Prof.dr. Eshref Ymeri
Një personalitet i
shquar
i kulturës shqiptare
Libri
më i fundit i autorit Flori Bruqi, me titull “Nëse kam ditur të guxoj”, është një tjetër dhuratë e çmuar që ai i
bën masës së gjerë të lexuesve, në kuadrin e korpusit të veprave të tij të
begata, duke filluar që nga ato artistike, deri te veprat shkencore, kritike
dhe publicistike. Libri hapet me një shënim kritik të poetit, shkrimtarit dhe
publicistit të talentuar Naim Kelmendi, i cili është edhe redaktor i tij.
Paskëtaj vazhdon një cikël poetik i autorit që shërben si “tahta mbi kadife”, apo, thënë ndryshe, “si qershi mbi bakllava”.
Krijimtaria poetike e Flori Bruqit, sipas
këndvështrimit tim, përfaqëson gulshet e shpirtit të një krijuesi thellësish
lirik që për asnjë çast nuk gjen qetësi. Është bota e një krijuesi me frymëzim
të hyjnishëm, i cili, në qendër të universit të vet poetik, ka vendosur njeriun
shqiptar. Përmes plazmimit të karakterit shqiptar, del në pah individualiteti i
tij i papërsëritshëm. Krijimtaria e Florit është edhe rezultat, edhe proces.
Rezultati duket në çdo sekondë të shfaqjes së tij në vargun poetik, kurse
procesi vihet re në shpalosjen e botës së tij të brendshme, si shëmbëllesë fort
e virtytshme. Pikërisht kështu vjen e ravijëzohet para lexuesit teknologjia e
plazmimit të shpirtit poetik të Florit, madje edhe kur trajton një problem të
karakterit shkencor apo publicistik. Ky plazmim ka kaluar përmes mohimit të
gjithçkaje të dëmshme që mund ta infektonte në kushtet e një mjedisi amtar, por
që ligjin në të e bënte një pushtues i huaj. Në një mjedis të tillë madje
rreziku i infektimit shpirtëror bëhej më kërcënues prej bashkatdhetarit që qe
vënë në shërbim të të huajit. Pikërisht në këto kushte Flori i është kthyer
vetvetes, për të dëgjuar tërë sy e vesh mendimet, ndjenjat dhe dëshirat e veta.
Me një çiltërsi befasuese, Flori krijon
në vargjet e veta një botë psikologjike dhe intelektuale të njeriut në të
përpjetat dhe në tatëpjetat e jetës së përditshme.
Në poezinë me titull “Ç’rëndësi kishte e ka gjithçka?!” lexojme këto vargje:
Është tre pasdite,
gjithçka kundërmon vdekje...
E di, është e kotë të kthehem në shtëpi,
të shkruaj dhjetë apo tridhjetë e pesë rreshta,
Ç’rëndësi ka?!
Nga këto vargje, herë-herë të krijohet
përshtypja se Florin e ka kapluar një ndjenjë pesimizmi të pashpresë, a thua se
ai po e kundron botën përmes një lenteje erratake. Por kjo është një përshtypje
e rreme. E vërteta nuk është kështu.
Filozofi gjerman Shopenhauer (Arthur Schopenhauer - 1788-1860), në veprën e tij me titull “Aforizma të urtësisë jetësore”, thotë: “…kush e shikon gjithçka në një dritë të errët dhe është i përgatitur për
më të keqen, ai gabon më rrallë në parashikimet e veta, sesa njeriu që e shikon
jetën si fushë me lule në ngjyrë trëndafili”.
Pra, poeti i virtytshëm dhe largpamës Flori, për
ta ndryshuar realitetin që e rrethon, ai, si interpretues artistik i tij, nuk
mund ta shikojë atë përmes ngjyrave të trëndafilit. Ngjyra e trëndafilit është
ngjyra e romantikës dhe e optimizmit. Mund të paramendohet se atë e
parapëlqejnë njerëz jo shumë të përgjegjshëm, të cilët detyrat e veta kanë qejf
t’ua lënë përsipër të tjerëve. Patosi i lirikës së Florit ka për qëllim t’i heq
petkun “së keqes” së jetës së
përditshme. Këtu kemi të bëjmë me një akuzë që poeti ngre kundër realitetit të
shëmtuar social që shpërfytyron gjithçka njerëzore dhe e shtyn njeriun drejt
vetmisë vrastare. Përtej këtij realiteti pret fati dramatik njerëzor, i
shoqëruar me dhembje dhe vuajtje shpirtërore.
Në poezinë me titull “Fillimi i një poeme” lexojmë:
Nëpër deje na rridhte Revolucioni dhe qumështi i
nënave
Dhe ne e dinim:
Pa nëna dëshmorësh,
Pa gra e nuse të veja
S’do të ketë kurrë paqe e liri…
Këto janë vargje të një poeti që shikon përtej
maleve të mugëtirës që ka endur tejendanë një pushtues i huaj. Ato të kujtojnë
mitin për Josifin biblik, i cili e paralajmëroi faraonit përmes një këshille
profetike se si duhej ta shpëtonte Egjiptin nga zija e bukës që do ta pllakoste
pas shtatë vjetësh: vetëm me kursimin e drithit. Dhe poeti Flori, për ta
shpëtuar vendin nga zija e robërisë që
ka mbjellë pushtuesi i huaj, e paralajmëron popullin e vet, duke ia thënë të
katër të vërtetat në sy: liria nuk fitohet pa gjak. Kosovës do t’i duhet të
sakrifikojë jo pak djelmosha në altarin e lirisë.
