Pas vdekjes së perandorit
Teodosi i Madh më 395, Perandoria Romake u nda në dy pjesë: në Perandorinë e
Lindjes – Bizantin, me kryeqendër Konstantinopojën dhe në Perandorinë e
Perëndimit, me kryeqendër Romën. Iliria mbet nën sundimin e Bizantit.
Historiani, Tajar Zavalani, shkruan:
”Vendbanimet fillestare të Sllavëve kanë qenë moçalet e luginës së
lumit Pripet në një krahinë të Bjellorusisë që quhej Polesje. Sllavët jetonin
si tribu primitivë, me regjim patriarkal e merreshin me pak bujqësi duke djegë
pyjet, në toket e të cilëve mbillnin për
një stinë, duke shfrytëzuar hirin si pleh.”
Profesori çek, Dvornik, shkruan:
“Sllavët nuk kanë asnjë legjendë heroike që të kujtojë vendosjen e tyre
në Gadishullin Ballkanik. Historia e invazioneve sllave filloi nga fundi i
shekullit VI pas Krishtit.”
Në një epokë të historisë që nuk dihet me saktësi, Sllavët
filluan të dalin nga Polesja dhe të përhapen në Europën e Mesme dhe Juglindore.
Ata nuk ishin inisiatorët e këtij invazioni, por ishin skllevër dhe shërbyen si
“mish për top”, masë mbrojtëse të Avarëve, Hunëve dhe Bullgarëve.
Historiani W.Temperly, shkruan:
“Sllavët nuk erdhën si një ushtri invaduese që mund të luftohej me
armë, por si një masë njerëzish kundër të cilëve nuk kishte asnjë fuqi që mund
të qëndronte. Ishte një gjë e lehtë të shfaroje individë ose grupe të tërë nga
invaduesit sllavë, por ishte e pamundur të ndalosh dyndjet e tyre, ku numri
ishte aq i madh sa zinte vendin e vetive luftarake.”
Në fillim fushatat sllave në Ballkan patën një karakter të
përkohshëm. Ata hynin në një vend, vrisnin, prisnin, digjnin, rrënonin e
grabisnin sa mundeshin dhe ktheheshin pas maleve Karpate ku ishin vendos.
Kështu, në vitin 580, një fuqi e përzier sllavësh dhe avarësh, rreth 100.000
vetë, u nisën nga gryka e Danubit dhe bënë kërdinë në Iliri dhe Thraki. Ata
dogjën, plaçkitën e grabitën për 4 vite rresht. Një pjesë e tyre u tërhoqën me
një pasuri të madhe, por shumica e sllavëve u ngulitën në trojet e pushtuara ilire.
Këto epizode tragjike të invadimeve sllave në Ilirik arritën kulmin e tyre në
vitin 617, kur pas vërshimeve të tyre masovike u vendosën përfundimisht në
Ballkan, duke filluar sllavizimin gradual të tij.
Historiani i Bizantit, Prokopi, shkruan:
“Si një valë deti prej njerëzish, me burra, gra e fëmijë, ata u
vërsulën në tokat e Perandorisë dhe kthyen në gërmadha e zhytën në gjak
Ilirinë, Epirin dhe Thrakinë, duke përparuar deri në thellësi të Greqisë së
vjetër. Prej orës që skllavinët u turrën në tokat e Perandorisë, ata grinë dhe
masakruan të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie e moshe që u ranë në duar. Kjo
shfarosje me shumicë mbuloi në kufoma Ilirinë dhe Thrakinë, që sipas
llogaritjeve ishin më shumë se 200.000 vetë, duke përfshirë edhe ata që u morën
si skllevër.”
Në fund të shekullit VIII, Bullgarët u shkëputën nga
dominimi i Avarëve të së njëjtës rracë dhe filluan të pushtojnë toka për
llogari të tyre. Në vitin 679, nën udhëheqjen e Khanit bullgar Asparuh, ata u
vendosën në tokat e Bullgarisë së sotme, duke hedhur themelet e një shteti
bullgar të pavarur nga Bizanti. Duke qenë një popullsi më e vogël në numër se
Sllavët, Bullgarët morën gjuhën sllave dhe si rezultat u sllavizuan.
Historiani arbëresh nga Kroacia, Aleksandër Stipçeviç, për
dundjet dhe vendosjet sllave në Ilirik, shkruan:
“Mbarimi i kohës së vjetër dhe fillimi i kohës së mesme, vijoi në
Ballkan si një ndër periudhat më të errta. Gotët, Hunët, Avarët dhe popujt e
tjerë barbarë sulmuan nga të gjitha pjesët, duke plaçkitur e shkatërruar çdo
gjë që krijuan Romakët dhe Ilirët gjatë atyre shekujve të punës e të
përparimit. Një qytetërim i zhvilluar filloi të zhduket nën goditjet
vdekjeprurëse që i shkaktonin hordhitë barbare me tërbimin e tyre shkatërrues.
Në fillim të shekullit VII fillon kolonizimi nga ana e popujve të ndryshëm sllavë,
të cilët, pak nga pak, e pushtuan gati tërë vendin që dikur u takonte Ilirëve.”
