Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/26

Tim Mcdafenështë takuar me Millosheviqin më së shpeshti

Shefi i njësisë së paraburgimit në Gjyqin ndërkombëtarë të Hagës Tim Mcdafen i ka informuar zyrtarët e ambasadës Amerikane në Hagë për gjendjen shëndetsore, regjimin ditor, punët financiare dhe të drejtësisë si dhe kontaktet e tij jashtë Tribunalit të Hagës për Sllobodan Millosheviqin.
Wikileaks ka publikuar ditët e Sllobodan Millosheviqit në Hagë
Siç shkruhet në depeshën e 12 nëntorit 2003, të cilën e ka publikuar Wikileaks në sajt, Mcdafen është takuar me Millosheviqin më së shpeshti dhe me të ka biseduar më së shumti. Ai e ka karakterizuar ish presidentin serb si një person i cili nuk i ndan mendimet e veta me të tjerët.

Sipas tij, Millosheviq ka pasë probleme serioze me zemër të cilët nuk janë sheruar me kohë dhe njëkohisht siç ka pohuar Mcdafen, Millosheviqi nuk ka qenë i sëmurë nga Diabetesi po as nga depresioni. Sipas tij, Millosheviqi ka pasë probleme me zemër qysh moti kohë, para se të vijë në gyqin e Hagës.

Siç ka njohtuar shefi i burgut, Millosheviqi në pamundësi të takohet me gruan e tij, djalin, vajzën dhe nipin e kanë bë atë shumë të palumtur, mirëpo sipas Mcdafen, Millosheviqi ka qenë i preokupuar me punën e cila e ka mbajtë larg depresionit.

Mcdafen e ka përshkruar ish presidentin serb si një njeri që ka vetbesim shumë i cili me ndihmën e gruas të tij Mirjana Markoviq ka arritur të organizojë një rrjetë të madhe të kontakteve politike dhe këshilltarëve gjyqi në Beograd si dhe të udhëheqë partinë e tij Socialiste të Serbisë.

Ai ka deklaruar se Millosheviq ka pasë kontroll të madhe dhe ka mundur të manipuloj lehtë me popullin, por edhe jo me gruan e tij, e cila ka pasë ndikim të madh tek ai.

Sipas Mcdaf, Millosheviqi për çdo mëngjes ka biseduar me telefon me gruan e tij, e cila ka qenë burim i informacioneve, shpresës, motivimit dhe strategjisë së Milloshit, i cili është mbështetur shumë tek ajo.

Kur një herë Sllobodan Millosheviq ka pasë problem me tensionin e gjakur, në shtator të vitit 2003, zyrtarët e Sheveningenit kishin shikuar mundësin se si të largojnë stresin e tij dhe ta bëjnë të lumtur, tha Mcdafen, i cili kishte sygjeruar që të gjindet një zgjidhje që të sillet Mira Markoviq nga Rusia me një imunitet të posaçëm që të mos burgoset, mirëpo Tribunali kishte vlersuar se kjo gjë nuk ka mundësi.

Nga ana tjetër, Mcdafen i kishte thënë zyrtarëve amerikan se janë spekulime ato për vlerën financiare të tij, pasi në radhët e partisë së tij kishte filluar iniciativa për mbledhjen e të hollave për të paguar bashkëpuntorët e tij për udhëtim dhe avokatëve të tij.

Sipas Mcdafen, pas vrasjes së ish kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në pranverë të vitit 2003, situata financiare e Millosheviqit kishte filuar të keqsohej, pesë muaj nuk kishte paguar personat në rezidencën e tij në Beograd dhe nuk ka pasë kush të paguaj biletat e aeroplanit për këshilltarët e tij.

Sipas Mcdafen, Millosheviqi për këshilltarët e tij ka besuar se është i "rrethuar prej budallenjëve" në gjyq, dhe jasht saj.

Mcdafen e ka përshkruar Millosheviqin si një person që ka një memorie fotografie, duke vlersuar si një person që mba shumë mend dhe deri atherë nuk kishte takuar një njeri me një memorie të tillë.

Millosheviq gjithmonë në gjyq ka qenë kooperativ dhe ka pranuar vendimet e Mcdaf duke iu përgjegjur me "së paku kam tentuar ta bëj".

