"Nuk është e drejtë që Kosova të shihet si pengesë nga shumica e vendeve që të jetë anëtare e OKB-së. Po ashtu nuk është e drejtë dhe duhet t’iu shmangemi ideve dhe logjikës që mund të ketë kthim prapa. Kosova është vend i pavarur dhe sovran; ajo ka tërësinë e saj territoriale dhe si e tillë është njohur deri tani nga 84 vende të botës dhe kjo është rruga jonë drejt integrimeve euroatlantike."
E pyetur rreth kritikave të shprehura në Kosovë rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e imunitetit të deputetëve, vendim që çoi në vënien e deputetit Fatmir Limaj nën arrest shtëpie, Presidentja Jahjaga tha:
"Nuk dëshiroj si presidente e vendit të komentoj raste individuale dhe sepse unë dua t’i përmbahem kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendit tonë. Gjykatat janë të pavarura në punën e tyre dhe në funksionin e tyre, nuk janë të ndikuara ndaj politikës dhe hetuesia është ajo që përcakton fajësinë ose pafajësinë e një individi. Të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit, si individë dhe jo si funksione."
Nuk është e qartë nëse çështja e vendkalimeve kufitare mes Serbisë dhe Kosovës mund të përfshihet në bisedimet ndërmjet dy vendeve që pritet të rifillojnë më 27 dhe 28 shtator në Bruksel. Zonja Jahjaga tha se regjimi kufitar me Serbinë është i njëjtë si regjimi me shtetet e tjera fqinje.
"Funksionimi i dy pikave kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës është një vendim dhe e drejtë legjitime e institucioneve të Republikës së Kosovës që ka patur një përkrahje të plotë nga bashkësia ndërkombëtare apo nga institucionet ndërkombëtare. Kosova është një zonë doganore dhe regjimi kufitar me shtetin fqinj të Serbisë është regjim i njëjtë kufitar sikurse me vendet e tjhera fqinje si Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Nuk ka kthim mbrapa. Ne jemi të interesuar që sa më shpejt të kthejmë normalitetin në këto tri komuna në veri të Kosovës. Dalja nga proces është sundimi i mirëfilltë i rendit dhe ligjit. Po ashtu duhet të zbatohet plani i Ahtisarit dhe duhet të mbahen zgjedhjet lokale në mënyrë që të kemi të zgjedhur legjitimë dhe legalë që të mund të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve edhe në këto tri komuna."
Por a ka Prishtina ndonjë ofertë të re për të nxitur serbët në veri të pranojnë institucionet e shtetit të Kosovës? Presidentja Jahjaga tha se serbëve në veri duhet t’u shpjegohet se Kosova është vend i pavarur.
"Sa i përket tri komunave të veriut të Kosovës, kjo është çështje gjeografike dhe jo çështje politike, nuk është çështje territoriale por ka të bëjë me tri komuna në veri të territorit të Kosovës që janë komuna e Leposaviqit, komuna e Zubin Potokut dhe komuna e Zveqanit. Ne duhet të angazhohemi më shumë që t’u shpjegojmë këtyre qytetarëve se Kosova është vend i pavarur, është vend sovran dhe ka tërësinë e saj territoriale, dhe e tillë, siç e thashë, është pranuar nga 84 shtete. Kjo nuk ka alternativë tjetër. Nuk ka Ahtisari Plus, nuk ka status të veçantë. E ardhmja e qytetarëve serbë në Kosovë, pa marrë parasysh se jetojnë në jug të Ibrit apo në pjesën veriore është brenda institucioneve të Republikës së Kosovës dhe brenda këtyre institucioneve drejt integrimeve evropiane. E vetmja përgjigje përsa i përket tri komunave të veriut të Kosovës është plani Ahtisari që tani është në funksionim e sipër dhe që deri tani i ka treguar rezultatet në pjesën më të madhe të komunave. Është shumë e rrezikshme nëse një pjesë e komuniteteve do të trajtoheshin pak më ndryshe nga njerëzit e tjerë që i përkasin të njëjtit komunitet. Kjo do të nxiste shpërnguljen nga njëra pjesë në pjesën tjetër të Kosovës dhe nuk do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe jetë së mirëfilltë të të gjithë qytetarëve në territorin e Kosovës."(Ilir Ikonomi)
No comments:
Post a Comment