Në këtë mënyrë Serbët e Bullgarët u vendosën në Ballkan,
duke shtyrë popullsinë autoktone ilire drejt jugut, të cilët u quajtën Ilirë të
Jugut dhe shtriheshin nga Kosova në Artë dhe nga deti Adriatik në Shkup. Pjesa
veriore e Dardanisë u pushtua dhe u sllavizua nga Serbët, kurse pjesa lindore e
saj dhe Thrakia u pushtua dhe u asimilua nga Bullgarët.
Popullsia sllave e përbërë nga serbët, kroatët, sllovenët e
më vonë edhe bullgarët, që u formuan gjatë Mesjetës, ishin me besim fetar
pagan. Serbët më 879 dhe Bullgarët më 866, u futën në vitin 879 në kishën e
krishterë ortodokse, kurse kroatët e sllovenët u futën në kishën e krishterë katolike.
Në të gjitha kishat e Sllavëve të Jugut, gjuha serbe quhej
si gjuhë ilire dhe shënohej si “iliryca lingua”, e që nuk ka qenë aspak ilire,
por sllave. Në këtë mënyrë Serbët e sllavët tjerë, përpiqeshin të përzihen me
Ilirët autoktonë. Bullgarët arritën ta quajnë gjuhën e tyre Maqedonishte (pra
ilire), por edhe ajo ishte gjuhë sllave. Bullgarët, pasi që pushtuan
Maqedoninë, e quajtën Aleksandrin e Madh paraardhës të tyre, d.m.th. bullgar!
Mirëpo, historiani francez, D’Anzhieli, shkruan:
“Nuk mund të harrohet që Aleksandri i Madh ishte me prejardhje ilire,
me arsim helen dhe i edukuar nga një shqiptar/ilir tjetër prej Stragjirës së
Maqedonisë, Aristotelit. Nëna e Aleksandrit të Madh , Olimpia/Olimbia, ishte
nga fiset Iliro-Epirote, babai i tij, Filipi II, ishte ilir maqedonas, pra
shqiptar...”
Ndryshe nga dyndjet e tjera barbare që nuk zunë vend në
Shqipëri, ardhja e Sllavëve qe me pasoja të mëdha për popullin dhe trojet tona. Në shekullin VIII dyndjet sllave
morën fund në Ballkan. Popullsia Thrake u zhduk plotësisht dhe u formua
Bullgaria e sotme. Vendbanimet ilire u ngushtuan shumë dhe popullsia ilire që
banonte në vendet që sot quhen: Slloveni, Kroaci, Bosnjë, Mali i Zi, Serbi dhe
Maqedoni u asimilua krejtësisht ose u
shfaros me dhunë.
*****
Sipas historianëve bizantinë: Teofani, Nikifori, Kedreni
dhe Zomara, Bullgarët sllavë u vendosën në Siujdhesën Ilirike dhe në trojet e
Maqedonisë antike diku kah gjysma e shekullit VII të erës sonë, rreth viteve
650-680 dhe në vitin 687, pra tetë-nëntë vjet pas themelimit të Mbretërisë
Bullgare, popullsia e Maqedonisë antike ishte bullgaro-sllave.
Në shek.IX shteti Bullgar u forcua dhe filloi të zgjerohet
në kurriz të Perandorisë Bizantine. Në vitin 851 ata u shtrinë në Maqedoninë
Qendrore dhe në Shqipërinë e Jugut, duke pushtuar Ohrin dhe Devollin, kurse
disa vjet më vonë pushtuan edhe Beratin dhe gjithë luginën e Vjosës. Në vitin
904 ata pushtuan edhe Vlorën, Himarën, Butrintin e Nikopojën (Prevezën), por
nuk mundën ta marrin Durrësin dhe Shkodrën. Të gjitha këto toka shqiptare hynë
nën sundimin e Mbretërisë Bullgare dhe Simeoni e ktheu shtetin bullgar në
Perandori, duke e shpallur veten Car të Bullgarëve dhe Bizantinëve.
Pas vdekjes së Simeonit, perandoria bullgare u dobësua, por
pas marrjes së fronit nga një feudal i fuqishëm, Samuili, ajo u rimëkëmb
përsëri. Qendra e saj u bë Prespa e më vonë Ohri. Në vitin 1005 ai shtiu në
dorë Durrësin dhe më 1014 Manastirin. Vendin e Samuilit e zuri vëllau i tij,
Ivan Vlladisllavi. Në vitin 1017 Ivan Vlladisllavi u vra në afërsi të Durrësit.
Pas kësaj bullgarët iu nënshtruan Bizantit, por Vojvoda Ivaca e vazhdoi
rezistëncën e tij në Skrapar ku u shtyp përfundimisht nga gjenerali shqiptar,
David Arianiti. Ky qe dhe fundi i mbretërisë bullgare dhe e sundimit bullgar në
Shqipëri (851-1017=166 vjet).
Bullgaro-sllavët depërtuan shumë lehtë drejt Ilirikut dhe
Maqedonisë, duke krijuar shumë shpejt mbretërinë
e tyre, sepse ata i morën me të mirë vendasit e atjeshëm: Ilirët, Vllehët,
Thrakasit, Myzianët dhe popuj të tjerë, të cilët ishin nën robërinë dhe
sundimin e egër të Perandorisë Bizantine dhe të nëpërkëmbur edhe nga Grekët.
