Data shënon 28 gusht 2011. Në ora 8. 20’ takojmë një grup kosovarësh të ardhur posaçërisht për të festuar gëzueshëm me bytyçasit e Shqipërisë. Takohemi përzemërsisht, si vëllau me vëllanë. Ishin: Prof. Skënder Hoxha nga Jabllanica e Gjakovës, studiues e autor i 18 librave. Agim Desku anëtar i Lishjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës dhe i Klubit Letrar ”Karagaçi” të Pejës. Që të dy kishin ardhur për të festuar me bytyçasit “Festën e Bytyçit” që organizohet çdo vit në Dajt. Ata krahas me nderimin e pjesëmarrjes në këtë festë kishin sjellur edhe dy dhurata të bukura. Prof. Skënder Hoxha librin “Toponomia e Dushkajës” dhe poeti Agim Desku vëllimin poetik me titull “Dua të pi verë Çamërie”. Me këta kishin ardhur: Abdyl Ramaj nga Izbici i komunës Skënderaj dhe Gani Ramaj, miq të Agimit. I pari, Abdyli ishte emigrant në Gjermani kurse Ganiu emigrant në Kanada. Që të dy kishin ardhur enkas, për të nderuar bytyçasit e Shqipërisë për festën e e vendlindjes si dhe për të marrë pjesë në promovimin e librit të mikut të tyre Agim Deskut.
Kanë ardhur të kujtojnë së bashku të gjithë ata trima që morën pjesë në ushtrinë cllirimtare të Kosovës, disa prej të cilëve dhanë edhe jetën, duke u rreshtuar në altarin e kombit, si xhevahiret e atdheut. Një ndër ta ishte edhe pjesëtari i familjes Ramaj. Quhej Hysni Ramaj, i cili prehet në varrezat e Dëshmorëve të Gllozhenit.
Ndërsa ngjisim rrugën gjarpëruese për të arrirë në majën e malit të Dajtit nën flladin e freskisë dhe gjelbërimin magjeps secili sjell midis nesh copëza jete. Në vendin e parë qëndron Fatime Kulli me origjinë nga Çamëria, baronesha e Poezisë Erotike shqiptare, botuese e disa librave dhe redaktore e mbi 100 prej tyre, me nr. 70 në Antologjinë Poetike Botërore. Një femër si burrë, shumë inteligjente, e fjalës dhe e besës, e humorit dhe seriozitetit, tolerante dhe e prerë kur e do puna. Ajo sot ka ardhur me një mision të veçantë, si redaktore e vëllimit poetik të autorit Agim Desku “Dua të pi verë Çamërie”, por edhe për të sjell diçka nga shpirti çam në festën e Bytyçit të bashkimit e vëllazërimit. Mbi flokët e dendura, të gjata e të zeza ka vendosur plisin e bardhë, simbolin shekullor dallues të bytyçasve që i shkon për mrekulli.
Ngjisim tarracat e Dajtit një e nga një, ku Tirana duket si det vezullues me koloritin e ndërtimeve. Sa më lart ngjitemi aq më shumë freskia shtohet, gjelbërimi dendësohet, shpaloset aereali natyror i cili rrezaton shumëllojshmëri e bukuri bimësh e drurësh. Burimet e ujërave që dalin nga rrënjët e shkëmbinjve derdhin ujin e ftohtë, të shijshëm e kristalor. Lartësojnë godinat e reja komode, hotele, bar-restorante, të cilët gumëzhijnë nga vizitorët e shumtë.
Kur i afrohemi majës, peizazhit natyror i shtohet dhe peizazhi i antenave që duken sikur prekin qiellin , dendësia e vizitorëve shtohet. Ata variojnë nga më të vegjlit e deri te 80-85 vjeçarët disa prej të cilëve patëm rastin t’i takojmë, të bisedojmë e t’i urojmë për festën e bukur të Bytyçit.
Sapo i afrohemi majës së Dajtit para nesh shfaqet rreshti i antenave të transmetimit, një shesh i rrethuar me flamuj të vegjël katërkëndorë, ku në krye lartëson një godinë me një arkitekturë pikante, me shkallë të shumta, të gjërë mermeri, në tarracën e të cilëve shfaqet dera e madhe dhe e gjërë nga ku mund të futesh në mjediset e brendshme. Ishte selia e Qendrës Mjedisore për zhvillim, Edukim dhe Pyllëzime e cila një herë në vit, të dielën e fundit të gushtit të çdo viti hap dyert e saj për festën e Bytyçit. Sheshi ishte mbushur plot e përplot me vizitorë, kryesisht bytyças që kanë zbritur në Tiranë, Durrës, Fier e gjetkë. Ka pesë vjet, në pa mundësi për ta festuar në Bytyç mblidhen në Dajt, pikërisht në Qendrën e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Dajt.
