Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/03/17

36 shqiptarët, pushtetarët më të lartë të Turqisë


Kombin shqiptar rrjedhat e historisë e lidhën gjatë me Perandorinë Osmane.

Janë evidentuar shumë burra shteti dhe figura të shquara me origjinë shqiptare që kanë derdhur gjakun dhe djersën për bashkësinë osmane e sidomos kanë kontribuar për miqësinë shqiptaro-turke.

Shumë nga ata kishin zënë edhe pozita të larta, të rëndësishme, si kryeministra (të paktën 35 shqiptarë), ministra, pashallarë, admiralë etj. Sigurisht që një pjesë e tyre vepruan në dëm të interesave të kombit shqiptar.

Në Arkivin e Institutit të Historisë, në Dosjen A. III. 19, me Nr. Inventari 300, me 227 fletë, gjenden emrat e 225 personaliteteve të shquara shqiptare që përmenden në historinë e Perandorisë Osmane.

Dokumentet janë të shtypura në fletë më të vogla se formati a4 dhe në secilën prej tyre është stema e mbretërisë shqiptare dhe intestimi: Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare.

Autori i krijimit të kësaj dosjeje ka shfrytëzuar këto burime: Librat e historisë turke, librat e huaj që shkruajnë për historinë turke, shkurtimin e fermanëve, Sixhill’i Osmani-Stamboll 1307.

Datat janë të shënuara simbas kalendarit të Hixhris, sikundër se janë përherë në origjinalet e Fermanëve. Llogaritja dhe transkriptimi i tyne në datat e kalendarit tonë mund të bëhet lehtësisht (ndryshimi është me plus 579 vite).

Në vijim, po e transmetojmë shkrimin e botuar në “Standard”, disa të dhëna që janë administruar në Dosjen A. III. 19, për 36 personalitete shqiptare të përmendura në historinë e Perandorisë Osmane.

1) Ibrahim Pasha

Është i vjehrri i Kara Mahmut Pashë (Bushatit). U bë pashë me 2 tuga. Mbasi dhëndri i Ibrahim Pashës, për sjelljet e tija të papëlqyeshme ra nga syni i Mbretit, ky me gjithë të birin Karaman beun ju fal e ju dorëzua Mbretit. Por mbas kësaj u vërtetua se mbante korrespondencë të fshehtë me të dhëndrin dhe prandaj u burgos dhe u vra më 1203.

2) Ibrahim Pashë Bushati

Është vëllai i Valiut të Shkodrës Mahmut Pashës. Më 1203 më 17 Ramazan ju dha Sanxhaku i Ohrit. Më 1211, mbas vrasjes së vëllait të tij, u bë Pashë me 2 tuga i Shkodrës.

Më 1218 u bë Pashë (Vezir) me 3 tuga dhe njëkohësisht u emrue Serasqer i Rumelisë. Më 1220 u ba Vali (Bejler beu) i Rumelisë. Në muajin e Rexhepit 1221 u hoq nga kjo pozitë duke ju lanë Shkodra. Vdiq më 1227. Djemt’ e tij janë Ragip Pasha dhe Tahir Pasha. Ishte një Vezir i zoti i kordhës e i mendjes.

3) Ahmet Pashë Dukagjini

“Duk” do me thanë ndër shqiptarët “Bej”. Duka i “Menobarit”(?) kish dy djem që s’e kishin shokun në botë. Sulltan Fatih Mehmeti e dëgjoj këtë dhe tha: “Sikur të bëheshin myslimanë këta djemt, se ç‘fitim do të kish pas feja në Shqipni”.

Ky dëshir’ i tij hyjnor do ketë qenë shtysi moral, që një ditë këta djem erdhën në Stamboll dhe u bënë myslimanë. Emrat ju vunë Ahmet dhe Mahmut dhe u pranuan në pallat si “pazhë”. Mahmuti vdiq pas pak kohe. Ahmet beu u bë komandant i shquem i ushtrisë. Në kohën e Sulltan Selimit I u ba Vezir dhe më 920 u vra në luftën e Amasjas. I fortë, i kënduem, i urtë, i squet. I biri është Mehmet Pasha.

4) Ahmet Pasha Dervish

Është nga komandantët e famshëm shqiptar. Me 1157 u bë mytesarifi i Prizrenit, më 1158 i Dukagjinit. Pas pak vitesh vdiq.

5) Ahmet Pasha Bushati

Është i biri i Mytesarifit të Shkodrës Mehmet Pashës. Me ndërhymjen e vëllait të tij Mahmut Pashës u bë Pasha me 1 tugë (Miri Miran) dhe më 1198 Mytesarif i Ohrit. Më 1201 në muajin Sheval u ekzekutua.

6) Iskander Bej Dukagjini

Është nga fisi i shtëpisë së Dukagjinëve, i shoqi i Neslishah Hanëm-Sulltanës. Vdiq më 990 dhe asht varrosun në Ejub. Ka lënë shkolla dhe vepra mirbamëse të shumta. Djali i tij është Mustafa Suni beu që vdiq rreth vitit 1000, ishte poet. I nipi është Mehmet Beu që vdiq më 1032. Një tjetër nip i tij ish Mustafa Beu i biri i Hasan Pashës që vdiq më 1041.

7) Ismail Pasha

Është nga familja e Gjinollit, i biri i Xhin Ali Pashës, Vezir i Prishtinës. Në Rebiul-evel të vitit 1187, u bë Pasha me 2 tuga. Për shërbimet e kryera në luftën e këtij viti më 1197 u bë Mytesarif në Ak-Sheher dhe u dërgua në luftën e Bagdadit me ushtrinë e Prishtinës. Më 1198 ju dhanë Sanxhakët e Karasi-s dhe Izmir-it dhe ju ngarkue mbrojtja (si komandant) i njësive Yzi dhe Prizren, dhe pas pak kohe vdiq aty.

8) Ismail Pasha Qeqo

Është i biri i Ali Pashë Qeqos. U bë Kapuxhi-bash, më pas Pashë me 1 tugë dhe u ngarkua të ekzekutoj Ahmet Pashë Ohrin, mision të cilin e kreu dhe u bë në vendin e të ekzekutuemit komandant i Hotinit. Në Dhil – Kade 1199 u bë Vali në Tërhall dhe në Sheval 1201 komandant në Delvinë. Rreth vitit 1206 vdiq.

9) Iljas Pasha Beqo (Njonjo)

Është nga bejlerët e Shqipnisë*. Në Sheval të vitit 1201 u ba Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif i Dukagjinit. Vdiq rreth vitit 1207.

*Thuhet se fëmija është i njohun edhe me mbiemnin “Njonjo”dhe lindun në Prizren. Më duket se më tepër përgjamje të jet nga Janina.

10) Emrullah Pasha

Është nga “Hanedani” i Prizrenit*. Në Sheval 1184 u bë Pashë me 2 tuga dhe komandant në “Ada-Kebir”. Sa vazhdoj lufta qëndroi aty, më pas vdiq.

* Ky fëmijë rrjedh nga Sulejman Beu (Sanxhak) beu i Dukagjinit që u vra në luftën e Xhalldëran-it, 920). Thuhet se kjo familje s’kan pasardhës.

11) Texheli Dhylfikar Efendi

Është nga Prizreni. U bë tregtar privat i Mustafa Pashës nga Teqfur-Dagu, mbasandej Profesor, sekretar referendar i ushtrisë këmbësore dhe vdiq më 1069.

12) Sabit Mehmet Pasha

Është nga Hanedani i Dibrës. Më 1201 u ba Pashë me 2 tuga dhe u çue nëpër Sanxhakët e Bosnjes. Mbas kësaj vdiq atje.

13) Hasan Pasha (1)

(Ejublli= nga Ejupi)

Është i biri i Mustafa Beut nga Mati. Duke qenë se ky u vendos në Ejup (Stamboll) mori këtë mbiemnim. Ishte më para Agaj i portës së Kara Mustafa Pashës dhe hyni në pallatin Mbretnor me këtë përkrahje. U bë çakërxhi-bashi (Kryetar i pirjevet) dhe Mir-Alem (Kryetar i rojtjes flamurit) por më 1105 u pensionue. Kur hypi në fron Sulltan Mustafaj i II më 1106 u bë Pashë me 2 tuga dhe Kapuxhiler Qethudasi (Mbikqyrës i rojtarëve të portavet). Më 1109 u bë Vezir dhe Vali në Bosnjë, më pas u dërgue në Baba-Dag dhe në Edirne si komandant (Muhafiz). Më 1110 u bë Vali në Halep, më 1111 në Rekë, më 1113 Serasqer në Bagdad, më 1114 Vali në Diari-Beqir, në Shehri Zor, në Baser, në Kastamoni dhe në Muahrrem të vitit 1116 Vali në Bagdad. Shtroj këtej popullatat shetitëse të Arabis dhe qëndroi 20 vjet sundimtar i këtij vendi. Vdiq më 1136. Ishte trim, madhështor, i pashëm fort, admninistrator e luftëtar i rrallë dhe i mençur. Një Vezir pa shok. Një shtyllë e fortë e Perandorisë. La tre djem: Ahmet, Abdurahman dhe Ali Pashën, që shërbyen në pozita të nalta.

(1) Duket se ka qenë prej fisit “Zog-ogllu” që duke emigrue në Stamboll preu marrëdhënien me familjen dhe u humbë.

14) Halil Demir Pasha

Është djali i djalit (nipi) i Koxha Halil Pashës. Më 1108 u bë Bejlerbej në Shkodër. Pas pak kohe vdiq.

15) Dervish Xhelepi

Është nga Prishtina. U lartësue nga dega e sekretaris; më 987 u ba “Resiul Qytab” (Ministër i Jashtëm). Por u pushue pas pak kohe dhe vdiq. Ishte njeri me pak zotësi.

