Kohe me pare doli nga shtypi libri i Prof. as. dr. Myrvete Dreshaj - Baliu,
Jusuf Gervalla -jeta dhe vepra. Vepra eshte sinteza me e mire e shkruar
deri me tash per jeten dhe vepren letrare te Jusuf Gervalles.
Libri ka
255 faqe.
PARATHËNIE
Tema
e lidhur me emrin e Jusuf Gërvallës, fillimisht vetëm me jetën e tij,
më ka nxitur të merrem që kur isha nxënëse dhe prej saj nuk kam mundur
të lirohem as si gjimnaziste, kur bashkë me disa shokë e shoqe kishim
themeluar një grup politik në frymën e idealeve dhe të idealistëve si
ai, as si studente kur dijes sime, përtej biografisë së tij jetësore, i
ishte shtuar edhe biografia e tij intelektuale dhe krijuese. Kjo mund të
duket mbase krejt personale, por duke dëgjuar fillimisht tregimet e
bashkëkohësve për misionin e tij dhe duke dëgjuar më vonë rrëfimet e
nënës Ajshe për fatin tragjik të familjes së saj, nuk kam mundur të mos e
ndërtoj edhe unë një botë më vete për historinë e tij jetësore,
familjare dhe më në fund kombëtare. Që nga
manifestimet përkujtimore, (të filluara së pari si aktivitet kombëtar
dhe së dyti si aktivitet kulturor, që më 1988) kur fillova t’i recitoj
poezitë e tij dhe të shkruaj më vonë për veprën e tij (në temën e
diplomës së Universitetit të Prishtinës), ngacmimi më shfaqej veçmas në
çaste ballafaqimi me nënën e tij. Nga ajo kisha dëgjuar, në një qetësi
dhe krenari, për fëmijërinë, për fatin tragjik të familjes dhe sidomos
për misionin e tij. Ishin disa rrëfime, të cilat, në fund të fundit, nuk
dilnin jashtë kornizave të baladave e këngëve të lashta, që vinin nga
thellësia e botës shqiptare, duke u përsëritur nga brezi në brez deri
në fund të shekullit XX.
Nga
ajo që kisha dëgjuar nga miqtë, kolegët dhe bashkëveprimtarët e
Lëvizjes ilegale për rolin e shum-anshëm të tij në procesin e
rezistencës së popullit të robëruar të Kosovës dhe të luftës për liri e
pavarësi, biografia e tij më së miri më reflektonte gjeniun e krijuesit
dhe ashpërsinë e konfliktit të tij e të popullit të tij me pushtuesin,
të cilat realizoheshin njësishëm brenda vetes. Përmasa e angazhimit të
tij më dilte e shumanshme: publicist, përkthyes, krijues, veprimtar i
shquar i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë dhe në mërgatë, si dhe organizues e
ideolog i saj.
Ndoshta
mu për këtë, fati i këtij autori dhe reflek-timi i jetës dhe i veprës
së tij në ndërtimin e kësaj monografie, ndeshen me një element të
përbashkët, me kujtesën time dhe me ndikimin e saj në këtë proces
krijues. Ky element, si shenjë e kujtesës së përbashkët për veprimtarinë
brenda së njëjtës Lëvizje, mund të jetë veçoria personale, që në këtë
rast na bashkon si objekt dhe si subjekt.
Në
këtë rrjedhë, interesimi im për t’u marrë me hulumtimin dhe me studimin
e veprës jetësore, intelektuale dhe letrare të Jusuf Gërvallës, lidhet
me përpjekjen time për ta rikthyer atë si objekt kërkimi, në kohën kur
për studimin e jetës dhe veprës së tij ende mungonte guximi i
mjaftueshëm intelektual dhe qytetar ndër studiuesit dhe ndër
institucionet tona shkencore. Vepra e tij letrare
ishte bërë objekt i kritikës vetëm deri në vitin 1979 (Ali Aliu, Emin
Kabashi, Teki Dervishi e Sylejman Syla), por pas largimit nga Kosova, në
jetën kulturore e letrare ishte kthyer pjesërisht vetëm në Tiranë
(Ismail Kadare, Pandeli Koçi, Ramadan Vozga e Lumira Berati), ku ishin
botuar edhe dy vepra letrare të tij: Bekimi i nënës (përmbledhje me poezi të zgjedhura) dhe romani Rrotull.
