Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/16

“Takimet e Dom Mikelit”

Të shtunën në Stubëll të Epërme, të CVitisë, mbahet manifestim tradicional kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. Temë bosht e këtyre takimeve, siç bën të ditur Ipeshkvia e Kosovës, do të jetë Papa Gjoni Pali II dhe çështja e Kosovës. Në Tribunën shkencore do të referojnë Dr. Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Republikës së Kosovës, Dr. Jusuf Buxhovi, shkrimtar e historian, pastaj Dr. Eqrem Zenelaj, Willy Kamsi, ish-ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Dom David Gjugja, drejtor i Radio Vatikanit, seksioni në gjuhën shqipe, dhe Dr. Shyqri Galica (Mbi portretin e studiuesit e krijuesit Isak Ahmeti).

Po ashtu në program do të jenë edhe Ora e madhe letrare, Ndarja e çmimit “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, Ndarja e çmimit “Akil Koci”, dhe po ashtu

një programi argëtues (marrin pjesë këngëtarë e ansamble).

Proghrami nis në orën nëntë, me meshën pontifikale, që do ta mbajë Imzot Dodë Gjergji, ipeshkev i Kosovës.

“Krimet e luftës në Gjakovë, 1998 -1999”

Monografia “Krimet e luftës në Gjakovë, 1998 -1999”, e autorit Fuat Haxhibeqiri, e promovuar të mërkurën, është cilësuar si një përmendore ndaj të gjitha viktimave civile të luftës së fundit në Kosovë.

“Ne njerëzit që shkruajmë, nuk kemi mundësi të tjera të ngremë përmendore, pos me fjalë”, ka thënë ndër të tjera redaktori i librit Halil Matoshi. Sipas tij, kjo monografi është një dokument më i besueshëm për krimet e shtetit serb në Kosovë, i shkruar me saktësi dhe objektivitet.

“Duke qenë se autori ishte aktivist i të drejtave të njeriut, ai ia ka dalë që në kapitullin e ‘Kujtesës së Kosovës’ të shkruajë faqet e historisë së kësaj lufte; të sjellë fakte të pamohueshme për krimet e egra të fashizmit të Milosheviqit, si në tërë Kosovën edhe në Gjakovë”, ka thënë ai. Në mbi 200 faqe Fuat Haxhibeqiri - i cili gjatë viteve 1998-99 ka qenë kryetar i KMDNJ-së në Gjakovë - trajton të gjitha llojet e krimit që i shkaktuan njësitet ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj popullatës së Komunës së Gjakovës.

“Monografia flet për ngjarje të vërteta dhe në sfond ka dëshmitarë të gjallë, të gjithë ata që kanë përjetuar tmerrin e luftës së fundit”, ka thënë autori.

Recensenti i monografisë, Enver Robelli, ka folur më shumë për personalitetin e autorit. Bashkëvendësve të autorit u ka thënë se duhet të jenë krenarë për “një bashkëqytetar të tillë i cili e menaxhon kujtesën e këtij qyteti”.

“Shpresoj se shumë njerëz në Kosovë që dinë për të kaluarën, ta marrin Fuatin si shembull dhe të na sjellin vepra të tilla edhe për qytetet E tjera, në mënyrë që ne të kemi një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur në këtë vend. Ne për fat të keq dimë shumë pak për ato vitet e tmerrshme”, ka thënë ndër të tjera Robelli.

Akademik Pajazit Nushi ka thënë se në veprën e Haxhibeqirit - me të cilin ka bashkëpunuar - ka konstatuar disa veçori që pak konstatohen në botimet e tjera individuale dhe të disa institucioneve tona.

“Kjo monografi është e fitore e betejës për të vërtetën”, ka thënë Zejnullah Gruda, drejtor i Institutit për Krime të Luftës. Botimi i Monografisë është përkrahur nga Komuna e Gjakovës.

“Falë këtij libri autorëve po e qesim në shesh historinë tonë më të dhimbshme, me të cilin është ballafaquar çdo njeri, qytetar e familje”, ka thënë me këtë rast kryetari i Komunës, Pal Lekaj. 

Libri për Arbën Xhaferin, libër për pjekurinë e shoqërisë shqiptare


Politikanit më emblematik shqiptar në Maqedoni, Arbën Xhaferi, nuk i ka mbetur merak të shtojë as edhe një presje në rrëfimin që është botuar nga Botimet KOHA, në formë të bashkëbisedimit me gazetarin Enver Robelli. Ky i fundit ka thënë se po t’i jepej mundësia e ribotimit të librit që e ka titulluar “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, do të kishte për Xhaferin edhe 200 pyetje të tjera. Por vetë protagonisti i librit është i bindur se i ka thënë të gjitha që kishte për t’i thënë, në pyetjet që ia ka bërë gazetari Robelli.

“Nuk i kam ikur asnjë pyetjeje, por drejtpërdrejt dhe sinqerisht jam munduar t’i shpjegoj fenomenet ashtu siç i shihja unë”, ka thënë Arbën Xhaferi për gazetën, pak pasi ka përfunduar ceremonia e promovimit të librit për të, bashkë me dhënien e shumë autografeve që ai dhe autori Robelli kanë vënë në kopjet e para të librit, i cili ka dalë rishtas në treg.

Me parathënie të publicistit Veton Surroi, libri më i ri i Botimet KOHA është promovuar të enjten pasdite, në hotelin “Victory”. Përveç tij në promovim kanë folur edhe autori i librit, Enver Robelli, dhe drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi. Poetit Ali Podrimja i ka takuar të recitonte gjashtë poezi, prej tyre një e shkruar për humanisten e shquar shqiptare Nënë Tereza dhe një tjetër për aktorin shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu.

Intelektuali që nuk ka heshtur asnjëherë ndaj fenomeneve që kanë preokupuar shoqërinë shqiptare gjithandej ku jetojnë, e di që një libër ku ai do të fliste gjerësisht për fenomene shoqërore ka ardhur pak vonë.

“Mendoj se fajin për vonesë e kam unë, meqenëse duhej paraprakisht të shkruaja një vepër për këto dukuri”, ka thënë Xhaferi, i cili nuk ka vonuar për t’u “amnistuar” pse nuk e ka bërë këtë.

“Zakonisht çështjet vitale marrin një konotacion të domosdoshëm, e çështjet esenciale lihen pas dore. Kur u paraqit Robelli që të kërkojë intervistën, unë e pranova atë dhe shfrytëzova interesimin e tij dhe të gazetës ‘Koha Ditore’ që të jap opinionin tim për ato çështje që i interesojnë opinionit përmes kureshtjes së Enver Robellit”, ka thënë Xhaferi.

Gjatë promovimit ka thënë se është ndier i emocionuar.

“Natyrisht që e përjetova me emocione, sepse arrita përmes një gazetari të jap një rrëfim të sinqertë për nocionet politike, për proceset historike, si dhe për fenomene të tjera që veprojnë në mënyrë interaktive në Kosovë, siç është çështja e religjionit dhe çështje të tjera”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka thënë se është dorëzuar para motivacionit të gazetarit, i cili parashtroi pyetje që atij i dukeshin interesante, për të bërë skenimin e një politikani, të mendjes së tij, dhe të mënyrës se si ai e kupton politikën dhe çështjet e tjera.

Por vetë gazetari Enver Robelli ka thënë se meritat për librin i ka intelektuali që ai e ka intervistuar.

“Është një arbitraritet, sepse në fakt autor i këtij libri është vetëm z. Xhaferi. Jam përpjekur që përmes pyetjeve, të cilat mua më kanë interesuar vazhdimisht ta nxis atë të flasë”, ka thënë Robelli.

Sipas tij, ajo çka e përbën një intelektual është se ai nuk shkëputet asnjëherë nga jeta e përditshme.

“Arbën Xhaferi është prej intelektualëve të rrallë që asnjëherë nuk është shkëputur nga përditshmëria, nga realiteti dhe nga rezonimi për problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohet ambienti politik dhe kulturor”, ka thënë Robelli.

Ai ka thënë se gjithherë i kanë interesuar mendimet e Xhaferit në prononcimet mediale, përderisa librin e ka parë si një mundësi që të zgjerohej më shumë në reflektimet e tij.

“Bashkëbisedimi me të më ka krijuar një kënaqësi të jashtëzakonshme. E falënderoj edhe atëherë kur më thërriste në orën 10 të natës, edhe kur e thirrja në orën 11 të natës”, ka thënë Robelli.

Tetova e viteve të rinisë së tij, Prishtina e trazuar nga politika dhe Tirana e dikurshme, janë vetëm disa nga aspektet ku është ndalur bashkëbisedimi i Robellit me Xhaferin. Por Robellit do t’i interesonin edhe qëndrimet e bashkëbiseduesit të tij për tema të tjera jashtë politikës, por që reflektojnë në politikë - mendimet e tij mbi religjionin, mbi kinematografinë e shumë më shumë.

“Në këtë kontekst doli një vepër e kompletuar”, ka thënë Robelli.

Drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka treguar se Enver Robelli e kishte iniciuar dhe zhvilluar serinë e intervistave, të cilat i quajti “40 pyetjet”, që botohet çdo të mërkurë në “Koha Ditore”.

“Deri te publikimi i intervistës me Arbën Xhaferin, që të gjitha të tjerat ishin ‘paketuar’ në nga një faqe gazete. Intervista me zotin Xhaferi u publikua në tri vazhdime - ngase nuk kishte si, e nuk kishte as pse të cungoheshin përgjigjet absolutisht interesante dhe plot peshë e përmbajtje që ua kishte dhënë pyetjeve të shtruara. Pa dyshim - ishte një intervistë e jashtëzakonshme”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” është libër në të cilin Arbën Xhaferi, thjesht, shkëlqen me të gjithë kapacitetin e të menduarit që tregon edhe shtjellimin e argumenteve që i bën.

“Leximi i librit me një frymë më ka shkaktuar kënaqësi të posaçme - sa për gjërat e reja që i kam mësuar, aq edhe për shkak të bindjes së thellë se edhe ne shqiptarët kemi pse të krenohemi me këtë figurë emblematike, të kapacitetit të këtillë intelektual”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, përvoja e gjatë publicistike dhe njohja disadekadëshe me Arbën Xhaferin do ta kenë shtyrë Veton Surroin që t’i propozonte autorit që këtë bashkëbisedim ta zgjeronte.

Publicisti Veton Surroi librin “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, e ka cilësuar si libër të pjekurisë. Ideatori i zgjerimit të botimit të mendimeve të Xhaferit ka dhënë arsyetimin për këtë gjë.

“Kur u botua intervista e parë e Enver Robellit me Arbën Xhaferin, në fillim të këtij viti, mendova se ajo që u botua aty ishte vetëm një pjesë e një libri të pabotuar. Një libri i cili duhej të dilte, e meritonte të dilte, dhe i një libri i cili në fund do të karakterizonte tërë këtë punë të tij, në një fazë të pjekurisë”, ka thënë publicisti Surroi. Për të, ky libër është i pjekurisë, edhe për faktin se autori i tij është, siç e ka quajtur Surroi, penë brilante e gazetarisë shqiptare.

