Myrvete DRESHAJ - BALIU
E nisëm veprimtarinë
tonë për Jusuf Gërvallën këtu në Deçan, gati dy dekada më parë, së pari
si aktivitet kombëtar dhe së dyti si aktivitet kulturor, sepse për këto
dy premisa na jepte mundësi qasjeje veprimtaria e Jusufit dhe e
bashkëmendimtarëve të tij Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Biografia e
tyre më së miri reflektonte gjeninë e krijuesit dhe ashpërsinë e
konfliktit të tij me pushtuesin, të cilat realizoheshin njësishëm brenda
vete . Çka të thuhet sot për Jusufin 25 vjet pas vrasjes? Për jetën dhe
veprën e tij, para dhe sidomos pas vrasjes, një numër i studiuesve dhe
kritikëve shqiptarë kanë botuar tekste publicistike, studime dhe vëllime
në trajtën e monografive. Tekstet e tyre zakonisht kanë pasur
karakterin e vlerësimeve e rivlerësimeve letrare e historike, si dhe
vendosjen e veprës së tij në kontinuitetin e letrave shqipe. Qëllimi ynë
është, që në rrjedhat e këtij kontinuiteti historiko-letrar, shpesh të
prishur me kritere jashtëletrare, të shohim Jusuf Gërvallën, me një
qasje që është e zakonshme në jubilarët e veçantë të tij.
I
Dimensioni i parë ka të bëjë
me trashëgiminë, përkatësisht me familjen , e cila ka pasur ndikim të
rëndësishëm në ndërtimin etnofilozofik të tij, për të vazhduar më tej me
përmasat e tjera: përgatitjen arsimore, kulturore, shkencore,
intelektuale dhe politike. Deri më tash është vlerësuar veprimtaria e
tij atdhetare, si pjesëtar i lëvizjes historike për çlirim dhe bashkim
kombëtar, e cila lidh momente të caktuara historike të lëvizjes
kombëtare të vitit ’68 me vitin e madh ’81. Angazhimi i tij e ka çuar
përpara dhe e ka plotësuar lëvizjen me intelektualë të kohës, për të
cilët ajo kishte nevojë, sidomos pas rënies së tretë në burg të Adem
Demaçit . Por, emri dhe vepra e tij, në lëvizjen kombëtare dhe në
kulturën e letërsinë shqiptare marrin përmasa të reja veçanërisht pas
vrasjes së tij. Kështu, historia e vrasjes së tij, konceptet politike
dhe vepra e botuar apo e lënë në dorëshkrim, do të përplotësojnë
njëra-tjetrën, sa me përmasat kulturore e historike të angazhimit të tij
politik, aq edhe me vlerat letrare e estetike të shkrimit,
interpretimit, përkthimit etj.
Atdhetari dhe krijuesi Jusuf Gërvalla
|
II
Dimension në vete, nga
shkrimet e botuara gjer tash, ka paraqitur krijimtaria letrare e tij,
poezia: përmbledhjet poetike, “Fluturojnë e bien’’, “Kanjushë e verdhë”,
“Shenjat e shenjta” dhe proza: romani “Rrotull”, ndërsa ne sot këtij
dimensioni i shtojmë në të njëjtën përmasë edhe publicistikën, më saktë
esenë politike, por pa e lënë mënjanë edhe tekstin dramatik.
1. Poezia
Jusuf Gërvalla i takon brezit
të tretë të krijuesve të poezisë së sotme shqipe. Në këtë brez Jusuf
Gërvalla, sikur edhe pak krijues të artit poetik, do të hyjë jo thjesht
si krijues i artit letrar, por edhe si individualitet me prirje të
shumanshme kulturore e intelektuale. Prandaj, në rrethet kulturore në
përgjithësi dhe në ato letrare në veçanti, Jusuf Gërvalla është krijues i
pranuar në shumë fusha: poet, prozator, përkthyes, publicist,
interpretues. Është koha kur ky brez, ndryshe nga brezi i mëparshëm,
hulumton në mënyrë individuale temat, idetë e gjuhën poetike, duke
përmbysur rregullat e ngurta në mes përmbajtjes dhe formës.