Ai do të rikthehet në letrat shqipe në Kosovë vetëm pas vitit 1990, kur
do të botohen shumë shkrime rasti, me theks të veçantë për aktivitetin e
tij politik dhe kur do të botohen disa prej vlerësimeve më të plota për
veprën e tij letrare-artistike nga veprimtarë dhe studiues: Kadri
Rexha, Sabri Hamiti, Hydajet Hyseni, Agim Vinca etj.
Pavarësisht
nga këto, veprimtaria e tij jetësore dhe sidomos vepra e tij krijuese,
ende nuk janë bërë objekt i një studimi më të thelluar apo i një
monografie të plotë, prandaj këtë përpiqet ta arrijë studimi ynë.
Pas
viteve nëntëdhjetë një numër i studiuesve dhe i kritikëve shqiptarë, në
vazhdimësi kanë botuar studime në trajtën e monografive për vepra,
autorë e çështje të ndryshme të letërsisë shqipe. Këto monografi
studimore janë kryesisht të trashëgimisë letrare, por më së shpeshti të
autorëve të ndaluar për një gjysmë shekulli. Studimet, zakonisht kanë
karakterin e rivlerësimeve letrare e historike dhe të paraqitjes për
njohje, vlerësim dhe vendosje të autorëve e veprave në kontinuitetin e
vlerave letrare shqipe. Edhe qëllimi ynë është që në rrjedhat e këtij
kontinuiteti të shprishur me kritere jashtëletrare, ta rivendosim edhe
Jusuf Gërvallën (me pjesën më të madhe të veprës letrare të botuar dhe
të mbetur në dorëshkrim) me një studim që është e zakonshme
t’i rrijë pranë veprës. Jo thjesht, për të shtuar një emër në listën e
shkrimtarëve të përmendur, që bëjnë historinë e letërsisë shqipe, por në
radhë të parë, për të hapur për diskutim artin krijues letrar të Jusuf
Gërvallës. Po e bëjmë këtë me qëllim që të mos na ngjajë, si rëndom, që
ndaj vlerave krijuese letrare të reagojmë me vonesë.
Pra,
projekti ynë synon që Jusuf Gërvallën ta shpërfaq jo vetëm si veprimtar
të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe si emër të dalluar
të letrave shqipe. Nëse jetën e tij e shohim të arsyeshme që ta
paraqesim përmes pjesës së parë dhe brenda tre kapitujve: Jetës, Kulturës dhe Mitit të vrasjes, veprën e tij letrare e shohim të arsyeshme që ta vlerësojmë përmes tri njësive: Poezisë, Prozës dhe Dramës. Kjo vepër ka edhe një shtojcë që përmban të hulumtuar mjaft shterueshëm Bibliografinë përmbajtësore të botimeve të tij.
Një numër i madh i këtyre teksteve (kryesisht nga
publicistika) nuk kanë mundur të komentohen brenda studimit, sigurisht
për shkak se ato nuk kanë ndonjë rol të veçantë për qasjen e tashme, por
kanë rëndësi për opusin e përgjithshëm krijues të tij, prandaj
bibliografia përmbajtësore e botimeve është dhënë në pjesën e tretë si
evidencë e zgjeruar. Arsyeja e një
paraqitje të tillë ka qenë fakti se sot, përkundër një numri të madh të
shkrimeve kryesisht publicistike për Jusuf Gërvallën dhe veprimtarinë e
tij, vepra e tij jo vetëm nuk është botuar e plotë, por është e panjohur
në disa aspekte të saj. Në këtë bibliografi, në interes të krijimit të
një pasqyre më të plotë, sidomos të mendimit të tij politik, kemi
paraqitur edhe elementet ndihmëse të teksteve, si: mbititujt, nëntitujt,
mestitujt, hyrjet ose rezymetë e tyre.