“Robelli zbuloi detaje të një jete politike, të një jete kulturore dhe të një konteksti politik dhe kulturor në të cilin kanë jetuar shqiptarët”, ka thënë ai. Kjo ka bërë që Surroi të konkludojë se libri ka ardhur edhe në fazën e pjekurisë së shoqërisë shqiptare.

“Libri i Arbnit dhe i Enverit është pjekuri, të cilën e kemi mbërritur edhe si shoqëri”, ka thënë ai.

Për Surroin, Arbën Xhaferi është pa dyshim njëra prej figurave më emblematike të politikës dhe të mendimit politik shqiptar, në të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Ai ka thënë se për dallim prej shumë aktorëve politikë, Arbën Xhaferi ka studiuar për politikën brenda një konteksti më të gjerë: ka menduar dhe ka shkruar për të.

“Ai, i cili është përpjekur vazhdimisht që të imponojë racionalitet në shoqërinë shqiptare, ka qenë pa dyshim Arbën Xhaferi”, ka thënë Surroi. 

Edhe modeli “dy Gjermani”, edhe autonomi për veriun, ky është rreziku!


Modeli i ngjashëm me atë të dy Gjermanive tashmë po pranohet edhe zyrtarisht nga institucionet e Kosovës me marrëveshjet e arritura në Bruksel, pasi që Prishtina po pajtohet se vetëm me Serbinë mund të ketë marrëdhënie speciale, të ndryshme nga ato që ka me vendet e tjera fqinje dhe ato që e kanë njohur pavarësinë. Teksa Beogradi i trimëruar me suksesin në arritjen e synimit të parë, në tavolinë të bisedimeve, po mpreh dhëmbët edhe për të dytin, nën tavolinë – autonominë për veriun, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës, por faktikisht do të operonte si krahinë brenda Serbisë
Adriatik  Kelmendi


SE ËSHTË NISUR dialogu mbrapsht dhe pa krye, dhe se ashtu siç është nisur të tilla do t’i ketë edhe rezultatet, besoj se e kemi përsëritur shumë shpesh përgjatë këtyre muajve. Por, që mund të marrë kah edhe më të gabuar se ç’është mundur të parashihej edhe nga ndonjëri nga ne që shpesh u quajtëm “pesimistë”, vështirë të besohej. E po, ja që pesimizmi nuk ka se si të mos rritet. Me drejtimin që ka marrë tash dialogu i fasilituar nga Bashkimi Evropian dhe për shkak se në vazhdimësi pala kosovare ka punuar pa një strategji të qartë se çka do të arrihet praktikisht dhe politikisht për Kosovën, tash para nesh janë dy opsione, asnjëri i mirë për vendin.

I pari është modeli i mosnjohjes reciproke, por i mospengimit të ushtrimit të subjektivitetit ndërkombëtar si shtete sovrane, i afërt me modelin e dy Gjermanive.

I dyti është opsioni i statusit special për veriun, që do të nënkuptonte edhe vdekjen e Planit të Ahtisaarit dhe shkatërrimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si derivat i këtij plani.

Dhe, që situata të bëhet edhe më e komplikuar, nuk është se mund të ndodhë njëri në shkëmbim të diçkaje të favorshme për Prishtinën, por mund të ndodhë edhe modeli i dy Gjermanive e edhe statusi special për veriun, bashkë, pa ndonjë përfitim për Kosovën.



Modeli i dy Gjermanive po zyrtarizohet nga dialogu në Bruksel



SADO QË NUK PO pohohet nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesja në dialogun me Beogradin, Prishtina është duke pranuar që në raport me Serbinë të mbetet në fuqi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Kjo Rezolutë tash po pranohet nga Beogradi, pas refuzimit fillestar të saj, kurse ishte shpallur e skaduar nga Prishtina dhe nga të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përnjëherë ajo është e gjallë, por vetëm në trinomin Prishtinë-Beograd-Bruksel. Po të studiohen me kujdes të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tash, në dialogun e Brukselit, që të gjitha i referohen Rezolutës 1244 dhe asnjëra nuk nënkupton ekzistimin e Republikës së Kosovës, si entitet i pavarur dhe sovran.

Sa për ilustrim: për dallim me Serbinë, të gjitha marrëveshjet e tjera dypalëshe të Kosovës me shtetet e saj fqinje, por edhe me shtetet e tjetra që e kanë njohur pavarësinë, janë ndryshe nga këto me Beogradin – në to njihet subjektiviteti i barabartë si shtete të pavarura dhe të njohura reciprocikisht. Shikoni marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, si dhe me shtetet jofqinje dhe do të shihni se në të gjitha këto ka një pozicion të unisuar të Republikës së Kosovës karshi tyre. Por, kjo natyrisht se nuk po ndodh me Serbinë. Prishtina, me ndihmën e Bashkimit Evropian, po e porosit qartë Serbinë se nuk ka përse ta njohë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet sovran dhe i pavarur, ashtu siç e njohin fqinjët e tjerë dhe 82-83 shtete në përgjithësi deri më tash. Prishtina po pajtohet që me Serbinë mund të ketë marrëdhënie të cilat dallojnë nga ato me shtete të tjera, të cilat duke qenë të veçanta në këtë rast, e bëjnë të veçantë edhe marrëdhënien që ka Kosova me Serbinë. Kjo marrëdhënie tash po e merr edhe vulën zyrtare të institucioneve të vendit me marrëveshjet e pranuara, si dhe miratimin e BE-së.

Ne kemi dëgjuar kohëve të fundit të shtohen zërat që kërkojnë nga Serbia vetëm normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, nga figura të fuqishme të nivelit Merkel e Van Rompuy, por jo edhe njohje të pavarësisë, duke mos iu bërë fare përshtypje fakti që edhe vetë shtetet të cilave u takojnë, në këtë rast Gjermania, ose shumica e vendeve anëtare të institucioneve që udhëheqin, Bashkimi Evropian, e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ata nënvizojnë: Serbia të ketë qasje serioze në dialogun e fasilituar nga BE-ja, i cili do të normalizojë marrëdhëniet në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë, por se nuk ka fare nevojë që Beogradi ta njohë sovranitetin e pavarur të Prishtinës.

Në anën tjetër, deri më sot nuk kemi parë as që i është kërkuar Serbisë edhe nga Qeveria e Kosovës që ta njohë pavarësinë, gjë jo fort e zakontë në këto rrethana.

Së këndejmi, në qoftë se edhe Kosova pajtohet se raportet e saj me Serbinë do të jenë të një niveli special nga ato me shtetet e tjera, atëherë edhe statusi ndërmjet këtyre dy vendeve do të jetë special. Më i afërti na del ai i funksionimit të dy Gjermanive deri me shembjen e Murit të Berlinit. Dhe kjo po pranohet tash zyrtarisht edhe nga Prishtina.

Për më tepër, edhe pse “dy Gjermanitë” po ndodhin, frikësues është fakti se nuk ka asnjë sinjal që tregon se për këtë arritje Beogradi do të jetë i gatshëm që të lëshojë pe në ndonjë anë tjetër, siç do të mund të ishte një kërkesë ndaj Kremlinit që Rusia të mos vërë veto në pranimin e Kosovës në OKB.



Beogradi kërkon suksesin e dytë: autonominë e veriut



AQ MË TEPËR, Beogradi zyrtar është duke arritur sukses në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, por nuk është i gatshëm të ndalet vetëm me kaq. Synimi është që në momentin kur marrëveshjet e arritura me Prishtinën në Bruksel do të jenë të mjaftueshme për të rregulluar çështjet në stilin e funksionimit, por pa njohje të pavarësisë, atëherë do të ketë agresivitet të shtuar për të shpallur të tejkaluar Planin e Ahtisaarit dhe për të siguruar autonomi për serbët e veriut, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës (por gjithsesi kufij të papranuar nga Serbia), por faktikisht si krahinë brenda Serbisë.

Sakaq, në kuadër të “lëshimeve” që Beogradi pritet të bëjë në kuadër të dialogut do të jetë edhe drita e gjelbër për arrestimin e strukturave kriminale në veri, por pastaj do të kërkohet që për këtë edhe institucionet e Kosovës të jenë të gatshme për ide të reja për popullatën civile serbe, me arsyetimin se ajo nuk do me asnjë kusht të jetë nën administrimin e Prishtinës.

Për këtë arsye kemi edhe deklaratat e forta që i dëgjojmë këto ditë nga presidenti serb, Boris Tadiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, se Beogradi nuk do të rrijë duarkryq në qoftë se vendosen përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në pikat doganore 1 dhe 31. Po të synonin ata që Kosova të kthehej ndonjëherë nën sovranitetin e Beogradit, nuk do të bënin dallimin ndërmjet këtyre dy pikave doganore dhe asaj në Merdar, që funksionon pa probleme. Mirëpo, synimi optimal i Serbisë momentalisht është që të mos ndryshojë raporti në kontrollimin e situatës në terren në veri dhe që si e tillë kjo pjesë të ketë status të veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në këtë frymë Beogradi po kapitalizon me sukses në tavolinë me marrëveshjet në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, dhe po e synon nën tavolinë – autonominë për veriun. Dhe, të dyja brenda një pakoje.



TEKSA MODELI I DY Gjermanive, siç e thashë, tashmë po ndodh edhe zyrtarisht, statusi i veriut do të varet shumë nga hapat që do të ndërmarrë edhe Prishtina pas 15 shtatorit.



adriatik@kohavision.net

Sa ka gazetari hulumtuese në Kosovë?

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës “KSHMK”, i mbështetur nga OSBE-ja, të premten organizoi një tryezë diskutimi me temën “Etika e gazetarisë dhe e vërteta”. Nehat Islami, drejtor i Zyrës së KMSHK, tha se ky këshill është një trup vetërregullues, i cili merr vendime profesionale për ndonjë ankesë. Ndërsa, Behxhet Haliti, anëtar i bordit të KMSHK-së, theksoi se kodi i këtij këshilli është i deleguar nga standardet më të larta të gazetarisë, ku sa më i respektuar që të jetë ky kod aq më faqebardhë do të dalim para lexuesit, dëgjuesit apo shikuesit e medies sonë. “Të gjithë që merremi me zanatin e gazetarisë jemi të obliguar të respektojmë këtë kod”, theksoi Haliti.


Halil Gashi, gazetar, ngriti çështjen pavarësimit të medieve. Sipas tij, më e arsyeshme dhe më falënderuese do të ishte që partitë politike të botojnë gazeta të veta se sa që të ndikojnë në pavarësinë e gazetave. Kolegu i tij, Enver Maloku nga Klina, si më shqetësuese ngriti çështjen e gjuhës, sipas tij, të devijuar shqipe në mediat e shkruara edhe ato elektronike. Ndërkaq, sa i përket gazetarisë hulumtuese, nga panelistët dhe të pranishmit kishte diskutime të ndryshme. Ilir Osmanaj theksoi se në Kosovë nuk ka gazetari hulumtuese, apo është shumë e rrallë, kurse me konstatimin e tillë nuk u pajtua Behxhet Haliti.

