullit të Kosovës. Në këtë kontekst është vlerësuar se më në fund është dhënë vlerësimi më i qartë lidhur me veprimtarinë kriminale dhe ilegale në veri, të cilat për dhjetë vjet me radhë vazhdojnë të kërcënojnë qytetarët shqiptarë në veri. Analistët vlerësojnë se struktura të tilla janë të dirigjuara nga zyrtarë të regjimit të Beogradit të cilët realisht dhe me fanatizëm janë duke ndjekur politikën kriminale të paraardhësit të tyre, diktatorit Millosheviq. Strukturat ilegale në veri ish presidenti i Kosoves prof.dr.Fatmir  Sejdiu i ka cilësuar si truproja që kanë bërë krime në Kosovë, në Kroaci dhe Bosnjë.

“Ata njerëz nuk duan të ballafaqohen me drejtësinë, realitetin dhe stabilitetin, prandaj edhe bëjnë probleme të caktuara”, vjen si vlerësim i ish presidentit Sejdiu.

Elementët kriminale në veri-struktura të Serbisë

Elementet kriminale në veri jo vetëm që janë struktura të gangsterëve serbë, por ato vazhdojnë të jenë edhe “institucione” të Serbisë. Në këtë kontekst, analisti, Prof.dr.Nexhmedin Spahiu, vlerësoi se strukturat në veri janë para se gjithash struktura shtetërore të Serbisë, por meqë ato nuk janë legale për Kosovën, presidenti ka mundësi t'i cilësojë ashtu siç edhe i ka cilësuar. Ai thotë se ky duhej të ishte hapi i parë i reagimit kundër mafiozëve të luftërave ballkanike. “Zakonisht kur një president shteti flet me një fjalor të tillë, kudo në botë pasojnë masat adekuate ligjore”, vlerëson Nexhmedin Spahiu.


 Ndërkaq, analisti i sigurisë Reshat Maliqi vlerëson se Policia e Kosovës duhet angazhuar në kapjen e të gjithë atyre, të cilët identifikohen si shkaktarë të prishjes së rendit në veri, aktorëve që shkaktuan incidente dhe shpërthime në veri. “Kosova nuk mund të shndërrohet në një kanal të përshtatshëm për kriminelët, por duhet të jetë vend i perspektives, rendit dhe ligjit”, vlerëson z. Maliqi. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, vlerëson se problemi i strukturave paralele është problem politik ku vendimet mund të merren në instanca të larta shtetërore. “Çështja e demilitarizimit ose ndalimit të funksionimit të strukturave paralele në të gjitha fushat në veri të Mitrovicës, është çështje që ndërlidhet me vendimet politike të cilat duhet të ndërmerren në nivele më të larta shtetërore”, vlerëson Hoti, duke shtuar se pavarësisht kësaj, policia është e përqendruar që të vendosë rend dhe ligj për të gjithë. Nëse një president i një shteti flet me një fjalor të tillë( gangsterët në veri duke i cilësuar si një grumbull kriminelësh nga lufta në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë), në çdo vend në botë do të pasonin masat adekuate ligjore. Se a do të ndodhë në këtë rast demilitarizimi i veriut mbetet të shihet.

Veriu i Mitrovicës dhe i Kosovës mbeten në duart e grupeve kriminale serbe, të cila kanë mbështetje të Qeverisë së Serbisë. Të gjitha rrugët që të shpien për në veri të Kosovës mbesin të bllokuar, ndërsa barrikada në fshatin Kelmend, konkretisht në hyrje të fshatit Rudare të Komunës së Zveçanit, është betonuar nga këto grupe, kanë njoftuar burime tona . Në qytetin e Mitrovicës që nga mëngjesi i së shtunës është vërejtur një situatë pakëz ma e qetë, por e tensionuar. Forcat e sigurisë, si ato ndërkombëtare, ashtu edhe ato vendore, e kanë rritur numrin e pjesëtarëve të tyre, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për sigurinë e qytetarëve. Në anën tjetër, gjatë ditës, në veri të Mitrovicës ka pasuar të shtëna me armë zjarri, por nga policia e Kosovës janë cilësuar si të shtëna të ahengjeve që nuk kanë pasuar asnjë lidhje me situatën e sigurisë, e cila është krijuar në veri të Kosovës.

Serbia kërkon që doganierët dhe policët kufitarë të mos jenë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe të ardhurat nga taksat doganore të mos depozitohen në buxhetin e Kosovës. Këtë kërkesë Beogradi zyrtar e ka depozituar në Bruksel. Serbia ka kërcënuar se nuk mund të zhvillohet një raund i ri i dialogut pa i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Ndërkohë autoritetet e kosovare kanë mohuar mundësinë që kjo temë të bisedohet. Edita Tahiri shefja e delegacionit kosovar në bisedime, theksoi se nuk do të diskutohet me asnjë për sistemin e brendshëm shtetëror. 

Mediat gjermane edhe sot, të dielën, i kanë kushtuar vëmendje gjendjes në Kosovës, gjegjësisht në veri të vendit, ku qeveria, së bashku me faktorët ndërkombëtar në vend, janë në zbatim të planit të marrjes nën kontroll të pikave kufitare atje. E përditshmja gjermane, “Die Tageszeitung”, në një shkrim të sajin botuar në numrin e sotëm, shkruan se as OKB e as EULEX-i nuk ia dolën që në veri të Kosovës të vendosin “sundimin e ligjit”, i cili ka kohë që mungon atje. “Strukturat paralele serbe janë toleruar skajshmërisht shumë në veri të Kosovës. Mafia dhe ekstremistët nacionalistë shumë gjatë janë trajtuar me vëmendje të veçantë. Gjatë njëmbëdhjetë vjetëve të fundit, në atë pjesë të vendit “qeverisë” një përzierje e ekstremistëve politik, shërbimeve sekrete, mafisë, politikanëve dhe policisë”, shkruan TAZ, duke shtuar se “kushdo që nuk ka vallëzuar sipas ritmit të tyre, ka qenë humbës”. [Image]Gjithashtu, sipas TAZ, edhe ata që janë përzier në kontrabandën e drogës dhe benzinë, e ka gjetur i njëjti fat. “Ato struktura të ashtuquajtura paralele i përkrahte edhe presidenti i Serbisë, (Vojislav) Koshtunica, por sot nuk munden më të mbështeten tërësisht në ndihmën e Beogradit”. “Ai që dëshiron të integrohet në BE, duhet ta zgjidhë problemin e dukshëm në Mitrovicë. Kjo edhe ka qenë porosia e qartë e Angele Merkel gjatë vizitës që ajo i bëri Beogradit. Serbia, herët a vonë, do të duhet të distancohet nga mafia në veri të Kosovës”, shkruan më tej “Die Tageszeitung”. [Image]Ndërkaq, në fund të shkrimit theksohet se shteti i Kosovës duhet të ketë sovranitet. “Pa kontrollin e kufijve, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Misioni evropian për sundim të ligjit duhet që përfundimisht ta zbatojë sundimin e ligjit, pavarësisht rezistencës, në tërë territorin e Kosovës, edhe tek shqiptarët”....

Zakonisht kur një president i një shteti flet me një fjalor të tillë(rreth strukturave ilegale në veri, duke i cilësuar si një grumbull kriminelësh nga lufta në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë), kudo në botë do të pasonin masat adekuate ligjore. Se a do të ndodhë në këtë rast, demilitarizimi i veriut mbetet të shihet.


Burimet tona tregojnë se betonimi i barrikadës në Kelmend është kryer pak para mesnatës të së premtes nga grupe serbësh. Këto grupe kanë përforcuar edhe barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër, si dhe atë në afërsi të udhëkryqit të shkollës teknike, duke shtuar sasinë e rërës dhe të zhavorrit. Betonimi i barrikadës në hyrje të fshatit Kelmend është bërë me rreth 25 metra kub beton të derdhur në rrugë për t’u lënë të forcohet, ndërsa operacioni i betonimit është kryer me kamionët e njërit nga krerët e krimit të veriut të Kosovës, Zvonko Veselinoviq. Situatë e rëndë po qëndron edhe në magjistralen e Adriatikut, rrugë kjo që të shpie për në pikën kufitare Bërnjak.



 Grupe serbësh kanë bllokuar tërësisht rrugën rreth 200 m mbi fshatin Çabër, ndërsa aksi rrugor nga barrikada deri në hyrje të fshatit Koshtovë kontrollohet nga tri makina, një “Toyota” e bardhë, kamionetë, një “Golf 2”, i bardhë si dhe një “Golf 3”, i zi. Në këtë aks rrugor pikërisht mbi fshatin Zupç vërehej një grup serbësh të armatosur.


-“Unë mbetem një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe Kosovës. Dyert e mia do të jenë gjithnjë të hapura për shqiptarët”. Kështu është shprehur pas një takimi në Ushington me kryeparlamentaren shqiptare Jozefina Topalli kongresmeni amerikan Eliot Engell. Si një nga njohësit më të mirë të Shqipërisë qysh nga vitet ’90-të dhe mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare, Engell vlerësoi se Shqipëria ka befasuar me ecurinë e reformave dhe paraqet një demokraci funksionale.Gjatë qëndrimit në Uashington kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë është takuar dhe me me Jean Schmidt, bashkëkryetare me kongresmenin Engell të kokosit shqiptar në Kongres dhe Zv/Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Filip Riker, një njohes i mirë i çështjes shqiptare në veçanti dhe i çështjeve ballkanike në tërësi.  Pasi vuri në dukje raportet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA, kontributin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe frymën miqësore të shqiptarëve, Zv/Ndihmës-sekretari Riker vlerësoi ecurinë dinamike të reformave në Shqipëri. Takimi kaloi në një frymë mirëkuptimi dhe tejet miqësore.Pasi e përgëzoi zotin Riker për marrjen e detyrës së rëndësishme, Kryetarja Jozefina Topalli bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe u ndal në mënyrë të veçantë në treguesit ekonomikë, që e bëjnë Shqipërinë një model të vërtetë suksesi në rajon e më gjerë. Gjatë qëndrimit të saj në Uashington, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u prit në Capitol Hill nga stafi i ngushtë i Kryetarit të Kongresit Amerikan Xhon Bener, me të cilin pati një bisedë të shkurtër gjatë punimeve të Forumit Parlamentar për Demokraci. Znj.Topalli u takua me shefin e stafit Berri Xhekson dhe Këshilltarin për Politikën e Jashtme Xhen Stjuart.  Gjatë bisedës me kryeparlamentaren Topalli,  Xhekson dhe Stjuart, shprehën gatishmërinë për të pritur një grup të vogël deputetësh shqiptarë, për të parë si funksionon Kongresi Amerikan, procedurat parlamentare, sesa transparente janë ato dhe sesa e rëndësishme është që vota të jetë e hapur. Sipas kryeparlamentes kjo është një mundësi tjetër për të përmirësuar dhe sofistikuar edhe jetën parlamentare në Shqipëri.Xhekson dhe Stjuart e njohën kryeparlamentaren Topalli me faktin se në kongresin amerikan nuk ekziston vota e fshehur, as per gjyqtarët, as për Kryetarin e kongresit dhe për asnjë ligj tjetër.


Është inkurajues fakti që të gjithë faktorët vendimmarrës kanë arritur një mobilizim të jashtëzakonshëm për vënien nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës; kjo praktikisht tregon se ku është kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kështu vlerësojnë analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e çështjeve të sigurisë në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Analisti Behlul Beqaj thotë se me gjithë këtë fakt, gjatë 11 vjetëve të kaluar ka pasur mjaft hapësirë veprimi për strukturat jolegale dhe kriminale, të cilat janë forcuar. Sipas tij, do të nevojitet kohë që ato të shpërbëhen. “Natyrisht që asnjë synim nuk realizohet nëse dërgohen doganierët dhe policët vetëm përmes helikopterëve. Prandaj, derisa zgjidhja kërkohet nga ajri, nuk mund të jetë definitive, deri në momentin kur nuk realizohen qarkullimet e lira nëpër rrugët, të cilat aktualisht janë të barrikaduara”. “Ky është konstatimi im për ditët e para...