Sa i përket ditores, ajo ka variuar se atë ditë a ka pasë gjykim apo jo, e cila ka qenë e paraparë tri herë në javë.

Në kohën e lirë, sipas shefit të paraburgimit, Millosheviqi ka lexuar, dhe ka lexuar trilera të lehtë si ato të John Grish dhe ka dëgjuar vetëm Frank Sinatran.

Në paraburgim, të gjithë janë kujdesur për të dhe e kanë rrespektuar nga të burgosurit tjerë. Shumica janë përkujdesë edhe për shëndetin e tij duke e këshilluar shumë për ushqimin, kishte deklaruar Mcdafen.

Gjashtë vjet pas vdekjes së liderit famëkeq të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, vajza e tij rrëfen të fshehtat e të atit dhe versionin e saj, se ai është vrarë nga “Rendi i ri botëror” në kohën kur ai iu kundërvu atyre.

Në intervistën e dhënë për gazetën serbe “Standard”, që e transmeton “Gazeta Shqiptare”, Marija Millosheviq tregon se i gjithë Ballkani jugor duhet të shqetësohet, pasi Serbia e Madhe nuk ekziston, por ama sipas saj, është duke u bërë realitet Shqipëria e Madhe. Gjithashtu Marija Millosheviq përmend dhe ish-kryeministrin shqiptar Fatos Nano.

“Pas marrëveshjes së Dejtonit, e cila u dha mundësinë për krijimin e shtetit të tri popujve, u mbajt Samiti i Kretës me vendet e Ballkanit Perëndimor. Aty Kryeministri shqiptar Fatos Nano, deklaroi publikisht se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë”, rrëfen vajza e Sllobodan Millosheviqit.

Duke folur rreth shpërbërjes së Jugosllavisë, vajza e Millosheviqit theksoi se ende nuk ka përfunduar.

“Në rresht është edhe Vojvodina me Sanxhakun. Kjo do zgjasë. Luftën e shkaktuan ata që i besonin idesë së globalizimit. Sa herë që në horizont shfaqej paqja, këta nuk e lejonin të ndodhte. Pas Marrëveshjes së Dejtonit, e cila pranoi krijimin e shtetit të tri shteteve, u mbajt samitit i Kretës më 1997-ën. Aty Kryeministri shqiptar Fatos Nano deklaroi se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë. Atëherë babai firmosi dhe një marrëveshje me Rugovën. Donte që ta qetësonte situatën, por nuk ndodhi ashtu. Shpërbërja e Jugosllavisë ishte thjesht një zemërim dhe në vendin tonë mbërritën terroristë të rinj. Ndaj babai tha se Samiti i Kretës shërbeu thjesht për shkak...”, theksoi ajo.

Duke folur për “Standard”, Millosheviq theksoi se kur flitet për vizione, karta e Shqipërisë së Madhe duhet të shqetësojë të gjithë popujt e Ballkanit të jugut, pasi të gjithë duhet të dinë se në realitet nuk ekziston Serbi e Madhe, ama po bëhet realitet Shqipëria e Madhe”.

Hashim Thaqi::Kosova dhe unë, gardian të të drejtave të shqiptarëve

Pasdite, nis seanca solemne e Kongresit të VI të PDK-së, në të cilën pritet të marrin pjesë Lulzim Basha, Edi Rama, Ali Ahmeti, krerët e shumë partive në vend si dhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
PDK, pasdite e nis Kongresin e VI-të
"Është bërë një skenarë ku do të ketë fjalime të mysafirëve të ftuar këtu pastaj edhe pjesa tjetër e një raporti përmbledhës e një lloj historiku i së kaluarës i PDK-së që nga themelimi e sidomos me theks të veçantë pjesa e viteve të qeverisjes. Ndërsa në ditën e dytë do të jetë pjesa e punës, ajo zgjedhore ku do të zgjedhet kryetari por edhe Këshilli nga ku do të dal edhe Kryesia”, ka thënë për Kosovapress zëdhënës i PDK-së, Blerand Stavileci.
Thaci: Vazhdojmë të mbesim gardian i të gjithë shqiptarëve!
Stavileci ka bërë të ditur se se janë ftuar edhe krerët e partive të tjera të Kosovës por edhe të atyre jashtë saj, e siç thotë, pothuajse të gjitha e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Seanca solemne e Kongresit të PDK-së fillon në orën 17 e 30, kurse të dielën do të mbahet pjesa e dytë e Kongresit duke filluar prej orës 9 e 30, në të cilën pritet të zgjedhet Kryesia e punës, Këshilli Drejtues i partisë, komisionet e ndryshme, por pritet të zgjedhet edhe kryetari i partisë.

Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi nuk do të marrë pjesë në këtë Kongres. Shkak për kët, sipas tij, ështe se nuk po respektohen parimet mbi të cilat mbështetet programi i Partisë Demokratike.


Thaçi: Kosova dhe unë, gardian të të drejtave të shqiptarëve



Në fjalën përshëndetëse të kryetarit socialist, Edi Rama, ai tha se është e pamundur që në këso ngjarjesh të mos kujtohet UÇK-ja, mos të kujtohet ata që sot më nuk janë fizikisht, por që patën guximin e jashtëzakonshëm për ta quar përpara ëndrrën që ne sot e gëzojmë.
“Hashim Thaçit nuk u mjaftuar vetëm me dëshira, por mori një rrugëtim që atëherë dukej i pamundur”, tha nder tjera Edi Rama.
Ai shtoi se shqiptarët do të jenë ta bashkuar në Evropën e bashkuar.
Petroviq: Kosovës i duhet një PDK e fortë
Kongresin e ka përshëndetur edhe kryetari i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, i cili njëherit është edhe zv/kryeministër i Kosovës.
Ai iu është drejtuar të pranishmeve me mirëmbrëma në gjuhën shqipe, për të vazhduar më pas në gjuhën serbe.
Ai tha ndihet i kënaqur që sonte merr pjesë në këtë Kongres, ndërsa ka shtuar se ka respekt për kryetarin Hashim Thaçi dhe anëtarët tjerë të PDK-së.
“Kjo parti në kohë shumë të vështira mori përgjegjësi për ta quar vendin parë. Të gjithë qytetarëve iu duhet një PDK e fortë që ka vizion për të ardhmen dhe vizion për integrimet evropiane”, tha Petroviq.
Kryetari i Partisë Demokaratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa ndezi atmosferën në sallë, pasi që në fjalimin e tij uroj që Hashim Thaçi të vazhdoj të jetë kryeministër i Kosovës dhe kryetar i PDK-së.
Në emër të LDK-së, Kongresin e PDK-së e përshëndeti nënkryetarja Teuta Sahatqiu, kurse në emër të PD-së foli Gerti Bogdani i cili përcolli urimet e kryeministri Sali Berisha për këtë kongres.
Më pas foli kryetari i BDI, Ali Ahmeti, ai i LSI-së, Ilir Meta. Fjalime përshëndetëse mbajtën edhe liderët tjerë politikë nga Kosova Lindore dhe nga partitë shqiptare të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Nga koalicioni qeverisës, fjalim të shkurtër nga AKR mbajti Ibrahim Makolli dhe kryetari i PD-së, Ferid Agani. Fjalim përshendetës mbajti edhe Sllobodan Petroviq dhe Mahir Yagcilar nga Partia Turke e Kosovës. I fundit me fjalime nga mysafirët e mbylli Edi Rama nga Parta Socialiste e Shqipërisë duke shprehur fjalë miradije për PDK-ën dhe Hashim Thaçin.


Kryetari i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës përshëndeti të gjithë të pranishmit, të cilët po marrin pjesë në këtë Konventë, që ai e quajti madhështore. Thaçi u shfaq në foltore pas një filmi të shkurtë të prezantuar në këtë Konventë, ku në përgjithësi pasqyroheshin të arriturat e Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së, e në të cilin film shfaqej kryesisht kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

description
Në fjalimin e tij, Thaçi tha se ”vite më parë qytetarët, shumë prej nesh të pranishëm këtu dhe shumë prej atyre të cilët nuk janë në mesin tonë, kishim një ëndërr, të jemi kështu të bashkuar”.