Këto popuj të shtypur nga pushtuesit bizantinë, Bullgarët sllavë i pritën gati
si ”çlirimtarë”, sepse Mbretëria Bullgare ishte në luftë e armiqësi të
përhershme me Bizantin dhe popujve të shtypur nga ai u njohu shumë të drejta,
të cilat ata nuk i kishin pasur prej shekujsh.
Perandori bizantin, Justinian Rinometi, nuk pranoi tu
paguaj Bullgarëve tributin e pranuar nga ati i tij, por ngriti një ushtri të
fuqishme dhe mundi në fushat e Thrakës një ushtri bullgare. Ai më pas marshoi
drejt perëndimit dhe përparoi deri në Selanik, duke i nënshtruar popullsitë
sllave.
Nga kronikat bizantine del edhe çështja e ushtrisë së
bullgarëve të vendosur në Maqedoni: ”Këtë vit (v.691),- shkruan
Nikifori,- perandori Konstantin i ktheu në robër një pjesë të popullsisë sllave të
Maqedonisë dhe ia nënshtroi të tjerat perandorisë romake”. Kjo ndodhi sepse ushtria bullgare
sllave, e komanduar nga Nebuli, kaloi në anën e ushtrisë arabe, të udhëhequr
nga kalifi Abdel-Malek, në luftën e tij me ushtrinë bizantine. Në këtë kohë
Bullgaro-sllavët shtriheshin jo vetëm në Maqedoni e Greqi, por deri në
Peloponez.
*****
Në vitin 168
p.e.s. Maqedonia ra nën sundimin romak, ndërsa në vitin 148 p.e.s. ajo u bë
provincë e thjeshtë romake. Me ndarjen e Perandorisë romake, më 395, Gadishulli
ballkanik u bë pjesë e Perandorisë Lindore romake – Bizantit, kështu edhe
provinca e dikurshme e Maqedonisë antike u bë pjesë përbërëse e saj. Në shekullin
XIV dhe XV hapësirat e Ballkanit ranë nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe
ngelën aty gjer në prag të Luftës së Parë Botërore. Rajoni i dikurshëm i
Maqedonisë antike me Traktatin e Bukureshtit, të vitit 1913, u nda midis
Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë.
Maqedonia nuk u përmend për afro
dymijë vjet, që nga rënia e saj nën Perandorinë romake e deri në fillim të
shekullit XX. Poashtu, gjatë tërë historisë nuk ka ekzistuar asnjë përpjekje e
ndonjë populli për të ringjallur shtetin me emrin Maqedoni.
Ideja për një Maqedoni si shtet, lindi nga fundi i
shekullit XIX. Atëherë doli në skenë një lëvizje e fuqishme, që njihet me emrin
VMRO. Sipas platformës politike të saj Maqedonia do të duhej të ishte një
“Zvicër ballkanike”, ku do të jetonin në
barazi të plotë banorët e saj: bullgarët, shqiptarët, turqit, vllehët, grekët
etj. Duke u nisur nga parimet e lartpërmendura, edhe përkundër kundërthënieve,
më 1903 shpërtheu kryengritja, e cila njihet me emrin Kryengritja e Ilindenit.
Ngjarjet kryesore të kësaj kryengritjeje u zhvilluan në hapësirat, ku jetonin
shumica shqiptare. Për shkak të karakterit çlirimtar të Kryengritjes së
Ilindenit, shqiptarët morën pjesë aktive në të. Këtë e dëshmojnë edhe shumë
autorë sllavo-maqedonas, të cilët kanë shkruar për këto ngjarje.
Maqedonia e vitit
1912
Ndër
ta është edhe Todor Simovski, i cili në punimin e tij: “Për pjesëmarrjen e kombësive në Kryengritjen e Ilindenit”,
shkruan:
“…përpjekjet
e para për një shtet maqedonas filluan aty kah fundi i shekullit XIX, nën ndikimin
e lëvizjeve çlirimtare të popujve fqinj, të cilët tentonin të çlirohen nga
sundimi shekullor osman. Kështu, nën ndikimin e këtyre lëvizjeve, edhe tek
sllavo-maqedonasit u formua organizata “VMRO”, nën ndikimin e së cilës, në
vitin 1903, shpërtheu Kryengritja e Ilindenit. Kryengritja kryesisht kishte
karakter antiosman. Prandaj, asaj iu bashkangjitën dhe e ndihmuan edhe
Shqiptarët. Pa ndihmën e Shqiptarëve ajo vështirë se do të kishte sukses, kur
dihet se ajo u zhvillua kryesisht në viset e banuara më tepër me
Shqiptarë”.
Më tej ai vazhdon: “Shqiptarët
kishin merita të veçanta për Komitetin dhe kryengritjen e Ilindenit, që ishin
bartës të sigurtë dhe të mirë të armëve, barutit dhe materialit tjetër
ushtarak” .