16) Ragib Mehmet Pashë Bushati

Është i biri i Ibrahim Pashë Bushatit nga Shkodra. Në Sefer 1225 u bë Pashë me 2 tuga dhe u dërgua si Komandar në luftën e atij viti. Është shque me zotësin e me trimnin e tija në të gjitha luftrat. U bë më vonë komandant në Nanapoli dhe më 1233 në Adaj-Qebir (Nisia e Madhe). Më pas vdiq.

17) Rexhep Pasha Kallkandelen

Është shqiptar nga Tetova. U bë Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif në Shkup më 1201. Vdiq rreth vitit 1212.

18) Rexhep Pasha Kallkandelen

Është nga Tetova. Thuhet se fisi i tyre vjen prej katundit Ball. Është nga familja e bejlerëve të vendit, i biri i Hasan Pashës. Më 1244 u bë pashë më 2 tuga dhe u emrue komandant në luftën kundra Serbisë. Mbasandej u dërgue në Ada-Qebir dhe mbeti ca kohë aty. Vëllaj i tij Salih beu u ba Kapuxhi-bash. Vdiq rreth vitit 1250.

Djemtë e tij janë Hifzi, Abdurrahman dhe Hasan Pashallarët. Djali i Hasan Pashës, Esad Pasha, vdiq më 1312, djali i Abdurrahman Pashës, Rexhep Pasha më 1313.

19) Seid Mehmet Xhelepi

Është nga Tetova. Në Misir ishte përfaqsuesi dhe sekretari i i Bejtul Malit (Pjesës shtetërore të tokave të pushtueme). Ishte poet i shquem. Vdiq më 940.

20) Seit Pasha

Është nga Prizreni. U bë komandant i Kalasë së Nikshikut dhe Pashë me 1 tugë. Më 1224 ja la vendin të vëllajt Mahmut Pashës dhe shkoj në luftën e Serbisë. Dhe vdiq andej.

21) Seid Efendi

Është nga Prizreni. Në kohën e Fatih Sulltan Mehmetit u muer në Pallat, u stërvit me mësime të nalta dhe më së fundi u bë mësuesi i Princavet. Në kohën e Sulltan Bajazitit II ishte poet dhe shkrimtar i famshëm. Kishte një vëlla dhe ai vetë poet i njohur në literaturën turke, që quhej Nehari. Vdiq në kohën e parë të mbretnimit të Sulltan Sulejman Kanuniut.

22) Sylejman Bej

Është nga Prizreni. U bë Sanxhak bej në këtë qytet dhe u vra në luftën e Çalldëranit më 920.

23) Sylejman Pashë Kryezi (?)

Është i biri i Mehmet Pashë Gjakovës. U bë Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif në Shkup më 1148. Më 1156 u bë Vali në Janinë, më pas u pushue dhe vdiq më 1177.

24) Shaban Pasha

Është shqiptar, komandant ushtrie. Më 1176 u bë Mytesarif në Dukagjin dhe vdiq aty.

25) Salih Bej

Është nga oficerët e artilerisë shqiptar. Më 1158 u bë Mytesarif në Prizren, mbasandej vdiq.

26) Tahip Tevfik Efendi

Është dibran. Është i njoftun me mbiemrin Elmas Zade. Është nxënësi i Ali Efendiut në shkencat teologjike. Vetë shkrimtar, filozof, ka vdekur më 1299 dhe është varrosur në Edirne Kapu (Stamboll).

27) Tahir Pasha Begolli

Është nga Hanedani i Pejës, i biri i Mahmut beut. U bë Pashë me 2 tuga dhe më 1126 Mytesarif i Dukagjinit. Më 1152 i Konjës. Pas kësaj vdiq.

28) Tahir Pashë Bushati

Është djali i Ibrahim Pashës. Tue qenë se ka qenë edhe njëkohësisht Qehajaj i tij, u bë më 1219 Pashë me 2 tuga. Më 1224 u bë Valiu i Shkodrës.

29) Durmish Pasha

Është nga komandantët e ushtrisë shqiptare. Më 1129 u bë Mytesarif në Shkodër, mbas pak vjet vdiq.

30) Osman Pasha

Është shqiptar, nga komandantët e ushtrisë vullnetare. Më 1083 ka qenë Mytesarif në Prizren, ku qëndroi për shumë kohë.

31) Osman Mazhar Pasha

Është nga komandantët shqiptarë. U bë Mytesarif në Shkodër. Më 1265 u bë Vezir (Pashë me 3 tuga). Më 1270 u emnue Vali në Selanik. Më 1272 në Trabullusi Garb. Vdiq më 1277. Ishte i zoti i punës, i mençëm, rregullues.

32) Ali Pasha Beqo (zade)

Është nga komnadantët shqiptarë. U bë pasha me 2 tuga dhe Mytesarif i Dukagjinit ku qëndroi për shumë vjet. Ka vdekur rreth vitit 1158. Djemtë e tij janë Ismail Pasha, Sejfullah Pasha dhe Iljas Pasha.

33) Ali Pashë Tepelena

Është i biri i Ajanit (Parisë-V.H.) të Tepelenës, Veli Beut. Kur vdiq i ati dhe mbasi mori një nam në disa përpjekje të vendit u farue dhe bani miqësi me Ajanin e Ohrit dhe me Kurd Ahmet Pashën, u bë Pashë me 2 tuga dhe Mytesarif në Janinë. Kur vdiq Kurd Pasha, vendin e tij e zuri Ibrahim Pashë Vlora, nga kjo lindi kundërshtimi ndërmjet të dyve. Me radhë Ali Pasha u bë Vali i Jeni-Sheherit, Selanikut dhe Manastirit. Mbas ca kohe hodhi në dorë edhe Sanxhakun e Vlorës (1810) dhe e internoj Ibrahim Pashën, ma parë në Konicë, më pas në Kalanë e Janinës. Ali Pasha kish më tepër se 200 çifliqe dhe një pasuri të madhe. Në luftën që bëri kundra francezëve në Prevezë pati sukses. Si shpërblim u bë Vezir më 1223. Më 1226 u bë Valiu i Rumelisë dhe Serasqer; vitin e ardhshëm Vali i Rumelisë u bë tjetër kush dhe Ali Pasha u emrue “Derbendat Naziri”, Drejtor i Përgjithshëm i mbrojtjes dhe sigurimit të rrugëve. Por më 1226 u pushue dhe i mbeti vetëm valillëku i Janinës. Më 1237 u ekzekutua. Është i varrosun (vetëm kryet, se trupi është në Janinë) në Silivrikapu të Stambollit bashkë me djemtë e tij. Në shumë luftra ka tregue zotësi. U bë tetëdhjetë vjeç e lart. Djemtë e tij janë Muhtar Pasha, Veli Pasha, Mehmet Pasha dhe Salih Pasha. Djali i Muhtar Pashës është Hysejn Pasha; djemtë e Veli Pashës janë Selim Pasha dhe Ismail Pasha.

34) Ali Efendi

Është nga Jakova. Ish-profesor i Teologjisë i shquem dhe rektor. Vdiq më 1293. Ka qenë njeri fort i ditur.

35) Ali Pashë Gusija

Është nga Gusija. Është një trim i shquem ndërmjet trimave shqiptarë. Në luftrat kundra Malit të Zi bani shërbime të mëdha, shpëtoi vendin e vet. Nga ky shkak u bë Pashë me 2 tuga. Më vonë u pranue në degën ushtarake me gradën Gjeneral Brigade. Më 1305 vdiq aksidentalisht. Ishte atdhetar, besnik, i drejtë, guximtar, burrë i fjalës. Për këto cilësi Mbreti urdhëroj që me shpenzimet e veta t’i ngrihet një tyrbe. (AIH, Dosja A. III. 19, f. 218)

36) Galib Abdurrahman Pasha

Është i biri i Jashar Pashës nga Prishtina, nga Hanedanët e Shqipërisë. Tue marrë parasysh pozitën e trashëgueme që kish në vendin e tij, u bë mytesarif në Prishtinë, më pas u emrue në Aqe, në Berat, dhe në Seres. U bë pashë me 2 tuga që në Rini. Ishte burrë shteti me gjithë cilësitë e duhura. Ishte i zoti, mëshirplotë për të varfërit, ishte trim pa shembull, rregullues. Kur hoqi dorë nga nëpunësia dhe vajti me qëndrue në Prishtinë, vdiq aty. Ka ba kudo vepra bamirësie. Kur qëndroj në Prishtinë, ngriti një shkollë të mesme madhështore.

Jeta e “gjeniut të kombit”, Mid’hat Frashëri



U lind më 25 mars 1879, në Janinë. Ishte i biri i patriotit të madh, rilindasit Abdyl bej Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Mit’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë i vdiq i ri, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll.

Abdyl Frashëri, kur u pyet para ekzekutimit, nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, Mit’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX.

Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut, madje aty dominonte influenca e tij. Asokohe në Manastir mbaheshin takime të patriotëve shqiptarë, të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, të cilët punonin për të përgatitur një kongres dhe një revistë të përjavshme. Udhëzimet për krejt organizimin, do të merreshin prej Mit’hat bej Frashërit në Selanik. Mit’hati ka qenë për një politikë më të moderuar me xhonturqit, pse ai gjithmonë ka qenë mefiant kundrejt ndihmës së huaj, e sidomos të ndihmës së Austrisë. Të këtij mendimi kanë qenë në mbështetje të tij edhe Bajo e Çerçiz Topulli.

Ka pasur rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.

Mit’hati nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Në vitin 1908, filloi të botojë gazetën “Liria”, në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me mikun e tij, Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën “Mbrothësia”. Mit’hat Frashëri ishte xhonturk, nuk pëlqeu ardhjen e Ismail Qemalit, më 1908 në Vlorë, madje shkroi një shkrim kritik për Ismail beun, në gazetën “Lirija”.

