2011-09-27

Përgëzime e provokime – stenda e gjuhës shqipe në Forumin e Gjuhëve në Lion nuk la vizitorë indiferentë




Në Forumin e Gjuhëve në Lion, stenda e Gjuhës Shqipe priste e para vizitorët kurreshtarë, e organizuar nga Shoqëria Shqiptare Iliria. Studiues, gjuhëtarë, poliglotë të pasionuar pas gjuhëve të huaja ose thjesht kalimtarë të rastit vizituan sheshin Sathonay të Lionit, ku 60 stenda paraqisnin gjuhë nga vende të ndryshme të botës.

Bashkiakë, deputetë, përfaqësues të komunitetit europian, të shoqatave gjuhësore në Francë e Zvicër erdhën e u interesuan për gjuhën shqipe e për komunitetin shqiptar në Lion. Ata u pritën personalisht nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Lion, Zoti Denis Di Leonardo që qëndroi përkrah nesh në stendë e iu përgjigjej pyetjeve të vizitorëve mbi Shqipërinë e shqiptarët.

Mes interesit e përgëzimeve nuk munguan as provokimet. Harta e viseve të banuara me shqiptarë tërhiqte vështrimet e të gjithë vizitorëve e mes tyre një serbi që në gjuhën e tij brohoriti "Kosova je nasha" (Kosova është e jona). Një nga anëtarët e Shoqërisë i kujtoi se me siguri nuk i kishte dëgjuar lajmet që prej 12 vitesh. Një nënkryetar bashkie i një komune të Lionit erdhi në stendë për të na shpjeguar se shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës e të Maqedonisë janë etni të ndryshme që s’kanë asgjë të përbashkët mes tyre. Anëtarët e Ilirisë i shpjeguan e hodhën dritë mbi historinë e kombit tonë, mbi padrejtësitë që i janë bërë e vazhdojnë t’i bëhen në mediat e huaja.
Takime me njerëz të tillë na ndërgjegjësojnë mbi propagandën mashtruese të armiqve të kombit dhe na bindin se prania e shqiptarëve në aktivitete të tilla është mëse e domosdoshme për të krijuar një imazh modern për Shqipërinë dhe për shqiptarët para opinionit publik, për të treguar se cilët jemi në të vërtetë, popull me kulturë të lashtë e qytetarë të denjë të Europës.

Vizitorët francezë, gjermanë, kroatë, sllovenë, italianë mësuan të thonë « Mirëdita », « Faleminderit » ose « Gëzuar » në stendën e Gjuhës Shqipe. Ne iu përgjigjëm « Mirupafshim » vitin tjetër. Aty do të jemi për të mbrojtur gjuhën e të parëve tanë, gjuhën tonë kaq të mirë, kaq të ëmbël kaq të gjerë, kaq të lehtë kaq të lirë, kaq të bukur kaq me vlerë.

Rina Çela

iliria hotmail <association_iliria@hotmail.com>


Nënkryetare e Shoqërisë Shqiptare Iliria Lion


25 shtator 2011

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...