Serbët gjuajnë me gurë drejt jugut

Në orët e vona sonte, papritmas serbë të shumtë janë mbledhur tek ura kryesore mbi Ibër, në përpjekje për të shtuar sasinë e zhavorrit mbi urë dhe kanë gjuajtur me gurë në drejtim të anën jugore të urës, raporton TV Arta. Gazetarët janë ndjekur nga afërsia e urës e bashkë me ta janë larguar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Forca të shumta të EULEX-it dhe karabinierë kanë ardhur përforcim tek ura.

Gjatë kësaj ngjarje, në anën jugore të urës mbi Ibër janë mbledhur edhe shumë të rinj shqiptarë, por pas një kohe edhe ata janë shpërndarë.
Kameramanët e KTV-së para pak minutash kanë dërguar nga Mitrovica imazhet e një zjarri goxha të madh në prapavijë të Kodrës së Minatorëve.      
Sipas informatave të fundit, zjarri është shuar, kurse pohohet se paraqitja e zjarrit në këtë kohë të vitit është dukuri e zakonshme, pasi në afërsi ka mjaft lisa.
Në anën tjetër, nga terreni ka pohime se zjarri ka mundur të vihet qëllimisht.

Pasoja vendimtare e ndërhyrjes së sotme nuk është shpërbërja e strukturave ilegale, armiqësore e kriminale të Beogradit dhe as sundimi i rendit dhe ligjit; rezultati kryesor është lejimi i hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë”, ka vlerësuar të premten lëvizja “Vetëvendosje”.Në një komunikatë për opinion, kjo lëvizje ka vlerësuar se “Thaçi ndërhyrjen e tij po e quan sovranitet. Ai po e quan sovranitet vendosjen e disa doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31. Por këta doganierë po barten nëpër qiell me helikopterë të KFOR-it. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar se Qeveria nuk po e kontrollon tokën e Kosovës në veri, 40 km tokë prej urës së Ibrit e deri në Leposaviq”. 

“Ndonëse prania e një grupi doganierësh në pikat kufitare 1 dhe 31 është një hap i vogël në drejtimin e duhur, argument kryesor i sovranitetit është kontrolli i territorit në veri”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Në anën tjetër, dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur në favor të masave të ndërmarra nga qeveria për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri të vendit.

Pesë metra dhe afër vendkalimit të Bërnjakut, zjarr te Jarinje

Gazet “Blic” njofton se serbët vendkalimin kufitar Bërnjak kanë zbrazur 30 kamionë. Kështu, njofton kjo gazetë, është e pamundur qasja te ky punkt kufitar. Në këtë vendkalim dheu është pesë metra i lartë.
Nuk ka konfirmime a s përgënjeshtrime të këtij akti as nga KFOR-i, as nga EULEX-i e as nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Në vendkalimin e Jarinjës, para pak minutash, siç njofton Politika e Beogradit, ka shpërthyer një zjarr i vogël. Eshe pse shaku i zjarrit nuk dihet, supozohet se po digjen vetëm barishtet afër vendkalimit .
Sot në Mitrovicë ka qëndruar edhe ia ashtuquajturi ministër për Kosovën Goran Bogdanoviq (shihet në foton e fotoreporterit të Kohës Ditore). Nuk dihet si ka hyrë ai në Kosovë dhe a ka pasur leje për ta kaluar kufirin.
Blic po ashtu njofton edhe për shumë rrugë të bllokuara. Tërësisht e bllokuar është magjistralja Mitovicë - Ribariq e barrikada janë vënë edhe nëpër të gjitha komunat jera në veri.
Zyrtarë të EULEX-it thonë se në veri të Kosovës po mbretëron situatë e tensionuar.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tash nuk është raportuar për asnjë incident.
“Deri më tash nuk kemi ndonjë raport për ndonjë incident. Është e drejtë të thuhet se situata është e tensionuar", tha ai.
"Disa barrikada janë të vendosura tashmë në disa udhëkryqe të rrugëve në veri të Kosovës”, bëri të ditur Hawton.

Kosova është një njësi doganore

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka thënë në Bruksel se EULEX-i ka filluar ta zbatojë marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë-Beograd, për vulat doganore

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se punët në kalimet në Bërnjak dhe Jarinje i kryejnë doganierët e EULEX-it dhe të Kosovës.

Ajo ka shtuar se marrëveshja për vulat doganore ishte elementi i fundit i cili ka munguar që prapë të vijë në fuqi sistemi i duhur doganor, meqë Kosova që nga viti 2000 është një njësi doganore.

“Është ky një hap i rëndësishëm nga i cili të gjitha bashkësitë do të kenë dobi. Jemi të përkushtuar për këtë dhe EULEX këtë e bënë në përputhje të plotë me mandatin e saj”.

Në pyetjen se në cilin buxhet do të kalojnë të ardhurat e doganave, Kocijançiç ka thënë se “kjo duhet të verifikohet”.

Rusët e tërbuar me SHBA-në dhe BE-në

Forcat e NATO-s në Kosovë do të tejkalojnë mandatin e vet në lidhje ,e situatën në veri të Kosovës, kurse Kombet e bashkuara do ta injorojnë këtë, pohoi sot televizioni në gjuhën angleze “Russia today”, duke iu referuar diplomatëve të lartë rusë në OKB. Ky televizion thekson se diplomatët rusë “janë të tërbuar pasi SHBA-ja dhe BE-ja kanë paralizuar seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB për Kosovën (të enjten)” dhe se pas debatit diskorësh prapa dyerve të mbyllura Këshilli i Sigurimit ka dërguar një apel “mjaft të zbehtë për përmbajtje nga të gjitha palët”.

Ambasadori i Rusisë në KB, Vitalij Çurkin pas mbledhjes ka thënë se vendi i tij është i brengosur për faktin e forcat paqësore “po ia mbajnë anën njërës palë – autoriteteve shqiptare”.

“Jemi seriozisht të shqetësuar për atë që po ndodhë. Hiqet dorë nga dialogu, kur ai ka filluar të japë rezultate premtuese, dhe, sipas mendimit tonë, kjo që po ndodhë tashti është krejtësisht e padrejtë dhe e rrezikshme”, ka shtuar diplomati rus

Ne shkuam paqësisht në kufijtë tanë...

Kur ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ishte duke iu adresuar medieve (pas orës 03:00 sipas kohës sonë), përfaqësuesi i Rusisë në Vitlay Churkin u afrua tek vendi i konferencave të shtypit.

 “Nuk ke të drejtë të jesh aty dhe të flasësh pa prezencën e UNMIK-ut”, tha ai nga korneri.

“Nuk mendoj kështu”, u përgjigj ministri Hoxhaj dhe vazhdoi të marrë pyetje të gazetarëve.

Kur përfundoi çfarë pati për të thënë, Hoxhaj u largua andej nga ishte Churkini. Ia zgjati dorën e qeshi me aktin e tij. Ai i tregoi prapë se nuk ishte mirë çfarë bëri dhe pastaj foli vetë.

Churkin tha se i respekton përfaqësuesit e Prishtinës dhe gjithmonë i dëgjon me vëmendje kur vijnë e flasin në OKB, por ata në ndërtesën e OKB-së nuk mund të flasin pa prezencën e UNMIK-ut. Sipas tij, askush nuk u tregon çfarë të bëjnë në restoranet apo parqet e New Yorkut, por në OKB ka rregulla.

Pas pyetjeve të vazhdueshme të gazetarëve kosovarë, Churkin u nervozua. “Ishte thjesht këshillë miqësore. Nuk është se e grushtova zotin Hoxhaj”, tha ai. Churkin pranoi se është i shqetësuar sepse nuk mori përkrahjen për Serbinë të anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin e pranon dështimin pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Anëtarët e saj nuk janë pajtuar me nxjerrjen e një deklarate presidenciale që do të bënte thirrje për vazhdimin e dialogut dhe do të kërkonte së paku shtyrjen e implementimit të planit të Prishtinës për veriun.

Ministri i Jashtëm i Republikës, Enver Hoxhaj ka thënë se Prishtina është e shqetësuar me retorikën kërcënuese të Beogradit që bën thirrje për dhunë. “Policët dhe doganierët tanë do të shkojnë në pikat kufitare të shtetit të njohur ndërkombëtarisht”, ka thënë ministri i jashtëm.

Ministri i jashtëm i Serbisë ka dalë nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit për t'iu drejtuar gazetarëve. Ai ka thënë se aksioni i Prishtinës është ilegal dhe jolegjitim dhe se nuk e ka përkrahjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj po thotë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit se autoritetet e Kosovës do të hapin portat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

“Ne shkuam paqësisht në kufijtë tanë më 25 korrik 2011 dhe nuk do t’i lëmë më kurrë kufijtë vetëm. “, raportohet të ketë thënë Hoxhaj. Franca e ka kritikuar ashpër Serbinë për kirjim të situatës artificiale në veri, kurse SHBA kanë dhënë mbështetje të fuqishme për aksionet e Prishtinës. 

Vështrim mbi vëllimin poetik “Jeta e censuruar” e autorit Fran Tanushi




Shkruan : ODISE PLAKU                                                                                                 




Në mënyrë krejt të rastësishme, përmes botës së teknologjisë së informacionit, do të takohesha për herë të parë në jetën time me Fran Tanushin.
Ai që jetonte në Gjermani dhe unë në Shqipëri. Për herë të parë u përshëndetëm në të njëjtën gjuhë, shqip me fjalët “Tungjatjeta, miku im”.
Kështu kemi mbetur ende dhe sot e kësaj dite me fjalën plot vlerë si dy miq të mirë. Në kalim të ditëve do të njiheshim dhe zbulonim akoma më shumë nga jeta e njeri-tjetrit.
E përbashkëta mes nesh, letërsia. Në atë shkëmbim të krijimeve, do të më tërhiqte vargu i Franit dhe figura letrare që ai sillte në atë gatesën e tij poetike. Bile, këmbëngula që disa nga këto poezi të botoheshin në revistën artistike kulturore “Obelisk”, këtu në Tiranë. Ndërsa pak kohë më vonë, Frani do të sillte në Tiranë librin e tij “Jeta e censuruar”.
Në atë shfletim të shpejtë të faqeve të librit e kuptova që do të më duhej koha e duhur, por edhe gjendja ime shpirtërore për të lexuar dhe shijuar vargun e Tanushit.
Në fillim të vëllimit poetik Fran Tanushi do të tregohet paksa lirik dhe besnik i dashurisë dhe tregon qartazi se prej nga i vjen ky ngazëllim shpirtëror “që i sjell kthjelltësi qiellore” dhe që e bën të ndihet kaq djalë.
Fran Tanushi
                  FRAN TANUSHI

Më pas përmes një epiciteti dhe ndjeshmërie poetike autori Fran Tanushi do të tregojë se kush është ai. Dhe së pari ai është Dardania. Një dashuri që ka zënë rrënjë thellë në shpirtin e tij, thuaj sa ka njohur veten si Fran. Në mënyrë metaforike ai do të tregojë se toka dhe vendi ku ka lindur, emri që ajo mban  është e vjetër “shekujve të tërbuar çmendurisht” .
Kjo temë atdhedashurie do të mbetet e pranishme sërish në një tjetër poezi të titulluar “Pse Kosovë?”
Një pyetje e cila prek ditën e sotme. Mbart brenda shqetësimin e birit të kësaj martireje.