Në
fund të kësaj parathënie nuk mund të mos i përmend vështirësitë e dala
gjatë hulumtimit dhe grumbullimit të materialit. Jeta e tij në shumë
aspekte, aq sa ka qenë e njohur, po aq ka qenë edhe e panjohur,
pavarësisht se për jetën ka shumë tekste të publikuara, kryesisht në
përvjetorët e vrasjes së tij. Mirëpo, dokumentet autentike (materialet e
Lëvizjes, letërkëmbimi, dorëshkrimet, shtypi ilegal) ishin të
shpërndara kryesisht në mërgatë dhe në Tiranë. Në diasporë (në arkiva
private) gjendet pjesa më e madhe e literaturës që lidhet me
veprimtarinë politike të Lëvizjes Kombëtare për çlirim, anëtar i së
cilës ka qenë edhe Jusuf Gërvalla. Për këtë arsye jam detyruar që të
shfrytëzoj disa forma të kërkimit. Në Tiranë kam hulumtuar në Arkivin
Shtetëror, Bibliotekën Kombëtare dhe në arkivat e disa punonjësve
shkencorë dhe të kulturës; në Prishtinë kam hulumtuar Arkivin e Kosovës
dhe Bibliotekën Kombëtare, arkivin e të përjavshmes “Zëri i rinisë”,
arkivin e të përditshmeve “Flaka e vëllazërimit” dhe “Rilindja” etj.,
ndërsa nga mërgata kam marrë kopjet e dokumenteve dhe të shtypit të
Lëvizjes: “Zëri i Kosovës”, “Liria”, “Lajmëtari i lirisë“ dhe
“Bashkimi”.
Me
këtë rast e ndjej të nevojshme t’ju shpreh mirënjohje të gjithë atyre
që në çfarëdo mënyre më kanë dalë në ndihmë për hulumtimin dhe
grumbullimin e materialit: drejtorit të Arkivave të Shqipërisë prof. dr.
Shaban Sinanit, drejtorit të Arkivave të Kosovës, dr. Jusuf Osmanit, si
dhe punonjësve të këtij institucioni: Ismail Ismailit, Fikrije
Berishës, Fatime Sylejmanit; punonjësve të Bibliotekës Kombëtare: Tahir
Foniqit dhe dhe të tjerëve; punonjëses së bibliotekës së Institutit
Albanologjik, z.Shpresa Krasniqit, studiuesve, publicistëve e
pjesëtarëve të Lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës brenda dhe jashtë
vendit: Fahridin Tafallarit, Kadri Rexhës, Ibish Nezirit, Hasan
Ukëhaxhës, Zymer Nezirit, Reshat Sahitajt, Behare Rexhepit, Musa
Berishës,
Skënder Blakajt, Xhevë Gërvallës etj.; ndërsa respekt të veçantë ju
shpreh lexuesve të parë të dorëshkrimit: akademik Rexhep Qosjes (kryetar
i Komisionit për mbrojtjen e tezës së magjistraturës), prof. dr. Emin
Kabashit (mentor) dhe prof. dr. Agim Vincës (anëtar i Komisionit),
sugjerimet e të cilëve më ndihmuan t’i jap formën përfundimtare këtij
projekti.
- Myrvete Dreshaj- Baliu është e lindur më 05.04.1966 në Tedel (Vrellë) të Burimit (Istogut).
- Është e martuar me prof.dr.Begzat Baliun dhe kanë dy fëmijë.
Arsimimi
- 1989-1993: Fakulteti i Filologjisë, Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe
- 1994-1996: studimet pasuniversitare
- 2002: magjistër i shkencave filologjike
- 1997-2003: asistente për grupin e lëndëve gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Mësuesisë të Universitetit të Prishtinës
- 2002: ligjëruese e lëndës Histori e letërsisë shqipe në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës
- Veprat
- 2000: Pajtimi i gjaqeve 1990-1992, (bashkautore), Instituti Albanologjik i Prishtinës
- 2002: Jusuf Gërvalla - jeta dhe vepra (tezë e magjistraturës)
- 2004: Konteksti i shkrimit (studime dhe ese), Era, Prishtinë
Aktivitete dhe funksione, të tanishme apo paraprake
- 1984-1987 dhe 1989-1990: e burgosur politike për lirinë e Kosovës.
- 1990-1992: nismëtare dhe veprimtare në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve.
- 1991-1996: anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
- 1996-1999: anëtare e Kryesisë në Shoqatën e të Burgosurve Politikë
- 2004:anëtare e Kryesisë së AGK-së,