Në lidhje me çështjen e Kryengritjes
së Ilindenit dhe luftën e shqiptarëve në këtë periudhë kanë shkruar edhe
historian tjerë maqedonas, si: Aleksandër Hristov, Orde Ivanovski,…etj.
Poashtu, për këtë flitet edhe në librin: Historia e Popullit Maqedonas, Shkup
1993, ku theksohet pjesëmarrja masive e shqiptarëve në atë kryengritje.
Edhe
pse Kryengritja e Ilindenit për disa ditë u shua nga forcat ushtarake osmane,
kjo ishte ngjarja e parë me rëndësi historike për popujt që jetonin në
Maqedoni. Këto ngjarje shënuan zanafillën historike të bashkëpunimit në mes sllavomaqedonasve
(apo sllavobullgarëve) dhe Shqiptarëve, si dhe gatishmërinë e këtyre dy popujve
të robëruar, për t’u çliruar nga zgjedha osmane.
Konferenca
e Londrës ( 1913 ), e njohu pavarësinë e Shqipërisë, por e sanksionoi ndarjen e
hapësirave gjeografike dhe të popullit shqiptar si tërësi, në dy pjesë gati të
barabarta. Gjysma e kombit shqiptar mbeti në përbërje të Shqipërisë së pavarur,
ndërsa gjysma tjetër hyri në përbërje të Mbretësisë Serbe.
Pas Luftës së Parë Botërore,
Shqiptarët etnikë që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, u futën në përbërje
të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, që pak më vonë u quajt Mbretëria e
Jugosllavisë.
Ndarja e Maqedonisë
në vitin 1913
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe
përkundër propagandës komuniste për “vetëvendosjen e popujve”, ajo jo që nuk
ndodhi me shqiptarët, por hapsirat e tyre etnike u coptuan në shumë shtete.
Komunistët u ofronin shqiptarëve të drejta dhe barazi “fiktive”, siç ishte
rasti me Mbledhjen e ASNOM, më 2 gusht 1944, në Prohor Pçinski.
Lidhur me këtë
Prof. Dr. Gjorgji Caca thotë:
“Republika Socialiste e Maqedonisë,
sot është ajo që asnjëherë nuk ka qenë. Ajo është kështu, sepse është formuar
në Luftën e përbashkët të popullit maqedonas së bashku me kombësinë shqiptare
dhe turke … “
As në fazën e parë dhe as në të dytën,
Maqedonia nuk përkufizohet si shtet nacional i maqedonasëve. Në fazën e tretë
Kushtetuta e re e qartësoi përbërjen e popujve të Republikës së Maqedonisë. Kjo
ishte Kushtetuta e vitit 1974, e cila e definon Maqedoninë kështu:
“ Republika Socialiste e Maqedonisë
është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe
turke në të, bazuar në sovranitetin e popullit, pushtetit dhe vetëqeverisjes së
klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punonjës dhe bashkësi socialiste
demokratike vetëqeverisëse të popujve punonjës dhe qytetarëve, të popullit
maqedonas dhe me të të barabartë të kombësisë shqiptare dhe turke ”.
Nga definicioni i aktit më të lartë
juridik për Maqedoninë si shtet i Maqedonasve, Shqiptarëve dhe Turqve mund të
konstatohet se kjo i përgjigjej realitetit historik për kontributin e dhënë të
popujve të saj dhe përbërjes etnike të kësaj republike multinacionale.
*****
Ekziston për një kohë të gjatë një kontest në mes të disa shteteve ballkanike
në lidhje me territorin e ish-provincës otomane të Maqedonisë. Ky kontest
etno-territorial në periudha të caktuara historike ka marë përmasa të
rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Përderisa pushteti okupues
otoman ishte i fuqishëm dhe stabil, kontradiktat mes etnive të ndryshme
mbaheshin nën kontrollin e organeve qëndrore. Fillimi i rënies dhe i largimit
të ngadalshëm të otomanëve nga Ballkani, me paqen e Karlovcit të vitit 1699 dhe
fillimi i ndërhyrjes së fuqishme ruse pas vitit 1820 me pavarësimin e Greqisë,
e bashkuar kjo edhe me dëshirën e natyrshme të popujve ballkanikë për liri,
sollën deri te tërmete të mëdha në Europën juglindore. Në këtë kuadër, si
rezultat i luftës ruso-turke të vitit 1877/78, dhe disfatës së tmershme të armatave
otomane, Rusia ia diktoi Turqisë termat e paqes së Shën Stefanit (Jeshilkojit)
nga 3 marsi 1878. Në bazë të kësaj marëveshjeje, Bullgaria fitoi autonominë dhe
u zgjerua shumë në dëm të vendeve fqinje duke fituar Vranjën, Pirotin, Thrakën
etj. Implikime të mëdha solli sidomos zgjerimi në perëndim duke përfshirë gati
gjithë territorin e Maqedonisë otomane. Kundër këtij forcimi të madh të
ndikimit rus në jug reaguan fuqitë e mëdha duke organizuar Kongresin e Berlinit
(13 qershor-13 korrik, 1878), me të cilin Bullgarisë iu reduktuan ndjeshëm
kufijtë e propozuar nga Rusia në Shën Stefan. Prej kësaj kohe politika bullgare
në drejtim të Maqedonisë mer formë më të sofistikuar duke folur gjithmonë për
një Maqedoni autonome, kuptohet si një fazë e ndërmjetme kjo drejt bashkimit me
Bullgarinë.
