Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqëseve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në
Prizren më
10 qershor 1878. Në takim kishte edhe boshnjakë nga
Bosnja dhe
Sanxhaku (Shqiptare te asimiluar). Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të
Prizrenit,
Shkodrës,
Manastirit, dhe
Janinës. Lidhja ishte përpjeka e a parë e madhe për të krijuar një regjion të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të
Skënderbeut në Mesjetë.
Komiteti i Stambollit dhe platforma e tij politike Qëndresa
osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj. Ndërkohë patriotët shqiptarë, edhe
pse bisedimet e Janinës u ndërprenë, nuk hoqën dorë nga ideja e
kryengritjes çlirimtare kundërosmane. Ata i vazhduan përpjekjet për t’i
shkrirë komitetet shqiptare lokale në një komitet kombëtar, për formimin
e komitetit qendror kombëtar dhe për përgatitjen e kryengritjes së
armatosur. Por, ndërsa në malet Ballkan dhe në sektorin e Kaukazit
ushtritë osmane ndalën përparimin e ushtrisë ruse, në frontin malazez,
në Shqipërinë e Veriut në gusht 1877, mbrojtja turke u thye dhe ushtria
osmane filloi të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi opinionin
publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto rrethana u formua në Shkodër një
komitet shqiptar i përbashkët për qytetarët myslimanë e katolikë, i
kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në memorandumin e këtij komiteti kërkohej
të formohej një shtet kombëtar më vete nën vasalitetin e sulltanit, siç
ishin në atë kohë Serbia dhe Rumania. Por gjendja në frontin me Malin e
Zi u stabilizua shpejt. Përparimi i ushtrisë malazeze u ndal. Gjatë
vjeshtës së vitit 1877 patriotët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe
fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse
zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën
trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa personalitete
atdhetare, ndër të cilat ishte edhe
Abdyl Frashëri.
Çeljen e parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë,
sidomos antarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar
në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë
qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe
personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha
krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor
1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin
Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose
siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh
Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij
Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij
Pashko Vasa,
Jani Vreto,
Ymer Prizreni,
Zija Prishtina,
Sami Frashëri,
Ahmet Koronica,
Mihal Harito,
Iljaz Dibra,
Mehmet Ali Vrioni,
Seid Toptani,
Mustafa Nuri Vlora,
Mane Tahiri
etj. Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza
mbi organizimin me ngutësi të kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe
krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të
zhvilloheshin bisedime me Greqinë për të arritur një aleancë
shqiptaro-greke sipas platformës së parashtruar nga Abdyl Frashëri.
Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një kthesë rrënjësore. Më 10 dhjetor
1877 qëndresa e Plevnës u thye. Ushtritë ruse filluan të përparonin
përmes maleve Ballkan. Serbia e Mali i Zi morën zemër nga përparimi rus
dhe rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria Osmane tani
dukej se ishte në pragun e katastrofës së plotë. Në këto rrethana
qeveria e Athinës e pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët
shqiptarë për të rifilluar bisedimet dypalëshe që ishin ndërprerë në
fund të korrikut. Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në
Stamboll gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor 1877. Këtë radhë
qeverinë greke e përfaqësonte Stefanos Skuludhi, deputet në parlamentin e
Greqisë. Abdyl Frashëri, i cili kryesonte përsëri delegacionin
shqiptar, tani nuk përfaqësonte Komitetin Ndërkrahinor të Janinës, por
Komitetin Kombëtar të Stambollit. Abdyli i parashtroi Stefanos Skuludhit
planin e hollësishëm të shpërthimit të kryengritjes shqiptare, e cila
do të fillonte në Shqipërinë e Jugut. Menjëherë pas saj do të formohej
qeveria e përkohshme e Shqipërisë, që do të njihej nga Greqia, e cila do
të hynte gjithashtu në luftë kundër Perandorisë Osmane në Thesali.
Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në Kosovë. Greqia do t’i
ndihmonte shqiptarët me armatime. Projekti i Abdyl Frashërit ishte i
leverdishëm për të dyja palët. Shqipëria siguronte tërësinë
territoriale, duke përfshirë në kufijtë e saj edhe vilajetin e Janinës
(Epirin), ndërsa Greqia hiqte dorë nga Epiri, por do të aneksonte pa
luftë Thesalinë, me ndihmën e oficerëve shqiptarë që komandonin ushtrinë
osmane. Abdyli u përpoq edhe një herë ta bindte qeverinë e Athinës, se
ishte në interes të Greqisë që ajo të kishte si aleate, kundër
Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një Shqipëri të fortë, prandaj
nguli këmbë që aleanca dypalëshe të ndërtohej sipas parimit të njohjes
së një principate të pavarur shqiptare në kufijtë e saj etnikë, në krye
të së cilës mund të vihej edhe një princ me origjinë nga dinastia që
mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi dorë as këtë radhë nga
pretendimet ndaj Shqipërisë. Si rrjedhim, në ditët e fundit të
dhjetorit, me urdhrin telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet
shqiptaro-greke u ndërprenë përsëri. Në fillim të vitit 1878 situata në
front u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse
filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur
ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato
pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në
fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi
Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa
vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin,
Kurshunlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu,
ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar
Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e
liqenit të Shkodrës e të lumit të
Bunës.
Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha.
Në mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të
penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj
luftarake në detin Marmara. Në të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e
Lartë i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e
vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në
Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi
bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me të. Situata e re
ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës së plotë turke, e detyroi
Komitetin e Stambollit ta rishikonte programin e vet. Sipas tij,
shpërthimi në këto rrethana i kryengritjes kundërosmane në Shqipëri do
të ishte një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive
serbe, malazeze e greke në brendi të trojeve shqiptare dhe do t’u jepte
rast monarkive fqinje që ta sanksiononin me anën e fitores ushtarake
aneksimin e viseve të pushtuara prej tyre. Për këtë arsye Komiteti hoqi
dorë përkohësisht nga projekti i kryengritjes së armatosur dhe hartoi
një program të ri politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Programi i
ri, i cili u përpunua në ditët e para të vitit 1878, përmbante ndryshime
taktike e jo strategjike. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk
hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i shtetit kombëtar
shqiptar. Por tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme
ruajtja e tërësisë së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin se në
kushtet e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë ishte e parealizueshme,
pasi ajo nuk gëzonte asnjë mbështetje në arenën ndërkombëtare. Për më
tepër, tani që kishte filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë
fqinje, rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte bërë shumë serioz. Në
këtë gjendje të re shqiptarët u kthyen përsëri në programin e mëparshëm.
Në vend të pavarësisë së plotë kombëtare, ata vendosën të kërkonin
bashkimin e trojeve të tyre amtare në një vilajet autonom shqiptar në
kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit
shpresonin se krijimi i një vilajeti të tillë do të gjente përkrahës në
arenën ndërkombëtare, të paktën mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që
nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane. Veç kësaj,
për të mbrojtur tërësinë territoriale, shqiptarët do të luftonin të
veçuar nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër rrezikut
sllav, grek, austriak ose italian në emër të interesave kombëtarë të
Shqipërisë. Ata ishin të bindur se një luftë e tillë, si edhe formimi i
vilajetit autonom shqiptar, do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar
ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe tërësinë territoriale të
Shqipërisë. Këto fitore do të shërbenin si bazë për ta kthyer vilajetin
autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale më të favorshme, në një
shtet të pavarur shqiptar. Për të arritur bashkimin politik dhe
organizativ të mbarë vendit rreth kësaj platforme, udhëheqësit e
Komitetit të Stambollit vendosën të formonin një lidhje shqiptare me
karakter kombëtar, ku të përfaqësoheshin të gjitha shtresat shoqërore
dhe të gjitha krahinat shqiptare që bënin pjesë në të katër vilajetet
perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Projektin për formimin e saj e
përgatiti qysh në fillim të vitit 1878, Pashko Vasa, që në atë kohë
ishte këshilltar i valiut të Kosovës. Udhëheqësit e Komitetit të
Stambollit shpresonin se me programin e tyre të ri, i cili e
përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e
Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi
kishte rëndësi të veçantë për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta
shpejtonin formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave të saj
të armatosura. Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi një
komision të posaçëm, të kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen
përkatëse nga Porta e Lartë. Për një kohë të gjatë Stambolli nuk dha
asnjë përgjigje. Gjatë muajit shkurt 1878 tensionin politik të
shqiptarëve e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi qeveria greke
kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë. Që ta vinte Rusinë para faktit
të kryer dhe të merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria e
Athinës e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para se të nënshkruhej
Traktati i Paqes me Turqinë, të provokonte në Shqipërinë e Jugut një
kryengritje të armatosur kundërosmane dhe të nxiste kryengritësit vendas
që të kërkonin bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë e Greqisë.
Sipas planit të saj të përgatitur me kujdes, më 12 shkurt 1878 një bandë
e madhe greke me rreth 600 “vullnetarë” të ashtuquajtur epirotë, të
rekrutuar në Greqi, midis të cilëve kishte edhe disa mercenarë të huaj,
të pajisur me armë e topa të ushtrisë helenike dhe të komanduar nga
oficerë grekë, zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në
afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën
fillimin e kryengritjes “greke” në viset e Epirit. Të nesërmen, më 13
shkurt, internacionalistët grekë pushtuan Sarandën; pastaj një pjesë e
tyre u drejtua për në fshatin Çukë, pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë,
duke shpresuar se aksioni i tyre do të ishte sinjali për shpërthimin e
kryengritjes së përgjithshme nga ana e popullsisë vendase. Ndërkaq
popullsia shqiptare vendase jo vetëm nuk u bashkua me bandën greke, por,
përkundrazi, u ngrit në këmbë kundër saj. Nën thirrjen e krerëve
lokalë, me mijëra vullnetarë shqiptarë rrëmbyen armët për mbrojtjen e
vendit. Përparimi i forcave greke u ndal në kodrat e Gjashtës. Më 17
shkurt vullnetarët shqiptarë, së bashku me forcat turke që erdhën nga
Janina, u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën në Karalibej,
tjetrën në Gjashtë, dhe i detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha në
Lëkurës. Pas një luftimi tjetër, që u zhvillua më 23 shkurt 1878 në
Lëkurës, banda u shpartallua plotësisht. Komandanti i tyre mundi të
shpëtonte së bashku me 110 veta, duke u tërhequr gjatë bregdetit, derisa
u hodh në Korfuz. Të tjerët u vranë ose u zunë robër gjatë luftimeve.
2. THEMELIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT Shqipëria dhe
Traktati i Shën-Stefanit (3 mars 1878) Një muaj pas armëpushimit të
Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes
ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Traktati i
Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të
zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte
kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë
nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të
cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri
të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria
Osmane, në jug të Kaukazit (Kars,
Ardahan,
Bajazid e Batum). Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore
Rusia cariste do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe
autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit. Bullgaria do të ishte
një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit.
Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin
bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një Bullgari
të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim që
të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në
kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i
shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në
Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në
perëndim deri në malet e
Voskopojës.
Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit
turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda
kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman. Pjesa tjetër e territoreve
perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që
ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk
përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur
brenda kufijve të saj të paraluftës. Traktati i Shën-Stefanit nuk e
zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si
subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati
gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria
do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të
Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të
Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do
të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset
veriore e verilindore të
Kosovës, deri në afërsi të
Mitrovicës.
Mali i Zi,
sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të
përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash
shqiptare, si atë të
Ulqinit, të
Krajës, të
Anamalit, të
Hotit, të
Grudës, të
Tuzit, të
Kelmendit, të
Plavës, të
Gucisë dhe të
Rugovës.
Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë
Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të
copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e
gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e
vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit
kombëtar. Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i
Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi
shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga
këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si
muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në
vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të
shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga
ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt,
në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit
austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga
zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por
numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh
se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e
Selanikut, të
Stambollit, të
Izmirit, të
Adanasë e të
Sirisë.
Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e
popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet
çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm
kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër
Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e
dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të
mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi
përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm. Gjendja
e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që
rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha
perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e
Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të
merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i
Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur
kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të
qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që
copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të
parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja
e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte
çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut.
Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit
adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një
platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për
plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të
armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin
Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të
tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të
arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm
shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të
realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Përmbushja e këtyre
objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik
mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike
të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit. Për krijimin e frontit
të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare
shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur
edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në
krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga
pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore
ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të
cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të
lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të
fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik,
shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave
të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë
krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte
filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e
një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të
shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit
Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte
besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një
platformë të vetme politike. Derisa të shkriheshin në një organizatë
kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra
themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe
të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të
Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë
copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të
mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar
rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e
Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e
pa strehë. Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u
informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur
Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë,
kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria,
të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të
Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë
arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në
Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i
Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej
në Berlin më 13 qershor 1878. Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e
Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk
ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të
Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të
Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për
ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana
tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një
lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë.
Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës
së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e
pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej
ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare
shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër
Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të
shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif.
Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte,
vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen
popullore dhe në besëlidhjet lokale.
Rrymat politike dhe protestat shqiptare Gjatë pranverës së
vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të
Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë
vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë
tokësore të atdheut. Në këto rrethana, kërkesa për të formuar një
lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e
ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj
karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme.
Qarqet atdhetare shqiptare, të përfaqësuara, në përgjithësi, nga
Komiteti Kombëtar i Stambollit, që formuan grupimin ose, siç u quajt nga
vëzhguesit e huaj të kohës, rrymën radikale, synonin të themelonin një
lidhje shqiptare, e cila duhej të mobilizonte popullsinë e vendit në
emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në
luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke kërkuar në të
njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta lejonin
rrethanat ndërkombëtare, të një shteti shqiptar autonom. Sipas
udhëheqësve të kësaj rryme, lidhja shqiptare duhej përgatitur për të
luftuar, në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm
kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane.
Një grupim ose rrymë e dytë në lëvizjen kombëtare ishte ai i të
moderuarve, siç u cilësua po nga bashkëkohësit, që përfaqësohej nga
personalitete të njohura atdhetare, si
Ali bej Gucia,
Iljaz pashë Dibra,
Abedin pashë Dinoja,
Mahmud pashë Biçaku,
Omer pashë Vrioni
etj. Ashtu si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e
përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në parim edhe
idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një
autonomi administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë
të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar
shqiptar si një hallkë, si një shkallë për të shkuar më tej drejt një
shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit
nuk ishin gjithashtu të prirur për t’iu kundërvënë Portës së Lartë. Ata
shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë
sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi, sipas tyre, krijimi
i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë Perandorisë Osmane.
Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh rrezikun e
jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen vetëm me mbrojtjen e
territoreve të kërcënuara, vetëm me luftën kundër copëtimit të vendit.
Si rrjedhim, ata e përfytyronin besëlidhjen shqiptare jo si një front
politik kombëtar të veshur me atribute shtetërore, por si një federim
ose aleancë krahinash të krijuar vetëm për të luftuar bashkërisht kundër
shovinistëve fqinjë. Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve
radikale dhe platformës së të moderuarve kishte mjaft pika takimi, siç
qe ajo e karakterit kombëtar shqiptar të lidhjes së përgjithshme dhe
pranimi në parim i formimit të një vilajeti autonom shqiptar. Në
situatën dramatike, që u krijua në pranverën e vitit 1878, këto pika të
përbashkëta merrnin rëndësi të dorës së parë përballë pikëpamjeve të
ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën se kur dhe si duhej të
sendërtohej ky vilajet, të cilat mund të zgjidheshin pas formimit të
lidhjes shqiptare. Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi i të dy
rreshtimeve politike për formimin e një lidhjeje shqiptare me karakter
kombëtar, që do të udhëhiqte luftën e popullit shqiptar kundër copëtimit
territorial të atdheut dhe do të parashtronte nevojën e bashkimit
administrativ të mbarë viseve shqiptare në një vilajet autonom shqiptar.
Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare, në jetën politike të Shqipërisë vepronte edhe një
rreshtim i tretë sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit turkomanë të
administratës së vilajeteve, nga elementë feudalë e klerikë turkomanë,
të cilët e identifikonin veten me qarqet sunduese perandorake, anonin
plotësisht nga vija politike e Portës së Lartë dhe i shërbenin asaj. Të
interesuar për të kundërshtuar vendimet e Traktatit të Shën-Stefanit,
edhe pasuesit e këtij grupimi u bashkuan me lëvizjen për organizimin e
qëndresës së armatosur nëpërmjet “lidhjes” së përgjithshme, e cila duhej
të vepronte sipas orientimeve të sulltanit. Ata nuk ishin për një
lidhje shqiptare, por për një lidhje islamike, ku të merrnin pjesë të
gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit Ballkanik, pavarësisht nga
kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht, do të përjashtoheshin
shqiptarët e krishterë, si ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj,
sulltanistët, siç u quajtën në atë kohë, nuk e pranonin as në parim
idenë e një vilajeti shqiptar, sepse ky vilajet, sipas tyre, do t’i
ndante shqiptarët myslimanë nga “vëllezërit” myslimanë të Gadishullit
Ballkanik dhe të Perandorisë Osmane. Këto qëndrime u kundërshtuan nga
atdhetarët shqiptarë, radikalë e të moderuar, që nuk mund të pajtoheshin
me platformën e qarqeve sulltaniste dhe në mënyrë të veçantë me idenë
konservatore të një lidhjeje islamike, e cila po të krijohej do ta
shuante emrin e Shqipërisë. Në të vërtetë, qarqet sulltaniste nuk kishin
ndonjë mbështetje në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare.
Veprimtarinë e tyre e udhëhiqnin valinjtë e katër vilajeteve shqiptare,
që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës së Lartë. Megjithatë, ato
luanin ende një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, pasi
kishin në dorë aparatin shtetëror - administratën, ushtrinë,
xhandarmërinë, financat dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin
krahinat me njëra-tjetrën. E vetmja pikë që dukej sikur i afronte
sulltanistët me qarqet atdhetare, ishte gatishmëria e tyre për të
luftuar me rrugë jashtëqeveritare, kundër shkëputjes së zotërimeve
perandorake në Ballkan, pra edhe kundër shkëputjes së trojeve shqiptare,
ndonëse këtë luftë ata kërkonin ta zhvillonin nën flamurin islamik. Për
të mos shkaktuar në atë çast kritik përçarjen e forcave politike të
vendit, Komiteti i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare të vendit iu
shmangën përkohësisht luftës së hapur kundër qarqeve sulltaniste.
Madje, duke u kapur pas gatishmërisë që tregonin këto qarqe për të
luftuar kundër Traktatit të Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë
mendonin se, me një punë të mëtejshme sqaruese, do ta tërhiqnin masën e
tyre në platformën e lidhjes shqiptare. Platformën e vet politike
Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë pranverës edhe në arenën
ndërkombëtare. Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit të
Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i paraqiti
ambasadorit britanik në Stamboll një promemorje në emër të popullit
shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë
lidhej organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative.
Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur
osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk
është në gjendje t’u japë atyre një administratë më të mirë se atë që u
ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës, janë të
vendosur t’i këputin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk
duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë popujt sllavë të
Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë,
përfundonte Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë autonome
që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre. Një vend të
veçantë në veprimtarinë politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë
pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit, të cilat ai i
botoi në shtypin e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Në një
artikull të botuar në muajin prill në gazetën turke “Basiret”
(Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi vëmendjen Portës së Lartë që të mos
pranonte asnjë lëshim në kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe t’u njihte
shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Askush, pra, as Perandoria
Osmane, shkruante kryetari i Komitetit të Stambollit, nuk ka të drejtë
t’u japë të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve. Duke evokuar luftën
që zhvilluan shqiptarët në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl
Frashëri u linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit se Shqipëria
ishte gati të përsëriste epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do t’i
njiheshin të drejtat e saj kombëtare. Në një seri artikujsh të botuar
gjatë prillit e majit në organin austriak “Messager de Vienne”
(“Mesazher dë Vjenë”), Abdyl Frashëri argumentonte para opinionit publik
evropian të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar, si një nga
kombet më të lashta të Evropës, me gjuhë, me territor, me kulturë, me
ndërgjegje dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare. Kombi shqiptar,
nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër, veçse të jetojë i lirë, të dalë
nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të
qytetëruara të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha, theksonte Abdyli, do
ta dënojnë këtë popull trim e liridashës të mbetet në robëri dhe ca më
keq të copëtohet ndërmjet shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do
të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së
luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast
se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do
të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër
ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por
edhe Kontinentin Evropian. Në të njëjtën kohë anëtarët e Komitetit të
Stambollit e shtuan veprimtarinë e tyre politike edhe brenda në
Shqipëri. Por këtu ata ndeshën në pengesat e qarqeve sulltaniste, të
cilat, duke shfrytëzuar terrorin që po ushtronin organet ushtarake
serbe-malazeze kundër shqiptarëve në veri dhe provokacionet që po
kurdisnin agjentët shovinistë grekë në viset shqiptare jugore,
përpiqeshin ta vështirësonin organizimin e popullit shqiptar në shkallë
kombëtare dhe t’i nxisnin shqiptarët që të hidheshin në një luftë të
parakohshme e të paorganizuar kundër shteteve fqinje. Anëtarët e
Komitetit të Stambollit dhe atdhetarët e tjerë i bënë ballë me sukses,
në shumicën e krahinave të vendit, këtij presioni të qarqeve qeveritare e
sulltaniste. Ata arritën të shmangnin konfliktet e parakohshme që ishin
gati të shpërthenin, sidomos në veri, në sektorin shqiptaro-malazez. Me
këtë rast Komiteti i Stambollit e shpalli edhe një herë publikisht
platformën e vet. Me një proklamatë drejtuar më 30 maj 1878 popullit
shqiptar dhe, për njoftim, opinionit ndërkombëtar, ai shprehte
keqardhjen që në një çast aq kritik për Shqipërinë, vendi po u
nënshtrohej sulmeve fatkeqe dhe persekutimeve të shëmtuara nga qeveria
malazeze, serbe e greke, veçanërisht nga fqinjët malazez. Megjithatë,
Komiteti i Stambollit, thuhej në proklamatë, e “konsideron të ngutshme
nevojën për të ndalur një luftë midis dy popujve (shqiptarëve dhe
malazezëve - shën. i aut.), të cilët kanë pasur mjaft raste ta matin
fuqinë dhe trimërinë e tyre, dhe për të larguar kështu rreziqe të reja
për paqen në Lindje”. Proklamata përfundonte: “Ne dëshirojmë nxehtësisht
të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë,
Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre,
por jemi krejtësisht të vendosur të mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që
është jona. T’u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare!” Shqetësimi që
pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash,
që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit
kundër Traktatit të Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër kazaje u
zhvilluan mbledhje popullore, në të cilat u morën vendime për të
kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare. Në shumicën e
rasteve, në përfundim të këtyre mbledhjeve u hartuan protesta me shkrim
drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria e shqiptarëve
për të mbrojtur deri në njeriun e fundit çdo pëllëmbë të tokës amtare.
Funksionarët e admnistratës dhe përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan
në këto mbledhje presion të fuqishëm për t’i detyruar pjesëmarrësit që
t’i nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë, por si
nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorinë Osmane. Por këto presione
nuk dhanë rezultat. Në asnjë nga krahinat shqiptare, pjesëmarrësit e
mbledhjeve nuk pranuan ta cilësonin veten e tyre si banorë islamikë. Në
të gjitha aktet drejtuar Fuqive të Mëdha banorët myslimanë dhe të
krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë të një kombi të vetëm.
Madje, në shumë raste, pjesëmarrësit e mbledhjeve popullore hartuan
peticione drejtuar Portës së Lartë, me anën e të cilave kërkonin reforma
autonomiste për Shqipërinë.
Themelimi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878)
Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878,
në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes
shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët
radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj
udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë
shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i
jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj
përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i
cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e
përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën e vitit 1878, e besëlidhjeve
lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e
udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm dhe
organizimi me sukses i punimeve të tij.
Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i
Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve
qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në
rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u
caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e
Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej
qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me
organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u
ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin
nga Prizreni e
Gjakova.
Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen
për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga
përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej
Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i
vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit. Lëvizja për
thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë
të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më
13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për
të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset
shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të
Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët
sulltanistë. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur
mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të
përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake
(bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft
pashallarë e bejlerë sulltanistë. E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në
Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por
ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë
qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të
dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej
Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija
Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon
dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me
radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes
karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet
shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq
t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar
pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren
pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit
një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet
mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të
armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në
Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare.
Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin
penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i
Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl
Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e
derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e
delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën
e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra,
shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta
përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë,
tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte
personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj
që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në
kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër
ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat më të shquara që
merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz
pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit
organizator të Kuvendit),
Abdullah pashë Dreni,
Ahmet Koronica,
Shaban bej Prizreni,
Zija bej Prishtina,
Jashar bej Shkupi,
Shaban bej Peja,
Filip Doda,
Sulejman Vokshi,
Shuajip Spahiu,
Ali Ibra,
Abdyl Frashëri etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa
feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i
Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat
shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i
Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet
në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet
Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej
nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i
moshuar,
Iljaz pashë Dibra
(Qoku)?. Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për
çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë
të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve
shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të
njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për
karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte
Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte
parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter
kombëtar. Ndryshe nga këta, delegatët, që i takonin krahut sulltanist, u
përpoqën që organizata që do të themelohej të kishte një karakter
islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia nënshtronin atë interesave të
Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të
gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet
vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të
Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke
mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha
krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të
mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera
tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt,
duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak
trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i
Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të
grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qendrimet e
dëmshme të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe me trysninë e autoriteve
qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit,
Qamil Beu, që ishte i pranishën në këtë tubim. Të dyja këto forca u
përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.
Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik
kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një
organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje (Ittifaku),
me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha
krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me
çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi
tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së
cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të
shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u
shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të
pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të
krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i
Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë
dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me
karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare
shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter
atdhetar. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të
larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me
funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin
degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të
ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes
Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të
veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i
punëve të brendshme (
Haxhi Shabani)
dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi). Krijimi i
organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me
funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare,
pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një
pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me
caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në
Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u
takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban
Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër
hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në
atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.
Kanuni dhe Urdhëresa (17 qershor 1878) Aktet e para të
Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare,
dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion, dërguar Portës së Lartë,
Kararnameja (Akti i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa). Të dyja
peticionet u miratuan më 15 qershor 1878. Ato u pajisën me nënshkrimet e
disa mijëra përfaqësuesve të popullsisë shqiptare në të gjitha krahinat
e Shqipërisë. Me anën e tyre kërkohej nga Kongresi i Berlinit dhe nga
qeveria turke që të mos i jepnin shteteve të huaja asnjë pëllëmbë tokë
nga atdheu i tyre. Edhe në këto dokumente të Kuvendit të Lidhjes
shprehej vendosmëria e përfaqësuesve shqiptarë për të luftuar deri te
njeriu i fundit për të kundërshtuar çdo vendim që do të cenonte tërësinë
territoriale të atdheut. Veç kësaj, në peticionin që iu dërgua Portës
së Lartë, parashtrohej edhe kërkesa për të bashkuar të gjitha trojet
shqiptare në një vilajet të vetëm shqiptar ose, siç thuhet në peticion,
në një “vilajet të bashkuar” (Tevhidi vilajet) me një “kuvend të
bashkuar” në krye dhe me administratë, buxhet e ushtri të veçantë, pra
të pajisur me autonomi administrative e kulturore. Por ky program i
autonomisë (krijimi i vilajetit të bashkuar me autonomi administrative)
nuk u përfshi në të dy dokumentet e tjera që u miratuan nga Kuvendi, më
17 qershor 1878, në Kararnamenë dhe në Talimatin. Kjo shpjegohet me
ndikimin e qarqeve konservatore në punimet e vendimet e Kuvendit, të
cilat nuk ishin të interesuara për ndryshime të raporteve të Shqipërisë
me Perandorinë Osmane. Ndikimi i këtyre qarqeve, me të cilat qenë
bashkuar edhe delegatët boshnjakë, u forcua, përkohësisht, në krahasim
me atë të grupimit të delegatëve autonomistë kosovarë, edhe për shkak se
në Kuvendin e Përgjithshëm nuk kishin arritur ende delegatët e
krahinave të tjera të Shqipërisë, sidomos ata të vilajeteve të Shkodrës e
të Janinës, të cilët ishin të gjithë përkrahës të autonomisë. Por, veç
këtij faktori, në mungesën e kërkesës në Kararname të një vilajeti të
bashkuar shqiptar, me autonomi administrative, ndikoi edhe rreziku i
jashtëm, ai i copëtimit të Shqipërisë, që nxirrte në plan të parë dhe si
detyrë më të ngutshme mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare. Në
këto rrethana, qarqet konservatore, të nxitura edhe nga qeveritarët
osmanë, u përpoqën t’i impononin Kuvendit të Përgjithshëm një platformë
me ndikime sulltaniste dhe islamike. Por këto orvatje dështuan, sepse
ndeshën në kundërshtimin e rreptë të përfaqësuesve të vijës patriotike
të Kuvendit. Kanuni i Lidhjes, me emrin Kararname (Akti i Vendimeve)
sanksionoi formimin e Lidhjes si organizatë politike shqiptare dhe
përcaktoi detyrat e saj më të ngutshme. Megjithëse ky dokument nuk iu
shmang dot disa formulimeve kontradiktore, me këmbënguljen e delegatëve
atdhetarë aty u përfshinë dispozita të tëra, që i shërbenin Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare dhe që binin ndesh me interesat e Portës së Lartë.