Mes tjerash, ai shtoi se shteti i Kosovës dhe ai do të jenë gjithmonë gardian të të drejtave të shqiptarëve, kudo që janë.

Me përfundimin e fjalimit të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, u përmbyll edhe dita e parë e Konventës së VI të PDK-së. Konventa vazhdon nesër me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe strukturave tjera të saj.

Partia Demokratike e Kosovës Kongresin

Partia Demokratike e Kosovës filloi Kongresin e VI. Të hapur këtë Kongres e shpalli Hajredin Kuçi. Deri tash Kongresin e kanë përshëndetur, përfaqësues nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe të shqiptarëve të Malit të Zi. Kongresi është duke vazhduar dhe po përcjellet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i Kosovës.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, përderisa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit.

Në këtë Kongres, PDK-ja mblidhet pa nënkryetarin e parë, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në paraburgim dhe pa sekretarin e përgjithshëm Jakup Krasniqi, i cili ditë më parë i kërkoi kreut të partisë shtyrjen e Kongresit për shkak të mungesës së Limajt, ndërsa të premten përmes një komunikate e bëri të ditur se nuk do të jetë pjesë e Kongresit.

Ramiz Kelmendi-UMBERTO EKO DHE SHQIPTARËT(Përkime)




Kur Mesjeta e largët në romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos përputhet aq çuditërisht me realitetin tonë të djeshëm e të përtashëm
Në ato shpjegimet e veta që bën në mbyllje të romanit “Emri i trëndafilit”, Umberto Eko pyetje më të kotë - nga të gjitha pyetjet e kota që i janë bërë e i bëhen rreth librit - konsideron pyetjen e atyre që sugjerojnë se të rrëfesh për të kaluarën është një mënyrë për t’i ikur së tashmes. Këtë pyetje e mban të tillë ngase është e kotë të thuhet se të gjitha problemet e Europës së sotme marrin formë, kështu siç e ndiejmë ne sot, në Mesjetë. Edhe më shumë se kaq, për Umberto Ekon Mesjeta është fëmijëria jonë ku duhet të kthehemi gjithnjë që të bëjmë anamnezën, historinë e sëmundjes.

Romani “Emri i trëndafilit” i shkrimtarit italian, Umberto Eko, një bestseller nga më të mëdhenjtë, evroseler dhe mondseler, që arriti të botohet në mbi 40 milionë kopje, ndonëse me vonesë shumë të madhe prej gati 16 vjetësh, u përkthye s’ka si bën më bukur e më mirë edhe në shqip nga Donika Omari në botimet “Elena Gjika” (Tiranë, 1996). Që nga botimi i tij i parë, më 1980, ky roman u përkthye dhe u botua në të pesë kontinentet, nga vendet e Amerikës Latine deri në Japoni, Kinë e Vietnam, në të gjithë Europën, nga Skandinavia e deri në Ballkan. Së fundi e ka në shqip edhe lexuesi shqiptar prej shumë vjetësh.
Do thënë, po ashtu, atë që tashmë është e njohur, se Umberto Eko është një nga figurat më të spikatura të kulturës botërore, se është historian i shquar, filozof dhe estet, pa mëdyshje specialisti më i njohur në botë i semiotikës, se nuk janë pak ata që Umberto Ekon e mbajnë si dijetarin më të njohur të planetit. Dy romanet e tij të tjera – “Lavjerrësi i Fukoit” dhe “Ishulli i ditës së parë” – nuk e përsëritën famën e arrirë të romanit të parë.