Çajupi ka shkruar me nota demaskuese pamfletin “Klubi i Selanikut”, duke kritikuar fletoren “Liria”, e drejtuesin e saj Lumo Skëndua ose Mit’hat Frashëri. Çajupi shprehet se, kisha dëgjuar që: “Klub’ i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar. Vërtet keshe msuar se Klub’ i Manastirit paskej bërë një Kongres, u mbajt më 1909 dhe nuk vendosi dot për një alfabet të vetëm.

Midis dy alfabeteve që pranoi, njëri qe ai i Stambollit, tjetri qe alfabeti i sotëm.) (ç’domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë”. Në këtë rast poeti i rilindjes aludon se këto klube të shqiptarëve punonin për të mbajtur premtimet që u kishin bërë xhonturqit shqiptarëve. Artikulli kritikoi hapur kryetarin e klubit dhe drejtorin e gazetës “Liria”, Mit’hat Frashërin, i cili menjëherë botoi një artikull si kundërpërgjigje në gazetën e vet. Replikat ndërmjet palëve, në gazetat e tyre, vijuan duke pasqyruar luftën e ashpër ndërmjet shqiptarëve në ato kohë delikate për fatet e kombit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin kongresi i alfabetit, më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i komisionit ishte At Gjergj Fishta). Më 1 janar 1909, në revistën “Diturija”, botoi një fotografi të delegatëve në kongresin e Manastirit, ku ka dhënë imtësisht shpjegime për secilin prej tyre, madje ka sqaruar edhe për ata që nuk dolën në fotografi, ku mungojnë Hilë Mosi (delegat i Shkodrës), G.Cilika (delegat i Korçës), Hafëz Ibrahimi dhe Emin Beu (delegatë të Shkupit), Rauf beu (Fico, delegat i Gjirokastrës-H.L.) dhe Selaheddin beu (nga Prizreni, delegat i Manastirit).

Në shpalljen e pavarësisë ka qenë i zgjedhur delegat i Elbasanit, Ipekut, (Gjakovës, Plavës, Gucisë) dhe Përmetit. Nga Elbasani ka njoftuar telegrafisht Syrja beun e Xhemil beun: “Pasi bashkë me përfaqësuesit e Dibrës do të vijnë edhe Mehmet pashë Dëralla, Ajdin Draga e Isa bej Buletini, e nismja e jonë u shtyrë. Të Hanën do të nisemi së bashku”.

Kur u zgjodh ministër, në votim u rendit i pesti, duke fituar 35 vota, dhe merituar postin e ministrit që në raundin e parë. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë, të krijuar nga Ismail Qemali, ai zgjidhet ministër i Punëve Botore.

Referuar dokumenteve arkivore mësohet se Mit’hat Frashërit, kur ishte në Vlorë i ka drejtuar një letër një personi të quajtur Kristo, nga e cila mësohet se ai u nis nga Shkupi më 3/16 tetor 1912, duke dëshmuar se ka qenë në Mitrovicë, Pejë (Ipek), Gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan. Kur ka mbërritur në Tiranë ka pasur si qëllim të bashkohet me grupin e Abdi Toptanit për të zhvilluar një kongres aty, mbasi pohon se kishin biseduar edhe me abatin e Mirditës. Nuk e fsheh qëllimin se ka dëshiruar të bëhej mbledhja në Elbasan, por telegrami i Syrja bej Vlorës njoftonte se duhej shkuar në Vlorë, ku ishte nisur edhe I. Qemali. Letra informuese mban datën 10 dhjetor 1912.

Disa shkrues, padrejtësisht dhe me tendencë, shprehen se: “…kur Ismail Qemali ftoi gjithë oficerët dhe patriotët shqiptarë që ndodheshin në fronte të ndryshme në Luftën Ballkanike të ktheheshin në shtëpitë e tyre, Mit’hat beu ka qenë kundër këtij mendimi dhe ka shkuar dy herë nga Vlora në Janinë për të inkurajuar rezervistët shqiptarë të vazhdonin luftën gjer në fund, duke menduar se kjo mund të sillte shanse që Çamëria do të mund t’i mbetej Shqipërisë”.

Faktoj se është e vërtetë që ministri Mit’hat Frashëri kërkoi leje për të shkuar në Janinë, gjë e cila u pëlqye nga qeveria e Vlorës, por me kusht që ai të prezantohej atje jo si ministër që përfaqëson qeverinë e Vlorës, por individualisht, si patriot. Sipas miqve të tij, ky ka qenë një nga shkaqet e ndarjes së Mit’hat Frashërit me Ismail Qemalin. E vërteta mbase qëndron ndryshe, sepse sipas dokumenteve arkivore, më 20 dhjetor 1912, Ismail Qemali përshëndeti me një letër mbrojtjen që po i bëhej Janinës nga komandanti i saj, duke u shprehur në dobi të kësaj lufte. Dikush tjetër ka pohuar të vërtetën se: “…më 30 mars 1913, Mit’hati jep dorëheqjen nga detyra” dhe në kë rast është gazeta “Atdheu”, e cila jep si shkak të ndarjes: “Kur Ismail Qemali shkoi në Britani me dukën Montpensier, japin demicjen e heqin dorë nga qeveria Don Kaçorri e Mit’hat bej Frashëri.

Besa Shqyptare përshëndeti Mit’hat bej Frashërin, për vizitën në Shkodër, në maj 1913, duke u shprehur: “nji ndër komtarë ma të t’flaktit e t’nderueshmit qi diftoi gjith herë dashtnin e zemrës vet për gjith ç’i flet për shqyptar”.

Më 20 janar 1914, në një letër që i dërgoi gazetës “Përlindj’ e Shqipëniës”, së bashku me G. Cilka e Taq Buda, shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj”. Këtë nismë të Mit’hat Frashërit, për blerjen e kalemit të artë, kjo gazetë e pati botuar më herët, në dy letra, përkatësisht më 7 dhe 10 janar.

Mit’hat Frashëri mirëpriti ardhjen e Princ Wied-it në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në janar 1914, u përzgjodh nga KNK, së bashku me Mihal Turtullin e disa të tjerë të kontaktonin me Dervish Biçakçiun për të marrë prej tij kërkesat e esadistëve, duke provuar edhe një herë se ai organizëm ia kishte pasur me hile qeverisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit. Mit’hati ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe kundër veprimeve të tij antishqiptare. Në atë kohë ai shkroi shkrimin e titulluar “Tre gjarpërinjtë që udhëhoqën rebelimin”, ku akuzon Esad Toptanin, Musa Qazimin e Haxhi Qamilin. Më tej ka shkruar: “Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hire që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmin e verbër dhe injorantë nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale”.

Më pas, Mit’hat Frashëri u caktua konsull gjeneral i Shqipërisë në Beligrad, emërim sipas disa miqve të tij për ta larguar nga Shqipëria, atë dhe gjithë të aftit, por në vijim njoftohet nga shtypi se: “Më 20 maj, kur u riformua kabineti i Turhan Pashës, u emërua ministër i Arsimit e i Postë-Telegrafëve”, çfarë qëndron e vërtetë.

Pas largimit të Wied-it shkoi në Lozanë, ku qëndruan edhe Mehdi Frashëri, Pandeli Cale, Dr. Mihal Turtulli, Ahmet Resuli, Hivzi Korça, vëllezërit Gode. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit.

Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset përsëri në Lozanë, Zvicër. Aty, ai, i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ka deklaruar se: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”.

Në kongresin e Durrësit, Mit’hat Frashëri, u emërua ministër pa portofol dhe u caktua delegat në delegacionin e parë, në konferencën e Paqes, Paris më 1919, së bashku me Turhan pashën, monsinjor Bumçin, Mihal Turtullin, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën. Më pas ka qenë i emëruar delegat pranë Konferencës, së bashku me Mehmet Konicën dhe Pandeli Evangjelin. Më 1919 ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”, së bashku me Dhimitër Beratin. Mit’hatit, kur ishte në Konferencën e Paqes në Paris, i është bërë thirrje nga kryesia e “Vatrës” që të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “Indipendenca morale” , po kështu edhe punimin tjetër “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”.

Pas përfundimit të misionit në Paris, në vitin 1920, njoftohet se “Mit’hat Frashëri u emnua përfaqësues në Uashington”, niset sapo të përgatiten pasaportat. Ai u vendos në SHBA dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1922, por sipas shënimeve të Sejfi Vllamasit, në librin me kujtime “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942”, është i shënuar në listën e deputetëve të prillit 1921 edhe Mit’hat Frashëri, i zëvendësuar më vonë nga Rasim Babameto, gjë e cila rezulton edhe në dokumentet e Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu, sipas kujtimeve të Mehdi Frashërit, në maj 1922, Mit’hati, ka zëvendësuar Mehdi Frashërin në mbledhjen e Firences, ku Komisioni Ndërkombëtar diskutonte për caktimin e kufijve. Edhe në “Bisedimet e Kuvendit”, Mit’hat Frashëri, rezulton deputet i Gjirokastrës, madje shënohet se qëndroi deputet deri më 4 shtator 1922.

Në janar 1923 filloi detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, ku qëndroi deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në vitin 1923, kur kriza politike kishte arritur kulmin nga sjellja egoiste e karrieriste e Ahmet Zogut, i cili pati humbur besimin dhe qe arritur oportuniteti ndërmjet ministrave të kabinetit qeveritar që ai të mos ishte as kryeministër e as ministër i Brendshëm, iu ofrua Mit’hatit krijimi i kabinetit qeveritar. Në këtë rast ai ka refuzuar duke thënë: “Unë nuk mund të çnderojë shtëpinë time”, ku ka dashur të thoshte se, pasi dështimin e quante të sigurt, këtë gjë e konsideronte diskreditim për shtëpinë e tij.

