Historia mijëvjeçare e popullit shqiptar
është historia e përpjekjeve për ndërtimin e identitetit kulturor,
gjuhësor, etnik dhe kombëtar, prandaj është e kuptueshme pse edhe
onomastika në përgjithësi dhe antroponimia në veçanti kanë qenë një
pjesë e asaj vlere që mund të quhet bartëse e rëndësishme e kësaj
historie. Shumë dekada shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur
jashtë shtetit të sotëm shqiptar në veçanti kanë vazhduar të luftojnë
për lirinë e tyre dhe po kaq dekada fëmijët e tyre i kanë pagëzuar me
motive të kësaj qëndrese, me motive të kësaj lufte, me motive të çasteve
të krenarisë, me motive të luftëtarëve të kohës së cilës i kanë takuar
etj. Kështu, ata edhe sot vazhdojnë që me emrat e fëmijëve të tyre të
identifikojnë momentet më të lavdishme nëpër të cilat kalojnë viteve të
fundit, viteve më të lavdishme të historisë sonë, viteve kur djemtë dhe
vajzat e këtij populli ngritën përballë pushtuesit shekullor krenarinë e
shqiptarëve, në vend të përuljes së deridjeshme; nxorën vlerat më të
larta të dinjitetit të tij, në vend të vetive të stërkequra morale të
deridjeshme; treguan vendosmërinë për të ndryshuar jo vetëm bindjet
politike të politikave të brendshme, të cilat e bënin pushtetin, por
edhe bindjet politike të diplomacisë së kancelarive të Europës dhe
Amerikës, se shqiptarët e Kosovës janë ngritur në luftën e fundit dhe
vendimtare për jetë a vdekje.
Dhe këtë luftë shqiptarët e
kanë bërë edhe me një vlerë të rëndësishme kulturore, gjuhësore,
etnopsikologjike, etnokulturore, që ka ndihmuar mbijetesën e tyre:
kjo është vazhdimësia për të përtërirë emrat historikë, vazhdimësia që
me emrat e rinj të shenjëzojnë ngjarjet historike, vendet ku janë
zhvilluar ato ngjarje historike; toponimet, oronimet, hidronimet dhe
shumë onoma të tjera, që në momente të tilla kanë marrë karakter
historik. Kjo është vazhdimësia për të bërë të pavdekshëm emrat e
gjyshërve, baballarëve, vëllezërve të vrarë, luftëtarëve më të njohur
etj.
Kjo veçori e popullit
shqiptar është diktuar mjaft herët nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj,
me ç’rast është konstatuar se fjala është për një veçori të hershme
arbërore dhe madje ilire.
Populli shqiptar në Kosovë, edhe në luftën e fundit 1997-1999, ka
vazhduar që jo vetëm ojkonimet, mikrotoponimet, oronimet etj., por
edhe fëmijët e posalindur t’i emërtojë në mbështetje të motiveve
historike dhe aktuale të kohës nëpër të cilën po kalonte.
Duke vënë re këtë element të
rëndësishëm të shoqërisë së Kosovës për shquarjen e kësaj veçorie edhe
në këto vite, kam bërë hulumtime të kësaj dukurie gjatë viteve të fundit
dhe i kam bërë objekt studimi.
Bazat e një sistemi onomastik
me burim nga motivet e historisë bashkëkohore i ka ndjekur si
toponimia, ashtu edhe antroponimia, të cilat si motiv kanë burimet
denominuese të kohës, sigurisht për shkak se toponimet dhe antroponimet
e tilla zgjojnë ndjenjat e përkatësisë kombëtare. Këtu për motiv merren
rrethanat e lindjes së fëmijës, që përkujtojnë ndonjë moment, vend ose
ngjarje me rëndësi historike, dukuri natyrore apo situata të kohës etj.,
të cilat prof. Shefki Sejdiu i grupon në bashkësinë e burimeve e
motivimeve denominuese antroponimike që shprehin dëshirë.
Është e kuptueshme prandaj pse ndryshe nga përvoja e shënuar në
luftërat e tjera shumëshekullore, gjatë gjithë kësaj kohe të fundit ka
pasur më shumë emra abstraktë (gjithnjë të motivuar në nomenklaturen
gjuhësore dhe semantike të shqipes), sesa emra të karakterit historik.
Në Kosovë kanë vazhduar të
krijohen toponime të reja kryesisht me karakter historik. Edhe në këtë
rast, siç do të shprehej studiuesi Igor Gostl “fusha semantike e
toponimeve është shumështresore: në të reflektohet, ndër të tjera,
varësia politike, përkatësia etnike, kontinuiteti i popullzimit. Me
një fjalë, ato shprehin realitetin ekzistues gjeografik, politik ose
etnik. Kështu, toponomastika merr jo vetëm nuanca kuptimore,
profesionale, shkencore por edhe politike e gjeopolitike”.
