Fritz Radovani
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.
Nga Fritz RADOVANI:
KUVENDI I FRETENVE NË GJUHADOL I KTHYEM NË BURG...
25 BURGJEVE NË SHKODER ME 17 NANDOR 1946, I SHTOHET EDHE BURGU I KISHËS SË FRETENVE KU DO TË FILLOJNË HETIMET, TORTURAT, GJYQET E MBYLLUNA DHE VRASJET E PUSHKATIMET MBI 700 VETË...
Në Nandorin e 1946 nder disa Kisha Katolike të Shqipnisë së Veriut Sigurimi i Shtetit komunist, me urdhen të kriminelit Enver Hoxha futi armatime, tue fillue nga kjo Kishë si dhe të tjera në Dukagjin, Mirditë dhe Lezhë ku, akuzoi Klerikët e pafajshem...
Hetimet dhe torturat kanë vazhdue deri nga Janari i vitit 1948. Atëherë filluen edhe disa nga gjyqet e mbylluna në mensen e Kuvendit të kthyem në burg... Shumë nga Klerikët Katolik janë pushkatue pa i pa dhe ndigjue njeri në gjyqe, mbasi nuk pranonin akuzat.
Prelatët e Klerit Katolik Shqiptar janë dënue me daten 8 Janar 1948. U mbajtën të lidhun duersh e kambësh, pa ju dhanë asgja me u ushqye madje, as ujë, deri me 11 Mars 1948.
Me 11 Mars 1948, rreth orës 4.00 të mengjesit bashkë me 12 persona të dënuem perpara per Lëvizjen e Postribës, u hypne në dy kamjona... Dhe, u derguen në Zallin e Kirit, tek Muri i Gjakut i Rrëmajit, në Token e Zef Sylës dhe, mbasi janë vendosë tek gropa e hapun, u asht marrë Fjala e Fundit dhe, po aty janë pushkatue... (Dosja 1302/II-A)
1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
P. Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”
Të dënuemit me vdekje që janë pushkatue atë ditë ishin:
1. Imzot Frano Gjini,
2. At Mati Prennushi,
3. Don Nikoll Deda,
4. At Çiprian Nika,
5. Cin Serreqi,
6. Dulo Kali,
7. Caf Dragusha,
8. Guljelm Suma,
9. Ing. Fahri Rusi,
10. Murat Hysen Haxhija,
11. Bilbil Hajmi,
12. Pjetër Prendush Pali,
13. Gaspër Simon Gaspri,
14. Xhelal Hardolli,
15. Zef Kol Prela,
16. Rasim Gjyrezi...
Fjalët e Fundit të Tyne nuk janë në Dosjen e pushkatimit.
1993 MJEKU LIGJOR DR. PAPAVRAMI MË KA TREGUE:
Atëditë me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për t’i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhur ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç.
At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes s’ate!”
- Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u tremb?”
Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml.
E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve.
“Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargonj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”.
Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë.
Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar Ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjët e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohën as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ata gjokse burrash që dukeshin si lisa ...
Ranë andej stomit ... kur u afrova per të vërtetuar vdekjën nuk arrijta të vizitoj asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre.
Nuk dukëj se jetonte ndonjëri .., asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé.
.....Atëherë, nuk dija të kuptoj si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm ...
Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor i Doktorit në vitin 1993, në Shkodër).
***
11 MARS 1948 “SHTINË ME ARMË MBI ATA GJOKSE BURRASH QË
DUKESHIN SI LISA...” E LISAT RANË ANDEJ STOMIT... PLOT 70 VJET...
Që, bashkë me Ata Lisa u shemben shkollat e Tyne, u shemb historia e gjuha e të gjitha Atyne Fidanishtave Europjane, nder të cilat, lulzonte Rinia Shqiptare...
Bash aty ku, nuk u shue 500 vjet Formula “Atdhe e Fe” e Pasuesve të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut...
2018 Këte vit asht detyrë Atdhetare me kujtue Figura të Këtilla që kanë dhanë jeten!
Fatkeqsisht, asht tue u veprue në të kunderten e asaj që duhet të bante Shqiptari...
Kriminelët dhe terroristët nuk po ngopen me vjedhje, mashtrime dhe shperdorime...
Nder dritarët e Akademisë, arkivave dhe universiteteve shihet vetem “tym...”!
Melbourne, 10 Mars 2018.
No comments:
Post a Comment