Në vitin 1926 hapi në Tiranë librarinë e tij personale “Lumo Skëndo”. Një vit më pas, më 1927, filloi të botojë në Tiranë, revistën “Diturija”.

Në 4 prill 1929, Mit’hat Frashëri, në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e vet, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë.

Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendosi t’i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko-politik”, shkruar më 1942, në Tiranë. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Ditët e fundit të qëndrimit të tij në Shkodër ka qenë në një gjendje psikologjike shumë të rënduar, me një pamje për të ardhur keq dhe fytyrë që shprehte vetëm dëshpërim, aq sa fliste me vete ngado që lëvizte. I ndodhur në pozita të vështira provoi të kthehej nga Shkodra në Tiranë, në fundin e nëntorit 1944, madje jo me makinë por i hipur mbi një mushkë, nën kujdesin e eksponentit të rinisë balliste, Sabaudin Nivica.

Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak. Vdiq beqar në moshën 69 vjeçare i detyruar të jetojë si renegat larg vendit të tij, Shqipërisë. Shpirti i këtij njeriu të ndritëm u shkëput ditën e hënë, dita 3, vjeshta e dytë ora 9.25 minuta në New Jork, hoteli Winthrop. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti.

Mit’hat Frashëri është mbajtur si nacionalist në politikën shqiptare, duke shkruar letra, promemorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Ka qenë kundër komunizmit në Shqipëri, madje e ka konsideruar tragjedi fitoren e tyre. Falë njohjes së disa gjuhëve të huaja, u përpoq në fushën diplomatike, brenda e jashtë Shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish-katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit e Shkodrës.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, me vendim të organeve ekzekutive u sekuestrua pasuria e Mit’hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, më 2006, vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha në 23 prill 2006
Në ceremoninë e varrimit të tij bëri lutjet fetare të përshpirtjes, Imam Vehbi, i ardhur nga Detroiti, më pas kanë folur në anglisht: Nuçi Kota, i biri ish-kryeministrit monarkist, Koço Kota, në emër të Komitetet Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, pastaj Grigor Tashkovite, ish-senator jugosllav, në emër të Internacional Peasant Union; Dr. Bistrev, ish-deputet bullgar në emër të Komitetit Kombëtar Bullgar, zj. Gold Veliko në emër të rinisë shqiptare të lindur në Amerikë. Arkivoli me trupin e Mit’hat Frashërit u mbulua me Flamurin Kombëtar dhe u nderua nga gati 200 veta. Varrimi u bë në varrezat “Fernchff”, pas fjalës së mbajtur nga Sejfi Protopapa dhe At Paul V. Rado.

Në testamentin e tij të viti 1929, pra 20 vjet para se të shuhej, në pikën e fundit ka lënë amanet: “Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

“Mit’hat Abdyl Frasheri, 1880-1949”, ky është epigrami vetmitar mbi varrin e Mit’hat Frashërit, në Amerikë.

Mit’hat Frashëri, nga pasardhësit e tij politik ka vlerësimin: mendimtari iluminist i neoshqiptarizmës, të viteve ’30.

Mit’hat Frashëri jetoi i vetëm, pa bashkëshorte por ka pasur bashkëjetesë më disa vajza e gra evropiane. Bazuar në dokumentet e gjetura, ai rezulton të ketë pasur një lidhje që në vitin 1914, me një femër të quajtur “Elsa nga Zyrih”, e dashura e tij gjermane, e cila i ka shkruar më 15 dhjetor 1914. Me këtë vajzë (ose grua), ai u dashurua në vitin 1914, kur sapo kishte filluar Lufta e Parë botërore, e cila ndërmjet të tjera i shkruante: “Natyra jote cigane, ti që aq shumë do lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje”, duke dhënë për të kuptuar se ai lëvizte nga një vend në tjetrin, si ciganët që nuk kanë një banim permanent. Kishin gjetur njeri-tjetrin për t’i ikur luftës.

Po kështu, ka pasur korrespondencë intime me Anxhelën, Elsen, Ninonin e Loloten, disa gra të huaja, që kishte takuar në udhëtimet e tij pambarim. Njëra prej të dashurave, Lolota, e thërret me përkëdheli “Mumi”, në letrat që i ka shkruar nga 29 maj 1915, më pas më 1933 (më mbush me emocion ajo ditë që kemi kaluar në Kostandinopojë, 9 vjet më parë), pastaj më 1939 (jam e sigurtë, do jemi të lumtur dhe do besojmë se nuk jemi ndarë kurrë); Lolota ishte një nga të dashurat e Mit’hatit për një periudhë disa vjeçare, gjatë vajtje-ardhjeve të tij të shpeshta në Paris. E divorcuar, me një djalë të vogël dhe me një dhembshuri prej nënë, e cila i ka shkruar “i adhuruari im Mimi”; “Mimi i shtrenjtë, dashuria ime e vetme…E dua tim bir, por ai do ketë tjetër familje. Ndërsa ti je familja ime, një familje e vetme me mua, e gëzueshme, ideale). Në një nga letrat që ai i shkruan njërës prej të dashurave, Ninonit, një tjetër e dashur e tij, mundet që edhe kjo të ketë qenë franceze, kur u ndodh në Tiranë, Mit’hati fillon shkrimin më 19 prill 1926, vijon të premten më 7 maj, ora 7 e 30 e mëngjesit, duke shprehur mallin për këtë të dashur në formën e një ditari në pritje të ndonjë letre prej saj, duke bërë të ditur se e ka takuar edhe në Athinë e Korfuz”. Mit’hat Frashëri nuk u martua kurrë me asnjërën prej femrave me të cilat bashkëjetoi, madje për shumë vite dhe me disa njëherësh.

Mid’hat Frashëri, në emigracion, me ndihmën e aleatëve anglo-amerikanë, shpalli Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, më 26 gusht 1949, në Paris, Francë, duke qenë kryetar i tijë dhe duke patur si anëtarë, Abaz Kupin, Zef Palin, Nuçi Koten e Seit Kryeziun.

Në një shkrim, ese, Mithat Frashëri, ka shpalosur idetë e tij përparimtare dhe nivelin e lartë intelektual, si shtetar, se çfarë begatie ka trualli shqiptar, që ia shtojnë pozita gjeografike si vend mesdhetar dhe i bekuar nga perëndia, i ndodhur buzë detit e me plot fusha e male, me klimë të mrekullueshme, me njerëz të shquar, në udhëkryqin ku lidhen kombet.

Aktualisht për Mit’hat Frashërin po flitet shumë, për të përcaktuar realisht pozicionin politik dhe veprimtarinë politike që ai zhvilloi gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën disa historianë e stigmatizojnë si antikombëtare, kurse të tjerë e cilësojnë veprimtari patriotike.

Një gjë është bërë fakt, ai është shpallur “Nderi i Kombit” dhe studiuesi i së djathtës, Uran Butka e ka cilësuar “gjeniu i kombit”. Po kështu është fakt që nuk mund ta mohojë apo shtrembërojë askush se Mit’hat Frashëri akumuloi një kapital të madh patriotik gjatë veprimtarisë së tij gati gjysmë shekullore para Luftës së Dytë Botërore. Bazuar në parimin e përjetshëm të historisë për këtë periudhë atij i duhet dhënë çmimi i merituar i atdhetarisë. Sipas profesor Kristo Frashërit, Mit’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, jetoi dhe veproi në tri periudha të historisë së Shqipërisë, të cilat ndryshojnë rrënjësisht njëra nga tjetra për nga ngjarjet, për nga proceset, për nga karakteret e tyre. Veprimtarinë e parë ai e zhvilloi në vitet e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 1912. Si një militant rilindës i orës së parë ai u shqua në luftën për të zbatuar programin kulturor të Rilindjes, ndoshta më tepër se çdo bashkëkohëtar i tij, si shkrimtar i flaktë i temave patriotike, si kryetar energjik i Kongresit të Manastirit dhe si veprimtar i palodhur i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo që i bën nder biografisë së tij patriotike është pjesëmarrja e tij në qeverinë e parë kombëtare që u formua në Vlorë nën kryesinë e Ismail Qemalit më 1912. Mit’hat Frashëri u shqua gjithashtu edhe në periudhën e dytë që pasoi Kuvendin e Vlorës, vitet e shtetit shqiptar të pavarur. Në periudhën 1912-1939, Mit’hat Frashëri i shërbeu me sukses atdheut të vet si një militant i luftës diplomatike që zhvilloi shteti shqiptar për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur. Si përkrahës i regjimit republikan që ishte, ai pati kujdes që të mos e përfshinte emrin e vet në jetën e brendshme politike të regjimit monarkik të Ahmet Zogut (1928-1939).

Më tej, më 1942, kur u krijua si organizatë Balli Kombëtar, Mit’hat Frashëri në krye të tij, shpalli se kishte për synim të udhëhiqte masat e popullsisë shqiptare në luftë kundër okupacionin fashist italian. Në thelb dy ishin synimet e saj: të kontribuonte në rimëkëmbjen e Shqipërisë së pavarur dhe të mënjanonte ardhjen pas luftës të Partisë Komuniste shqiptare në pushtet. Realisht, aksionet luftarake të Ballit Kombëtar kundër okupatorëve fashistë italianë qenë më të kufizuara se lufta e armatosur që zhvillonte Partia Komuniste.

Madje, pas shtatorit 1943, formacionet ushtarake të Ballit Kombëtar nuk ndërmorën rezistencë të armatosur kundër okupatorëve të rinj nazistë dhe për hir të së vërtetës u shfaqën shenjat e bashkëpunimit ndërmjet tyre e gjermanëve kundër forcave nacionalçlirimtare. Këtë bashkëpunim Mit’hat Frashëri dhe krerët e Ballit Kombëtar e justifikuan me nevojën që kishte Shqipëria për të evituar ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare. Pikërisht këtu qëndron absurditeti i logjikës balliste.

