2011-09-18

Dosjet sekrete ne “Wikileaks”,

Që nga publikimi i dosjeve sekrete të “Wikileaks”, mediat dhe opinioni publik shqiptar janë të ndara: në ato që i konsiderojnë të vërteta dhe në ato që mendojnë se janë thjesht përmbledhje të shtypit të përditshëm dhe një burim informacioni i pabesueshëm.

Që nga publikimi i dosjeve sekrete të “Wikileaks”, mediat dhe opinioni publik shqiptar janë të ndara: në ato që i konsiderojnë të vërteta dhe në ato që mendojnë se janë thjesht përmbledhje të shtypit të përditshëm dhe një burim informacioni i pabesueshëm. Menjëherë pas përfundimit të seancës së parë parlamentare për sesionin e ri, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e sqaroi më së miri këtë dualitet opinioni, duke theksuar se këto dosje janë të paligjshme, por opinioni publik mund të arrijë në konkluzionet e veta mbi përmbajtjen e këtyre dosjeve. Kjo deklaratë e ambasadorit amerikan ishte anticipuar nga forcat politike dhe grupimet brenda tyre ndaj nisën luftën mediatike për t’i diktuar opinionit publik se cila parti apo figurë politike dilte më e njollosura në kabllogramet e Ambasadës amerikane. Propaganduesit nisën betejën për të njollosur figura të caktuara, duke mbuluar mëkatet e disa të tjerëve. Shumë kabllograme nisën të publikohen pjesërisht, duke u përdorur jashtë kontekstit, duke sulmuar figura të caktuara në mënyrën më tendencioze të mundshme. Nofkat ‘spiun’ apo ‘informator’, si etiketime ndaj disa emrave të përmendur në kabllograme, u kritikua edhe nga ambasadori Arvizu, i cili u bëri apel zyrave propagandistike të mos përdornin nofka të tilla, të cilat të kujtojnë ish-Sigurimin e Shtetit. Në të shumtën e kabllogrameve të publikuara përmenden shumë emra, të cilët i transmetojnë Ambasadës amerikane qëndrimin e partisë së tyre, ose në audiencë më të ngushtë, mendimin e tyre personal. Në shumë kabllograme shkruhet se: sipas Kastriot Islamit... sipas Ilir Rusmalit... sipas Vasilika Hysit... sipas Eglantina Gjermenit... sipas Gjergj Bojaxhiut... sipas Mero Bazes... sipas Ben Blushit... sipas Pandeli Majkos... Erion Veliajt... sipas Bamir Topit... e shumë emra të tjerë të njohur. Nëse të gjithë këta emra, dhe të tjerë, të përdorur në kabllograme do të ishin ‘spiunë’, kjo do të thotë që i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare është tradhtare ndaj atdheut. Ky nonsens propagandistik shiti disa gazeta, por mori kritika nga përfaqësuesi në Shqipëri i vëllait tonë të madh amerikan që vazhdon ta ndjekë situatën në vend në detajet më të vogla. Manipulimet propagandistike, të përdorura kundër apo në avantazh të disa individëve të caktuar janë shndërruar në truke amatoreske dhe të turpshme. Nëse dikush i lexon të gjitha kabllogramet në anglisht në faqen e “Wikileaks” (këtu mund t’i gjeni të gjitha http://wikileaks.org/origin/39_7. html) ato duket se japin një pasqyrë tjetër nga ajo që na serviret në media. Këto dokumente nxijnë tërësisht imazhin e politikës sonë si majtas edhe djathtas, si qeverinë edhe opozitën, si presidentin edhe parlamentin, ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin. Ndaj, për ata që i konsiderojnë të pavërteta le ta bindin opinionin publik me transparencë të plotë për të gjitha politikat e ndërmarra deri tani dhe punën që do të bëjnë në vazhdim, dhe, për ata që i konsiderojnë të vërteta le të mos interpretojnë pjesëza të kabllogrameve, ku përmendet kundërshtari, por le të pranojnë si të vërteta edhe kabllogramet ku njolloset figura e tyre ose e partisë apo institucionit që përfaqësojnë. Teksa i lexon kabllogramet të bën çudi sesi mbahen në hije nga disa media të caktuara kabllogramet si: 09TIRANA511 me titull “Lëvizje brenda PS përpara takimit”, ku komentohet për bojkotin e opozitës dhe frikën që ka SHBA-ja se një bojkot do dëmtonte rëndë PS-në dhe Shqipërinë. Kabllogrami 09TIRANA351 me titull “Nga shoqëria civile në politikë”, e cila ngre pyetje mbi katapultizimin e disa figurave të shoqërisë civile në listat e deputetëve. Kabllogrami 09TIRANA537 me titull “Çfarë ndodhi me G-99-n?”, ku shkruhet për dështimin e partisë të drejtuar nga Erion Veliaj. Kabllogrami 10TIRANA65, në të cilën Presidenti Topi e përshkruan mazhorancën si uzurpuese institucionesh, ndërsa opozitën si e paaftë për të bërë opozitë profesionale, e cila me mungesën e saj në Parlament ka penguar shumë reforma të rëndësishme për vendin. Disa