Kështu, në nenin 1 thuhej se qëllimi i Lidhjes së Prizrenit ishte të
mbronte tërësinë tokësore të Perandorisë Osmane, me të cilën Lidhja
nënkuptonte edhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, kurse në
nenin 6 shpallej në formë edhe më të qartë e më të prerë, se Lidhja do
të kundërshtonte vetëm lëshimet tokësore në favor të Bullgarisë, të
Serbisë dhe të Malit të Zi (pra, jo kundër tokave që do të merrte Rusia
dhe Austro-Hungaria), që do të thoshte se ajo do të luftonte vetëm për
mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare. E vështruar nga kjo
pikëpamje, Kararnameja i përgjigjej detyrës së parë e kryesore që
qëndronte para Lidhjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: lufta për
mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, të Shqipërisë. Po ashtu,
ajo shprehte synimet vetëqeverisëse të shqiptarëve. Nga njëra anë thuhej
se Lidhja e Prizrenit do ta shihte si armik çdo njeri që do të përpiqej
të dobësonte autoritetin e qeverisë osmane (neni 2), ndërsa nga ana
tjetër, ajo e vishte veten dhe komitetet e saj me funksione pushtetore
të veçuara nga ato të Stambollit (neni 14), të cilat e dobësonin
autoritetin e Portës së Lartë në Shqipëri. Lidhja trajtohej në Kararname
si një institucion politik, me një personalitet juridik të pavarur nga
Porta e Lartë. Qeveria e Stambollit, thuhej në nenin 14 të saj, “nuk do
të përzihet në asnjë mënyrë në çështjet e Lidhjes”. Por ajo që e
theksonte më shumë karakterin e saj të pavarur ishte e drejta që fitoi
Lidhja me anën e Kararnamesë për të ngritur në këmbë forca të
armatosura, të veçuara nga ushtria perandorake osmane, dhe për të hyrë
në luftë kundër fuqive të huaja, pavarësisht nga qëndrimi i Portës së
Lartë. Lidhja merrte përsipër edhe disa prerogativa në fushën
administrative e gjyqësore. Të gjitha këto dëshmojnë se referimi në
ndonjë rast te feja islame ose përfshirja në të e shprehjes së
besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, nuk përcaktonin karakterin e
vërtetë të Kararnamesë, nuk cenonin përmbajtjen e saj themelore, që i
përgjigjej synimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Veç
kësaj, ky nuk ishte programi përfundimtar i Lidhjes, i cili do të
miratohej në një mbledhje më të përgjithshme të Kuvendit, ku të merrnin
pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë. Në dokumentin
tjetër, që Kuvendi i Përgjithshëm miratoi po atë ditë (më 17 qershor
1878), i cili u quajt Talimat (Urdhëresë), trajtoheshin aspektet
organizative, politike e ushtarake të Lidhjes. Urdhëresa, ndryshe nga
Akti i Vendimeve, ishte e zhveshur nga çdo referim te feja islame, si
dhe nga deklarata e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane. Veç kësaj,
funksionet pushtetore të Lidhjes këtu ishin më të theksuara. Në
Urdhëresë flitej haptas se Lidhja do të formonte një administratë
qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku,
nga e cila do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj
administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga
ajo e Portës së Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejt nga Lidhja.
Nëpërmjet Kararnamesë, delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm shpallën
Prizrenin si kryeqytetin e Lidhjes. Lidhja vendosi të ngrinte një ushtri
të rregullt, të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme, të aftë për të
mbrojtur atdheun. Në Talimat përfshihej edhe një shtojcë që përmbante
një varg masash konkrete për dislokimin e menjëhershëm të forcave të
armatosura të Lidhjes së Prizrenit në pikat kryesore strategjike, si në
Guci, në Rugovë, në
Kolashin,
në Prepol, në Senicë, në Tashllixhe, në Mitrovicë, në Gjilan, në
Palankë, në Shkodër e gjetkë. Prej këtej ato do të mbronin viset
shqiptare, nëse Kongresi i Berlinit do t’ua jepte Serbisë, Bullgarisë e
Malit të Zi. Sipas Talimatit, Kuvendi Kombëtar parashihte të ngrinte, në
rast nevoje, një ushtri kombëtare prej 190 mijë vetash. Lajmi i
formimit të Lidhjes në Prizren u përhap menjëherë në Shqipëri dhe pati
jehonë në të katër anët e vendit. Kudo filloi një diskutim i zjarrtë
rreth vendimeve të Kuvendit të Prizrenit. Me këtë rast atdhetarët
përparimtarë kërkuan që të mblidhej përsëri Kuvendi i Përgjithshëm, në
të cilin të merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinave shqiptare të të
katër vilajeteve. Në protestat, që popullsia e krahinave të ndryshme i
drejtoi gjatë atyre ditëve Kongresit të Berlinit, mbahej një qëndrim
krejt i ndryshëm ndaj Stambollit, nga ai i krahut sulltanist. “Ashtu
sikurse nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me
të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte
sllavë, austriakë ose grekë”, thuhej ndër të tjera në një memorandum
drejtuar, më 13 qershor 1878, kryeministrit britanik, lordit Bikonsfild
(Beaconsfield), nënshkruar nga rreth 500 qytetarë shkodranë, të cilët
kërkonin respektimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe formimin e
një shteti shqiptar të pavarur. Me telegramet që i drejtonin Kongresit
të Berlinit në ditët e mëpasme, përfaqësuesit e kazave shqiptare të
vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës e të Manastirit kërkonin
gjithashtu, si shqiptarë, respektimin e tërësisë tokësore të atdheut të
tyre, të Shqipërisë. Të tilla kërkesa iu paraqitën areopagut
ndërkombëtar edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë Shqipërisë, madje edhe
nga grupe shqiptarësh që ndodheshin në Stamboll. Në një memorandum,
drejtuar më 20 qershor 1878 ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha nga
një grup personalitetesh shqiptare që banonin në kryeqytetin e
Perandorisë Osmane, midis të cilëve bënin pjesë edhe disa anëtarë të
Komitetit të Stambollit (Pashko Vasa, Sami Frashëri, Ali Danish
Prishtina, Sermedi Seid Toptani dhe Abedin bej Dino), pasi protestohej
në emër të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut,
shtrohej kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë
administrativ, sipas një projekti të hartuar prej një komisioni të
përbërë nga shqiptarë dhe të miratuar nga Porta e Lartë. Paralelisht me
rritjen e lëvizjes masive në të mirë të platformës kombëtare, përfunduan
edhe përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Në fund të
qershorit në Prizren arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave
shqiptare. Në të njëjtën kohë u kthye nga Berlini edhe delegacioni
shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u
paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres, Peticionin me
kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit. Shumica dërrmuese e
delegatëve ishte edhe më e vendosur për ta mbrojtur deri në fund
programin politik kombëtar të Lidhjes. Madje disa delegatë, si për
shembull ata të Shkodrës, kishin porosi nga popullsia e tyre që “të mos
pranonin asgjë që mund të interpretohej si forcim i frymës islamike” dhe
“po të vinin re se Lidhja po i shmangej rrugës kombëtare për të hyrë në
rrugën thjesht fetare, të largoheshin prej saj”. Kuvendi i Përgjithshëm
u mblodh në Prizren më 1 korrik 1878. Nga 300 delegatët që, sipas disa
dëshmive, kishin ardhur në Prizren, njihen të paktën 140 emra, nga të
cilët 96 nga Kosova, 26 nga Shkodra dhe 20 nga vilajeti i Janinës. Pas
dy ditë diskutimesh Kuvendi i Përgjithshëm miratoi, më 2 korrik 1878,
një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë
hapa të rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes.
Kanuni i ri e shpalli botërisht organizatën e formuar në Prizren si
Lidhje Shqiptare dhe organin e saj qendror e quajti Komitet Kombëtar.
Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar
islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishin
pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se
Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se
veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ai i jepte
të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në
qendrat e sanxhakëve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të
armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin
ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e
veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale
kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare. Kuvendi mori edhe masat e
nevojshme për anët organizative të Lidhjes. Në një mbledhje të fshehtë,
që u zhvillua natën në shtëpinë e atdhetarit prizrenas Shuaip Spahiu, u
zgjodhën anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që vishej me funksione
legjislative dhe, të Komitetit Kombëtar, që do të ushtronte funksione
ekzekutive. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga
krahinat shqiptare të të katër vilajeteve, të cilët ishin nga të gjitha
besimet fetare dhe përfaqësonin forcat atdhetare të vendit. Midis tyre
ishin: Iljaz pashë Dibra, Ali pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Abdyl
Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica,
Haxhi Shabani, Binak Alia, Ali Ibra, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana,
Qazim bej Gjirokastra etj. Si kryetar i Këshillit mbeti përsëri Iljaz
pashë Dibra. Tri komisionet e Komitetit, të pajisura me funksione
dikasteriale, mbetën siç ishin, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, të Haxhi
Shabanit e të Sulejman Vokshit. Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878,
shënonte fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e
Lidhjes së Prizrenit. Kjo fitore ishte e dyfishtë. Nga njëra anë, detyra
për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, me të cilën e ngarkoi ky kanun,
e ktheu përfundimisht Lidhjen e Prizrenit në një organizatë politike
kombëtare dhe i dha të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë e robëruar
në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, të drejtat që i dha po ai kanun
për të pasur administratë, ushtri, buxhet dhe gjyqe të veçanta, e
pajisën Lidhjen e Prizrenit me funksione pushtetore të veçuara nga ato
të shtetit centralist osman. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u
sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja e Prizrenit fitoi bazën
ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar
brenda shtetit perandorak osman.
3. MBROJTJA E TROJEVE SHQIPTARE Shqipëria dhe Kongresi i Berlinit
(13 qershor-13 korrik 1878) Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor
1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën
pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia,
Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht,
vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i
drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Në punimet e Kongresit të
Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i
kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës
të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por
delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të
Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk
kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit. Me ftesën e
Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania,
Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat
parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e
tyre politike e territoriale. Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e
Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e
tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve
qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të
shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë,
parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta
autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit
Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi
më 15 qershor. Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga
shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive
të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti
të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin, që një grup atdhetarësh
shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild, kryetar i
delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për
rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet
fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen
shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i
një shteti shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit pavarur shqiptar do ta
çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të
krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të
shërbente si një element ekuilibri në lindje. Megjithatë, Fuqitë e
Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto
kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit
shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni
shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me
nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u
përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq
ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që
pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe
çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u
shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”. Si rrjedhim, çështja
shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit.
Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha
morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re
politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u
udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të
veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre.
Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të
Shën-Stefanit, kurse Britania e Madhe me Austro-Hungarinë përpiqeshin të
pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e
tyre në Evropën Juglindore. Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte
Austro-Hungarinë për të mos e lënë që të bashkohej me Francën dhe ta
neutralizonte kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin e
marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Synimi kryesor i Francës
ishte izolimi politik i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj,
kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të
Austro-Hungarisë në Gadishullin Ballkanik. Punimet e Kongresit të
Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me
nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të
Shën-Stefanit. Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale
të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e
Vogël. Ideja e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit,
mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i
Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe
maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një
provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e
Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me
Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin
gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë
Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e
mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur
asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të
Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e
Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në
drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena
i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj
krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me
Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën
arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi
përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe
të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej
kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të
Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i
Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare
malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.
Përfitime tokësore në kurriz të Perandorisë Osmane patën sidomos dy fuqi
të mëdha, të cilat nuk kishin marrë pjesë fare në luftën ruso-turke:
Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe. Austro-Hungaria fitoi të drejtën
për të pushtuar ushtarakisht, gjoja për t’i administruar, Bosnjën dhe
Hercegovinën, përveç limanit Spic, në brigjet jugore të Dalmacisë, të
cilën e aneksoi zyrtarisht; po ashtu fitoi të drejtën për të mbajtur
garnizone ushtarake në sanxhakun e Novi Pazarit. Britania e Madhe, e
cila u paraqit në Kongres si mbrojtësja më e flaktë e Perandorisë
Osmane, i shkëputi kësaj ishullin e Qipros. Me përkrahjen e Anglisë e të
Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë, e
cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke. Athina
pretendonte të aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos
Epirin (vilajetin e Janinës). Pas mjaft debatesh, Kongresi, duke marrë
parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për
Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për
pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi
i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi
aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si
Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali
dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë,
Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin
Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot
vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e
Mëdha. Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e
popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si
Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi
politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për
të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e
shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të
drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e
respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me
popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise
thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër
edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë
nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë
Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit),
viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një
rrezik tjetër për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria,
e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte
gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte
rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”.
Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë
krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik. Midis vendimeve të
tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri
tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me
aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e
Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas
këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike, që
ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një
administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i
qe dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto “rregullore” t’u
përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte “komisione të
posaçme” për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të
përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për
çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të
miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha
për Rumelinë Lindore. E dyta ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të
Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës.
Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të
Austro-Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte
edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të
cilat “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta).
Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e
Lartë ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të
respektuar venomet në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i
cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e
Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte
ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e
Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u
përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi
zyrtar. Të dyja këto vendime ishin negative për Shqipërinë. Me nenin 23
Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e
detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me
administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të
drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen
administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare
ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme. Reformat administrative
autonomiste i kërkonin vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i
kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet
të vetëm autonom. Pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike”
të veçantë, gjoja në përshtatje me nevojat e vendit, do t’i
vështirësonte edhe më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e
kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më
tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në
këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl
Frashëri, që t’u jepnin reformave karakter joshqiptar, por serb në
vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në vilajetin e
Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të
ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje
ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e
këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonom. Po ashtu, me
Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të
Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si
problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë vetëm si
çështjen e një krahine të saj, siç ishte krahina e vogël dhe e
prapambetur e Mirditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë tjetër,
veçse të ruante statusin e saj partikularist e patriarkal. Protokolli
nr.13 i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të
drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane
(kultusprotektoratin), që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të
Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për
ekspansionin e saj të mëtejshëm drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut
dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.
Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-turke. Aksioni i Gjakovës
(korrik-shtator 1878) Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan
zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe kundër Portës së
Lartë. Nga të katër anët e vendit u bënë protesta për të kundërshtuar
shkëputjen e trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Kudo u
shpreh gatishmëria e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë në veri,
qoftë në jug, asnjë pëllëmbë tokë të banuar nga popullsi shqiptare.
Megjithatë, pasi mbaruan punimet e Kongresit të Berlinit, vëmendja e
shqiptarëve u drejtua kryesisht nga fati i trojeve veriore, pasi vendimi
i Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë në favor të
Malit të Zi kishte formë të prerë. Si i tillë ai duhej të zbatohej
menjëherë, kurse vendimi për viset jugore do të merrte formë
përfundimtare më vonë, pasi ishte i lidhur me bisedimet turko-greke.
Tensioni i madh politik që pushtoi opinionin publik krijoi një truall të
favorshëm për rritjen e shpejtë të autoritetit të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit dhe për shtrirjen e saj organizative, brenda pak javëve, në të
katër anët e venditPasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin
marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e
vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të
Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan
mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Duke
marrë parasysh vështirësitë e ndërlidhjes së degëve të shumta me
Komitetin Kombëtar dhe për ta rritur operativitetin e këtyre degëve në
përshtatje me rrethanat lokale, në fillim të korrikut u formuan në bazë
vilajetesh tri komitete ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare me qendër në
Prizren, në Shkodër dhe në Janinë. Me to u lidhën degët e shpërndara në
sanxhakët dhe në kazatë e këtyre vilajeteve. Meqenëse më 1878 vilajeti i
Manastirit ishte suprimuar, degët e formuara në sanxhakët e Dibrës, të
Ohrit e të Manastirit u lidhën me Komitetin Ndërkrahinor të Prizrenit,
kurse ato të sanxhakut të Korçës me Komitetin Ndërkrahinor të Janinës.
Lidhjet ndërmjet Komitetit të Janinës dhe komiteteve të Prizrenit ose të
Shkodrës kryheshin sipas rastit, nëpërmjet degës së Elbasanit ose
nëpërmjet degës së krijuar posaçërisht për këtë qëllim në Selanik, e
cila shërbente si ndërmjetëse për lidhjet e komiteteve ndërkrahinore të
vilajeteve me Komitetin e Stambollit. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet
tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje,
nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.
Në përshtatje me situatën e krijuar, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës u
ngarkua me detyrën që të merrte masa politike e ushtarake për të
parandaluar ose, në pamundësi të kësaj, për të kundërshtuar shkëputjen e
Çamërisë në favor të Greqisë. Për këtë qëllim në dhjetëditëshin e tretë
të korrikut 1878 u organizua në Janinë një Kuvend i gjerë Ndërkrahinor
me përfaqësues të të gjitha degëve të vilajetit. Pasi vendosi të
shprehte botërisht vendosmërinë e shqiptarëve për të kundërshtuar me
armë çdo lëshim të trojeve të tyre në favor të Mbretërisë Greke, Kuvendi
Ndërkrahinor caktoi për çdo kaza numrin e forcave vullnetare, që do të
mobilizoheshin për të hyrë në luftë menjëherë sapo të dilte nevoja. Në
të njëjtën kohë përfaqësuesit e degëve të Jugut miratuan një memorandum,
me të cilin paralajmërohej Porta e Lartë se shqiptarët ishin të
vendosur të viheshin edhe kundër saj, në rast se ajo do të tërhiqej
përballë pretendimeve shoviniste të Athinës. Në mbledhjen që mbajti më
24 korrik 1878, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, Kuvendi Ndërkrahinor i
Janinës, krahas vendimeve që mori për mbrojtjen e tërësisë tokësore të
Shqipërisë, shqyrtoi edhe çështjen e formimit të vilajetit autonom
shqiptar. Për këtë qëllim, më 24 korrik 1878, u hartua një rezolutë e
veçantë, në të cilën aspirata e shqiptarëve për autonomi është formuluar
nëpërmjet tri kërkesave: bashkimi i trojeve të tyre në një vilajet të
vetëm, zhvillimi i gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare dhe zbatimi
menjëherë në Shqipëri i reformave të përshtatshme me nevojat e saj,
sikurse ishte krijimi i “milicisë shqiptare” me forca të rekrutuara nga e
gjithë Shqipëria. Lidhja parashikonte që vetëm në vilajetin e Janinës
të mblidhte 30 mijë burra të armatosur. Kjo rezolutë, në të cilën
shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë në dorë
çdo aneksim të tokës së tyre nga Greqia, madje edhe në kundërshtim me
qëndrimin e Portës së Lartë, shqetësoi qarqet qeveritare të Stambollit.
Në telegramet që i dërgonte kryetarit të Kuvendit Ndërkrahinor të
Janinës më 3 dhe 25 gusht, kryeministri turk shpejtoi t’i qetësonte
shqiptarët, duke u zotuar se nuk do t’i lëshonte Greqisë asnjë pëllëmbë
tokë nga vilajeti i Janinës. Gjithashtu, në përshtatje me situatën e
krijuar, dy komitetet ndërkrahinore të Veriut u mobilizuan për të
kundërshtuar me armë dorëzimin e kazasë së Gucisë (ku bënte pjesë edhe
Plava) në favor të Malit të Zi. Për mbrojtjen e tyre në Shkodër u
zhvillua një miting popullor, pas të cilit filluan menjëherë përgatitjet
për të rekrutuar vullnetarë dhe për të grumbulluar armë. Brenda pak
ditëve, në fillim të korrikut, në rrethin e Shkodrës u regjistruan rreth
6 mijë vullnetarë. Qytetarët dhe fshatarët dhanë kontribut në të holla e
drithë. Një mobilizim i tillë ndodhi edhe në Kosovë, sidomos në Gjakovë
e në Pejë. Më shumë se kudo mobilizimi përfshiu banorët e Plavës e të
Gucisë. Shqiptarët, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të këtyre dy
krahinave, u vunë në gatishmëri të plotë, duke vëzhguar ditë e natë
lëvizjet e ushtrive malazeze përtej kufirit. Sipas vendimit që mori
Komiteti Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit, vullnetarët e krahinave të
tjera do të qëndronin në shtëpitë e tyre në pritje për t’u nisur në
front sapo të lëshohej kushtrimi. Përgatitjet politike dhe ushtarake të
Lidhjes së Prizrenit tregonin se nenet e Traktatit të Berlinit, që
cenonin të drejtat kombëtare të Shqipërisë, nuk mund të zbatoheshin pa
dhunën e armatosur kundër shqiptarëve që do të ushtrohej ose nga Mali i
Zi, ose nga Perandoria Osmane. Për ta mënjanuar këtë konflikt tepër të
kushtueshëm dhe me përfundime të pasigurta për Malin e Zi, knjaz Nikolla
kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, duke e akuzuar Portën e Lartë si
organizatoren e Lidhjes së Prizrenit. Për Perandorinë Osmane kazaja e
Gucisë, me më pak se 10 mijë banorë, nuk kishte asnjë rëndësi ekonomike e
strategjike në krahasim me territoret e gjera të Bullgarisë, të
Bosnjës, të Hercegovinës etj., që asaj iu shkëputën nga Traktati i
Berlinit. Por Porta e Lartë nuk donte që, për shkak të një krahine të
parëndësishme kufitare, të ndizte revoltimin e mëtejshëm të 1,6 milion
shqiptarëve, të cilët do të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë. Si
rrjedhim, ajo ngurroi të dorëzonte Plavën e Gucinë, duke u justifikuar
para Fuqive të Mëdha me arsyen e vërtetë, me rrezikun e një konflikti të
armatosur ndërmjet saj dhe shqiptarëve. Ndërkaq, në dhjetëditëshin e
tretë të korrikut u acaruan marrëdhëniet e Portës së Lartë me
shqiptarët, për shkak të qëndrimit të këtyre të fundit ndaj pushtimit të
Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Kur më 22 korrik
ushtritë austro-hungareze filluan marshimin drejt Bosnjës dhe
Hercegovinës, autoritetet shtetërore osmane u kërkuan krerëve të Lidhjes
Shqiptare që t’u vinin në ndihmë me forcat e tyre të armatosura
boshnjakëve, që kishin rrëmbyer armët kundër pushtuesve të huaj.
Kërkesën e Stambollit e miratuan vetëm qarqet sulltaniste, të cilat u
përpoqën të bindnin Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes për të marrë
pjesë në luftën kundër Austro-Hungarisë, ndërsa anëtarët e tij nuk
pranuan, duke përdorur si argument nevojën e ngutshme që kishte vendi
për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Presioni i qarqeve qeveritare dhe i
elementëve turkomanë vijoi katër javë, derisa më 19 gusht 1878 Këshilli i
Përgjithshëm, i mbledhur posaçërisht për këtë qëllim, e hodhi
përfundimisht poshtë kërkesën e Portës së Lartë. Lidhja vendosi të mos
dërgonte forcat e saj të armatosura kundër invazionit austro-hungarez në
Bosnjë, me arsyen e thjeshtë se ato ishin krijuar për të mbrojtur
interesat kombëtarë të Shqipërisë e jo të Perandorisë Osmane. Me këtë
qëndrim Lidhja e Prizrenit u dha, pas miratimit të kanunit kombëtar më 2
korrik 1878, goditjen e dytë planeve të sulltanit. Goditjen e tretë ajo
ua dha tre javë më vonë me vrasjen në Gjakovë të mareshalit Mehmet Ali
pashë Maxhari. Pas dështimit të planeve të saj në lidhje me Bosnjën e me
Hercegovinën, Porta e Lartë filloi të shqetësohej si nga rruga e
veprimeve të pavarura në të cilët tashmë kishte hyrë Lidhja Shqiptare,
ashtu edhe nga trysnia e madhe që po ushtronin Fuqitë e Mëdha në lidhje
me zbatimin e Traktatit të Berlinit kundrejt Malit të Zi e Mbretërisë
Greke. Trysni të fuqishme ushtronte sidomos Rusia cariste, e cila po e
kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të veta nga Rumelia Lindore me
dorëzimin nga ana e Perandorisë Osmane të trojeve që i qenë premtuar
Malit të Zi. Kërkesën e plotësimit të detyrimeve, që rridhnin nga
Kongresi i Berlinit, ia parashtroi Stambollit edhe princi i Malit të Zi,
më 13 gusht 1878. Për t’u çliruar nga ky presion e sidomos nga ai që
ushtronte Rusia, ushtritë e së cilës ndodheshin në afërsitë e
Stambollit, Porta e Lartë vendosi të shpejtonte veprimet për dorëzimin e
këtyre trojeve, duke përfshirë këtu edhe Plavën e Gucinë. Në përgjigjen
që i dha princit të Malit të Zi, më 20 gusht, Ministria e Jashtme e
njoftonte knjaz Nikollën se qeveria perandorake kishte caktuar
mareshalin Mehmet Ali Pashën si komisar i jashtëzakonshëm për të kryer
formalitetet e dorëzimit të Plavës e të Gucisë. Në fund të gushtit u
dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi
të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një
adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta
bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e
të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të
Berlinit. Qysh në fillim u mor vesh se mareshali turk kishte marrë
përsipër të shpërndante Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare në
Prizren dhe, pasi të kryente dorëzimin e Plavës e të Gucisë, do të vinte
në Shkodër për të shpërndarë edhe aty Komitetin Krahinor të Lidhjes.
Prandaj lajmi i misionit të Mehmet Ali pashës u prit me zemërim në
Shqipëri. Në Prizren, Komiteti Kombëtar i Lidhjes u shpreh kundër
pjesëmarrjes së mareshalit në komisionin e kufirit. Po kështu, në një
mbledhje të fshehtë që u mbajt në Shkodër nga aktivistët më radikalë, u
vendos që të mos e linin komisarin e sulltanit as të hynte në qytetin e
tyre. Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra
menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të
Lidhjes Shqiptare. Ai u përpoq të bindte veçan udhëheqësit e saj për
kotësinë dhe dëmin e kundërshtimit të shqiptarëve, pasi, sipas tij, jo
vetëm Porta e Lartë, por as Fuqitë e Mëdha nuk do të tërhiqeshin; ato do
ta zbatonin me çdo kusht Traktatin e Berlinit. Në një mbledhje të
përbashkët me të gjithë krerët e Lidhjes, më 26 gusht, ai përdori, midis
të tjerave, edhe kërcënimin, duke u lënë një afat prej 24 orësh për t’u
menduar. Por të nesërmen askush nuk u paraqit në mbledhje. Për më
tepër, atë ditë u vra nga njerëzit e Lidhjes Shqiptare me atentat, në
kafenenë “Marash” të Prizrenit, telegrafisti i Mehmet Ali pashës, të
cilin mareshali e kishte sjellë me vete për të ruajtur sekretin e
raporteve që do t`i drejtonte Portës së Lartë. Vrasja e telegrafistit
ishte një paralajmërim që Lidhja e Prizrenit i drejtonte Maxhar Pashës
dhe nëpërmjet tij qeverisë osmane, për të hequr dorë nga dorëzimi i
trojeve shqiptare. Mehmet Ali pasha nuk qe në gjendje as t’i bindte
udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, as edhe të shpërndante Komitetin
Kombëtar sipas porosive të posaçme që kishte marrë në Stamboll.
Megjithatë, mareshali turk nuk hoqi dorë nga misioni i tij. Më 31 gusht
ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq,
duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në ndihmë edhe një batalion
tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e
degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte që t’i nënshtroheshin
vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me
përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i
cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të
gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman
Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më
tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij,
udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të
cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën
drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke
zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto
rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në
sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një
paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët
gjakovarë, rreth 4,500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur
kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet,
ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator
1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë
Dreni (në sarajet e të cilit ishte strehuar Mehmet Ali pasha) dhe i dha
një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte
ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600
veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat
që prisnin t’u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre,
do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70
malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre. Më 3
shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që
mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe
me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë një armëpushim
prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës
dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4
shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u
keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan.
Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u
shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u
bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që
ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive
turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit
arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë
Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Gjate ketij sulmi, Col
Delia nga Malesia e Gjakoves, me synimin per te ndalur gjakderdhje te
metejshme, me nje veprim vetemohues depertoi ne brendesi te sarajeve, ku
edhe ra heroikisht pasi arriti te vriste Pashain turk. Me vrasjen e
tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare.
Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të
rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta. Përpjekja e
armatosur e Gjakovës ishte frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit,
ndërsa me organizimin e saj të drejtpërdrejtë u mor dega e Lidhjes për
Gjakovën. Udhëheqësit kryesorë të saj ishin Ahmet Koronica, Sulejman
Vokshi, Ali bej Gucia, Jakup Ferri dhe Ismail Myderizi, së bashku me
krerët e esnafëve të qytetit të Gjakovës. Përpjekja e Gjakovës pati
jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Në saje të pjesëmarrjes së
gjerë të masave popullore dhe të gjakut të tyre të derdhur në këto
luftime, kjo ngjarje shënoi fitoren e plotë të vijës atdhetare shqiptare
në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Aksioni i Gjakovës tregoi se Lidhja e
Prizrenit ishte një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta e Lartë,
madje ajo ishte e vendosur që, për të mbrojtur tërësinë territoriale të
atdheut, të luftonte edhe kundër saj. Në të vërtetë, Lidhja e
Prizrenit, e cila u formua për të kundërshtuar vendimet e Fuqive të
Mëdha dhe u përgatit për të hyrë në luftë kundër ekspansionit të
shteteve fqinje, dëshmorët e saj të parë i la në luftë kundër
Perandorisë Osmane. Luftimet e Gjakovës patën jehonë edhe jashtë kufijve
të Shqipërisë në tri drejtime: si një akt që cenonte Traktatin e
Berlinit në lidhje me detyrimet territoriale të Perandorisë Osmane ndaj
Malit të Zi; si një aksion që keqësoi më shumë marrëdhëniet e Portës së
Lartë me shqiptarët; si një veprim që e vështirësonte më keq zgjidhjen e
problemeve të krijuara nga Kriza Lindore në Gadishullin Ballkanik.
Kuvendi i Dibrës dhe rezoluta e tij (1 nëntor 1878) Me aksionin e
Gjakovës, Lidhja e Prizrenit bëri një hap të rëndësishëm përpara.
Opinioni shqiptar priste tani që Porta e Lartë të ndërhynte energjikisht
për të vënë në vend dinjitetin e saj, të shkelur rëndë. Nga ana tjetër,
vëzhguesit e huaj, të cilët e vlerësuan këtë aksion si një kryengritje
kundër Stambollit, prisnin që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të
Shqipërisë. Porta e Lartë në fillim mendoi të ndërhynte duke ndërmarrë
një fushatë ushtarake ndëshkimore kundër gjakovarëve dhe Lidhjes
Shqiptare. Për këtë, më 8 shtator u nisën nga Selaniku për në Kosovë
forca të shumta ushtarake, të cilat, me urdhër nga Stambolli, u ndalën
më pas një pjesë në Ferizaj dhe të tjerët në Shkup. Qeveria e sulltanit
arriti në përfundimin se në atë situatë nuk mund të ndërmerrej asnjë
masë ushtarake e ndëshkimore ndaj shqiptarëve, sepse nuk ishte në
interesin e saj të shkaktonte një luftë, që funksionarët e saj e quanin
civile, me shqiptarët. Një veprim i tillë do të bëhej shkak për një
kryengritje të përgjithshme në Shqipëri, të cilën, siç dëshmojnë
dokumentet bashkëkohëse, Stambolli nuk ishte në gjendje në atë kohë ta
shtypte. Prandaj Porta e Lartë e la në heshtje përleshjen e Gjakovës,
duke ua ngarkuar përgjegjësinë e gjakderdhjes disa personave të
“pandërgjegjshëm”, kundër të cilëve deklaroi se do të merreshin masa në
kohën e duhur. Për një kryengritje të armatosur kundër Stambollit në
këtë periudhë, kur rreziku i copëtimit territorial ndodhej në momentin e
tij më të mprehtë, nuk qenë të interesuara as qarqet atdhetare
shqiptare. Megjithatë, ato mendonin se tani që lëvizja kishte ecur mjaft
përpara, ishin krijuar rrethana të favorshme për ta detyruar Portën e
Lartë që të lëshonte pe në lidhje me të drejtat autonomiste të
Shqipërisë pa qenë nevoja për një kryengritje të armatosur kundër saj.
