Luan Rama është kineast, studjues arti, publiçist, shkrimtar, dhe ka lobuar si ambasador (1991-1992) në Paris, Francë dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001), duke e përfaqësuar vendin edhe në UNESCO.
Autori krijon e punon në Universitetin INALCO (Institut des Langues et Civilisations Orientales) Paris, Francë. I diplomuar për Gazetari në Universiteti i Tiranës, dhe i profilizuar për Audiovizual e Kinematografi në Universitetin e Parisit Denis Diderot. Si skenarist i katër filmave në Kinostudio Shqipëria e Re njihet në gazetarinë ose prozën filmike dhe për kontributin në filmin Vajzat me kordele të kuqe.
Aktualisht studjuesi Luan Rama është autor i shumë studimeve mbi pikë takimet e kulturave franko-shqiptare, në vijim të zbulimit të personaliteteve të botës shqiptare në Evropë duke ndriçuar nga arkivat franceze shenjtorët ilir, fisnikët arbër, artistët dhe poetët shqiptar më me ndikim në qytetërimin Perëndimor. Promovues i vlerave të artit bashkohor publikon dhe studimin për kuartetin e piktorëve shqiptarë Omer Kaleshi, Artur Muharremi,Zamir Mati e Bujar Luca në Francë.
Vepra letrare&studimore
Disa nga veprat më të zëshme kohët e fundit janë studimet në rrafshin kulturor :
Dorëshkrimet e purpurta - studim ku shtjellohen edhe Kodikët e Shqipërisë shikuar si vlera botërore që nga kodikët e Beratit, Vlorës, Korçës, apo Voskopojës.
Parisi letrar -studim ku shpaloset jeta e panjohur njerëzore dhe itinerari artistik i shkrimtarëve të shquar francezë.
Pikëtakim me Jean Cocteau(Zhan Kokto) -jeta pasionale dhe vepra poliedrike e poetit francez,
Jean Moréas, Jani nga Moréa- studim mbi poetin simbolist arvanistas,
Kalorësit e Stuhisë – normandët, frankët dhe shqiptarët -studim ku dëshmohet roli i stratiotëve dhe lidhjeve të aristokracive anzhuine dhe arbërore,
Santa Quaranta -Romani trajton historinë e qëndrimit të balerinës Isadora Duncan në Sarandë,
Shkëlqimet e Meteorëve - Libri sjell përvojën e aktoreve franceze në sheshin e xhirimit,
Origjina e Botës - Romani intrigohet tek historia e nudos së piktorit Courbet e porositur nga Halil beu, ambasadori shqiptar në Paris i Perandorisë Osmane.
Dino - Shtegtari i Portës Sublime –Monografi e piktorit Abedin Dino dhe saga e familjes shqiptare Dino nga Çamëria.
Krushq të largët -Libri i parë i autorit ngritur mbi pikëtakimet franko-shqiptare, Pont entre deux rive (Ura midis dy brigjeve).
Nga Luan Rama*
… Më 18 tetor të vitit 1938, çifti Benezech i ishte drejtuar Hanit të Hotit e më pas Tamarës e Lëpushës në lartësitë e mbi 2000 metrave. Ata shoqëroheshin nga interpreti i tyre shkodran, B., një njeri i sprovuar në udhëtime të tilla dhe njohës i gjuhëve të huaja si dhe dy qeraxhinj, Asllani dhe Ismaili, bashkë me kuajt e tyre ku janë ngarkuar dhe bagazhet. Gjatë rrugës, midis shkëmbenjve, ata ndeshen me ngrehina të braktisura, meqë barinjtë janë larguar nga verimi i bagëtive, duke hequr dhe çatitë e vathëve, qê ato têm os shkatërroheshin nga rrebeshet e stuhitë e dimrit. Natën, për të fjetur, shtrojnë ku munden në dyshekë pneumatikë që kanë marrë nga Parisi dhe të nesërmen vazhdojnë udhën sërrish. Një natë ndalojnë në shtëpinë e malsorit të quajtur Kol Petrushi, duke hyrë në një dhomë ku reja e tymit nderet mbi kokat e njerëzve, pasi në atë dhomë, si në shumë kulla malsore nuk ka oxhak. «Të varfër, por me një pritje bujare», shkruante Jacqueline. Ndërkohë René fotografon si Kol Petrushin ashtu dhe kullën e tyre, njerëzit e familjes, atje në dekorin e maleve.