Nëse Balli Kombëtar trembej nga sukseset që korrte rreshtimi komunist, rrezikun e fitores së komunistëve mund ta mënjanonte jo duke u bashkuar me armikun e vendit dhe të njerëzimit, por duke zhvilluar një luftë patriotike më me energji se atë që zhvillonte Fronti kundër okupatorit të huaj.

Ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, më 1943. Historianët që mbrojnë tezën balliste nuk arrijnë ta kuptojnë se pikërisht bashkëpunimi i forcave të tyre me repartet hitleriane lehtësoi ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota u nda në dy kampe, në kampin e agresorëve fashistë dhe në atë të koalicionit të madh antifashistë. Dihet gjithashtu se në krye të kampit antifashist qëndronin tre aleatët e mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë, dy nga të cilët përfaqësonin botën demokratike perëndimore (SHBA-ja dhe Britania e Madhe), kurse i treti vendin ku sundonte regjimi komunist (Bashkimi Sovjetik).

Vetë Mit’hat beu ka qenë i kthjellët dhe objektiv për shkrimin e historisë, teksa para shumë vitesh, duke iu përgjigjur gazetarit Skëndo Frashëri “…Pyetja: A duhet të kemi një të përkohëshme të konsakruar historis s’ënë?, është përgjigjur: “Ku i ke historianët, shërbimtarët e historisë? Është lehtë të marrësh kartën, t’a palosësh, ta nxish me mellan, t’i vësh edhe një titull. Po ku i ke ata që do të shkrojnë lëndën? Sa për tani, do të kënaqësha me botime, artikuj në revista të ndryshme, broshura dhe libra të botuara me iniciativa private; më vonë s’ka dyshim se do të ndjejmë nevojën e një punimi më serioz, me një organ për botimin e landësë. Kur të kemi njerës me zell e me pasion, dihet vetiu se do të mejtohemi për formimin e një “Shoqërije” për historinë t’ënë, ku të mbështillen njerëzit me vullnet dhe të përhapin pemët e kërkimevet të tyre…Punimi në këtë lëmë s’bëhet as me urdhër, as me ofiq, as me dekret…”.

Drejtuesit e sotëm të Ballit Kombëtar shprehen se: “Mit’hat Frashërit, që në atë kohë vinte në dukje se, “Shqipëria është pjesë e vendeve të mëdha evropiane dhe zhvillimi i saj do të vijë pikërisht nga bashkëpunimi me vendet evropiane dhe SHBA-në”. Kjo ishte pika kryesore e programit të Mit’hat Frashërit, e cila u shkel brutalisht nga komunistët që pushtuan Shqipërinë, pas nëntorit të vitit 1944. Nëse kjo platformë e Mit’hatit do të ish aplikuar që në atë kohë, atëherë sot vendi ynë do të kishte standarde të tjera jetese. Sepse lideri i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri e bazonte alternativën e tij, mbi humanizmin dhe rritjen e standardeve të jetesës, duke pasur në qendër të vëmendjes integritetin e vendit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare”.

Zotëronte shumë mirë gjuhët e huaja: gjermanisht, persisht, turqisht, frëngjisht, arabisht, greqisht.

Vaçe Zela, “Zëri i Artë i Shqipërisë”



“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë.

Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave.

Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.



Repertori i saj është shumë i pasur, ku numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jetonte në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Bamir Topi me motivacionin:

“Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.


Një nga dy këngët që fitoi çmimin e dytë në festivalin e 19-të të Këngës në RTSH.

Kjo këngën erdhi në dhjetor të vitit 1980 përmes zëri të mrekullueshëm të Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur…/






/ Si kërkohej zgjidhja nga Ahmet Zogu, Fan Noli e Mit’hat Frashëri





Deklarata e Këshillit të Lidhjes së Kombeve që konfirmon genocidin grek në Çamëri dhe përpjekjet e qeverive shqiptare për ta zgjidhur.

Dokumente që vërtetojnë genocidin grek ishte viti 1924, kur kryeministri shqiptar Fan Noli, kërkoi zgjidhjen e Çështjes Çame. Përmes një kërkese drejtuar qeverisë turke, Fan Noli vinte në dijeni se Lidhja e Kombeve kishte bërë një deklaratë për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe se Turqia duhet ta reflektonte atë.

Pas Nolit, në vitin 1925, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri, i drejtohej kryetarit të komisionit Mikst, në Kostandinopojë, me një protestë për shpërnguljen e 5000 shqiptarëve nga trojet e tyre në Çamëri.

Në vitin 1936, Mbreti Ahmet Zogu, firmosi promemorien ku kërkohej qeverisë greke të lejonte mësues të gjuhës shqipe në shkollat e Çamërisë, konkretisht në Filat.

Tri dokumentet të marra në Arkivën e Shtetit, pasqyrojnë përpjekjet e zyrtarëve shqiptarë në tri kohë për zgjidhjen e ë. Bashkë me to edhe dy dokumente që paraqesin statistika për numrin e popullsisë çame në vitin 1910, në trojet e tyre në Çamëri.

Tiranë 10 dhjetor 1924


Fan Noli, kryetar i Këshillit të Ministrave në Tiranë i drejtohet Feliti Beut, kryetar i Këshillit të Republikës Turke, Ankara



Kam nderin t’i bëj të ditur shkëlqësisë suaj së Keshilli i Lidhjes së kombeve trajton aktualisht çështjen e popullsisë së Çamërisë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje në përputhje me rregullat e drejtësisë dhe interesat e Shqipërisë, është e domosdoshme që e nderuara qeveria turke të bëjë një deklaratë zyrtare në kuptimin që: pasi ky truall i banuar vetëm nga shqiptarët, popullsia e tij nuk i nështrohet këmbimit dhe kështu nuk mund të pranohet në Turqi.

Duke pasur parasysh karakterin e ngutshëm dhe të rëndësishëm të çështjes, unë do t’i isha pafundësisht mirënjohës shkëlqeqësisë suaj që të ketë mirësinë të ngarkojë të nderuarin delegacion turk në Romë që të bëjë një deklaratë të tillë përpara Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Pranoni zoti kryetar, sigurimet e konsideratës sime shumë të lartë.

11 nëntor 1925


Mit’hat Frashëri, ministër fuqiplotë në Athinë i drejtohet kryetarit të komisionit Mikst, Kostandinopojë.



Zoti kryetar, qarkullojnë zëra për heqjen nga Çamëria (Epir) të 5000 shqiptarëve që i detyrohen këmbimit të detyrueshëm. Në rast se këto zëra janë të themelta, unë jam i ngarkuar nga qeveria ime të protestoj energjikisht pranë komisionit Mikst.

Ky vendim faktikisht është në kundërshtim me përmbajtjen dhe frymën e deklaratës së të deleguarve turq dhe grekë në konferencën e Lozanës (janar 1922), deklaratë e përsëritur përpara Lidhjes së Kombeve nga i deleguari grek SH. T. Z Caclamanos, i njëjti që kishte pranuar të qënit me vend të kërkesës së shqiptarëve në Lozanë.

Tiranë 02/prill 1936

Promemorie e dalë nga mbledhja e këshillit të ministrave




Në mbledhjen e Këshillimit Ministror më datën 2 prill 1936 ministri i punëve të jashtme relatoi mbi gjendjen e pakicave shqiptare në Çamëri, si dhe me designimin nga ana e qeverisë greke të deritash, pesë shtetasve shqiptarë, grekofonë, si mësues të gjuhëve shqipe në shkollat qeveritare greke, në pesë katunde të Çamërisë.

Ministri i punëve të jashtme gjithashtu dha hollësira mbi metingun e mbajtur në xhaminë e Filatit, ku popullsia shqiptare kërkoi të drejtën që ta mbaj vetë shkolla shqiptare dhe me këtë rast ,ekspozoi pikëpamjen e ministrit të Shqipërisë në Athinë. Këshilli Ministror vendosi mbas këtyre shpjegimeve që përfaqësitë tona në Greqi, veçanërisht Legata e Athinës, të ngarkohen që të bëjnë demarshe, me qëllim që të emërohen si mësues të gjuhës shqipe, ndër shkollat e Çamërisë.

Shqipëtarët prej race, gjuhe dhe origjine mbi emërimin e mësuesve nga ana e qeverisë greke, përfaqësuesit tanë duhet të insistojnë, më anë tjetër minoriteti shqiptar i Çamërisë të inkurajohet që të kërkoj shkolla shqiptare komunitare. Përfaqësitë tona në Greqi duhet të këshillojnë përparësinë shqiptare të Çamërisë me gjithë mosmarrëveshjet personale që mundet të ekzitojnë, që të bëj, ca ose komuna çështjen e përbashkët mbi çështen e shkollave.

Mbreti Ahmet Zogu





Andreas Dushi : “Le të përdoren të dy dialektet”, vendimi i të parit Komision Letrar




Kontribut të shquar në fushën e gjuhësisë shqipe duhen shënuar dy evenimente të mëdha e të veçanta të Shkodrës për gjuhësinë shqiptare: Kontributi për alfabetin në Kongresin e Manastirit 1908 dhe ai i Komisisë Letrare në Shkodër 1916-17.
Shkodra çoi në Manastir si përfaqësuesit e vet gjuhëtarë, personalitetet autoritare Atë Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Dom Ndre Mjedën e Mati Logorecin. Ndërsa në Komisinë Letrare bënin pjesë personalitete me autoritet gjuhësor si Dr. Gjergj Pekmezi, kryetar i Komisisë, Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Hilë Mosi, Vincens Prennushi, Luigj Naraçi, Anton Paluca, Hafiz Ali Korça, Prof. Dr. Aleksander Xhuvani, Sotir Peci, Sali Nivica, Josif Papadhima, albanologët Maksimilian Lamberc e Prof. Rajko Nahtigal, një katedër intelektuale e mirëfilltë.

