REXHEP SHAHU
(fragment nga libri im ne proces “Lufta ime për Kosovën”)
Valdet Myftar Ziba është ndër ushtarët më të rij të UÇK-së.
Nuk e kam njohur në kohën e luftës, nuk ia di luftën as heroizmat nuk ia di. Di se ai nuk e ka të mbushur gjoksin me dekorata e lëvdata lavdie, di se nuk jeton në të kaluarën por nuk e harron atë për të mos ia zënë udhët vetes e të ardhes së tij. Është krenar për çfarë ka bërë në ato vite lufte. Nuk flet shumë për veten, por bën shumë edhe 20 vjet pas luftës.
Valdet Ziba, djalë i ri, rreth 18 vjeç, banues në Tiranë, gjimnazist në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë, i biri i ushtarakut të lartë të Kosovës, Miftar Ziba, ka qenë shofer i ministrit të mbrojtjes Ahmet Krasniqi në Tiranë. Shofer i ministrit për në Tiranë. Ka qenë njeri i besuar i ministrit Ahmet Krasniqi.
Ndoshta nuk do ta mësoja kurrë këtë fakt dhe nuk do të shkruaja asnjë fjalë për Valdet Zibën, por ai me fisnikërinë e tij shkruan përditë e përvit veten e tij.
Vadet Ziba është ushtari që kujdeset për varrin e komandantit, është ushtari i UÇK-së që edhe 20 vjet pas vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, vazhdon të kujdeset për varrin e komandantit, për varrin e Ministrit që forcat e errëta të krimit, ata që nuk e donin lirinë e Kosovës, e vranë në Tiranë. E vranë për të na thënë gjithë shqiptarëve dhe aleatëve të shqiptarëve se porositësit dhe vrasësit janë kundër lirisë e pavarësisë së Kosovës. E vranë shqiptarët, dora e shqiptarëve për ta mbjellë në shekuj urrejtjen e vëllavrasjen mes shqiptarëve. E vranë me duar shqiptarësh, për të na thënë se shqiptarët nuk e duan bashkimin, për të thënë se në Tiranë, në Shqipëri, vritet edhe Ministri i Kosovës…
“Erdha me u përshëndetë me komandantin bre Rexhë”, më tha Valdeti një ditë vere sivjet në një kafe pranë gjimnazit ku ai ka qenë nxënës në Tiranë.
Valdeti nuk pret ditët përkujtimore me ardhë te varri i Ministrit Ahmet Krasniqi, jo, në ato ditë vijnë dhe e duan edhe shumë të tjerë komandantin. Valdeti vjen në ditë të zakonshme si mik që vazhdon ta kujtojë e ta nderojë komandantin e tij, Ministrin e vrarë.