Toponimet dhe oronimet e vjetra brenda ditës kanë marrë karakter politik e historik, bie fjala: Likoshan, Prekaz, Lugina e Leshanit, Gllogjan, Junik, Koshare etj; emrat e krahinave shpesh të harruara, si rezultat i ndryshimeve shoqërore: Drenicë, Rrafshi i Dukagjinit, Llap, Reka e Keqe, Rugovë
etj., brenda kësaj kohe janë rikujtuar dhe janë bërë pjesë e historisë
sonë të re. Emrat e krahinave etnografike dhe shpesh me përdorim, brenda
natës janë bërë sinonim i vetëdijes historike, i krenarisë kombëtare e
historike, i vlerave më të larta morale dhe shoqërore të kohës.
Dhjetë vjetët e fundit jemi
dëshmitarë të prirjes së formimit paralel të toponimeve dhe
antroponimeve me motive nga zhvillimet e përditshmërisë në nivel të
Kosovës dhe në nivel të zhvillimeve shqiptare. Në Kosovë, gjatë këtyre
viteve, shumë toponime janë bërë shembull i krenarisë dhe pjesë e
identitetit tonë kulturor, shoqëror dhe horizonti më i lartë i vetëdijes
sonë historike. Një dekadë më parë, toponimi Fusha e Lotëve, gjatë Aksionit të Pajtimeve të Gjaqeve është emërtuar Fusha e Pajtimit. Toponimi me motiv legjendar Qafa e Krushqëve të Ngrirë,
për të cilën legjenda thotë se “aty janë therrë me thika deri në një
treqind krushqë të dy dasmave, dhe dyluftimin e kanë mbyllyr nuset nën
duvak”, ishte emërtuar Qafa e Krushqëve t’Pajtimit. Po
krijoheshin toponime të reja, të cilat në mënyrën e tyre bënin
historinë e re të Kosovës. Kështu janë krijuar edhe toponimet e tipit Lugina e Pajtimit, Livadhi i Pajtimit, Fusha e Pajtimit dhe antroponimet Pajtim e Pajtime. Po të kësaj kohe, për një ose dy vite më parë janë edhe antroponimi Minator dhe shkolla “Minatori”,
i motivuar nga lëvizja e minatorëve në vitin 1989. Me të njëjtin motiv
të denominimit antroponimik e toponimik është vazhduar gjatë luftës në
Kosovë, por edhe gjatë përndjekjes masive të shqiptarëve jashtë
Kosovës. Gjatë kësaj kohe shpesh do të dëgjojmë dhe shpesh do të lexojmë
toponimet e tipit Lëndina e Dëshmorëve, Fusha e Dëshmorëve, Kodra e Dëshmorëve të Kombit (Gjilan), Varret e Dëshmorëve (Kukës, Shqipëri) etj., madje për herë të parë, ky tip i toponimeve do të depërtojë edhe në jetën e qytetit: Parku i Dëshmorëve të Kombit (Sharr) etj.
Në jetën personale, familjare
dhe shoqërore të shqiptarëve do të hyjnë me motive të sforcuara
paradigmatike edhe një numër i madh i emrave më pak ose më shumë të
njohur, të ndarë edhe këta në dy linja: Linja e parë është ajo e
toponimeve me karakter mburrjeje e krenarie: Kukës, Qaf e Morinit
dhe Qafë e Morinës, Bajram Curr, Shkodër, Tiranë, Durrës, Korçë,
Konispol, Tetovë, Dibër, Shkup, Strugë, Ulqin etj., dhe vija tjetër e toponimeve me paradigmë të së keqes: Bllacë, Stankovec, Çegran etj.
Megjithëse në shumë kampe të
dëbuarit kanë gjetur shpëtim dhe pritje të sigurtë, asnjë kamp shpëtimi
në Maqedoni nuk paraqitet (sipas vlerësimeve gojore të popullatës) si
sinonim i së mirës, shpëtimit etj. Përkundrazi, të gjitha kampet
paraqesin vendin e vuajtjes, dhembjes, lëndimeve shpirtërore etj.
Ndryshe nga kampet, ndërkaq, çdo familje shqiptare, çdo shtëpi e
shqiptarëve, për të dëbuarin paraqet vendin ku familjet nga Kosova
gjejnë shpëtim, paraqet sinonim të së mirës, sinonim të shtëpisë së re,
vatrës së re kombëtare. Sigurisht, edhe për shkak se familjet shqiptare
lëvizin brenda trojeve etnike dhe etnografike shqiptare, pavarësisht
prej kufijve të rinj dhe pavarësisht prej sistemeve shtetërore, me
cilësimet me të cilat shprehen të dëbuarit shqiptarë për familjet jashtë
Kosovës: në Maqedoni dhe Shqipëri, ne e kuptojmë konceptin mbi arbërin si etni, sipas traditës popullore dhe asaj të shkruar që paraqet Skiroi i Ri, kur thotë se: “aty ku arbëri ndezte një zjarr, aty ishte arbër”. Le të thuhet ndërkaq, se as kampet e tjera në Shqipëri nuk kanë lënë ndonjë përshtypje të keqe, krahas vatrave familjare.
