2011-09-16

Edhe modeli “dy Gjermani”, edhe autonomi për veriun, ky është rreziku!


Modeli i ngjashëm me atë të dy Gjermanive tashmë po pranohet edhe zyrtarisht nga institucionet e Kosovës me marrëveshjet e arritura në Bruksel, pasi që Prishtina po pajtohet se vetëm me Serbinë mund të ketë marrëdhënie speciale, të ndryshme nga ato që ka me vendet e tjera fqinje dhe ato që e kanë njohur pavarësinë. Teksa Beogradi i trimëruar me suksesin në arritjen e synimit të parë, në tavolinë të bisedimeve, po mpreh dhëmbët edhe për të dytin, nën tavolinë – autonominë për veriun, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës, por faktikisht do të operonte si krahinë brenda Serbisë
Adriatik  Kelmendi


SE ËSHTË NISUR dialogu mbrapsht dhe pa krye, dhe se ashtu siç është nisur të tilla do t’i ketë edhe rezultatet, besoj se e kemi përsëritur shumë shpesh përgjatë këtyre muajve. Por, që mund të marrë kah edhe më të gabuar se ç’është mundur të parashihej edhe nga ndonjëri nga ne që shpesh u quajtëm “pesimistë”, vështirë të besohej. E po, ja që pesimizmi nuk ka se si të mos rritet. Me drejtimin që ka marrë tash dialogu i fasilituar nga Bashkimi Evropian dhe për shkak se në vazhdimësi pala kosovare ka punuar pa një strategji të qartë se çka do të arrihet praktikisht dhe politikisht për Kosovën, tash para nesh janë dy opsione, asnjëri i mirë për vendin.

I pari është modeli i mosnjohjes reciproke, por i mospengimit të ushtrimit të subjektivitetit ndërkombëtar si shtete sovrane, i afërt me modelin e dy Gjermanive.

I dyti është opsioni i statusit special për veriun, që do të nënkuptonte edhe vdekjen e Planit të Ahtisaarit dhe shkatërrimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si derivat i këtij plani.

Dhe, që situata të bëhet edhe më e komplikuar, nuk është se mund të ndodhë njëri në shkëmbim të diçkaje të favorshme për Prishtinën, por mund të ndodhë edhe modeli i dy Gjermanive e edhe statusi special për veriun, bashkë, pa ndonjë përfitim për Kosovën.



Modeli i dy Gjermanive po zyrtarizohet nga dialogu në Bruksel



SADO QË NUK PO pohohet nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesja në dialogun me Beogradin, Prishtina është duke pranuar që në raport me Serbinë të mbetet në fuqi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Kjo Rezolutë tash po pranohet nga Beogradi, pas refuzimit fillestar të saj, kurse ishte shpallur e skaduar nga Prishtina dhe nga të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përnjëherë ajo është e gjallë, por vetëm në trinomin Prishtinë-Beograd-Bruksel. Po të studiohen me kujdes të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tash, në dialogun e Brukselit, që të gjitha i referohen Rezolutës 1244 dhe asnjëra nuk nënkupton ekzistimin e Republikës së Kosovës, si entitet i pavarur dhe sovran.

Sa për ilustrim: për dallim me Serbinë, të gjitha marrëveshjet e tjera dypalëshe të Kosovës me shtetet e saj fqinje, por edhe me shtetet e tjetra që e kanë njohur pavarësinë, janë ndryshe nga këto me Beogradin – në to njihet subjektiviteti i barabartë si shtete të pavarura dhe të njohura reciprocikisht. Shikoni marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, si dhe me shtetet jofqinje dhe do të shihni se në të gjitha këto ka një pozicion të unisuar të Republikës së Kosovës karshi tyre. Por, kjo natyrisht se nuk po ndodh me Serbinë. Prishtina, me ndihmën e Bashkimit Evropian, po e porosit qartë Serbinë se nuk ka përse ta njohë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet sovran dhe i pavarur, ashtu siç e njohin fqinjët e tjerë dhe 82-83 shtete në përgjithësi deri më tash. Prishtina po pajtohet që me Serbinë mund të ketë marrëdhënie të cilat dallojnë nga ato me shtete të tjera, të cilat duke qenë të veçanta në këtë rast, e bëjnë të veçantë edhe marrëdhënien që ka Kosova me Serbinë. Kjo marrëdhënie tash po e merr edhe vulën zyrtare të institucioneve të vendit me marrëveshjet e pranuara, si dhe miratimin e BE-së.