Përgjithësisht, është koha kur bashkekzistojnë forma dhe veçanti stilesh
artistike, që krijuesit i hulumtojnë dhe i artikulojnë në mënyrë
individuale, duke e begatuar procesin e shkrimit poetik me vepra
origjinale e vlera të vërteta artistike. Krijuesit e këtij rrethi, kush
më shumë e kush më pak, do të bëjnë eksperimente edhe të modës, ndërsa
Jusuf Gërvalla nuk do të ngutet dhe me më vështirësi do të hyjë në këto
aventura letrare dhe intelektuale. Ai ishte krijues që kishte mundësi më
të mira se shumë krijues të tjerë për të eksperimentuar (ishte
intelektual i pajisur me dije të përgjithshme dhe të veçanta), por nuk u
dha pas tyre. Kjo është arsyeja pse ai, për një kohë, nuk do të arrijë
që me poezinë e tij, të pranohet tërësisht si krijues i mirëfilltë. Në
qoftë se me veprën e parë “Fluturojnë e bien” ai riaktualizon poezinë e
kujtimeve të fëmijërisë me tërë toposet e vendlindjes, tashmë të njohur
mjaft realizueshëm nga Martin Camaj e Azem Shkreli, por që tërheq
vëmendjen e kritikës së kohës, në veprën tjetër “Kanjushë e verdhë”, ai
arrin ta tejkalojë të parën edhe me gjerësinë e temave të reja edhe me
artikulimin e tyre poetik. Ndërsa në vëllimin e tretë poetik “Shenjat e
shenjta”(1979), opusi i poezisë së tij pasurohet edhe me elemente të
sforcuara të lirikës personale, intime dhe të ironisë. Rëndësia e veprës
së Jusuf Gërvallës në këtë brez vlerësohet si për ngulmimin e tij për
të vazhduar kërkimin e temave nga bota e kujtimeve të fëmijërisë dhe
mjedisi i vendlindjes, ashtu edhe për format e reagimit poetik ndaj
këtij totaliteti jetësor. Bazë të krijimtarisë së tij poetike ai kishte
përvojën dhe zhvillimin e letërsisë shqipe, si dhe vlerat letrare të
letërsisë evropiane e latino-amerikane, të cilën herë pas here e
përkthente edhe vetë. Këtu rritej mundësia e bartjes artistike të
përvojës jetësore dhe njohja me format më të pasura të realizimit të saj
artistik. Poezia e Jusuf Gërvallës është një rrëfim lirik që niset nga
frymëzimi sublim, real e i prekshëm, për të krijuar më tej tërësi
kuptimore të strukturës poetike të saj. Gati i gjithë teksti poetik i
kësaj poezie ndërtohet si rrëfimin subjektiv, po që sintetizon reflekse
semantike, si në perceptimin e rrafshit të simboleve personale, ashtu
edhe në rrafshin e shenjave kolektive: Nënës, përkatësisht Shtëpisë dhe
Vendlindjes përkatësisht Atdheut. E megjithatë, poezia e tij në rrafshin
tematik është e gjerë, ajo bartë esencat e universit letrar të
letërsisë bashkëkohore shqipe. Në rrafshin e ideve është e pasur, ka
palcën e shenjës kombëtare, jo si retorikë a patetikë, po si burim
origjine. Në rrafshin emocional është medituese dhe e hapur, e përjetuar
thellë dhe natyrshëm nga një shpirt i ndjeshëm lirik. Në rrafshin
estetik reflekton shprehshmëri të vazhdueshme semantike, pa përpjekje
për estetizim dhe hermetizim të saj, por me një kuptimsim metaforik më
të hapur e krijim simbolesh vetjake e të rikuptimsuara .