Nga të gjitha pikat toponimike, emri i Bllacës
do të bëhet mbase shenja më e përgjithshme dhe vlera më universale e
konceptit tragjik për toponiminë historike të dëbimit të shqiptarëve nga
vatra e tyre. Kampi i Bllacës, deri një ditë më parë, një
toponim i zakonshëm i fshatrave shqiptare, tani fshat ndërmjet kufirit
Kosovë - Maqedoni, është sinonim i kalvarit nëpër të cilin kanë kaluar
shqiptarët e dëbuar nga ushtria serbe, në fillim të prillit të vitit
1999, dhe aq më shumë, një shembull i ri i Tivarit të vitit 1945. Dhe
prej këtu, thëniet e përditshme në Kosovë: “Bllaca është një Tivar i
kohës sonë”. “Për çdo brez nga një Tivar i ri”. “Kush e ka kaluar
kalvarin e Bllacës do të jetoj edhe njëqind e një vjet”. “E kemi
mbijetuar Bllacën e jo edhe këtë dimër”. “E kemi mbijetuar Bllacën e
s’po e kalojmë edhe këtë (akcilin) problem(vështirësi)” etj. Pa dashur
që këtu të merremi më gjatë me Bllacën, nuk do lëshuar pa e përmendur
se, nga individë që luftën dhe sjelljen tonë e kanë shikuar nga një
prizëm kritik, nuk kanë munguar as ata që Bllacën e kanë quajtur edhe
“sinonim të inteligjencës së Prishtinës” (!).
Antroponimia pasvajtëse
Cilat janë motivet
denominuese antroponimike që do të mbulonin të gjitha antroponimet e
fëmijëve të lindur pas fillimit të luftës në Kosovë, dhe sidomos pas
dëbimit të shqiptarëve në Maqedoni, Shqipëri, Europë, Amerikë etj
Nga një regjistër i bërë në
Shoqatën “Nëna Terezë” në Dardani të Prishtinës, prej pesqind e një
emrave të fëmijëve të lindur gjatë vitit 1999, më kanë dalë vetëm katër
emra të paradigmës fetare: Elmedina (tri herë), Xheneta
(tri herë, të kujtojmë se emri i saj nuk ka gjithnjë paradigmë fetare,
sepse ka mundur që prindi si paradigmë të ketë marrë emrin e këngëtares Xhenet Xhekson –BB) Elfati dhe Medina
nga një herë. Emrat më të shpeshtë në këtë regjistër, pjesa më e madhe e
të cilëve kishte lindur jashtë Kosovës ose jashtë shtëpisë së prindërve
të tyre, kishin të bënin para së gjithash me motivet aktuale të
lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirimin e Kosovës, me aktualitetin e
kohës etj: Flamur, Urim, Albulenë, Çlirim, Lumbardh, Laberion, Toskë, Furtunë, Albion, Arbias, Molos, Qëndresë, Arbërie, si trinom familjar: Qëndresa, Qëndrim e Çlirim, pastaj Granit, Kastriot, Ejona
(fjala e jona, e kthyer edhe në antroponim e toponim, në përdorimin e
pjesëtarëve të lëvizjes kombëtare ka pasur të bëjë me Shqipërinë), Leutrim, Çlirimtare, Trim, Lirije, Liridon, Kosovare, Arbër; binomi: Qëndresa e Qëndron, pastaj Shpresim,
Fitim, Çlirimtar, Delvina, Flaka, Skordion, Lindita, Fitore, Yll,
Vatër, Lirim, Atdhe, Festa, Jon, Andrra, Gramoz, Shota, Shqipton,
Shreson, Shpat, Etnik etj.
Nuk ka dyshim se motivet janë
të shumta dhe të ndryshme, por asnjëra nga këto nuk dalin jashtë
veçorive të trashëgura që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda
këtyre viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar,
por jo edhe e dalë jashtë sistemit të motiveve. Fjala është për:
Emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
Emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike;
Tipin e emrave që tregon besim në të ardhmen;
Emrat e fëmijëve që tregojnë veçori kohe;
Tipin e emrave të traditës dhe bestytnisë;
Tipin e emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe shqiptarët;
Emrat e fëmijëve që kanë trashëguar emrat e baballarëve - luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Në traditën popullore, edhe
më parë ka ndodhur që fëmijët të trashëgojnë emrin e babait, të gjyshit,
të axhës ose të një anëtari të familjes, po më shpesh të vëllait ose të
motrës së vdekur gjatë ose pas lindjes. Kjo traditë është bartur më pak
ose më shumë edhe gjatë viteve kur shumë motra, vëllezër e prindër ranë
në demonstrata gjatë viteve 1981-1999. Bie fjala, Bardha Bardhosh (Bardhosh-emri i gjyshit) Gërvalla mban emrin e babait të vrarë nga sigurimi jugosllav në Gjermani më 1982, ndërsa babai i saj mbante emrin e babait të vet Bardhoshit, të vrarë ndërmjet dy luftërave botërore, gjatë kolonizimit serbo-malazez të rrafshin e Dukagjinit. Fahri Fadil Fazliu nga Prishtina mbante emrin e axhës Fahri Fazliu, i vrarë në një kundërvënie të armatosur policisë serbe më 1989 në Breg të Diellit - Prishtinë. Mustafë Mustafë Veseli
nga Theranda mban emrin e babait të vrarë në demonstratat e vitit 1989
në Prishtinë etj. Të këtyre motiveve janë edhe emërtimet e fundit, por
ka qenë mjaft e theksuar, sidomos në rastet kur babai i të lindurit ka
qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më parë sesa vlera
semantike kombëtare e emrit dhe më në fund më parë se sa emrin Bashkim (Bashkim) Berisha,
i lindur ‘në ofensivën e Tushiles’ (Skënderaj), ky fëmijë, për
paradigmë denominuese ka marrë emrin e babait të vrarë, ushtar i
UÇK-së. Nuhi Nuhi Geci i lindur në maj të vitit 1999 në Tiranë,
tre muaj ka pritur gjetjen e kufomës së babait, luftëtar i UÇK-së në
Drenicë, për të verifikuar vdekjen e tij ose jo, dhe për t’i marë emrin.
