Shkrimtari dhe aventurieri francez me origjinë shqiptare, Cizia Zykë, i cili u bë i njohur në vitet ’80 me romanin “Oro” vdiq sot në Bordo’ në moshën 62-vjeçare, njoftoi vëllai i tij Jean-Claude.
Kërkues i arit, lindur në vitin 1949 në Marok, Cizia Zykë, emri i vërtetë i të cilit është Jean-Charles, ishte djali i një legjionari francez me origjinë shqiptare dhe mama greke. Ai ishte vendosur në Bordo’ me familjen pas pavarësisë së Marokut në vitin 1956. Romani “Oro”, që zbulonte aventurat e jashtëzakonshme të kërkuesit të arit në Kosta Rika u përkthye në 20 gjuhë.
”I ftuar në vitin 1985 në emisionin e njohur të Bernard Pivot ‘Apostrophes’, ai shkaktoi një ndjesi dhe tronditi ambasadorin kostarikan, i cili kishte shkruar një letër tronditëse prezantuesit”, tregon vëllai i tij. Cizia Zykë do të publikonte më pas romanin “Sahara” ku fliste për aventurat e tij në Afrikën e Veriut dhe “Parodie” për qëndrimin në Kanada duke kompletuar kështu trilogjinë e tij autobiografike me sukses në vitet 1986-1987.
Këta libra u përkthyen në shumë gjuhë të botës. Ai u largua nga familja në moshën 18-vjeçare dhe u nis, në vitin 1967, në Argjentinë tek gjyshi i tij. Zykë niset menjëherë në Toronto dhe më pas në Zvicër pas disa aventurave tregtare. Ai arrestohet në Mali në vitin 1975.
Nga rikthimi në Francë ai shkruan romanin “Oro”, që bëhet dhe roman kulti dhe shfaqet në BD në vitin 1992, nën penën e Yves Bordes. Ai do të ribotohej më pas në vitin 2009. Zykë kaloi tre vjet edhe në Shqipëri, vendi i origjinës së babait të tij, që do ta frymëzonte për katër romane të tjera dhe një dokumentar.