Ne kemi dëgjuar kohëve të fundit të shtohen zërat që kërkojnë nga Serbia vetëm normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, nga figura të fuqishme të nivelit Merkel e Van Rompuy, por jo edhe njohje të pavarësisë, duke mos iu bërë fare përshtypje fakti që edhe vetë shtetet të cilave u takojnë, në këtë rast Gjermania, ose shumica e vendeve anëtare të institucioneve që udhëheqin, Bashkimi Evropian, e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ata nënvizojnë: Serbia të ketë qasje serioze në dialogun e fasilituar nga BE-ja, i cili do të normalizojë marrëdhëniet në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë, por se nuk ka fare nevojë që Beogradi ta njohë sovranitetin e pavarur të Prishtinës.

Në anën tjetër, deri më sot nuk kemi parë as që i është kërkuar Serbisë edhe nga Qeveria e Kosovës që ta njohë pavarësinë, gjë jo fort e zakontë në këto rrethana.

Së këndejmi, në qoftë se edhe Kosova pajtohet se raportet e saj me Serbinë do të jenë të një niveli special nga ato me shtetet e tjera, atëherë edhe statusi ndërmjet këtyre dy vendeve do të jetë special. Më i afërti na del ai i funksionimit të dy Gjermanive deri me shembjen e Murit të Berlinit. Dhe kjo po pranohet tash zyrtarisht edhe nga Prishtina.

Për më tepër, edhe pse “dy Gjermanitë” po ndodhin, frikësues është fakti se nuk ka asnjë sinjal që tregon se për këtë arritje Beogradi do të jetë i gatshëm që të lëshojë pe në ndonjë anë tjetër, siç do të mund të ishte një kërkesë ndaj Kremlinit që Rusia të mos vërë veto në pranimin e Kosovës në OKB.



Beogradi kërkon suksesin e dytë: autonominë e veriut



AQ MË TEPËR, Beogradi zyrtar është duke arritur sukses në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, por nuk është i gatshëm të ndalet vetëm me kaq. Synimi është që në momentin kur marrëveshjet e arritura me Prishtinën në Bruksel do të jenë të mjaftueshme për të rregulluar çështjet në stilin e funksionimit, por pa njohje të pavarësisë, atëherë do të ketë agresivitet të shtuar për të shpallur të tejkaluar Planin e Ahtisaarit dhe për të siguruar autonomi për serbët e veriut, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës (por gjithsesi kufij të papranuar nga Serbia), por faktikisht si krahinë brenda Serbisë.

Sakaq, në kuadër të “lëshimeve” që Beogradi pritet të bëjë në kuadër të dialogut do të jetë edhe drita e gjelbër për arrestimin e strukturave kriminale në veri, por pastaj do të kërkohet që për këtë edhe institucionet e Kosovës të jenë të gatshme për ide të reja për popullatën civile serbe, me arsyetimin se ajo nuk do me asnjë kusht të jetë nën administrimin e Prishtinës.

Për këtë arsye kemi edhe deklaratat e forta që i dëgjojmë këto ditë nga presidenti serb, Boris Tadiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, se Beogradi nuk do të rrijë duarkryq në qoftë se vendosen përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në pikat doganore 1 dhe 31. Po të synonin ata që Kosova të kthehej ndonjëherë nën sovranitetin e Beogradit, nuk do të bënin dallimin ndërmjet këtyre dy pikave doganore dhe asaj në Merdar, që funksionon pa probleme. Mirëpo, synimi optimal i Serbisë momentalisht është që të mos ndryshojë raporti në kontrollimin e situatës në terren në veri dhe që si e tillë kjo pjesë të ketë status të veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në këtë frymë Beogradi po kapitalizon me sukses në tavolinë me marrëveshjet në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, dhe po e synon nën tavolinë – autonominë për veriun. Dhe, të dyja brenda një pakoje.



TEKSA MODELI I DY Gjermanive, siç e thashë, tashmë po ndodh edhe zyrtarisht, statusi i veriut do të varet shumë nga hapat që do të ndërmarrë edhe Prishtina pas 15 shtatorit.



adriatik@kohavision.net

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...