Ramiz (Ramiz) Bazaj (Tërstenik) u lind më 1 tetor 1999 dhe mori emrin e babait të vrarë si ushtarë i UÇK-së. Halim (Halim) Bajraktari (Drenas) lindi më 1999, dhe përtëriu emrin e babait të rënë në luftë, ushtar i UÇK-së. Driton Ahmeti (Likoshan) u pagëzua me emrin e Driton Ahmetit të vrarë në familjen Ahmeti në masakrën e Likoshanit të ndodhur më 28 shkurt –1 mars 1998. Ismet Shkëlzen Ramadani, i lindur në pyll, ka marrë emrin e gjyshit të vrarë, sikur edhe Haki Muharrem Ramadani etj.
Emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë, krenari historike
Mund të thuhet se me fillimin
e liberalizimit të politikës jugosllave, diku nga viti 1966 e këndej,
në Kosovë, por fatkeqësisht jo edhe në Maqedoni e më gjerë në
ish-Jugosllavi, filloi emërtimi i fëmijëve me emra që tregonin jo vetëm
motivin historik, e që kryesisht kishin të bënin me bartjen e emrave
historikë (heronj, shkrimtarë e madje edhe emra të personazheve të
veprave të tyre, piktorë etj.), por edhe me emra nga leksiku i gjuhës
shqipe, që tregonin veçori të lëvizjes sonë të përgjithshme kulturore,
historike dhe çlirimtare. Gjatë luftës së fundit, paradigma të tilla
kanë dominuar shumë edhe në gjithë hapësirën kombëtare nga kanë lëvizur
të përndjekurit dhe të dëbuarit e Kosovës, por kjo paradigmë do të
dominojë sidomos për atë popullatë që do të mbetet në lëvizje të
përditshme brenda kufirit të Kosovës. Le të shohim disa shembuj: Çlirim Ragip Krasniqi (Carrallukë, Malishevë). Qëndresë Sabit Gashi (20.4.1998, Vërbovc - Drenas) ështe emër përkushtimi ndaj Luftës së Likoshanit. Yllka Naim Bazaj (Tërstenik), ka lindur në fushën e Tërdefcit, në qershor 1999. Leutrim Fadil Dvorani
nga Tërsteniku lindi në maj të vitit 1999 në Malet e Tërstenikut, gjatë
kohës kur pesë ditë me radhë u mbajt fronti në mbrojtjen e Urës së
Spahisë në Tërstenik. Herolinda Musli Krasniqi (Negroc) është vajza e ushtarit të UÇK-së, i vrarë në Malet e Berishës. Qëndrim Jakë Bytyçi (Shkozë, Malishevë) lindi në qershor 1999 në Gjermani. Binjakët Pëllumb e Qelik Ejup Thaçi lindën në Malet e Berishës. Siç dihet, emri Çelik
na paraqitet për herë të parë në antroponiminë shqiptare në Kosovë dhe
është motiv i denominuar nga emri i Fatmir Limës, i njohur nga lufta
si Komandant Çeliku; Dardan Fatmir Jashari (Açarevë) lindi në prill të vitit 1999 te Tunelet e Ujmirit. Qëndrim Naim Zabeli (Rezallë), lindi në ofensivën e parë të gushtit, vetëm pak ditë pas arritjes në Prishtinë. Malësore Shaban Reci (Siçevë) lindi në shtator 1998 në Ulqin. Kosovare Rexhep Rexhepi lindi në Burrel. Çlirim Ali Totaj
(Gjonaj, Prizren) lindi në një spital të improvizuar në një shtëpi
private. Vëllain e kishte luftëtar në Brigadën 138, Zona e Pashtrikut
“Agim Ramadani”; Drilon Musa Gashi (Prizren) lindi në spitalin e Durrësit. Pagëzuesja, nëna e tij, siç duket me këtë emër ka krijuar një trinom historik Drilon, Teutë, Taulant.