Mos gërshërët,
djalli i mpreh
shtatit tënd
nga kalon lumi

Në mënyrë kaq të qartë dhe të shprehur metaforisht bukur autori kërkon të sjellë edhe një herë rrezikun që vendit të tij i kanoset nga copëtimi territorial në këtë kohë moderne.
Por si njeri me gjak dhe dell atdhetari Tanushi pa ngurrim  bën të ditur se si është fituar kjo pavarësi ashtu dhe do të mbrohet. Nuk do të ketë një tjetër 1913 për tokën shqiptare kaq shumë të cunguar.

Mbi ty s’do të lëmë gërshërë
Pa e ndezur edhe një herë.

Siguria e tij në këto vargje sjell me vete dhe atë të shumë e shumë djemve e vajzave të Kosovës që kanë brohoritur të gjithë një zë “Bac u kry!” dhe po ashtu janë të gjindshëm një zëri të thonë “Kurrë më ndarje nga trupi yt Kosovë.”
Sepse si thotë poeti në atë urë dhe mbi atë lum:

Në cakun e pikëtakimit
Me të shkuarën e ardhmja ngjiten
Trupat e njomë përmendore
I shtojnë të tashmes rritën

Në poezinë “Ky jam unë”, ndoshta dhe për herë të parë, Tanushi zbërthen veten e tij, heq gjithçka që mund ta mbulojë dhe ruajë nga sytë e të tjerëve. Ai zhvishet në kuptimin poetik për tu treguar miqve dhe shokëve të tij, bashkëkombësve të vet se edhe kur hesht, ai mendo, se edhe kur shumë lexon nga pak shkruan, apo që nuk di të urrejë, por veç të dashuroj. Dhe mbi të gjitha përmes këtij vizatimi poetik ai vulos duke thënë përfundimisht: Ngjaj një engjëll, me trup njeriu.
 Duke kaluar nga një poezi te tjera, nga një varg te tjetri Tanushi zbërthen akoma edhe më shumë veten e tij që në të vërtetë mund të ketë edhe emrin Unë, Ti,Ata...
Dikur kur të tjerët kanë qarë me vajin e tij të ardhjes në jetë, sot Tanushi as qesh e as qan, sepse me ta këndon.
Në shumë vargje autori na del me një natyrë vërtetë burrërore, me ato norma e zakone që i kanë hije një kosovari, por befas në një çast, ndoshta edhe i vetëm, gjunjëzohet. Ajo, dashuria, ndjenja e bukur dhe e pastër e bën fëmijë, të ndihet i dobët, i butë, i brishtë,i ujshëm . Bile edhe vetë e pranon dhe kërkon ti tërheqë vëmendjen asaj se çfarë i ka bërë. Duke sikur e kap nga krahu dhe i thotë disi me nevrik “E di ti moj”:
... kam harruar
Krenarinë burrërore
Ndoshta “marrosur” jam

Por ai nuk ndalet këtu. Ndalet edhe në kopshtin e kujtimeve të rinisë së tij, të botës së nostalgjive

ku gotës plot me verë
nuhat aromën
e pikturimit
të portretit të saj

Si një poezi lirike lodron nëpër buzë poezia “Vargu im”. Në të vërtetë këto vargje, plot nxehtësi dhe ndjenjë, plot ëmbëlsi do të shkonin për shtat një portreti dashurie. Dyshues, në tërësinë e brendisë së kësaj poezie, do të thoja që këtë poezi autori e ka përdorur si një fshehje të një dashurie të madhe në botën e tij. Por edhe dedikuar vargut të tij, përsëri qëndron, më shumë sesa një poezi për muzën që atij i vjen shpirtit dhe trazon kulmin.

Të puth, të dashuroj
si më të bukurën dashnore.

Ai e di autori se si dashurohet një dashnore? A është kjo lloj dashurie disi më e ëmbël se mbart brenda dhe misterin e fshehtësisë?
Por të gjitha hamendësimet autori i zhduk veç  me vargjet e fundit

Shtegtimeve me kapërcyell
Adresave të pluhurosura
Duke kërkuar NJERIUN

Ky është misioni më i vështirë në jetën e përditshme. Pamundësia e të gjeturit të njeriut është ndërruar në një problem sa enigmatik aq dhe të vështirë. Krijesa njerëzore ka në çdo cep të jetës, por njeri vështirë. Kanë vdekur shumë ndjesi shoqërore, shumë zakone, tradita, norma të marrëdhënieve mes njeri-tjetrit. Autori përmes fjalës kërkon të ecë në atë rrugë fundcila do ta takojë me atë që ai kërkon; Njeriun, por me njeriun e vërtetë.
E konceptuar në formën e kapitujve, Në një tjetër përshëndetje Tanushi do tu thotë të gjithëve “Mirëdita Mirditë”
Zakonisht në emrat e të lindurve në Kosovë do të gjesh shumë prej emrave të qyteteve dhe vendeve të Shqipëri, Do të takosh njerëz me emrin Berat, Sarandë, Vlora, Valbona dhe në librin e tij, dhe Mirditën.
Përsëri një pikëpyetje. Një përshëndetje për një mikeshë apo diçka tjetër. Enigmën e zbulon vetë autori. Bëhet fjalë për Mirditën  që në sytë e autorit shfaqet si,

Fole e shqipeve në fluturim
Kur gjarpërinjtë gurët rrokullisin.

Edhe në këtë nënkapitull poetik autorin do ta gjejmë mes epizmit dhe lirizmit. Ai do të lutet dhe kundërshtojë. Që të mos ia kërkojnë frymën, këngën, dhembjen, vargun, rininë dëshirat,  nuk mund të jetë i askujt, pasi nuk mund te jepet bile zhduk çdo hamendësim që ai të përulet ndonjëherë që t’i ndrydhin ëndërrta me “sadizëm”.
Por në një tjetër poezi do të kemi një djalë që ka pritur shiun e natës të pushojë dhe shfaqjen e yllit të mëngjesit, që të bëj roje pranë dritares së asaj që ia ka trazuar zemrën. Një poezi lirike që i ngjan një serenate korçare “Dritares sate do  t’i bëj roje” dhe me atë dëshirën e çartur dhe që nuk e pengon asgjë;

me flatra zogu
do vij ku je ti
këtë mëngjes të bekuar
me Ty për ta ndarë.

I druajtur për këtë gabim të bërë përsëri një tjetër kthim do të ketë nën atë dritare brenda asaj dhome dhe e gjithë kjo shkon përmes një premtimi nga vetë autori që :

Prapë do të kthehem atje
Qytetit poshtë nën sharrë
Nëse të bezdisa
A ke për të më falur?

Por a ka në të vërtetë vend për falje nëse ajo dhomë ka qenë e tija dhe e saj për një ditë apo një natë. Ajo derë që iu hap me dashuri një herë, padyshim që e mirëpret përsëri që ai:

Të ledhatojë faqet
Nën sytë e tu magjik
Aty ku loti i kthjellët dikur
Rrëshqiti pa dëshirë.

Brenda nën emërtesës “Diku në Ulpianë” do të ndeshemi dhe me poezinë që mbart vetë titullin e këtij vëllimi poetik. Shqetësimi i madh i poetit si njeri, si qytetar i kësaj bote është që pse ende ai nuk është çfarë do të jetë në të vërtetë. Censura rëndon ende.
Ndërkohë që ai dëshiron:

A mund të shkruaj emrin
Pa censurë
Pa kllapa

Dëshira e tij rritet dhe të duket se një tjetër Migjen jeton diku në këtë glob. Është ky migjenian i ri, me rrënjët prej Kosove, që kërkon që përmes fjalës së tij
“t’ia lëshoj namim shekullit”, por zemra e tij është e ndarë më dysh, jeton në dy vende , në dy kohë, sepse një mur ngrihet mbi të.
Shënimi i lënë në fund të kësaj poezie (... 86 Bregu i Diellit, Prishtinë) do të bëj të kuptosh pse jeta e tij është e censuruar.  Në atë kohë, pa frikë jeta e çdo njeriu që mban vendlindjen Kosovë, ishte e censuruar.
Në poezitë e këtij nënkapitulli poetik do të gjesh edhe poezi dedikime kushtuar emrave të njohur të artit , poetit Ali Podrimja, piktorit Gjelosha Gjokaj, Martin Camajt, për të ndalur në atë që është më e ndjeshme në varg. Cilido në një formë apo tjetrën ka belbëzuar fjalë kushtuar njeriut më të shtrenjtë të jetës, asaj që na ka sjellë në jetë;nënës.
I merakosur dhe me një mall në gji, autori i thotë qoftë dhe përmes yjeve dhe hënës lart në qiell që të mos ta presë më si dikur,kur ishte gjimnazist, apo pranë sofrës mos ta presë të shijojë bukën e bekuar, as lot të mos derdh sepse:

Vetë Ti më ke thënë
Jeta është luftë
Që duhet fituar.

Por edhe për atë që e ka bërë burrë më hijen e tij, babait, nuk mungojnë vargjet. Përkundrazi, këtu ka më shumë ndjesi, ka më shumë “Dhembje dhe lot”, sepse sekondat gëlltitën dekada. Është një dhimbje që rrokulliste me forcën e një orteku brenda kraharorit të tij. Është loti i burrit që derdhet për ndarjen e burrit nga kjo botë, për atë nisje në atë rrugëtim ku kthimi pas nuk ndodh kurrë. Duket se në këtë poezi ka një qortim për atë ikje të beftë, për atë ngurtësim të atij shtati vigan në atë shtrat të ngushtë.

Gjeneratat që vijnë
Do të thonë
U ngute bre burrë



Sa lirik dhe epik, sa i drejtpërdrejtë dhe i fshehtë, sa burrëror aq dhe djaloshar do të shfaqet dhe në këtë pjesë të vëllimit të tij poetik aq sa pa ngurrim pohon: “Të duhemi s’është marrëzi” duke shkuar edhe më tej në shprehje dëshirash për të qenë një piktor për të bërë pse jo dhe portretin e saj që herë është si engjëll e herë si zanë “që  ndihem kaq djalë pranë kur më je” thotë autori në poezinë “Portreti yt”.
Në marrëdhëniet që ndërtohen në tërësinë e vargjeve të poezisë së vëllimit “Jeta e Censuruar” vazhdimisht shfaqet raporti mes njeriut dhe kohës, me qëllimin madhor që pikërisht njeriu ti japi kohës emrin që ajo meriton.
Pak më lart autori ishte vënë në kërkim të njeriut dhe, në pasgjetjen e tij, të vënit e emrit kohës është një tjetër problem që ai kërkon të marrë zgjidhje.
Edhe në nëndarjen “Ankthe e shpresë” do të gjesh të harmonizuar një gamë temash dhe ndërtimesh poetike që e bëjnë poezinë e tij akoma më familjare, akoma më bashkëkombëse, akoma më të prekshme dhe të imagjinueshme. Përmes vargjeve të tij autori e çon lexuesin në skaje ku ai nuk ka qenë më parë dhe përmes fjalës së përzgjedhur pikturon një tablo interesante, e ndare në katrorë të mëdhenj e të vegjël, ku secili prej tyre ka një përmbajtje të vetën.
Ai e fillon këtë nënndarje me pyetjen “A qajnë poetët” për ta përmbyllur me poezinë “Në dukagjin”, atje ku një nënë ka lindur shumë fëmijë. Një mesazh sa i bukur dhe domethënës:

Në Dukagjin është një nënë
Që pas dhembjeve jetë mbjell

Fëmija është jeta, është e ardhmja, është shpresa, është përparimi. Pikërisht këtë kërkon të ketë tabloja jetësore që ai si autor dëshiron të pikturojë në poezinë e tij.
Duke menduar që nuk i kam thënë të gjitha për këtë vëllim poetik, jam ndjerë mirë që ende në këtë jetë ka njerëz që me vargun e tyre kërkojnë që jetës t’i japin frymë.
Ka ende njerëz që mendojnë se përmes dashurisë dhe jo urrejtjes, përmes besës dhe jo tradhtisë, që përmes jetës dhe jo vdekjes, që përmes ruajtjes së traditave dhe zakoneve, përmes të shikuarit në qiellin e pamat të së ardhmes dhe jo skutave të errëta të shpirtrave zezonë, do të ketë më shumë shpresë për ditë të mira në jetën e çdo njërit prej nesh. Nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flasim dhe ku jetojmë, jeta është e shenjtë për këdo. Por më e madhe, dhe më vlerë merr jeta e njeriut, kur nuk harron rrugën nëpër të cilën ka ardhur në jetë.