Kjo çështje u trajtua nga Komiteti i Stambollit gjatë dhjetëditëshit të
tretë të muajit shtator 1878. Pasi analizoi gjendjen e re politike,
Komiteti i Stambollit, në mbledhjen e fshehtë që zhvilloi nën kryesinë e
Abdyl Frashërit, vendosi ta ngrinte me forcë para Portës së Lartë
çështjen e formimit të Vilajetit Shqiptar. Vendimi i Komitetit u shpall
botërisht si lajm, pa emër autori, më 27 shtator 1878, në gazetën
“Terxhuman-i Shark”, që botohej nën drejtimin e Sami Frashërit në
kryeqytetin perandorak. Sipas këtyre lajmeve, Lidhja Shqiptare kishte
hartuar një program prej 7 pikash. Në pikën e parë thuhej se sovraniteti
i sulltanit do të ruhej në Shqipëri dhe se asnjë pëllëmbë tokë
shqiptare nuk duhej t’u jepej shteteve të tjera. Në pikën e dytë
kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë, domethënë bashkimi i të
gjitha trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative.
Pikat e tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetore
që duhej të kishte ky vilajet. Të gjithë nëpunësit do të ishin
shqiptarë. Në administratë e në shkollë do të përdorej gjuha shqipe.
Osmanishtja do të përdorej vetëm në korrespondencën me Portën e Lartë.
Vilajeti i Shqipërisë do të kishte gjithashtu ushtrinë e vet kombëtare.
Shqipëria autonome do të qeverisej nga një regjim demokratik. Të gjithë
banorët, pa marrë parasysh dallimet fetare e shoqërore, do të kishin të
drejta dhe detyra të barabarta. Vendi do të qeverisej nga organe
pushtetore të zgjedhura demokratisht prej tyre. Çdo nahije (lokalitet),
çdo kaza (rreth) dhe çdo sanxhak (prefekturë) do të kishte këshillin e
vet të zgjedhur periodikisht. Organi më i lartë do të ishte Kuvendi i
Madh i Vilajetit i zgjedhur nga këshillat e sanxhakëve, i veshur me
pushtet legjislativ dhe ekzekutiv. Kuvendi i Madh do të zgjidhte
qeverinë e vilajetit (Këshillin e Vilajetit). Qeveria do të përgatiste
ligjet, do të studionte reformat, do të hartonte buxhetin dhe do të
zgjidhte gjykatën e përgjithshme, të cilat do t’ia paraqiste për miratim
Kuvendit të Madh. Vendimet e Këshillit të Vilajetit, thuhej në këtë
program, do të zbatoheshin nga të gjithë banorët e vilajetit. Ato do të
ishin të detyrueshme edhe për qeverinë perandorake osmane. Pasi programi
i ri u shpall botërisht, u ftuan të gjitha degët e Lidhjes së Prizrenit
që ta miratonin dhe të ngarkonin një delegacion të përbërë nga
personalitete shqiptare të njohura për t’ia paraqitur atë Portës së
Lartë. Në shumë krahina të vendit u hap një diskutim i zjarrtë ndërmjet
aktivistëve atdhetarë, që e mbështetën programin e ri dhe qarqeve
sulltaniste, të cilat u ngritën kundër përmbajtjes së tij. Me qëllim që
të tërhiqnin në anën e tyre përkrahësit e krahut të moderuar, në mjaft
krahina udhëheqësit u detyruan të bënin një lëshim, - të hiqnin dorë nga
pjesa e fundit e programit (nga parimet kushtetore që duhej të kishte
Vilajeti i Shqipërisë), rreth të cilave u përqendrua diskutimi më i
rreptë. Në fillim programi u shtrua për diskutim në degën e Lidhjes
Shqiptare për Dibrën, me nismën e së cilës u mbajt në Dibër, më 14
tetor, një kuvend i jashtëzakonshëm, ku morën pjesë krerët e qytetit të
Malësisë dhe të Fushës së Dibrës, që miratuan një rezolutë, të hartuar
mbi parimet e programit të Komitetit të Stambollit. Pasi protestohej
kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit dhe pasi
flitej për rrezikun e asgjësimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, në
rezolutë vihej në dukje se për të larguar këtë rrezik është e
domosdoshme që të gjithë sanxhakët shqiptarë të bashkohen në një vilajet
të vetëm autonom (Vilajeti i Shqipërisë). Vilajeti i Shqipërisë do të
kishte kryeqytetin e vet, organet e tij ekzekutive e legjislative,
nëpunës shqiptarë, arsimim në gjuhën shqipe, buxhetin e tij etj.
Rezoluta që doli nga ky Kuvend do t’i nënshtrohej një diskutimi më të
gjerë në një kuvend të posaçëm, në të cilin do të merrnin pjesë
përfaqësuesit e të gjitha krahinave të sanxhakut. Kuvendi i posaçëm i
Lidhjes u mblodh më 1 nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën e
Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të
kryetarit të saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në Kuvend mori pjesë si
përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për mbarë Toskërinë (vilajetin e
Janinës) Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë në trajtën e një
memorandumi, të hartuar nga dora e Abdyl Frashërit. Rezoluta e Kuvendit
të Dibrës përmbante po ato kërkesa, që shtroheshin në programin e
Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë në rezolutën e mbledhjes
së Dibrës të 14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë pika: formimi i
Vilajetit të Shqipërisë, pajisja e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i
arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh,
përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për përparimin e arsimit dhe
për ndërtime botore. Nga programi i Komitetit të Stambollit nuk u
përfshinë haptas në rezolutë vetëm parimet demokratike të strukturës
shtetërore të Vilajetit të Shqipërisë. Vendin e tyre këtu e kishte zënë e
drejta që do të kishte Kuvendi i Madh për të zbatuar “reforma të
dobishme për shtetin dhe për kombin”. Më në fund në rezolutë thuhej se
këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda një muaji në emër të të gjithë
popullit shqiptar, Portës së Lartë, me anë të një delegacioni të përbërë
nga personalitete të shquara të Shqipërisë. Anëtarët e delegacionit,
para se të vinin në Stamboll, duhej të merrnin pëlqimin, me mandat të
shkruar, nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë. “Shqipëria, -
thuhej në fund të rezolutës, - do të rezistojë duke qenë e lidhur dhe e
bashkuar si një trup i vetëm, derisa të arrihet plotësimi i kërkesave të
lartpërmendura”. Sipas marrëveshjes që u arrit në Dibër, delegacioni që
do ta paraqiste dhe do ta mbronte rezolutën para Portës së Lartë do të
përbëhej nga 14 veta, midis të cilëve ishin Iljaz pashë Dibra, Sheh
Mustafa Tetova, Hasan pashë Prizreni, Mustafa pashë Vlora, Abedin bej
Dino, Mehmet Ali Vrioni, Sabri Gjirokastra, Mihal Kristo, Abdyl Frashëri
etj. Detyrën për të nxjerrë mandatet, me të cilat miratohej nga
përfaqësuesit e kazave e të sanxhakëve shqiptarë rezoluta dhe mandatet e
përbërjes së delegacionit, e morën përsipër Iljaz pashë Dibra për
krahinat veriore dhe Abdyl Frashëri për krahinat jugore. Misionin e vet
të vështirë e të lodhshëm Abdyl Frashëri e kreu brenda një muaji. Pasi
la Dibrën, ai u nis në drejtim të Elbasanit, kaloi në Berat, në Fier e
në Vlorë, pastaj në Gjirokastër, në Delvinë e në Filat dhe, pasi
përshkoi Çamërinë deri në Prevezë, u kthye në Janinë. Që këtej ai e
njoftoi, më 2 dhjetor 1878, Iljaz pashë Dibrën për entuziazmin që kishin
shkaktuar kudo vendimet e Kuvendit të Dibrës dhe për gatishmërinë e
përfaqësuesve të popullit shqiptar për të nënshkruar mandatet e
përfaqësimit. Në veri mandatet e miratimit të rezolutës dhe të
pjesëtarëve të delegacionit Iljaz pashë Dibra i përfundoi aty nga mesi i
janarit 1879. Por delegacioni shqiptar e pezulloi nisjen për në
Stamboll, pasi ndërkohë lindi rreziku i aneksimit të pjesës jugore të
Çamërisë nga Greqia. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare
që të merreshin me mbrojtjen e kufijve jugorë dhe ta linin për më vonë
paraqitjen e rezolutës së Kuvendit të Dibrës në Portën e Lartë.
Mbrojtja e trojeve jugore. Kuvendi i Prevezës (11 janar 1879) dhe misioni diplomatik i Abdyl Frashërit (pranverë 1879)
Gjatë kohës që patriotët shqiptarë po merreshin me çështjen e të
drejtave autonomiste të Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte presion të
vazhdueshëm Portës së Lartë që të zbatonte menjëherë Protokollin nr.13
të Kongresit të Berlinit, domethënë të fillonte bisedimet me palën greke
për të caktuar kufirin e ri midis tyre sipas vijës Kalamas-Selemvria që
kishin rekomanduar Fuqitë e Mëdha. Nën trysninë e protestave shqiptare,
Porta e Lartë e zvarriti për muaj me radhë përgjigjen e saj, me shpresë
se me kalimin e kohës do të krijoheshin rrethana më të favorshme për
të. Por në fund të vitit 1878 ajo u detyrua të pranonte se ishte gati të
fillonte bisedimet me qeverinë greke. Konferenca dypalëshe u vendos të
zhvillohej në Prevezë, në fund të janarit 1879. Sapo u hap lajmi i
mbledhjes së afërt të konferencës, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës ftoi
të gjitha kazatë e Shqipërisë së Jugut dhe të gjithë sanxhakët e
Shqipërisë së Veriut, që të dërgonin sa më parë përfaqësuesit e tyre në
një kuvend të jashtëzakonshëm në Prevezë, për të përcaktuar qëndrimin që
duhej mbajtur ndaj konferencës turko-greke. Në Kuvend u ftuan të
merrnin pjesë posaçërisht përfaqësuesit e komiteteve ndërkrahinore të
Prizrenit dhe të Shkodrës. Kuvendi i Prevezës u hap më 11 janar 1879 me
pjesëmarrjen e rreth 400 delegatëve, të cilët, pasi e shpallën veten si
krerë të mbarë Shqipërisë, morën një sërë vendimesh politike e
ushtarake. Kuvendi nuk e kundërshtoi plotësisht Protokollin nr.13.
Delegatët deklaruan se e pranonin rekomandimin e Fuqive të Mëdha për
bashkimin e Thesalisë me Greqinë (deri te lumi Selemvria), porse ishin
kategorikisht të vendosur për ta kundërshtuar deri në fund lëshimin e
Epirit Mbretërisë Greke (deri te lumi Kalamas). Në rast se Fuqitë e
Mëdha, thuhej në rezolutën e Kuvendit, nuk do t’i marrin parasysh
interesat e Shqipërisë, atëherë shqiptarët do t’i kundërshtojnë me armë
vendimet e tyre. Për këtë qëllim, thuhej më tej, “do të mobilizohen, me
shpenzimet e Lidhjes, të gjithë shqiptarët e aftë për luftë”. Në fundin e
janarit 1879 filluan të vinin në Prevezë edhe delegatë nga viset e
Shqipërisë së Veriut, nga
Shkodra,
Durrësi,
Elbasani,
Ulqini, Prizreni, Dibra,
Novi Pazari
etj. Para se të shpërndahej, Kuvendi i Prevezës formoi tri komisione me
detyra të posaçme. I pari, komisioni politik, që do të qëndronte në
Prevezë për të ndjekur nga afër punimet e konferencës turke-greke; i
dyti, komisioni ushtarak, që do të shpërndahej në Shqipëri për të
organizuar forcat luftarake të Lidhjes; i treti, komisioni diplomatik,
që do të shkonte në Stamboll për t’i bërë trysni Portës së Lartë që të
mos pranonte lëshimin e trojeve shqiptare Greqisë. Në krye të komisionit
të tretë u vu Abdyl Frashëri, meqenëse ky do të merrte pjesë edhe në
delegacionin e Kuvendit të Dibrës. Për këtë arsye ai e shtyu për më vonë
nisjen e tij për t’i paraqitur Portës së Lartë rezolutën e 1 nëntorit
1878. Delegacioni osman arriti në Prevezë javën e fundit të janarit
1879. Atë e kryesonte mareshali Ahmet Muhtar pasha, i cili gëzonte një
konsideratë të veçantë në Perandorinë Osmane për qëndresën që kishte
bërë gjatë luftës së fundit kundër ushtrive ruse. Sulltani shpresonte
se, për hir të kësaj konsiderate, mareshali do t’i zbuste shpirtrat e
revoltuar të shqiptarëve. Për të njëjtin qëllim, në delegacionin prej
tre komisarësh, siç u quajtën anëtarët e tij në atë kohë, ishte vënë
edhe një personalitet i njohur shqiptar, Abedin bej Dino (komisar i
Bursës së Stambollit), anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes
Shqiptare për vilajetin e Janinës, i cili u emërua nga sulltani që të
qetësonte opinionin publik shqiptar. Por as njëri, as tjetri nuk patën
sukses. Sapo delegacionet turke e greke arritën në Prevezë, më 28 janar,
delegatët e Kuvendit së bashku me popullsinë qytetare shpërthyen një
demonstratë në rrugët e Prevezës, duke shprehur përpara selive të
komisioneve turke e greke vendosmërinë e tyre për mbrojtjen e tërësisë
tokësore dhe për të mos pranuar asnjë lëshim të trojeve të tyre në dobi
të Greqisë. Po më 28 janar 1879 përfaqësuesit e krahinave shqiptare, që
ndodheshin në Prevezë, u drejtuan Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të
tyre në këtë qytet, një protestë kategorike, me të cilën paralajmëronin
se do të ndërmerrnin një luftë vendimtare me pasoja të thella për paqen
në Gadishullin Ballkanik, në rast se nuk do të merreshin parasysh të
drejtat territoriale të Shqipërisë dhe do të cenohej tërësia e saj
tokësore. Për shkak të demonstratave kërcënuese të shqiptarëve, të cilat
vijuan për disa ditë me radhë, konferenca turko-greke filloi me vonesë,
më 6 shkurt 1879. Veç kësaj, presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi
delegacionin osman që të mos u nënshtrohej kërkesave greke. Duke u
justifikuar me rrezikun e shpërthimit të kryengritjes kundërosmane në
Shqipëri dhe duke u kapur pas faktit se vija Kalamas-Selemvria, që
kishin shënuar Fuqitë e Mëdha në Protokollin nr.13 nuk kishte formën e
një vendimi, por të një rekomandimi, Ahmet Muhtar pasha u tregua më në
fund i gatshëm t’i lëshojë Greqisë Thesalinë, por jo Epirin. Meqenëse
Athina nuk e pranoi këtë zgjidhje, pas gjashtë javësh konferenca e
Prevezës u mbyll. Menjëherë pas dështimit të bisedimeve dypalëshe
qeveria e Athinës kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të cilat në të
vërtetë ishin të prirura për të vënë në jetë Protokollin nr.13. Ndërkohë
edhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare formuan bindjen se lufta paraprake
kundër vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha për një çështje të
tillë, siç ishte tërësia territoriale e Shqipërisë, nuk mund të
zhvillohej me sukses vetëm me anë të memorandumeve e të protestave.
Kërkohej një ballafaqim me përgjegjësi me politikën e jashtme të Fuqive
të Mëdha për të argumentuar ballë për ballë tezat themelore dhe për të
sqaruar çdo pikë të errët, që mund të ngrinte aparati i tyre diplomatik.
Për këtë qëllim Komiteti Ndërkrahinor vendosi që, krahas peticioneve e
memorandumeve, të niste një mision diplomatik në kryeqytetet kryesore të
Evropës për të mbrojtur çështjet e parashtruara në ato dokumente dhe
për të argumentuar para kancelarive të tyre padrejtësinë që kishin kryer
me Protokollin nr. 13 ndaj interesave jetikë të Shqipërisë. Barra e
këtij misioni diplomatik iu ngarkua Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali
Vrionit. Misioni diplomatik i përfaqësuesve të Lidhjes Shqiptare zgjati
tre muaj. Ata u nisën nga Preveza në fund të muajit mars 1879, shkuan në
Romë, në Paris, në Londër, në Berlin, në Vjenë e në Stamboll?. Kudo ku
shkuan ata u paraqitën si të dërguar të Lidhjes Shqiptare, e cila
përfaqësonte gjithë Shqipërinë. Ata u dorëzuan ministrave të Jashtëm të
Fuqive të Mëdha (dhe për njoftim edhe Portës së Lartë) një memorandum me
të njëjtën përmbajtje që ishte hartuar nga Abdyl Frashëri qysh më parë.
Në këtë memorandum dënoheshin haptas vendimet që kishin marrë Kongresi i
Berlinit në dëm të Shqipërisë, duke shkëputur shumë krahina të saj në
favor të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë. Megjithatë diskutimi
kryesor këtu sillej rreth Protokollit nr. 13. Qeveria greke, theksohej
në këtë memorandum, kishte përdorur prej kohësh të gjitha mjetet për ta
shtënë në dorë Epirin. Ajo kishte harxhuar shuma të mëdha për të nxitur
popullsinë lokale që të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë. Por të
gjitha orvatjet e Athinës kishin dështuar, sepse popullsia e Epirit në
shumicën e saj dërrmuese ishte shqiptare dhe jo greke. Pasi u bind se në
Epir ajo nuk kishte mbështetjen e popullsisë lokale, thuhej më tej,
qeveria greke iu drejtua Kongresit të Berlinit, duke shpresuar se me
përkrahjen e Fuqive të Mëdha do t’i kënaqte lakmitë e saj shoviniste.
Por Kongresi i Berlinit, nënvizohej në memorandum, ndonëse nuk i miratoi
me vendim të prerë kërkesat greke, fakti që rekomandoi t’i lëshohen
Greqisë krahinat në jug të lumit Kalamas tregonte se nuk u shqetësua për
të drejtat e popullit shqiptar. Më tej në memorandum rreshtoheshin
argumentet etnike, historike, ekonomike e strategjike që provonin
karakterin shqiptar të këtyre krahinave dhe domosdoshmërinë për të mos i
shkëputur nga trupi i Shqipërisë. “T’i japësh Greqisë, - theksohej po
aty, - vendet që ajo kërkon në këtë krahinë, do të thotë t’i shmangesh
detyrës që ka çdo popull për të mbrojtur atdheun dhe kombin e tij, sepse
kjo do të ishte njëlloj sikur t’i jepje që tani çelësat e Shqipërisë
një vendi të huaj (Greqisë - shën. i aut.), i cili me përpjekjet e tij
nuk synon tjetër veçse ta pushtojë dhe ta sundojë atë tërësisht”. Në
lidhje me qëndrimin e shqiptarëve ndaj Protokollit nr.13, gjuha e
memorandumit ishte e prerë. Shqiptarët, thuhej aty, si një popull i
frymëzuar nga ndjenja atdhetare, nuk do të lejojnë që vendi i tyre të
pushtohet dhe të sundohet nga të tjerët. Dhe më tej:
“Shqiptarët
kanë ruajtur atdheun e tyre, kombësinë e tyre, gjuhën e tyre dhe zakonet
e tyre duke prapsur sulmet e romakëve, të bizantinëve e të venedikasve.
Si mund të lejohet që në këtë shekull të diturisë e të qytetërimit, një
komb kaq trim e kaq i lidhur me truallin e tij të sakrifikohet duke ia
dhënë një fqinji kaq të pangopur, pa asnjë arsye të ligjshme?”
Memorandumi drejtuar Fuqive të Mëdha shpallte në fund se përballë
lakmive të egra të fqinjëve shqiptarët qenë bashkuar me njëri-tjetrin
dhe qenë betuar solemnisht se do ta mbronin me armë atdheun e tyre deri
te njeriu i fundit dhe se në të njëjtën kohë do të përpiqeshin për të
zbatuar në atdheun e tyre reformat për të cilat kishte nevojë vendi, në
mënyrë të veçantë zhvillimin e arsimit publik. Tezat e parashtruara në
memorandum Abdyl Frashëri i shtjelloi më hollësisht gjatë takimeve që
pati me ministrat e Jashtëm dhe me personalitete politike të vendeve që
vizitoi. Argumentet që ai solli, se shqiptarët do t’i mbronin me armë të
drejtat e tyre kombëtare, në rast se Fuqitë e Mëdha do të merrnin një
vendim të prerë në lidhje me lëshimin e Epirit në favor të Greqisë, lanë
kudo një përshtypje të thellë. Mbrojtësi më i flaktë i pretendimeve
greke, ministri i Jashtëm frëng V. Vadington (Waddington), u detyrua të
pranonte se Franca nuk do të ngulte këmbë për zbatimin me çdo kusht të
Protokollit nr.13 dhe se kufiri i ri turko-grek nuk do të caktohej
përfundimisht pa u dëgjuar edhe teza e shqiptarëve. Një premtim të tillë
Abdyl Frashëri mori edhe nga kryeministri italian Depretis dhe nga
ministri i Jashtëm britanik Solsbëri (Salisbery). Para se të ktheheshin
në Shqipëri, gjatë qëndrimit në Stamboll, Abdyl Frashëri e Mehmet Ali
Vrioni i drejtuan sulltanit, më 23 qershor 1879, një memorandum, në të
cilin i kërkonin që të mos pranonte në asnjë mënyrë zbatimin e
Protokollit 13, pasi copëtimi i Shqipërisë, thuhej aty, do të sillte
asgjësimin e kombit shqiptar dhe kjo, nga ana e vet, do të vinte në
rrezik vetë Perandorinë Osmane. Sikurse shkruanin autorët e këtij
memorandumi, të pesë Fuqitë e Mëdha, përveç Francës, të cilat ata sapo i
kishin vizituar, ishin tashmë të prirura që të mos i jepej Greqisë tokë
nga Epiri. Ata i kërkonin sulltanit që të thyente këmbënguljen e
Francës, duke kënaqur Greqinë me më tepër toka nga ato që i ishin
premtuar në
Thesali.
Trajtimi i mosmarrëveshjeve turko-greke rreth Protokollit nr.13 nga
ambasadorët e Fuqive të Mëdha zgjati gati dy muaj. Por këto fuqi u
treguan të pavendosura për të dhënë një vendim të prerë, ngurruan që ta
caktonin vetë kufirin turko-grek. Me propozimin e Francës, në qershor
1879, ato kërkuan bashkërisht nga Perandoria Osmane dhe nga Mbretëria
Greke që të rifillonin bisedimet dypalëshe rreth kufirit të tyre të ri.
Konferenca e re turko-greke do të zhvillohej në Stamboll dhe do të
ndiqej së afërmi nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar pranë
Portës së Lartë. Fakti që Fuqitë e Mëdha pranuan të vihej në diskutim
Protokolli nr. 13, qe fitorja e parë diplomatike që korri Lidhja
Shqiptare në arenën ndërkombëtare. Por vendimi që ato morën për
rifillimin e bisedimeve turko-greke i nxiti shqiptarët që ta vazhdonin
presionin e tyre si ndaj Portës së Lartë, ashtu dhe ndaj Fuqive të
Mëdha. Në qershor të vitit 1879, Lidhja Shqiptare deklaroi se nuk kishte
hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për të luftuar me armë jo
vetëm kundër Greqisë, por edhe kundër Stambollit, në rast se do të
miratoheshin pretendimet e Athinës në Epirin shqiptar. Për t’ia
paraqitur Portës së Lartë këtë vendim, në muajin gusht shkoi në Stamboll
një delegacion i përbërë nga Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni dhe
Vesel Dino. Një muaj më vonë, në shtator 1879, Këshilli i Përgjithshëm i
Lidhjes Shqiptare, në një mbledhje të jashtëzakonshme që zhvilloi në
Prizren, ripohoi vullnetin e mbarë Shqipërisë për të mbrojtur trojet e
saj përballë lakmive të Greqisë dhe në të njëjtën kohë formoi një
Komitet të Luftës të përbërë nga 37 anëtarë, për të vazhduar përgatitjet
e nevojshme ushtarake në krahinat jugore. Vendosmëria që treguan
shqiptarët për të mbrojtur trojet e tyre dhe rreziku i shpërthimit të
kryengritjes kundërosmane në Shqipëri, e detyruan Portën e Lartë që t’i
zvarriste përsëri nga njëri muaj në tjetrin bisedimet me palën greke,
duke mos pranuar tezën e Athinës, e cila ngulte këmbë për të marrë si
bazë në këto bisedime Protokollin nr.13. Në të njëjtën kohë, edhe Fuqitë
e Mëdha vijuan përherë e më tepër të bindeshin se zbatimi i këtij
Protokolli nuk varej vetëm nga nënshkrimi i Perandorisë Osmane dhe se
aneksimi i Epirit nga Mbretëria Greke nuk mund të arrihej pa luftë me
shqiptarët ose, siç shprehej një diplomat frëng në nëntor 1879, pa një
gjakderdhje të madhe, e cila mund të ishte fatale për Greqinë. Kështu,
pas gati 10 muaj përpjekjesh, edhe Konferenca e Stambollit u shpërnda pa
asnjë rezultat. Në këto rrethana Fuqitë e Mëdha vendosën ta merrnin
vetë në dorë caktimin e kufirit turko-grek. Për këtë qëllim ato thirrën
në qershor të vitit 1880 një forum ndërkombëtar, Konferencën e Berlinit.
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar 1880) Me
revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin diplomatik të pranverës
së vitit 1879, Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto të
drejtën që të fliste në emër të Shqipërisë. Veç kësaj, me qëndresën e
saj energjike, ajo bëri që të zvarriteshin e të mos zbatoheshin
menjëherë dy vendimet e rëndësishme të Kongresit të Berlinit, që cenonin
interesat kombëtarë të Shqipërisë, njëri në favor të Malit të Zi (neni
28 i Traktatit) dhe tjetri në dobi të Greqisë (Protokolli nr. 13 i
Kongresit). Megjithatë Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar ende
përfundimisht programin e saj. As gjashtë Fuqitë e Mëdha nuk ishin të
prirura t’i anulonin vendimet që kishin marrë në Kongresin e Berlinit,
as dy shtetet fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga
viset që u kishin premtuar Fuqitë e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për
mbrojtjen e trojeve shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi,
parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme. Pas vrasjes në
Gjakovë të mareshal Mehmet Ali pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë
Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt
Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit.
Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim. Nga frika se
me kalimin e kohës mund të ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm të
saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta
detyruar Perandorinë Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat e
Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut, të Plavës, të Gucisë e të Rugovës,
të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Veç kësaj, si
kundërpeshë ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit dhe të
Bregut të Bunës, të cilat i mbante të pushtuara qysh nga koha e luftës,
por që sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin Perandorisë
Osmane. Presionin më të fortë ndaj Perandorisë Osmane e ushtroi Rusia
cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të saj
pushtuese nga Traka me dorëzimin e krahinave që i qenë premtuar Malit të
Zi. Fuqitë e tjera të Mëdha u bashkuan me presionin carist, pasi e
shikonin me shqetësim qëndrimin e mëtejshëm të ushtrive ruse në afërsi
të Stambollit. Kështu, në fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi t’i
zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi. Vendimi i
Stambollit ngriti përsëri në këmbë shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen
e re u mblodh menjëherë, në fillim të janarit 1879, Komiteti Kombëtar i
Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj
vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin e Podgoricës, të
Shpuzës e të Zhabjakut, pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera
sllavo-shqiptare, por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e Plavës dhe
të Gucisë, popullsia e të cilave ishte në masën dërrmuese shqiptare.
Vendimin e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet ndërkrahinore
të vilajeteve të Shkodrës dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879
mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme, pothuajse në atë kohë që
zhvilloi punimet e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse
Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës, barrën e drejtimit dhe
të organizimit të luftës për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti
Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi një shtab ushtarak
të posaçëm, me Ali pashë Gucinë në krye. Ndërkaq u mblodh në fshatin
Virpazar, në afërsi të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez, i
cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen dypalëshe për formalitetet e
dorëzimit brenda një jave të krahinave të vilajetit të Shkodrës, që i
takonin njëra-tjetrës sipas Traktatit të Berlinit. Nga frika e
kryengritjes së shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte në
marrëveshje dorëzimin e Plavës e të Gucisë, duke e lënë çështjen e tyre
për t’u zgjidhur më vonë. Sipas marrëveshjes, dorëzimi i Podgoricës, i
Shpuzës dhe i Zhabjakut nga ana e autoriteteve turke u krye pa
vështirësi. Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit dhe i
Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze. Por Mali i Zi nuk deshi
ta linte punën të zgjatej më tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë
Fuqive të Mëdha, duke kërkuar prej tyre që ta detyronin Perandorinë
Osmane t’ia dorëzonte dy krahinat shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit të
Zi. Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fuqive të Mëdha të dërgonin në
Plavë e në Guci një Komision Ndërkombëtar për t’u bindur për
vështirësitë që gjente te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë e
Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato dërguan Komisionin
Ndërkombëtar për caktimin e vijës së kufirit, të përbërë nga përfaqësues
të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni
filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me radhë u mor me
caktimin e pikave të kufirit turko-malazez në vilajetin e Shkodrës. Por
gjatë verës, kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte në Plavë e në
Guci, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën
Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një notë me shkrim, me të cilën
deklaronin se nuk do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me Malin e Zi
pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar të krerëve të Lidhjes
Shqiptare dhe pa u miratuar vendimet e tij nga e “gjithë” Shqipëria. Pas
kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar e ndërpreu punën e vet,
pezulloi udhëtimin e tij për në Plavë e në Guci. Me këtë rast filluan
përsëri protestat e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha për ta
detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte sa më parë çështjen e Plavës e
të Gucisë. Porta e Lartë provoi t’i bindte banorët e dy krahinave
kufitare që të hiqnin dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar
familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën sundimin malazez, se do t’u
jepte tokë në vendbanime të reja dhe se do t’i çlironte nga taksat për
dhjetë vjet. Por shqiptarët nuk u lëkundën nga vendimi i tyre. Atëherë
knjaz Nikolla filloi të kërcënonte se do ta zgjidhte këtë çështje me
anën e luftës së armatosur dhe se në një rast të tillë nuk do të
aneksonte vetëm Plavën e Gucinë, por edhe vise të tjera shqiptare. Në
këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze erdhën duke u keqësuar
vazhdimisht. Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e
ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave
Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat
e saj të armatosura. Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i
Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi
Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti
Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës
e të Gucisë gjendjen e luftës. Të gjithë burrat plavianë e gucianë të
aftë për armë u shpallën luftëtarë që do të qëndronin në gatishmëri në
shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë gjakovarë të armatosur u nisën për
në Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu edhe vullnetarë nga Shkodra e
Malësia. Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i
propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë
t’i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e
Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali
i Zi. Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit,
knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31
tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin
vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e
shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të
Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në
këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por
pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë
këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa
ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të
madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të
tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës.
Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së
Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre
drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për
t’i sistemuar. Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë
rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e
Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci,
Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe
shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej
druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare
dominonte pllaja e Plavës. Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë
malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori
një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të
Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia
(kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi,
Haxhi Zeka,
Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa
oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë
luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u
angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me
njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën
jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me
radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze
dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej
brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy
palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët
pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga
shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e
shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri. Vendosmëria e shqiptarëve
për të qëndruar deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës për të vazhduar
më tej luftën alarmuan si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane.
Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë vendosi ta zgjidhte me
çdo kusht dorëzimin e dy krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo nisi
menjëherë për në Kosovë mareshal Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë
ishte komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me qendër në Manastir.
Mareshali, i shoqëruar nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo
arriti në Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit Kombëtar të
Lidhjes për t’i bindur që t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por
ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një shpallje, me të cilën u
kërkonte shqiptarëve që të merrnin në konsideratë gjendjen kritike të
Portës së Lartë dhe të mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare,
pasi me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin e Perandorisë
Osmane, por as lutjet, as kërcënimet nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor
1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor
të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund
dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, -
thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e
shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga
prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”.
Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori
masa ushtarake për të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë e
në Guci. Për këtë qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të
tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj u nis për
në Gjakovë, ku gjeti një gjendje më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët
e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën drejt kufirit, do të
pësonte fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe
Peja
e kishte bllokuar rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali osman e
ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në
Prizren. Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi
përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e
Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të
Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e
parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë
ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan
përballë Plavës e Gucisë. Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të
Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat mbrojtëse. Me
thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan mijëra vullnetarë nga e gjitha
Shqipëria, nga Plava, Gucia, Peja, Prizreni,
Gjakova,
Shkodra,
Dibra
dhe nga krahinat më të largëta të Shqipërisë së Jugut. Por shtabi
ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin e
operacioneve luftarake, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë
4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë
veta. Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit
forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin
sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë
sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në
një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin
shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi
Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën.
Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të
tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në
verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda
ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të
sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e
tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar
nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës,
shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut
që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë. Sulmin e nisën luftëtarët
e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja
ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat
malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin.
Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga
Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e
Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë
në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre.
Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte
ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më
9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim
nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër. Gjatë betejës
së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas
të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët
lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure
Kurtin. Vrulli patriotik që përshkoi luftën në Velikë e në Pepaj dhe
fitorja që shqiptarët korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar 1880,
la përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar. Disa ditë më vonë,
kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker, i cili e ndoqi së
afërmi zhvillimin e betejës, i raportonte qeverisë së vet: “Vetë
malazezët pohojnë se në luftën e Velikës e të Pepajt shqiptarët luftuan
burrërisht dhe fituan mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes (së
Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri malazeze që ka qenë
kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan të
shtyrë nga ideja kombëtare”. Pas kësaj, opinioni publik evropian filloi
të interesohej për historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat e
tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë kritikuan Kongresin e Berlinit
që nuk i kishte përfillur të drejtat e një kombi aq trim dhe aq
liridashës, siç ishte populli shqiptar. Me fitoren që korrën në Nokshiq,
në Pepaj e në Velikë shqiptarët i dhanë të kuptonte diplomacisë
evropiane se Perandoria Osmane, sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë
shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve të saj dhe se zotër të
këtyre trojeve ishin banorët shqiptarë. Disfata që pësoi në front e
bindi qeverinë malazeze se ajo vetë nuk ishte në gjendje ta thyente
qëndresën e Lidhjes Shqiptare me anën e luftës së armatosur. Për këtë
arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet
luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë
po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga
konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve
qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin
veprimet e mëtejshme luftarake.
Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880) Fitoret e
shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën
ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më
tej bindjen e shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e
tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit
të Portës së Lartë. Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e
ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të kundërshtuar me
armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të
qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare. Pas disfatës që
pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive të
Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë
Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e
Lartë u përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në
Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë luftarake të shqiptarëve dhe
paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha pranuan në parim ta
rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë
rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri
ose në jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri
Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti
(Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës
së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga
popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e këtyre viseve,
duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin e
saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë.
Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me
shqiptarët, protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë
këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu,
më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin
italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në
vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre
viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880. Fakti që Fuqitë
e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj
përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të
Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re
diplomatike që arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i
Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për
Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të
Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së bashku me
ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së
Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës.
Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake
liridashëse, ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me
themelimin e saj. Për këtë arsye, më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e
para rreth propozimit italian, pra një muaj para se të nënshkruhej
Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga banorët e
krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të
vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të
tyre. Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880,
krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një
peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të
rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha
do ta miratonin projektin “Korti”. Kushtrimi që lëshuan banorët e
Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të gjitha krahinave të
vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u
lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për
të mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u
përgatit kështu përsëri për luftë. Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e
Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit të
luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij vilajeti.
Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në
Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e
nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u
zhvillua në Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të
popullsisë së qytetit e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me
çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës. Ai u dërgoi një peticion Fuqive
të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi vendosur që të
derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një
qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut
tonë”. Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç
kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë
Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për
mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu
Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si
Selim Çoba,
Filip Çeka,
Shaban Bushati,
Zef Simoni,
Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në luftëra, si
Dedë Gjo Luli dhe
Ismail Marku nga
Hoti,
Ismail Martini dhe
Bazo Kurti nga
Gruda,
Nikë Gila dhe
Nikë Leka nga
Kelmendi,
Shaban Elezi dhe
Gjon Deda nga
Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë
Bibë Dodës,
i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve
shqiptare, duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar
të Shtabit Ushtarak. Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria
që treguan krahinat e ndryshme të vendit për të dërguar vullnetarë sipas
zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u
zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet
ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan
se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej
nevoja. Por Shtabi Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave
popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara
vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të njëjtën kohë, Komiteti
Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së cilës, pasi
vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e
atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje
të zhvillimit të ngjarjeve. Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti
kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha Protokolli i
Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë
dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat telegrafike
drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan
përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i
madh popullor, një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri
atëherë. Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një
fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve,
deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e
Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të shpëtuar
atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i
saj, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta
merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas
tij 1 500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e
uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta
njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e
kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u
bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e
Veriut. Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në
liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta,
të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo
Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të
Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e
tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci,
edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të
afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë
rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të
kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze. Pak më vonë, ushtritë
malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e
përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së
Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të
cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i
njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por
kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë
pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek
Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.
Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe,
nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të
furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg
të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht.
Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë,
duke lënë disa të vrarë e të plagosur. Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit
ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor i
Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi t’i
mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për
vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me
jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin
ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim
i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë
Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga
opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit
Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz. Pas
luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë
osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën
sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli
1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane.
Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën,
që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar nga Hodo Sokoli, i
cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i
Lidhjes Shqiptare. Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880,
knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i
drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin
që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave
malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë. Përveçse
nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të
mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha. Në
fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën
kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë
të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur
në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi
Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me
afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e
artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga
radhët e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër
ushtrive malazeze për ta detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një
herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e
përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës,
por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të Kosovës, i cili
për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava e
Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi
nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për
t’iu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja
shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake. Sipas tyre,
presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë,
ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin
Protokollin e Stambollit. Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të
Grudës pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë. Interesimi i publikut
evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit më shumë. Pothuajse të
gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato javë
korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u
detyruan të vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën
shqiptare. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli i
Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit diplomatik. Anglia
me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të përbashkët të Fuqive të
Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por Austro-Hungaria me
Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare. Pasi
pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë
e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të
Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të
Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja
dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880
ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve,
në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar
Malit të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme
të mbrojtjes së tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një
pjesë më e rëndësishme dhe jetike.
4. LËVIZJA PËR AUTONOMINË E SHQIPËRISË
Lëvizja kundër administratës osmane gjatë vitit 1879 Me gjithë
përqendrimin e vëmendjes së tyre kundër rrezikut të copëtimit
territorial të atdheut, patriotët nuk hoqën dorë nga programi
autonomist, nuk e lanë pas dore kërkesën për vilajetin autonom të
Shqipërisë, që u formulua në rezolutën e Kuvendit të Dibrës, më 1 nëntor
1878. Si qendra e Lidhjes Shqiptare, ashtu edhe komitetet e saj
ndërkrahinore e ngritën herë pas here me anën e memorandumeve çështjen e
të drejtave autonomiste të vendit. Ndërsa Porta e Lartë, e vendosur për
të mos bërë asnjë lëshim, vijoi ta zvarriste përgjigjen, në shumë
krahina të Shqipërisë mori hov lëvizja popullore kundër administratës
shtetërore osmane. Në të vërtetë, në viset shqiptare, administrata
qeveritare e vilajeteve ishte paralizuar qysh në verën e vitit 1878.
Gjyqet shtetërore nuk funksiononin. Qeveria e Stambollit, që nga vera e
vitit 1879, nuk kishte mundur të nxirrte nga viset shqiptare as taksa
dhe as nizamë. Në shumë raste një pjesë e këtyre taksave ishte vjelë nga
organet e Lidhjes Shqiptare për të përballuar luftën mbrojtëse dhe
sistemimin e muhaxhirëve. Rekrutët shqiptarë, në vend që të vinin nizamë
në ushtrinë perandorake, ishin regjistruar vullnetarë në ushtrinë e
Lidhjes së Prizrenit. Degët e saj kishin filluar të ushtronin në të
njëjtën kohë edhe funksionet gjyqësore. Porta e Lartë nuk mund të
pajtohej gjatë me këtë gjendje. E shqetësuar nga rrjedha që po merrnin
ngjarjet në Shqipëri, ajo u orvat në pranverën e vitit 1879 ta
rivendoste autoritetin e saj në viset shqiptare, duke rimëkëmbur në këto
vise administratën e saj të mëparshme. Por rivendosja e administratës
së vjetër osmane shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve. Ata e
kundërshtuan rreptësisht urdhrin që lëshoi Stambolli për të vjelë taksat
e reja dhe ca më tepër taksat e prapambetura jo vetëm për faktin se
pagesa e tyre ishte një barrë e rëndë për popullsinë e varfëruar nga
lufta, por edhe për arsye politike. Fshatarët e qytetarët e quanin pa
vend t’i paguanin taksa Perandorisë Osmane që nuk ishte në gjendje të
mbronte trojet e tyre, madje, që po tregohej e gatshme t’i shiste, siç
shpreheshin ata, tek armiqtë e vendit. Qëndresa kundër taksave mori
përpjesëtime aq të mëdha, sidomos në vilajetet e Kosovës e të Shkodrës,
sa tagrambledhësit nuk guxonin t’u afroheshin fshatarëve e qytetarëve.
Për ta shpënë urdhrin e saj deri në fund, Porta e Lartë i porositi
valinjtë që, po ta shihnin të nevojshme, të përdornin për vjeljen e
taksave edhe dhunën ushtarake. Por, siç raportonte më 7 qershor 1879
ministri serb në Stamboll, për shkak të kësaj porosie shqiptarët e
Prizrenit e të Prishtinës u revoltuan aq shumë ndaj qeverisë osmane, sa
ishin gati të rrëmbenin edhe armët kundër saj. Si pasojë e kësaj
qëndrese Stambolli u detyrua të hiqte dorë përkohësisht nga përdorimi i
dhunës në vjeljen e taksave. Të njëjtën qëndresë ndeshi te shqiptarët
edhe orvatja tjetër e Portës së Lartë për të rekrutuar nizamë në
Shqipëri. Nizamët shqiptarë nuk iu përgjigjën thirrjes nën armë ose,
edhe kur u paraqitën, u arratisën sapo u pajisën me armë, duke deklaruar
se do ta kryenin shërbimin ushtarak nën urdhrat e Lidhjes së Prizrenit.
Lëvizja përfshiu edhe nizamët shqiptarë të rekrutuar gjatë viteve të
kaluara, të cilët ndodheshin ende në radhët e ushtrisë osmane. Në mjaft
raste, ata që kryenin shërbimin ushtarak jashtë Shqipërisë i braktisën
repartet e tyre, sapo u formua Lidhja e Prizrenit. Përpjesëtimi që mori
arratisja e detyroi Portën e Lartë që t’i mbante ata në reparte të
dislokuara në trojet shqiptare. Hov të madh mori sidomos lëvizja kundër
gjykatave shtetërore osmane, që urreheshin nga masat popullore për shkak
të procedurës së ndërlikuar, të ligjeve të papërshtatshme, të gjuhës së
pakuptueshme dhe të korrupsionit të thellë që sundonte në to. Në mars
të vitit 1879, në Prishtinë, në qendrën e vilajetit të Kosovës, filloi
agjitacioni ndërmjet qytetarëve për të kërkuar krijimin e gjykatave
popullore, të pavarura nga pushteti qendror, të cilat duhet t’u
përshtateshin kushteve dhe zakoneve të vendit, pra të ishin shqiptare
nga ligjet, nga gjuha dhe nga gjyqtarët. Në prill agjitacioni u shtri
edhe në fshat. Në këtë kohë kërkesa për krijimin e gjykatave popullore
shqiptare mori formën e një lëvizjeje për vetëqeverisjen e vendit, në
krye të së cilës ishte vënë Zija Prishtina, anëtar i Komitetit të
Stambollit. Në maj të vitit 1879 Zija Prishtina i paraqiti Portës së
Lartë peticionin e popullsisë së sanxhakut të Prishtinës, në të cilën
kërkohej të mos bënte asnjë lëshim të trojeve shqiptare, të lejonte
formimin e gjyqeve të pavarura shqiptare dhe të largonte ushtrinë nga
Kosova. Më 12 maj 1879 sulltani lejoi që në sanxhakun e Prishtinës të
formoheshin gjykatat shqiptare, të cilat të vepronin krahas gjykatave
shtetërore, duke ua lënë në dorë shtetasve që t’i drejtoheshin, sipas
dëshirës, njërës prej tyre. Por disa ditë më vonë, me zgjerimin që mori
lëvizja në viset e tjera, ai u detyrua ta shtrinte këtë të drejtë në
gjithë vilajetin e Kosovës. Lëvizja për gjykatat shqiptare, ashtu si
edhe lëvizjet kundër taksave shtetërore e rekrutimit të nizamëve,
ndonëse u zhvilluan nën hijen e Lidhjes së Prizrenit, në fillim patën
karakter spontan e lokal. Por hovi i madh që ato morën, tërhoqi
menjëherë vëmendjen e organeve udhëheqëse të Lidhjes së Prizrenit, të
cilat morën në dorë drejtimin e tyre. Lëvizja kundër pagesës së taksave
dhe rekrutimit të nizamëve u përhap kështu në pjesën më të madhe të
vendit. Kërkesa për gjykatat shqiptare u shtri në vilajetin e Shkodrës,
kurse në atë të Kosovës u thellua më tej. Qysh në maj, nën drejtimin e
degëve të Lidhjes, u parashtrua në Gjakovë e në Pejë kërkesa që me
krijimin e gjykatave shqiptare të suprimoheshin gjykatat osmane. Madje,
më 19 maj 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes vendosi ta shtrinte kërkesën
e vetëqeverisjes jo vetëm në institucionet gjyqësore, por në mbarë
administratën shtetërore të vilajetit. Meqenëse Porta e Lartë nuk pranoi
t’i suprimonte gjykatat shtetërore, Lidhja e Prizrenit shpalli
bojkotimin e tyre. Popullsia u ftua t’u drejtohej vetëm gjykatave
shqiptare, madje u shpallën ndëshkime kundër atyre që do të trokisnin në
gjykatat shtetërore. Porta e Lartë u përpoq ta shuante lëvizjen
popullore pa hyrë në konflikt të armatosur me shqiptarët. Për këtë
qëllim ajo dërgoi në Shqipëri emisarë dhe agjitatorë të posaçëm, të
cilët i përsëritën premtimet e zakonshme për reforma administrative. Në
të njëjtën kohë, me qëllim që të shkaktonin përçarje ndërmjet
udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare, ata e shtuan trysninë ndaj qarqeve të
moderuara. Megjithatë, në mbledhjen që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes
mbajti më 24 korrik 1879, vendosi me shumicë votash që t’i kujtonte
Portës së Lartë se shqiptarët do të detyroheshin ta përmbysnin vetë
pushtetin lokal në rast se Stambolli nuk do të plotësonte kërkesat e
Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, atdhetarët radikalë, duke mos pasur
besim në gatishmërinë e Stambollit për reforma, kërkuan ta thellonin më
tej lëvizjen popullore kundër administratës osmane për ta detyruar
sulltanin që ta merrte parasysh rezolutën e Kuvendit të Dibrës. Porta e
Lartë, pasi e zvarriti për një kohë të gjatë përgjigjen për rezolutën e
Kuvendit të Dibrës, deklaroi, në verën e vitit 1879, se kërkesat e
shqiptarëve do të zgjidheshin në kuadrin e “ligjeve organike” (reformave
administrative) që ajo detyrohej të zbatonte në territoret e saj
evropiane sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Me këtë deklaratë ajo
linte të kuptonte se nuk kishte ndërmend ta ndryshonte ndarjen
administrative të vilajeteve që ishte në fuqi. Në këto rrethana qarqet
atdhetare shqiptare e ngritën menjëherë zërin, duke theksuar se zbatimi i
nenit 23 të Traktatit të Berlinit, pa bashkuar më parë trojet e tyre në
një vilajet të vetëm, ishte një shkelje e hapur e të drejtave kombëtare
të Shqipërisë. Me një parashtresë drejtuar kryeministrit osman, më 27
gusht 1879, Abdyl Frashëri kërkonte që në kushtet aktuale të mos
zbatohej në Shqipëri neni 23 i Traktatit të Berlinit, domethënë të mos
formoheshin komisione të posaçme për të hartuar reforma të ndryshme për
çdo vilajet. Që Shqipëria të shpëtonte nga rreziku i asgjësimit, që ajo
të bëhej e aftë për veten e saj dhe për Perandorinë Osmane duhej,
theksonte Abdyl Frashëri, që reformat e nevojshme të hartoheshin nga një
komision i vetëm për të gjitha trojet shqiptare, gjë që kërkonte
paraprakisht bashkimin e të gjitha këtyre trojeve (të ndara në 11
sanxhakë) në një vilajet të vetëm. Veç kësaj, shtonte ai, ishte e
domosdoshme që ky komision i posaçëm t’i studionte reformat e dobishme
për Shqipërinë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit. Në këto rrethana, kur u acaruan edhe marrëdhëniet
shqiptaro-malazeze dhe forcat e Malit të Zi u vunë në gatishmëri
luftarake në kufijtë e Shqipërisë, u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879,
Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në të cilin u trajtuan dy
çështje themelore që shqetësonin vendin: qëndrimi që duhej mbajtur ndaj
provokacioneve ushtarake të Cetinës e përgatitjeve të saj për luftë dhe
zhvillimi i lëvizjes për autonominë e Shqipërisë. Për çështjen e parë
nuk pati diskutime të shumta. Të gjithë qenë të një mendimi për t’iu
përgjigjur ushtrive malazeze me armë, nëse ato do të orvateshin të
merrnin me dhunë Plavën e Gucinë. Diskutime të shumta u bënë brenda e
jashtë Kuvendit për çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë.
Delegatët e Kuvendit dhe veprimtarët e lëvizjes kombëtare jashtë tij
ishin të mendimit që këtë herë Lidhja Shqiptare të kërkonte jo si një
vit më parë me rezolutën e Dibrës (të 1 nëntorit 1878) një “Vilajet
Shqiptar”, por një “Principatë Shqiptare” ose një “Republikë Shqiptare”,
me kryeqytet Manastirin, nën suzerenitetin e sulltanit, duke i paguar
atij një tribut vjetor. Një kërkesë e tillë, që do të çonte në
shkëputjen gati të plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, u
parashtrua nga përfaqësuesit e krahut radikal të Lidhjes, ndërsa pjesa
tjetër e delegatëve të Kuvendit dhe e udhëheqësve të saj mendonte se,
për shkak të konfliktit me Malin e Zi, që po trokiste në derë, nuk ishte
e volitshme që në ato ditë të hyhej në luftë kundër Portës së Lartë. Në
këto rrethana, delegatët radikalë u tërhoqën nga kërkesa e një
“Principate Shqiptare” ose të një “Republike Shqiptare” dhe vendosën të
kërkojnë nga Stambolli “Vilajetin e Shqipërisë”, pa bërë asnjë hap të
mëtejshëm prapa. Por qeveria turke e kundërshtonte edhe këtë kërkesë
dhe, duke qenë në dijeni të punimeve të Kuvendit, kaloi në përdorimin e
forcës ndaj tij. Më 13 tetor 1879 organet qeveritare të Prizrenit vunë
në përdorim garnizonin ushtarak dhe e shpërndanë mbledhjen e Këshillit
të Përgjithshëm, pa i lënë kohë atij të përfundonte punimet e tij dhe të
miratonte rezolutën përkatëse. Në një nga seancat e para Kuvendi i
Përgjithshëm arriti të zgjidhte sërishmi Këshillin e Përgjithshëm të
Lidhjes Shqiptare. Kryetar i Lidhjes Shqiptare u zgjodh në vend të Sheh
Mustafa Tetovës (që kishte zëvendësuar Iljaz pashë Dibrën) Haxhi Ymer
efendiu (Prizreni), myderriz (profesor i së drejtës islame), përkrahës i
krahut radikal të lëvizjes kombëtare. Në fillim të nëntorit 1879, kur
filluan sulmet e ushtrive malazeze në sektorin e Plavës e të Gucisë, të
cilat u pasuan nga mësymja që ato zhvilluan në fillim të dhjetorit 1879
dhe në javën e parë të janarit 1880, lëvizja popullore kundër
administratës shtetërore osmane ra përkohësisht.
Lëvizja autonomiste gjatë pranverës 1880 Mbrojtja me sukses e
Plavës dhe e Gucisë nga sulmet e ushtrive malazeze u dha zemër rretheve
atdhetare që ta drejtonin vëmendjen përsëri në marrëdhëniet e tyre me
administratën osmane. Rastin për ta tërhequr lëvizjen spontane popullore
nën flamurin e kërkesave autonomiste e dha përsëri Porta e Lartë.
Menjëherë pas fitores që korrën shqiptarët në Velikë e në Pepaj, qeveria
osmane shpalli reformat administrative (ligjet organike) që do të
zbatoheshin në zotërimet e saj të Gadishullit Ballkanik. Reformat u
shpallën pa krijuar asnjë komision lokal, për të cilin flitej në nenin
23 të Traktatit të Berlinit, dhe pa e përfillur fare kërkesën e Lidhjes
së Prizrenit për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Sipas këtyre
reformave, në viset shqiptare, të copëtuara ndërmjet katër vilajeteve,
do të forcohej më shumë se më parë zgjedha politike, ekonomike,
shoqërore e kulturore e pushtetit qendror osman. Shqiptarët nuk fitonin
asnjë të drejtë kombëtare; nuk kishin të drejtë as për arsim në gjuhën
amtare, madje as të drejtën të quheshin “shqiptarë”, sepse Porta e Lartë
nuk e njihte kombësinë shqiptare. Karakteri burokratik i administratës
së vilajeteve forcohej, po ashtu edhe vartësia e saj prej Portës së
Lartë. Në reformën gjyqësore nuk kishte vend për gjykata shqiptare.
Gjykatat e reja perandorake, edhe pse formalisht ndaheshin nga pushteti
administrativ, mbeteshin organe të pushtetit qendror osman. Sistemi
fiskal dhe shërbimi ushtarak nuk prekeshin. Nga të ardhurat buxhetore
vetëm një e dhjeta u lihej këshillave administrativë lokalë për t’u
shpenzuar në vend dhe vetëm në rast se të ardhurat realizoheshin
plotësisht. Në të njëjtën kohë me shpalljen e reformave administrative,
Porta e Lartë e shtroi me forcë kërkesën e saj të mëparshme për të
mbledhur taksat e nizamët e prapambetur; madje tani taksat e nizamët ajo
i kërkonte për llogari të tre vjetëve. Në këto rrethana, qëndresa
popullore shqiptare kundër administratës perandorake osmane hyri në një
fazë të re. Në mjaft raste ajo u shpreh me sulme të armatosura kundër
saj. Gjatë pranverës së vitit 1880 këto sulme u drejtuan jo vetëm kundër
vjeljes me dhunë të taksave, por edhe për pastrimin e vendit nga
administrata shtetërore e vilajeteve. Në vilajetin e Kosovës përpjekjet e
para të armatosura ndërmjet fshatarëve shqiptarë dhe ushtarëve turq, që
shoqëronin tagrambledhësit qeveritarë, u shfaqën qysh në muajin shkurt
1880. Në mars qëndresa e armatosur u shtri në krejt rrethet e Prizrenit e
të Prishtinës. Në fillim të prillit u grumbulluan në Shtimje gati 3
mijë fshatarë për të sulmuar Prizrenin dhe për ta zëvendësuar
administratën osmane me organe shtetërore shqiptare. Garnizoni turk i
Prizrenit u doli përpara dhe në fshatin Krushe sulmoi një pjesë të tyre,
por nuk i shpërndau dot. Për raprezalje autoritetet turke burgosën 6
udhëheqës të Lidhjes Shqiptare. Atëherë kryengritësit sulmuan Prizrenin,
hynë brenda në qytet dhe pasi çliruan të burgosurit, ia dorëzuan
pushtetin Komitetit të Lidhjes Shqiptare. Përballë këtij aksioni të
armatosur garnizoni turk u detyrua të qëndronte i mbyllur në kala. Sulme
të tilla ndodhën edhe në sanxhakët fqinjë të Prishtinës e të Pejës, ku
pushteti lokal kaloi gjithashtu në duart e degëve të Lidhjes Shqiptare.
Lëvizja autonomiste u shtri, ndonëse në përpjesëtime më të vogla, në
mjaft vise të vilajetit të Manastirit e të Janinës. Përkundrazi, në
vilajetin e Shkodrës ajo u shpreh në një formë të tillë që la përshtypje
të thellë si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Më 9 prill
1880, kur popullsinë e vilajetit e kishte pushtuar vala e përgatitjeve
ushtarake për të mbrojtur Hotin e Grudën, u mblodh një Kuvend i
jashtëzakonshëm i Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Pas dy ditë
punimesh Kuvendi miratoi një rezolutë, me të cilën kërkohej nga sulltani
që ky t’i largonte ushtritë turke nga Shqipëria dhe t’u njihte
autonominë administrative mbarë viseve shqiptare të bashkuara në një
vilajet të vetëm. Ky vendim u përsërit me ceremoni të veçantë në
mitingun popullor, që u zhvillua në Shkodër më 19 prill 1880, me rastin e
nisjes së vullnetarëve të parë për në Tuz. Në fillim të majit Komiteti
Ndërkrahinor i Lidhjes e ktheu gazetën qeveritare turqisht të vilajetit,
me emrin “Shkodra”, në një gazetë shqip dhe në një organ të tij. Në
numrin e saj të parë shqip, që doli më 7 maj 1880, u botua një
deklaratë, në të cilën thuhej se tani e tutje duhej të merrte fund
sundimi osman në Shqipëri. Megjithatë ky sundim nuk mori fund dhe Lidhja
e Prizrenit nuk e kishte ende në duart e saj pushtetin politik të
vendit. Me fitoret që ajo arriti në saje të lëvizjes popullore në
pranverën e vitit 1880, në Shqipëri u krijua një diarki (dypushtet) e
ndarë ndërmjet Portës së Lartë dhe Lidhjes Shqiptare. Edhe Porta e Lartë
kishte formuar tanimë bindjen se kërkesa e autonomisë së Shqipërisë
kishte lëshuar rrënjë në ndërgjegjen e popullsisë shqiptare dhe kishte
përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nën trysninë e kësaj aspirate të
shqiptarëve dhe për t’u dhënë fund kërkesave të vazhdueshme të Lidhjes
së Prizrenit për krijimin e një “vilajeti të bashkuar të Shqipërisë”,
qeveria turke, pas diskutimeve të shumta që u zhvilluan në prill-maj
1880, më 5 qershor miratoi vendimin për formimin e “Vilajetit të
Rumelisë”, në të cilin, siç thuhej në këtë vendim, “do të bashkoheshin
vilajetet që janë në Shqipëri, domethënë ai i Shkodrës, i Kosovës, i
Manastirit dhe i Janinës”. Edhe pse ky do të quhej “Vilajeti i
Rumelisë”, nuk do të mbante emrin “Vilajeti i bashkuar i Shqipërisë” dhe
do të kishte në krye një guvernator turk, Ejup Pashën, krijimi i tij do
të shënonte një hap të rëndësishëm në bashkimin e tokave shqiptare në
një vilajet të vetëm, prandaj u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, sidomos
nga Rusia, nën presionin e të cilave edhe sulltani hoqi dorë nga ky
vendim. Ndërkaq, atdhetarët më të vendosur shqiptarë arritën në
përfundimin se tani ishin krijuar kushtet për të përmbushur kërkesën e
autonomisë së Shqipërisë, hap i parë drejt së cilës do të ishte pajisja e
Lidhjes Shqiptare me atributet e një qeverie të përkohshme. Kjo çështje
u shtrua në mbledhjen që u mbajt në Frashër, në fillim të muajit
qershor 1880. Këtu morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të Shqipërisë
Juglindore, të cilat administrativisht vareshin nga vilajetet e Janinës e
të Manastirit (afërsisht rrethet e sotme të Përmetit, të Skraparit, të
Korçës e të Kolonjës). Midis çështjeve të tjera që kishin të bënin me
mbrojtjen e trojeve shqiptare, mbledhja miratoi edhe propozimin për të
formuar një qeveri të përkohshme për krejt Shqipërinë, e cila të merrte
në dorë administrimin e të gjithë vendit. Qeveria do të formohej nga një
kuvend i përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit, ku duhej të merrnin pjesë
përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare. Barra kryesore e
plotësimit të kësaj detyre historike iu ngarkua Abdyl Frashërit. Fill
pas mbylljes së punimeve të mbledhjes së Frashërit, Abdyli së bashku me
aktivistët e tjerë atdhetarë u shpërndanë në viset e Shqipërisë Jugore
për të popullarizuar idenë e qeverisë së përkohshme shqiptare. Përpara
se të thirrej kuvendi i përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, u mendua që
çështja të shqyrtohej nga Kuvendi Ndërkrahinor i vilajetit të Janinës.
Kuvendi Ndërkrahinor u vendos të mblidhej në Gjirokastër pasi të
shiheshin përfundimet e Konferencës së Berlinit, e cila do të fillonte
punimet e veta së afërmi, më 16 qershor 1880.