Tipi i emrave që tregon besim në të ardhmen
Asnjë popull që lëviz në
rrugën e lirisë nuk e bën këtë lëvizje vetëm brenda një aspekti a një
prizmi të theksuar, por shpesh ndodh që këtë lëvizje ta bëjë vetëm një
shtresë e caktuar kulturore, sociale, filozofike etj. Aq më tepër, në
këtë lëvizje, shpesh, ndodh që bartës të misioneve të caktuara dhe të
ndryshme nga njëra - tjetra të jenë jo tërësia e një populli, por
thjesht grupe të caktuara të atij populli. Pa dashur të merrem me
krahasime të veçanta, këtu mund të them se, besoj, janë të pakta rastet
kur një popull ballafaqohet, qoftë edhe për lirinë e tij, me të gjitha
elementet e mundshme kulturore, mendore, ushtarake etj., edhe atë në
shkallën më masive.
Identifikimi i idealeve të
një populli edhe përmes emrave të pasardhësve të tyre, besoj, janë
shembulli më i mirë i gjetur tek shqiptarët e Kosovës. Në pasqyrën e
emërtimit të fëmijëve, që nga gjysma e dytë e shekullit të njëzetë, e
mbase edhe më parë, mund të gjenden emra që për paradigmë kanë idealet
prindërore, familjare dhe shoqërore të familjes kosovare, por sidomos
pas vitit 1966, kur ndihet një liberalizim më i theksuar shoqëror,
paradigma e idealeve të tyre si bazë për emërtimin e fëmijëve shtohet
dhe zgjerohet shumë, për të mos thënë bëhet vlerë kryesore. Pasqyra e
nxjerrë nga fëmijët e regjistruar në Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë”
tregon se baza paradigmatike e emërtimit të fëmijëve me emra
kombëtarisht të motivuar shkon deri në 95%. Le të theksojmë se kjo është
pasqyrë ku të gjithë fëmijë janë të zonës rurale të Kosovës. Ndërsa,
edhe ata fëmijë që mbajnë emra të paradigmës islame nuk janë të motivuar
nga kjo paradigmë, por nga qëllimi për të trashëguar emrin e gjyshit,
babait etj. Në këtë kohë, pra, në ditët më të stuhishme të luftës dhe të
qëndresës popullore, shfaqen edhe emra tipikë të motivuar nga paradigma
e besimit në të ardhmen, dashuria për jetën, lirinë, dashurinë etj. Le
të lexojmë shembujt konkretë: Rilind Shefki Bellaqa, Potoqan (Rahovec). Lirim Milaim Gashi (Verbovc) lindi në maj 1998. Lirie Fazli Koçinaj
(Blaç-Sharr), lindur në Kampin italian të Kuksit. Poetesha, humanistja
dhe mjekja e njohur dr. Flora Brovina, e burgosur nga regjimi policor e
ushtarak serb në mars të vitit 1999, vajzën e mikut të saj, Nebih Balës
(nënën e së cilës e ka pasur gjatë në mbikëqyrje) deri sa ishte në
Burgun e Pozharevcit, e ka pagëzuar me emrin Jeta. Pas daljes
së saj nga burgu, kam kuptuar se motivi i emërtimit të saj lidhej edhe
me pseudonimin e një luftëtareje që e kishte njohur gjatë luftës, Hyrije Veliu - Jeta, për të cilën nuk besonte se është gjallë, duke marrë parasysh përkushtimin e saj në aktivitetet ushtarake. Jetëlira Selim Sahiti (Korreticë e Ulët) lindi gjatë ofensivës së prillit 1999, në fshatin Strubullovë. Çlirim Xhevat Sinani (Korreticë, qershor 1999), u lind në fshatin Shtrubullovë. Pranvera Zymer Gashi (Verbovc) lindi në prill 1999 në Çikatovë të Re, në kohën që kishte të atin të zënë peng nga policia serbe. Rinor Behrami (Domanek) lindi në mars 1998 në Prishtinë. Krijona Jetullah Havolli (Resnik), lindi në maj 1999 në Malet e Resnikut. Siç mund të shihet, emri i saj është një kompozitë e ndërtuar nga parulla Kosova Republikë e Jona. Liridon Haki Avdija (Obri e Epërme) lindi në maj 1999 te Tunelet e Ujmirit. Agon Tahir Halilaj (Tërdevc) lindi në mars 1999 në Malet e Tërdefcit. Endrit Fatimir Çoçaj (Gjonaj, Prizren) ka lindur në fshat dhe është i biri i luftëtarit të Uçk-së. Fitore Dan Hameli (Mazrek, Prizren) lindi në tendën e katundit, ndërkohë që babai i saj kishte rënë dëshmorë.