Kjo Komisi qe një akademi e vërtetë. Komisia Letrare kreu punën e një kongresi shkencor për unifikimin e gjuhës. Shkodra u zgjodh si një qytet me tradita të mëdha kulturore e arsimore, qytet që kishte dhënë aq shumë për gjuhën shqipe. Vendimi i parë i Komisisë ishte “Me themelue një ortografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet e shkrueme”.

Në procesverbalet, të publikuara nga Marian Shestani në librin “Shkodra” shënohen këto vendime:

Të merret një dialekt bazë e prej këtij të bahet një skelet i cili të mbushet e të zbukurohet me frazeologjinë dhe leksikografinë e gjithë dialekteve.
Le të mbeten për tashti të dy dialektet.
Të merren parasysh vetëm ndryshimet tipike në mes të dy dialekteve dhe duke marrë për pasqyrë vetë gjuhën duam të themi, duke parë se çka bën gjuha vetë në këtë rastje t’i vemi edhe ne kësaj pas. Mbas shumë diskutimesh prej të gjithëve u formulua vendimi përfundimtar dhe u pranua dialekti i Elbasanit si bazë dialektore e gjuhës së përbashkët. Këtij vendimi i shtohej në fund detyra: “Komisia të mbajë gjithmonë parasysh detyrën që të bëhen kërkimet e nevojshme për të gjetur format e mesme, të cilat t’afrojnë ndryshimet dialektologjike të dy dialekteve”.


Ndonëse shumica e anëtarëve ishin shkodranë me emër e influencë të madhe në fushën e kulturës, gjuhës e letërsisë, nuk u kërkua prej tyre që të vendosin bazë dialektore të gjuhës letrare të folmen e Shkodrës, siç ngulmonte Lamberci, por u kërkua një rrugë e mesme për afrimin e dy dialekteve, çka solli si formulë vendimin që u njoh prej të gjithëve. Komisia Letrare në Shkodër krijoi të parin Standard të gjuhës së normëzueme.

Ky vendim u njoh dhe u zbatua deri në vitin 1945. Mbas këtij viti me urdhër të pushtetit të ri komunist , u dërgua vendimi që si gjuhë zyrtare të zbatohej toskërishtja me argumentimin se është gjuha e udhëheqësve të Luftës Nacionalçlirimtare.

Më pas në Kongresin e Drejtshkrimit të 1972-shit u vendos për gjuhën e njësuar e cila nuk u quajt gjuhë letrare, por u gjet termi Standardi i normëzuar i shqipes.

Në Konferencën shkencore “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” organizuar më 4 tetor 1996 në Shkodër, në kuadrin e 80 vjetorit të Komisisë, gjuhëtarët u shprehën: “Komisia Letrare në Shkodër, për nga qëllimet dhe vendimet dhe për faktin se i afroi mjaft të dy dialektet letrare në shkrim, shënon një hap të madh cilësor në njësimin e gjuhës letrare shqipe”.

DIKUR DHE SOT : NEXHMIJE PAGARUSHA, BILBILI I KËNGËS SONË

Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Image result for nexhmije pagarusha
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.
Related image

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtinë, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984, në mënyrë që edhe një herë t’i rikthehet skenës, në vitin 2000, kur në Tiranë interpretoi këngën “Për ty”, në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili arriti ta bindë që edhe një herë të shkëlqejë para publikut.

Related image
Namin e muzikës popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.

Nexhmije Pagarusha

Ndër rreth 150 këngët që ka interpretuar, mbetet e paharruar “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi dhe me tekst të Rifat Kukajt, por edhe, “Ani mori nuse”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam” dhe shumë të tjera.

Image result for nexhmije pagarusha
Nexhmije Pagarusha mori shumë çmime, ndër të cilat “Këngëtare e Shekullit” në Kosovë dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”, me të cilin e dekoroi presidenti shqiptar Bujar Nishani në vitin 2012.

Disa nga këngët e saj:

“Baresha"
”Ani mori nuse”
”Mora testin”
“Kur më shkon si zog n'hava”
“Kur më del në derë”
”Ke selvitë”
“Ç'u ngrit lulja në mëngjes”
“Çil njat zemër plot kujtime”
“Dallëndyshe”
“Një lule”
"Zambaku i Prizrenit"

Filma

Interpretoi në filmat dhe shfaqjet teatrore

“Dasma e përgjakur”, (1967)
“Jugovizioni” (1973)
“Gëzuar viti i ri” (1976)
"E kafshoja terrin" (1977)
"I ikuri". (1980)
"Tre vetë kapërcejnë malin" (1981)
"Lepuri me pesë këmbë"
"Fluturimi i Micakut"
"Daullet e të çmendurve",
"Rexha i nënës në grazhd të kalit"
"Vrasësit bëjnë dasmë natën" (1997)

PO JU PYES SI SHIROKAS


Nga Fritz RADOVANI:

Image result for llogoraja 

E BUKRA LLOGARA...
Bukuria e Liqenit të Shkodres reflektohet edhe nder shkambijt e Taraboshit, tue i dhanë pamje piktoreske edhe Shirokës, fshatit bukur ku lindën dhe u rritën të Parët e mij...
Shiroka... Mjaft e marrun nëpergojë, per “malin pa dru e njerzit pa tru...”. Megjithate, Emnat e njerzve të dijtun ua kanë mbyllë gojen mjaft peshqëve që edhe ikën prej andej.
Ishte kenë derman Dajlani me i mbledhë e me i çue nder universitetet e Tiranës...

Image result for Don Zef Ashta
Aty Gjyshi im Toma, i pat dhanë një dhomë Kishës së Shirokës dhe Don Zef Ashta, hapi në vitin 1874 Shkollen e Parë me Gjuhen Shqipe, per banorët e Shirokës. Ndersa, ne nipat e Tomës, asnjeni nuk u lejueme me ndjekë shkollat e nalta nga “lufta e kllasave”...

Image result for 1874 Shkollen e Parë me Gjuhen Shqipe,

Siduket, per këte arsye nuk zehet me gojë as Shkolla e Shirokës, si Shkollë e Parë...
Kur Shiroka ishte zonë kufitare kam shkue rrallë e aspak, vetem kur më merrte me vete mësuesi i nderuem dhe Miku im Sander Troshani, që ishte mësues atje...


Ndoshta, malli per Shirokën më shtonte dashuninë dhe dëshiren per me kalue pushimet në bregdetin tonë të mrekullueshem! E jo, ma pak per Bjeshkët e Nêmuna...
Kur shkova në Dhermi, mendova se Shqipnia asht vendi ma i bukri në Botë... Liqejt e Lurës ishin krejtë tjeter gja... Per me i kuptue ata, Shqiptari duhet me jetue 150 vjetë...

Image result for shkolla e shirokes
Me siguri bukuria e Tokës Shqiptare, per të cilen Gjergj Kastrioti e la edhe Stambollin, asht një nder arsyet që fqinjët tanë, nuk na e lypin po kerkojnë me na vue thonjët në fyt dhe me na e marrë “një pllambë” tokë... E “dy pllambë” prej bregdetit tonë aq të bukur!

Image result for shkolla e shirokes

Në vitin 1924, në muejn shtator gazeta “Ora e Maleve” publikon mjaft ngatrresa që nuk ndryshojnë fare nga të sotmet, ndermjet fqinjëve ku nuk perjashtohet as Italia...
***
Tashti në 2018 kanë fillue edhe njëherë “davatë e pafund të grekëve per ujnat tona”!!
Me siguri, kjo çeshtje do të shkojnë per shqyrtim edhe në Bruksel apo Hagë...Nuk e dij!
Sigurisht, kjo asht puna e “atyne” që merren me “atë çeshtje” (perveç Atdhetarëve)!!
Mue si Shirokas (edhe pse jam shumë larg) më intereson tjeter gja, prandej, po ju pyes:
“Kur të ndani ujnat e Detit Jon në brigjet e Shqipnisë së Jugut, po peshkaqenët tanë kush do ti marrin...?! Flas per peshkaqenët e vjeter e të rij... Mos m’i ndani Ju lutem!..”
            Melbourne, Mars 2018.


****

Image result for kush eshte Dr. Anton Ashta


https://www.shkodradaily.com/2014/11/anton-ashta.html


http://gazetavatra.com/anton-ashta-doktori-qe-zhduku-malarien-ne-shqiperi/

Imazhi dhe jeta reale e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut


Image result for flori bruqi


Autor : Flori Bruqi


Skënderbeu ose Skënderbej ,lindi në vitin 1405 dhe vdiq të vitit 1468. Është Heroi Kombëtar i shqiptarëve, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Dibër. U mor peng si nizam pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e quan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.

Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër).

Pas mbarimit të shkollës, Skënderi "(Gjergj Kastrioti)" kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik.

Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t'i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.

Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t'u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik.

Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.

Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës.

Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve.

Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu.

Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë.

Vdiq me 17 janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht.
E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali.

Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre.

Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.

Në kulmin e pergatitjeve të kryqëzatës së vendeve europiane, kundër pushtuesve osmanë, vdiq më 14 Gusht 1464 ne menyre te papritur dhe te mistershme( thuhet qe u helmua), Papa Piu II, frymëzuesi dhe organizatori i saj.

Ai ishte papa i 210 i kishes katolike, Shërbeu si papë që nga zgjedhja e tij më 19 gusht 1458 dhe deri më 14 gusht 1464. Paraardhës i tij ishte papa Kalisti III ndërsa pasardhësi papa Pali II.