Tash mbetet beteja rreth rregullimit të statusit të serbëve brenda dhe kjo është betejë që do të zgjasë ndoshta me vite”, thotë Beqaj. Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë, thotë se pika e parë e planit operativ të Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, për kontrollimin e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës, tashmë është zbatuar suksesshëm.

Por, sipas tij, mbetet ende mjaft punë për t’u bërë dhe për t’u siguruar një ambient i sigurt në veriun e vendit. “Sa i përket aspektit të sigurisë në përgjithësi, situata është shumë e tensionuar, pasi të ashtuquajturit kryetarë të komunave dhe Këshilli i Emergjencave të asaj pjese kanë mbajtur mbledhjen dhe si komandant të luftës kanë zgjedhur zotin Bozhidar Deliq”. “Edhe këto barrikada që janë të vendosur që nga e mërkura, e kam fjalën për zhavorr dhe pengesat tjera, duan të thonë se pjesa tjetër apo pjesa kriminale, e cila vepron në veri të Kosovës, nuk do të dorëzohet aq lehtë. Nga diktati i Beogradit, do që të përfitojë në fushën diplomatike për shtetin e Serbisë, sa më shumë që mundet”, thotë Musliu. Ai vlerëson se pas vendosjes së doganierëve dhe policëve kufitarë në vendkalimet kufitare në veri, “pika më e nxehtë e këtij operacioni do të jetë largimi i pengesave dhe barrikadave”, të cilat i kanë vendosur serbët. Sipas Musliut, kjo gjë mund të sjellë probleme.


“E dimë që në atë anë të Kosovës ekziston një mori armatimi, të lehtë dhe të rëndë, nga po këta kriminelë dhe kjo strukturë, do të thosha e përzier, paramilitare dhe shtetërore e Serbisë. Do të thotë, këtu NATO-ja mund të hasë në problem. Se si do ta menaxhojë, unë nuk dua të flas hipotetikisht”. “Por, ajo që do të kisha sugjeruar, është që çdo pengesë të trajtohet veçmas. Do të thotë, çdo bllokadë të trajtohet veçmas dhe çdo operacion të jetë me precizitet kirurgjik, për shkak se pala serbe, me çdo kusht, do që ta paraqesë veten të viktimizuar”, thotë Musliu. Analisti Beqaj vlerëson se situata në veri të Kosovës nuk do të mbetet e ngrirë, por në vazhdimësi do të shqyrtohet.

“Do të ndryshojë situata dhe sipas të gjitha gjasave, prognoza ime është se do të shkohet në drejtim të një zgjidhjeje speciale, qoftë ajo autonomi e tipit katalonas, Tiroli, e kështu me radhë. Do të thotë, do të jenë kombinime, të cilat pritet të vijnë në konsideratë”. “Gjithsesi, mendoj se pala serbe do të jetë shumë më e mobilizuar, ndërkaq, si duket, pala kosovare po mendon se e ka përfunduar një çështje, e cila, sipas mendimit tim, është vetëm në fillim”, thotë Beqaj. Analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e sigurisë vlerësojnë se çështja e zgjidhjes së problemeve në veri të vendit dhe integrimi i kësaj pjese do të kërkojnë mjaft kohë – sipas tyre, ndoshta edhe vite.

Zhbllokimi i rrugëve që të çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31 nuk është përgjegjësi e autoriteteve kosovare të policisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë për Top Channel tha se kjo është përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it dhe për këtë aktualisht nuk ka ndonjë plan. “Përsa i përket barrikadave, përsëris se kjo mbetet përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it, por nëse kërkohet edhe përfshirja e policisë sonë nuk ka problem. Ata kanë rrugë alternative për furnizim, por nëse bëhen pengesë për KFOR-in barrikadat do të hiqen”, shprehet Rexhepi. Në këtë situatë, pa ndonjë plan për mundësimin e lëvizjes së lirë, ministri ftoi qytetarët serbë që në vend që të qëndrojnë në barrikada të fillojnë përgatitjet për sezonin e vjeshtës dhe dimrit.



 “Është më mirë që ata serbë që rrinë në barrikada të përgatiten për vjeshtën e dimrin se sa të qëndrojnë aty, por kjo është çështja e tyre”, shtoi ministri. Ministri mohoi informacionet se doganierët serbë kanë refuzuar të shkojnë në pikën 1 dhe 31, por nëse kjo ndodh ai ka një porosi për ta: “Nëse ata pengohen nga barrikadat duhet të lajmërojnë, por nëse refuzojnë të kthehen në punë do të shkarkohen nga detyra”. Ministri Rexhepi përjashtoi mundësinë që një gjë e tillë mund ta bëjë veriun pjesë të bisedimeve me Serbinë: “Kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk do të ketë bisedime me Serbinë”. Ndërsa se çfarë detyre po kryejnë aktualisht doganierët kosovarë në dy pikat që janë jashtë funksioni, këtë e sqaroi drejtuesi i tyre për rajonin e Mitrovicës, Ekrem Grabanica.


“Ndërrimi i doganierëve bëhet çdo 24 orë për momentin. Të shohim në vazhdim si do të procedohet. Nëse paraqiten mallra për zhdoganim, doganierët tanë janë të gatshëm të kryejnë punën e tyre”, deklaron Grabanica. Situata e sigurisë mbetet e tensionuar në veri të Kosovës, ku herë pas here gjatë mbrëmjes së të shtunës dëgjoheshin të shtëna armësh, të cilat policia nuk mund t’i lokalizonte. Mbi urën kryesore të lumit Ibër herë pas here shtohen masat e sigurisë.  

 Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë për qetësi dhe përmbajtje.

"U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë me përgjegjësi", ka thënë ministri i Jashtëm lituanez, Audronius Azubalis, i cili aktualisht kryeson OSBE-në.

"Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe të përgjegjshme, me anë të dialogut të kryesuar nga BE-ja. Mbrojtja dhe siguria e njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, duhet të jenë prioritet i lartë", ka thënë Azubalis.

Doganierë dhe policë të Kosovës e të EULEX-it janë dërguar sot me helikopterë të KFOR-it në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ndërkohë që serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë.  

 Autoritetet e Kosovës i janë përgjigjur të shtunën negativisht kërkesës së Serbisë për ta bërë temë dialogu çështjen e funksionimit të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Qëndrimi i përsëritur është: nuk do të diskutohet me askënd për rregullimin e brendshëm shtetëror. [Image]
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që është shefe e delegacionit kosovar në dialogun me Serbinë, i ka thënë  se çështja e shkëmbit të mallrave me fqinjin verior është kryer më 2 shtator 2011, kur është arritur marrëveshja për njohjen e vulave të doganave.

“(Për pikëkalimet kufitare) as që kemi biseduar më herët, as nuk do të diskutojmë, sepse marrëveshja për tregtinë e lirë zbatohet nga shtetet në mënyrë të veçantë”, ka thënë ajo.

“Ekzistojnë rregullat e BE-së për këtë çështje. Ne po i zbatojmë këto rregulla dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Për shefin e delegacionit të Serbisë në këtë dialog, Borislav Stefanovic, ajo ka shprehur bindjen se nuk është duke i kontribuuar dialogut kur po hyn dhe qëndron në Kosovë në mënyrë ilegale.

“Sa i takon cenimit të serishëm të sovranitetit nga ana e z. Stefanovic me hyrjen e tij ilegale në Kosovë, porosia ime është që këto janë politika donkishoteske”, ka thënë Tahiri.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe mirë do të ishte që politika zyrtare e Serbisë më shpejtë ta kuptonte këtë realitet, si dhe t’i kontribuonte këtij dialogu teknik në Bruksel, sepse do të kontribuonin për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e të dyja vendeve në BE”.  

 Përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë kanë përshëndetur vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, me mbështetje të EULEX-it dhe KFOR-it.
Në takimin e Komitetit të Sigurisë, që u mbajt të shtunën, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, ka thënë se vendosja e policisë dhe doganierëve të Republikës së Kosovës në pikat kufitare në veri, është shumë e rëndësishme për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se me këtë do të krijohen rrethanat për kthimin e normalitetit në veri. Haziri ka kërkuar nga strukturat e sigurisë që të marrin masa për largimin bllokadave rrugore, që, sipas tij, kanë vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit.  

Pas një stagnimi dhjetëvjeçar për shkak të kundërshtimeve të serbëve lokalë, janë bërë hapa të dukshëm në rikthimin e shqiptarëve në veri të Mtirovicës.

Vetëm në dy vitet e fundit, komuna e Mitrovicës mëbështetur nga qeveria e Kosovës, ka ndërtuar deri tani në lagjet e banuara me shqiptarë 100 shtëpi. Kroi i Vitakut është njëra ndër lagjet, në të cilën pas dhjetë vjetësh qëndrimi bosh janë rikthyer dhjetëra familje.

Një faqe kodrinore me shtëpi të reja numri i të cilave shtohet përditë, është Lagja Kroi i Vitakut në veri të  Mitrovicës. Ndërsa hapësira 13 arëshe prej së cilës qyteti i Mitrovicës shihet si në shuplake, është prona e Halil Mehmetit, baba i shtatë fëmijëve, i cili mbi themelet e vjetra ka ndërtuar shtëpinë e re.

"Me ta fal krejt botën, sikur n´shpi tonë nuk je i lirë kurrkund. Send i huaj, mo. Nesër vjen e t´qet në rrugë!”, thotë z.Mehmeti, në shtëpinë e të cilit pas dhjetë vjetësh jete si qiraxhi, ogjaku tymon sërish.

Por, kjo ndodhi pas sfidave dhetëvjeçare, thotë z.Mehmeti, në të djathtë të shtëpisë së të cilit një ndërtesë kolektive serbe është ndërtua mbi themelet e shtëpise së fqinjit të tij shqiptar. “Kena jetu me qira kah kena mujt, nëpër krejt Kosovë. Dhjetë vjet kahmos, nëpër podrume, nëpër shatorra, çka kena hjek, Allahu baftë me rahmet. Veç ktu e knena ishalla bahet mirë!”, rrëfen z.Mehmeti.

Për shkak të kundërshtimeve të kthimit të shqiptarëve në veri nga ana e serbëve lokalë, procesi i rindërtimit në Kroin e Vitakut që nga fillimi është përcjellë me incidente. Rindërtimi vazhdoi nën prezencën e autoriteteve të shtuara të rendit,  përderisa reaguan edhe institucione ndërkombëtare.

Halil Mehmeti ka provuar në lëkurë kotësinë e tentimeve dhjëtëvjeçare për kthim në pronën e tij: “S´kena mujt me u kthy...S´na lejshin serbët. S´dojshin me na pa me sy! Na thojshin: “S´domë me iu pa ksajde hiç. Prej Urës së Ibrit e knej asht Serbi”.

Na gjujshin me armë kur vishim e dy tri herë edhe janë plagu gjinja. Serbt s´na lejshin, kta t´jashmit neve s´na nimojshin, po t´kallxoj drejt e ner sy ju thom”, thotë z.Mehmeti, përderisa opinioni kujton ende këmbënguljen e bashkëfshatarit të tij, Ali Kadriut, i cili pas dëbimit të vazhdueshëm nga prona e tij edhe me armë zjarri, nuk iu nda rindërtimit të shtëpisë deri në përfundimin e saj.

Deri para dy- tri vitesh nuk u bë ndonjë hap për rikthimin e shqiptarëve në veri. Megjithëse me hapa të ngadalshëm, procesi i rindërtimit dhe kthimi tashmë po vazhdon dhe komuna e mbështetur nga qeveria ka rindërtuar 100 shtëpi.      

 85 mijë e 776 është numri i banorëve të komunës së Mitrovicës. Ky numër shumë shpejt do të bëhet publik nga Enti i Statistikave të Kosovës.

Në fund të qershorit, Enti Statistikor i Kosovës bëri publike rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, ndërsa për Mitrovicën u bënë publike të dhënat vetëm për pjesën jugore, që kishte 71 mijë banorë, ndërsa në veri regjistruesit nuk kishin shkelur kurrë.