Emrat e fëmijëve që tregojnë veçanti kohe
Në emërtimin e fëmijëve gjatë
luftës, nuk ka mjaftuar vetëm baza paradigmatike e trashëguar vite e
shekuj me radhë. Në pasqyrën e këtyre emërtimeve janë shënuar edhe emra
tipikë që shenjojnë motivin denominues të emërtimit të fëmijëve me emra
që tregojnë veçanti kohe dhe madje momenti dhe vendi. Le të pasqyrojmë
shembujt konkretë: Malsor Krasniqi (Gllanasellë - Drenas) lindi
në Malet e Vërbovcit te Fusha e Mollës, kamp i njohur gjatë ofensives
së shtatorit 1998. Siç dihet, kampi ishte i rrethuar nga policët e
ushtarët serb. Në kamp ishin rreth 1000 veta (gra, fëmijë e pleq).
Policët kishin dëgjuar për këtë lindje, i kishin thirrur dy pleq dhe i
kishin pyetur nëse i posalinduri ishte mashkull apo femër. Duke pasur të
njohur përvojën e keqe të urrejtjes së policisë dhe ushtrisë serbe ndaj
çdo lindjeje shqiptare dhe veçanërisht ndaj çdo lindje të gjinisë
mashkullore, pleqtë u kishin thënë se i posalinduri ishte i gjinisë
femërore. Çlirim Qosaj (Ferizaj) ka lindur natën e hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në kufirin Maqedoni-Kosovë. Krisma ka lindur më 2 prill 1999 në Qafë të Prushit. Lirie Bylykbashi
(Tërstenik) lindi natën e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës. Le
të thuhet se antroponimi Lirie ka qenë mjaft i përhapur në Kosovë deri
në gjysmën e parë të viteve ‘70, por tri dekadat e fundit ndër familjet
shqiptare konsiderohej si emër i dalë jashtë mode. Malsore Driton Plakiçi (Nekoc) lindi në prill 1999, në Malet e Berishës. Flaka Krasniqi (Negrovc), lindi në prill 1999 në Malet e Berishës. Flaka (Isak) Kadriaj
(Deçan) lindi në kohën që po digjej fshati Isniq, ku ata ishin strehuar
përkohësisht. Ishte fëmija i parë dhe babain e kishte luftëtar të
UÇK-së. Beteja Luan Kadriaj (Deçan) lindi një ditë pas betejës së zhvilluar në fshatin Rastovicë, në të cilën ishte nën armë edhe babai i saj. Trim Fadil Maloku
lindi në një familje prishtinase vetëm tri ditë pas mbarimit të luftës.
Familja e tij nuk e kishte lëshuar Prishtinën gjatë bombardimeve duke
pritur lindjen e tij. Po kjo paradigmë ka përcjell emërtimin e të
posalindurve Lirije Shemsi Ramadani (Vushtrri), Liridon Nexhip Maloku (Besianë), Qëndrim e Mërgim Rexhepi binjak të lindur në emigrim.
Tipi i emrave të traditës dhe të bestytnisë
Si në të gjitha shoqëritë e
botës, edhe shoqërinë e shqiptarëve të Kosovës e ka përcjellë një fije e
veçantë e emërtimit të fëmijëve me motive nga trashëgimia e saj, e
mbështetur në paradigmën fetare (muslimane dhe të krishterë),
paradigmën kombëtare e krahinore dhe më në fund edhe në paradigmen e
bestytnisë, që tregon edhe për një element të veçantë të ekzistencës të
strukturës historike, me rrënjë shumë të thella në këto troje. Shembulli
i emërtimit të fëmijëve me paradigma të tilla edhe në ditët më të
vështira të zhvillimit të luftës në Kosovë tregon më së miri ekzistencës
e kësaj tradite brenda strukturave denominuese të emërtimit të
fëmijëve në Kosovë. Bie fjala, Vanesa Mehmet Gashi (Çabiq, Klinë) është fëmijë i lindur pas shumë vitesh martese, Shkurta Vesel Rrusta (1999 Drenas), Fillim Ilir Kongjeli (Prishtinë, 1999), Enis Sylejman Zhdredha (Besianë 1999), Enisa Aliu (Prishtinë) Shkurta Statovci (Prishtinë, 1999), Enis Ibrahimi (Plemetin – Kastriot, 1998), Vanesa Gashi (Prishtinë, 1998) etj.
Në Kosovë, shpesh, me lindjen
e parë, prindërit i kanë pagëzuar fëmijët e tyre me emrin e babait ose
të gjyshit, me kusht që ata të kishin vdekur që më parë. Mirëpo ka shumë
vite që, për nderimin e babait, i biri të interesohet edhe sa është
gjallë, prandaj shpesh ka ndodhur që fëmijët të pagëzohen me emrat e
gjyshërve të gjallë. Muharrem Nexhat Asllani (Krushë e Vogël,
Prizren) ka lindur pesë ditë pas kthimit nga Shqipëria, ku ishin të
dëbuar gjatë luftës. Gjyshi i tij Muharremi bashkë me të pesë djemtë, e
në mesin e tyre edhe babai i tij, Nexhati, konsideroheshin të zhdukur
dhe për fatin e tyre nuk dihet ende. Familja e pagëzoi me emrin e
gjyshit, me qëllim që, siç thuhej “të mos i sillet kobi të jatit”. Siç
mund të shihet, kjo traditë e pagëzimit, më parë sesa e mbështetur në
veçoritë e mëparshme të nderimit, ka marrë veçori të bestytnisë.