2. Romani
Romani “Rrotull” i Jusuf
Gërvallës , i shkruar dhe i përfunduar për të gjallë të tij, por i
botuar vetëm pas vrasjes(1983) , paraqet një zhanër shkrimi që sjell
elemente të reja e origjinale në lëmin e ligjërimit romanor. Ai sjell
risi, sidomos, për mënyrën dhe organizimin e rrëfimit, për rolin e
rrëfyesit, për procedimin e ligjërimit, për pasurinë gjuhësore dhe për
elementet etnografike, të cilat ndërtohen mbi gjuhën e mjedisit. Edhe
vetë titulli i romanit “Rrotull” mëton të shenjojë formën e ndërtimit
dhe zhanrin e shkrimit. I gjithë romani “Rrotull” sjell një sistem
shenjash, ku rrafshi i gjuhës së rrëfimit përligjëson strukturën e
ndërtimit të brendshëm kuptimor (të ndërtimit të temës, të ideve, të
ngjarjeve, të veprimeve të personazheve dhe të vetë fatit të heroit), si
dhe formën e ligjërimit (të ndërtimit të një sistemi të veçantë
komunikimi artistik), ku shenja (të folurit figurativ popullor ose me
rrotulla, siç thuhet në Dukagjin), ngrihet në strukturë letrare të
shkrimit. Përmes një fabule të thjeshtë, sikurse në përrallën popullore
kodifikohen nyjat e rrëfimit të ngjarjes, rreth së cilave zënë e thuren
ndodhitë njëra pas tjetrës, shtresohen përmasat e zhvillimit të një
mjedisi dhe shpalosjet e gjendjeve të brendshme psikologjike të
personazheve. Emërtimi i veprës, më në fund, ka të bëjë edhe me
personazhin kryesor të romanit, Ketë Avdinë, jeta e të cilit ndërtohet
dhe bartet në hapësirë dhe në kohë, herë si figurë e përrallës, herë si
njeri i zakonshëm, e herë si hero i zhvillimeve historike në një mjedis
të caktuar e më gjerë. Këtij personazhi, që sigurisht, na del më shumë i
formësuar se sa të tjerët, sikur i japin të gjithë diçka nga vetja, për
ta ngritur në shenjë-figurë, i cili pastaj bëhet bartës i dramave të
tyre të brendshme shpirtërore dhe lidhës i fijeve të rrëfimit tekstor.
Krijimi i episodeve dhe tablove të veçanta, që realizohen bukur në këtë
roman, kanë një vendosje kompozicionale të lirë, dhe dalin me situata të
papritura, herë të reales e herë të ireales. Kjo strukturë e poetikës
së romanit përplotësohet, jo përmes tablove të gjera epike të ngjarjeve
të mëdha historike, por përmes ngjarjeve e ndodhive krejt të përditshme,
nga rrjedhin situata të përgjithshme jetësore, si varfëria, kurbeti,
vetmia, mendësitë e vjetra, thashethemet, apo edhe shpërthimet
emocionale, frustrimet e rebelimet. Romanin e karakterizon shpalimi i
botës së brendshme të personazheve me një lidhje të thellë me mjedisin,
që realizohen përmes monologëve e dialogëve karakteristikë, kapërcimeve
dhe ndërhyrjeve të pasura, pehatjeve shpirtërore lirike me nuanca
filozofike, ku reflekset e fjalëve e frazeologjizmave, fjalive e
ligjëratave, pothuaj përherë na sjellin në fokus diskursin e tij të
krijimit romanor. Që të gjitha këto elemente barten herë nga narratori e
herë nga personazhet, si përpjekje e suksesshme për të forcuar
kompozicionin tematik, në gjetjen e shtigjeve dalëse nga amullia e
mjedisit që i rrethon personazhet, prandaj heronjtë dhe situatat sillen
dhe zhvillohen në lëvizje të pashmangshme - rrethore.