Numri prej 14 mijë banorëve të minoritetit serb, që llogaritet të jenë në veri të Mitrovicës, ka dalë nga një hulumtim i kryer nga organizata ndërkombëtare DFID, mbështetur nga Banka Botërore dhe në bashkëpunim me ESK-në...

Të dhënat e këtij hulumtimi të vitit 2008, sipas Rrahman Tarës, nga Enti i Statistikave të Kosovës, do të futen në rezultatet preliminare, pasi përputhen me rezultatet e regjistrimit të vitit 2011.  Sipas Tarës, këto të dhëna të nxjerra nga ky hulumtim ka indikacione që do të pranohen edhe nga EUROSTAT-i.

Enti i Statistikave të Kosovës shumë shpejt do të nxjerrë rezultatet preliminare të plotësuara edhe për komunat e tjera, që janë plotësuar me të dhënat e këtij hulumtimi.

Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Shërbimeve Publike, në mandatin e së cilës nisi ky proces, vlerëson se ka tendencë të ndërkombëtarëve për fryrjen e numrit të minoriteteve në vend. Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë se ky proces i rëndësishëm ka dështuar, ndërsa për rezultatet që do të përdoren për veriun, Melihate Tërmkolli thotë se janë të paligjshme. Eksperimente të tilla, sipas Tërmkollit, do të na kushtojnë në të ardhmen dhe vështirë do të jenë të shfrytëzueshme për planifikime socio-ekonomike.

Pas përfundimit të regjistrimit dhe shpalljes të rezultateve preliminare, as autoriteti evropian për regjistrim të popullsisë EUROSTAT, me standarde të së cilit është bërë procesi në vend, nuk ka dhënë fare vlerësim për procesin në Kosovë. 

“Nuk lëviz nga shtëpia ime dhe nga vendi im”, thotë i vendosur shqiptari Tahir Kelmendi në fshatin Kelmend të komunës së Zveçanit, i cili bashkë me familjen jeton jo larg njërës prej barrikadave të serbëve që kanë bllokuar rrugët në veriun e Kosovës.

Kjo familje, anëtarët e së cilës nuk kanë lëvizur asnjëherë nga shtëpia e tyre edhe pse po u bllokohet rruga, është vizituar sot nga zyrtarë të komunës së Mitrovicës, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i shoqëruar nga Kushtrim Shyti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës, të cilët janë interesuar për problemet e saj.

Drejtori Bala ka shprehur respektin për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët, megjithë shqetësimet për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre, nuk janë zhvendosur prej atje. Ai tha se pushteti lokal, në bashkëpunim me atë qendror, do të ofrojnë gjithë mbështetjen për të dhe të gjithë qytetarët që jetojnë në veri.

Ai ka vlerësuar qëndrimin e qytetarëve të veriut, të cilët, ashtu si gjithë vitet e pasluftës edhe këto ditë, kanë treguar një nivel të lartë të përgjegjësisë. “Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të dalë në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”, tha Bala.

Ai theksoi se bllokadat e rrugëve, sikur ajo që është ngritur në afërsi të rrugës që lidh fshatrat e banuara me shqiptarë, Kelmend, Boletin dhe Zhazhë, ka krijuar probleme për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri. “Me probleme të tilla ballafaqohen që rreth dy muaj shqiptarët që jetojnë në tre fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit”, tregon Bala.

Ndërsa Tahir Kelmendi falënderoi zyrtarët komunalë për vizitën dhe bëri të ditur se ai nuk ka kurrfarë nevoje për kurrfarë ndihme, përveç rregullimit të një distance të shkurtër të rrugës që e lidh me fshatin Boletin, të cilën e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga në Rudare.

Kelmendi tregoi se kur nuk ka probleme, vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare. “Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por pos ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telash të madh. Tash e kanë bllokuar rrugën dhe s’mundemi të lëvizim andej”, tha ai.

Kelmendi tregon se nuk ka fqinj shqiptarë afër, por thotë se nuk ka menduar kurrë të largohet nga shtëpia e tij. “Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk kam ndërmend të lëviz. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”, shprehet kryefamiljari që jeton afër barrikadës serbe, duke treguar historinë e shtëpisë së tij.

“E kam ndërtuar në vitin 1981, atëherë kur rrethanat kanë qenë të rënda. Edhe atëherë kam pasur pengesa nga serbët, të cilët kundërshtonin ndërtimin e shtëpisë sime në këtë vend, në tokën time, pronën time”, thotë ai.

Kelmendi tregon se në luftë serbët ia kishin vrarë një vëlla, ndërsa një problem tjetër me të cilin është ballafaquar gjatë gjithë jetës është një djalë i tij, të cilin ia kishin verbuar në të dy sytë në kohën kur ishte ushtar në ish-ushtrinë jugosllave. “Ka qenë një tronditje e madhe për të dhe për ne. Ka shkuar i shëndoshë dhe është kthyer i verbër”.


I ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka thënë se “Beogradi nuk guxon dhe nuk mund të jetë për politikën deri në Ibër dhe prej Ibrit, por të jetë konsistente në tërë territorin e Kosovës”.

“Gabimi është te ne dhe te pushteti, por edhe te partitë opozitare që në Beograd flitet pak për serbët në jug të Ibrit”, ka thënë Ivanoviq për ditoren e “Dnevnik."
Ai madje çuditet pse “janë pasiv serbët që jetojnë në jug të Ibrit”.

“Në këtë situatë është e pashpjegueshme pse janë pasiv. Ndërsa është shumë me rëndësi që ata qartë dhe zëshëm të deklarohen, të tregojnë çka mendojnë, se është me rëndësi të kuptojnë se nëse bie veri, edhe mbijetesa e tyre do të jetë e paqartë”.

Sipas tij, Kosova bëhet temë vetëm gjatë zgjedhjeve në Serbi dhe kur atje diçka “e keqe ndodhë”.

“Është një praktikë e keqe që ekziston me vite dhe për të cilën te një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare ekziston perceptimi se Beogradit nuk ia ndien shumë për Kosovën. Prandaj, është e domosdoshme një përgjigje strategjike e pushtetit dhe opozitës për Kosovën”.

 

2011/09/18

Serbët planifikojnë sulme me nitroglicerinë?

 

  • Dy maune me nitroglicerinë janë fshehur nga grupet kriminale serbe në ish-uzinën ushtarake në veri të Mitrovicës. 

    Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, këto dy maune të premten janë sjellë nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve alternative. Grupet kriminale autobotet i kanë marrë nën kontroll dhe i kanë vendosur në ish–bazën ushtarake të ish–Jugosllavisë ku janë të vendosur edhe mbi 40 serbë të armatosur. 

    Autobotet kanë targa të qytetit të Pançevës së Serbisë. 

    Sipas burimeve, grupet kriminale këtë material tepër të rrezikshëm kanë ndër mend ta përdorin kundër konvojeve të KFOR-it si dhe atyre të Policisë së Kosovës nëse këta hynë në veri të Mitrovicës. 

    Portali “LajmeShqip” ka raportuar dje se pas orës 18:00 është zhvilluar një takim midis kryetarit të të ashtuquajturës Komuna Veriore e Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, dhe kriminelit të njohur të veriut, Zvonko Veselinoviq, për të marrë udhëzime për veprime të mëtejme. 

    Portali raportonte se autobotet janë fshehur në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve të banuar me shqiptarë.

Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi kërkojnë ndaljen e Serbisë

 

  • Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, gjatë një takimi në Nju Jork me delegacionin shtetërore të Kosovës, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.

    Delegacioni shtetëror i Kosovës, në përbërje të të cilit janë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, janë takuar të dielën në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend, pas vendosjes së policëve dhe doganierëve në dy pikat kufitare në veri.

    Në këtë takim delegacioni shtetëror i Kosovës ka informuar numrin një të Kombeve të Bashkuara në lidhje me dërgimin e doganierëve dhe policëve në veri, i cili është bërë në bashkëveprim me EULEX-in dhe KFOR-in, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

    Me këtë rast delegacioni shtetëror i Kosovës kërkoi nga Ban Ki-Mun përkrahjen e tij ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri, si dhe kërkuan që të bëjë presion ndaj Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri.

    Nga ana e tij Ban Ki-Mun i dha mbështetje procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën dhe njëherësh kërkoi nga ta që ta ruajnë rendin dhe qetësinë, të jenë konstruktiv dhe të vazhdojnë dialogun me Beogradin për çështje praktike, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Ndryshe, delegacioni shtetëror i Kosovës ka udhëtuar dje për në SHBA, gjatë së cilës do të kenë një varg takimesh bilaterale me liderët e vendeve të ndryshme gjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ve si dhe me udhëheqës të lartë amerikanë.

Hashim Thaçit i shtohen “armiqtë”nga Partia Demokratike e Kosovës

 

  •  Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nevojë që të reformohet, të ecë në hap me kohën dhe të tregohet e përgjegjshme si në raport me strukturat e saj udhëheqëse, gjithashtu edhe me qytetarin e vendit.

    Vendimet që merr krye në vete kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, duhet të zhvendosen aty ku e kanë vendin – në organet e partisë, ku do të kontribuonte fuqishëm e gjithë kryesia e partisë.

    Kështu mendon sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili gjatë një prononcimi për “Zërin” ka thënë se është i përqendruar dhe do të përqendrohet çdoherë që ta ndryshojë gjendjen e brendshme në këtë subjekt politik.

    “Në të ardhmen e afërt të gjitha angazhimet e mia dhe përpjekjet (do të jenë) për ta reformuar partinë, për ta bërë një subjekt politik të përgjegjshëm, për të qenë në shërbim të vendit dhe atdheut, do të publikohen”, ka thënë ai.

    Njëri nga figurat kryesore të partisë më të madhe në vend thotë se mënyra se si merren vendimet në këtë parti nuk është demokratike.

    “Vendimmarrja jo gjithherë është në organet e duhura, prandaj edhe angazhimi im ka qenë dhe vazhdon të mbetet që vendimmarrja të mbetet në organet e partisë, në organet që kanë dalë nga një kongres ose kuvend i partisë, organe që parashihen me statutin e Partisë Demokratike dhe natyrisht ta respektojmë edhe programin e partisë, një program dhe një statut që janë të miratuara nga kuvendet e saj”, është shprehur ai.

    Sekretari Krasniqi, nuk është i vetmi person në këtë subjekt politik që mendon se partia më e madhe në vend duhet t’i hapë dyert ndaj reformave.

    Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Hydajet Hyseni, thotë se të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të reformohen. 

Dosjet sekrete ne “Wikileaks”,

Që nga publikimi i dosjeve sekrete të “Wikileaks”, mediat dhe opinioni publik shqiptar janë të ndara: në ato që i konsiderojnë të vërteta dhe në ato që mendojnë se janë thjesht përmbledhje të shtypit të përditshëm dhe një burim informacioni i pabesueshëm.