2011/09/11

Kështu tha-dhe pikë Agim Metbala!....



Agim Metbala
 Meqenëse Agim Metbala për disa kohë  nuk ka patur  çasje në adresën e vjetër elektronike  ku ka postuar herë pasë herë  një pjesë dërmuese të aforizmave të tij, si dhe shumë poezi nga përmbledhja poetike "Kohë qirinjsh" dhe nga dy libra të tij të  përgatitur për shtyp, vjersha për fëmijë...për hirë të shumë adhuruesve dhe lexuesve të Agjencionit Floripress ,botojmë disa margaritarë të këtij shkrimtari ... 
Po startojmë  me aforizmat e njohur të Agim Metbalës:

- Aty ku mbizotëron arsyeja, pak vend ka për fjalë!
- Ai i cili vazhdimisht kërkon fajtorin, në fund do të fajësohet nga të gjithë!

- Shumë nga mjekët shqiptarë (andej e këndej kufirit), kur e kanë lexuar betimin e Hipokritit, gabimisht e kanë marrë, Si betim në hipokrizi!


- Le të mbajë mend mirë secili politkan kosovar, i cili vjen në pushtet, se lotët e nënave tona, nuk janë ujë të sistemit të "Radonjiqit", apo i "Batllavës"!


‎- Jeta e politikanëve shqiptarë (andej e këndej kufirit), i ngjan aezbergjeve - shihen madhështor, por edhe dielli i pranverës, i shtrrinë për toke!




‎- I pasuri, kurrë s'frigohet nga fjalët e thëna, ka mundësi të paguaj dëmshpërblimin!


‎- Derisa në treg, një bombë dore kushton sa një trangull , po aq kushton edhe koka e njeriut!


‎- Shqiptarët, më lehtë e rrënojnë tërë murin, se sa të shtojnë një tullë, në murin që e ka muruar para tyre dikuh tjetër!


‎- Treni, vërtetë nuk ngrit shumë pluhur, por bartë shumë udhëtarë!


‎- Kosova sot i ngjanë një amfiteatri të hapur, ku përditë luhen tragjikomeditë njëra pas tjetrës!


‎- Politika është si patinazhi, andaj shqiptarët rrëzoxen shumë lehtë! 


‎- Radhitja në politikë, shpesh bëhet si në teatër, në ulëset e para, ulen shumë zonja dhe zotërinj, që nuk marrin vesh asgjë nga drama!


‎- Lirinë e gëzojnë edhe ata që nuk kanë sakrifikuar asgjë, edhe ata që nuk kanë dhënë asgjë, por përkujtohen çdo herë vetëm ata që kanë dhënë diç për të!


‎- Sa herë e kam harruar ndjenjën e atdhedashurisë dhe sa herë jam lodhur nga puna, e kam kujtuar zonjën Nekibe Kelmendi! (fatkeqësisht, tani e ndjerë, një humbje e madhe)...


‎- Ngritja politike mbrenda natës, është si rrezitja mbrenda ditës, medoemos rrjepet lëkura!


‎- Politikanët tanë, i ngjajnë shumë makushve - fortë mirë e fshehin kokën, ndërsa për bythën, nuk kanë dert!


Fatkeqësisht, por si sillen shumica e shqiptarëve (andej e këndej kufirit), besën dhe besimin, duhet konservuar si relikte të kohës së shkuar!


‎- Për mosukseset në politikë, arsyetimet janë të pajustifikueshme!


‎- Gati secili politikan i mbanë dy lloje syzash, për të mos parë asgjë!


‎- Liderëve tanë politik, u ka rënë sëmundja e Parkinsonit, nga grushtimet e mëparme!


- Na pengojnë të ftoftit, na pangojnë të nxehtit, na pengojnë të ndershmit, na pengojnë të pa ndershmit, na pengojnë të mençurit, na pengojnë budallenj, na pengopjnë të pasurit, na pengojnë fukarenj...lum ata që në këtë kaos, mund të mbajnë ekuilibrin!


‎- Dyshimi i ngjanë frerit të dorës që pengon lëvizjen e autos edhe kur vehet në shpejtësi!


‎- Shumë shpesh, nuk mund të gjindet formulë e sakt në mes të kriminelëve dhe pushtetarëve të kohës, e koha në vijim, i radhitë me përpikëri!


- Fatkeqësisht që recepcionistët e hoteleve, nuk shkruajnë vepra e as scenario, sheshaz do të kishin dalur krimet e shumë pushtetarëve!


‎- Të korruptuarit dallohen fare lehtë: ose të shikojnë në maje të gishtërinjëve ose të shikojnë në xhepa!


‎- Shumë qeveri lokale, janë bërë orkestra perfekt e të njësuar - mashtrimesh e shantashesh të perfeksionuar!


‎- Shumica nga politikanët tanë (në të dy anët), vërtet janë personazhe të pazëvendësushëm për karikaturist!


‎- Shumica e politikanëve tanë, pushimet verore i kalojnë në plazhet më të njohura e më të pastër në botë, ama pa kusht, me paratë të fituar në mënyrë më të pistë! 


‎- Armiku më i madh i një kombi është, kur në logjikën e individit, sedimentohet dëshira e ikjes!


‎- Nuk ka martesë të mirë e dashnore të keqe, por ka martesë të lumtur, pa dashnore të mirë!


‎- Dyshimi është krimbi që kalb çdo iniciativë pozitive!


‎- Publiku, çdo herë jeton me zbavitës të rinj e jo me famën e artistëve të ndjerë!


‎- Çdo kërkesë, çoftë edhe iracionale e drejtuar haptas, është më pak e dëmshme, se çdo kërkesë minimale e kamofluar!


- Mbështetje në çdo kë, dhe mosmbështetje në askë, barazohen me pasojat!


‎- Kurrë mos kurse veten me shembuj, ngase njerëzve për t'u bindur, u flejnë shembujë konkret!


‎- Pasigurinë tënde, në çdo moment dhe në çdo hap, do ta zfrytëzoj si bashkëbiseduesi, ashtu edhe kundërshtari!


‎- Dashuria e rrejshme, është sikur truk i magjistarit - të magjeps fare për një kohë të shkurtër, por më vonë del sikur një lajthitje e thjeshtë!


‎- Personi që gjenë pretekste të shpeshta, analizoje me kujdes të madh, ngase ai fsheh sekrete!


‎- Paradokset i trillojnë njerëzit për të mbajtur veten në pozicionin kulmor!


‎- Kushtrimit i këndojnë të gjithë me radhë e thirrjes i përgjigjen vetëm atdhetarë!


‎- Vëzhguesi dhe i vëzhguar, dirigjohen vazhdimisht nga dy të tjerë fitues!


‎- Kulmet nuk i ka krijuar natyra, por njeriu!


F.B-ku është oazë, ku shuajnë etjen të gjithë...edhe gomerët!


‎- Ecja para-mbas, vazhdimisht të lenë në start!


‎- Njeriu që në vete ka dy ekstreme, vazhdimisht shkakton lidhje të shkurtër!


‎- Karrieristi dhe qyqja, janë identik - vezët i bëjnë në çardhe të huaj!


‎- Çdo gjë senzacionale, vjenë në mënyrë të befasishme dhe ik në mënyrë të qetë!


- T'i bëhet dredhi furtunës, nuk është as mëkat dhe as turp!


‎- Në histori, hyjnë dy tipa njerëzish:të mallëruarit dhe të mallkuarit!


‎- Ai i cili pret çdo gjë nga fati, do të mbetet njeriu më i pafatshëm në jetë!


‎- Fatbardhësisht që fati i njerëzve, nuk është çdo herë në duart e njeriut!


‎- Prapanica dhe fytyra e karrieristit, janë identike - nuk kanë dert se zhlyhen!


‎- Forca dhe ndërgjegje, kurrë nuk bashkëdyzohen!


‎- Fajtorit, lërja fajin në ndërgjegjen e tij, nëse dëshiron ta kesh mik në vijim! 


VETËVRASJA E HESHTJES

Përditë në vend të kaftjallit
Në pjatë na servohet nga një brengë
Në tavolinën për drekë
Na shtrohet nga një vdekje enigmatike
E për çdo darkë në mbrëmje
Para syve na vidhet shpresa....

Heshtja pa kusht duhet bërë vetëvrasje
Ose ne ta vrasim botërisht
E në gishtin tonë tregues
Le të lind guximi i fjetur...



PUTHIN PRAGUN E NDERIT

Këngët e mia
Këputen në melodi të vjetra
Rrisin buzëqeshjen e fëmijëve
Ndonjëherë shtojnë nga një pikë
Loti në qepallë
Lehtazi shndërrohen në serenadë
Trokasin në dritare
E xhamave të mërdhirë
Për ta zgjuar dashurinë
Befasishëm,po befasishëm
Në gjumë trembin
Mizat kush i ka nën kapuç ...

Këngët e mia ecin dhe ecin
S'ngrihen nga të ftohtit
Mbase rreziten me rrezet e diellit
Dhe puthin pragun e nderit ...



SHPRESA

Shpresën në mijëvjeçarë
E torturuan për ta vrarë
Ajo është rreze
Që bie pingul
Majave të thepave të mprehta...

Shpresën me shekuj u munduan
Ta pushkatojnë
Nga tytat çelin lulebozhuret
Shpresën me decenie
E mbyllën në katakombe
Bërtiti shesheve Eureka...

Shpresa pushton horizontin
E njerëzit - mbishkrime në varre...



DHEMBJA MË SHFAQET
NË FYTYRË

Në këtë amfiteatër të pikëllimit
Nuk jam gomë t’i fshij dhembjet
Nuk jam profet dhe me dorë t’i largojë brengat
Nuk jam kirurg të bëjë ndërhyrje kirurgjike
Dhe as aq i fortë t’i marrë të gjitha dhembjet...