3. Drama
Drama “Procesi” e Jusuf
Gërvallës është vepra e fundit, e shkruar në rrethana të veçanta
historike, jetësore, intelektuale dhe politike, e cila përbën një tërësi
personazhesh tipike, të ndërtuar për qëllime pragmatike. Ajo artikulon
ngjarje konkrete të ndodhura atyre ditëve në Kosovë, e të ndërtuara mbi
proceset gjyqësore-politike, pothuajse të përditshme, që kryheshin
kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi. I tërë procesi është mbështetur
kryesisht në një fakt: mënyrën e gjykimit të veprimtarëve të Lëvizjes
ilegale pas demonstratave të vitit 1981, të cilat reflektuan një reagim
historik të kujtesës kombëtare të shqiptarëve për çlirim jo vetëm
kombëtar, por sikur del këtu edhe social, politik e ideologjik. Drama ka
një ndërtim skematik në modelin e trakteve dhe pamfleteve politike të
kohës. Ajo edhe është shkruar për të përmbushur pikërisht ato synime. E
veçanta e kësaj drame theksohet sidomos për faktin se është shkruar nga
krijuesi me vizion dhe me rezultate të arrira në fushë të letërsisë, që
deri atëherë e kishte mbajtur të ndarë pikëpamjen politike të tij me
konceptin e krijimit letrar.
III
Dimensionin e tretë të jetës
dhe veprës së Jusuf Gërvallës e paraqet publicistika, një fushë e
realizuar kryesisht në shtypin ilegal të kohës. Ajo është pjesa më e
sipërshfaqur ku pikëtakohen jeta dhe vepra e Jusufit në ‘misionin’ e
përbashkët kombëtar dhe estetik të tyre. Mirëpo, ende mbetet e panjohur
një pjesë e shkrimeve të kësaj natyre (kryesisht esetë politike të
botuara në shtypin ilegal të Kosovës apo të Perëndimit), sikur edhe e
disa prozave dhe reportazheve të shpërndara në shtypin ditor të
Prishtinës e të Shkupit . Estetë e tij politike për sistemin kolonizues
të Beogradit mbi Kosovën, portretizimi plotë ironi i Titos, vlerësimet
politike për ngjarjet e vitit 1981 dhe sidomos paraqitja sarkastike e
disa prej figurave politike të kësaj kohe nga radhët e shqiptarëve, edhe
sot mbeten të pakrahasueshme në letrat shqipe .
Le të përfundojmë
Jusuf Gërvalla është figurë e
rëndësishme e veprimtarisë politike kombëtare, pa të cilin është
vështirë të ndërtohet sinteza programore e lëvizjes politike të
shekullit XX. Ai është intelektuali që ka lënë gjurmë në fusha të shumta
të artit, si: letrar, përkthyes , publicist, kompozitor e artist , të
cilin e ndërpreu fati historik kombëtar. Ai është poeti e prozatori, që u
formua në gjirin e kulturës kombëtare dhe nën ndikimin e krijuesve të
mëdhenj botërorë. Ai është modeli i së djeshmes që mund të bëhet
shembull i së ardhmes.
---------------------
Shënime dhe referenca
1.Shih, Kadri Rexha, Fati i
luleve – Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla,
Ndërmarrja botuese “Buzuku”, Prishtinë, 1993, f. 132. Biografisë së tij
më gjerësisht i jam qasur në tezën e magjistraturës “Jusuf Gërvalla -
jeta dhe vepra” (punim magjistrature), Instituti Albanologjik i
Prishtinës, Dega e Letërsisë, Prishtinë, 2002.