Që nga publikimi i dosjeve sekrete të “Wikileaks”, mediat dhe opinioni publik shqiptar janë të ndara: në ato që i konsiderojnë të vërteta dhe në ato që mendojnë se janë thjesht përmbledhje të shtypit të përditshëm dhe një burim informacioni i pabesueshëm. Menjëherë pas përfundimit të seancës së parë parlamentare për sesionin e ri, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e sqaroi më së miri këtë dualitet opinioni, duke theksuar se këto dosje janë të paligjshme, por opinioni publik mund të arrijë në konkluzionet e veta mbi përmbajtjen e këtyre dosjeve. Kjo deklaratë e ambasadorit amerikan ishte anticipuar nga forcat politike dhe grupimet brenda tyre ndaj nisën luftën mediatike për t’i diktuar opinionit publik se cila parti apo figurë politike dilte më e njollosura në kabllogramet e Ambasadës amerikane. Propaganduesit nisën betejën për të njollosur figura të caktuara, duke mbuluar mëkatet e disa të tjerëve. Shumë kabllograme nisën të publikohen pjesërisht, duke u përdorur jashtë kontekstit, duke sulmuar figura të caktuara në mënyrën më tendencioze të mundshme. Nofkat ‘spiun’ apo ‘informator’, si etiketime ndaj disa emrave të përmendur në kabllograme, u kritikua edhe nga ambasadori Arvizu, i cili u bëri apel zyrave propagandistike të mos përdornin nofka të tilla, të cilat të kujtojnë ish-Sigurimin e Shtetit. Në të shumtën e kabllogrameve të publikuara përmenden shumë emra, të cilët i transmetojnë Ambasadës amerikane qëndrimin e partisë së tyre, ose në audiencë më të ngushtë, mendimin e tyre personal. Në shumë kabllograme shkruhet se: sipas Kastriot Islamit... sipas Ilir Rusmalit... sipas Vasilika Hysit... sipas Eglantina Gjermenit... sipas Gjergj Bojaxhiut... sipas Mero Bazes... sipas Ben Blushit... sipas Pandeli Majkos... Erion Veliajt... sipas Bamir Topit... e shumë emra të tjerë të njohur. Nëse të gjithë këta emra, dhe të tjerë, të përdorur në kabllograme do të ishin ‘spiunë’, kjo do të thotë që i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare është tradhtare ndaj atdheut. Ky nonsens propagandistik shiti disa gazeta, por mori kritika nga përfaqësuesi në Shqipëri i vëllait tonë të madh amerikan që vazhdon ta ndjekë situatën në vend në detajet më të vogla. Manipulimet propagandistike, të përdorura kundër apo në avantazh të disa individëve të caktuar janë shndërruar në truke amatoreske dhe të turpshme. Nëse dikush i lexon të gjitha kabllogramet në anglisht në faqen e “Wikileaks” (këtu mund t’i gjeni të gjitha http://wikileaks.org/origin/39_7. html) ato duket se japin një pasqyrë tjetër nga ajo që na serviret në media. Këto dokumente nxijnë tërësisht imazhin e politikës sonë si majtas edhe djathtas, si qeverinë edhe opozitën, si presidentin edhe parlamentin, ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin. Ndaj, për ata që i konsiderojnë të pavërteta le ta bindin opinionin publik me transparencë të plotë për të gjitha politikat e ndërmarra deri tani dhe punën që do të bëjnë në vazhdim, dhe, për ata që i konsiderojnë të vërteta le të mos interpretojnë pjesëza të kabllogrameve, ku përmendet kundërshtari, por le të pranojnë si të vërteta edhe kabllogramet ku njolloset figura e tyre ose e partisë apo institucionit që përfaqësojnë. Teksa i lexon kabllogramet të bën çudi sesi mbahen në hije nga disa media të caktuara kabllogramet si: 09TIRANA511 me titull “Lëvizje brenda PS përpara takimit”, ku komentohet për bojkotin e opozitës dhe frikën që ka SHBA-ja se një bojkot do dëmtonte rëndë PS-në dhe Shqipërinë. Kabllogrami 09TIRANA351 me titull “Nga shoqëria civile në politikë”, e cila ngre pyetje mbi katapultizimin e disa figurave të shoqërisë civile në listat e deputetëve. Kabllogrami 09TIRANA537 me titull “Çfarë ndodhi me G-99-n?”, ku shkruhet për dështimin e partisë të drejtuar nga Erion Veliaj. Kabllogrami 10TIRANA65, në të cilën Presidenti Topi e përshkruan mazhorancën si uzurpuese institucionesh, ndërsa opozitën si e paaftë për të bërë opozitë profesionale, e cila me mungesën e saj në Parlament ka penguar shumë reforma të rëndësishme për vendin. Disa kabllograme të anashkaluara nga zyrat propagandistike politike janë: 08TIRANA 314, 08TIRANA823, 09TIRANA164 dhe 09TIRANA637, të cilat komentojnë për figurën politike të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, dhe përpjekjet e tij për të ndaluar ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Këto kabllograme, të analizuara në ditët e sotme, tregojnë se Ilir Meta kishte pasur të drejtë në përpjekjet e tij dhe grevën e urisë që organizoi brenda Parlamentit për të ndaluar manovrat e koalicionit momental PD-PS për të eliminuar partitë e vogla, ndaj dy partitë e mëdha i detyrohen një apologji publike. Gjithashtu në këto kabllograme përshkruhet imazhi politik dhe aftësia menaxhuese e Metës, i cili sipas kabllogramit, “ndonëse u dëmtua rëndë nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor, arriti të rikthehet në mënyrë impresionuese”, dhe pas marrjes së detyrës si ministër i Jashtëm, përshkruhet nga ambasadori Withers si menaxher i mirë, politikan këmbëngulës, i cili do të ndiqte linjën e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave. Të vërtetat e pathëna të “Wikileaks” kanë të bëjnë edhe me akuzat ndaj Kryeministrit. Në fakt, nëse opozita i konsideron të vërteta kabllogramet, sidomos ato të cilat flasin për uzurpimet e institucioneve nga kreu i ekzekutivit, po në këto dosje shkruhet se kreu i opozitës ka të njëjtin stil autoritarist si kryeministri, që do të thotë se opozita po akuzon kryeministrin dhe veten me të njëjtën armë. Cilido që u beson disa të vërtetave të selektuara të “Wikileaks” dhe ëndërron largimin e Berishës dhe ardhjen e Ramës si një lider me parime dhe metoda të reja drejtuese, le të lexojë kabllogramin 09TIRANA453 të datës 08/07/2009, ku ambasadori Withers komenton mbi ngjashmëritë e frikshme që Rama dhe Berisha kanë me njëri-tjetrin. Nga ky kabllogram shkëpusim: ‘5 (C). Në takime të veçanta, Baze dhe Pandeli Majko e përshkruajnë Ramën plotësisht si Berisha, por me disa ndryshime. Rama, si Berisha, merr vendime politike pa u konsultuar me drejtuesit e PS... Shumë kontakte me ambasadën konfirmojnë se tendenca e Ramës për të marrë gjithçka për vete e bën atë një drejtues të egër dhe kapriçioz....’ Ambasadori e mbyll kabllogramin me titullin “Ndoshta, fundja ne nuk dallojmë nga njëri-tjetri”, duke iu referuar ngjashmërisë Rama – Berisha. Në të ai shkruan komentet e tij përmbyllëse: “Sigurisht që ngjashmëria shqetësuese midis stilit drejtues së Ramës dhe Berishës është një frymë autoritariste që i karakterizon këta dy burra. Rama dhe Berisha bashkëpunuan për një vit e gjysmë për të zvogëluar pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjyqësorit. Si Rama ashtu edhe Berisha njihen nga partitë respektive si maniakë kontrollues, të cilët u dërgonin sms kandidatëve gjatë debateve televizive ‘live’ duke i dërguar pikat që duhet të diskutonin dhe udhëzimet. Përpjekjet e Berishës për të zvogëluar pushtetin e institucioneve të pavarura do riafirmohen me mandatin e tij të dytë... dhe tendenca e Ramës për ta përqendruar vendimmarrjen në duart e tij, sugjeron se ai do të vazhdojë të ngulmojë në dobësimin e institucioneve të pavarura nëse këto institucione do të sfidojnë autoritetin e tij. Thuhet se media është gogoli i Ramës. Pavarësisht se kush përfundon të qeverisë vendin kur Parlamenti të mblidhet në vjeshtë, institucionet apolitike dhe media e lirë do të vazhdojnë ta gjejnë veten nën presionin politik. WITHERS.” Ambasadori Arvizu i bëri apel politikës të bashkëpunojë për të ardhmen e vendit, sikurse u bëri apel propaganduesve politikë dhe manipulatorëve mediatikë të mos sillen si ish-Sigurimi i Shtetit duke sajuar histori spiunësh dhe përralla të bazuara mbi pjesëza të së vërtetës. Opinioni publik, si ata që mund të përdorin internetin apo kuptojnë anglisht, si ata që nuk kanë mundësi t’i lexojnë vetë kabllogramet e “Wikileaks”, ka të drejtën të mirinformohet dhe të mos u censurohet informacioni, në mënyrë që të arrijë në konkluzionet e veta, e më pas këtë konkluzion ta tregojë me votë kundër apo pro figurave politike të përmendura në kabllograme. Thuhet se e vërteta do të na çlirojë, por nëse popullit i serviren shumë versione të së vërtetës, ne nuk do të çlirohemi kurrë prej pengmarrjes politike, por do të prangosemi edhe më shumë në vitet dhe dekadat në vazhdim

Letërsia për fëmijë, niveli artistik i autorëve kushtëzon botimet

 

b_95_75_16777215_0___images_5KULTURE_letersia-femije.gifLetërsia për fëmijë dhe të rinj po ndeshet vitet e fundit me një sërë problemesh, sa i përket prurjeve letrare, mungesës së drejtë të përkthimit të saj në gjuhën shqipe etj. Në stendat e librarive sot shikojmë shumë botime, por sipas autorëve shqiptarë, letërsia e sotme për fëmijë ka probleme të cilat vijnë në radhë të parë nga numri i pakët i shkrimtarëve që shkruajnë për fëmijë, në ndryshim nga disa vite të shkuara, kur u krijua një grup shkrimtarësh të talentuar. Pandeli Koçi i njohur për botimet e tij në këtë fushë, tregon se në mungesë të një kritike letrare, që ndjek krijimtarinë për fëmijë,
është e vështirë të japësh një mendim sadopak objektiv, edhe pse mund të kesh lexuar një pjesë të konsiderueshme librash. “Jam i mendimit se në këta 20 vjet të tranzicionit demokratik (për të mos thënë dramatik), letërsia për fëmijë është krijuar nga shkrimtarët duke mos e pasur më të detyruar realizmin socialist, çka ka sjellë natyrshëm heqjen e skemave dhe lirimin e fantazisë krijuese të autorëve, çideologjizmin e shpolitizimin e letërsisë. Ky proces ende i papërfunduar, ka ngritur dukshëm cilësinë artistike të veprave, por problemi qëndron në nxjerrjen në pah të vlerave e antivlerave”, tregon shkrimtari. Sipas tij, sot boton gjithkush, pavarësisht se sa i përgjigjen këto botime qoftë dhe nivelit mesatar të letërsisë aktuale. “Nuk është kurrfarë paradoksi që dikush, që ka mundësi monetare dhe boton seri me libra, ai ka dhe aftësitë për reklamimin, tregtimin e mbivlerësimin e librave të tij. Por duke ia lënë kritikës së heshtjes librat pa vlera ose me vlera të dyshimta artistike, mund të themi pa hezitim dhe pa optimizëm të tepruar se letërsia jonë për fëmijë ka pasur e ka vepra që i përgjigjen denjësisht nivelit të letërsisë së huaj më të mirë për fëmijë”, pohon ai. Mes këtyre problemeve, që has sot letërsia, emra të tjerë të botimeve për fëmijë tregojnë se ngritja e nivelit artistik nga vetë autorët për fëmijë kushtëzohet nga talenti, kultura, dijet e përgjegjësia e tyre krijuese. Përballë këtij fakti, shumë botues pohojnë se letërsia për fëmijë duhet të krijohet nga autorë shqiptarë edhe për faktin se koncepti dhe botëkuptimi i tyre është më pranë botës shqiptare në ndryshim nga librat e autorëve të përkthyer, që nuk shqipërohen cilësisht.
Balet rus, në sezonin artistik të teatrit “Migjeni”
Një grup studentësh nga Shën Peterburgu (Rusi) çelën sezonin e ri artistik në teatrin "Migjeni", të qytetit të Shkodrës. Shfaqja, e cila erdhi në kuadrin e javës së kulturës ruse në Shqipëri bazohet mbi motive tradicionale ruse, duke përcjellë në të njëjtën kohë edhe mesazhin e lidhjes midis dy popujve. Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni u shpreh se këtë sezon janë programuar dhe të tjera aktivitete artistike dhe kulturore. Ai pohoi se në prag të 100 vjetorit të lindjes së Migjenit, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për një mbrëmje poetike, me pjesët më të mira të Migjenit, me regji të aktorit të mirënjohur Bruno Shllaku. Drejtori i “Migjenit” gjithashtu tregon se ka filluar puna për vënien në skenë të një drame të autorit Fadil Kraja, e cila do të ngjitet në skenë në 80 vjetorin e lindjes së tij. Vepra do të jetë me regji të Fatbardh Smajës, ndërsa ky aktivitet pritet të shoqërohet edhe me një nderim të vetë dramaturgut Kraja. Ndërkohë, është programuar të rikthehet në skenë sërishmi “Big Brother Shkodra”, komedia e cila muaj më parë shënoi suksesin më të madh të viteve të fundit në këtë skenë.
“Amnistia” rikthehet në Tiranë
Filmi “Amnistia” me regji nga Bujar Alimani vjen sërish në Tiranë. Në festivalin “Human Right International Film Festival”, që do të zhvillohet në datë 26 shtator do të vijë sërish historia e Alimanit, por do të jetë dhe në 30 shtator në festivalin “PrimFilmFest” në Kosovë. Filmi i parë artistik i regjisorit Bujar Alimani vjen pas një suksesi në Festivalin e Filmit në Berlin dhe në Festivalin e 12-të të Filmit në Leçe, ku mori çmimin "Cineuropa". Regjisori është shprehur për suksesin që ka pasur ky film, se ne këtë dramë ai ka shfaqur realitetin shqiptar. Në këtë film, trajtohet një histori dashurie mes dy njerëzve të cilët duhet të përballen me probleme të mprehta sociale. Dy personazhet rreken të gjejnë vetveten në një lidhje jashtëmartesore, ky një veprim i pamoralshëm prej shoqërisë. Xhirimet janë realizuar mes Tiranës dhe Pogradecit. Filmi vjen nën interpretimin e aktorëve Luli Bitri, Karafil Shenës, Todi Lupi, Mirela Naskës etj. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnerë Greqinë dhe Francën.