Në vijim të aktiviteteve revolucionare të kontrolluara nga Sofja, më
1893, në Selanik, formohet “Organizata revolucionare e brendshme
maqedonase-odrinase”, e cila më vonë do të ndryshojë disa herë emrin por jo
edhe qëllimin e deklaruar: Çlirimin e Maqedonisë nga okupatori turk dhe
bashkimin e natyrshëm të popullit bullgar me shtetin amë Bullgarinë.
Themeluesit e saj si: Kristo Batanxhiev, Dame Gruev, Kristo Tatarçev etj, e
ndjenin veten të gjithë për bullgarë etnikë dhe asnjëherë nuk e vinin në dyshim
këtë. Madje vetë Dr.Kristo Tatarçev,
e shpreh qartë në memoaret e tij idenë mbizotëruese në bazë të së cilës u
formua organizata kur thotë se: “E
kishim në mendje se një Maqedoni autonome do ta kishte më lehtë të bashkohej me
Bullgarinë më vonë”. Ky është vetëm një nga qindra e mijëra dokumente në të
cilat pasqyrohet qartë karakteri etnik bullgar i popullsisë sllavishtfolëse të
Maqedonisë së asaj kohe.
Në luftën ballkanike të vitit 1912 dhe në rregullimet pasuese të
Bukureshtit dhe të Londrës si humbës më i madh doli populli shqiptar territori
i shtetit-komb të të cilit u reduktua në vetëm 30% të territorit të banuar nga
shqiptarë etnikë në Ballkan. Paqja e Bukureshtit nga 10 gushti i vitit 1912
megjithëse i dhuroi Bullgarisë një territor prej gati 26.000 km2, përsëri nuk
kënaqi aspiratën e natyrshme popullore për tu bashkuar me bullgarët e
Maqedonisë, pasi kjo pjesë e tokave bullgaro-shqiptare në masë të madhe u nda
nga fitimtarët e luftës ballkanike, Sërbisë dhe Greqisë. Që nga kjo kohë
sllavët bullgarishtfolës të Maqedonisë jetuan nën çatinë sërbe respektivisht
greke të cilët e mohonin kombësinë bullgare të tyre. Edhe në mesin e
intelegjencisë sllavishtfolëse nga Maqedonia ka pasur elementë si p.sh Kërste
Petkov Misirkov që në periudha të caktuara historike e kanë pasur të turbullt
dhe me dyzime përkatësinë e tyre kombëtare, duke u shpallur herë si bullgarë,
herë si bullgaro- maqedonas e herë si maqedonas.
Elemente bullgare nga Maqedonia të shkolluara para Luftës II Botërore me
fondet e Mbretërisë Sërbe në Beograd , pas
ndryshimeve të vitit 1945 fitojnë përparësi dhe në kuadër të politikave
titoiste fillojnë me një punë serioze për krijimin përfundimtar të një kombi të
ri: atij maqedonas.
Federata komuniste e Jugosllavisë për herë të parë njeh zyrtarisht një
kombësi të veçantë sllave-jugore, atë maqedonase me të gjithë elementët e
veçantësisë kulturore që e dallojnë një komb, në radhë të parë gjuha. Në një
periudhë kohore 50 vjeçare, dhe në reth 18 vite pavarësi nga ish-federata jugosllave
në këtë vend bëhet përpjekeje që të etablohet dhe përforcohet elementi etnik
maqedonas si i ndryshëm nga ai bullgar. Në këtë drejtim Bullgaria dhe Maqedonia
paradoksalisht pretendojnë njëkohësisht në përkatësi etnike bullgare
respektivisht maqedonase për heronjtë e njëjtë kombëtarë, shkrimtarët e njëjtë
nga e kaluara, shenjtorët e kishës ortodokse, gjuhën e folur e cila është gati
identike, kulturën popullore e deri tek mitet popullore.
Kjo në radhë të parë ka të bëjë me gjuhën gati identike, por shumë më
tepër me figurat e mëdha historike nga e kaluara të cilët janë njëkohësisht
edhe bullgare edhe maqedonase!. Që nga Shën Kirili, Shën Metodi, Shën Naumi e
Car Samuili, Krali Marko e Karposhi, e deri tek Goce Dellçev, Nikolla Karev e
Kristo Tatarçev, për të numëruar disa shembuj të paktë, gjithë këto figura
historike janë për bullgarët bullgarë, kurse për një pjesë sllavishtfolëse të
qytetarëve të IRJM-së, që e mban veten për maqedonase në aspekt etnik, këta
janë maqedonas.
Një numër i ngjarjeve të mëdha historike nga e kaluara si Mbretëria e
Samulit, beteja e Maricës, kryengritja e Karposhit, kryengritja e Kresnës,
Kryengritja e Razlovit, kryengritja e Ilindenit, etj merren si ngjarje madhore
si në historinë bullgare ashtu edhe në historinë “maqedonase”.
