nga Artemisa HOXHA
Politika shqiptare ka reaguar ditën e djeshme pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të disa neneve të ligjit të Gjendjes Civile, që i hapnin rrugë manipulimit të popullsisë. Ata e kanë konsideruar këtë vendimin si më të drejtin që mund të jepej për shqiptarët, ndërkohë që duke pritur arsyetimin ligjor të këtij vendimi, ata në të njëjtën kohë kanë kërkuar pezullimin e regjistrimit të popullsisë. Në një prononcim për gazetën “Sot”, ish kreu i shtetit Alfred Moisiu, theksoi se Gjykata Kushtetuesi rivendosi një të drejtë të nëpërkëmbur. “Vendimi ishte i drejtë. Kushtetuesja vendosi në fund të fundit në vendin e vet një të drejtë kushtetuese të nëpërkëmbur”, është shprehur Moisiu. Ndërkohë që pak kohë më parë Moisiu ka reaguar dhe lidhur me censusin e popullsisë, duke theksuar se mënyra e regjistrimit është një goditje morale që i bëhet kombit shqiptar dhe sipas tij këtë goditje nuk mund t`ia japë shteti i vetë. “Problemi komb dhe kombësi nuk parashikohet fare në Kushtetutë. Kushtetuta pranon vetëm shtetësi. Unë nuk e di se ku janë bazuar ata që kanë hartuar ketë formular. Nuk e di nëse kjo është bërë nga mosdija nga keqdashja. Ajo që mund të them është se ai formular duhet korrigjuar dhe kjo punë duhet parë seriozisht”, është shprehur Moisiu.
Meksi
Lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese ka reaguar dhe opozita, e cila ka mbrojtur këtë çështje. Në një prononcim për gazetën”Sot”, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi ka deklaruar se ky vendim në të vërtetë është përgjigje e një kërkese që ka mjaft sensibilitet për shqiptarët. “Kjo ishte një përgjigje e një kërkese që ka sensibilitet”, është shprehur Meksi. Ndër të tjera duke respektuar vendimet e dhëna nga ky institucion i lartë, deputetja socialiste ka nënvizuar se ky vendim i fundit i Kushtetueses tashmë mbetet vetëm për t`u zbatuar. “Derisa këtë vendim e ka dhënë një institucion siç është Gjykata Kushtetuese, ky vendim duhet respektuar nga të gjithë dhe nuk ka më vlerë të diskutohet”, është shprehur më tej Meksi. Ndërsa deputetë dhe juristë të tjerë të PS po presin arsyetimin ligjor të kësaj gjykate, për të gjykuar me baza ligjore këtë vendim.
Shehu
Ndërkohë që zëra pro këtij vendimi të dhënë nga Kushtetuesja dhe me shumë rëndësi për popullsinë shqiptare, kanë dalë dhe brenda kampit të djathtë. Për gazetën “Sot”, deputeti Tritan Shehu është shprehur se ai ka qenë gjithmonë kundër regjistrimit të kombësisë në gjendjen civile. Shehu ka bërë të ditur qëndrimin e tij për regjistrimin vetëm për përcaktimin e shtetësisë dhe jo atë të kombësisë. “Unë kam qenë gjithnjë për regjistrimin vetëm të shtetësisë në gjendjen civile dhe jo atë të kombësisë, siç u kërkua nga disa. Mendoj që vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese ishte i drejtë”, është shprehur deputeti i mazhorancës.
