Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, këto dy maune të premten janë sjellë nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve alternative. Grupet kriminale autobotet i kanë marrë nën kontroll dhe i kanë vendosur në ish–bazën ushtarake të ish–Jugosllavisë ku janë të vendosur edhe mbi 40 serbë të armatosur.
Autobotet kanë targa të qytetit të Pançevës së Serbisë.
Sipas burimeve, grupet kriminale këtë material tepër të rrezikshëm kanë ndër mend ta përdorin kundër konvojeve të KFOR-it si dhe atyre të Policisë së Kosovës nëse këta hynë në veri të Mitrovicës.
Portali “LajmeShqip” ka raportuar dje se pas orës 18:00 është zhvilluar një takim midis kryetarit të të ashtuquajturës Komuna Veriore e Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, dhe kriminelit të njohur të veriut, Zvonko Veselinoviq, për të marrë udhëzime për veprime të mëtejme.
Portali raportonte se autobotet janë fshehur në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve të banuar me shqiptarë.