Nderim për Shqipërinë dhe shqiptarët
Me këtë tip të emrave
familjet e përndjekura nga Kosova i kanë nderuar vëllezërit tyre
shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, si edhe ata të huaj të
cilët kanë ndihmuar luftën, përpjekjen tonë për liri, refugjatët e
ndodhur në shumë vendstrehime të botës etj. Tridhjetë vjetët e fundit,
fondi i emërtimit të fëmijëve të Kosovës, që për paradigmë denominuese
ka pasur emrat e motivuar nga qytetet, fshatrat, malet, lumenjtë etj. të
Shqipërisë londineze ka qenë i madh, për të mos thënë dominues në
pasqyrën e përgjithshme të emërtimeve. Mund të thuhet se janë të pakta
familjet që nuk e kanë emërtuar një fëmijë me bazë denominimi me një
onoma nga Shqipëria. Nuk ishte e rastit kjo. Në Kosovë gjenden shumë
familje që brenda tyre kanë krijuar një sistem të tërë emërtimesh me
emra të qyteteve: Shkodran, Berat, Labinot, Elbasan; maleve: Dajt, por edhe Pushkëdajt, Tomor etj; lumenjve: Drin,
ose nga trajta e tij e vjetër (Drilon), Bunë etj., për të cilët nuk
është vendi këtu të flitet. Më shumë sesa ndjenjë kombëtare dhe
politike, ka pasur shumë vite kur kjo paradigmë e emërtimeve ka qenë
edhe modë. Është e kuptueshme prandaj pse edhe në këto ditë të vështira,
të dëbuarit do të vazhdojnë të emërtojnë dhe të nderojnë edhe me emrat e
fëmijëve të posalindur Shqipërinë dhe popullin shqiptar të përtej
kufirit. Albinot Ibrahim Doberdolani (Korroticë e Epërme) lindi në Kukës. Shkodran Mërgim Rexhepi lindi në Burrel.
Valentina Isuf Salihu ka
lindur në Prishtinë pas përfundimit të luftës. Gjyshërit e saj e
kishin kaluar kohën e luftës në qytet dhe në shenjë mirënjohjeje ndaj
gazetares së Dojçe Veles Valentina Saraçini, e cila çdo ditë në
orën 13, e para njoftonte për ngjarjet më të reja të luftës në Kosovë, e
pagëzuan me emrin e saj. I kësaj kategorie mund të konsiderohet emri i Olt Pacollit,
i lindur në spitalin e Bilishtit (Korçë), kuptimin e të cilit
pjesëtarët e kësaj familjeje në Kosovë nuk e dinin, por e kishin pranuar
si emër për të nderuar propozimin e motrave të spitalit, të cilat
“ishin kujdesur shumë për lindjen sa më të lehtë të nënës së Oltit”.
Nderimi për të huajt
Ashtu siç kanë nderuar
familjen, shoqërinë, Kosovën, luftën çlirimtare dhe Shqipërinë, familjet
nga Kosova, me emrat e fëmijëve, kanë nderuar edhe ata të cilët kanë
ardhur nga vendet më të largëta të botës, duke i marrë emrat e tyre si
relikte historike. “Jam shumë i lumtur që djali im ka lindur diku në
Amerikë. Më vjen mirë që ai ka lindur këtu. Dhe ky është shkaku kryesor
për ta pagëzuar Amerikan”. – Kështu e përcillte bisedën me një bujk 28
vjeçar nga Ferizaji gazetari i agjencisë telegrafike Rojters më 6 maj 1999 nga Mount Holly, New Jersy. Sahebi Shefki Brahaj
(gjonaj, Prizren) lindi në Mullet të Tiranës dhe e pagëzuan mjekët
arabë. Le të kujtojmë këtu se në anën tjetër, vëllezërit e saj të lindur
më parë në Kosovë mbanin emrat Kushtrim dhe Kujtim. Halit Nehat Asllani
(20 maj 1999) nga Bradosana – Sharr, lindur në “spitalin e arabëve” në
Kukës, mori emrin e njërit prej tetë mjekëve arabë, që quhej Halit. Po
kështu ndodhi edhe me emrin e Mana Ismail Bakiut nga po i
njëjti fshat. Ky është emri i parë i këtij tipi. Mirëpo, si fjalë ka
ekzistuar. Mana është një sinonim i fjalës dadë, për motrën e madhe
etj., të cilat i ndeshim në krahinat e tjera etnografike të Kosovës. Klinton Naim Mehaj (Tomaj, Istog) lindi ditën e ardhjes së Klintonit në Kosovë më 1999.