Ai e shpalli fillimin e kryqëzatës, në nëntor 1463 dhe ushtritë kryqëtare po grumbulloheshin në skelat e Italisë, për tu nisur kundër turqve.

Po atë vit midis Skënderbeut dhe Venedikut u përfundua Traktati I Miqësisë dhe aleanca në luftë kundër pushtuesve turq. Edhe Venediku me Hungarinë, përfunduan një lidhje ushtarake.

Në Shqipëri Skënderbeu u pajtua me Dukagjinët dhe u bënë aleat të ngushtë.

Të gjitha këto si dhe nxitje e presionet e ushtruara nga Papa dhe nga Venediku e detyruan Gjergj Kastriotin të prishë marrëveshjen e Paqes me Mehmetin e II në Prill të vitit 1463 dhe të solidarizohet me kryqëzatën, duke kryer një varg aksionesh ushtarake në zotërimet turke.

Por shpresa e Skënderbeut për t’a lidhur rezistencën shqiptare, me luftën e popujve europianë, u fashit me vdekjen e Papës, që pruri në dështimin e kryqëzatës.

Me dështimin e saj, shqiptarët mbetën përsëri të vetëm përballë furisë turke, barrikadë e vetme, në mbrojtje të civilizimit europian.

Ishte Dhimiter Frângu (dhe jo Dhimiter Frëngu) qe shkroi i pari jetën e Skënderbeut, realisht si u zhvillua, sepse Frângu ishte bashkëshoqërues i gjithë jetës dhe luftërave të Skënderbeut, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar, ndrysh nga Marin Barleti ku ka edhe trillime.

Shkrimet latinisht të Frângut të vitit 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësuan nga të tjerë, dhe përkthimi dhe botimi i saj italisht u bë më vonë, pas vdekjes së Frângut.

Patjetër se vepra e Barletit qe u botua latinisht ne fillim të shek të XVI (1504) kushtuar luftës heroike të arbërve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës) pati jehonë të madhe.

Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510.

Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës.

Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV, kur nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frângut. Periudha e Skënderbeut u përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit.

Siç e thame një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frângu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut.

Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka.

Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (6 maj 1405- 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV - fundi i shek. XV).

Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptarë që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë.

Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë.

Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta.

Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale.

Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar.

Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera.

Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t’i bëhej ballë vetëm më sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët.

Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve.

Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.

Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij.

Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane.

Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli,
Sami Frashëri, Sabri Godo, Fatos Daci e shumë të tjerë.

Thuhet se në një rast Ballaban Pasha i dërgoi Skënderbeut një dhuratë: katër kuaj arab së bashku me një pajisje të shkëlqyer për të nderuar Skënderbeut si një komandant, ndërsa Skënderbeu si përgjigje ia kthen me një dhuratë të e përbërë nga një shkop bariu dhe një gunë, duke i dhënë të kuptoj Ballaban Pashës se do të kishte qenë më shumë i nderuar të ishte një bari i thjeshtë në fshatin e tij, sesa të tradhtonte vendin e tij.

Për popullin shqiptar Skënderbeu bënte mrekulli me shpatën e tij. Ishte menduar se duheshin tre burra të ngrinin shpatën e tij dhe se ai mund të copëtonte shkëmbinj ose shponte male me të.
Në një ngjarje tjetër popullore është thënë gjatë negociatave për paqe se Sulltan Mehmedi i II, që kishte dëgjuar për shpatën e Skënderbeut i kërkoi atë si një nder Skënderbeut.

Skënderbeu pranoi dhe dërgoi shpatën e tij si një dhuratë për sulltanin. Njerëzit e Skënderbeut pas dëgjimit të lajmeve ishin të shqetësuar.

Ata i dolën Skënderbeut në lidhje me frikën e tyre se ai i dorëzoi shpatën e tij legjendare, por Skënderbeu qeshi dhe u përgjigj se ai i dorëzoi shpatën e tij, por jo krahun e tij.

Gjatë një betejë të furishme kundër turqve që zgjati përtej muzgut, Skënderbeu urdhëroi disa nga ushtarët e tij të gjenin një tufë me dhi, e u lidhën pishtarë të ndezur brirëve të tyre dhe dërgohen në drejtim të rreshtave të ushtarëve turq gjatë natës.

Turqit besuan se u sulmuan nga trupa të shumta shqiptare dhe u larguan me mendimin se u mundën që në numër.

Për shërbimin e rëndësishëm të marrë nga ana e këtyre kafshëve, heroin ynë vendosi të përvetësojë imazhin e kafshës si emblemë të tijën, në përkrenaren e tij.

Skënderbeu në shtrat të vdekjes së tij urdhëroi djalin e tij për t'i shpëtuar hakmarrjes turke të largoheshin për në Itali, tha se sa më shpejt të zbarkojë në ranishte të gjente një pemë ku të lidhë kalin e tij dhe shpatën e tij, dhe sa herë që të frynte era turqit të dëgjonin shpatën e tij në ajër dhe hingëllimën e kalit të tij dhe nga frika se nuk do t'a ndiqnin.

Me të përhapur lajmin e vdekjes së Skënderbeut, Turqit vendosën të sulmonin forcat shqiptare sa më shpejt që të përfitonin nga morali i ulët që ngjarja kishte prodhuar.

Komandantët shqiptar vendosën të përdornin një dredhi të pazakontë: morën nga shtrati i vdekjes trupin e pajetë të kreut të tyre dhe e hypën mbi kalin e tij, nxitur në luftë me të gjithë ushtrinë e tij prapa. Turqit, u ndien të mashtruar me lajmin e rremë rreth vdekjes së tij dhe u tërhoqën.

Skënderbeu mblodhi mjaft reputacion një postum në Evropën Perëndimore në shekujt e 16 dhe 17. Me shumë e Ballkanit nën sundimin otoman dhe me turqit në portat e Vjenës në 1683, asgjë nuk mund të ketë lexues të mahnitur në Perëndim më tepër se një përrallë plot aksion e rezistencës heroike të krishterë për të "një luzmë mysliman".

Libra mbi princin shqiptar filluan të shfaqen në Evropën Perëndimore në fillim të shekullit 16. Një nga më të hershme të këtyre historive që kanë qarkulluar në Evropën Perëndimore në lidhje me veprat heroike e Skënderbeut ishte Historia de Vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis (Romë, 1508-1510), botoi në katër dekada vetëm pas vdekjes së Skënderbeut.

Kjo Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, Princi i Epirote është shkruar nga historiani shqiptar Scodrensis Marinus Barletit, i njohur në gjuhën shqipe si Marin Barleti, të cilët pas përjetuar pushtimin turk të Shkodrës tij të lindjes nga eksperienca personale, u vendos në Padua ku ai u bë rektor i kishës famullitare të Shën Stefan.

Barleti dedikon punën e tij për të Donferrante Kastrioti, (nip i Skënderbeut), dhe të pasardhësve. Libri është botuar së pari në latinisht.

Në shekujt e gjashtëmbëdhjetë dhe të shtatëmbëdhjetë libri Barleti ishte përkthyer në një numër të versioneve të gjuhëve të huaja : në gjuhën gjermane të Johan Pincianus (1533), në italisht nga Pietro Rocca (1554, 1560), në portugalisht nga Francisco D'Andrade (1567), në Polonisht nga Ciprian Bazylik (1569), në frëngjisht nga Jaques De Lavardin, zot feodal Plessis du-Bourrot (frëngjisht: Histoire de Georges Castriot Surnomé Skenderbeu, Roy d'Albanie, 1576), dhe në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde (1582) .

Versioni në anglisht ishte një përkthim nga një frëngjisht nga De Lavardin dhe të bëra nga një Zoterinj Zachary Jones. Ajo është botuar në fund të shekullit 16, nën titullin, Historiku i George Castriot, i mbiquajtur Skenderbej, Mbret i Shqipërisë; përmbajnë Actes famshme të tij, Deedes Fisnik e tij e Armës dhe fitoret paharrueshëm kundër Turkes për Besimi i Krishtit.

Gibbon nuk ishte i pari që e vënë re se Barleti është nganjëherë i pasaktë në favor të heroit të tij, për shembull, Barleti pohon se Sulltani i kishte ngordhur nga sëmundja nën muret e Krujës.

Portreti i Skenderbeut, ca. Biografia e 1648. Kastrioti 's ishte shkruar edhe nga Franciscus Blancus, një peshkop katolik i lindur në Shqipëri. Libri i tij "Georgius Castriotus, Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum Princeps Fortissimus" është botuar në latinisht në vitin 1636.

Voltaire nis kapitullin e tij "Marrja e Konstandinopojës" me frazën : "Sikur Perandoret grek ka vepruar si Skenderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund të ketë qenë ruajtur."


Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive të shekullit XVIII –të britanik, Skenderbeu William Havard-së, një tragjedi (1733), George Lillo's Hero i krishterë (1735), dhe Skënderbeu Thomas Whincop-së, Ose, Dashuria dhe Liberty (1747).

Një numër i poetë dhe kompozitorë gjithashtu kanë tërhequr frymëzim nga karrierën e tij ushtarake. Frëngjisht poeti i shekullit të 16 Ronsard shkroi një poemë rreth tij, ashtu si edhe të shekullit të 19 poeti amerikan Henry Wadsworth Longfellow.

Për Gibbon, "John Huniades dhe Skënderbeut... janë të dyja të drejtë për njoftim tonë, që nga profesioni i tyre i Osmane armëve vonuar rrënojat e perandorisë greke."

Në 1855, Camille Paganel ka shkruajtur Histoire de Scanderbeg, i frymëzuar nga Krime të Luftës.

Shkrimtari dhe filozofi danez Ludvig Holberg, pohoi se Skënderbeu është një nga gjeneralët më të mëdhenjë në histori.