Qëndrimi zyrtar i shtetit bullgar ka qenë në vazhdimësi mohues ndaj
ekzistencës së popullit të veçantë maqedonas si i ndryshëm nga populli bullgar.
Bullgaria me të drejtë vë pikëpyetje të mëdha tek shumë figura e ngjarje
historike nga e kaluara të cilat e demaskojnë seriozisht “maqedonizmin” si
identitet të veçantë brenda sllav.
Qeveritë
e ndryshme maqedonase të periudhës së pavarësisë kanë bërë përpjekje për
imponimit e qëndrimit të tyre zyrtar për ekzistencën e një kombi të veçantë
maqedonas krejtësisht origjinal dhe të ndryshëm nga ai bullgar. Në këtë drejtim
më konsistente dhe këmbëngulëse kanë qenë rymat e majta të cilat
gjeografikisht, etnikisht dhe shpirtërsht ndihen më afër Beogradit. Rymat
djathtiste nga ana tjetër janë më të vagullta dhe të mjegullta në drejtim të
refuzimit kategorik të opcionit bullgar. Kjo shihet qartë edhe gjatë dy tri
viteve të fundit kur në qeveri janë elementet e VMRO/DPMNE-se.
Situata bëhet akoma më e komplikuar kur të kihen parasysh përpjekjet 20
vjeçare greke për të ndryshuar emrin e Maqedonisë. Ndryshimi i emrit të vendit
implikon edhe shumë pikëpyetje tjera në lidhje me identitetin kombëtar të
banorëve të vendit që ndryshon emrin. Në këtë pikë çështja bëhet shekspiriane
për qytetarët sllavishtfolës këtu. Janë ata maqedonas antikë të sllavizuar më
vonë? Janë fis i veçantë sllav i cili u vendos në Ballkan në shekujt VI-IX
bashkë me fiset tjera sllave? Apo janë
bullgarë të shkëputur me dhunë nga gjiri i shtetit amë që duhet ti rikthehen
atij? Apo mos janë bullgarë etnikë që me
kalimin e kohës nën ndikimin e propagandave jugosllave dhe komuniste kanë
evoluar në një kombësi të re të quajtur maqedonase?
Teoritë më të reja në lidhje me kombformimet njohin edhe mundësi të
formimit (“zbulimit” i quan Andersoni) të tyre nga lart poshtë, pra nën
kontrollin politik dhe ndikimin e elitave të caktuara pushtetare. Elita
maqedonase projugosllave e kohës së Titos dhe kjo e këtyre 20 vjetëve pavarësi,
siç duket ka pasur sukses në injektimin artificial të një identiteti të ri
kombëtar – atij maqedonas. Një identitet i tillë i bazuar krejtësisht në një
ndjenjë përkatësie krahinore dhe në dialektet lindore të bullgarishtes sot
është ngritur në komb dhe gjuhë të veçantë maqedonase. Ky identitet jo vetëm që
del si i
ndryshëm nga ai bullgar, por është në kontradiktë të drejtpërdrejtë me të, pasi
pretendon në vlerat e njëjta në të cilat bazohet historikisht edhe identiteti
kombëtar bullgar. Shikuar në tërësi, çështja e identitetit kombëtar të
maqedonasve të sotëm të IRJM është e paqartë dhe e komplikuar, pikërisht ashtu
siç thanë edhe vetë liderët e sotëm të “dy popujve” në fjalë, atij maqedonas
dhe atij bullgar: fqinjë, vëllezër apo një komb i ndarë në dy shtete?
*****
Shteti i
sotëm, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë shtrihet midis Bullgarisë,
Greqisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës. Sipas pozitës gjeografike, ajo
përfshin hapësirën, ku kryqëzohen rrugët dhe hekurudhat në drejtimin Veri-Jug,
që lidhin Greqinë dhe Kosovën e Serbinë dhe vijat komunikative Lindje-Perëndim,
që lidhin Shqipërinë dhe Bullgarinë.
FYROM (IRJM) - Maqedonia aktuale e Vardarit
Banorët
më të lashtë të Maqedonisë së sotme, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë,
që përmenden tek autorët antikë grekë e romakë, janë fiset ilire, thrakase dhe
helene. Këto të dhëna na lënë të kuptojmë se sot, trashëgimtarët e banorëve më
të vjetër të këtij shteti, janë shqiptarët që jetojnë këtu. Kjo për shkak të
një fakti shumë të qartë, se pasardhësit e ilirëve janë shqiptarët, pasardhësit
e helenëve janë grekët, ndërsa si pasardhës të trakëve të vjetër nuk përmendet
ndonjë popull i sotëm, përpos hapësirës gjeografike “Thrakia”, që shtrihet midis
Bullgarisë dhe Greqisë.
Historianët sllavë
përpiqen që të dëshmojnë se populli i sotëm maqedonas është pasardhës i
maqedonasëve antikë. Tërë kjo bëhet për shkak të politikës ditore maqedonase,
për të arsyetuar krijesën dhe ekzistimin e shtetit të sotëm “Republika e
Maqedonisë”, si vazhdimësi historike e Maqedonisë antike. Por, për saktësinë e
kësaj teorie sllave nuk ekzistojnë fakte shkencore relevante të historiografisë
së huaj, prandaj përpjekja në këtë drejtim është jo shkencore.
