nga Adriatik Doçi
Edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani është rrëfyer në ambasadën amerikane, madje ka spiunuar edhe kundër Partisë Demokratike. Ashtu si shumë politikanë të tjerë, edhe Ristani i ka shprehur shqetësimet e tij në ambasadën amerikane. Më konkretisht, Ristani i ka shprehur shqetësimin ish-ambasadorit Xhon Uidhers lidhur me rrezikshmërinë që paraqesin Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për shkatërrimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit,
flet për shqetësimet që ia ka shprehur Arben Ristani lidhur me sabotimin e zgjedhjeve nga dy partitë e mëdha politike. Në kabllogramin e tij, Uidhers theksoi se Ristani ishte shumë i shqetësua për sjelljet e partive politike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. “Më interesant ishte momenti kur Ristani tha se kishte shumë frikë se zgjedhjet do të prisheshin në momentin kur të fillonte procesi i numërimit të votave. Ai deklaroi se partitë politike, sidomos PD dhe PS, e ka kanë humbur besimin tek institucioni që administron zgjedhjet, duke shtuar se ky fakt e dëmton shumë procesin zgjedhor”, thuhet në kabllogram. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers pohon në kabllogramin e tij edhe frikën e Ristanit mbi një skenar për të t’i nxjerrë fletët e votimit të pavlefshme. “Ai tha se mund të aplikohen metoda duke i bërë fletët e votimit të papërshtatshme për t'u numëruar. Ai tha se kjo lloj sjellje ka ndodhur edhe në të kaluarën. Partia që humb zgjedhjet bëhet si e çmenduar dhe shkakton kaos, me qëllim për t’i njollosur ato. Në 2007 për shembull, ai tha se janë thyer qëllimisht kutitë për t’i nxjerrë ato të pavlefshme”, thuhet në kabllogram. Ish-ambasadori amerikan shpreh gjithashtu habinë se përse Ristani nuk tha asnjë fjalë për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor i opozitës.
Akuza prokurorisë
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në kabllogramin drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, njofton se Ristani ka akuzuar organin e akuzës, pasi nuk ka çuar për ndjekje penale peronat që kanë prishur procesin zgjedhor në zgjedhjet e kaluara. “Ai fajësoi gjithashtu prokurorisë, sepse ajo asnjëherë nuk ka ndjekur penalisht ndonjë nga komisionerët që kanë shkelur ligjin gjatë administrimit të zgjedhjeve”, thuhet në kabllogram. Sipas telegramit, Ristani ka folur për vështirësitë që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zbatuar Kodin e ri Zgjedhor. Uidhers nuk sqaron nëse vështirësitë kishin të bënin me presionet politike mbi KQZ, apo me aftësinë profesionale të anëtarëve të KQZ.
Ristani, ankohet për buxhetin
Në kabllogramin drejtuar DASH, Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, thekson se Ristani ishte akuzuar edhe për buxhetin e pamjaftueshëm për administrimin e zgjedhjeve. Ish-ambasadori amerikan shpreh gjithashtu habinë se përse Ristani nuk tha asnjë fjalë për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor i opozitës.
LSI, sërish apel për Reformën Zgjedhore
LSI duke e shqetësuar për Reformën Zgjedhore. Në emër të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i bëri edhe njëherë apel forcave politike të nisin punën për arritjen e një pakti kombëtar me qëllim marrjen e një opinioni pozitiv nga BE në tetor. “Lëvizja Socialiste për Integrim rithekson domosdoshmërinë e nisjes sa më parë të një procesi për të arritur në një pakt kombëtar për integrimin, për t’i dhënë cilësi dhe shpejtësi të re procesit të integrimit në BE. Ne vlerësojmë se ky pakt në formën e një marrëveshje të shkruar politike, ose edhe të një ligji duhet realizuar sa më parë me qëllim që BE dhe partnerët e tjerë të marrin mesazhin e qartë se angazhimi i partive politike në procesin e integrimit të vendit nuk është taktik po është i vërtetë dhe jep rezultate konkrete”, tha Haxhinasto. Duke e vënë theksin tek integrimi i vendit, Haxhinasto tha se është e rëndësishme të mblidhet sa më shpejt edhe tryeza e integrimit.
PD: Opozita e pa qëndrueshme
Mazhoranca qeverisëse thekson se opozita është e paqëndrueshme. Deputetja demokrate Mesila Doda tha se kryesocialisti Edi Rama po provon se kursi i tij i ri nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim publik. Sipas zonjës Doda, loja e Ramës “Një ditë voto në Kuvend, një ditë jo”, nuk ka lidhje me kontributin e PS-së për integrimin, siç ai me deklarata pozitive është rikthyer në këtë sesion të ri parlamentar. Doda ftoi opozitën të jetë serioze në nisjen e punës për përmbushjen e prioriteteve të Bashkimit Evropian, prej dy vitesh të bllokuara në axhendën e Kuvendit. Sipas Dodës, koha është që Rama të mësojë të lërë dredhitë politike, pre’ e të cilave përherë ka rënë vetë lideri i opozitës. Reagimi i zonjës Doda erdhi pasi socialistët refuzuan të miratonin kodin ajror, hekurudhor, e detar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, e ndërsa vetëm një ditë më parë kishin dhënë votat për miratimin e Kodit Rrugor.
Uikiliks, si u manipuluan zgjedhjet e ‘96
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers informon Departamentin Amerikan të Shtetit se pse Berisha ishte kundër Gloverit. “Pikëpamjet e Bashës, ishin të kopsitura mirë, por përsëri nuk e fshihnin dot faktin që kundërshtimi i Gloverit prej qeverisë buron me të gjithë gjasat nga një armiqësi e vjetër e kryeministrit Berisha ndaj saj, për shkak se ishte kryetare e ODIHR-it në kohen e zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 1996-ës, një prej momenteve më të errëta të karrierës së gjatë të Berishës", thekson Uidhers. Sipas tij, qëndrimi i ekzekutivit reflekton gjithashtu një tjetër tendencë të Berishës, besimin e tij se mund të kontrolloje çdo aspekt të zgjedhjeve të ardhshme, përfshirë personat e mandatuar për të bërë vlerësimin e tyre dhe komentet përkatëse.