2.Shih, studimi Jusuf
Gërvalla, ideologu i lëvizjes ilegale, në veprën “Konteksti i shkrimit”,
Era, Prishtinë, 2004, f. 109-120; Hakif Bajrami, Politika e
rikolonizimit serb të Kosovës me sllavë 1945-1948, “Era”, Prishtinë,
2002; Faridin Tafallari, Terror, dhimbje, qëndresë (Kujtime,
dokumentacion, korrespondencë), Botim i autorit, Tiranë, 1997, f. 326;
Shih, Xhafer Shatri, www. pasqyra.com.
3.Shih Ethem Çeku, Mendimi
politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, “Brezi ’81”, Prishtinë,
2003 dhe Struktura politike e ilegales së Kosovës, “Argeta-LMG”, Tiranë,
2006.
3.Shih, vëllimet me poezi të
Jusuf Gërvallës: • Fluturojnë e bien. Biblioteka: Sofra, Redaktor: Anton
Pashku, Recensentë: Azem Shkreli, Fahredin Gunga. Kopërtinën e punoi
Blerim Luzha, “Rilindja”, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1975, f. 71. •
Kanjushë e verdhë. Biblioteka: Drita; Redaktor: Anton Pashku;
Recensentë: Azem Shkreli dhe Eqrem Basha, Lektor: Riza Bicaj. Kopertinën
e punoi: Rexhep Ferri. Korrektor: Nezir Selmani. “Rilindja”, Redaksia e
botimeve, Prishtinë, 1978, f. 87. • Shenjat e shenjta. Biblioteka
“Valët”. Redaktor: Resul Shabani; Recensentë: Qerim Ujkani dhe Shaip
Beqiri; Kopertinën: Aleksandër Kuzmanovski. “Flaka e Vëllazërimit”,
Shkup, 1979, f. 66. • Bekimi i nënës, poezi të zgjedhura. Përgatitur nga
Ramazan Vozga e Pandeli Koçi. Libri hapet me një tekst hyrës, pa autor.
Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1982. • VEPRA LETRARE.
Parathënia: Dr. Sabri Hamiti. Veprat: Fluturojnë e bien, Kanjushë e
verdhë, Shenjat e shenjta, Rrotull, Procesi, Botoi “Ora”, Prishtinë,
1992.
5.Kritikat e para për poezinë
e Jusuf Gërvallës i kanë shkruar: Ali Aliu, Dy poetë që vijnë (1. Jusuf
Gërvalla “Fluturojnë e bien”), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 6 qershor
1976, f. 17; Rrjedha dhe gjenerata në prozën tonë, “Jeta e re”, nr. 6,
Prishtinë, 1974, f. 1088; Shih edhe Shaip Beqiri, Duke kërkuar qeshjen e
një poezie, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 21 tetor 1978, f. 11, 12, 13,
14; Emin Kabashi, Gjeografia e kuptimit poetik (J. Gërvalla, Kanjushë e
verdhë, Rilindja, 1979), “Fjala”, nr. 21, Prishtinë, 1 dhjetor 1979, f.
6; Teki Dervishi, Dy Jusuf Gërvalla, “Zëri”, Prishtinë, 18. 1. 1992, f.
45; Flatra dhe nëntokë, (Sivjet u botua libri i poezive të Jusuf
Gërvallës “Fluturojnë e bijnë”), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 21
dhjetor 1975, f. 20; Jeta e episodeve tragjike, “Zëri”, Prishtinë, 18.
1. 1992, f. 32; Sylejman Syla, Poezi shfryrjesh të sinqerta, (J.
Gërvalla, Fluturojnë e bien, “Rilindja” Prishtinë, 1975), -“Fjala”, nr.
