MËSUESIT
Kure
mësova vetëmohimin burrëror të mësues Shefqetit në gjyqin komunist u
mbusha me një krenari të pashoqe. Vuajtjet e tija në burgjet çnjerëzore e
dënimin me vdekje i përjetova me një dhimbje therëse e më bënë të
harroj përndjekjet e arrestimet që me bënin shefat e sigurimit në
ministrinë e mbrojtjes.
Nga Marjan Bunaj
Kur
kërkoj ti jap trajta mirësisë njerëzore. Ajo ka ngrohtësinë e gjoksit
të simemë e siluetën e imët të mësuesit tim Shefqet Kelmendi. E kujtoi
mësues Shefqetin si oazë ku ndalej të pushojë shpirti i trazuar i
fëmijës së ndrydhur nga pesha e mjerimit dhe e njerëzimit. E kujtoj duke
ecur, me një tufë gazetash nën sqetull e tek lexonte gazetën “Drita”. E
afronte shumë gazetën për shkak të miopisë e shkonte ngadalë nën hijen e
plepave përbri asfaltit, në rrugën që nga posta çonte drejt lagjes së
“familjareve” që ishte “qyteti” i fshatit tim. E kujtoj kur u ndreqte
fëmijëve kamishat e leckosura ne pantallonat mjerane. E kujtoj tek i
bije mandolinës e me një zë kadifeje këndonte këngën e pesë heronjve të
Vigut. E kujtoj kur tregonte parabolën e të dënuarit me vdekje që në
sajë të besës e dhembshurisë se gardianit kishte shkuar të përshëndeste
familjen një natë para ekzekutimit e që moti i keq e kishte penguar të
arrinte në kohë. Me dorën e ngritur e zërin e çjerrë vraponte drejt
trekëmbëshit të vdekjes ku në këmbë të tij, po ekzekutohej gardiani i
ndëshkuar për njerëzinë e shfaqur e besimin tek besa e shqiptarit. E
kujtoj kur na i bënte të bukura edhe himnet ozanuese të shkrimtareve
oborrtare. E kujtoj shikimin e tij ngjyrë qielli tek më jepte libra në
bibliotekën e shkollës duke më thënë që megjithëse kisha zgjedhur libra
qe duhej ti lexoja ndonjë vit me vone, un mund t′i lexoja. Kjo me jepte
krahë. E kujtoj tek priste ne heshtje tek radha e bukës e u përgjigjej
me dashamirësi përshëndetjeve pak servile të fshatarëve që ktheheshin
nga puna në fushe e prisnin me ore që të arrinte gazi i kooperativës nga
furra e Shënkollit të ripagëzuar “Ylli i Kuq”. E kujtoj kur gjatë
shpjegimit, për të na zgjuar nga përgjumja e unshme na lëshonte
zinxhirthin e çelësave nën jakat e lyrosura në zverkat tanë fëmijërore.
Kur i klithte Dardanit të pabindur të kthehej në shtëpi për të bërë
detyrat. Tek qortonte Shpëtimin gjaknxehtë që i kishte thyer hundët
ndonjë shoku i cili i kishte thënë kryemadh të njëjtën shprehje që un po
mësohesha ta duroja.
Arrestimi i tij ka qenë për mua një zgjim i trembur nga inkubi komunist. U mallëngjeva kure
pashe ne google fotografinë, mu zgjat jeta nga mbijetesa e tij. Penda e
mprehtë e gjaknxehtë e Shpëtimit, djalit të mësues Shefqetit, me ndaloi
të publikoja disa përsiatje letrare për fatin e mirë të lexuesve. Nga
zilia e duke përfituar nga distanca gjeografike që na ndanë, Shpëtimit
po i them “kryemadh, kryemadh, kryemadh …hë”
Mësues
Shefqeti nuk është mësuesi i parë që të gjithë kujtojnë me mallëngjim.
Ai është për mua njeriu i parë që kam takuar në shkretëtirën shoqërore
të realitetit socialist.
Desha
të shkruaj “të rroje sa malet mësuesi im Shefqet Kelmendi” por ky urim
është zvetënuar nga destinatari monopolist i tij, Enver Hoxha. Atëherë i
sigurte që do të më lejonte ta merrja ngrykë e ta kacarroja fort, po i
them “TË DU FORT MËSUES”
Marjan Bunaj 2011