Fiset sllave që erdhën më vonë në
hapësirat gjeografike të Ballkanit, u vendosën këtu përgjithmonë. Ky proces i
vendosjes dhe kolonizimit të Gadishullit Ballkanik pati reperkusione të mëdha
për popullatën autoktone ilire në Ballkan.
Grupe
të ndryshme sllave, që në shekullin VI, u vendosën në rrethinat e Selanikut. Kolonizimi
sllav mori përmasa të mëdha në shekullin VII. Perandoria Bizantine në këtë
periudhë ishte në luftë me Persinë dhe nuk ishte në gjendje të ndalë procesin e
depërtimit të Sllavëve. Si rezultat i kolonizimit sllav, u ndërrua struktura
etnike e hapësirave Ballkanike.
Në
librin, “Historia e Popullit Maqedonas”, thuhet:
“…me
shndërrimin e Maqedonisë në tokë sllave u krijua simbioza midis sllavëve të
ardhur dhe popullsisë vendase maqedonase (që ishte pakësuar). Si rezultat i
simbiozës midis sllavëve dhe popullsisë së vjetër vendase maqedonase, pak nga
pak tek sllavët u imponua emri i vjetër i vendit ”Maqedoni”. Në këtë mënyrë,
pas asimilimit definitiv të popullatës së vjetër maqedonase, nga etnosi sllav,
erdhi në shprehje “ populli-etnosi” i ri ”.
Është
e vërtetë se vendosja masovike e Sllavëve në hapësirat Ballkanike, ka pasur
ndikim të madh, jo vetëm në ndërrimin e strukturës etnike, por edhe në
ndërrimin e toponimisë (emrave të vendbanimeve, lumenjve, maleve, ultësirave
dhe krahinave të tëra). Por, assesi nuk mund të jetë e vërtetë se etnosi i
vjetër maqedonas është asimiluar tërësisht, ashtu siç synojnë të vërtetojnë
historianët e sotëm sllavë, sepse shtrohet pyetja dhe dilema tjetër: Pse nuk u
asimiluan tërësisht Helenët dhe Ilirët? Në fakt, procesi i asimilimit të
tërësishëm ka mundur të ndodhë në ato hapësira gjeografike, ku presioni i Sllavëve
ka qenë më i madh, sidomos në luginën e Vardarit, Moravës apo në rrafshirat
pjellore të Thrakisë. Por një proces i tillë s’ka mundur të ketë ndikim të madh
në viset kodrinoro-malore të Maqedonisë së sotme apo të Shqipërisë, ku ende
jetojnë pasardhësit e Maqedonëve antikë ilirë, të cilët tanimë ekzistojnë me
emrin Shqiptarë.
Nuk duhen
ngatërruar vëndasit e asaj kohe me sllavomaqedonët e sotëm, megjithëse ai vend
quhej Maqedoni tamam si sot. Po dikur, deri para shekullit VII-XI kur ndodhën
edhe ardhjet masive sllave në Ballkan, Maqedonia ishte e populluar me Ilirë,
ndërsa tani me Shqiptarë dhe Sllavë.
*****
Për çfarë në të vërtetë luftojnë maqedonasit e
tanishëm? A janë ata antikë, apo sllavë? Pse çështja e identiteti është problemi
më i madh mes maqedonasve dhe grekëve, janë disa prej pyetjeve që janë sqaruar
në një dokument të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase (VMRO) në
vitin 1946.
Dokumentin e
siguruar nga gazeta "LAJM" nga arkivi i VMRO-së që gjendet brenda
Arkivit të Shtetit të Maqedonisë, historiani Kiril Ivanov ka dhënë sqarime se cili është identiteti i tanishëm i
maqedonasve. Ivanovi në një fjalim të mbajtur më 7 mars 1946 para anëtarëve të
Organizatës së të Rinjve Maqedonas të Sofjes, me titull: "Historia më e
vjetër e Maqedonisë", ka dhënë fakte me të cilat sqaron se maqedonasit e
tanishëm janë me prejardhje sllave dhe jo antike.
"Çka na lidhë neve, maqedonasit e sotëm me atë
popullin e humbur që moti? A mund që ne t’i përkujtojmë pasardhësit e tyre
historik? Historia jep përgjigje negative në këtë pyetje. Populli i sotëm
maqedonas, i përbërë kryesisht nga fise sllave, të cilat kanë ardhur në Ballkan
rreth shekullit të 6-të pas Krishtit dhe nga mbetjet e fiseve të vjetra ilire
të cilat po humbeshin, ka fizionomi të tilla etnike, te të cilat, nuk mund ta
zbulojmë fizionominë etnike të maqedonasve të lashtë", thuhet në këtë dokument.
Kiril Ivanov këtë
teori e ka sqaruar më poshtë para rinisë maqedonase të asaj kohe në Sofje të
Bullgarisë. "As traditat dhe
zakonet e lashta të maqedonasve të tanishëm sllavë nuk i përngjajnë asnjë prej
atyre të maqedonasve të vjetër", ka thënë Ivanov. Historiani maqedonas
në atë kohë ka bindur rininë në organizatën e të rinjve se "Lidhja e vetme reale historike me ata maqedonas mund ta shohim
vetëm në kuadër të aspektit gjeografik dhe në përgjithësi mund të shihen
elementet ilire në përbërjen e tyre", thuhet në dokumentin e arkivit
të VMRO-së.