Përfundim
Historia mijëvjeçare e
popullit shqiptar është historia e luftës dhe e përpjekjeve për liri,
prandaj është e kuptueshme pse edhe onomastika në përgjithësi dhe
antroponimia në veçanti kanë qenë një pjesë e asaj vlere që mund të
quhet bartëse e rëndësishme e kësaj historie. Me qindra vjet shqiptarët
në përgjithësi dhe shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të sotëm shqiptar
në veçanti, kanë vazhduar të luftojnë për lirinë e tyre dhe me qindra
vjet, fëmijët e tyre, kanë vazhduar t’i pagëzojnë me motive të kësaj
qëndrese, me motive të kësaj lufte, me motive të çasteve të krenarisë,
me motive të luftëtarëve të kohës së cilës i kanë takuar etj.
Nuk ka dyshim se motivet janë
të shumta dhe të ndryshme, por asnjëra nga këto nuk del jashtë veçorive
të trashëguara që më parë. Pra, kjo kohë ka bërë që brenda këtyre
viteve, një veçori e përdorimit të emrave të jetë më e theksuar, por jo
edhe e dalë jashtë paradigmës denominuese të saj. Fjala është për emrat e
fëmijëve që kanë trashëgur emrat e baballarëve luftëtarë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, emrat e fëmijëve që tregojnë qëndresë, luftë,
krenari historike, tipin e emrave që tregon besim në të ardhmen, emrat e
fëmijëve që tregojnë veçanti kohe, tipin e emrave të traditës dhe
bestytnisë, tipin e emrave me të cilët nderohej Shqipëria dhe
shqiptarët, tipin e emrave me të cilët nderoheshin të huajt etj.
Me të gjitha këto dhe veçori
të tjera, shqiptarët, edhe kur për shkaqe të dhunshme lëshuan vatrave të
tyre, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht u bënë pjesë e luftës
për çlirimin e Kosovës.
---------------------------------------
G. Schiro Jr., Kuptimi historik i Arbërit e përgjegja e tij në vetëdijen e popullit Arbëror, Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Nju Jork, 28-30 nëntor 1969; Shefki Sejdiu, Rreth disa motivimeve denominuese në antroponimi”,
“Gurmime albanologjike –seria e shkencave filologjike”, nr. 21-1991,
Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1992, f. 63-64; Zymer
Neziri, Antroponimet dhe patronimet e epizuara në Rugovë,
kumtesë në sesionin shkencor: “Studimi etnografik i ndryshimeve
bashkëkohore në kulturën popullore shqiptare”, Instituti Albanologjik i
Prishtinës, më 7 e 8 dhjetor 1989, Prishtinë etj.
Në nxjerrjen e përfundimeve sa më të plota kam shfrytëzuar këto materiale: Materialet e mbledhura në terren
gjatë ekspeditës së qershorit të vitit 2000 në Komunën e Prizrenit,
Sharrit dhe Gjakovës, (kryesisht në Dukagjinin e Poshtëm) të organizuar
nga Institutit të Kulturës Popullore të Tiranës dhe Instituti
Albanologjik i Prishtinës në Prishtinë; dosjen e familjeve të
zhvendosura nga veriu i Kosovës (Drenica, Vushtrria, Mitrovica dhe
Kastriot) në Prishtinë të bërë nga Shoqata Humanitare “Nëna Terezë” në
Prishtinë - Dega e Dardanisë, si dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në
Prishtinë; një dosje timen të bërë herë pas here nga të dhënat familjare
dhe ato të shtypit; pyetësorin e bërë posaçërisht për këtë temë dhe të
shpërndarë kryesisht në krahinën e Drenicës, të Llapit, të Gallapit e të
Dukagjinit të Sipërm.
Shefki Sejdiu, Rreth disa motivimeve denominuese në antroponimi,
“Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike”, nr. 21-1991,
Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1992, f. 63-64.
Shih Igor Gostl, Egzonimia historike (Kontribut qasjes teorike),
“Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike”, nr.
17-1987, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1988, f. 85-86.
Pa dashur që të merrem këtu me konceptet mbi të cilat është hartuar projekti i vlerësimit te konferenca shkencore Mbijetesa etnokulturore e të shpërngulurve nga Kosova 1999,
këtu dua të theksoj se për mendimin tim, jo çdo i lindur jashtë kufijve
aktualë të Kosovës, por çdo i lindur jashtë pragut të shtëpisë, që më
parë është larguar me dhunë, është i shpërngulur, në të vërtetë i dëbuar
me dhunë. Nisur nga ky parim, në studimin tonë kemi radhitur të gjithë
të lindurit jashtë pragut të shtëpisë, me theks të veçantë jashtë
Kosovës.
Po
të donim të bënim jo vetëm tipologjinë, por edhe analizat veç e veç të
tyre, do të na duhej një hapësirë në shkallë monografie, prandaj e
shohim më të arsyeshme që këtu të sjellim materialin, në mënyrë që në
një studim të zgjeruar dhe me analiza të plota në të ardhmen, ta botojmë
në një botim të veçantë.