Në krye qëndron stafi organizator me kryetarin e Shoqatës “Bytyçi”Agron Gjedia një intelektual me vlera, një nga më të përkushtuarit dhe kryearkitekti i kësaj feste të bukur të bashkimit mbarëkombëtar.
Vjen pastaj zv/kryetari Ismail Sadikaj, prezantuesja e spikatur Fatjona Geci, poeti, shkrimtari, studiuesi dhe autori i 20 librave Namik Selmani. Ai është çam dhe çdo vit sjell në këtë festë popullore një pjesë nga shpirti çam dhe krijimtaria e tij shëmvlerëshe. Kësaj radhe ka sjell poezinë e krijuar enkas me titull “ Plisi i bardhë”.
Në këtë ditë festë peizazhit magjeps të Parkut të Dajtit i shtohen edhe tingujt e bukur të orkestrës dhe mozaiku i këngëve dhe i valleve nga të gjitha trevat mbarëkombëtare. Derdhen atje rrathë-rrathë vargjet e valltarëve të grupmoshave të ndryshme, ku spikat veshja kombëtare dhe plisi i bardhë mbi kokat e meshkujve që ndrisin si yje argjendi në mjedisin gjelbëror.
Tri janë pjesët kryesore të kësaj feste të bukur popullore: pjesa protokollare, më e shkurtra, pjesa dëfryese më e gjata dhe më gazmorja me këngë e valle të zgjedhura dhe Drekimi sipas gjakut e familjeve.
Në pjesën zyrtare të kësaj feste për shëndeti Kryetari i Shoqatës Av. “Agron Gjedia, Z. Bajazit Cane bëri një rezyme të shkurtër për vlerat botuese të Prof. Skënder Hoxhës. Ky autor u ndal në vlerat e librit “Toponomia e Dushkajës” dhe recitoi një poezi të shkurtër me titull “Jam bytyças”.
Nën një prezantim modest dhe tërheqës fjalën e mori peti kosovar “Agim Desku. Poetja Fatime Kulli, redaktore e librit me poezi të këtij autori foli për vlerat ideo-artistike të këtij vëllimi poetik si dhe recitoi dhe poezinë e titulluar: “Dua të pi verë Çamërie”, e cila u mirëprit dhe u duartrokit nga të pranishmit.
Anëtari i stafit drejtues të festës, poeti i shkronjës shqipe, Çamërisë dhe shqiptarizmës Namik Selmani mori për disa minuta drejtimin e skenës dhe nga tribuna e ngritur enkas për këtë takim recitoi poezinë “Plisat e Bardhë” e cila u duartrokit furishëm.
Të pranishmit i përshëndeti dhe studiuesi e publicisti matjan, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “BPPSH” Faik Xhani, pensionisti dhe poeti bytyças Nuredin Lushaj etj.
Kohën më të gjatë dhe më tërheqëse e zë pjesa kulturore, argëtuese. Mozaiku i këngëve dhe valleve pushton sheshin dhe jehon gjithë malin e Dajtit. Aty bashkohen brezat, ngjizen traditat dhe sharmi i gëzimit e haresë arrin pikun. Bëhesh me krahë, të gëzon shpirti, mposhten hallet dhe hareja e gëzimi pushtojnë çdo qenie, kur biri kërcen e këndon me babain, nipi me gjyshin, nusja me vjehrrën, gjaku me gjakun, bashkëvendlindasi me bashkëvendlindasin, të ftuarit me bytyçasit trima e bujarë, që aq bukur kanë ditur të sjellin Bytyçin në Malin e Dajtit me gjithçka të bukur e njerëzore, burrërore, shqiptare e kombëtare.
Në këtë ditë s’ka barriera, s’ka ndalesa, të gjithë takohen, përshëndeten, këndojnë e vallëzojnë si vëllau me vëllan, si gjaku me gjakun pavarësisht nga kanë ardhur e nga janë. Është dita e njohjes, dita e bashkimit, është dita e miqësisë, e harmonisë dhe solidaritetit me cilindo pjesëtarë të ardhur nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë.
Kësaj alegorie, gëzimi e hareje i shtohet edhe drekimi.