Alfred Moisiu: Kushtetuesja riktheu moralin dhe të drejtën e nëpërkëmbur


nga Artemisa HOXHA

Politika shqiptare ka reaguar ditën e djeshme pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të disa neneve të ligjit të Gjendjes Civile, që i hapnin rrugë manipulimit të popullsisë. Ata e kanë konsideruar këtë vendimin si më të drejtin që mund të jepej për shqiptarët, ndërkohë që duke pritur arsyetimin ligjor të këtij vendimi, ata në të njëjtën kohë kanë kërkuar pezullimin e regjistrimit të popullsisë. Në një prononcim për gazetën “Sot”, ish kreu i shtetit Alfred Moisiu, theksoi se Gjykata Kushtetuesi rivendosi një të drejtë të nëpërkëmbur. “Vendimi ishte i drejtë. Kushtetuesja vendosi në fund të fundit në vendin e vet një të drejtë kushtetuese të nëpërkëmbur”, është shprehur Moisiu. Ndërkohë që pak kohë më parë Moisiu ka reaguar dhe lidhur me censusin e popullsisë, duke theksuar se mënyra e regjistrimit është një goditje morale që  i bëhet kombit shqiptar dhe sipas tij këtë goditje nuk mund t`ia japë shteti i vetë. “Problemi komb dhe kombësi nuk parashikohet fare në Kushtetutë. Kushtetuta pranon vetëm shtetësi. Unë nuk e di se ku janë bazuar ata që kanë hartuar ketë formular. Nuk e di nëse kjo është bërë nga mosdija nga keqdashja. Ajo që mund të them është se ai formular duhet korrigjuar dhe kjo punë duhet parë seriozisht”, është shprehur Moisiu.
Meksi
Lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese ka reaguar dhe opozita, e cila ka mbrojtur këtë çështje. Në një prononcim për gazetën”Sot”, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi ka deklaruar se ky vendim në të vërtetë është përgjigje e një kërkese që ka mjaft sensibilitet për shqiptarët. “Kjo ishte një përgjigje e një kërkese që ka sensibilitet”, është shprehur Meksi. Ndër të tjera duke respektuar vendimet e dhëna nga ky institucion i lartë, deputetja socialiste ka nënvizuar se ky vendim i fundit i Kushtetueses tashmë mbetet vetëm për t`u zbatuar. “Derisa këtë vendim e ka dhënë një institucion siç është Gjykata Kushtetuese, ky vendim duhet respektuar nga të gjithë dhe nuk ka më vlerë të diskutohet”, është shprehur më tej Meksi. Ndërsa deputetë dhe juristë të tjerë të PS po presin arsyetimin ligjor të kësaj gjykate, për të gjykuar me baza ligjore këtë vendim.
Shehu
Ndërkohë që zëra pro këtij vendimi të dhënë nga Kushtetuesja dhe me shumë rëndësi për popullsinë shqiptare, kanë dalë dhe brenda kampit të djathtë. Për gazetën “Sot”, deputeti Tritan Shehu është shprehur se ai ka qenë gjithmonë kundër regjistrimit të kombësisë në gjendjen civile. Shehu ka bërë të ditur qëndrimin e tij për regjistrimin vetëm për përcaktimin e shtetësisë dhe jo atë të kombësisë. “Unë kam qenë gjithnjë për regjistrimin vetëm të shtetësisë në gjendjen civile dhe jo atë të kombësisë, siç u kërkua nga disa. Mendoj që vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese ishte i drejtë”, është shprehur deputeti i mazhorancës.
BE: Regjistrimi i popullsisë, i rëndësishëm për statistika
Bashkimi Evropian e konsideroi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, si të domosdoshëm dhe deklaroi se pikërisht për këtë arsye ka qenë mbështetësi kryesor edhe në anën financiare i këtij projekti. Përfaqësuesi i delegacionit të BE, Francois Begeot ka theksuar se BE ka dhënë një ndihmë të madhe për këtë proces, i cili mendohet se do të përmirësojë statistikat zyrtare të Shqipërisë. “Censusi duhet parë si një operacion kritik dhe shumë i rëndësishëm dhe që do të ndihmojë INSTAT të krijojë një sistem statistikor të besueshëm sepse statistikat që kanë të bëjnë me popullsinë janë më të rëndësishmet për një vend. Ne kemi dhënë një ndihmë konstante ndaj këtij procesi, sepse ne besojmë që përmirësimi i statistikave zyrtare është një garanci për demokracinë dhe një input i rëndësishëm për të patur një menaxhim të mirë të vendit dhe që ndihmon”, është shprehur Begeot. Ndër të tjera ai ka pohuar se përmirësimi i statistikave zyrtare është një garanci për demokracinë dhe një input i rëndësishëm për të patur një menaxhim të mirë të vendit dhe që ndihmon rritjen ekonomike. Ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila në themel të misionit të saj ka zhvillimin human thotë se një pasqyrë e qartë të dhënash do të lehtësonte ndihmën ndaj shtresave në nevojë dhe politikat për sektorët kyç. “Censusi do të ndihmojë për një shpërndarje më të mirë të buxhetit dhe burimeve në tërësi. Ai do të krijojë një pikturë më të qartë të barazisë gjinore në vend dhe do të kontribuojë për një targetim më të mirë të mbështetjes për arsimin, shëndetësinë dhe asistencë sociale. Përdorimi aktiv dhe i duhur i tij do të promovojë zhvillimin human në vend dhe do të ndihmojë ambiciet e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimi Evropian dhe arritjes së objektivave të mijëvjecarit”, tha zyrtari evropian. Në 1 tetor INSTAT  do të nisë zyrtarisht procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave i ashtuquajtur censusi 2011, për të cilin është angazhuar një buxhet prej 14 milionë euro dhe ku do të punësohen rreth 15 mijë vetë.
PDIU kërkon heqjen e etnisë nga pyetësori
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka përshëndetur dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen antikushtetuese të ndërrimit të kombësisë, sipas procedurave të parashikuara në ligjin për gjendjen civile. PDIU, në deklaratën zyrtare bën me dije se pret zbardhjen e argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, për të parë nëse në të është përfshirë edhe përcaktimi i antikushtetueshmërisë të censusit të popullsisë, sikurse PDIU kishte kërkuar publikisht nga Gjykata. Ndër të tjera, në këtë deklaratë PDIU i ribën thirrje qeverisë shqiptare, të heq nga pyetësori pyetjet mbi etninë dhe fenë, edhe pse kjo duhet të kishte ndodhur prej kohësh. Censusi duhet të zhvillohet në ndihmë kombit dhe shtetit shqiptar, pra pa pyetje mbi përkatësinë kombëtare dhe besimin e individëve. Edhe në rast se Komisioni Shtetëror i Censusit, në kundërshtim me vullnetin e popullit, vijon këtë projekt, PDIU do të bëhet garat i amendamenteve të saj të kaluara në Kuvend.
Gjykatat kërkuan shfuqizimin e ligjit
Disa muaj më parë, gjyqtari i rrethit Sarandë çoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ligjin për "Gjendjen civile" ku përdorej termi kombësi. Kryetari i kësaj gjykate Alltun Cela i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shpalljen të papajtueshëm me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit “kombësia” të përcaktuara në ligjin e datës 11.5.2009 për Gjendjen civile .Në kërkesën e tij gjyqtari ka nënvizuar se ashtu sikurse është pranuar tashmë nga jurisprudenca, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore apo gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet si i tillë. Ndërkohë, mazhoranca qeverisëse ka deklaruar se ligji është kushtetues dhe se regjistrimi në bazë feje dhe etnie është një detyrim evropian.
Braçe: Shqiptarët fituan mbi antikushtetueshmërinë
Një nga deputetët e Partisë Socialiste që ka mbrojtur më shumë ligjin kundër përcaktimit të nocionit të kombësisë në regjistrimin e gjendjes civile, ka qenë dhe deputeti Erjon Braçe. Në statusin e tij, në rrjetin sociali facebook, Braçe ka deklaruar se të gjithë shqiptarët fituan me këtë rrëzim të ligjit dhe tashmë askush nuk ka të drejtë që të ndërrojë kombësinë.  “Mbaroi! Fituan shqiptarët! Vendos Gjykata Kushtetuese: antikushtetues ligji i gjendjes civile që krijon mundësi për ndryshim të kombësisë!”, është shprehur Braçe. Ndër të tjera ai është shprehur se është shumë i lumtur që ka një shtetësi shqiptare. Në këtë frymë kanë qenë dhe deputetë të tjerë të majtë, që kanë mbështetur vendimin e dhënë nga Kushtetuesja. 