Në këtë vepër Flori ka përmbledhur mjaft shënime
kritike autorësh të ndryshëm, të cilët kanë bërë vlerësime fort objektive për
veprat e tij artistike dhe të fushave të tjera të dijes. I lexova me shumë
kujdes. Artikujt kritikë të tij, kushtuar krijimtarisë së autorëve bashkëkombas
dhe të huaj, përbëjnë një thesar të vërtetë të mendimit kritik shqiptar. Si
poet, si shkrimtar, si shkencëtar, si kritik letrar, Flori përfaqëson majat e
mendjes së ndritur të kombit shqiptar. Përgatitja e tij erudite, analizat e tij
shumëpërmasore, formimi i tij nacionalist e radhisin atë në plejadën e njerëzve
më të shquar të kombit shqiptar. Mendoj se Flori ka nxjerrë dhe vazhdon të
nxjerrë nga pena e tij e begatë vepra me vlera të jashtëzakonshme njohëse. Por
këtu duhet theksuar se vlera e një vepre, e çfarëdo gjinie qoftë ajo, varet nga
një komleks i tërë përbërësish të suksesit të saj. Ndër këta përbërës të veprës
tërësore të Florit mund të rradhisim frymën aktuale të saj, peshën që ajo mbart
për bashkëkohësit dhe breznitë që do të vijnë, moralin që përcjell, vlerën
mbarënjerëzore, mesazhin humanist që e përshkon në çdo pore të saj, vërtetësinë
e fakteve që shtjellon, natyrën universale të perceptimit të realitetit që na
rrethon, zgjedhjen e qëlluar të kompozicionit, stilin original, kulturën e
përgjithshme të autorit, pasurinë leksikore të veprës, karakterin origjinal të
temës së shtjelluar dhe të idesë që e përshkon tej e ndanë, theksimin e
nocioneve më të rëndësishme në jetën mbarënjëzore dhe përzgjedhjen e vlerave më
të spikatura të breznive të kaluara. Mund të thuhet pa drojë se natyra unikale
e një vepre, e çfarëdo gjinie qoftë, përcaktohet drejtpërsëdrejti pikërisht nga
një raport në dukje i pakapshëm dhe
kompleks i të gjithë përbërësve të lartpërmendur. Por suksesi i veprë së Florit
varet edhe nga diçka tjetër: varet pikërisht nga aftësia e tij për t’i dhënë në
dorë lexuesit një të tillë libër, gjatë leximit të të cilit ai ta perceptojë
atë që është shkruar si një figurë të kundruar me sy. Pikërisht këtu qëndron
magjia e talentit të tij. Dihet nga të gjithë se videofigurat kanë vlera shumë
më tepër informative, sesa një tekst i shkruar, një tingull i ëmbël muzikor,
një ndjesi e përjetuar apo një aromë dehëse. Videoinformacioni regjistrohet më
lehtë dhe ruhet shumë gjatë në kujtesë. Në këtë rast çdokush merr një
informacion të pamatë në formën e figurave që ka para syve drejtpërsëdrejti.
Dhe Flori, si një krijues me shije të hollë, që është në gjendje që figura të
tilla të veprës së shkruar t’ia përcjellë lexuesit sikur ato të ishin
videoinformacione, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një krijues bukur i
suksesshëm, boll i lexueshëm, pra, si një krijues tejet i talentuar.
Me krijimtarinë e vet mjaft të pasur në shumë
fusha të dijes, Flori ka arritur t’i gdhend vetes një lapidar me themele të
thella në tokën amtare dhe të shëndosha deri në admirim. Dhe këtë e ka arritur
duke ndjekur dy shtigje të thikta.
Së pari, ai ka qenë i vetëdijësuar për mundësitë
dhe dëshirat e pashtershme që preheshin brenda personalitetit së tij krijues,
të cilat e kanë frymëzuar për t’u bërë dikushi në jetë.
Së dyti, vullneti dhe përpjekjet e pandalshme e
kanë nxitur për arritjen e një objektivi që ai i ka pas vënë vetes dhe që është
konkretizuar me botimin e morisë së veprave të tij. Pra, dashurinë për punën
Flori e ka ngritur në kult.
Volteri thotë: “Puna na shpëton nga tri të keqija të mëdha: nga mërzia, nga vesi dhe
nga hallet ekonomike”.
Artin e dashurisë për punën që zbulohet në këtë
thënie filozofike volteriane, Flori ka arritur ta përvetësojë
deri në përsosmëri. Prandaj edhe në këtë vepër të re që po u përcjell lexuesve,
ai shfaqet para tyre si një krijues me zemër të madhe, përherë i palodhur në
fushën e dijes.
Santa Barbara, Kaliforni
22 shtator 2011