Gjithashtu, ai ka
dhënë sqarime se Maqedonasit nuk janë drejtpërdrejtë pasardhës të maqedonasve
antikë. Kiril Ivanov në mars të vitit 1946 vazhdon edhe më tutje, duke sqaruar
dhe duke shprehur se cilat mund të jenë pasojat historike për këto të
pavërteta.
"Ta dhunojmë historinë dhe faktet historike me atë që
do t’i vendosim maqedonasit e sotëm drejtpërdrejtë si pasardhës të Aleksandrit
të Madh, do të thotë jo vetëm që po ndryshojmë të vërtetën historike, por edhe
të shndërrohemi në shovinistë qesharakë", ka
deklaruar para rinisë maqedonase, Ivanov.
Ai ka akuzuar edhe
palën greke, të cilën e ka quajtur si agresore dhe ndryshuese të historisë. "Mësimi i asaj parahistorie të lashtë
të popullit tonë na lidhë me një çelik të padrejtë kundër falsifikuesve të
shovinistëve të atij lloji të Haxhi Taksis, i cili për ta arsyetuar rrëmbimin e
Maqedonisë lindore dhe jugore nga Greqia, pa turp ‘pohon’ se maqedonasit e
lashtë, por edhe të tanishmit janë grekë", thuhet në fund të dokumentit
që u lexua më 7 mars 1946 në Sofje.
*****
Dimitrov: Maqedonasit do të zhduken
Maqedonasit do t`i gjejë fati i Majëve, Astekëve
dhe Inkëve, bën të ditur parashikimi i Ministrit Bullgar të Diasporës, Bozhidar Dimitrov, të dhënë në
intervistën e së hënës në Radion Kombëtare Bullgare.
Teza e ministrit bullgar është se maqedonasit sot nuk kanë
krizë me emrin, por me identitetin. Sipas tij, kjo krizë, shihet edhe nga fakti
se gjatë tetë viteve të fundit 30 mijë qytetarë të Maqedonisë janë pajisur me
shtetësi bullgare.
“Vetëm gjatë vitit
2009 mbi 4.900 qytetarë maqedonas kanë marrë shtetësinë bullgare. Në mesin e
tyre ka ministra, mjekë, ish-ministra, me ç`rast nuk mendoj vetëm në
ish-kryeministrin Lubço Georgievski”, ka theksuar ministri Dimitrov në
intervistën për radion shtetërore bullgare.
“Nëse vazhdon kështu, atëherë ata do të
përballen me shok kulturor dhe do t`i gjejë fati i Majave, Astekëve dhe Inkëve”,
ka konkluduar Ministri i Diasporës i Bullgarisë, i cili është aktiv me
politikën zyrtare bullgare në raportet me Maqedoninë. Dimitrov ka shtuar,
gjithashtu, se Maqedonia nuk ka argumente të tjera për të diskutuar për
ngjarjet historike dhe personalitetet, të cilat i konsideron si të veta.
Ai ka përqesh procesin dhe fushatën e
“antikitetit”, që po udhëhiqet në Maqedoni:
“Nëse në të kaluarën
shkenctarët kanë mundur të diskutojnë për historinë maqedonase, gjegjësisht
rreth asaj se çka kanë qenë Car Samoili, Vëllezërit Milladinov, tanimë na
mbetet vetëm që të qeshemi dhe në pamundësi t`ia shtrijmë duart. Ata tash i
kërkojnë rrënjët diku në Pakistan ose Egjipt. Nëse nuk e keni ditur, edhe
Kleopatra është maqedonase…Edhe e gjithë mbretëria e Ptolomejëve është
maqedonase”,
deklaroi Dimitrov.
Ai pret që marrëdhëniet mes dy vendeve të
pësojnë ngrirje deri sa të zgjidhet kriza e identitetit në Maqedoni,
gjegjësisht sa të ndalojë gjuha e urrejtjes dhe falsifikimi i përmendoreve
bullgare, kishave dhe të mos lejohet vendosja e përmendoreve bullgare në
territorin e Maqedonisë. Që kjo sjellje të ndalohet, sipas Dimtrovit, duhet të
firmoset marrëveshja e vitit 1999 me të cilën ishin tejkaluar mosmarrëveshjet e
mëparshme me dy vendeve.
“Presidenti Parvanov
shumë qartë i sqaroi këto punë në takimin me kolegun e tij maqedonas, ku direkt
i sqaroi, se mbështetja e jonë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE
varet nga këto gjëra”, ka deklaruar Dimitrov.
(Agjensia e Lajmeve - INA, 23 Dec 2009)
------------------------------------------------
***) - Fragment nga libri :
Shefki Ollomani - LEKA I MADH
(Aleksandri i Maqedonisë/Rrënjët
e vërteta), botoi Shgb "SHKUPI",
Shkup Mars 2010