SHBA: Arben Ristani spiunon Berishën tek ambasada amerikane

nga Adriatik Doçi

b_95_75_16777215_0___images_kokaa_arben-ristani-ere.gif Edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani është rrëfyer në ambasadën amerikane, madje ka spiunuar edhe kundër Partisë Demokratike. Ashtu si shumë politikanë të tjerë, edhe Ristani i ka shprehur shqetësimet e tij në ambasadën amerikane. Më konkretisht, Ristani i ka shprehur shqetësimin ish-ambasadorit Xhon Uidhers lidhur me rrezikshmërinë që paraqesin Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për shkatërrimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit,
flet për shqetësimet që ia ka shprehur Arben Ristani lidhur me sabotimin e zgjedhjeve nga dy partitë e mëdha politike. Në kabllogramin e tij, Uidhers theksoi se Ristani ishte shumë i shqetësua për sjelljet e partive politike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. “Më interesant ishte momenti kur Ristani tha se kishte shumë frikë se zgjedhjet do të prisheshin në momentin kur të fillonte procesi i numërimit të votave. Ai deklaroi se partitë politike, sidomos PD dhe PS, e ka kanë humbur besimin tek institucioni që administron zgjedhjet, duke shtuar se ky fakt e dëmton shumë procesin zgjedhor”, thuhet në kabllogram. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers pohon në kabllogramin e tij edhe frikën e Ristanit mbi një skenar për të t’i nxjerrë fletët e votimit të pavlefshme. “Ai tha se mund të aplikohen metoda duke i bërë fletët e votimit të papërshtatshme për t'u numëruar. Ai tha se kjo lloj sjellje ka ndodhur edhe në të kaluarën. Partia që humb zgjedhjet bëhet si e çmenduar dhe shkakton kaos, me qëllim për t’i njollosur ato. Në 2007 për shembull, ai tha se janë thyer qëllimisht kutitë për t’i nxjerrë ato të pavlefshme”, thuhet në kabllogram. Ish-ambasadori amerikan shpreh gjithashtu habinë se përse Ristani nuk tha asnjë fjalë për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor i opozitës.
Akuza prokurorisë
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në kabllogramin drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, njofton se Ristani ka akuzuar organin e akuzës, pasi nuk ka çuar për ndjekje penale peronat që kanë prishur procesin zgjedhor në zgjedhjet e kaluara. “Ai fajësoi gjithashtu prokurorisë, sepse ajo asnjëherë nuk ka ndjekur penalisht ndonjë nga komisionerët që kanë shkelur ligjin gjatë administrimit të zgjedhjeve”, thuhet në kabllogram. Sipas telegramit, Ristani ka folur për vështirësitë që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zbatuar Kodin e ri Zgjedhor. Uidhers nuk sqaron nëse vështirësitë kishin të bënin me presionet politike mbi KQZ, apo me aftësinë profesionale të anëtarëve të KQZ.
Ristani, ankohet për buxhetin
Në kabllogramin drejtuar DASH, Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, thekson se Ristani ishte akuzuar edhe për buxhetin e pamjaftueshëm për administrimin e zgjedhjeve. Ish-ambasadori amerikan shpreh gjithashtu habinë se përse Ristani nuk tha asnjë fjalë për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor i opozitës.
LSI, sërish apel për Reformën Zgjedhore
LSI duke e shqetësuar për Reformën Zgjedhore. Në emër të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i bëri edhe njëherë apel forcave politike të nisin punën për arritjen e një pakti kombëtar me qëllim marrjen e një opinioni pozitiv nga BE në tetor. “Lëvizja Socialiste për Integrim rithekson domosdoshmërinë e nisjes sa më parë të një procesi për të arritur në një pakt kombëtar për integrimin, për t’i dhënë cilësi dhe shpejtësi të re procesit të integrimit në BE. Ne vlerësojmë se ky pakt në formën e një marrëveshje të shkruar politike, ose edhe të një ligji duhet realizuar sa më parë me qëllim që BE dhe partnerët e tjerë të marrin mesazhin e qartë se angazhimi i partive politike në procesin e integrimit të vendit nuk është taktik po është i vërtetë dhe jep rezultate konkrete”, tha Haxhinasto. Duke e vënë theksin tek integrimi i vendit, Haxhinasto tha se është e rëndësishme të mblidhet sa më shpejt edhe tryeza e integrimit.
PD: Opozita e pa qëndrueshme
Mazhoranca qeverisëse thekson se opozita është e paqëndrueshme. Deputetja demokrate Mesila Doda tha se kryesocialisti Edi Rama po provon se kursi i tij i ri nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim publik.  Sipas zonjës Doda, loja e Ramës “Një ditë voto në Kuvend, një ditë jo”, nuk ka lidhje me kontributin e PS-së për integrimin, siç ai me deklarata pozitive është rikthyer në këtë sesion të ri parlamentar. Doda ftoi opozitën të jetë serioze në nisjen e punës për përmbushjen e prioriteteve të Bashkimit Evropian, prej dy vitesh të bllokuara në axhendën e Kuvendit. Sipas Dodës, koha është që Rama të mësojë të lërë dredhitë politike, pre’ e të cilave përherë ka rënë vetë lideri i opozitës. Reagimi i zonjës Doda erdhi pasi socialistët refuzuan të miratonin kodin ajror, hekurudhor, e detar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, e ndërsa vetëm një ditë më parë kishin dhënë votat për miratimin e Kodit Rrugor.
Uikiliks, si u manipuluan zgjedhjet e ‘96
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers informon Departamentin Amerikan të Shtetit se pse Berisha ishte kundër Gloverit. “Pikëpamjet e Bashës, ishin të kopsitura mirë, por përsëri nuk e fshihnin dot faktin që kundërshtimi i Gloverit prej qeverisë buron me të gjithë gjasat nga një armiqësi e vjetër e kryeministrit Berisha ndaj saj, për shkak se ishte kryetare e ODIHR-it në kohen e zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 1996-ës, një prej momenteve më të errëta të karrierës së gjatë të Berishës", thekson Uidhers. Sipas tij, qëndrimi i ekzekutivit reflekton gjithashtu një tjetër tendencë të Berishës, besimin e tij se mund të kontrolloje çdo aspekt të zgjedhjeve të ardhshme, përfshirë personat e mandatuar për të bërë vlerësimin e tyre dhe komentet përkatëse.

Ndër duar dua ta mbaj….

Venka Capa ka lindur me 11 shtator 1962 në Steblevë të Dibrës. Shkollën e mesme  e kam mbaruar në Ylli Kuq Kamez, Dega Zooveterinari. Tani jeton në Tiranë. Në 2006 botoj librin e parë me poezi me titull “Për pak lumturi”.  Momentalisht është në proces për botimin e librit të dytë me poezi.
Libri më i ri poetik “Unë prek me frymë” i autores Venka Capa, me 70 poezi, tingëllon jo vetëm si një këngë dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetike krijojnë struktura emocionale.
Picture
Autorja Capa synon të japë bukurinë shpirtërore të njeriut të dashuruar me jetën, pasi autorja vjen nga komuniteti i njerëzve me aftësi të kufizuara, ku shpeshherë ndihen të paragjykuar nga fatkeqësia e tyre. Kjo fatkeqësi njerëzore vjen në këtë libër të dytë poetik nga autorja Capa, me një dashuri të madhe për jetën, por shpeshherë, si një personazh emocional, social, me një karakter poetik shpesh kontradiktor të ndjenjave, i mundësive dhe i pamundësive, për të realizuar veten si të barabartë brenda shoqërisë sonë antihumane e paragjykuese. Nga poezia në poezi, autorja shpalos me forcën e shpirtit, dhembjen për njeriun dhe pamundësinë e të dashuruarit. Me këto lirika, Venka Capa depërton në psikikën e njeriut, për të zbuluar anët e errëta të shoqërisë dhe përçmimin ndaj tyre dhe këtë e bën me shumë dashuri e humanizëm. Poezitë e saj në përgjithësi, shprehin filozofinë e jetës, dashurinë me vargje të sinqerta e shumë domethënëse. Ky libër vjen me një apel njerëzor: “Jeta është e shtrenjtë dhe ajo duhet jetuar me të gjithë elementet e saj!”. Ai tregon në çdo kohë, se edhe ne njerëzit me aftësi të kufizuara, jemi njerëz me të drejta të barabarta!
Venka me vëllimin e dytë me poezi “Unë prek me frymë”, tenton të lërë një shenjë në poezinë shqiptare.



Cikël me poezi nga Venka Capa

1-Pasqyra
Statujë para pasqyrës,
Ngjethen rrudhat,
Thinjat shpirtërore,
Imazhi yt më përqesh,
Trembet në sy pasqyra…
Ciflat bien si gurë,
Hijes së dëshirave,
Shterpë…


2-Jam grua

Hedh vështrimin
Zbehtësisë së dritës…
Jam cung dru tharë
Përplasur nga fati,
Rrahur nga mëshira,
Në stinë hipokrizie.
Malli që kullos për jetën,
Më dhuron këmbët e lisit,
Lutem para Shën Marisë:
Jam grua, kam shpresa,
Më vlon dëshirë e shenjtë,
Më hidh një degë të pafaj,
Të lidh dashurinë amësore!


3-Filxhani i kafesë

Filxhani i kafesë mban lëngun e zi të,
Cigarja djegien me shtëllunga shpërndan,
Shpirti i afrohet pemës së braktisur,
Era e tërbuar e kohës lëviz rrënduar,
Ku këputet një filiz i njomë lastarë,
Degët të lagura nga lotët e syrit.
Edhe toka rënkon me një zë grykor,
Nga ky yll që u shua si meteor…
Kënga ka rrëshqitur nga vegla muzikore,
Dëgjoj simfoninë në vaj…
Qielli ka një ngjyrë që s’është veç blu,
Çarçafë gri nga lart si mantel për mua,
Dielli shpërndan grimca rrezesh të vetëvrarë,
Durimi kërkon zgjatjen e dorës së pa faj.



4-Pa titull

O atmosferë e rënduar, ajërndotur,
I pisët, me vizion imagjinar!
Jam në pragun e një pritjeje,
Pranë një porte të mbyllur që mban erë,
Fëlliqësia shikon anembanë zhurmshëm,
Vdekjet na shohin drejt e në sy,
Fjalët e tellallëve janë të pakuptimta,
Tradhtia shkarkon muzgjeve të përhirta…
Po vetmia qan e dhemb, shpirtvrarë,
Pret në stacionin e ardhmërisë së vonuar.
Në fund, mallkimi del nga shpirti,
Për kohën e gjatë të ikjes së gjërave,
Në asgjësimin e një fundi të pafund,
Ku asnjë s’kërkon falje, faljeeeeee, falje!



5-Njeriu Bosh
Teksa eci në rrugë
Hija e trupit më përndjek…
Kur dielli ka çastin e përndritjes,
Shpresa qesh nën buzë e vrarë,
Në dridhje kënaqësish të pa jetuara…
Vështrimet si shigjeta të mprehta,
Thyejnë shkëlqimin në sytë e mi,

Në rrugë një zonjë e bukur,
Puthte me dashuri qenin e saj…
Afshi kundërmojë ajrin përreth…
Rruga zhvesh krahët e kthesës,
Unë var në degë të vështrimeve,
Përçmimin e njeriut bosh në shpirt.



6-Të kërkoj

Të kërkoj
Në sqep të ëndrrës,
Larguar
Muzgjeve të shpëlara….

Të kërkoj
Në kurmin e trëndafilit,
Thyer
Në duar dëshpëruese…

Të kërkoj
Labirinteve të dritës,
Fshehur qelizave
Të shpirtit tim.

Të kërkoj,
Ankthit të zemrës,
Të më duash kjo që jam,
Shpirtëbardhë!


7-PREK NJË FERR

Pak nga pak, dimri po na shëndenë,
Po vjen pranvera, dashnorja e poetëve.
Unë kam zënë radhë në një pllajë,
Ku kanë çelë bisqe lulesh, ndër pemë,
Pemë të buta e të egra.

Afrohem me dëshirë prej zogu,
Të prek një bisk të njomë,
T’ia vë kurorë mbi shpinë
Mëkateve të dimrit…
Por dora më prek një ferr,
Që më drithërojë dëshirën…

Mblodha flokët e dhimbjes,
Peshqesh për pikëllimin!



8-Ngjyer në pafajësi
Jeta ime pelegrin në Sahara,
Zbehtësia e ditëve shoqëria ime,
Nëpër stinë hipokrite
Shartuar në pemë cungje drutharë,
Kalema besimi, e njomështie,
Me mall limfe dashurie,
Përqeshur nga mëshira.
Mendimi gjezdisë nëpër jetë…
Në rrënjë trungu, hiperbolash,
Nëpër qumështin e gjinjve të mi,
Lodron një dritëz Shën Mërie.
Degë të pa faj në letër,
Të bardhë, e etur shkronja,
Zambak të fshehur ndrojtjes.
Jam zog i ngjyer në pafajësi,
Mes fajit të të gjitha botëve ….