(Foto të veçanta të Preng Calit që shohim per herë të parë. Dhe nje foto e Kol Petrushit me vajzen, e panjohur gjithashtu. 1200 foto te Shqipërisë së veriut, Kosoves dhe Shqiperise se jugut
Të nesërmen ishte plaka e Petrushit që me shkop në dorë, nëpër dëborë, u printe përpara si një dhi e egër për tu treguar rrugën drejt Ranza e Shënikut. Shpesh plakës i duhet të ndalojë dhe të presë afrimin e karvanit që ngjitet ngadalë. Etnografes franceze ajo i duket si «një personazh përralle», siç e shkruan ajo në ditarin e saj. Më pas, pas shkëmbenjsh e kataraktesh, karvani ndalon në një shtëpi tjetër ku jetojnë brenda një dhome të madhe e disi të ndarë 26 persona të së njëjtës familje. Atje pjekin patate dhe rreth zjarrit, siç është zakoni, ai që i bie lahutës ia merr një kënge të gjatë nga eposi kreshnik, duke i kënduar një bote të largët e mitike, heronjve të këtyre maleve. Jacqueline mendon se gjithçka përreth asaj shtëpie, orenditë, veglat e punës, kostumet, instrumentat, objektet e përditshme e të kuzhinës, gjithçka atje është një muze i vërtetë etnografik. Dhe për më tepër në një vend që shpesh ata e krahasojnë me Zvicrën.
Pikërisht atje, gjatë natës, të shtrirë midis turmës, ku disa janë ngjeshur anash zjarrit në mes të dhomës, gjatë natës, René ndjen se një «kafshë» e çuditshme i ngjeshej prapa veshit. Por vetëm në mëngjes ata pikasën se nuk ishte gjë tjetër veçse gishtat e këmbëve të asaj plake të shtrirë më tej që ishte në agoninë e saj. Po kështu, Jacqueline ishte habitur tek flinte gjatë natës me atë lloj «jastëku» të butë që merrte forma të ndryshme, por vetëm ajo në mëngjes konstatoi se ishte një plënc lope. Udhëtimi i tyre vazhdon, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe ja ku gjenden në një situatë dramatike, të humbur mes asaj humbëtire, në mes të stuhisë, pa ditur nga të shkojnë, gjithnjë në kërkim të Qafës së Pejës. «Situata po bëhej tragjike, – shkruan Jacqueline, – gjersa më së fundi lodhja do të na detyronte ta linim pa Zot fatin e jetës sonë.». Dhe ja, dy djem të rinj, fatmirësisht si të rënë nga qielli, u gjenden aty dhe i ftojnë në vatrën e tyre duke u prirë përpara.
Por të veçanta për etnografët ishin dhe marrëdhëniet e tyre, veçanërisht të Jacqueline-s me Pashkën, gruan e Prengës, e cila që kur francezja hyri në kullën e tyre e puthi drejt e në gojë. E habitshme për një grua që vinte nga Parisi midis këtyre maleve. Vallë a do ta mësonte kjo franceze historinë e mëpasme të kësaj familje pas luftës, kur Prenga do të rrethohej në një shpellë, do të kapej dhe do të varej? A do ta mësonte ajo fatin e Pashkës, e asaj gruaje të mirë që i shkonte mbrapa si e si ta kënaqte dhe që shpesh e godiste me dorën e saj mbi shpinë për t’i shprehur dashurinë? Pashka do të përjetonte një kalvar më vete në jetën e saj pas vrasjes së Prengës, ku disa njerëz të familjes u kujdesën për të deri sa ajo vdiq në vitin 1967. Jo, askush nuk do t’i tregonte francezes se çfarë kishte ndodhur me gruan e Prengës… Megjithatë René nuk kishte harruar t’i fotografonte të dy, siç i shohim sot në disa fotografi para kullës së Preng Calit: Prenga i gjatë veshur me shajak dhe Pashka e vogël me kostumin e saj të Malësisë së Këlmendit. Një çift i çuditshëm, por me një zemër të madhe!
No comments:
Post a Comment