Konferenca e Berlinit dhe çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare
(qershor-gusht 1880) Zyrtarisht Konferenca e Berlinit, në të cilën morën
pjesë ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha, nën kryesinë e ministrit
të Jashtëm të Gjermanisë, princit Bylov (Bülov), u mblodh për t’u dhënë
fund çështjeve të Traktatit të Berlinit, që kishin mbetur pas dy vjetësh
ende të pazgjidhura. Në të vërtetë, dy qenë çështjet e rëndësishme të
pazgjidhura dhe që të dyja ishin pasojë e qëndresës shqiptare: kufiri
turko-grek dhe kufiri turko-malazez. Megjithatë, edhe pse shqiptarët e
kishin mbajtur në tension dy vjet me radhë diplomacinë ndërkombëtare,
Fuqitë e Mëdha vijuan të mos i përfillnin aspiratat e tyre kombëtare.
Shqiptarët nuk u lejuan as në Konferencën e Berlinit që të parashtronin
dhe të mbronin interesat e tyre jetikë. I vetmi mjet për ta çuar zërin e
tyre në Konferencën e Berlinit qenë protestat dhe memorandumet. Për
këtë qëllim, në të katër anët e vendit u organizuan përsëri nën
drejtimin e organeve të Lidhjes së Prizrenit mbledhje të gjera
popullore, në të cilat u shpreh edhe njëherë vendosmëria për të mos
lejuar asnjë copëtim të trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje.
Nga të katër anët e vendit u hartuan, me një përmbajtje të tillë, një
varg protestash, të cilat iu drejtuan telegrafisht Konferencës së
Berlinit. Rëndësi të veçantë patën tri peticionet dërguar veç e veç në
qershor nga Komitetet Ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e
Janinës, për atë të Kosovës (i Prizrenit) dhe për vilajetin e Shkodrës.
Nënshkruesit e këtyre akteve kërkonin respektimin e të drejtave
kombëtare të shqiptarëve në fushën e tërësisë territoriale, vinin në
dukje padrejtësinë e pretendimeve territoriale greke dhe pasojat që do
të kishin shqiptarët nëse ato do të pranoheshin. Në peticione, me një
ton diplomatik, shprehej besimi se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin në
konsideratë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por theksohej
njëkohësisht, se ata ishin të vendosur të kundërshtonin me armë
copëtimin e trojeve të tyre amtare. Por krahas këtyre protestave të
rrepta, qarqet atdhetare rilindëse u përpoqën t’u tërhiqnin vëmendjen
Fuqive të Mëdha edhe ndaj problemit të të drejtave autonomiste të
Shqipërisë. Këtë radhë Porta e Lartë u ndodh më ngushtë se herët e
tjera. Meqenëse Fuqitë e Mëdha nuk i përfillnin shqiptarët, gjithë
përgjegjësinë e çështjeve të pazgjidhura të Traktatit të Berlinit ia
ngarkonin Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, presioni i tyre për t’u dhënë
fund këtyre çështjeve në favor të Greqisë e të Malit të Zi qe më i
fortë se kurrë. Por tani që në Shqipëri lëvizja autonomiste kishte marrë
hov të madh dhe autoriteti i Stambollit ishte dobësuar shumë, Porta e
Lartë më shumë se kurdoherë e pati të vështirë t’u impononte shqiptarëve
vullnetin e Fuqive të Mëdha. Ajo ishte e ndërgjegjshme se çdo ndërhyrje
e saj ushtarake për t’i detyruar shqiptarët të pranonin copëtimin e
trojeve të tyre do ta ndizte më keq flakën e luftës kundërosmane në
Shqipëri. Për këtë arsye, me gjithë presionin e Fuqive të Mëdha, ajo
vendosi të kundërshtonte në këtë Konferencë çdo zgjidhje territoriale në
dëm të shqiptarëve. Madje, për t’i qetësuar në këtë drejtim, sulltani
emëroi, në pragun e Konferencës së Berlinit, ministër të Jashtëm të
Perandorisë Osmane Abedin pashë Dinon, ish-anëtarin e Kryesisë së
Lidhjes së Prizrenit. Konferenca e Berlinit i filloi punimet më 16
qershor 1880. Pothuajse të gjitha çështjet që trajtoi kishin të bënin me
Shqipërinë. Midis tyre, ajo që pati më shumë debate ishte çështja e
kufirit turko-grek. Prirja që tregonin Fuqitë e Mëdha për ta zmadhuar
Greqinë, me qëllim që ta kishin si një ledh kundër ndikimit rus në
Ballkan, e nxiti Athinën të kërkonte në Epir më shumë troje shqiptare se
ato që rekomandoheshin në Protokollin nr. 13 të Kongresit të Berlinit,
jo deri në lumin Kalamas, por deri në jug të Sarandës, duke përfshirë
edhe qytetin antik të Butrintit. Por Fuqitë e Mëdha kërkuan ta kënaqnin
Greqinë në sektorë të tjerë, pasi, sipas tyre, prania e shumë
shqiptarëve në Mbretërinë Greke do ta dobësonte fuqinë e saj. Perandoria
Osmane kundërshtoi si njërën, si tjetrën zgjidhje. Përfaqësuesi i saj
la të kuptojë edhe njëherë se Porta e Lartë ishte e prirur për të bërë
lëshime vetëm në Thesalinë greke, por jo në Epirin shqiptar.
Përfundimisht, Konferenca e Berlinit nuk bëri në këtë çështje asnjë hap
përpara. Ajo miratoi propozimin e Francës për ta kthyer nga “rekomandim”
në “vendim” vijën kufitare Kalamas-Selemvria, për të cilin flitej në
Protokollin nr. 13. Megjithatë vendimi ishte përsëri i cunguar, pasi nuk
parashikonte asnjë mjet për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta çonte
deri në fund zbatimin e tij. Konferenca e Berlinit nuk e trajtoi
drejtpërdrejt çështjen e kufirit turko-malazez, pasi kjo, sipas
pikëpamjes së Fuqive të Mëdha, kishte gjetur zgjidhje dy javë më parë.
Por gjatë ditëve që konferenca vazhdonte punimet e saj, ambasadorët e
tyre në Stamboll ia propozuan variantin e ri Portës së Lartë, duke ia
lënë asaj në dorë që të zgjidhte për t’i dorëzuar Malit të Zi ose
krahinën e Hotit e të Grudës, ose qytetin e Ulqinit me rrethinat e tij.
Edhe pse Konferenca e Berlinit nuk i përfilli interesat kombëtarë të
Shqipërisë, lufta e masave shqiptare nën udhëheqjen e Lidhjes së
Prizrenit për të mbrojtur tërësinë territoriale dhe për të fituar të
drejtat e saj autonomiste, tashmë kishte filluar të bënte jehonë edhe në
disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Kush më shumë e kush më pak,
ato filluan të bindeshin se lëvizja shqiptare nuk ishte, siç kishin
pohuar deri atëherë, një makinacion i Stambollit, se ajo ishte shprehje e
protestës së një populli që kishte aspiratat e veta kombëtare dhe se
faktori shqiptar nuk duhej lënë pas dore në qoftë se dëshironin që
vendimet e tyre të mëtejshme të viheshin me të vërtetë në jetë.
Megjithatë, qëndrimi që mbajtën ndaj faktorit shqiptar nuk qe i njëjtë.
Në secilën prej tyre ndikuan interesat e veçantë politikë dhe ekonomikë
që ato kishin në Evropën Juglindore. Qëndrimi më i papajtueshëm për
çështjen shqiptare u duk midis Rusisë cariste dhe Britanisë së Madhe.
Rusia vijonte të mos e pranonte idenë e një shteti autonom shqiptar, për
ta lënë gjithnjë të hapur rrugën e përmbushjes së aspiratave pushtuese
që ushqenin shtetet sllave të Ballkanit. Anglia udhëhiqej nga parime të
kundërta. Ajo donte, si edhe më parë, forcimin e Perandorisë Osmane, të
cilën, përveçse e kishte kthyer në një gjysmëkoloni të saj, vijonte ta
shihte si një ledh të rëndësishëm për të penguar ekspansionin rus në
Evropën Juglindore. Për këtë arsye, qeveria britanike ishte e prirur që
t’u jepeshin shqiptarëve disa të drejta autonomiste, me qëllim që ta
çlironte Perandorinë Osmane nga telashet që i vinin prej tyre, të cilat
çonin në dobësimin e saj. Një qëndrim të ndërmjetëm mbajti
Austro-Hungaria, e pasuar nga Gjermania. Edhe Vjena udhëhiqej nga synimi
për të penguar ekspansionin rus në Ballkan, por tani kishte filluar të
shqetësohej edhe nga pavarësia që po fitonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare
dhe në mënyrë të veçantë nga fryma antiaustriake, që kishte shkaktuar
në Shqipëri vendosja e garnizoneve të saj ushtarake në hyrje të Kosovës,
deri në afërsi të Mitrovicës. Për këtë qëllim, Vjena nuk ishte për
shtrirjen e të drejtave kombëtare në mbarë viset shqiptare, por vetëm në
Shqipërinë Veriore me popullsi të dendur katolike, të cilën ajo
shpresonte ta mbante nën kontrollin e saj nëpërmjet kultusprotektoratit.
Gjatë ditëve të Konferencës së Berlinit ngadhënjeu pikëpamja e Vjenës.
Më 26 qershor 1880 ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, së bashku
me variantin e zëvendësimit të krahinës së Hotit e të Grudës me qytetin e
me rrethinat e Ulqinit, e këshilluan Portën e Lartë që të shqyrtonte
mundësinë për t’i dhënë të drejtën e vetëqeverisjes administrative vetëm
vilajetit të Shkodrës. Por disa diplomatë të huaj, të cilët e ndiqnin
nga afër gjendjen e Shqipërisë, dyshonin se me këtë zgjidhje Perandoria
Osmane përsëri nuk do të kishte qetësi të brendshme. Sikurse i
raportonte qeverisë së vet në korrik të vitit 1880 ambasadori anglez në
Stamboll, Goshen, dhënia e autonomisë administrative vetëm për vilajetin
e Shkodrës, nuk i shërbente Perandorisë Osmane, as politikës britanike
në Ballkan. “Kombësia shqiptare, - shkruante ai, - është një element që
nuk duhet lënë pa përfillur në çdo kombinim politik në të ardhmen. Edhe
në qoftë se është e parakohshme, unë do të rekomandoja që formimi i një
province shqiptare të bashkuar, të mbahej të paktën gjithnjë parasysh”.
Sipas diplomatit britanik, ishte në interes të Anglisë që Shqipëria të
bëhej e fortë dhe ajo mund të bëhej e tillë vetëm nëse bashkoheshin të
gjitha viset shqiptare në një provincë të vetme autonome. “Ky popull, -
nënvizonte Gosheni, - që në pjesën më të madhe është mysliman, do të
bëhet burim vështirësish nga më të mëdhatë për vendet sllave e greke” të
Gadishullit Ballkanik. Qeveria britanike e Gladstonit e përvetësoi
tezën e ambasadorit të vet, por Fuqitë e tjera të Mëdha qëndruan në
pikëpamjen e Vjenës, e cila vijoi të ngulte këmbë për t’i dhënë
autonominë administrative vetëm vilajetit të Shkodrës, madje as krejt
territoreve të tij, por kryesisht malësive katolike që bënin pjesë në
këtë vilajet. Megjithatë, çështja shqiptare tashmë kishte fituar të
drejtën e qytetarisë në arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të injorohej
si më parë nga Fuqitë e Mëdha. Kjo u duk qartë në mbledhjet që zhvilloi
gjatë verës së vitit 1880 Komisioni Evropian për Rumelinë Lindore, i
krijuar nga Fuqitë e Mëdha për të shqyrtuar, në mbështetje të nenit 23
të Traktatit të Berlinit, projektin e reformave administrative që kishte
përgatitur Porta e Lartë për të zbatuar në vilajetet e saj të
Gadishullit Ballkanik. Me këtë rast përfaqësuesi britanik Ficmoris
(Fitzmaurice) i paraqiti komisionit një projekt, me anën e të cilit
kërkonte jo bashkimin e menjëhershëm të trojeve shqiptare në një vilajet
të vetëm, por organizimin e tyre në katër sanxhakë me qendër në
Shkodër, në Prizren, në Elbasan dhe në Janinë, si hap të parë për
bashkimin e tyre në të ardhmen në një shtet të vetëm shqiptar. Por
projekti britanik ndeshi përsëri në kundërshtimin e fuqive të tjera.
Madje Komisioni Evropian, me përjashtim të përfaqësuesit rus, miratoi më
23 gusht 1880 projektin e hartuar bashkërisht nga përfaqësuesit e
Francës dhe të Austro-Hungarisë, i cili shënonte një hap prapa në
krahasim me idenë e formuluar dy muaj më parë, pasi tani i sugjerohej
Portës së Lartë të jepte autonominë administrative jo për krejt
vilajetin e Shkodrës, por vetëm për malësitë patriarkale të Veriut.
Megjithatë, me këmbënguljen e përfaqësuesit britanik, në deklaratën e
Komisionit Evropian për Rumelinë Lindore u vu si shtesë shënimi se
Fuqitë e Mëdha “nuk do të kishin asnjë kundërshtim”, në rast se Porta e
Lartë do ta shihte me vend që t’i bashkonte krahinat shqiptare në një
vilajet të vetëm. Por Porta e Lartë nuk pranoi asnjë nga këto sugjerime.
Kuvendi i Gjirokastrës (23 korrik 1880) Sukseset që u arritën gjatë
pranverës kundër administratës osmane të vilajeteve, paaftësia e Portës
së Lartë për ta ndaluar vrullin e luftës së masave shqiptare dhe jehona
që patën këto suksese në arenën ndërkombëtare i dhanë një shtytje të
mëtejshme lëvizjes autonomiste në Shqipëri. Por vendimi që morën Fuqitë e
Mëdha brenda e jashtë Konferencës së Berlinit, për ta detyruar Portën e
Lartë që t’i kënaqte Athinën dhe Cetinën me lëshime territoriale në
Çamëri e në Ulqin, krijoi një rrethanë thellësisht të ndërlikuar për
Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Qarqet atdhetare të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, duke qenë të bindura se Porta e Lartë në gjendje paqeje nuk
do t’i jepte asnjë të drejtë kombëtare Shqipërisë dhe se këto mund të
siguroheshin vetëm nëse asaj i krijohej një gjendje pa rrugëdalje,
këmbëngulën që lufta për autonominë e vendit të vijonte edhe në këto
kushte. Sipas pikëpamjes së tyre, ishte e nevojshme që lufta kundër
copëtimit të trojeve shqiptare të shkrihej me luftën për të drejtat
autonomiste të Shqipërisë. Në një rast të tillë, mendonin ato, Porta e
Lartë do të ngurronte të hapte një luftë frontale kundër gjithë
Shqipërisë, aq më tepër që fuqitë perëndimore, në radhë të parë Britania
e Madhe dhe Austro-Hungaria, do ta detyronin Perandorinë Osmane ta
shmangte me çdo kusht këtë konflikt me shqiptarët për të mos përfituar
prej tij Rusia cariste. Këto çështje pritej të diskutoheshin në
mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare që u mbajt në
Prizren në dhjetëditëshin e fundit të korrikut të vitit 1880. Këshilli
do të vendoste rreth masave që duheshin marrë për të pranuar lëshimin e
territoreve që Konferenca e Berlinit ia kishte dhënë Greqisë, si edhe
për të kundërshtuar vendimin e Konferencës së Stambollit për Ulqinin.
Mbledhja e korrikut e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes kishte një
përbërje mjaft të gjerë, megjithatë burimet dokumentare të njohura deri
më sot heshtin rreth vendimeve të tij. Në të njëjtën kohë Komiteti
Ndërkrahinor i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut, sapo mori njoftim për
rezolutën e 1 korrikut të Konferencës së Berlinit për ratifikimin në
favor të Greqisë të kufirit greko-turk, vendosi të mbledhë në
Gjirokastër një kuvend tjetër të Lidhjes Shqiptare. Ndryshe nga sa ishte
menduar në fillim, Kuvendi i Gjirokastrës nuk pati karakter
ndërkrahinor, por mbarëshqiptar. Sipas njoftimit që jep konsulli rus,
Trojanski, Kuvendi u vendos të mblidhej në Gjirokastër për të qenë më
afër qendrës së trojeve shqiptare, më larg presionit të qendrës së
vilajetit dhe ndërhyrjes së agjentëve të huaj që ndodheshin në Janinë.
Kuvendi u mblodh më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë kryesisht krerët
shqiptarë myslimanë e të krishterë të Beratit, të Përmetit, të Vlorës,
të Labërisë dhe të Çamërisë. Por, sipas të dhënave të konsullatës
austro-hungareze në Prevezë, në këtë Kuvend kanë marrë pjesë përfaqësues
nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga jugu, por edhe nga Gegëria, ndërsa
krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit e tyre, i miratuan vendimet e
tij me shkrim. Punimet e Kuvendit i drejtoi Abdyl Frashëri. Çështja
themelore që u trajtua aty ishte: autonomia e Shqipërisë, koha e
shpalljes dhe mënyra e realizimit të saj. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi
që, në rast se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të zbatonte
rezolutën e Konferencës së Berlinit ose në rast se Greqia do të orvatej
t’i merrte me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar, Lidhja
Shqiptare do të shpallte menjëherë një qeveri të përkohshme kombëtare.
Me formimin e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri. Sapo të
shpallej qeveria e përkohshme shqiptare, do të pushoheshin nëpunësit
turq dhe do të zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë pa dallim feje. Të
ardhurat shtetërore do të administroheshin nga qeveria e përkohshme për
nevojat e Lidhjes Shqiptare. Menjëherë do të hartohej një kushtetutë, e
cila do të garantonte sigurinë e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e
lirë të fesë. Qeveria e përkohshme do të merrte të gjitha masat për të
vendosur rendin dhe qetësinë shembullore në mbarë vendin. Për këtë
qëllim do të dënoheshin me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por edhe
tradhtarët e vendit. Në të njëjtën kohë do t’i kushtohej një kujdes i
veçantë ushtrisë kombëtare, në radhët e së cilës do të inkuadroheshin të
gjithë nizamët, rezervistët dhe oficerët shqiptarë që shërbenin në
ushtrinë osmane. Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria të mos
kalonte përtej caqeve të një shteti autonom nën sovranitetin e
sulltanit. Megjithatë, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë autonome dhe
Perandorisë Osmane do të kufizoheshin në minimum. Sulltani do të kishte
vetëm një të drejtë: të emëronte guvernatorin e përgjithshëm të
Shqipërisë, kurse Shqipëria detyrohej t’i paguante Portës së Lartë një
tribut vjetor në të holla dhe të ndihmonte me një kontigjent të caktuar
ushtarësh shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për kompensim
Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga
çdo agresion i jashtëm. Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit
të 1 korrikut 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbajti të njëjtin qëndrim që
kishte përcaktuar më parë Lidhja. Shpalli se shqiptarët nuk kishin punë
me Thesalinë, por ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht një
copëtim të Shqipërisë së Jugut (të Epirit). Kuvendi shprehu gatishmërinë
e shqiptarëve për t’u hedhur menjëherë në front, në qoftë se ushtritë
greke do të shkelnin kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa
konkrete ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë, duke ngritur
për këtë qëllim ushtrinë kombëtare. Për ta detyruar Perandorinë Osmane
që ta njihte de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit mendonin të
tërhiqnin në veprime luftarake shtresat e gjera popullore dhe ta vinin
Portën e Lartë para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të
siguronte në të njëjtën kohë edhe mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha,
të cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që do ta dobësonin më
shumë Perandorinë Osmane. Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre
duke tërhequr simpatinë e opinionit botëror në favor të kryengritjes
çlirimtare dhe duke dhënë prova se shqiptarët ishin të përgatitur për të
organizuar shtetin e tyre kombëtar. Kuvendi zë një vend të rëndësishëm
në historinë e Lidhjes Shqiptare. Ai shënoi një shkallëzim të mëtejshëm
të luftës për autonominë e Shqipërisë dhe shtroi për herë të parë, në
shkallë kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme shqiptare. Me
vendimet e tij Kuvendi i Gjirokastrës ua parashtroi edhe njëherë Fuqive
të Mëdha përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të lejonin në asnjë
mënyrë copëtimin e territoreve të atdheut të tyre. Fill pas mbylljes së
Kuvendit të Gjirokastrës pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri në viset e
tyre, me qëllim që të mobilizonin forcat ushtarake për të mbrojtur
tërësinë e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare.
Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë në platformën atdhetare të
krahut radikal të Lidhjes i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Fill pas
mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në mjaft krahina të Jugut u rritën
veprimet e popullsisë për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata
lokale dhe për kthimin e saj në administratë shqiptare. Një muaj më
vonë, në gusht 1880, konsulli rus në Janinë, Trojanski, raportonte në
lidhje me gjendjen në Çamëri: “Qeverisja e vilajetit tani po kalon
dalëngadalë në duart e shqiptarëve, të cilët përpiqen të largojnë që
këtej të gjithë nëpunësit me origjinë joshqiptare dhe kanë pasur aq
sukses në këtë punë, saqë në rrethet e Epirit Veriperëndimor Lidhja
Shqiptare vepron pothuajse në mënyrë të pavarur”. Dëshmi e rritjes së
autoritetit të Lidhjes Shqiptare ishte vendosja e qetësisë së plotë jo
vetëm në Shqipërinë e Jugut, por në mbarë vendin. Lidhja arriti të
vendoste qetësinë e rendin edhe në vilajetin e Manastirit e të Kosovës.
Me vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës u solidarizua edhe opinioni
publik i vilajetit të Kosovës e të Shkodrës, veçse në këto treva
shqiptarët mbetën të gozhduar për shkak të shqetësimit që vijoi të
shkaktonte çështja e Ulqinit. Vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës
shkaktuan shqetësim në Stamboll. Porta e Lartë mori masa për ta shtypur
lëvizjen autonomiste me anë të përçarjes ose të dhunës në rast se
acarohej situata në sektorin e Ulqinit. Për çështjen e Çamërisë ajo
vendosi të fitonte kohë duke e vazhduar kundërshtimin ndaj Protokollit
nr. 13 dhe duke i zvarritur përsëri bisedimet me palën greke.
5. MBROJTJA E ULQINIT. KUVENDI I DIBRËS (GUSHT-NËNTOR 1880)
Demonstrata navale (gusht-tetor 1880) Mali i Zi e pranoi propozimin
që bënë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor 1880,
për të zëvendësuar krahinat e Hotit e të Grudës me qytetin dhe rrethinat
e Ulqinit. Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi,
nxori përsëri në shesh pengesën që do të ndeshte në dorëzimin e tij nga
ana e shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm qyteti bregdetar i Ulqinit,
por edhe hinterlandi i tij fshatar banohej krejtësisht nga popullsi
shqiptare. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë,
Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në detin
Adriatik. Ai ishte njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme bregdetare që
lidhte tregtinë e jashtme të Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut.
Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë për këtë padrejtësi të
re që Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Në
të njëjtën kohë ata ia përsëritën Portës së Lartë vendosmërinë për ta
mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë për të hyrë në luftë edhe
kundër saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha ishin të vendosura për të mos
i marrë në asnjë mënyrë parasysh justifikimet e qeverisë osmane. Me një
notë kolektive, që i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin
Portën e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’ia dorëzonte
Ulqinin Malit të Zi. Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të
përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare. Ajo u përpoq më
shumë se kurdoherë me anë të kërcënimeve për t’i bindur udhëheqësit e
saj të hiqnin dorë nga qëndresa, por orvatjet nuk patën sukses.
Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet
Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe u përgatitën për ta
shtënë në dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga qyteti. Për ta
zgjidhur çështjen e dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan
Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë navale në bregdetin
shqiptar, madje më vonë se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën turke
të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe për të shmangur
ndërlikimet ndërkombëtare, Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në Shkodër
gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë, me detyrën që ta dorëzonte
Ulqinin pa konflikte të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në Shkodër
më 19 gusht, u përpoq t’i bindte krerët e Lidhjes me të holla e me
premtime që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një takim të
veçantë që pati më 22 gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të
Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të
gjithë atyre që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24 gusht 1880
Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin e ndalimin e qarkullimit
dhe të lidhjeve me Ulqinin nga mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk
dhanë rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve të
Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij nuk i prapsën vullnetarët nga
vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë shqiptarë
(ndër të cilët 600 ishin shkodranë), të komanduar nga Muftar agë Reçi,
zunë pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të Mozhurës për të penguar
kalimin e forcave të Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake, nën
komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin në gatishmëri kundër marshimit
të mundshëm të forcave malazeze. Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të
ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave të Ulqinit dhe më 4
shtator 1880 rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze,
franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat
në ujërat e Raguzës. Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e
Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shkodrën nuk u
nënshtruan; ata u treguan të vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e
Ulqinit u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes që u mblodh në
Prizren në fillim të shtatorit. Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione
osmane, të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës dhe u
drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare, që ndodheshin në
Ulqin e në Mozhurë, u dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin e
tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin u
dërgoi Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër, një
memorandum ku protestonte në mënyrë kategorike kundër lëshimit të
Ulqinit dhe shprehte gatishmërinë e popullsisë së tij për të qëndruar
deri në fund. Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të Gjashtë
Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3
ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më 17 shtator ushtritë e Lidhjes, të
përbëra nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë e mbanin të rrethuar
Ulqinin, sapo morën lajmin për demonstratën navale, sulmuan ushtritë
osmane dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke u mbyll në kazerma
dhe më pas u largua fshehurazi nga qyteti. Më 20 shtator flota e gjashtë
Fuqive të Mëdha la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk hyri në
ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë e Lidhjes Shqiptare, të cilat
tani qëndronin përballë flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më 25
shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër, bllokoi rrugën e
Ulqinit për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve, çarmatosi forcat e
armatosura të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet dhe
shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes. Njëkohësisht bëri arrestime. Më
29 shtator Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor të
Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte masa ushtarake kundër tij, nëse
nuk shpërndahej. Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo tashmë nuk
e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak të vilajetit dhe e
kërcënonte se do ta dëbonte atë së bashku me garnizonin e tij nga
Shkodra. Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i marrëdhënieve ndërmjet
Lidhjes së Prizrenit dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit të
armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë për të penguar mbrojtjen
me armë të Ulqinit. Duke parë se as demonstrata detare e flotës
ndërkombëtare, as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin
rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë u përpoqën të bindnin
krerët e degëve të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë të veçantë anëtarët e
Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha ishin të prirura
t’u jepnin shqiptarëve të drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që
këta të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit dhe të mos shkaktonin
konflikt të armatosur me Portën e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një
mashtrim, si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën pa
efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara, të cilat menduan se ia
vlente të sakrifikohej Ulqini për të siguruar të drejtat autonomiste pa
hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim, disa nga anëtarët e
Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe Hodo Sokoli,
përkrahës i njohur i lëvizjes autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta
për mbrojtjen e Ulqinit. Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë detyrën e
atdhetarëve për të mbrojtur me armë Ulqinin dhe për të siguruar
autonominë e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga qëndrimi i
tyre, por u përpoqën të mbanin gjallë frymën luftarake në të katër
vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin përçapjen e fundit për
të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara, në mënyrë të
veçantë forcat luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për këtë
qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në
qytetin e Dibrës.
Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor). Lufta e Ulqinit Kuvendi i Dibrës i
filloi punimet më 20 tetor 1880. Aty morën pjesë rreth 300 delegatë të
ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, të shoqëruar nga 5
mijë veta të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i
Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i
delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut
ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave
radikale dhe të moderuara. Midis delegatëve ishin Ali pashë Gucia, Iliaz
pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj. Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi
vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin
e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme. Lidhur me
çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të
Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat
vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit
Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut
radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e
Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për
formimin e qeverisë së përkohshme. Ashtu siç parashikohej, elementët
konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk
pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me
ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga
urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e
atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim
edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të
cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e
Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve
të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme:
për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë
sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij. Debate të zjarrta u
zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme,
kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë. Si pasojë e
këtyre divergjencave, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta. Njëra, e
ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin
kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi
afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të
moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Ejalet të
Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për
organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të
Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar.
Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët
konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja rezolutat u
dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme,
Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të
marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të
shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se
Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike
shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. Megjithatë, vendimet e
tij patën jehonë pozitive si brenda vendit, ashtu edhe në opinionin
publik evropian. Gjatë ditëve të Kuvendit të Dibrës qeveria e Stambollit
mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve për të siguruar
dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që
u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes
për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor 1880 Porta e Lartë largoi nga
Shkodra gjeneral Riza Pashën dhe në vend të tij dërgoi mareshal Dervish
Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të
jashtëzakonshme. Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant
i vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare,
Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në
Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit
Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga
Ulqini. Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën kontrollin e forcave
vullnetare të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i
formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave
më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të cilët
800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit. Në fillim të
nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën
këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga
Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë nga Prizreni, nga
Gjakova e nga Dibra. Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në 16
nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën për ta
detyruar të dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i
Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor Fuqive të
Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës
kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit. Për të shpejtuar dorëzimin
e Ulqinit u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez
(F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën,
ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës për ta bindur të
hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt e huaj do
të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat
autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të
konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880 shumë anëtarë të Komitetit
Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e
armatosur në Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të
moderuar kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq
larg, sa disa ditë më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e
Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta
dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre shkaktoi revoltimin e atdhetarëve
shkodranë, të cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare për
Shkodrën. Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë
partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Çoba,
Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka etj. Por ngjarjet u zhvilluan me
shpejtësi të madhe. Përçarja në udhëheqjen e Lidhjes dobësoi forcat e
saj ushtarake, sidomos ardhjen e vullnetarëve të tjerë. Komiteti i ri
nuk pati kohë të mobilizonte popullin dhe të organizonte qëndresën e
armatosur kundër ushtrisë osmane. Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880,
ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike,
Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke të fillonte marshimin për në
Ulqin. Atë ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare te Kodra e
Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim vullnetarët shqiptarë i sprapsën
ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane të
pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i
tyre Isuf Sokoli u plagos rëndë dhe pak më vonë vdiq. Pasi u thye
ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më
23 nëntor 1880, të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan ushtrive
malazeze. Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe çështja e
kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm
Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse
çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët
kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të
Portës së Lartë la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës.
Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën
zëra proteste kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të
përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit
shqiptar.