*
Ka një koincidencë të habitshme midis romanit “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos me pothuajse gjithçka që na ndodhi dje dhe po vijon të na “shquajë” ne shqiptarëve edhe aktualisht. Pas rileximit, sot dhe shqip, më se njëherë ke jo vetëm asociacione, përkime e fërkime, por deri dhe një përputhje thuaj të pazakontë, të pabesueshme, të mahnitshme, për çudë, ngjarjesh e njerëzish, fatesh e zezonash të kohës së Mesjetës me dramën e gati-gati tragjedinë që përjetoi tërë kombi ynë dje.
Do të ulet një shkrimtar italian dhe do të shkruajë – se pati qejf ta shkruajë – një roman dhe të rrëfejë për Mesjetën, për intrigat dhe vrasjet në një abaci priftërinjsh pale sesa shekuj më parë, si të shkruante një roman–krimi a një roman të verdhë, rozë, për shqiptarët dje dhe, mjerisht, edhe sot.
Galeria e zezonave mesjetare – e keqja, tragjikja, smira, poshtërsia, ligësia, tradhtia dhe gjithë të pamirat e njerëzve për njeriun e njerëzit – pas kaq shembujsh të tjerë në letrat e përbotshme, doli dhe sa vete e më shumë po provohet, prapë e sërish, se rrënjët i ka të thella, të largëta, në shekuj.
Dhe ja, tash: Umberto Eko, romani “Emri i trëndafilit” dhe – shqiptarët!
E po ç’lidhje mund të ketë midis tyre dhe ç’kanë të përbashkët një shkrimtar i madh italian, një roman për Mesjetën e largët dhe – shqiptarët, po të kihet parasysh se Ekoja as na ka pasur ndërmend fare, me përjashtim të faktit se në dy-tri vende, sidoqoftë, e zë ngoje Pjetër Sant Albanin, apo Pjetrin prej shën Albani?

APOSTUJT E RREMË

Thuaj faqe për faqe ndeshim në romanin e tij jo fytyra po turinj, dalë nga Mesjeta, që të kujtojnë saora një sojsorollop njerëzish të djeshëm e të përtashëm, me të cilët piqemi e fërkohemi përditë dhe pandehim të jenë pjellë e specifikë vetëm e jona, si: njerëz të shthurur, përbuzës, të pangopur, të etur për qejfe, lakmitarë fitimesh, që kënaqen me dërdëllisje të kota, mburravecë, hundëpërpjetë, llupës, harbutë, lapërdharë, që vdesin për një çikë lavd, armiq të Ungjillit (lexo: kombit), gati ta mohojnë e përbuzin fjalën e vërtetë, që kanë mëri çdo shteg të mëshirës e nuk pendohen për mëkatet e tyre, që shkelin të drejtën e tjetrit etj.
Dhe, për rrjedhojë, tek Ekoja në Mesjetë e këtu dje dhe hëpërhë, pikërisht “falë” fytyrave e turinjve si më sipër, prandaj, zë vend, lëshon rrënjë dhe përhapet në Kosovë (e asgjëmangut edhe në Shqipëri, madje ca më tepër) mosbesimi, egërsia, zilia, urrejtja e vëllait për vëllain, indiferentizmi, hajdutëria, dehja, tepria në çdo gjë, nepsi, qejfet e mishit, kurvërimi dhe gjithë veset e tjera.
Flet Ekoja për kohën e shkuar e të “harruar” prej shekujsh më parë, të kujton se do të vijë i biri i prishjes, kundërshtari që i thur lavdi vetes e fryhet e përfryhet, duke u shtirë si shumë i virtytshëm, që të gënjejë e mashtrojë botën mbarë e të vërë të drejtën përfund, e ti e sheh në pasqyrën e mendjes shëmbëllyesin e gjallë të këtij biri të prishjes e plëngprishësi, e sheh edhe ekzemplar, edhe të fortë, edhe DJE, edhe SOT, edhe KËTU, edhe NDËR NE.