Tërheqi thembrat zvarrë
Dhe humbem labirinteve të mia
Dhembjen vetë e përballoj më lehtë
Ajo më pikturohet në fytyrë...



TRURIN DO TA SHKEL
ME KËMBË

Më parë do t’i shkulë flokët e kresë
Me gjilpërë do t’i nxjerrë sytë e ballit
Me havan do ta pres copa-copa gjuhën
Zemrës do t’i bëjë harakiri
E trurin do ta shkel me këmbë
Edhe nëse mbetem pa asnjë gjymtyrë
Bash si një cung
Sesa t’i bashkangjitem
Valles së hijeve të natës...



YLBERI MA NGJYROS BALLIN

Sa herë e ndëgjoj pulsin e zemrës sime
Gabimit s’ia hap portën me asnjë kusht
Në rrugën time i mbyllet shtegu mashtrimit
Urrejtjen e shkeli me themër
Ylberi ma ngjyros ballin...



NË FAQET E ÇUPËZËS

Në faqet e çupëzës -
Fle bukuria e hënës,
Në faqet e çupëzës -
Është malli i nënës,
Në faqet e çupëzës -
Mësuesja ka gëzimin,
Në faqet e çupëzës -
Babi gjen dëfrimin,
Në faqet e çupëzës -
Poeti gjen frymëzimin!



KU BANON MËSUESJA

Mësuesja ime banon:
- Në çdo fletë të fletores,
Në çdo fotografi të librit,
Në lojën e fitores,
Në detin e gëzimit!

Mësuesja ime banon:
- Thellë në këngën time,
Në çdo pranverë,
Në qeshjet plot gëzime,
Në çdo ylber...
Banon mësuesja ime!



Q E S H J A

Qeshja është e ëmbël:
Më shumë se sheqeri,
Më shumë se karamelja,
Më shumë se çokollata,
Më shumë se marmelata...
Për atë qeshin:
Edhe dielli,
Edhe luledielli,
Edhe hëna,
Edhe nëna,
Edhe vogëlushi,
Edhe gushëkuqi,
Edhe vogëlushja,
Edhe tërë fusha...
Qeshja është e ëmbël!



@ Agim METBALA


Përgatiti Flori Bruqi



U lind më 1953 në Rahovec. Shkollën fillore dhe atë të mesme- gjimnazin, drejtimin e pëgjithshëm, i kreu në vendlindje, studioi dhe u diplomua në Fakultetin Juridik në Universitetin e Kosovës, më 1976. Aty i vazhdoi edhe studimet pasuniversitare.
 Të dashur lexues, që në fillim i jap vetes të drejtë ta falënderoj autorin, i cili që vitin e kaluar ma dërgoi si dhuratë përmbledhjen me vjersha “Kohë qirinjsh”. Mbase, kur dikush më dhuron diçka nga krijimatria e tij, unë e konsideroj dhuratën më të madhe, sepse me këtë ai më ka dhuruar një pjesë të shpirtit të tij.
Të faleminderit mik, Agim

Në vazhdim lexoni kritikën për veprën, ndërsa poshtë saj keni librin të tërë.

Libër mbi të vdekurit e gjallë dhe të gjallët e vdekur

Agim Metbala, krijues, aforist, dashamirës i letërsisë për fëmijë dhe i asaj për të rritur, kryeredaktor i revistës letrare për fëmijë “Filizat” dhe i revistës letrare për të rritur “Jehonë anadrinie”, del para lexuesit me librin më të ri me poezi “Guximi fle”, të parin që u dedikohet lexuesve të rritur. Shumëkush tashmë e di se Agim Metbala është një gjykatës me profesion, nga njëra anë, dhe një adhurues e krijues, nga ana tjetër – dy skaje që në ambientin tonë nuk është gjithaq lehtë që të mishërohen në një person. Është së tepërmi shëmbëllyese kjo shpërputhje me atë ndërmjet realitetit me të cilin ndeshet autori dhe shpresat e tij. Libri mund të merret si rezultat i këtij rrugëtimi jo fort të lehtë nga njëri skaj në tjetrin.
Përmbledhja poetike “Guximi fle” është konceptuar në katër cikle: “Kohë qirinjsh”, “Këngë e gjallë”, “Përkushtime” dhe “Lot e shpresë”; ndërsa atyre u prin një kushtim për Ukshin Hotin, në të cilin lexuesi do të mund ta gjejë, në trajtë epigrami, moton e autorit që si mbështetje ka huazuar fjalët e intelektualit dhe atdhetarit tonë të madh. Guximi i Ukshin Hotit është ai që reflekton konceptin e përballjes së vështirë me realitetin edhe kur ai është tepër i vrazhdë, tepër kërcënues... ky guxim përbën frymëzimin edhe për autorin e këtij libri.
Përgjithësisht krijimet e Agim Metbalës shquhen për një unitet krijues, në rend të parë ky është një njësim ideor e tematik, dhe kryesisht ato dominohen nga nota të një pakënaqësie të brendshme të autorit, e cila herë-herë përkufizohet edhe me protestën. Ai nuk e gjen atë që dëshironte ta shihte në Kosovën e sotme, andaj shpërthen me një gjuhë të qartë:

 
“Në Kosovë
Çdo gjë është e brishtë
E ftohtë, akull, akullnajë”

 
Megjithëse nuk ngurron që t’i thotë kaq hapur gjërat dhe jo vetëm në këto vargje, autori nuk bie në pesimizëm të skajshëm dhe dëshpërim, ngase ka një aleate të madhe në këtë rrugë – ka shpresën për ndryshimet:

 
“Derisa të lind shpirti
Ai do t’i shkrijë të gjithë ajsbergët
Në bebëzat e syve do ta mbjellë dashurinë
Të kërkuar në këto mote...”

 
Cikli i krijimeve “Përkushtime” shpalos galerinë e personaliteteve të rëndësishme për autorin, ndër të cilat spikatin figurat e dëshmorëve të atdheut. Ndjenja e adhurimit për ta nuk shpërfaqet vetëm si borxh ndaj dëshmorëve, por edhe si masë e vlerësimit të etnisë, në të djeshmen, në të sotmen dhe të në nesërmen e saj. Adem Jashari dhe dëshmorë të tjerë rahovecjanë të luftës së fundit përbëjnë masën e kësaj atdhedashurie të konceptuar në vargjet e autorit.

 
Në rast se për tematikën që e ndeshim në librin “Guximi fle” nuk mund të thuhet se është e re kundruall librave të shumtë me poezi që botohen sot, ky libër të veçantën më të madhe e ka në reagimin e subjektit lirik, në mjetet e tij shprehëse, sidomos në gjuhën me të cilën i shkruan ato. Autori nuk është dhënë shumë pas gdhendjes së fjalëve, pas përsosjes së vargut e të formave poetike, ngase ai preokupohet nga një përbërës tjetër - nga ideja e poezive të tij, nga domethënia, e cila paradoksalisht e përbën edhe pikën nisëse edhe cakun e tij. Duke qenë kështu e lidhur ngushtësisht për realitetin përmbledhja e Agim Metbalës mund të merret edhe si një dëshmi artistike “për të vdekurit e gjallë - dhe të gjallët e vdekur” të këtij nënqielli.

 



Agim Metbala

KOHË QIRINJSH

cikli:
KOHA NË PESHORE

 
UKSHIN HOTIT

...” Zoti gjyqtar,
- Jam i vetdijshëm për veprën time,
por fatin e robit nuk e nënshkruaj!”...
U. H.
Shtegtove shtigjeve të xhunglës
Atje ku nuk guxon të shkelë këmbë e tjetrit
Ndër sheshe shqiptove fjalët
Që shumëkujt atëherë i mbetën në fyt
Si kafshatë e madhe
Në letër të bardhë shkrove ditirambe
Për të vdekurit e gjallë
Dhe të gjallët e vdekur
I ke pështyrë me kohë në fytyrë
Për së gjalli u ndave dy herë nga jeta
Duke i hapur tri kaverna në mushkëri
Për lindjen e re...
Dhe tash
Universi yt mbetet përjetësisht në këto troje...
  

KOHË QIRINJSH
 


KOHË QIRINJSH

 
Në Kosovë
Motet ndërrohen
Nën ritmikë agregatësh
Ftohtë, akull, akullnajë
Dhe në shpirt të secilit
Mbin nga një ajsberg...
Në Kosovë
Nata edhe dita
Ndërrohen në vërtitje krismash
Duke bartur stafetën stereotipe
Me porosi të stërpërsëritura...
Në Kosovë
Çdo gjë është e brishtë
E ftohtë, akull, akullnajë
Derisa të lindë shpirti
Ai do t’i shkrijë të gjithë ajsbergët
Në bebëzat e syve do ta mbjellë dashurinë
Të kërkuar në këto mote...

18.03.2003
 

FJALA MË MBETI NË FYT

 
Desha të flas
Fjala më mbeti në fyt
Janë ngopur të gjithë me fjalët tona...
Desha të shkruaj
Për çfarë të shkruaj
Para meje kishin shkruar për çdo gjë
Era i mori shkrimet e tyre...
Desha të protestoj
Për shumëçka
Para meje kishin protestuar për gjithçka
Ato i varrosën në sarkofag...
Desha të çmendem
Nuk më lanë
Më thanë: ka shumë të çmendur...
Dhe shtuan:
- Së pari kuptohet vetja
Atëherë i mirret era
Flladit të pranverës...
 


KOHA E KRISUR

 
Në këto kohëra të rënda si plumbi
Trurin e kam konservuar mirë
Pakkujt i duhet truri
Veshin e kam mbushur me pambuk
Për ta shpëtuar timpanin
Ndërsa sytë i kam mbyllur
Dhe i kam futur në kuti
Për të mos parë fëlliqësirat...
Do të pres ditë më të mira
Për të jetuar dhe për të vdekur...

 

 
FENIKSI KOSOVAR FORUMI

 
Këtu si duket edhe dialektika
Është dehur deri në delirium
Dhe përditë në këtë kaos urban
Lindin pikëpyetjet
Në këtë kaos urban të shfrenuar
Vështirë se do të mund të vetëpërmbahet
Rolet janë ndërruar në mote –
Timonët i kanë marrë në duar idiotët
Të paktë janë ata të tjerët
E Kosova zë në thua me shekuj...
Si duket këtu po perëndon
Apo po lind diç e re
Diçka si Feniksi i ri kosovar
Kam frikë, kam frikë...
(këlyshët e parë hidhen në lumë)...

 

ECJET

 
Ka ecje:
HORIZONTALE
dhe
V
E
R
T
I
K
A
L
E
Dhe nga ecja çfarë bëhet
Lindin pastaj një mijë e një epitete
Apo vetëm një
NJERI...



IKJA

 
Monstrumi IKJE
Me eskavatorë
Shemb kalatë e guximit
Dhe në çdo zemër mbjell
Fidanët e frikës
Që lindin frutet e dhembjes
Dhe krijojnë lumenjtë e vdekjes
Pastaj në mënyrë të paartikuluar
Katandisen në detet e panjohura...
Ikja lind nga droja
E frikës dhe forcës
Të ikurit
Me gravitacion të humbur
Sillen si pa kokë
Me shpresë të mbështjellë
Në shaminë tetëpalëshe
Duke ngrehur këmbët zhag
Metropoleve të botës...
Ikjet çdoherë më trembin
I trembin edhe fëmijët në djep.