6. LËVIZJA KULTURORE SHQIPTARE NË VITET E LIDHJES SË PRIZRENIT (1878-1881)
Mendimi politik, filozofik e shoqëror në vitet e Lidhjes së Prizrenit
Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u
shpreh vetëm me luftën e përditshme politike, diplomatike e ushtarake
për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për formimin e shtetit
kombëtar shqiptar. Ajo u shfaq në të njëjtën kohë edhe me zhvillimin e
vrullshëm të mendimit politik, filozofik e shoqëror, si edhe të
veprimtarisë publicistike, letrare e shkencore. Nga frymëzimi atdhetar e
nga karakteri përparimtar, lëvizja kulturore shqiptare e viteve të
Lidhjes së Prizrenit ishte pjesë përbërëse e lëvizjes kulturore
rilindëse, e cila kishte marrë jetë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm. Por
gjatë viteve të Krizës Lindore ajo përshiu të gjitha sferat e jetës
kulturore të vendit dhe u kthye, më shumë se në të kaluarën, në një
lëvizje atdhetare. Si e tillë ajo u frymëzua nga lufta politike,
diplomatike e ushtarake që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes
së Prizrenit, por me përmbajtjen e saj atdhetare e demokratike ndikoi
në ngritjen ideologjike të lëvizjes kombëtare në një shkallë të paparë
deri atëherë. Lëvizjen kulturore të kësaj periudhe e udhëhoqën po ata
atdhetarë, të cilët përpunuan edhe platformën politike të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit. Atë e udhëhoqën figura të shquara, si Abdyl
Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Thimi Mitko, Ymer
Prizreni, të cilët me veprimtarinë e tyre si ideologë e si aktivistë, si
shkrimtarë e si organizatorë, zënë një vend të rëndësishëm në historinë
e gjithë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në fushën e mendimit politik e
shoqëror, lëvizja kulturore trajtoi problemet kryesore që shqetësonin
lëvizjen kombëtare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70:
konsolidimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë
tokësore të atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar autonom si hap drejt
krijimit të shtetit kombëtar të pavarur, demokratik e iluminist. Një
vend qendror në platformën ideologjike, të përpunuar në një varg
shkrimesh nga udhëheqësit e lëvizjes kombëtare të këtyre viteve, zuri
koncepti filozofik për kombin. Çështja kishte rëndësi jetike për
shqiptarët, pasi në arenën ndërkombëtare sundonte ende koncepti
mesjetar, i cili e mbante bashkësinë fetare të një populli si një
përbërës të domosdoshëm për të qenë një komb. Sipas këtij koncepti,
shqiptarët të ndarë në tri besime fetare të ndryshme nuk merreshin ende
si pjesëtarë të një kombi të vetëm as nga Perandoria Osmane, as nga
Fuqitë e Mëdha, as nga shtetet fqinje ballkanike. Si rrjedhim, atyre u
mohohej e drejta për të formuar një shtet kombëtar më vete. Kundër këtij
koncepti të prapambetur u ngritën të gjithë ideologët dhe aktivistët e
lëvizjes kulturore shqiptare. “Të ngresh besimin fetar në parim kombësie
dhe të marrësh dogmën për racë apo ritin për atdhe, nuk është aspak e
pranueshme”, shkruante Pashko Vasa më 1879. Veç kësaj rilindësit nuk u
pajtuan as me konceptin tjetër që qarkullonte në disa teoricienë të
kohës së tyre, sipas të cilëve një popull quhet komb kur ka formuar
shtetin. Konceptin filozofik për kombin e formuloi në mënyrë më të plotë
Abdyl Frashëri qysh në pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit. Në artikujt e tij, të botuar në pranverën e vitit 1878, ai
shikonte si përbërës të një kombi gjuhën e përbashkët, territorin e
përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët
(të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve,
të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të
përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të
përbashkët. Lëvizja kulturore shqiptare përvetësoi kështu në fushën
ideologjike një nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX.
Lëvizja kulturore shqiptare e shtriu këtë koncept të përparuar edhe në
truallin e veprimtarisë politike. Ideologët rilindës të këtyre viteve,
më shumë se paraardhësit e tyre, i dhanë lëvizjes kulturore shqiptare,
ashtu si edhe lëvizjes politike kombëtare, një përmbajtje laike. Madje,
për hir të unitetit kombëtar, ata u bënin thirrje bashkatdhetarëve që të
mos dëgjonin predikimet e xhamisë e të kishës, kur ato binin ndesh me
interesat kombëtarë, u shërbenin sunduesit të huaj dhe propagandave të
shteteve fqinje; kështu ata ishin në konflikt të hapur me institucionet
klerikale dhe të palëkundur përballë kërcënimeve të tyre. Thirrje të
tilla si ajo e Pashko Vasës: E mos shikjoni kisha e xhamia / Feja e
shqyptarit asht shqyptaria! u bënë shumë popullore në Shqipëri. Ky
laicizim i ndërgjegjes kombëtare, i cili gjatë viteve të Lidhjes së
Prizrenit përparoi me hapa të shpejtë, pushtoi pothuajse të gjitha
fushat e jetës kulturore të vendit. Një vend po aq të rëndësishëm në
platformën ideologjike të lëvizjes kulturore zuri edhe koncepti politik
për territorin kombëtar të shqiptarëve. Kjo çështje kishte gjithashtu
rëndësi jetike, pasi në kushtet e Krizës Lindore shqiptarëve u duhej të
afirmonin sa më parë në arenën ndërkombëtare tërësinë territoriale të
Shqipërisë si njësi politike, për të parandaluar përmbushjen e lakmive
të huaja shoviniste në kurriz të saj. Ashtu si në konceptin e kombit,
edhe në atë të territorit ideologët atdhetarë nuk ndoqën rrugën e
udhëheqësve nacionalistë të monarkive ballkanike, të cilët, për të
përligjur aspiratat e tyre shoviniste në kurriz të kombeve të tjera,
ngritën të ashtuquajturin kriter historik. Siç dihet, ky kriter krijoi
te Serbia, Bullgaria e Greqia prirjen për të rimëkëmbur, në antagonizëm
me njëra-tjetrën, e para Perandorinë e Stefan Dushanit, e dyta
Perandorinë e car Samuilit, e treta Perandorinë Greke-bizantine, të
cilat patën në mesjetë nën zgjedhën e tyre një varg kombësish të
Ballkanit. Edhe shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kishin mundësi të
merrnin nga historia e tyre e lashtë argumentin e trevës ku banonin
mbarë fiset ilire për të përligjur krijimin e një shteti të madh
shqiptar. Por ky kriter do të ishte i padrejtë, pasi në mjaft nga ato
vise tashmë banojnë popuj të tjerë, të cilët nuk do të pranonin në
kushtet e reja të qytetërimit të hynin nën një zgjedhë të huaj.
Rilindësit kërkonin që të zbatohej në radhë të parë kriteri etnik dhe jo
ai historik, të respektoheshin gjendja reale dhe të drejtat
territoriale të sotme të të gjithë popujve. Vetëm kriteri etnik,
theksonte Abdyl Frashëri, do të vendoste një paqe të qëndrueshme në
Gadishullin Ballkanik dhe një harmoni të vërtetë ndërmjet kombeve të
tij. Me këtë koncept politik lëvizja kulturore shqiptare u rreshtua
gjithashtu në pozitat më të përparuara të lëvizjeve kulturore evropiane
të shek. XIX. Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit lëvizja kulturore
shqiptare ngriti në një shkallë më të lartë edhe koncepte të tjera
politike, filozofike ose shoqërore, të cilat ishin shfaqur gjatë
dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Ajo i dha konceptit atdhe ose mëmëdhe një
përmbajtje të re politike jo vetëm si një bashkësi krahinore të
vendlindjes, por si një bashkësi të mbarë trojeve amtare dhe si një
ideal të shenjtë, për çlirimin ose mbrojtjen e të cilit të gjithë
shqiptarët duhej të përpiqeshin me çdo mjet, duke mos kursyer as jetën e
tyre. Ajo e pasuroi më tej kulturën politiko-shoqërore, duke e trajtuar
konceptin e autonomisë së Shqipërisë nga këndi i interesave kombëtarë
shqiptarë, si një hallkë kalimtare për të sendërtuar, në kushte
kombëtare më të përshtatshme, pavarësinë e saj të plotë. Procesi i
laicizimit të ndërgjegjes politike kombëtare ia hapi dyert një depërtimi
më të hovshëm të mendimit iluminist në jetën kulturore të vendit, gjë
që shpejtoi emancipimin ideologjik të shqiptarëve nga presioni i
dogmatizmit obskurantist i institucioneve fetare. Veç kësaj, ajo e
shtriu konceptin e vëllazërimit të shqiptarëve jo vetëm në fushën e
detyrave, por edhe në atë të të drejtave. Si rrjedhim, ajo e shkriu atë
me konceptin e barazisë së tyre qytetare, pavarësisht nga përkatësia
fetare, shoqërore e krahinore, e cila nuk ishte në rendin shoqëror
osman. Përveç të tjerave, ajo e konceptoi edhe vetë kulturën jo si një
stoli, por si një armë që duhej të forconte unitetin kombëtar të
shqiptarëve në luftë për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe
për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.
Letërsia politike Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit mendimi
politik shqiptar u shpreh me mjete të panjohura më parë. Të tilla ishin
protestat e memorandumet drejtuar Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë, të
cilat vetëm fare pak u redaktuan nga kryesia e Lidhjes së Prizrenit,
ndërkohë që shumica dërrmuese u hartua me nismën e degëve krahinore të
saj ose të qarqeve të ndryshme atdhetare të vendit. Pavarësisht nga
autorët, ato pajtohen ndërmjet tyre në trajtimin dhe në zgjidhjen e
çështjeve themelore që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Pothuajse të gjitha flasin në emër të kombit shqiptar. Kudo spikat fryma
e vëllazërimit të shqiptarëve pavarësisht nga dallimet fetare, spikat
krenaria e tyre për traditat e përbashkëta liridashëse dhe vendosmëria
për të mbrojtur të drejtat kombëtare. Takimi i tyre në këto çështje të
rëndësishme politike tregonte se platforma ideologjike kombëtare kishte
depërtuar thellë në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Por
shprehjen e vet më të lartë, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, ajo e
gjeti te traktatet politike dhe te shkrimet publicistike të hartuara
nga personalitetet e lëvizjes kombëtare për publikun ndërkombëtar.
Patriotët shqiptarë e kishin ndier prej kohësh nevojën për një tribunë
shtypi të pavarur. Por Porta e Lartë e kishte kundërshtuar vazhdimisht
lejen për të nxjerrë një organ periodik shqip brenda kufijve të
Perandorisë. Edhe përpjekjet për të botuar një gazetë shqiptare jashtë
Perandorisë Osmane kishin dështuar pjesërisht për mungesë mjetesh
financiare, pjesërisht nga qëndrimi armiqësor i qeverive të huaja. Me
përpjekje të mëdha Sami Frashëri arriti ta shtinte në dorë, në qershor
të vitit 1878, drejtimin e gazetës turke “Terxhuman-i Shark”
(“Interpreti i Lindjes”), që botohej në Stamboll, por kjo nuk pati jetë
të gjatë, pasi pas katër muajsh u mbyll nga censura osmane. Një vit më
vonë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i erdhi në ndihmë një nga arvanitët më
përparimtarë të Greqisë, Anastas Kullurioti, i cili filloi në shtator
1879 botimin në Athinë të gazetës “I foni tis Alvanias” (“Zëri i
Shqipërisë”), por edhe kjo u mbyll pas një viti. Ndër penat publicistike
Abdyl Frashëri u dallua në mënyrë të veçantë për gamën e problemeve,
për forcën e argumenteve dhe për qartësinë e mendimeve në shkrimet e tij
të botuara në shtypin turk, austriak e frëng. Ai shtjelloi në mënyrë
koncize pothuajse të gjitha aspektet e platformës ideologjike e politike
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe të Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit në veçanti. Një veprimtari po aq të pasur zhvilloi
gjithashtu Sami Frashëri, i cili u shqua në fushën e publicistikës
polemizuese kundër armiqve të çështjes kombëtare shqiptare. Veç kësaj,
ai trajtoi në gazetën e vet “Terxhuman-i Shark”, nga këndi i interesave
të Shqipërisë, edhe ngjarjet e përditshme ndërkombëtare. Në
publicistikën e këtyre viteve morën pjesë gjithashtu, ndonëse në mënyrë
më të kufizuar, Jani Vretoja, Thimi Mitkoja dhe shumë atdhetarë të
tjerë, të cilët i botuan shkrimet e tyre pa emrin e autorit. Një
kontribut të rëndësishëm dha në këtë fushë edhe Jeronim de Rada, një nga
arbëreshët më të shquar të Italisë. Ndërmjet traktateve politike të
këtyre viteve, vendin kryesor e zë vepra e Pashko Vasës “E vërteta mbi
Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e
gjermanisht, kurse një vit më vonë u përkthye turqisht e greqisht. Me
këtë vepër autori kishte për qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të
njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar “me cilësitë, me të
metat, me nevojat dhe me shpresat e tij”, të tregonte origjinën e tij si
një nga popujt më të lashtë të Evropës, të përshkruante fazat që ai
kishte kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës që e
kishin përbuzur dhe të argumentonte të drejtat kombëtare që i takonin,
duke përfshirë edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare në një
vilajet të vetëm, që do të shënonte një hap drejt autonomisë së
Shqipërisë. Çështjes së aleatëve të shqiptarëve në luftën e tyre
kombëtare iu kushtuan dy traktate të veçanta. Në njërin prej tyre, të
botuar bullgarisht në Sofje më 1879 nga Jusuf Ali beu, me titull
“Bisedime të ditës që meritojnë vëmendje”, autori shprehte mendimin se
shqiptarët e bullgarët kishin mjaft interesa të përbashkëta, të cilët
krijonin mundësinë për të qenë bashkëluftëtarë. Në tjetrën, të botuar
greqisht në Athinë më 1880 nga Thimi Brandi, me titull “Ankime të
shqiptarëve”, mbrohej teza se shqiptarët e grekët rrezikoheshin njësoj
nga rritja e shteteve sllave, se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të
shpresonte te Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën e
bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë bashkëpunim e pengonin
vetëm qarqet zyrtare greke, të cilat mendonin pa të drejtë se me
zhvillimin e saj lëvizja kulturore shqiptare do të pakësonte shkëlqimin e
helenizmit. Një vend të rëndësishëm në letërsinë politike të këtyre
viteve zë, më në fund, broshura “Shqiptarët dhe demonstrata navale
përpara jurisë eprore të shtypit”, që një autor anonim shqiptar e botoi
frëngjisht më 1880, për qëndresën që organizoi Lidhja e Prizrenit në
mbrojtje të Ulqinit. Në këtë broshurë autori u bën një akuzë të ashpër
Fuqive të Mëdha në përgjithësi dhe qeverisë britanike në veçanti, të
cilat, në vend që të përkrahnin idenë e krijimit të një shteti kombëtar
shqiptar si e vetmja rrugë e drejtë e zgjidhjes së Krizës Lindore,
dërguan flotën e tyre luftarake për të shtypur me dhunë të drejtat
legjitime të një populli liridashës. Shkrimet publicistike dhe traktatet
politike trajtojnë po atë temë që frymëzuan protestat e memorandumet e
kësaj periudhe - njohjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare si një
komb i formuar plotësisht dhe miratimin e të drejtës së tyre supreme për
të pasur shtetin kombëtar në kufijtë e tyre etnikë. Me këto shkrime e
traktate autorët sollën një varg argumentesh historike, filozofike,
etnografike, filologjike e politike, që provonin se shqiptarët i kishin
të gjitha vetitë për të qenë një komb dhe për të formuar shtetin e vet.
Një nga argumentet e dorës së parë ishte prejardhja e shqiptarëve nga
ilirët, të cilët njiheshin si pasardhës të pellazgëve, pra, lashtësia e
tyre shprehej në lashtësinë e autoktonisë, të gjuhës e të kulturës. Ata
kritikuan tezën pseudoshkencore të përhapur në ato vite, sipas së cilës
nuk kishte një gjuhë të vetme shqipe, por aq gjuhë sa ishin dialektet e
saj ose tezën tjetër se të folmet e saj ishin “dialekte të bastardhuara”
të greqishtes a të latinishtes dhe mbrojtën pikëpamjen, të cilën e
kishin pranuar gjuhëtarët më të shquar të kohës, se gjuha shqipe ishte
një gjuhë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, se dallimet
dialektore brenda saj nuk kishin rëndësi themelore dhe se lidhjet
ndërmjet saj e greqishtes ose latinishtes ishin pak a shumë njësoj si
lidhjet ndërmjet gjuhëve të ndryshme indoevropiane. Po ashtu, ata sollën
argumente të reja me të cilat provuan se shqiptarët e të gjitha
besimeve e të të gjitha krahinave kishin të njëjtin formim shpirtëror.
Shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kanë pasur kulturën e tyre të
veçantë qysh në kohët parahistorike; ata u kanë qëndruar besnikë, deri
në njëfarë shkalle, traditave të lashta pasi përqafuan jo vetëm
krishterimin, por edhe islamizmin. Në Shqipëri dallimet fetare,
nënvizonte ai, nuk kanë ndonjë rëndësi përballë dallimeve shoqërore.
Shoqëria shqiptare karakterizohej, sipas tij, nga ndarja në krerë e në
popull dhe jo nga ndarja në myslimanë e të krishterë. Myslimanët dhe të
krishterët shqiptarë, shkruante Pashko Vasa, “flasin po atë gjuhë, kanë
po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Midis tyre nuk
ka pasur kurrë smirë të rrënjosur, as armiqësira shekullore. Ndryshimi i
fesë nuk ka qenë kurrë shkak për t’i shtytur në një përçarje
sistematike”. Pothuajse të gjithë autorët e kësaj periudhe evokuan në
shkrimet e tyre politike figurën e ndritur të Skënderbeut si mishërim i
njësisë kombëtare, si simbol i atdhedashurisë shqiptare dhe si flamur i
luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet emrit të tij të
lavdishëm, ata u kujtonin sundimtarëve osmanë se shqiptarët ishin gati,
në rast se nuk do t’u njiheshin të drejtat e tyre kombëtare, të
përsëritnin epopenë e shek. XV. Veç kësaj, ata u kujtonin popujve të
Evropës se vendet e tyre kishin detyrime të mëdha ndaj Shqipërisë, e
cila me luftën e saj heroike që kishte zhvilluar nën udhëheqjen e
Skënderbeut, e kishte mbrojtur lirinë e tyre nga pushtimi osman. Një
vend të rëndësishëm në publicistikën e këtyre viteve zunë shkrimet që
mbronin karakterin e programin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit nga
akuzat e shpifjet e armiqve të çështjes shqiptare, të cilët e paraqitnin
atë si një organizatë fanatike islamike të manipuluar nga Porta e Lartë
dhe të drejtuar kundër popujve fqinjë të krishterë. Sami Frashëri, i
cili u dallua më shumë se të tjerët në këtë fushë, argumentoi me një
varg artikujsh të botuar në shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua
nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë nuk ka
pasur gisht në formimin e saj. “Si mund të thuhet, - shkruante ai, - se
Lidhja e Prizrenit është formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur
aty kanë marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të krishterë, domethënë
mbarë bijtë e atdheut?”. Porta e Lartë, shkruante Samiu në një artikull
tjetër, jo vetëm “nuk ka pasur gisht në formimin e saj”, por ajo as “nuk
është në gjendje t’i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në të”.
Lidhja e Prizrenit, theksonin njëzëri patriotët e këtyre viteve, ka për
qëllim të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk drejtohet
kundër kombeve të tjera të Ballkanit. “Lidhja Shqiptare, - shkruante më
1879 një atdhetar anonim nga Shqipëria e Mesme, - është lidhje
kombëtare. Ajo nuk dëmton asnjë komb tjetër. Ajo dëshiron, kërkon dhe
përpiqet me të gjitha fuqitë e saj të shpëtojë kombin e vet duke
bashkuar Shqipërinë në një vilajet të vetëm autonom dhe të shkëputet nga
prapambetja duke zhvilluar shkrimin në gjuhën e kombësisë së saj. Ajo
dëshiron e kërkon të ketë paqe dhe miqësi me të gjitha kombet që e
rrethojnë. Ajo respekton e nderon të gjitha kombësitë e huaja dhe të
gjitha gjuhët e tjera që mund të ndodhen në gjirin e saj”. Më në fund,
të gjithë autorët dhanë të njëjtin vlerësim për politikën e ndjekur nga
Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen shqiptare. Të gjithë e dënuan
njësoj Traktatin e Shën-Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Askush nuk
pati iluzione se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin parasysh me vullnetin e
tyre interesat kombëtarë të Shqipërisë. Ata qenë njëzëri të mendimit, se
në kushtet e atyre viteve rreziku më imediat vinte nga politika
pansllaviste ruse, se me synimet e veta ekspansioniste Perandoria
Cariste kërcënonte jo vetëm ekzistencën e kombësisë shqiptare, por edhe
atë të kombësive të tjera ballkanike, madje edhe ekzistencën e kombësive
sllave të gadishullit. Sipas mendimit të përgjithshëm të atdhetarëve
shqiptarë, e vetmja rrugëdalje nga situata dramatike, që kërcënonte jo
vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian, ishte
respektimi i parimit të kombësisë për tërë popujt. Në rast se Shqipëria
do të copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli Ballkanik nuk do të
kishte kurrë qetësi, pasi shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë nga
lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi, theksonte
Abdyl Frashëri, në rast se Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj, “do
të vijë dita kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes
së njerëzimit dhe të qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i
Lindjes”.
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit-1879)
Hovi që mori lufta për autonominë e Shqipërisë i dha gjithashtu një
shtytje të fuqishme lëvizjes në fushën e arsimit e të letërsisë shqipe,
të cilat tani synonin jo vetëm të ngrinin në një shkallë më të lartë
ndërgjegjen atdhetare të masave popullore, por edhe të përballonin
nevojat që shtronte zëvendësimi i administratës osmane me administratën
shqiptare. Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, u ndje më shumë se
kurdoherë nevoja e ngutshme për të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës
shqipe dhe për t’i dhënë fund anarkisë që sundonte në këtë fushë. Po
ashtu, tani u ndje më shumë se më parë nevoja e ngutshme për të formuar
një organizatë qendrore ose, siç thuhej atëherë, një shoqëri kulturore, e
cila të merrte përsipër barrën e drejtimit e të organizimit të
përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të
zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste
shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe.
Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti
i Stambollit. Për këtë qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së
vitit 1878 një komision të gjerë prej 25 vetash, i cili ngarkoi një
komision të ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko
Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për
të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët. Sikurse shprehej disa
ditë më vonë Thimi Brandi në një letër që i drejtonte Jani Vretos,
formimi i Komisionit Kulturor u përshëndet si një hap i rëndësishëm që
“do të vinte themelet e gjuhës shqipe”. Por përpjekjet e atdhetarëve
shqiptarë për të formuar një shoqëri kulturore të ligjshme, e cila ta
zhvillonte lirisht veprimtarinë e saj në Perandorinë Osmane, përsëri
dështuan. Porta e Lartë dhe nën shembullin e saj Patrikana e Fanarit e
kundërshtuan kërkesën e paraqitur prej tyre si për formimin e
organizatës kulturore, ashtu dhe për botimin e një gazete shqip. Ndërsa i
vijuan përpjekjet për formimin e shoqërisë kulturore, atdhetarët u
morën me çështjen e alfabetit. Në fillim të vitit 1879 para komisionit
të alfabetit u paraqitën katër projekte të ndryshme për shkrimin e
shqipes, të cilat u diskutuan duke pasur parasysh kriteret shkencore,
politike e praktike që duheshin për gjuhën shqipe. Prej tyre komisioni
miratoi projektin e Sami Frashërit, i cili ishte i ndërtuar sipas
parimit fonetik (për çdo tingull një shkronjë) dhe sipas alfabetit
latin, të plotësuar për tinguj të veçantë të shqipes me shkronja të
huajtura nga alfabeti grek ose të sajuara nga autori. Projektet e tjera
nuk u pranuan për arsye të ndryshme, ose pse mbështeteshin vetëm në
alfabetin grek (J. Vreto), ose pse nuk i përmbaheshin parimit fonetik
(P. Vasa), ose pse për përdorimin e tij duheshin shtypshkronja të
posaçme (H. Tahsini). Në një letër që anëtarët e komisionit u dërgonin
më 5 mars 1879 bashkatdhetarëve që banonin në Egjipt, i porositnin të
përdornin, sikurse thuhet aty, “këtë alfabet (të cilin) ne shokë
vëllezër shqiptarë... me një mendje, me një zemër, me një fjalë, vumë
themeli për të shkruar gjuhën tonë shqipenë”. Ai shënonte një hap të
madh përpara në fushën e lëvizjes kulturore dhe për rrjedhim pati një
përhapje të gjerë në masën e shqiptarëve. Megjithatë, edhe ai nuk ishte
shumë praktik, pasi shtypshkronjat duhej të pajiseshin dhe me disa
shkronja të posaçme. Kjo e metë shkaktoi më vonë kundërshtime nga mjaft
personalitete shqiptare, si pasojë e të cilave çështja e alfabetit të
njësuar mbeti përsëri në rend të ditës. Tre muaj më vonë, komisioni
botoi veprën e parë me alfabetin e ri, me titull “Alfabetare e gluhësë
shqip”, e cila përmbante, përveç alfabetit të Stambollit, disa shkrime
mësimore të përgatitura nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e
Koto Hoxhi. Për të mos e acaruar më shumë pakënaqësinë e shqiptarëve, të
cilët në këtë periudhë i kishte pushtuar vala e lëvizjes autonomiste,
Porta e Lartë ngurroi të ndërhynte menjëherë kundër kësaj veprimtarie që
po zhvillohej brenda në kryeqytetin e Perandorisë. Këtë rrethanë e
shfrytëzuan atdhetarët shqiptarë, të cilët shpejtuan të formonin, pa
lejen e qeverisë, edhe shoqërinë kulturore. Pas disa ditë bisedimesh
paraprake, ata thirrën në Stamboll, më 12 tetor 1879, një konferencë të
posaçme, e cila do të themelonte shoqërinë dhe do të miratonte statutin e
saj, sipas projektit që kishte përgatitur Jani Vreto qysh në tetorin e
vitit të mëparshëm. Në konferencën e Stambollit morën pjesë 27 veta, të
cilët përfaqësonin, aq sa lejonin rrethanat politike, popullsinë
shqiptare të tri besimeve dhe të krahinave kryesore të vendit, që nga
Kosova deri në Çamëri. Veç kësaj, ata vinin nga radhët e të gjitha
shtresave shoqërore të Shqipërisë. Ndërmjet tyre kishte bejlerë
çifligarë dhe intelektualë qytetarë, por shumicën dërrmuese e përbënin
emigrantë me origjinë fshatare, të cilët kishin lënë vendlindjen për të
punuar në kurbet. Krahas këtyre njerëzve të thjeshtë, aty morën pjesë
edhe figurat më të shquara të Lidhjes së Prizrenit, të cilët ishin në të
njëjtën kohë edhe anëtarë të Komitetit të Stambollit, si Abdyl
Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina etj. Më
12 tetor 1879 konferenca vendosi themelimin e shoqërisë kulturore dhe
miratoi kanonizmën (statutin) e saj, të cilën e nënshkruan të gjithë
pjesëmarrësit. Zyrtarisht organizata u quajt “Shoqëria e të Shtypurit
Shkronja Shqip”, kurse shkurtimisht u bë zakon të thirret “Shoqëria e
Shkronjëzave”, ose “Shoqëria e Stambollit”. Kryetar i saj u zgjodh Sami
Frashëri, kurse pjesëmarrësit e konferencës formuan këshillin qendror të
shoqërisë. Programi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip u shpreh
në mënyrë të qartë në kanonizmën e saj. Ai nisej nga teza e shpallur
qysh prej rilindësve të parë, se çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij
dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar është një komb i prapambetur.
Prandaj qëllimi i shoqërisë ishte ta nxirrte popullin shqiptar nga
prapambetja duke zhvilluar arsimin kombëtar dhe letërsinë shqipe. Ajo
synonte të mobilizonte në këtë veprimtari të gjithë shqiptarët
atdhetarë, kudo që ndodheshin, në atdhe ose në mërgim, duke i
grumbulluar organizativisht, në degë krahinore të varura prej qendrës.
Ajo mendonte gjithashtu të krijonte një fond për të përballuar nevojat
materiale të programit të saj. Fondi do të krijohej nga kuotizacionet e
anëtarëve dhe nga të ardhurat që do të mblidheshin nga shitja e librave.
Sapo të shtoheshin të ardhurat, thuhej në nenin 18, shoqëria do të
pajisej me një shtypshkronjë, me anën e së cilës do të shtypte libra,
gazeta e revista shqipe. Më vonë, thuhej në nenin 19, kur të ardhurat do
të rriteshin më shumë, shoqëria do të ngrinte me shpenzimet e saj edhe
shkolla shqipe. Këto shkolla do të ishin krejt të pavarura dhe do të
formonin bërthamën e rrjetit arsimor kombëtar. Krerët e Shoqërisë së të
Shtypurit Shkronja Shqip iu përveshën punës për të zbatuar menjëherë
programin e saj. Disa javë pas themelimit të shoqërisë ata shtypën në
një shtypshkronjë të Stambollit kanonizmën e saj, të cilën e shpërndanë
brenda e jashtë Shqipërisë. Në të njëjtën kohë u nis në Shqipëri një
grup aktivistësh për të ndihmuar në formimin e degëve të Shoqërisë. Por
gjatë vitit 1880 Porta e Lartë kaloi në reaksion të hapur kundër
lëvizjes kulturore shqiptare. Administrata e saj ndërhyri me ashpërsi
dhe me kërcënime për të ndaluar veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypurit
Shkronja Shqip. Ajo nuk dha leje as për botime librash, as për krijim
degësh, as për ngritje shkollash shqipe. Në të njëjtën kohë edhe
përfaqësues të turkomanëve e të grekomanëve, të institucioneve klerikale
islamike e ortodokse, ndërmorën një fushatë të egër kundër veprimtarëve
të lëvizjes kulturore shqiptare. Peshkopi ortodoks i Drinopojës
(Gjirokastrës) lëshoi një mallkim publik kundër shkrimit shqip. Hovi që
mori lëvizja kulturore shqiptare shqetësoi jo vetëm kishën fanariote,
por edhe qeverinë greke. Si pasojë e këtij shqetësimi, organet
shtetërore të Athinës ndaluan në vjeshtën e vitit 1880 botimin e
mëtejshëm të gazetës “I foni tis Alvanias” dhe filluan persekutimet
kundër botuesit të saj, Anastas Kulluriotit. Në këto rrethana Shoqëria e
të Shtypurit Shkronja Shqip nuk pati mundësi ta zhvillonte veprimtarinë
e saj kulturore brenda Perandorisë Osmane dhe ca më pak në Shqipëri.
Madje ajo u detyrua të kalonte në ilegalitet. Ndjekjeve u shpëtoi vetëm
dega e Shoqërisë së Shkronjëzave që u formua më 1880 në Bukuresht
(Rumani), e cila më vonë luajti një rol të rëndësishëm për plotësimin e
programit kulturor të Shoqërisë së Stambollit.