4, 1976, Prishtinë, f. 5; Mehmet Kraja, Poezi frymëzimi, (“Kanjushë e
verdhë”), “Rilindja”, Prishtinë, 19. 8. 1978, f. 15; Bajram Sefaj,
Shkurt. Poezi! (fjalë rasti, mbi poezinë e J. Gërvallës, duke shfletuar
përmbledhjen e parë Fluturojnë e bien), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup,
21 shtator 1973, f. 11; Xhemail Mustafa, Imazhi asociativ, “Zëri i
rinisë”, Prishtinë, 12 gusht 1978, f. 12; Kadri Rexha, Këto këngët e mia
janë zë i butë i fushës, “Rilindja”, Prishtinë, 15. 9. 1979, f. 13. Pas
vdekjes së Jusuf Gërvallës, mendimin e tyre vlerësues tash jo vetëm për
poezinë, por edhe për romanin dhe dramën i kanë shfaqur edhe kritikët:
Pandeli Koçi, Poezi që buron nga zemra (Shënime për librin Bekimi i
nënës të Jusuf Gërvallës); Ramazan Vozga, Zë origjinal, me botë të gjerë
poetike (Vëllimi “Bekimi i nënës”, i J. Gërvallës), “Drita”, Tiranë, 6
mars 1983, f. 6; Sabri Hamiti, Bisedë me Jusufin (fragment), “Rilindja”,
Prishtinë, 19 janar 2002, f. 20-21; Myrvete Dreshaj-Baliu, Poetika e
veprës së Jusuf Gërvallës (studim monografik), “Zëri i Kosovës”,
(gjashtë vazhdime), korrik-shtator, Cyrih, Zvicër, 1995; Portretet
(Jusuf Gërvalla), “Shpresa”, nr. 1, Prishtinë, 1995; Vendlindja, muzë e
këngës, “Bujku”, qershor 1994.
6.Jusuf Gërvalla, Rrotull, roman, Shtëpia botuese “Naim Frashëri” Tiranë 1983. Parathënia: Ismail Kadare, f. 127.
7.Shih, Pandeli Koçi, Romani
Rrotull i Jusuf Gërvallës, “Zëri i popullit”, Tiranë, 18. 1. 1984;
Lumira Berati, Romani Rrotull i Jusuf Gërvallës, “Pishtarët e lirisë”,
Tiranë 1992 f, 39; Sabri Hamiti, Vrasja e poetit, në “Tema shqiptare”,
Rilindja, Prishtinë, 1993, f. 110-115.
8.Jusuf Gërvalla, Procesi,
(dramë), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1993; Procesi, (dramë), Gjilan, 2002.
Shih edhe vlerësimet mjaft kontradiktore për dramën, deri në vënien në
dyshim të autorësisë së saj: Mehmet Kraja, Midis idealit politik dhe
vokacionit krijues, “Fjala”, Prishtinë, qershor 1992, f. 11; dhe Rreth
veprës së Jusuf Gërvallës, “Rilindja”, Prishtinë, 27 qershor 1992, f. 7.
9.Më parë se në shkrimet e
botuara në shtypin ilegal, konceptet njëherë sociale e pastaj edhe
politike i ka shprehur në reportazhet e botuara te të përditshmet e
Prishtinës dhe të Shkupit, “Rilindja” dhe “Flaka e vëllazërimit”. Shih
reportazhet: Shoku im s’mund të mësoj më, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup,
24. 9. 1971, f. 12; Ky s’është përgojim, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup,
16. 4. 1971, f. 13; Edhe bilbili e fle natën, “Flaka e vëllazërimit”,
Shkup, 24. 9. 1971, f. 12; Djaloshi i hajthëm, “Flaka e vëllazërimit”,
Shkup, 10 shtator 1971, f. 12; Me kompleksin e Anteut?, “Jehona”, Shkup,
nr. 3, 1972, f. 31-35; Me kompleksin e Anteut?, “Flaka e vëllazërimit”,
Shkup, 11 janar 1972, f. 12.
10.Disa vjet më parë kërkimet
e mia në këtë fushë të gjenisë së tij letrare i kam përmbledhur nën
titullin e përbashkët Ik o natë, po këndon agimi, një vëllim që nuk
botua, i cili kujtoj, përfaqëson modelin e reflektimit intelektual të
tij.