Këtë ditë në Dajt zbresin odat e Bytyçit. Çdo familje shtron odën e sajë në sheshin para Qendrës së Vizitorëve të Parkut Kombëtar Dajt. Sjellin atje shtresën me zejet e bukura të trevës, vëllazërimin, sofrën bujare të Bytyçit me të gjitha asortimentet ku spikat kosi i trashë si djathë, mishra të ndryshëm që aq bukur i gatuajnë e i servirin gratë amvisa të Bytyçit. Shtrohen pije te ndryshme ku spikat rakia e pastër si kristal, e fortë dhe e shijshme që u serviret miqve nga burrat e Bytyçit.
Secila familje pret vizitorë nga të ftuarit. Ata kanë kënaqësi dhe nder të presin mysafirë nga trevat e tjera të Shqipërisë dhe trojeve etnike.
Qarkullojmë për rreth sheshit, ndalojmë, bisedojmë me disa prej tyre. I afrohemi një të moshuari. Ka një trup dy metra, të hollë, të gjatë e të drejtë, ballëgjerë, vetulla e mustaqe të pastra e të bardha nga vitet, i veshur bukur e me plisin e bardhë në kokë. Quhet Mujo Sinani, 80-vjeçar, veteran e bazë e UÇK, i mbajtur e mendjemprehtë. Është shumë krenar për vendlindjen dhe falënderon me gjithë zemër stafin e këtij takimi. Gjithashtu ndihet shumë i vlerësuar e i kënaqur për organizimin, pjesëmarrjen dhe festimin në këtë festë popullore. Na përshëndet, na falënderon dhe premton se sa të jetë me këmbë e dorë do të marrë pjesë në këtë festë bashkimi e vëllazërimi.
Më tej takojmë një burrë truplidhur, me shpatulla sa rrasa e oxhakut, me gjoks të dalur e të fort, i veshur me kostum ngjyrë ari, i kollarisur, i shkathët e i mençur. Quhej Ali Çeku. Ishte 68 vjeç. Banonte në lagjen “Agim Ramadani”Junik. Pjesëtarë i UÇK. 9 vjet ka shërbyer si shef i trajnimit të UÇK në zonën e Dukagjinit. Aktualisht një nga veteranët dinjitoz të UÇK, i cili ka ardhur nga Juniku të festojë së bashku me bytyçasit. Vallxon, këndon, përshëndet dhe takon të pranishmit nga njëri cep në tjetrin. Nga stafi i organizimit të takimit të Bytyçit nderohet me “Çertifikatë Mirënjohjeje”
Më në fund përqendrohemi te i moshuari Shaban Sadikaj. I ka kaluar të 85 vitet. Mbahet mirë pa iu dridhur këmba e dora. Ka ardhur familjarisht dhe ka shtruar sofrën familjare në Malin e Dajtit. Ka dy djemtë: Islam e Ramazan Sadikaj, dy rejat: Zyra e Farie Sadikaj dhe mjaltin e mjaltës, mbesën, Brikenën e vogël. Mbi barin e njomë të sheshit ka shtruar qylymat karakteristik të dhomës së Bytyçit e mbi të ka ngritur një çadër për hije. Djali i tij i madh, Islam Sadikaj kryen detyrën e zv/kryetarit të shoqatës “Bytyçi”. Ai na lutet me shpirt të drekojmë me familjen e tij dhe ashtu bëmë. Prof. Skënder Hoxha, poeti Agim Desku nga Peja, poetesha Fatime Kulli e poeti Namik Selmani nga Çamëria, studiuesi matjan Faik Xhani, veterani i UÇK nga Juniku Ali Çeku, Abdyl Ramaj nga Izbici etj. Këtë drekë, ishin miqtë e familjes Sadikaj të Bytyçit. Shumëllojshmëri pijesh, ushqimesh, frutash, urimesh e shëndetesh u ngritën. U ndijemë si në shtëpinë tonë e sikur njiheshim prej shumë vitesh. U njohëm, u gëzuam dhe u miqësuam për të mos u ndarë më për jetë të jetës, duke marrë me vete mbresat më të mira, bujarinë e rrallë, vëllazërinë bytyçase, traditat e vyera të kësaj treve me betimin për të qenë vazhdimisht të bashkuar në festën e madhe, të përvitshme, çdo fund gushti në Malin e Dajtit, duke ruajtur fort të kaluarën, si bazament i së ardhmes më të re e më të begatë të shqiptarizmës.
Faik Xhani-studiues