Ndërsa Sir William Temple konsideron se Skënderbeu ishte një nga të shtatë krerët më të njohur sië janë Belisarius, Flavius Aetius, Gjon Huniadi, Gonzalo Fernández de Cordoba, Farnese Aleksandër si dhe William Heshtur.

Kompozitori I njohur italian Antonio Vivaldi shkroi opern e njohur Skënderbeu (e interpetuar për të parën here me 1718).

Operën tjetër për Skendërbeun me titull “Skenderbeu” e shkroi në shekullin 18 kompozitori franqezë François Francœur (që është interpretuar për here të pare në vitin 1763).

Edhe pse shumë studiues nuk kanë qenë shumë të fokusuar në detajet e jetës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë qenë të interesuar, por mbi të gjitha ata e kanë njohur Gjergj Kastriotin si një personalitet të madh, vizionar dhe trim e mbrojtës të civilizimit të përbashkët evropian.

Prandaj, detajet se sa ka qenë i madh, çfarë imazhi apo si ka ngrënë e si është veshur, nuk u kanë interesuar aq shumë autorëve që kanë shkruar për të, se sa vepra dhe gjurmët që ai ka lënë gjatë lidershipit të tij dhe luftës kundër pushtuesit barbar osman.

I vetmi që ka shkruar ka qenë Marin Barleti në veprën e tij me disa detaje, për shkak se ai ishte bashkëkohës, dhe se vetëm bashkëkohësit mund ta dinë se si ishte në tërësi ai personalitet.

Për të parë më mirë imazhin e plotë të këtij personaliteti mbikohor të kombit tonë, do të veçoj këtu fjalët e një nga bashkëkohësit e tij i quajtur Petruzi, nga letra dërguar Senatit Venecian.

Këtu janë përzgjedhur disa nga karakteristikat që i nënvizon mbi Gjergj Kastriotin dhe jetën e tij si më poshtë :
“Një hundë butësisht e lakuar si shqiponjë, një fytyrë të bardhë e përzier me pamje të skuqur dhe të shëndetshme, si rezultat i aktiviteteve te tij në diell, ballë të lartë të gjerë, sy të zi në të kaftë dhe mjekër të stilit të heronjve të vjetër me reputacion…


Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm, muskuloz… me dhunti dhe fisnikëri që nga lindja e tij…

Ai ka një trup të fuqishëm dhe të pazakontë fizik dhe unë e kam parë disa herë atë në beteja…
I veshur me të gjelbër me një rrip shumë të mirë në mes… pantallona të gjera me shtrese tek këmbët të çorapeve ne të kuqe dhe çizme te verdha janë stolia e tij e zakonshme…

Natën, shpata e tij gjithmonë duhet të qëndrojë tek shtrati.

Në paqe ai shkon shpesh i veshur, në bazë të veshjes kombëtare (artit të veshjes se vendit)…

Ai është jashtëzakonisht i masës në të ngrënë dhe në të pirë… ndërsa, për nga morali ai mund të shërbejë si shembull (model)…

I pastër, i devotshëm, i butë, orator dhe bujar…

Me pak fjalë, bota është shpirti i tij, nga zemra e tij njihet vetë ai.
Ai zotëron një kujtesë të paimagjinueshme, në mënyrë që ai si Pirro, paraardhësi i tij i madh, emrat e pothuajse të të gjithë luftëtarëve të tij i njeh…

I urtë dhe i kujdesshëm në këshillat e tij, ai i shqyrton planet e sukseseve ose dështimeve të tij, por kur ai i dizajnon planet njëherë, ai i ekzekuton ato me vendosmëri dhe shpejtësi si rrufeja.

Përveç gjuhës së tij amtare, ai flet plotësisht turqishten, tatarishten, sklavonishten, latinishten, persishten dhe Velshisten; po ashtu ai e njeh mirë historinë e lashtë greke dhe romake: librat më të preferuar të tij janë jetëshkrimet e Plutarkut dhe komentaret e Cezarit.

Ai përdori historinë e vjetër të Livit dhe përshkrimet(direksionet)e tij duke i nxjerrë ato si rregulla për qeverinë e tij dhe mënyrën e jetës prej tyre.

"Provokatorët realë të Skënderbeut!"

"Vjet për Kurban Bajram pati një histeri qysh në mëngjes.

E kishin kapur me Skënderbeun. Qysh herët në mëngjes, të njëjtët njerëz që sot kanë vënë kujën për Skënderbeun e “mbuluar”, po krenoheshin që gjunjëzuan myslimanët besimtarë të Tiranës, dhe i “detyruan” t’i faleshin Skënderbeut.

E postuan e ripostuan një foto të besimtarëve në gjunjë para kalit të Skënderbeut, ndërkohë që mua nuk më dukej e tillë. Myslimanët falen duke u drejtuar andej nga u thotë feja e tyre, çka koincidon me pozicionin e monumentit të Skënderbeut.

Aq e neveritshme u bë zhurma që “myslimanët ishin gjunjëzuar” para Skënderbeut, që edhe mua që jam ateist dhe kam një bezdi nga këto ritet fetare kolektive nëpër sheshe, filloi të më vijë keq që ua paskan bërë me hile këtyre myslimanëve dhe i kanë “gjunjëzuar”.

Sot në mëngjes që në orën 06:00, ma nxori gjumin një prej këtyre tipave. Kishte pritur se si do t’ua “dhiste” Skënderbeu prapë myslimanëve. Por pa që dhjetë metra para Skënderbeut, tabela elektronike e reklamave pengonte pamjen e Skënderbeut.

 Në pozicionet e tjera Skënderbeu dukej normalisht, por me rëndësi ka fotua që nuk duket, e që quhet se është “mbuluar” Skënderbeu. Dhe nisi një histeri e re.

Nga Kosova, një miku më shkruan se i kanë vënë burkë, një tjetër thotë i kanë mbuluar dhe koqet kalit. Në fakt, ato duken po të ulesh poshtë, siç falen ata (me një fjalë, i kanë rrujt koqet, siç thotë populli në këtë rast).

Kjo është një histeri e shëmtuar, nga ato provokacionet e ndyra që duan doemos konflikt mes myslimanëve dhe feve të tjera në Shqipëri.

Nuk e vë në dyshim që dikush është kujdesur për skenografinë që edhe Skënderbeu të mos mbulohej, por dhe të mos shikohej nga të gjithë, duke e penguar skena. Ka aty brenda një zell politiko-fetar kundër tij, duke kujtuar natyrisht dhe “triumfalizmin” e vitit të kaluar, të atyre që i “tallën” se ju gjunjëzuan Skënderbeut. Por këta histerikët që bëjnë si “gardistë” të Skënderbeut, janë në fakt autorët e vërtetë të kësaj beteje false.

E donin vitin e kaluar, duke “u tallur” me besimtarët se ua kishte futur Erion Veliaj dhe i kishte vënë të faleshin para Skënderbeut dhe po i provokojnë sivjet kur shpikin sikur kanë mbuluar Skënderbeun.
Më e neveritshme është pastaj që gjithë llumi i shoqërisë, ata që duan të bëhen protagonistë, ata që duan të bëhen “pro-perëndimorë” me Skënderbeun, dhe pro turq në grabitje të vendit, vazhdojnë histerinë.

Ky është një rast i mirë për të hartuar një rregullore të përdorimit të sheshit “Skënderbej” për festa fetare, manifestime politike, apo festa kombëtare, dhe këtu merr fund debati.

Skënderbeu nuk ka nevojë as të “gjunjëzojë” besimtarët myslimanë, as të gjunjëzohet prej tyre. Atij i janë gjunjëzuar gjithë shqiptarët duke e pranuar si simbolin unifikues kombëtar dhe jo si drejtues meshash apo Kurban Bajramesh. Ai është aty për të na kujtuar historinë dhe rrënjët e kombit dhe i ka mbyllur betejat me të gjallët më 1468, gati 550 vjet më parë.

Ndaj figurave të tilla të mëdha, do ketë gjithnjë njerëz që do hedhin gurë, apo njerëz që do t’i ngjiten pas bishtit të kalit, që të duken si ai, por kjo nuk e prek atë.

Ata që gëzojnë dhe vajtojnë, duke përmendur emrin e tij, thjesht kanë axhendën e tyre, ku Skënderbeu është i keqpërdoruri i madh.

Nëse i bën keq dikush Skënderbeut në këto kohë, janë pikërisht këta që e duan Skënderbeun, anti-mysliman, katolik apo ortodoks.

Lëreni të qetë majë kalit dhe altarit të kombit shqiptar, se as ata që ulin kokën poshtë tij, e as ata që duan të rrijnë në krah të tij, si “Skënderbej” të rinj, thjesht e bezdisin. Siç bezdisnin në të gjallë mizat kalin e tij, kur i hynin nga poshtë"!


Literatura:


  http://floripress.blogspot.com/2013/07/gjergj-kastriot-skenderbeu.html

 https://www.scribd.com/document/27165498/Guxim-Shqiptar-Bruqi-Flori-2008

https://pegasiworldalbania.files.wordpress.com/2014/09/ballina.jpg

  http://floripress.blogspot.com/2018/01/gjergj-kastrioti-skenderbeu-asht-i.html

 http://floripress.blogspot.com/2017/09/skenderbeustrategu-qe-sfidoje.html


 http://floripress.blogspot.com/2018/01/nis-viti-i-skenderbeut-ne-bote.html

  http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=ARTKULTUR%C3%8B&article=6002

https://www.google.com/search?q=flori+bruqi+skenderbeu&rlz=1C1CHBD_enXK766XK766&ei=PHGtWoa3Mo_bwAKY24m4AQ&start=10&sa=N&biw=1280&bih=615

https://www.slideshare.net/madopol/olimpi-shqiptar-liber-nga-flori-bruqi

  http://lidhjashk.com/team/flori-bruqi/

Prishtinë,17 janar 2018

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...