11.Danillo Kish, Klepsidra,
Redaksia e botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1979; dhe Shënimet e një të
krisuri, (fragment), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 11 janar 1976, f.
19; Imazhe nga udhëtimet (fragment). “Rilindja”, Prishtinë, 14. 12.
1975, f. 10; Mesha Selimoviq, Rropatja në tokën tënde, vdekja në dhe të
huaj. “Flaka e vëllazërimit, Shkup, 2 nëntor 1975, f. 18-19; dhe Beqir
Toska (fragment nga romani “Kështjella”), “Jehona”, nr. 1, Shkup, 1977,
f. 49-57; Ciril Zlobec, Amshimi im i shkurtër, Prishtinë, 1978; Të
përshëndes mëkat, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 30, 31 dhjetor 1978 –
1, 2 janar 1979 f. 24. Poezi: Qetësia, Vetmia, Amshimi im i shkurtër.
“Zëri i rinisë”, Prishtinë, 14 tetor 1978, f. 13; Marko Kravos,
Ngushllim, “Rilindja”, Prishtinë, 25. 9. 1977, f. 11; Zhivko Çingo,
Sëmundja e Atanas Ivanovskit, “Flaka e vëllazërimit, Shkup, 11. 4. 1971,
f. 17; Platoni, Shpifësit e mi janë dy faresh, “Flaka e vëllazërimit”,
Shkup, 15 korrik 1973, f. 10; Miguel Anhel Asturias, Legjenda e
Guatemalës, “Rilindja”, Prishtinë, 1979, 144 faqe; Legjenda e Kademos,
“Zëri i rinisë”, Prishtinë, 2 shtator 1978, f. 14-15; Franc Kafka,
Meditime, “Bota e re”, Prishtinë, 14. 10. 1974, f. 14-15; Franc Kafka,
Procesi “Rilindja”, Prishtinë, 19 janar 2002, f 19; Xhems Xhojs, Uilsi,
“Bota e re”, Prishtinë, 13. 10. 1974, f. 14-15; Ernest Heminguej, Dielli
lind përsëri, (fragment), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 16-17 nëntor
1975, f. 11; Aziz Nesin, Fikri beu, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 14
maj 1972, f. 17; E tillë ishte jeta ime letrare. Nathalie Sarraute
(Nathalie Saro) në një bisedë me shkrimtarët dhe kritikët frëng, “Flaka e
vëllazërimit”, Shkup, 12. 4. 1972, f. 15; Cassar Leante, Letërsia e
sotme kubaneze, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 12 maj 1972, f. 14.
12.Shih artikujt e Jusuf
Gërvallës në fushë të muzikës: Tekstet e melodive t’ia përshtatim
realitetit tonë, “Rilindja”, Prishtinë, 22. 12. 1976, f. 12; Për një
manifestim të dobishëm muzikor, “Rilindja”, Prishtinë, 14. 9. 1976, f.
10; Problem është mënyra, ndoshta, “Rilindja”, Prishtinë, 22. 9. 1976,
f. 10; Prezantim që ka mundur të jetë më i suksesshëm, “Rilindja”,
Prishtinë, 23. 2. 1975, f. 11; Pietet ndaj jetës, punës dhe moralit të
ri, “Rilindja”, Prishtinë, 20. 4. 1979, f. 16; Të shijojmë të gjithë
pemët e rralla, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1. 8. 1971, f. 16, si dhe
vlerësimet e studiuesve më pas, për kontributin e tij në këtë fushë:
Pandi Bella, Jusuf Gërvalla si adhurues i tingujve, “Pishtarët e
lirisë”, Tiranë, 1992 f, 49; Rafet Rudi, Simbiozë e sensibilitetit të
poetit dhe muziktarit, “Forumi”, nr. 14, Prishtinë, 21. 2. 1994, f. 14.