9-Hapësirave të shpresës

Poezisë i dhashë gjakun e frymëzimit,
Vargut i dhashë timbrin e përflakur,
Heshtjen e ofshamës së dhimbjes, rimës.
Plagët që rishfaqen si batica e zbatica,
Metamorfozave të mendjes sime,
Arnuar me penj shpirti të padukshme,
Lidhin fjalët e METRIKES.
Për të shteruar damarët e helmuar,
Që nga lotët s’gjendet as lum për t’i larë,
S’gjendet për t’i tharë as një copëz diell…
Ëndrrat e mia shëtisin zhveshur kudo,
Ndër hemisfera afshnore,
Metafora si një nimfë më buzëqesh.
Sublimja gjinore,
Me ëmbëlsi më mat pulset e netëve magjike,
Duke transmetuar damarëve të bukurën ndjesi,
E lehtas më largon ngricën dimërore.
Si pishtar ndezur qëndron strofa,
Duke u harlisur shtigjeve hapësinore të shpresës,
Fisnikja, kryeneçe e madhështore…


10-Mall
Vitet e mia ikin, ikin me vrap
E unë s’i arrijë dot kurrë, me hap,
Portën e jetës hapur e mbaj,
Me shpresën se një ditë e bardhë
Do të vij të më marrë, si dikur…
Tavolinën e mbaj të shtruar, përherë,
Me vetminë ngre më shpesh dolli,
Nga mëndja s’më shqitet mendimi,
Për të shkretat vite që ikin hijezezë…

11–Lidias

Sa herë të vështroj ty, Lidia ime,
Bota më duket krejt errësirë….
Përtej kësaj bote të ndyrë,

Shoh ngjyrat që komunikojnë me ty,
Të ngjizen ndër gishta dhe bashkëpunoni në heshtje….
Ndërsa ne, komunikojmë me gishta në bebe të syrit…
Shpirti kërkon para Zotit një shpjegim…
U tregua i pamëshirshëm, i pa shpirt!
Ah, e dashur Lidia, sikur të ndodhte mrekullia,
Të flisje vetëm një fjalë, të dëgjoje vetëm një çast,
Kur në zemrën tënde të trokasë dashuria!
Lidia, dëgjoje fëshfërimën e gjetheve të luleve,
Kwngwn e zogut që rri nw parvaz të dritares twnde!
Lidia, sa bukur shprehesh me penel në dorë,
Pikturat mbushin hollet e ekspozitave nëpër botë,
E suksesit, nuk mund t’i bindesh me zërin tënd:
“Faleminderit ju vizitorë për fjalët e bukura që thatë sot!”
Ah, sa herë e shtrydh në imagjinatën time,
Fjalën magjike, tingullin e shumëkërkuar…
Kur krihesh para pasqyrës në heshtje,
Largohesh e përshëndet me dorën e njomë,
Duke mërmëritur veç me sy….
Pa shqiptuar asnjë fjalë, asnjë tingull…
Si një zogth që lëngon dhe nuk cicëron dot me sy…

Hiret e tua lëvizin si hyjni nëpër shtëpi,
E goja s’e shqipton kurrë, fjalën: Mirëmëngjesi!


12- Në kërkim…


Në kërkim të fjalës së ngrohtë,
Ndjej të më rrahë era e tërbuar…
Në kërkim të mirënjohjes,
Ndjej shuplakat e hekurta…
Në kërkim të mirësisë,
Takojë shpirtgur të kullandrisur.
Në kërkim të fjalës së bekuar dashuri,
Dëgjojmë helmin e fjalëve vrastare!
Në kërkim të vetvetes, s’do rresht kurrë!



13-Loti

Lot i hidhur,
Lot i bekuar,
Lot i bardhë,
Lot i zi!

Luan me zemrën time,
Po unë të ndjej,
Nuk të mbaj mëri!


14-Nuk kam urryer kurrë

Dashuri, jam robinjë e flaktë nën pushtetin tënd,
Ëmbëlsinë e ndjenjës dua ta pikturojë hijeve të poezisë,
Të kundrojë frymëzimin e çastit ndër vargje.
Ah, kjo jeta ime, sa e vështirë paska qenë!
Më mbylli në mure të mëdha pamundësie,
Me fatin e destinuar për të vuajtur, pa faj.
Me inferioritetin kacafytet, ëndërron e flet,
Brenda murevegur, hijeligj, gojëhidhur e shpirtlig.
Ma kanë përfol, paragjykua edhe tallur shumë,
Më kanë rrëzuar, m’kanë shkelmuar, prapë jam ringritur,
Të mirat e të këqijat si rrodhe nuk më janë ndarë.
Ah, sa m’kanë bërë të vuaj, m’kanë ndjek në çdo hap,
Por me zemrën time ndjehem mirë, se brenda këtij burgu,
Unë jam robinjë e dashurisë, jam grua dhe dua të dashuroj,
Nuk kam asnjë faj që ëndërroj, atë që më mungon…!
S’kam faj unë, që në sferën e thellë shpirtërore banon mirësia,
E në tempullin e lartë, është hyjnore vetë dashuria.
Sa bukur rrëshqasin vargjet, për të shenjtën dashuri,
Në thelb të zemrës, gjithnjë dua të kem vlerë si njeri,
Pasi kam dashuruar, kam gabuar, kam vuajtur shumë,
Por edhe nga gabimet kam nxjerr mësime në jetë,
Edhe pse më kanë bërë të vuaj, s’e kam humbur toruan,
Zemra ime nuk ka urryer kurrë, kurrë…
Në të kam varur çelësin e mirësisë që shkëlqen!


15-Flaka e oxhakut

Vjeshta e artë m’ka trokit n’sy.
Nga kopshti në tavolinë,
Vështroj një kokërr shegë e ca mollë,
Ca rrush të zi e ca lajthi,
Sikur duan të na thonë:
Jemi këtu për ju,
Me shpirtin tonë shumë vitaminoz.
Por nata sonte bën ftohtë,
Dhoma është fshehur në errësirë,
Vetëm flaka në oxhak ndriçon si një qiri…
Më tutje, më ysht rafti me libra,
Por flaka m’i ka magjepsur sytë…
Përgjumur dëgjoj përrallat e drurit që treten e bëhen hi…
Kokën kam mbështetur mes gjinjve,
Në tavolinë ma bën me sy një kanë me verë,
Verë Muskat nga rrushi në oborr.
Me një gotë me fron e ngre dollinë,
Urimin për një jetë më të mirë.
Dora më dridhet e vera rrëshqet,
Dhe më spërkat ëmbël buzët,
Buzët që m’i fshijnë të tjera buzë…
Ah, përgjumje e kapërthyer mes trupash,
Dritë e zjarrit belbëzon mes çikjes së lëkurës…
S’ka dritë më të bukur se drita e zjarrit.
Ajo në çdo sekondë  ngjyrën ndryshon…


16-Dëbora në sytë e mi
Hedh sytë nga mali i Dajtit,
Shijoj dremitjen e tij ajërqetuar…
Mbuluar me pudërbardhë të lehtë
Me fllad ëmbëlsie të deh…!
Pemët veshur me mantel të hollë,
Mbi degë presin zogjtë vizitorë,
Shkunden nën tinguj cicërimash,
Kërcejnë te ëmblën melodi.
Hapësira qiellore tendos
Ndriçimin magji e rrallë.
I lutem diellit të më mbështjellë,
Me rrezet e tij të ngrohtësisë….

Të ma shkrijë si bora trishtimin,
Që rri varur në sytë e mi…
Ashtu si natyra, edhe unë si fëmija,
Ka nevojë për diell e përkëdheli.
17-Më rrëmbeu nata

Nëpër udhë komunikimi.
Shpirti rënkonte nga vuajtjet e kalume…
Komunikimi më rrëmbente,
Më humbiste në skutat e mistershme,
Duke derdhur ekstazën poetik.
Liqeni i zemrës fërgëllonte,
Me magjinë e çuditshme të fjalës,
Si në një formulë të fshehtë,
Trazonte kutizën time të mendjes.
E si reaksion kimik vepronte,
Në djegie pasionesh…
Vetëm mendimi që kam për ty,
Më dërgon ngjyrat larushjane.

Heshturazi erdhe në poezitë e shpirtit,
Si zog i plagosur nga dallgët e jetës.
Dhimbjen nëpër rreshta ma lexove,
duaje artin e poezinë, më këshillove,
Bashke do i ngjisim shkallët e majat,
se plagët shërohen veç nga fjalët.

Po cilin të dua më shumë vallë,
Si t’i sfidoj ligjet e natyrës?
Poeti më beson … në aftësinë krijuese,
E unë të gëzohem të lumturohem,
Me punën e devotshme të POETIKES …..

18-Unë prek me frymë

Rrugëtoj, notoj… Le pas vetes
Një det të ngrohtë ku spirancat duhen përmbytur.
Pastaj duhen ngritur, ag i nisjes…
Nëpër frymë dashurish alveolat e mija te brishta
Krahë engjëjsh, gugatje të porsalindura
Horizonte drithëruese, mole poezish
Dhe trishtimi i lehtë i valës se tij…
Ajo prekje ere e mbarë kthimi….
Sytë më gënjejnë si klithma pulëbardhash
Të shkrifëta, direkeve duke i përkëdhelur
Me pendë nëpër kocka, nëpër thinja,
Ku gulçet e dhimbjeve dhe meraku për brigjet,
Malli për dheun, për bymimin e Burrit të Vogël të Dheut
Që lëshon klithma urithi të uritur….
Unë nuk prek me dorë, unë prek me frymë,
Mbështetem me zemër, jo me gjinj,
Nuk lëshohem me kurmin tim, por me ëndrra
Dhe çapitem me ndjesi…


19–S’kam faj

Dielli më ka kthyer krahët
Hëna më belbëzon nën zë,
Yjet ikin, ikin, më paskan frikë…
S’di në kam bërë ndonjë faj,
Hiret e natën në gji dua t’i mbaj!
Udhës së errësirës së gjatë,
Dëgjoj psherëtimat e reve përqark…

20- Puth gjethet e vjeshtës

Dëgjoj mbi supe
Erën t’më përkëdhelë er’ e lehtë,
Ngazëllehem si fëmijë,
Ndër duar dua ta mbaj….
Sa i hapa 5 gishtat e dorës
Ajo fluturoi pa e parë…

Ndjej ndër këmbë,
Të kërcasin gjethet e vjeshtës
CEZMA E STEBLEVËS

Gurgullima e ujit që gjarpëron ,
Nga të carat e malit del,
Nga thellësia e tokës së artë
E në qendër të fshatit zë vend ...
Sikur të mundja të merrja nga ky ujë,
Ta mbaja me vet gjithnje ,
etjën buzëve t'u shuaja
E shpirtit t'i ktheja freskinë...
Ah kjo gurgullimë e ujit ,
Si një melodi e bukur dhe e rrallë,
Ka shumë histori brenda saj,
Ka grimca gurësh nga malet e Raducit,
Ka gjethe e lule nga fushat e Klenjës
Ka aromë dehjeje nga ajri i bjeshkës ,
Ka në te burimin e jetës ...
Nga burimi i Steblevës
Merr jetë cezma e Ferat Lilës
Si kujtim i viteve që ikën,
Në ballë të djersitur freskon,
Udhetarin e largët duke pritur...


BEKIMIN TËND DUA

Mbrëmë pash yjet, atje lart
Me to kuvendova gjatë, gjatë
Ti diku atje mu duke - se të pash ,
Zemrën dëgjova, te dua vetës - i thash .

Edhe me diellin sot bisedova
Rrezet e tij të zjarrta ty ti dërgova
Mallin tënd vala e detit ma sjell
S' di se pse me lotin e brengës më ngjet.

Me zogjtë e pyllit dua të bej paqe
Dua ti marrin e te ty ti sjellin këto vargje
Të bëhet një poezi me rima e lirika
Të derdhët e hapur në to dhimbja .

Me erën shpesh herë bisedoj
E me duket se bekimet e tua më dërgon
S'e besoja se mrekullia ekziston
Po ajo kembëkryq në zemrën tënde qendron.



KAM MALL PËR TY

Nga linku fjalët sonte s` po më arrijne
c` të beje , me ty si të flas?
shiu mallin më sjell me mbushen sytë
e ndjesi oqeani lëjnë nga pas.

Po shkrepetimën dëgjoje mirë
me ofshamën e shpirtit tim ngjet
mos krijo këte zbrazëti, këte etje që djegë
si akordi i vrarë kitareje kur këputet një tel!

Ah sa mirë që një rast të vetëm kam
në poezi frymëzimin tim kompozoj
me erën vargjet te ty i dergoj
e sedrën tënde sadopak ta ledhatojë !

Sa mirë qe jam një poete
kështu shpirti më ka pak dritë
dhe ne të mbajtsha gjithmonë me vete
vargjët jehojnë e këtë ta dishë se te kam edhe shpirt



MË BESO
Mos mendo, i miri im, se të harroj
Hënën ta dërgoj si kurmin tim
E brishtë, e verdhë si një mallkim,
Me yjet për rreth si qirinj....