Letërsia popullore dhe artistike Një vend të rëndësishëm në lëvizjen
kulturore të viteve të Lidhjes së Prizrenit zë letërsia popullore dhe
artistike shqip. Në letërsinë popullore një zhvillim shumë të begatshëm
pati epika historike. Në qershor të vitit 1878, në ditët e themelimit të
Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të Egjiptit vepra madhore e
Thimi Mitkos “Bëleta shqiptare”, në të cilën qenë përfshirë mjaft këngë
popullore historike të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga
poetët anonimë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në hullinë e
këtyre këngëve eci edhe vepritmaria popullore e viteve të Lidhjes së
Prizrenit. Si më parë, edhe tani ajo pati për qëllim të përjetësonte në
vargje ngjarjet tronditëse historike dhe të frymëzonte brezat e rinj për
betejat e ardhshme. Por poezia popullore historike e kësaj periudhe
dallohet nga ajo e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm për frymën e saj më të
theksuar kombëtare. Uniteti kombëtar i shqiptarëve që krijoi Lidhja e
Prizrenit në fushën politike, u pasqyrua kështu edhe në krijimtarinë
popullore historike. Sipas traditës, rapsodët popullorë krijimet e tyre
letrare më monumentale ua kushtuan ngjarjeve historike më të shënuara.
Në qerthullin e këtyre ngjarjeve tani nuk hynë vetëm momentet dramatike
madhore, siç ishin përpjekjet e armatosura me armiqtë e tyre, por edhe
momentet politike kulmore. Kështu, krahas këngëve epike që iu kushtuan
luftës për mbrojtjen e Lëkurësit e të Gjashtës, të Plavës e të Gucisë,
të Hotit e të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, të Slivovës e të
Shtimjes, u thurën gjithashtu këngë historike për kuvendet e Prizrenit e
të Gjirokastrës, të Gjakovës e të Frashërit, të Shkodrës e të Dibrës,
madje edhe për forume të tilla ndërkombëtare, siç ishte Kongresi i
Berlinit. Po ashtu, tani poetët anonimë u ngritën monumente në vargje jo
vetëm kryetrimave që u shquan në fushën e luftës, si Mic Sokoli, Ali
Ibra, Isuf Sokoli, Col Delia, Çel Shabani ose Sef Kosharja, por edhe
ideologëve ose udhëheqësve politikë të Lidhjes së Prizrenit, siç ishin
Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali pashë Gucia, Haxhi Ymeri (Ymer
Prizreni) etj. Të gjitha këngët popullore historike të këtyre viteve
kanë karakter epik ose retorik. Pavarësisht se janë thurur nga rapsodë
të viseve të ndryshme dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ato
bashkohen qoftë nga boshti tematik, qoftë nga frymëzimi atdhetar.
Nëpërmjet vargjeve të tyre të pasura me figura dhe shprehje poetike,
autorët anonimë himnizojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi luftën atdhetare
të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të njëjtën kohë ata stigmatizojnë
herë me tallje, herë me sarkazëm armiqtë, kryesisht “shtatë krajlat”
(gjashtë Fuqitë e Mëdha së bashku me Perandorinë Osmane), rreshtimi i të
cilëve kundër Shqipërisë shkaktonte te shqiptarët jo frikë, por
krenari. Krenaria kombëtare, e lidhur ngushtë me besimin për të ardhmen,
mbizotëron pothuajse në të gjitha këngët popullore historike të kësaj
periudhe. Shqiptarët janë krenarë, sepse asnjëherë nuk i kanë lëshuar
armët kundër sundimtarit osman: “Se Shqipnia e ka pas adet / Nga një
pashë me mbyt për vjet!”, thuhet në një këngë popullore të këtyre
viteve. Sef Kosharja nuk e ndien veten të turpëruar, si dikur kreshnikët
mesjetarë, kur mareshali osman Dervish Pasha e dënoi me varje në majën e
një lisi. Përkundrazi, ai është krenar se vdes për atdhe (“Po hije m’ka
mue, o djemt’e mi / Se kam lanë shpirtin për Shqipni”). Në një këngë
tjetër popullore, Dervish Pasha, pasi e shtyp Lidhjen e Prizrenit pyet:
Ku ndodhet Sulejman Vokshi, që nuk po e kap dot? Ku u zhduk populli që
shkon pas tij? Dhe rapsodi përgjigjet: Janë atje lart në bjeshkë, atje
ku zbardhin retë dhe së shpejti do të takohen përsëri me të (“N’ato
bjeshkë, te retë e bardha / Q’atje nelt, ku zbardhin ret’/ Kjoft kysmet
do’i shihsh opet!”). As Abdyl Frashëri nuk e ndien veten të mundur ose
të turpëruar kur kalonte përmes Manastirit i lidhur me hekura dhe i
shoqëruar nga xhandarët osmanë, të cilët po e çonin në burgun e
Prizrenit. Përkundrazi, këndon rapsodi popullor, “emiri i Shqipërisë”
(“udhëheqësi” i Shqipërisë) iu drejtua me krenari e me optimizëm një
konsulli të huaj, i cili qeshi me ironi kur e pa të lidhur me pranga:
“Ne e mbollëm këtë farë / Po të tjerë shqiptarë / Do ta korrin më të
mbarë!”. Edhe letërsia artistike e këtyre viteve u dallua për karakterin
më të theksuar kombëtar luftarak, për lidhjen e ngushtë me detyrat
politike, për rolin më të fuqishëm edukativ atdhetar dhe për vëllimin më
të pasur të krijimeve letrare. Vrulli i lëvizjes atdhetare që shpërtheu
gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit tërhoqi në fushën e letërsisë
mjaft pena të reja, por shumica e krijimeve të tyre letrare mbetën të
pabotuara. Përveç “Alfabetares” dhe “Kanonizmës” së Shoqërisë së
Stambollit, të cilat ishin një përjashtim, Porta e Lartë nuk lejoi asnjë
shkrim tjetër shqip që të botohej në Perandorinë Osmane. Por edhe
jashtë kufijve të saj mundësitë e botimit ishin të kufizuara. Vetëm pak
shkrime shqipe arritën të botoheshin në ndonjë organ periodik të
jashtëm, siç ishte gazeta “I foni tis Alvanias” që dilte në Athinë, ose
revista “Iris”, që shtypej në Bukuresht. Për të siguruar një përhapje më
të gjerë në rradhët e bashkatdhetarëve, disa krijime letrare shqipe,
siç ishte poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës dhe himni me titull
“Marsejeza” i Thimi Mitkos, u botuan në fletë qarkulluese dhe u
shpërndanë në atdhe me anën e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit. Pati
gjithashtu krijime letrare, të cilat u shpërndanë në dorëshkrim midis
bashkatdhetarëve. Kështu ndodhi, për shembull, me poemën “Shqipëria”, të
shkruar nga Naim Frashëri. Lëvizja letrare shqipe u zhvillua kryesisht
në gjininë e poezisë luftarake. Kjo u lidh me detyrat politike e
kulturore më të ngutshme që shtroheshin para lëvizjes kombëtare në
përgjithësi dhe Lidhjes së Prizrenit në veçanti. Si rrjedhim, tematika e
rrahur prej saj ishte po ajo që trajtoi edhe letërsia politike e atyre
viteve. Në çdo poezi spikat thirrja për bashkimin e shqiptarëve si një
trup i vetëm pavarësisht nga dallimet fetare. Të gjithë autorët e tyre
dënojnë armiqtë e atdheut - Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha,
monarkitë ballkanike dhe institucionet klerikale. Të gjithë lëshojnë
kushtrimin për të rrëmbyer armët jo vetëm për të fituar lirinë e
Shqipërisë, por edhe për të mbrojtur tërësinë e saj tokësore. Në të
njëjtën kohë ata ftojnë bashkatdhetarët e tyre për të shkruar gjuhën
amtare, lëvrimin e së cilës e vlerësonin si një armë të fuqishme jo
vetëm për përparimin e vendit, por edhe për thellimin e lëvizjes
atdhetare. Krijimi letrar më i frymëzuar i viteve të Lidhjes së
Prizrenit dhe në të njëjtën kohë një nga poezitë më përfaqësuese të
mbarë Rilindjes Kombëtare është poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës. Me
një pasuri figurash poetike, me një patos romantik atdhetar dhe me një
gjuhë të rrjedhshme, autori synon të ngrejë peshë zemrat e
bashkatdhetarëve në luftë për lirinë e atdheut. Ai e fillon poemën e vet
duke kundërvënë mjerimin e atëhershëm të Shqipërisë me madhështinë e
saj të dikurshme. Shqipëria, këndon poeti, dikur zonjë e nderuar, nënë
trimash të dëgjuar, të cilët në të kaluarën i kallnin tmerrin armikut,
tani ishte e shtrirë përdhe si një lis i lartë, gjithkush e shkelte me
këmbë trupin e saj dhe askush nuk e thoshte një fjalë të ëmbël për të.
Pse ndodhte kjo? Kjo ndodhte, theksonte autori, jo se shqiptarët e
kishin humbur trimërinë dhe atdhedashurinë e dikurshme, por se ishin të
përçarë nga institucionet fetare, se ishin të ndarë nga krerët në
njëqind “çeta” dhe, si rrjedhim, në vend që të bashkoheshin kundër
armiqve, luftonin kundër njëri-tjetrit. Pas tablosë dramatike, fillon
shpërthimi epik i poetit atdhetar, i cili i fton shqiptarët të lënë
mënjanë fetë, të bashkohen të gjithë si vëllezër, të lidhen të gjithë në
një besë, të rrëmbejnë të gjithë armët dhe “Para se të humbasë kështu
Shqipnia / Me pushkë në dorë le të vdesë trimnia”. Poema arrin pikën e
vet kulmore kur autori lëshon thirrjen për të mbrojtur me çdo kusht
tokën shqiptare: “Asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë / Kush mos e
preki! Të vdesim të tanë! / Të vdesim si burrat qi diqen motit”. Këtë
kalim nga nota heroike për të kalurën në gjëmën elegjiake për të
tashmen, e përdorën edhe autorë të tjerë të këtyre viteve, si Thimi
Mitkoja, Naim Frashëri dhe Nikolla Çako, pasi u jepte dorë që të ndiznin
me patos atdhetar zemrat e bashkatdhetarëve në luftën për çështjen e
madhe të Shqipërisë. Të gjithë krijuesit letrarë të periudhës së Lidhjes
së Prizrenit janë krenarë për të kaluarën e shqiptarëve, e cila zë fill
me pellazgët parahistorikë, ata krenohen për figurat e mëdha që kanë
hyrë në historinë e njerëzimit, si Aleksandri i Maqedonisë, Pirroja i
Epirit, sidomos Skënderbeu (që, siç theksonte Naim Frashëri, i dha
“dërmën” Perandorisë Turke) ose Marko Boçari (që, siç shprehej Nikolla
Çako, fitoi kundër “skllavërisë” osmane). Nëpërmjet këtyre evokimeve ata
i përgjigjeshin në të njëjtën kohë atij opinioni konservator evropian,
që e paraqiste kombin shqiptar si një popull pa histori. Madje, si
poetë, ata reagonin më me pasion sesa si prozatorë, duke arritur deri në
atë shkallë sa lashtësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk e
shprehnin me argumente historike, por me hiperbola letrare (për Naimin
Shqipëria ka qenë gjallë që kur u krijua bota, për Mitkon shqiptarët
kanë lindur para se të formohej hëna). Ashtu si Pashko Vasa, edhe poetët
e tjerë e përshkruajnë gjendjen e Shqipërisë së atyre viteve me ngjyrat
më të errëta. Ata kanë pika takimi edhe kur trajtojnë detyrat që
shtroheshin para vendit. Ç’na duhet trimëria, theksonte Naimi, në qoftë
se prej saj nuk fiton gjë Shqipëria? Madje, vijonte ai, sot Shqipëria ka
nevojë jo vetëm për trimërinë e bijve të saj, por edhe për diturinë e
tyre e në mënyrë të veçantë për lëvrimin e gjuhës amtare. Në një thirrje
të vargëzuar Thimi Mitkoja u kujtonte bashkatdhetarëve se për të
shpëtuar nga sundimi i huaj dhe për ta ndritur kombin e tyre, duhej të
luftonin për tri çështje: për lirinë, për vetëligjësinë (autonominë) dhe
për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç detyrës që ishte në rend të ditës -
mbrojtja e trojeve shqiptare. Madje, të pushtuar nga patosi atdhetar,
shpeshherë ata shkuan më larg se kërkesat që përmbante programi politik i
Lidhjes së Prizrenit. Në shumicën e rasteve ata u bënë thirrje
vëllezërve të tyre jo aq për “vetëligjësi”, sesa për “zbimin e Turqisë”
dhe “lirinë e Shqipërisë”, si në kohën e Skënderbeut. Karakteristikë
tjetër e përbashkët e poetëve të këtyre viteve ishte optimizmi për të
ardhmen e atdheut. Ashtu si në shkrimet politike, edhe në krijimet
letrare autorët ishin të bindur se, me djem trima si ata që luftuan në
Guci dhe me udhëheqës të ndritur si Abdyl Frashëri me shokë, Shqipëria e
robëruar dhe e prapambetur do ta fitonte një ditë lirinë e humbur e do
të hynte shpejt në rrugën e qytetërimit. Në një poezi greqisht, një poet
anomin e shprehte optimizmin e vet për luftën e mëtejshme të
shqiptarëve me këto katër vargje: “Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të
Madh / në Shqipëri, / Sa kohë që ata kanë moshën rinore / dhe shquhen
për trimëri, / Sapo të vijë pranvera dhe tërfili / të mbijë përsëri, /
Karejfili? i shqiptarit do të ushtojë / prapë për liri!”.
7. LUFTA PËR REALIZIMIN E AUTONOMISË DHE SHTYPJA E LIDHJES SË PRIZRENIT
Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së përkohshme (dhjetor
1880-janar 1881) Pas dorëzimit të Ulqinit forcat politike shqiptare dhe
veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përqendruan vëmendjen në dy
çështje kryesore: në atë të pretendimeve greke ndaj Çamërisë dhe në
problemin e të drejtave autonomiste të Shqipërisë. Në këtë periudhë u
rrit më tej vendosmëria e shqiptarëve për të mos i lëshuar Greqisë asnjë
pëllëmbë tokë të Çamërisë. Të gjitha forcat atdhetare kishin qëndrim të
njëjtë për këtë çështje, vijuan të kërkonin që Protokolli nr.13 të
korrigjohej në mënyrë të tillë që Greqia të kënaqej jo me vise
shqiptare, por me troje greke në Thesali. Edhe Porta e Lartë, duke qenë e
bindur se përdorimi i dhunës për t’i detyruar shqiptarët të hiqnin dorë
nga Çamëria do të shkaktonte një kryengritje të re, me përmasa të mëdha
në Shqipëri, po kundërshtonte zbatimin me forcë të këtij vendimi.
Stambolli u përpoq të përfitonte nga zvarritja e çështjes së Çamërisë
për të marrë masat për rivendosjen e autoritetit të tij të tronditur në
Shqipëri dhe për të shtypur lëvizjen autonomiste. Megjithëse krahu i
moderuar i Lidhjes Shqiptare hoqi dorë nga lufta për autonominë e
Shqipërisë, atdhetarët radikalë e vazhduan atë më me forcë pas ngjarjeve
të Ulqinit. Në një mbledhje të veçantë që u mbajt në Prizren në nëntor,
në të cilën mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, u vendos që ky (Abdyl
Frashëri) të nisej për në Stamboll për t’i paraqitur edhe njëherë Portës
së Lartë kërkesën për bashkimin e vilajeteve dhe veç kësaj kryengritja
kundërosmane të niste sapo të shihej se Porta e Lartë do të kalonte në
sulm kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qysh në javën e parë të
muajit dhjetor 1880 Porta e Lartë filloi të kalonte shkallë-shkallë në
sulm kundër lëvizjes autonomiste shqiptare. Goditjen e parë ua dha
forcave atdhetare në Shkodër. Menjëherë pasi përfundoi dorëzimin e
Ulqinit, Dervish Pasha u turr me egërsi të jashtëzakonshme kundër
organeve të Lidhjes së Prizrenit në vilajetin e Shkodrës, të cilat
arriti t’i shpërndante me terror, duke rivendosur pushtetin e
administratës centraliste osmane. Mareshali turk u tregua më i egër me
partizanët e lëvizjes autonomiste, sesa me pjesëmarrësit e luftës së
Ulqinit. Më 11 dhjetor ai arrestoi pabesisht dhe internoi në Anadoll
edhe figura të tilla si Hodo Sokolin e Preng Bibë Dodën, të cilët nuk
morën pjesë në luftën e Ulqinit, por ishin përkrahës të kërkesave
autonomiste, ndërsa Daut Boriçin e izoloi në Stamboll. Arrestime të
tjera ndërmori ai në qytetin e Shkodrës. Disa ditë më vonë Porta e Lartë
e thirri në Stamboll Dervish Pashën dhe i ngarkoi detyrën të hartonte
planin e një ekspedite të madhe ushtarake kundër Shqipërisë, për të
shtypur në mbarë vendin Lidhjen Shqiptare dhe prirjen e saj për
kryengritje të armatosur kundërosmane. Në relacionin që i paraqiti
sulltanit më 27 dhjetor, Dervish Pasha kërkonte që lëvizja autonomiste
shqiptare të shtypej para se të shpërthente një kryengritje e
përgjithshme e armatosur dhe për këtë qëllim të dërgoheshin në Shqipëri
40 batalione ushtarësh me dy qendra drejtuese, njëra në Shkodër, tjetra
në Shkup, që ekspedita ushtarake të fillonte në Veri dhe pas zgjidhjes
së çështjes së Çamërisë të shtrihej edhe në Shqipërinë e Jugut. Në të
njëjtën kohë sulltan Abdyl Hamiti II u drejtoi shqiptarëve një thirrje
të jashtëzakonshme, ku i cilësonte të gjithë ata që kërkonin krijimin e
një vilajeti të vetëm shqiptar si armiqtë më të rrezikshëm të
Perandorisë Osmane. Udhëheqësit shqiptarë i morën vesh synimet e
Stambollit, prandaj i shpejtuan përgatitjet për organizimin e aksionit
të armatosur autonomist. Sipas planit të tyre, ai do të fillonte në
vilajetin e Kosovës, do të shtrihej menjëherë në vilajetin e Janinës dhe
pastaj do të përhapej në viset shqiptare të dy vilajeteve të tjera. Në
Kosovë veprimet e armatosura filluan në sanxhakun e Prizrenit, qysh në
muajin dhjetor 1880, me një varg sulmesh nga ana e fshatarëve kundër
administratës osmane. Fill pas tyre u ngritën banorët e Prizrenit, të
cilët dëbuan nga qyteti mytesarifin e sanxhakut së bashku me nëpunësit e
huaj. Këtu mbërriti në ato ditë edhe Abdyl Frashëri, që u largua
fshehurazi nga Stambolli. Brenda pak ditëve qytete e krahina të tjera,
si Shkupi, Gjakova, Luma e Gucia, u çliruan e u pastruan nga
administrata perandorake dhe u bashkuan me pushtetin e ri që u ngrit në
Prizren. Vrulli i lëvizjes kundërosmane i nxiti udhëheqësit kryesorë të
rrymës radikale, të grumbulluar në Prizren, të bënin hapat e parë për
zbatimin e programit të tyre autonomist. Në fund të dhjetorit ata
riorganizuan Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare, ku mbeti shumica e
anëtarëve të mëparshëm, që ishin edhe ndër themeluesit e saj, si Ymer
Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra etj.
Komiteti Kombëtar mori vendime të rëndësishme: të përhapte kryengritjen
kundërosmane në krejt vilajetin e Kosovës dhe të thërriste mbledhjen e
Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare për të formuar qeverinë e
përkohshme. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare u mblodh në
Prizren në fillim të dhjetëditëshit të dytë të muajit janar. Në Kuvend
mbajti një fjalim programatik Abdyl Frashëri, në të cilin tha, midis të
tjerave: “Porta e Lartë nuk do që të bëjë asgjë për Shqipërinë. Ajo i
trajton me përbuzjen më të madhe si lutjet tona, ashtu edhe neve… Le të
mendojmë e le të punojmë për vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim
ndërmjet toskëve e gegëve. Të jemi të gjithë shqiptarë dhe të formojmë
një Shqipëri të bashkuar”. Me këtë formulim Abdyl Frashëri nënkuptonte
krijimin e “një shteti autonom shqiptar”, i cili, nëse nuk do të njihej
nga Stambolli dhe do të sigurohej me anën e kryengritjes së armatosur,
do të shpinte vetvetiu në shpalljen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.
Në përfundim të punimeve Kuvendi i Jashtëzakonshëm miratoi, me pak
ndryshime, Komitetin Kombëtar të mëparshëm të Lidhjes Shqiptare. Duke
marrë parasysh detyrën e re që shtrohej para vendit - zëvendësimin e
administratës osmane me administratën shqiptare autonome - Kuvendi e
veshi organin qendror të Lidhjes Shqiptare me funksione të plota
pushtetore. Për këtë qëllim ai e shpalli Komitetin Kombëtar qeveri të
përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin, nënkryetar Shuaip Spahiun dhe me
dhjetë anëtarë, midis të cilëve ishin Abdyl Frashëri, i ngarkuar për
punët e jashtme dhe Sulejman Vokshi, i ngarkuar për punët ushtarake.
Fill pas formimit të saj qeveria e përkohshme u përpoq ta përhapte
flakën e kryengritjes çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të
Kosovës e të shtrinte pushtetin e saj në gjithë vilajetin e Kosovës dhe
shkallë-shkallë edhe në tre vilajetet e tjera shqiptare. Në të njëjtën
kohë ajo iu përvesh organizimit të forcave ushtarake. Brenda pak ditëve u
formuan njësi ushtarake të rregullta dhe pranë tyre reparte shëtitëse
që do të shërbenin ku ta lypte nevoja. Në viset e çliruara u ngrit
menjëherë administrata shqiptare, e cila hyri nën vartësinë e qeverisë
së përkohshme të Prizrenit. Lëvizja e armatosur autonomiste u përhap me
shpejtësi edhe në viset e tjera të vilajetit të Kosovës. Në saje të
përkrahjes që gjetën në masat popullore, repartet e Lidhjes Shqiptare të
komanduara nga Sulejman Vokshi, më 4 janar shtinë në dorë Shkupin, më
18 janar çliruan pa luftë Prishtinën (kryeqendrën e vilajetit) dhe më 25
janar Mitrovicën. Ndërkohë u lidhën me qeverinë e përkohshme edhe
qytetet e tjera të vilajetit të Kosovës, si Peja, Ferizaj, Vuçiterna
etj. Nëpunësit e lartë turq u dëbuan nga të gjitha këto qendra, ku u
vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta turke u detyruan të
mbylleshin në pika të caktuara, prej nga nuk mund të dilnin pa dorëzuar
më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat hekurudhore në
mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e
trenave me qendër në Shkup mori urdhër të mos transportonte trupa e
municione për ushtrinë turke. Në shkurt autoriteti i qeverisë së
përkohshme u shtri në Tetovë, në Gostivar e në Dibër. Në Dibër dëbimi i
nëpunësve turq ndeshi në kundërshtimin e feudalëve sulltanistë, që
kryesoheshin nga Sadik pashë Hoxholli, të cilët, duke mos pasur
mbështetje në popullsinë vendase, thirrën në ndihmë dy batalione turke
nga Manastiri. Qeveria e përkohshme e Prizrenit dërgoi në Dibër Abdyl
Frashërin, që u vendos drejtpërdrejt në selinë e prefekturës, para së
cilës u mbajt një miting i madh. Duke iu përgjigjur thirrjes së Abdylit,
që në fjalën e tij u kërkoi dibranëve të bashkoheshin me qeverinë e
përkohshme, popullsia e Dibrës së Sipërme, qytetarë e malësorë, dëboi më
19 shkurt mytesarifin turk dhe vendosi pushtetin e Lidhjes Shqiptare.
Dibra u lidh kështu me qeverinë e përkohshme. Porta e Lartë u përpoq t’i
mbyste me anën e censurës lajmet mbi ngjarjet tronditëse që po
zhvilloheshin në Kosovë. Madje jo vetëm shtypi turk, por edhe shtypi
ndërkombëtar nuk botoi asgjë mbi këto ngjarje. Atdhetarëve shqiptarë nuk
u mbeti asnjë mjet në dorë për të njoftuar zhvillimin e lëvizjes
autonomiste, përveçse letrave personale që shkëmbenin fshehurazi
ndërmjet tyre. Në një letër të tillë që Sami Frashëri i dërgonte nga
Stambolli Jeronim de Radës në Itali në valën e këtyre ngjarjeve, më 20
shkurt 1881, shkruante: “Lidhja e Shqiptarëve që ka kërthizën në
Prizren, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë, që nga tre vjet e tëhu,
bashkimin e Shqipërisë me një provincë me autonomi; po mbretëria gjer më
sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë shqiptarët e kuptuan fort mirë
që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, dhe Lidhja e Prizrenit ka
nevojë të bashkojë Shqipërinë e ta bënjë një me autonomi, a mbase me
shkëputje fare pas punësë. Kështu Lidhja mori emrin e guvernës së
përdorme (qeverisë së përkohshme - shën. i aut.) dhe përzuri
guvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizreni, nga
Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10 000 shqiptarë të armatosur kanë
zënë Shkupin dhe udhënë e hekurtë; 10 000 të tjerë po bëhen gati për t’u
unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një kryengritje të madhe
në Shqipëri”. Në të vërtetë, në fund të shkurtit qeveria e përkohshme
arriti të shtrinte autoritetin e saj në katër nga pesë sanxhakët e
vilajetit të Kosovës (me përjashtim të Novi Pazarit): në të Prizrenit,
të Pejës, të Shkupit e të Prishtinës. Pushteti i ri u krijua nëpërmjet
shndërrimit të komiteteve të mëparshme të Lidhjes në organe pushteti në
çdo sanxhak. Po kështu ndodhi edhe me komitetet e kazave që vareshin nga
ato të sanxhakëve. Qeveria e përkohshme synonte ta shtrinte
kryengritjen e armatosur çlirimtare në krejt viset shqiptare, në
vilajetin e Shkodrës, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një kujdes të
veçantë i kushtoi ajo sanxhakut të Dibrës, si një hallkë që lidhte
gjithë trevat shqiptare. Veprimtaria e qeverisë së përkohshme u
përqendrua në ngritjen e forcave të armatosura shqiptare, në vendosjen e
rendit publik, në organizimin e administratës së re e sidomos të
gjykatave shqiptare (që u krijuan në çdo sanxhak duke zëvendësuar ato
osmane), në krijimin e një buxheti të shtetit shqiptar, nëpërmjet
përqendrimit në duart e Lidhjes të taksave shtetërore. Krahas veprimeve
ushtarake, të cilat çuan në çlirimin e shpejtë të vilajetit të Kosovës
dhe të disa viseve të vilajetit të Manastirit, qeveria e përkohshme i
kushtoi kujdes të veçantë edhe ngritjes së pushtetit të ri shqiptar.
Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga
funksionarët turq, por edhe nga ata sulltanistë shqiptarë. U morën masa
të rrepta kundër veprimeve arbitrare dhe shpërdorimit të funksioneve
pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm. Duke i dhënë një rëndësi të
madhe vendosjes së një qetësie shembullore, organet e Lidhjes Shqiptare
ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e arratisur. Masa të rrepta u
morën gjithashtu edhe kundër parisë reaksionare, që u përpoq të minonte
pushtetin e ri me veprimtarinë e saj armiqësore. Mjaft prej
përfaqësuesve të saj u arrestuan. Për sukseset që pati pushteti i ri i
vendosur nga Lidhja Shqiptare në viset e Kosovës, kryekonsulli
austro-hungarez raportonte nga Shkodra, më 5 mars 1881, midis të
tjerave: “ ... Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga Lidhja;
gjyqtar është një qytetar i Prizrenit; taksat që nxirren nga popullsia
derdhen në llogari të Lidhjes; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht.
Lidhja ka kujdes për mbajtjen e rendit qoftë në qytet, qoftë në fshat.
Sigurimi publik tani është shumë më në rregull se ç’ishte në kohën kur
administratën e drejtonin funksionarët e sulltanit”. Sukseset që arriti
lëvizja çlirimtare në Kosovë ngjallën një entuziazëm të madh në radhët e
atdhetarëve shqiptarë. Madje shumë prej tyre filluan të shpresonin se
me këtë hov që po merrte aksioni revolucionar çlirimtar po krijohej
mundësia për të fituar jo vetëm autonominë e Shqipërisë, por “mbase”,
siç shprehej Sami Frashëri ato ditë, edhe shkëputjen e saj të plotë nga
Perandoria Osmane. Në këto rrethana qarqet atdhetare filluan të mendonin
edhe për formën e qeverisjes që duhej të kishte shteti i ardhshëm
shqiptar. Lidhur me formën e regjimit, opinioni publik shqiptar anonte
kryesisht nga regjimi monarkist. Ai e përfytyronte Shqipërinë e lirë si
një principatë a si një mbretëri me një fisnik shqiptar ose të huaj në
krye. Sipas këtij koncepti, Shqipëria nuk duhej të bënte përjashtim nga
vendet e tjera të Ballkanit që u formuan si shtete monarkiste.
Përkrahësit e regjimit republikan ishin më të pakët. Ndër ta u shqua
Sami Frashëri, i cili propozonte për Shqipërinë një zgjidhje origjinale,
një republikë me një kryesi kolegjiale. “Në u bëftë dot Shqipëria më
vete, - shkruante Sami Frashëri në letrën e përmendur drejtuar De Radës,
- nuk do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë që të
na rrjepnë e të na pinë gjaknë. Vendi ynë mund edhe do të guvernohet
(të qeveriset - shën. i aut.) prej një farë dhimokratije, prej pleqet”.
Kjo pikëpamje për të vendosur në Shqipëri një regjim republikan me një
presidencë kolegjale përfaqësonte mendimin më përparimtar të shprehur
deri atëherë nga lëvizja demokratike shqiptare. Pas sukseseve që korri
lëvizja në vilajetin e Kosovës e në sanxhakun e Dibrës, pritej që ajo të
shtrihej edhe në viset e tjera të vendit. Në të vërtetë, në Shqipërinë e
Jugut atdhetarët prisnin çastin e përshtatshëm për t’u hedhur në
veprim. Shenjën do ta jepte Abdyl Frashëri në varësi të ecurisë të
bisedimeve turko-greke dhe të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë.