BE: Regjistrimi i popullsisë, i rëndësishëm për statistika
Bashkimi Evropian e konsideroi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, si të domosdoshëm dhe deklaroi se pikërisht për këtë arsye ka qenë mbështetësi kryesor edhe në anën financiare i këtij projekti. Përfaqësuesi i delegacionit të BE, Francois Begeot ka theksuar se BE ka dhënë një ndihmë të madhe për këtë proces, i cili mendohet se do të përmirësojë statistikat zyrtare të Shqipërisë. “Censusi duhet parë si një operacion kritik dhe shumë i rëndësishëm dhe që do të ndihmojë INSTAT të krijojë një sistem statistikor të besueshëm sepse statistikat që kanë të bëjnë me popullsinë janë më të rëndësishmet për një vend. Ne kemi dhënë një ndihmë konstante ndaj këtij procesi, sepse ne besojmë që përmirësimi i statistikave zyrtare është një garanci për demokracinë dhe një input i rëndësishëm për të patur një menaxhim të mirë të vendit dhe që ndihmon”, është shprehur Begeot. Ndër të tjera ai ka pohuar se përmirësimi i statistikave zyrtare është një garanci për demokracinë dhe një input i rëndësishëm për të patur një menaxhim të mirë të vendit dhe që ndihmon rritjen ekonomike. Ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila në themel të misionit të saj ka zhvillimin human thotë se një pasqyrë e qartë të dhënash do të lehtësonte ndihmën ndaj shtresave në nevojë dhe politikat për sektorët kyç. “Censusi do të ndihmojë për një shpërndarje më të mirë të buxhetit dhe burimeve në tërësi. Ai do të krijojë një pikturë më të qartë të barazisë gjinore në vend dhe do të kontribuojë për një targetim më të mirë të mbështetjes për arsimin, shëndetësinë dhe asistencë sociale. Përdorimi aktiv dhe i duhur i tij do të promovojë zhvillimin human në vend dhe do të ndihmojë ambiciet e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimi Evropian dhe arritjes së objektivave të mijëvjecarit”, tha zyrtari evropian. Në 1 tetor INSTAT do të nisë zyrtarisht procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave i ashtuquajtur censusi 2011, për të cilin është angazhuar një buxhet prej 14 milionë euro dhe ku do të punësohen rreth 15 mijë vetë.
PDIU kërkon heqjen e etnisë nga pyetësori
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka përshëndetur dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen antikushtetuese të ndërrimit të kombësisë, sipas procedurave të parashikuara në ligjin për gjendjen civile. PDIU, në deklaratën zyrtare bën me dije se pret zbardhjen e argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, për të parë nëse në të është përfshirë edhe përcaktimi i antikushtetueshmërisë të censusit të popullsisë, sikurse PDIU kishte kërkuar publikisht nga Gjykata. Ndër të tjera, në këtë deklaratë PDIU i ribën thirrje qeverisë shqiptare, të heq nga pyetësori pyetjet mbi etninë dhe fenë, edhe pse kjo duhet të kishte ndodhur prej kohësh. Censusi duhet të zhvillohet në ndihmë kombit dhe shtetit shqiptar, pra pa pyetje mbi përkatësinë kombëtare dhe besimin e individëve. Edhe në rast se Komisioni Shtetëror i Censusit, në kundërshtim me vullnetin e popullit, vijon këtë projekt, PDIU do të bëhet garat i amendamenteve të saj të kaluara në Kuvend.
Gjykatat kërkuan shfuqizimin e ligjit
Disa muaj më parë, gjyqtari i rrethit Sarandë çoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ligjin për "Gjendjen civile" ku përdorej termi kombësi. Kryetari i kësaj gjykate Alltun Cela i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shpalljen të papajtueshëm me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit “kombësia” të përcaktuara në ligjin e datës 11.5.2009 për Gjendjen civile .Në kërkesën e tij gjyqtari ka nënvizuar se ashtu sikurse është pranuar tashmë nga jurisprudenca, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore apo gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet si i tillë. Ndërkohë, mazhoranca qeverisëse ka deklaruar se ligji është kushtetues dhe se regjistrimi në bazë feje dhe etnie është një detyrim evropian.
Braçe: Shqiptarët fituan mbi antikushtetueshmërinë
Një nga deputetët e Partisë Socialiste që ka mbrojtur më shumë ligjin kundër përcaktimit të nocionit të kombësisë në regjistrimin e gjendjes civile, ka qenë dhe deputeti Erjon Braçe. Në statusin e tij, në rrjetin sociali facebook, Braçe ka deklaruar se të gjithë shqiptarët fituan me këtë rrëzim të ligjit dhe tashmë askush nuk ka të drejtë që të ndërrojë kombësinë. “Mbaroi! Fituan shqiptarët! Vendos Gjykata Kushtetuese: antikushtetues ligji i gjendjes civile që krijon mundësi për ndryshim të kombësisë!”, është shprehur Braçe. Ndër të tjera ai është shprehur se është shumë i lumtur që ka një shtetësi shqiptare. Në këtë frymë kanë qenë dhe deputetë të tjerë të majtë, që kanë mbështetur vendimin e dhënë nga Kushtetuesja.