16.02.2003

 

 
MOS I MBYLLNI SHTIGJET forumi

 
Mos e mbyllni, hapeni shtegun
Do të shihni se sa shtegtarë ka
Që do t’i krijojnë shtigjet e reja
Për t’i lënë n’harresë labirintet e trishtimit
Mos e mbyllni, hapeni portën
Do të hapen pastaj të gjitha dyert
Frikën do ta mund guximi
Guximi do t’i mbushë sheshet me gëzime
Dhe frikën t’ia lëmë peng historisë
Mos e mbyllni, hapeni zemrën
Pastaj do të hapen të gjitha zemrat
Zemra ka shumë sirtarë
Dhe në ballë të fëmijës
Do të lind ardhmëria

 

 
S’E PREFEROJ ECJEN E BRESHKËS

Breshkën e adhuroj se ka mburojë
E fare s’e preferoj ecjen e saj
Pse po modelohet lëvizja e saj nëpër mote?
Në ecjen tonë duhet modeluar maratonën
Për të zënë një karrige në Strasbur
Atëherë do të prehen të gjithë eshtrat
Do të pushojnë të gjithë shpirtërat
Që si mbyllin sytë gropë
E me dashuri ia falën jetën kësaj toke...
20.02.2003




YLBERI PUTH BLERIMIN

 
Sot guximin e ka kapur paraliza
Dhe aty-këtu ecën me paterica
Që i jep pamje tragjikomike...
Sot urtësia është varur në majë të lisit
Atë e kapi era me krahë të vet
Duke e hedhur në qiell të imagjinuar
Budallenjt organizojnë vallet e natës...
Sot në çdo rrugë dhe udhëkryq
Janë rreshtuar pikëpyetjet
Dhe karavanët e pyetjeve pa përgjigje...
Nesër do të lindë Ditë e re
Me kuptim, presje, pikëpresje
Duke përfunduar me një pikëçuditëse
Do të rreshtohen guximi, dija, urtësia
Shesheve do të mbijnë aguliçet
Ylberi do ta puthë blerimin në ballë...
28.02.2003
 


ÇASTE DELIRIUMI studenti

 
Nga afër shikoj
Procesin e transformimit evolutiv
Të plisit të bardhë
Me katalizatorë të shumëfishtë
Më dhemb secili muskul
Më dhemb secili ind
Më dhemb secila qelizë...
Klithi deri në kupë të qiellit
Kurrkush nuk më dëgjon
I kanë prishur çekanët e veshëve
Klithi çmendurisht
Kurrkush nuk më shikon
I kanë vënë mëkëmbëzën thjerëzës së syrit
Klithi në delirium
Kurrkush nuk më ndjek
Të gjithë i kanë shndërruar këmbët në roushle
Duke vrapuar kah Perëndimi
Dhe duke humbur kohë pas thembrave...
Perëndimi një ditë do të kthehet kah Lindja
Të gjithë ata do të jenë të pafuqishëm
Për pelegrinazh...
28.02.2003



KOMEDI forumi

 
Fjalën nuk e frenova
Nëpër motet plot rrebeshe
Dhe tërmete të fuqishme
Kur vërshonte llava nga vullkanet
Dhe thembrat preknin majën e kresë
Sot më thonë do Sanço Pança
Ta lë fjalën përgjysmë
Komedi stereotipe
E një moti pa vlerë...

 


PA THONJ

 
Shumica nëpër mote
Pjesën e madhe të thonjve
I hanë për hiçgjë
Duke u ngjitur për luspat e kuçedrës
Pjesën e mbetur i hëngrën
Duke u grithur mes vete
Çmendurisht...
Dhe tash kur thonjtë u duhen
Për të mbrojtur veten
Mbetën pa ta...



DO TË BËRTAS, DO TË PLAS

Do të bërtas derisa të plas
Nuk dua të lejoj që në çastin e lindjes
Shpresa të na gjejë fjetur...

  

E KËRKOJ VETEN forumi

 
Dje e dija kush isha
I rreshtuar si luledielli
Me fytyrë të kthyer kah dielli
Në pritje të lindjes të frutit
Nga mishi dhe gjaku ynë...
Sot e kërkoj veten
Në këtë vorbull të shfrenuar
Ikje marramendëse me një këmbë
Qiellit që nuk i dihet fundi
Dhe me një këmbë në zjarr
Që nuk ka të sosur djegia
Bërtas me fund të barkut
Si kafsha e plagosur për vdekje:
- Kurrë nuk do të rreshtohem mbrapsht
Edhe nëse gjatë jetës
Vdes edhe një mijë e një herë...


 
LËKUNDJA E NDËRGJEGJES

 
Shpallen edhe tenderë
Brutalisht thyhen shpresat
Që na e sollën enkas nga larg
Në fjalorin e gjuhës shqipe
Lëkundet me themel ndërgjegjja
Humb pafundësisht fjala
Djersa poshtërohet deri në avullim...
20.08.2003
 


KOHA NË PESHORE

 
Mos shkel rrëmbyeshëm
Kujdes hapin si ta hedhësh
Mos shkel vetvetën
Se koha e sotme është në peshore miligramike
Nesër kanë për të të çmendur britmat...
Mos i mbyll sytë para dritës
Hapi bebëzat dhe shikoje të vërtetën
Se koha e sotme është në peshore miligramike
Nesër do të të ha terri i zi...
Mate fjalën me mikrona
Shkronjën mos e shkruaj në letër të ndotur
Nesër do të të shkurtohet gjuha
Shkronjat do të mbeten
Në reliefin e lëkurës sate...
Kujdes
Koha është në peshore miligramike...



 
NUK DUA TË MBETEM APATRIT

 
Nuk dua prapë të mbetem apatrit
Nëse ka nevojë do t’i pres të gjitha venat
Dhe le të shkojë gjaku im rrëke rrugëve
Deri në pikën e fundit
Mbase dymbëdhjetë lëkura m’u kanë rjepur nga shpina
Duke kërkuar hartën e re gjeografike...
Nuk dua prapë të mbetem apatrit
Duke u përcjellë brezave stafetën me pikëpyetje
Dhe vullnet të padeshifruar
Nëse ka nevojë do të dal në Sheshin Skënderbe
Për ta reinkarnuar Jan Pallahun
Sepse krejt çka pata dhashë
Duke kërkuar hartën e re gjeografike...
04.03.2003



PAMJE

 
Pamja që na shpaloset sot
Është deri në fund ironike
Çdo figurë në panoramë
Në mënyrë milimetrike është e përllogaritur
Të na bindë në këtë realitet të rrejshëm...
Harrojnë se thjerrëzat tona janë imune
Motet na i falën reflekset e kushtëzuara
Për të mbijetuar vertikalisht...

 DERI KUR 

 
Deri kur më në ecje do të bëjmë zigzage
Për t’u pëlqyer atyre që na i imponojnë ato?
Deri kur më do t’i përsërisim fjalët
Refrenët që na i shkruajnë të tjerët?
Deri kur do ta shkurtojmë gjuhën
Me kutin e porositur nga të tjerët?
Deri kur do të ulemi në tavolinën e gjelbërt
Me materiale të servuara si një supë?
Nëse kështu ecim vetëm edhe sot
Përfundimisht do të arrijmë në Ferrin e Dantes.



MONSTRUMËT ME
BATERI NË ZEMËR


 
Kahdo që sillem
Shtangem si mumi
Të gjitha që i ndërtuam
Me eshtrat e kurrizit
Dhe nga gjaku e mishi ynë
Janë bërë të akulltë si ajsbergët
Edhe më të ftohtë se kufomat
Togjet e hijenave
Dhe çakejt e çartur
I hanë pa ndjenja
Të gjitha që ndërtuam
Me eshtrat e kurrizit
Dhe nga gjaku e mishi ynë...
Ata duan ta sundojnë në këtë planet
Monstrumët me bateri në zemër...

08.03.2003



TRAGJIKOMIKE

 
Situata komike
Më kanë rrethuar
Në vend se të qeshi – qaj
Kafshoj ditën fort
Dielli zihet...
Rreshtave nuk u shihet fundi
Në qendrat sociale
Trupa pa kokë
Të paartikuluar rreshtohen
Para ambasadave
Lukthi s’ma përbin
Këtë pamje komike
Kafshoj natën, dhëmbët më thyhen
Nga dhembja hëna fshihet pas reve...
Më çmend ecja horizontale
Nëpër metropolet evropiane
Me gëzimin e paluar dymbëdhjetëfish
Në xhep të vogël
Kafshoj me dhëmbë mishin tim
Për të mos qarë...
12.03.2003

 

TRURIN DO TA SHKEL
ME KËMBË

 
Më parë do t’i shkul flokët
Me gjilpërë do t’i nxjerr sytë e ballit
Me havan do ta pres copa-copa gjuhën
Zemrës do t’i bëj harakiri
E trurin do ta shkel me këmbë
Edhe nëse mbetem pa asnjë gjymtyrë
Mu si një cung
Sesa t’i bashkangjitem
Valles së hijeve të natës...
19.03.2003



NË PESHORE

 
Ishim ata që krimet i përjetuam
Në çdo pore të lëkurës sonë?
Ishim ata që tmerret i pamë me sy
Në një mijë e një forma?
Ishim ata për libër të Ginisit
Me eksodin e papërsëritshëm?
Ishim ata që i thyem zemrat e botës?...
Jemi ata që ishim apo u transformuam
Duke harruar se jemi në peshore
Unë i frikësohem peshës së tepruar...

 

 
DERISA TA ZË
DIELLIN ME DORË

 
Nuk pendohem kurrë
Se eca rrugës plot peripeci
Për ta sfiduar të keqen
Dhe çmova të bukurën...
Nuk pendohem kurrë
Që të padrejtën e sulmova
Me gjithë arsenalin e armëve të mundshme
Duke u shqyer maskat shëmtimeve...
Të tjerët heshtën për të mos u rënë supeve
As edhe asnjë qime floku
Unë do të parakaloj rrugës sime të trasuar
Derisa ta prek diellin me dorë...



 
NDJENJË REBELIMI

 
Derisa djersa e punëtorëve
Është ekspozuar në ankand publik
E zhvlerësuar deri në asht
Derisa dija e profesorit
Është nënvlerësuar më poshtë
Se fshesa e pastruesit
Derisa referate false
Në përvjetorët e dëshmorëve
Lexohen nga ish-përndjekësit
Derisa Kosova është amfiteatër i hapur
Ku përditë shfaqen tragjikomeditë
Para spektatorëve të hutuar...
Me atom të fundit të qenies
Do të rebelohem në ekstazë...



EPITAFET E TURPIT

 
Ata kobra që dje
Helmonin pjellën e vet
Sot u vardisen të ardhurve
Duke verbuar sytë e pasardhësve
Harrojnë se ata janë të identifikuar
Se nesër mbi varrin e tyre
Do të shkruhen epitafet e turpit...