Steblevën kujtoj si emër gruaje
E të shtrëngoj në gji me mall,
Ti puth sytë e dritën ndjej
Një frikë mëkati, një frikë të rrallë.

Dhe kokën mbështes mbi tëndin gjoks
Zemrën e çmendur nis ta dëgjoj
E dhimbja e saj më ngroh, më ngrohë,
E puthje plotë etje pastaj kërkoj.

Eh, kjo hënë e zbehtë e qiellit tim,
Sa here në token time e ul, e ndjej
Si drithërimë e lehtë dhe me habi
Besoj se jeta më vdes ndër qiej…. 

Njeriu Bosh


Hija e trupit më përndjek...
Kur dielli ka çastin e përndritjes,
Shpresa qesh nën buzën e vrarë,
Në dridhje kënaqësish të pajetuara...
Vështrimet si shigjeta të mprehta,
Thyejnë shkëlqimin në sytë e mi.

Në rrugë një zonjë e bukur,
Puthte me dashuri qenin e saj...
Afshi kundërmoj ajrin përreth...
Rruga zhvesh krahët e kthesës,
Unë var në degë të vështrimeve,
Përçmimin e njeriut bosh në shpirt.


Sytë dajtorë
(Variant)


Me sytëhedhur malit të Dajtit,
kundroj dremitje të qetuar…
Pudërlehtë i mbuluar
embëlsi dehëse të hedh’…

Pemët mantelbardhë
tejmiqesohen me zogjtë,
nën tinguj cicërimorë
ritmin melodiëmbël
këngërojnë…

Hapësira qiellësore tenduar
dritimin e saj tinëzisht,
Diell laguri prej rrezatimit
shtrirë në imagjinatën e ngrohtë
paqësisht…

Oh, borëbardha shpirtin
lutem të ma shkrijë;
trishtin e veluar syve të mi,
në besim ta kthejë
në ardhmërinë
time të menduar…


Komunikim shpirti !

Më rrëmbeu nata
nepër udhë komunikimi,
e shpirti reënkonte nga vuajtjet e kaluara,
...
Komunikimi më rrëmbente,
humbur në skutat e mistershme
duke derdhur ekstazin poetik.
Liqeni i zemrës fergëllonte,
me magjinë e çuditshme të fjalës,
Si me një formulë e fshehtë,
trazonte kutizën time të mendjes.
E si reaksion kimik në veprim
në djegie pasionesh.
Vetëm mendimi për ty,
me dërgon ngjyrat larushiane.
Heshturazi erdhe në poezitë e shpirtit,
si zog i plagosur nga dallgët e jetës
Dhimbjen ma këndove nëpër rreshta:
"Mjaltoje artin poetik
tokësisht do t’i ngjisim shkallët e majat,
se plagët shërohen veç nga fjalët,
Janë në mëdyshje të vetmuar.
Po kë të dua më shumë vallë ?
Si t’i sfidoj ligjet e natyrës?
Poeti besimtar në dhunitë e mia krijuese
gazmohem e lumturohem,
me mrekullimin e POETIKES triumfale...


Pasqyra

Statujë para pasqyrës,
Ngjethen rrudhat, thinjat shpirtërore,
Imazhi yt më përqesh,
Trëmbet në sy pasqyra…
Ciflat bien si gurë,
Hijes së dëshirave,
Shterpë…

PREK NJË FERR
Pak nga pak, dimri po na shëndenë,
Po vjen pranvera, dashnorja e poetëve.
Unë kam zënë radhë në një pllajë,
Ku kanë çelë bisqe lulesh, ndër pemë
Pemë të buta e të egra.

Afrohem me dëshirë prej zogu,
Të prek një bisk të njomë,
T’ia vë kurorë mbi shpinë
Mëkateve të dimrit...
Por dora më prek një ferr,
Që më drithërojë dëshirën...

Mblodha flokët e dhimbjes,
Peshqesh për pikëllimin!


Nga  Murat Gecaj

 “POETJA, ME SHPIRT TË MADH E SY TË KALTËR”
1.
Jorrallë, njihemi me një njeri fare rastësisht dhe pastaj bëhemi miq të mirë, me respekt të ndërsjelltë. Megjithëse jemi në moshë të ndryshme, kështu ka ndodhur edhe në njohjen time, me poeten Venka Capa, me origjinë nga rrethi i Kukësit dhe me banim në Tiranë. E kam thënë edhe më parë, por nuk e kam “zbuluar” unë këtë gjë, se Interneti po i lidhë njerëzit, si asnjë mjet tjetër komunikimi. Aty e ka zanafillën edhe njohja ime me këtë poete të talentuar. Ajo kishte publikuar një poezi (nuk më kujtohet mirë, se cila ishte ajo) në një faqae Interneti dhe poshtë saj bëra një shënim të shkurtër e dashamirës. Ajo ishte prekur nga fjalët e mia dhe më shkroi një mesazh, me nderim e respekt.
Kështu, pastaj, mesazh pas mesazhi, duke patur në mes dhe të njohurin e përbashkët, shkrikmtarin e publicistin Pilo Zyba, me banim në Athinë, por i kudogjendur, jemi takuar në përurime librash, në Muzeun Historik Kombëtar të kryeqytetit dhe në mjedise të tjera. Kujtoj këtu edhe një takim të këndshëm tonin, në shoqërinë e kolegeve Raimonda Moisiu e Kozeta Zavalani dhe poetit Bajazit Cahani. Nuk e kam të saktë, por besoj se me Mondën shiheshin për herë të parë, pasi ajo jeton në Nju Jork. Ndërsa “gjurmët” e mëtejshme të lidhjeve të tyre i kemi edhe nga një mesazh i ngrohtë, që ajo i ka kthyer Venkës. Në të, shkruhen këto fjalë domethënëse: “Edhe unë të përqafoj, shumë e dashur. Jam e lumtur dhe krenare, që  të takova ty, Venka Capa, Poeten me shpirt të madh e sy të kaltër, si thellësia e detit dhe mjaft ekspresivë, që tregonin se brenda tyre ka jetë e dritë. Suksese e urime! Të përqafoj fort: Monda" .
Ndërsa po i rendis këto radhë, gjithashtu, unë e kam para syve Venkën, me atë pamjen e buzëqeshur e plotë dritë jete. Bashkë e me kolegë të tjerë, kemi bërë dhe fotografi, të cilat i kam kujtim të rrallë. Tashmë, në njohjen e miqësinë tone, kemi dhe një të afërme timen, që na lidhë. Ajo është vajza nikajmërturase, me emrin e bukur, Dukate Bushgjoka. Jetojnë së bashku në një zonë të Tiranës dhe problemet e tyre shëndetësore kanë bërë, që jetën ta përballojnë me guximin, optimizmin dhe mirësinë, që rrezatojnë ndaj të tjerëve.

Kopertinat e librit të ri me poezi, nga Venka Capa
2.
Ai, që i ka lexuar fjalët e mësipërme për Venka Capën, sigurisht, pret që të flasim e të shkruajmë diçka për të edhe si poete, me ndjesi të holla e frymëzim të bukur. Në dorë kam vëllimin e saj të ri me poezi, i cili mban titullin simbolik, “Unë prek me frymë”, ku ajo më ka bërë shënimin e ngrohtë të zemrës, si bija për prindin: “Babushit! Me shumë respekt, Venka për Ju. Tiranë, 26.06.2011”.
Libri në fjalë fillon me shënimet vlerësuese për Venkën e krijimet e saj, nga Fatime Kulli (redaktore), Krishtaq  F.Shabani, Prend Buzhala (kritik letrar, nga Kosova) e Pilo Zyba. Ndërsa në kopertinën e fundit janë shënuar këto fjalë të Fatimes:“Ky libër tregon, në çdo kohë ,se edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, janë njerëz me të drejta të barabarta.Venka Capa, me vëllimin e dytë me poezi, “Unë prek me frymë”, tenton të lërë një shenjë në poezinë shqiptare”.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe faktin se, në tubimin e sivjetëm mbarëkombëtar të poetëve, në  Vushtri të Kosovës, Venka Capa u nderua me “Çmim të veçantë”, për krijimet e saj të arrira.
Në këtë libër të dytë të saj, janë përmbledhur 67 poezi të frymëzuara. Sigurisht, është e pamundur të  jepet përmbajtja e tyre dhe as të analizohen ato, në një shkrim të shkurtër. Por dëshiroj të theksoj se tematika e tyre është e larmishme, buron nga ndjenjat e çiltëra të kësaj poeteje, që jeta ia ka kufizuar disa gjëra, por jo shpirtin e pasur e të pastër. Natyrshëm, poezitë e saj nuk mund të shpëtonin nga një hijë pesimizmi, si “revoltë” ndaj padrejtësisë së fatit të saj. Megjithatë, në radhët e poezive të saj gjen forca shpirtërore, që të ngrihet mbi fatkeqësitë dhe jetën ta jetojë, ashtu si i është paraqitur.
Poetja kërkon mbështetje edhe te vargjet, te poezia e saj: “Poezisë i dhashë gjakun e frymëzimit,/vargut i dhashë timbrin e përflakur,/heshtjen e ofshëmës së dhimbjes, rimën” (“Hapësirave të shpresës”). Venka është e ndjeshme ndaj bukurive të natyrës dhe dëshiron që ato të bëjnë strehë në shpirtin e saj: “Vjeshta e artë më ka trokitë në sy,/nga kopshti në tavolinë,/vështroj një kokërr shegë e ca mollë,/ car rush të zi e lajthi,/ sikur duan të thonë:/Jemi këtu, për ju…”(“Flaka e oxhakut”). Ndërsa në poezinë “Dritësim, në oborrin tim”, ajo shkruan: “Pranëvera në oborrin tim ka shtri magjinë e ylberit,/rrezja e diellit më fton në ngjyrën e argjendë,/portokalli lulen ka çelë në mirënjohje,/ zambakët e bardhë në dyluftim me krenarinë…”.
Në fillim të këtij shkrimi fola për cilësi e virtyte të mira të poetes Venka. Por edhe ajo vetë shkruan, me sinqeritetin e njeriut zemërgjerë: “Jam e dashur,/bëj shumë për shoqëri,/ fali gjithçka për miqësi…/ Di të fali shumë dashuri”. Nëpër vargjet saj, ajo kudo kërkon gëzim e lumturi, të cilat i ka pak të kufizuara nga jeta: “Botës do t’i bija përqark,/në shpirt do të ndizja zjarr,/gjithçka do e lija peng,/ lumturisë t’i gjeja vend!...” (“Për pak lumturi”). Pastaj  shkuan për çaste të gëzuara të jetës,(te vjershat “Më nungon” , “Vetëm një çast”, “Shpirt margaritar” etj.): “Shikoja hënën në sy,/ e krejt pakuptuar, i dashur,/mendja më shkonte tek ty…” dhe më tej: “Vetëm shpirtin e dua të lirë,/ të endem bashkë me të,/ e pranë teje të vij!”
Me shpirt të ndejshëm poeteja dhe me “zemër të pastër”, e privuar vetë edhe nga disa gjëra në jetë, ajo këshillon me sinqeritet:”Mbaje afër gotën e dashurisë,/ pi herë pas here në të,/kërko nektarin e lumturisë,/qesh e gëzohu pa zë!”Dhe, si për ta përmbledhur tërë botën e pasur shpirtërore të saj, Venka Capa shkruan vargjet e bukur e domethënës:“Ndiçon natyra e shpirtit të kadiftë,/brenda magjisë së syrit jeshil…”.
…Tani, kur po i mbylli këto pak radhë, para më del përsëri pamja e buzëqeshur e kësaj poeteje të re, me ndjenja ta pastra e të forta për jetën, por edhe me dhimbjen e shkaktuar nga aftësitë e kufizuara shendetësore. Ajo ka  virtyte të larta njerëzore, një botë të pastër e të pasur shpirtërore, me dashurinë e respektin për cilindo, që njeh e miqësohet me të.
Tiranë, 18 korrik 2011

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...