Meqenëse këtu Porta e Lartë kishte përqendruar forca ushtarake të mëdha
për të përballuar një sulm të mundshëm nga ana e Greqisë, qeveria e
përkohshme e Prizrenit filloi të përgatiste reparte vullnetarësh për të
ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës, sapo këta të hidheshin në
veprim. Por pikërisht ato ditë u krijua një gjendje ndërkombëtare shumë
e ndërlikuar, e cila e pengoi shtrirjen e lëvizjes në viset jugore.
Ngjarjet e reja në Shqipëri, të cilat po çonin në prishjen e status
quo-së në Evropën Juglindore, pra në ndryshimin e hartës politike të
Kongresit të Berlinit, shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe
Fuqitë e Mëdha. Shqetësimin e tyre e rriti më tej qëndrimi i Greqisë, e
cila, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, filloi ta kërcënonte
Perandorinë Osmane me luftë për ta detyruar që t’i lëshonte asaj
Çamërinë e Thesalinë. Ndërlikimet e mëdha që po krijoheshin në
Gadishullin Ballkanik nga sukseset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i
detyruan Fuqitë e Mëdha të ndërhynin energjikisht për t’i detyruar
Stambollin e Athinën që t’i jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek,
me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart të lira për të shtypur
Lidhjen e Prizrenit dhe kryengritjen e saj të armatosur. Për t’i bërë
ballë këtij komploti ndërkombëtar që po organizohej kundër Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit u orvatën
përsëri të siguronin një pikëmbështetje të jashtme. Rastin ua dha Greqia
me gatishmërinë e saj për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare me Abdyl Frashërin në
krye, u kthyen te projekti i tyre i vjetër për të lidhur një aleancë
politike e ushtarake me Greqinë, sipas së cilës, në përfundim të luftës
së përbashkët kundër Stambollit, Athina do të aneksonte provincën greke
të Thesalisë, kurse shqiptarët do të fitonin pavarësinë kombëtare në
kufijtë e tyre etnikë, duke përfshirë këtu edhe viset shqiptare të
Çamërisë. Në fillim qeveria e Athinës u tregua e interesuar për
bisedimet shqiptaro-greke, të cilat u zhvilluan në Korfuz. Por shpejt u
pa se ajo nuk kishte hequr dorë nga platforma e saj, që parashikonte
aneksimin e vilajetit të Janinës nga Greqia dhe bashkimin e Shqipërisë
me Greqinë në formën e një shteti dualist. Veç kësaj, ndërsa vijonin
bisedimet e Korfuzit, presioni i Fuqive të Mëdha ndaj Stambollit dhe
Athinës u rrit aq shumë, sa Porta e Lartë e qeveria greke u detyruan të
bënin lëshime dhe t’i jepnin fund grindjes rreth kufirit të tyre të ri.
Sipas protokollit, që u nënshkrua më 27 mars 1881, Perandoria Osmane
pranoi t’i lëshonte Greqisë pjesën më të madhe të Thesalisë, afërsisht
deri në lumin Selemvria dhe një pjesë shumë të vogël në këndin juglindor
të Epirit, konkretisht qytetin e Artës së bashku me rrethinat e tij. Ky
vendim i Fuqive të Mëdha u mor për shkak të qëndresës gati trevjeçare
të Lidhjes Shqiptare, e cila luftoi me vendosmëri për të mos lëshuar
asnjë pëllëmbë tokë shqiptare në vilajetin e Janinës (Epir). Qëndrimi i
Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare dhe ndërhyrjet e konsujve të
tyre kundër lëvizjes autonomiste ushtruan një ndikim negativ në
zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Shqipërinë e Jugut. Veç kësaj, me
nënshkrimin e marrëveshjes turko-greke, Athina nuk dëshironte më
trazira në vilajetin e Janinës. Madje tani lindi rreziku që, sapo të
shpërthente kryengritja autonomiste në Shqipërinë e Jugut, Greqia t’i
sulmonte shqiptarët prapa krahëve për të bërë aneksimin e vilajetit të
Janinës. Në këto rrethana atdhetarët shqiptarë të viseve jugore ngurruan
të fillonin veprimet kryengritëse kundër Portës së Lartë.
Betejat e fundit të Lidhjes dhe shtypja e saj (prill 1881) Sapo u
bind se çështja e kufirit turko-grek po hynte në rrugën e zgjidhjes,
Porta e Lartë mendoi se tashmë i kishte duart të lira për të shtypur me
forcë lëvizjen autonomiste shqiptare. Për këtë qëllim, disa ditë përpara
se të nënshkruhej protokolli i marrëveshjes së kufirit, ajo i dha
urdhër Dervish Pashës që të vinte në zbatim planin e ekspeditës
ushtarake kundër Shqipërisë. Atij iu dha grada e kryegjeneralit dhe
detyra e kryekomandantit të Rumelisë, domethënë të forcave të armatosura
të dislokuara në vilajetet e Kosovës, të Manastirit, të Janinës, të
Shkodrës e të Selanikut. Ekspedita e tij, e përbërë nga 30 batalione, do
të ndihmohej edhe nga garnizonet ushtarake të vendosura në qytetet e
Kosovës. Ekspedita do të kishte edhe 7 gjeneralë të tjerë nën komandën e
Dervish Pashës. Goditjen e parë ushtria osmane ia dha Komitetit të
Lidhjes Shqiptare në Shkup, të kryesuar nga Jashar bej Shkupi. Ky
komitet, ndryshe nga ata të qyteteve të tjera te Kosovës, nuk preku as
administratën osmane, as mytesarifin dhe as garnizonin turk të qytetit.
Ai nuk pengoi gjithashtu futjen e forcave të tjera ushtarake osmane më
27 shkurt 1881 dhe vendosjen këtu të Ibrahim Pashës si komandant i
garnizonit. Më 23 mars Ibrahim Pasha thirri në selinë e tij 11 anëtarët e
Komitetit të Lidhjes për Shkupin me Jashar bej Shkupin në krye, të
cilët i arrestoi pabesisht. Pushtimi i Shkupit, pati rëndësi të madhe
për forcat osmane, pasi për nga madhësia dhe pozita strategjike qyteti
ishte një pikëmbështetje e fortë për zhvillimin e ekspeditës së tyre në
mbarë vilajetin e Kosovës. Për këtë arsye, gjatë ditëve të mëvonshme u
shpërngulën nga Selaniku në Shkup forcat kryesore të ekspeditës
ushtarake osmane (30 batalione me rreth 20 mijë ushtarë). Më 7 prill
1881 arriti edhe vetë Dervish Pasha, i cili vendosi këtu shtabin e vet.
Në të njëjtën kohë aty u shpall shtetrrethimi dhe filluan arrestimet.
Për të ngjallur terror në popull, të gjithë anëtarët e arrestuar të
Komitetit të Lidhjes, pasi i shëtitën në rrugë të lidhur me hekura, i
dërguan në burgun e Selanikut dhe më vonë i internuan në ishullin e
Rodosit, në detin Egje. Sapo ra Shkupi, Lidhja Shqiptare lëshoi
kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët dhe për t’i bërë ballë
ekspeditës osmane. Qeveria e përkohshme formoi shtabin e mbrojtjes me
25 anëtarë, nga të cilët njihen deri më sot Sulejman Vokshi (që ishte
edhe komandant i tij), Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja,
Halim Efendiu, Zeqirja Aga, Mullah Hyseni, Mustafa Aga, Halil Efendiu
etj. Në kohën e fillimit të ekspeditës ushtarake shtabi kishte vetëm 5
mijë luftëtarë. Përpjekjet për mobilizimin e forcave të tjera nuk u
kurorëzuan me sukses. Qeverisë së përkohshme i mungonin edhe mjetet
financiare për armatimin dhe mbajtjen e tyre. Udhëheqësit e saj vendosën
t’i përqendronin forcat ushtarake në rrugën Ferizaj-Prizren dhe ta
zhvillonin luftën e armatosur në qafat e maleve midis Ferizajt e
Suharekës, të cilat kontrollonin rrugën nga mund të kalonte ushtria
turke për në Prizren. Për këtë arsye forcat e para vullnetare u
përqendruan kryesisht në dy pika strategjike: në Shtimje, ku u vendos
edhe shtabi i tyre nën kryesinë e Sulejman Vokshit; pjesa tjetër zuri
vend në pozita më të përparuara, në afërsi të fshatit Slivovë. Për të
siguruar ndërlidhjen e shpejtë të shtabit me Prizrenin, u ngrit me të
shpejtë në Shtimje një stacion telegrafik. Sipas planit të shtabit të
ushtrive shqiptare, në rast se qëndresa e Shtimjes do të thyhej, prita
tjetër kundër ushtrive osmane do të organizohej në Grykat e Carralevës.
Krahas përgatitjeve ushtarake, Lidhja e Prizrenit më 15 prill 1881 u
drejtoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, që
ishte dhe akti i fundit diplomatik i saj, me anën e të cilit, pasi
shprehte vendimin që kishte marrë për të mbrojtur me armë të drejtat
kombëtare, për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për ta futur
vendin në rrugën e përparimit e të qytetërimit, kërkonte ndërhyrjen e
kancelarive evropiane për të ndaluar ekspeditën ndëshkimore osmane. Por
pikërisht në këtë çast vendimtar u dukën pasojat e dëmshme të qëndrimit
të butë që kishte mbajtur qeveria e përkohshme ndaj forcave reaksionare,
të cilat u vunë në lëvizje për të penguar mobilizimin në masë të
forcave vullnetare dhe organizimin e shpejtë të qëndresës së armatosur.
Në këtë gjendje tensioni të jashtëm e të brendshëm, dy javë pasi ra
Shkupi, Dervish Pasha u dha urdhër ushtrive të veta të marshonin drejt
Kosovës dhe të zinin qytetin Ferizaj. Për të ngjallur terror në
popullsinë shqiptare, gjatë marshimit ushtria osmane, pasi theu
qëndresën e parë që ndeshi në Grykën e Kaçanikut, bombardoi me artileri
fshatrat që ndodheshin gjatë rrugës. Më 7 prill ajo hyri në Ferizaj. Të
nesërmen arriti këtu edhe Dervish Pasha së bashku me shtabin e vet. Sapo
u vendos në Ferizaj, ai u dërgoi një ultimatum forcave të Lidhjes duke i
kërcënuar se do të merrte masa ndëshkimore të rrepta kundër atyre që do
të qëllonin me armë ushtritë osmane. Krerët dhe vullnetarët e Lidhjes
nuk lëvizën nga pozitat e tyre. Vetëm disa krerë, midis tyre edhe Ali
pashë Gucia, u paraqitën te Dervish Pasha duke i shprehur besnikërinë e
tyre ndaj sulltanit dhe duke dënuar aksionin autonomist të Lidhjes së
Prizrenit. Dervish Pasha u përgatit për më shumë se dhjetë ditë para se
të nisej ekspedita nga Ferizaj në Prizren. Pasi dështuan orvatjet e tij
për të përçarë udhëheqësit e Lidhjes, ai ndërmori për katër ditë me
radhë (16-19 prill) disa operacione ushtarake të kufizuara për të
zbuluar numrin e vullnetarëve shqiptarë dhe pozitat e tyre. Më 20 prill
1881 ushtritë osmane të ndara në dy kolona morën urdhër të fillonin
sulmin kundër forcave shqiptare të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje.
Ndeshja e parë me ushtritë osmane ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe
pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre shqiptarët e
ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua
kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u
shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori,
Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa
luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës
ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte të sulmonin dhe
të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve.
Por të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic
Sokolin, u vranë përpara grykave të topave të artilerisë osmane.
Përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me
gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në
Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit. Beteja e
dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet
qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat
vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit
shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të
tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë,
por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i
armëve të tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në
drejtim të Suharekës. Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët
patën shumë të vrarë e të plagosur: turqit rreth 800 veta, ndërsa
shqiptarët 1 200 veta. Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare u bënë më
22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e
Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e
tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu
qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe
me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe
bëri arrestime të shumta. Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetëm që
të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe
idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për
formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi
qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e
dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës,
të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj.,
si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të
nënshkruanin një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare
dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën
e quante një akt armiqësor. Këtu erdhën kryesisht krerët sulltanistë
dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali pashë Gucia,
Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Dervalla dhe Esat pashë Tetova, të cilët
e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e
moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga
sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali pashë Gucia etj., u
emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës
e të Manastirit. Epërsia e ushtrisë osmane, kapitullimi i elementëve të
moderuar dhe pushtimi i shpejtë i Prizrenit shkaktuan tronditje të
thellë në opinionin publik të vendit. Megjithatë, udhëheqësit e Lidhjes
vendosën ta vazhdonin më tej qëndresën kundër ushtrive osmane. Vatrat e
qëndresës tani duhej të organizoheshin në Gjakovë e në Dibër. Për
organizimin e tyre shkuan Sulejman Vokshi në Gjakovë dhe Abdyl Frashëri
në Dibër. Sipas planit të ri, forcat dibrane duhej të sulmonin Shkupin
për t’u marrë krahët ushtrive osmane, gjë që do të ndihmonte vullnetarët
gjakovarë të kundërsulmonin për të rimarrë Prizrenin. Por në Dibër
Abdyl Frashëri gjeti një gjendje të ndryshuar. Këtu dibranët nuk deshën
të largoheshin nga Dibra për të luftuar kundër Dervish Pashës në Kosovë,
sepse mendonin se forcat turke do të sulmonin fshatrat rreth qytetit.
Prandaj malësorët dibranë vendosën që ta kundërshtonin ushtrinë osmane
në viset e tyre. Në Gjakovë Sulejman Vokshi gjeti kushte më të
favorshme. Me gjithë reaksionin e disave prej parisë feudale, qyteti e
malësia ndodheshin ende nën autoritetin e degës së Lidhjes Shqiptare.
Udhëheqësit e saj arritën të mobilizonin forca të shumta, sidomos nga
radhët e malësorëve të Krasniqit e të Gashit. Por vullnetarët e
mobilizuar nuk ishin të mjaftueshëm për një sulm kundër Prizrenit. Si
rrjedhim, edhe forcat gjakovare qëndruan në mbrojtje të krahinës së
tyre. Vendosmëria e tyre e detyroi Dervish Pashën të priste ardhjen e
forcave të tjera përpara se të ndërmerrte sulmin kundër Gjakovës. Sulmi u
zhvillua një muaj më vonë, në maj 1881. Pasi morën Gjakovën, ushtritë
osmane shtinë nën kontrollin e tyre të gjitha qytetet e tjera të
Kosovës. Por në malësitë e Gjakovës, të Dibrës e të Lumës qëndresa e
armatosur kundër ushtrive osmane vazhdoi me sulme e kundërsulme nga të
dyja palët, deri në vjeshtë 1881. Në përfundim të ekspeditës ushtarake
osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shpërnda. Pushtetin në vilajetin e
Kosovës e mori kudo administrata e Portës së Lartë. Vendosja e saj u
shoqërua me një terror të pashembullt për Shqipërinë. Dervish Pasha
arrestoi dhe dënoi pa gjyqe rreth 7 mijë veta, udhëheqës e veprimtarë të
Lidhjes, 3 mijë në Kosovë dhe 4 mijë në vilajetet e Shkodrës, të
Manastirit e të Janinës. Midis të vrarëve në luftimet që u bënë në
Slivovë e në Shtimje, përveç Mic Sokolit, qenë edhe veprimtarë të tjerë
të Lidhjes dhe luftëtarë të ushtrisë së saj, si Rustem Sadria, Seit
Suhareka, Mehmet Smaili, Ali Ibrahimi e të tjerë, ndërsa nga ata që u
kapën dhe u ekzekutuan pa gjyq Ali Nimani (oficer karriere), Mulla
Hyseni e Sef Kosharja. Dervish Pasha u përpoq të shtinte në dorë me çdo
kusht udhëheqësit e lëvizjes autonomiste shqiptare dhe të qëndresës së
armatosur kundërosmane. Kryetari i qeverisë së përkohshme, Ymer
Prizreni, u fsheh për disa kohë në Malësinë e Gjakovës, pastaj mërgoi në
Mal të Zi (Ulqin). Ai nuk pranoi asgjë nga ofertat për falje e për
ofiqe të larta që i dha sulltani dhe qëndroi në mërgim derisa vdiq
(1884). Sulejman Vokshi qëndroi gati pesë vjet i arratisur gjithashtu në
Malësinë e Gjakovës. Gjatë kësaj kohe ai organizoi një kryengritje
tjetër kundër pushtuesit osman, që shpërtheu në Kosovë më 1885. Me
shtypjen e saj u kap dhe u dënua rëndë. Abdyl Frashëri u nis në këtë
kohë për në Shqipërinë e Jugut. Por Dervish Pasha, i cili donte ta
shtinte me çdo kusht në dorë, u dha urdhra të rreptë organeve të
xhandarmërisë turke për të zënë të gjitha shtigjet nga mund të kalonte
ai drejt jugut dhe caktoi një shumë të madhe për atë që do ta kapte të
gjallë ose të vdekur. Abdyli u shpëtoi ndjekjeve qeveritare gjatë
udhëtimit të fshehtë në rrethet e Dibrës, të Matit, të Krujës e të
Tiranës, por në kohën kur po kapërcente Shkumbinin, në vahun e fshatit
Buqës, afër Elbasanit, u kap nga një patrullë turke dhe u dërgua në
Prizren. Këtu u dënua nga një gjyq special me vdekje, dënim i cili u
kthye në burgim të përjetshëm. Abdyli u mbajt tre vjet i burgosur në
kalanë e Prizrenit, pastaj u internua së bashku me familjen në zonën e
Marmarasë. Duke qenë i sëmurë rëndë nga vuajtjet në burg dhe në
internim, Abdyl Frashëri u lejua më 1886 të kthehej në Stamboll, ku
jetoi i izoluar nën vëzhgimin e policisë derisa vdiq më 1892. U
arrestuan gjithashtu udhëheqës të tjerë të Lidhjes, si Shuaip Spahiu,
Zija Prishtina, Omer efendi Narta, Jusuf Dohoshishti etj., që u dënuan
me burgime e internime të rënda. Të njëjtin qëndrim Porta e Lartë mbajti
edhe në vilajetin e Janinës. Edhe këtu, pasi u dënuan veprimet e
lëvizjes atdhetare, valiu i vilajetit, Mustafa Asim pasha, në fillim të
muajit thirri në një mbledhje të posaçme në Prevezë të gjithë anëtarët e
degëve të Lidhjes Shqiptare të krahinave të Jugut (49 veta) për të
dënuar idenë e autonomisë së Shqipërisë. Ashtu si në Prizren, edhe në
Prevezë, krerët që nuk pranuan të hiqnin dorë nga kërkesa për formimin e
një vilajeti të vetëm shqiptar, si Mustafa Nuri Vlora, Omer pashë
Vrioni, Mehmet Ali Vrioni, Dalip bej Përmeti, Seit bej Gjirokastra,
Sulejman bej Dino, Qazim bej Preveza etj., u arrestuan pabesisht dhe u
internuan në Çanak-Kala. Pas valës së burgimeve dhe të internimeve,
Dervish Pasha iu përvesh detyrës së tretë me të cilën e kishte ngarkuar
Porta e Lartë, funksionimit të rregullt të administratës shtetërore
osmane dhe në mënyrë të veçantë çarmatimit të popullsisë, vjeljes së
taksave, rekrutimit të nizamëve dhe ngritjes së gjykatave perandorake në
të gjitha trojet shqiptare. Për plotësimin e kësaj detyre ai qëndroi në
Shqipëri bashkë me forcat e tij deri në fund të vitit 1881. Por, me
gjithë terrorin e egër, Porta e Lartë nuk arriti ta nënshtronte
plotësisht vendin. Ajo nuk mundi ta shuante idenë që kishte pushtuar
masat popullore për autonominë e Shqipërisë, as aspiratën e tyre për
zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare. Administrata centraliste
osmane u vendos vetëm në qytete e në fshatrat fushore. Fshatrat e viseve
malore nuk pranuan as të dorëzonin armët, as të jepnin taksa, as të
shkonin nizamë. Çështja e taksave, e nizamëve dhe e armëve mbetën një
plagë e hapur për Portën e Lartë. Në kuadrin e lëvizjes autonomiste
shqiptare ato u bënë shkak për shpërthimin e konflikteve të reja
ndërmjet popullit shqiptar dhe pushtuesve osmanë.
Rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Lëvizja
kombëtare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lindi nga
vrulli atdhetar i shtresave më të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë
dhe u zhvillua në truallin historik të përgatitur gjatë dhjetëvjeçarëve
të mëparshëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo shënoi një
hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave
politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të
dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje
çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha
krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e
luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat
politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura.
Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin
madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të
viteve 70 të shek. XIX - njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të
pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një
shteti shqiptar autonom e demokratik. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
shënonte, si organizatë, një hap të madh cilësor nga pikëpamja e
funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës
në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë
kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e
para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të atdheut
krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit
ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me
funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një
qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga
autoriteti i Perandorisë Osmane. Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë
të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive
fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë. Nën udhëheqjen e atdhetarëve më
të përparuar ajo mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i
izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një
fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë
të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj
më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare. Lidhja e
Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit
të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga dhuna
ushtarake dhe nga terrori policor i Perandorisë Osmane. Në të vërtetë
ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj
Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me
rëndësi të madhe historike. Gjatë viteve 1878-1881 u bënë hapa më të
mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të
shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore,
shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme
kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës
së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe
për të formuar shtetin kombëtar shqiptar. Me qëndresën e armatosur që
zhvilloi për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të
Kelmendit e të Ulqinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi se trojet
shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu për të kënaqur
interesat e Fuqive të Mëdha ose lakmitë pushtuese të monarkive fqinje.
Madje, në saje të kësaj qëndrese ajo i detyroi Fuqitë e Mëdha jo vetëm
të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre në lidhje me përfitimet e
Malit të Zi në dëm të trojeve shqiptare, por edhe të hiqnin dorë
përfundimisht nga lëshimi i Çamërisë shqiptare në dobi të Mbretërisë
Greke. Me karakterin kombëtar që përshkoi veprimtarinë e saj trevjeçare,
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përmbysi tezën që mbronin Fuqitë e Mëdha
dhe shtetet fqinje ballkanike, sipas së cilës mohohej ekzistenca e
kombit shqiptar; ajo vërtetoi në shkallë ndërkombëtare se populli
shqiptar ishte një komb i formuar, liridashës, atdhetar, me aspiratat e
veta dhe i vendosur për të krijuar shtetin e vet kombëtar. Edhe pse
shqiptarët nuk i fituan gjatë Krizës Lindore të drejtat e tyre
kombëtare, në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit çështja shqiptare
hyri tanimë në veprimtarinë diplomatike ndërkombëtare si një nga
problemet e mprehta që kërkonte zgjidhje në çdo rregullim të ardhshëm të
Evropës Juglindore. Me veprimtarinë pushtetore, që zhvilloi sidomos
gjatë muajve të fundit të jetës së saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit
hodhi gjithashtu poshtë tezën tjetër të propaganduar aq shumë nga
armiqtë e Shqipërisë mbi paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje dhe
provoi në truallin konkret se ata tashmë ishin të përgatitur politikisht
për të pasur shtetin e tyre kombëtar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit i
dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore
shqiptare; përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në
fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të
krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë
dhjetëvjeçarëve të mëparshëm. Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një
pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me
formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të
shqiptarëve deri në fitoren e pavarësisë kombëtare, në nëntor të vitit
1912. Nga ana tjetër, Lidhja e Prizrenit u dha shqiptarëve edhe një varg
mësimesh të rëndësishme. Sukseset e saj treguan se autonomia e
Shqipërisë ishte një synim i realizueshëm, por shtypja e saj tregoi se
fitorja përfundimtare e autonomisë kalonte nëpër rrugë të vështira dhe
se duheshin përpjekje të tjera vigane për arritjen e saj. Historia e
Lidhjes tregoi se pengesa kryesore për krijimin e shtetit kombëtar
shqiptar nuk vinte vetëm nga Perandoria Osmane, por edhe nga faktori
ndërkombëtar. Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta
zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore
e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar
përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të atyre që kishin filluar të
anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare. Lidhja
provoi gjithashtu se brenda vendit Lëvizja Kombëtare Shqiptare
mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te
shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave
shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e
përkatësie shoqërore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
tregoi, më në fund, rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme
çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare
nëpërmjet shkollës shqipe, të letërsisë shqiptare dhe të publicistikës
patriotike.
 |
Fillimet e Rezistencës Shqiptare
Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit
1878,
në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes
shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët
radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj
udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë
shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i
jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj
përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i
cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e
përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën e vitit 1878, e besëlidhjeve
lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e
udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm dhe
organizimi me sukses i punimeve të tij. Nismën për thirrjen e Kuvendit
të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar
reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit
vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend
për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe
një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të
krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për
mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të
veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm,
shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet
tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen për
mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga
përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej
Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i
vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit. Lëvizja për
thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë
të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më
13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për
të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset
shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të
Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët
sulltanistë. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur
mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të
përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake
(bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft
pashallarë e bejlerë sulltanistë. E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në
Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por
ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë
qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të
dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej
Gucinë,
Abdyl Frashërin,
Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën,
sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj
të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i
detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike
ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të
qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të
ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por
ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato
ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të
përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me
rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më
10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë
delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të
Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk,
Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë
(njëri nga të cilët ishte
Abdyl Frashëri),
pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme
dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e
delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e
hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra,
shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues
të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e
zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete
të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në
jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet
kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të
monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë
në Kuvendin e Përgjithshëm njihen : Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra,
Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të
Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni,
Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda,
Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj. Në
Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e
sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i
filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u
paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13
qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga
sallat e medresesë së ndërtuar në
shek. XVII
nga Mehmet Pasha ; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose
Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u
zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku)?. Delegatët që
morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të
ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të
kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur
tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që
u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik
të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje
që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një
Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe nga këta, delegatët, që i
takonin krahut sulltanist, u përpoqën që organizata që do të themelohej
të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia
nënshtronin atë interesave të Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në
Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u
mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl
Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i
vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes
kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si
një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit.
Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim
hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar
që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe
stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe
jashtë sallës. Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin
në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe
me trysninë e autoriteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga
mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishën në këtë
tubim. Të dyja këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve
në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi
misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte
vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak,
të një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë
të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër
detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë
Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të
Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave
shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me
formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së
cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes
ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e
Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes
ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e
tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për
ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një
organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj,
pati një karakter atdhetar. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u
formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i
Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i
cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë
Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i
Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një
përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri),
komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të
ardhurave financiare (Sulejman Vokshi). Krijimi i organeve të larta të
Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin
një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u
hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga
ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të
organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e
Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve
të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e
plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e
besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar
mbi platformën rilindëse.
Lufta e Armatosur e Lidhjes
Sipas vendimeve të kuvendit
Forcat e Armatosura të Lidhjes së Prizrent duhej të ishin diku 190.000 trupa të organizuar në 380 batalione.
-
Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në
Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes,
që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes
Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të
posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Për të shpejtuar
lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën
telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin
sekret telegrafik.
Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali
Mehmet Ali pashë Maxhari
si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i
shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të
shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte
dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në
zbatimin e Traktatit të Berlinit.
Aksioni i Gjakovës
Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë
në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes
Shqiptare. Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri
batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në
ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator
në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte
që t’i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një
qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes,
Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u
bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga
patriotët e vendosur
Sulejman Vokshi
e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej
rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e
Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu
përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e
Ali pashë Gucisë,
ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej
Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu
marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në
Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë,
po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të
armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare,
lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah
pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh
u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni dhe i dha një ultimatum prej
24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët
shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet,
me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t’u vinin nga
Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin
kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i
Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.
Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500
kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja
ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë
një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat
vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat.
Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të
rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u
dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë
Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë
shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi
të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e
kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj
kryengritësit arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe
Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e
tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare.
Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të
rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta.
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë
-
Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në
kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e
Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të
armatosura.
Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3
tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali
pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare
për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës.
Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi
Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i
jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të
cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi.
- 31 tetor - 1 nëntor
Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit,
knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31
tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin
vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e
shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të
Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në
këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por
pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë
këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa
ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të
madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të
tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës.
Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së
Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre
drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për
t’i sistemuar. Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë
rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e
Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci,
Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe
shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej
druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare
dominonte pllaja e Plavës.
- 4 dhjetor 1879
Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e
Mark Milanit,
ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të
Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga
Ali Pashë Gucia (kryetar),
Jakup Ferri,
Sulejman Vokshi,
Haxhi Zeka,
Filip Çeka,
Jusuf Sokoli
e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u
përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të
ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta
malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy
palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me
trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes
ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në
Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe
pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të
nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në
lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto
luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes,
Jakup Ferri.
Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht
knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha.
Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes
Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të
muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria
malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë
Plavës e Gucisë
Shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, përqendroi në zonën
kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë
vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta.
- 6 janar - 9 janar
Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit forcat
vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin
sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses
përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një
sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin
shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi
Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën.
Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të
tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në
verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda
ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të
sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e
tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar
nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës,
shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut
që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë.
Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani
dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e
trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u
detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë
malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë
në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë.
Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj
përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në
Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte
përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi
forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze,
të tërhiqeshin në kufirin e vjetër.
Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në
njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të
shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt
Asllanin e Nure Kurtin.
Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar
veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në
këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi
nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve
qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin
veprimet e mëtejshme luftarake.
Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës
Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e
Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion
drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin
armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta
miratonin projektin “Korti”.
Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, formoi Shtabin
Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për
mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu kolonel
Hodo Sokoli me anëtarëve si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef
Simoni, Selim Gjyrezi etj., dhe krerë malësorë si Dedë Gjoni dhe Ismail
Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe
Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj.
Më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin
italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në
vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre
viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.
Më 19 prill 1880 Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta deklaruan se
nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në
vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u
bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e
Veriut.
Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen,
disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të
cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin,
u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit,
trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i
takonin Malit të Zi. Forcat shqiptare i zunë këto pika para se të
afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë
rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të
kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.
Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek
Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën
me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra
qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët
e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë
malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim
kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër
pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill
përleshja e armatosur ndërmjet tyre.
Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së
Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të
furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg
të Selishtit. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht.
Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë,
duke lënë disa të vrarë e të plagosur.
Duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze,Komiteti
Ndërkrahinor i Shkodrës vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe
të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur
pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan
krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e
pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në
drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me
qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si
bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të
mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.
Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla
protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë
osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte
forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze.
Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën
kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë
të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur
në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi
Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me
afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e
artileri.
Shtabi i Shkodrës dhe Shtabi i Kosovës i propozojnë Komitetit
Kombëtar të Lidhjes për sulm, mirpo Komiteti nuk e refuzonë lëtë me
mendimin që presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot
e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të
rishikonin Protokollin e Stambollit
Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i
Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e
Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të
Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e
tij.