 

PENTAGRAM I GRAVUAR

 
Çuditërisht
Sorrat shpejt harruan gjenezën
Përsëri krrokasin
Duke shpurdhur me këmbë të zhlyera
Që u vjen era CO2
Dhe marramendshëm
Në maratonën me korba
Me qyqet
Dhe me dreqin e mallkuar
Në pritje
Të ballit të ri të lugetërve....
Mashtrimin e kanë
Si borën e vitit të kaluar
Feniksi kosovar
E shporri terrin
Përtej shtatë bjeshkëve
Me gjakun nga damarët
Vizatoi hartën e re
Pentagram i gravuar
Në ballin e secilit...
04.11.2003

 

N E V E R I A

 
Të neveritshme janë këto mote
Që në treg kanë hedhur
Krimbat pa vlerë
Që zvarrë pastaj okupuan të gjithat
Nga zyra e vendit
E deri në parlament...
Neveria vjen dhe shtohet
Me robotë politikë
Të krijuar në punëtoritë
Dhe epruvetat evropiane
Duke marshuar me ndjenja të operuara...
Neveria arrin pikën e vlimit
Me biznesmenët e lindur
Nga fara e dinarit të Topçiderit
Duke lidhur kontrata ende me shkronjat cirilike
Që t’i verbojnë sytë...
Neveria pas pikës së vlimit
Avullohet dhe shtrihet mjegulla e dendur
Duke krijuar apati, alivanosje...



DHEMBJA MË SHFAQET
NË FYTYRË

 
Në këtë amfiteatër të pikëllimit
Nuk jam gomë t’i fshij dhembjet
Nuk jam profet me dorë t’i largoj brengat
Nuk jam kirurg të bëj ndërhyrje kirurgjike
Dhe as aq i fortë t’i marr të gjitha dhembjet...
Tërheqi thembrat zvarrë
Dhe humbem labirinteve të mia
Dhembjen vetë e përballoj më lehtë
Ajo më pikturohet në fytyrë...



GUXIMI FLE

 
Në këtë shesh të shqetësuar
Që vërtiten rreth boshtit të vet
Me shpresën e humbur të së nesërmes
Në këtë amfiteatër të hapur
Ku secili aktron role të paartikuluara
Me dhembje të pikturuar në fytyrë
Në këtë nënqiell të errët
Me mija peizazhe të errëta
Të ekspozuara vetëm bardhë e zi...
Faji është i lakuriquar
Na mungon vetëm guximi
Që nëpër mote fle...

31.03.2003



SHQETËSIMI

 
Më dhemb diafragma
Frymëmarrja më çrregullohet
Kur prapë i shoh në fotele
Monstrumët e lindur nga martesa
E vëllazërim-bashkimit
Me tri ndërhyrje kirurgjike –
Në zemër, në veshë dhe në sy
Ata që në vend të Zotit
Besojnë në dreq të mallkuar
Botës publikisht i kërkoj azil politik!



 
DO T’I GJUAJMË NGA TRE GURË

 
U lodhëm me trupat amorfë
Që në mënyrë serike marrin forma
Prej kallupit në kallup
Të akorduar nga jashtëtokësorët...
U molisëm me trajtat e njëanshme
Dhe format halogjene
Në maratonën e përvetësimit
Në garat e pangopësisë...
Na i verbuan sytë prototipat politikë
Të lindur nga kontejnerët
E metropoleve të kurvës plakë në ekstazë
Me orekse frigjidiale...
U molisëm nga një mijë e një të këqija
Të servuara në mija variante...
Fatomorgana do të paraqitet një ditë
Do të kalojnë lodhjet, do të shkunden molisjet
Në ceremoninë mortore të të këqijave
Do t’i gjuajmë nga tre gurë ...



 
DO TË GJENDET BAR PËR MIZA
GJITHSESI DO TË GJENDET BAR PËR MIZA!

 
Dredha m’i ka shkep mendimet
Me gishtërinj kreh flokët e zbardhur
S’e gjej dot enigmën
Se puna është shndërruar në trishtim
Dhe të gjithë si të shfrenuar
U sulën në maratonën
E përvetësimit absolut të çdo gjëje
Gënjeshtra e lëshuar me parashutë
Është lidhur për belin e shumicës me nyje
Dhe ndërgjegjja, ndërgjegjja ka marrë trajtën e asgjësë...
PA KUSHT DO TË GJENDET BAR PËR MIZA!
Copë-copë më derdhet dhembja nga trupi
Si pjesët e kometës shkëputen
Gjuaj sakun t’i mbledh mendimet
Dhe i lutem Zotit
Të më mbrojë nga çmenduria
Bile
Derisa krimbat të shndërrohen në flutura...
GJITHSESI DO TË GJENDET BAR PËR MIZA!
Durrës, 03.08.2003
 


 
D E H J A
Jemi lodhur tmerrësisht me veten
Me peticionet sterile
Jemi dehur nëpër mote
Me përpilimin e teksteve
Të protestave stereotipe të kohës...
Skajshmërisht na kanë lodhur
Ata të labirinteve si të merimangës
Të metropoleve neonike
Duke servuar nota proteste shterpe
Si bukën bajat për kafjall
Me qindra abortime të rezolutave sterile...
Tërë jetën në udhëkryq
Në pritje të ngjyrës jeshile
Vetëdija duhet të lidhë alenacë
Me triumfin dhe të dalë shesheve
Njëherë dhe deri në pafundësi
Të kuptohet se semafori është vetëm një mjet
Që mund të ketë defekt!



ME GISHTIN TREGUES
DUHET NXJERRË PAPËRDHOKUN


 
Janë rreshtuar në maratonë
Në një shteg thuase të gjithë
Absurd i lakuriquar
Merr e vjedh, vjedh e merr
Refren si në diskun e prishur
Merr e vjedh, vjedh e merr...
Të tjerët janë të paktë
Hutimi u rri mbi ballë pikëpyetje
Frika i ka lëshuar zogjtë
Rrugët në ecje çdokund
I kanë të mbyllur si shishe me tapë...
Duarkryq nuk pritet vdekja e së keqes
Me gishtin tregues duhet
Nxjerë papërdhokun përjetësisht...
09.01.2004
 


 
IRONIKE

 
Do të vijë një ditë
Kur shesheve do të zhvishet kjo ironi
E lakuriquar do të ecë
Secili kalimtar do ta pështyjë në fytyrë...
Do të vijë një ditë
Kur matrapazët në pelegrinazhe
Do të ikin në Merdare
Si elefantët në karvane
Për të vdekur turpshëm
Në mënyrë horizontale...
Do të vijë një ditë
Kur disa politikanë tanë nga grushtimet
Nokdaunet dhe nokautet
Dhe me sëmundjen e Parkinsonit
Do ta harrojnë edhe emrin e vet
...............................................
Ajo ditë do të vijë patjetër
Rrugës së Zotit!
29.04.2003



ATYRE U TAKON E ARDHMJA forumi

 
Kjo kohë e zymtë
Kjo dritë është farsë
Thjerrëza duhet vënë nënkëmbëzën...
Kjo kohë është e brishtë
E ftohtë, akullnaja dhe ajsbergët
Instiktet sundojnë..
Kjo kohë është në udhëkryq
Para kohe lindin monstrumët...

Atyre që mbijetojnë këtë kohë
Në mënyrë vertikale
Atyre u takon e ardhmja...



KËNGË E GJALLË
 
 
NA NDOQËN

 
Na ndoqën
Ai, ajo – ky dhe kjo
Na ndoqën
Ata, ato dhe kush jo...
Ne të ngrirë mbetëm
Të gjithë ikën kokës duar të lidhur...
Kujtesën s’ia lëmë harresës
Ajo s’na le të shkelim rrëmbyeshëm
Dhe as nën këmbë dërrase të kalbur...
09.01.2004



 
KËNGË E GJALLË

Nga frika
Çdogjë kishte vdekur
Me ankth priteshin trokitjet
Dyerve nga të paftuarit...
Dita ishte e gjatë sa një shekull
Ndërsa nata dot nuk gëlltitej
Derisa malet tona nuk hijeshuan
(oh, sa ishin të bukura malet tona atëbotë)...
Pastaj nga malet
Vrullin e ndrydhur ndër mote
Me guximin e legjendave
Me këngë poema të pashkruara
Zbritën qyteteve dhe katundeve
Duke e mundur frikën për vdekje
Deri në largim të përjetshëm...

1998



 
MALLËNGJIMI

 
Tërheq thembrat zvarrë
Në udhëkryqin e Shijakut
Apo hija më tërheq pa cak
Sa fort më zu malli
Zemra ime e ndarë në dysh
Në mënyrë simetrike
Gjysma përtej Bjeshkëve të Nemuna
E gjysma këndej
Te udhëkryqi i Shijakut
Halucinacionoja në mesditë
Me sy të hapur si dy gropa pa fund
Para syve pëlhurë ekrani
Insertet ndërroheshin në mënyrë serike
Flakë, ofshamë, lot dhe ikje...
Mbi kufoma mbinin lulebozhuret
Prapë përsëritje si në refren:
Flakë, ofshamë, lot dhe ikje...
Oh, sa më ka marrë malli për rrasat e Rahovecit...
Tërheq thembrat zvarrë
Në udhëkryqin e Shijakut
Apo hija më tërheq pa cak...

15.05.1999



 
NËNAVE

 
Nga lotët valë të nënave tona
Do të ishin shkrirë
Edhe ajsbergët e polit verior
Nga ankthet e nënave tona
Para këmbëve të tyre
Do të ishin shtrirë
Të gjitha bjeshkët
Nga dhembjet e nënave tona
Do të kishin pëlcitur
Të gjitha prangat e qelive
Me durimin për çmimin Nobël
Të nënave tona
U rebeluan liderët botërorë
MBI SUPET E TYRE ERDHI PRANVERA NË KOSOVË!
14.04.2003



 
PËR ATA

 
Boshtin tim kurrizor
Do t’ua fal për lapidar
Sepse jeta
Do t’më kishte kaluar
Në frikë dhe pritje thikash
Po të mos ishin ATA.
14.02.2003
 


 
DHUNA

 
Mos i burgosni pëllumbat
Se burgosni lindjen tonë
Burgosni varret tona në çdo shtresë
Dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke
Burgosni mendjen
Frymimin dhe qenien tonë...
Mos i vrisni pëllumbat
Ata janë të urtë
Dëshirojnë vetëm qiellin e lirë
Për të fluturuar shlirshëm
Dhe asgjë më shumë...



 
LIRINË E KAM ËNDËRRUAR
PAKËZ MË NDRYSHE

 
Lirinë e kam ëndërruar pak më ndryshe –
Pa vrasje enigmatike
E dëshmitarë që i lëshon toka
Pa dëshmitarë të mbrojtur...
E ëndërrova lirinë
Me shtrëngim duarsh
Si në skulpturën e Tasim Lokajt
Me parlament ku do të flasë arsyeja
Me Universitet vlerash të larta
Pa treg të zi devizash
Me dritë neoni shesheve
E pa frigoriferë që u vie erë e rëndë
Me ujë për ujitjen e parqeve
Dhe jo me gypa të koroduar...

Lirinë e kam ëndërruar ndryshe
Pakë-ë-ë-ëz më ndryshe!

06.05.2003


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...