kabllograme të anashkaluara nga zyrat propagandistike politike janë: 08TIRANA 314, 08TIRANA823, 09TIRANA164 dhe 09TIRANA637, të cilat komentojnë për figurën politike të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, dhe përpjekjet e tij për të ndaluar ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Këto kabllograme, të analizuara në ditët e sotme, tregojnë se Ilir Meta kishte pasur të drejtë në përpjekjet e tij dhe grevën e urisë që organizoi brenda Parlamentit për të ndaluar manovrat e koalicionit momental PD-PS për të eliminuar partitë e vogla, ndaj dy partitë e mëdha i detyrohen një apologji publike. Gjithashtu në këto kabllograme përshkruhet imazhi politik dhe aftësia menaxhuese e Metës, i cili sipas kabllogramit, “ndonëse u dëmtua rëndë nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor, arriti të rikthehet në mënyrë impresionuese”, dhe pas marrjes së detyrës si ministër i Jashtëm, përshkruhet nga ambasadori Withers si menaxher i mirë, politikan këmbëngulës, i cili do të ndiqte linjën e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave. Të vërtetat e pathëna të “Wikileaks” kanë të bëjnë edhe me akuzat ndaj Kryeministrit. Në fakt, nëse opozita i konsideron të vërteta kabllogramet, sidomos ato të cilat flasin për uzurpimet e institucioneve nga kreu i ekzekutivit, po në këto dosje shkruhet se kreu i opozitës ka të njëjtin stil autoritarist si kryeministri, që do të thotë se opozita po akuzon kryeministrin dhe veten me të njëjtën armë. Cilido që u beson disa të vërtetave të selektuara të “Wikileaks” dhe ëndërron largimin e Berishës dhe ardhjen e Ramës si një lider me parime dhe metoda të reja drejtuese, le të lexojë kabllogramin 09TIRANA453 të datës 08/07/2009, ku ambasadori Withers komenton mbi ngjashmëritë e frikshme që Rama dhe Berisha kanë me njëri-tjetrin. Nga ky kabllogram shkëpusim: ‘5 (C). Në takime të veçanta, Baze dhe Pandeli Majko e përshkruajnë Ramën plotësisht si Berisha, por me disa ndryshime. Rama, si Berisha, merr vendime politike pa u konsultuar me drejtuesit e PS... Shumë kontakte me ambasadën konfirmojnë se tendenca e Ramës për të marrë gjithçka për vete e bën atë një drejtues të egër dhe kapriçioz....’ Ambasadori e mbyll kabllogramin me titullin “Ndoshta, fundja ne nuk dallojmë nga njëri-tjetri”, duke iu referuar ngjashmërisë Rama – Berisha. Në të ai shkruan komentet e tij përmbyllëse: “Sigurisht që ngjashmëria shqetësuese midis stilit drejtues së Ramës dhe Berishës është një frymë autoritariste që i karakterizon këta dy burra. Rama dhe Berisha bashkëpunuan për një vit e gjysmë për të zvogëluar pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjyqësorit. Si Rama ashtu edhe Berisha njihen nga partitë respektive si maniakë kontrollues, të cilët u dërgonin sms kandidatëve gjatë debateve televizive ‘live’ duke i dërguar pikat që duhet të diskutonin dhe udhëzimet. Përpjekjet e Berishës për të zvogëluar pushtetin e institucioneve të pavarura do riafirmohen me mandatin e tij të dytë... dhe tendenca e Ramës për ta përqendruar vendimmarrjen në duart e tij, sugjeron se ai do të vazhdojë të ngulmojë në dobësimin e institucioneve të pavarura nëse këto institucione do të sfidojnë autoritetin e tij. Thuhet se media është gogoli i Ramës. Pavarësisht se kush përfundon të qeverisë vendin kur Parlamenti të mblidhet në vjeshtë, institucionet apolitike dhe media e lirë do të vazhdojnë ta gjejnë veten nën presionin politik. WITHERS.” Ambasadori Arvizu i bëri apel politikës të bashkëpunojë për të ardhmen e vendit, sikurse u bëri apel propaganduesve politikë dhe manipulatorëve mediatikë të mos sillen si ish-Sigurimi i Shtetit duke sajuar histori spiunësh dhe përralla të bazuara mbi pjesëza të së vërtetës. Opinioni publik, si ata që mund të përdorin internetin apo kuptojnë anglisht, si ata që nuk kanë mundësi t’i lexojnë vetë kabllogramet e “Wikileaks”, ka të drejtën të mirinformohet dhe të mos u censurohet informacioni, në mënyrë që të arrijë në konkluzionet e veta, e më pas këtë konkluzion ta tregojë me votë kundër apo pro figurave politike të përmendura në kabllograme. Thuhet se e vërteta do të na çlirojë, por nëse popullit i serviren shumë versione të së vërtetës, ne nuk do të çlirohemi kurrë prej pengmarrjes politike, por do të prangosemi edhe më shumë në vitet dhe dekadat në vazhdim

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...