ANTIKRISHTI

Për ta “përkufizuar” Antikrishtin, atë të dalë nga romani i Ekos dhe këtë të djeshmin e të kësikohshmin, siç do ta quante Selman Riza, më ndihmoi “Fjalori biblik” i Imzot Nikë Prelës tek e shpjegoi, fjalë për fjalë, shkurt: “Kundërshtari i Krishtit”. Ja që për Ekon dhe për gjithë ata që e shohin dhe e njohin mes nesh, shumë më shumë se kaq, Antikrishti – fuqi ka blasfeminë, dorë mashtrimin, e djathta rrënimin, e majta përhapjen e territ.
Tek merr pushtetin Antikrishti, s’ka se si të mos sundojë kudo arbitrariteti. Edhe bijtë të ngrenë dorën kundër prindërve. Edhe gruaja t’i bëjë kurthe burrit. Edhe burri të hedhë në gjyq gruan. Edhe zotërit të sillen si shtazë me shërbëtorët dhe shërbëtorët të mos u binden zotërve. Edhe të mos ketë më nderim për të moshuarit. Edhe çunakët të duan të urdhërojnë. Edhe puna t’u duket të gjithëve mund i kotë. Edhe gjithandej t’u thuren këngë lavdi lapërdhive, veseve, lirisë së zakoneve të shthurura.
Po pastaj? Ç’do të ndodhë pastaj? Ç’“rendimente” do të ketë pas të “lëruarave” dhe të “mbjellave” të Antikrishtit?
Se mos do mend, e tha edhe Ekoja për Mesjetën si ta kish përshkruar e pasqyruar të djeshmen dhe aktualitetin tonë: do të vijnë përdhunimet, shkeljet e kurorës, shpërbetimet, mëkatet kundër natyrës e plot të këqija të tjera. Kjo më e vogla. E pas saj: në mes të njerëzve të mirë do të mbijnë profetë të rremë, do të ketë të korruptuar, mashtrues, shtriganë, përdhunues, lapangjozë, koprracë, shpërbetarë e falsifikatorë.
Dhe, si me shkop magjik, saora, barinjtë do të bëhen ujq, priftërinjtë do të gënjejnë, murgjit do të lakmojnë gjërat e qyteteve, të varfanjakët s’do t’u shkojnë në ndihmë krerëve, të fuqishmit s’do të kenë pikë mëshire, të drejtët do të bëhen dëshmitarë padrejtësie...

SHTHURJA DHE DEGRADIMI MORAL

Shkruan Umberto Eko në libër, e ne “lexuam” dhe vijojmë të “lexojmë” përditë në jetë: është kjo një periudhë shthurjeje e degradimi moral, që pati dhe mund të ketë edhe më rrjedhoja tronditëse në turma.
Pse?
Sepse, ashtu, u ngjallën herezi e sekte (lexo: parti) të panumërta, që kërkojnë rikthimin te mësimet e Ungjillit (lexo: atdhedashurisë), nga të cilat janë larguar aq shumë krerët. Çeta heretikësh (lexo: banda) përshkuan anë e mbanë tokat (lexo: shqiptare) dhe i shërbyen e vijojnë t’i shërbejnë lojës së pamëshirshme të armiqve (lexo: të shqiptarëve). Ndaj dhe sherri që plasi. Sherri që arriti kulmin. Kështu që, tash:
Rinisë s’i ka qejfi më të mësojë,
Shkenca po bie,
Bota mbarë po ecën me këmbë përpjetë,
Të verbrit po udhëheqin ca të verbër të tjerë dhe i shpien buzë humnerave të gremisen,
Zogjtë po lëshohen në hapësirë pa hapur mirë krahët,
Gomari po i bie lirës,
Buajt po hedhin valle,
Gjithçka i është shmangur rrugës së vet.
Ishin dhe janë kohë të errëta këto, thuhet, kur njeriu i mençur ishte i detyruar të ketë mendime që vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

PËSIMET - MËSIME

A thua, vallë, në Mesjetë i paskan rrënjët edhe ca nga pësime - mësimet didaktike naimiane si ajo se, kur ndodh diçka, siç ka ndodhur e po ndodh (e ç’të ndodhur e shkuar të ndodhur) ndër ne, atëherë “ilaç” i vetëm është vëmendja dhe këshilla e një njeriu të mprehtë e të matur (lexo: e trurit të kombit)?
Po kur qëllon që djajtë e djeshëm të bëhen e të hiqen si engjëj e shenjtërorë sot (lexo: “patriotë”), mbase edhe është e domosdoshme ndonjëherë të provosh mëkatet e fajin e atyre që tash “shkëlqejnë” me “shenjtërinë” e tyre. Sepse, jo më kot, bariu i gabuar e i mëkatosur veçohet nga barinjtë e tjerë. Ndryshe, merreni me mend ç’bëhet me delet në zënçin të dyshojnë te barinjtë. Edhe pse mund të vësh në dyshim mendimin e filozofit, i cili tha se vetëm njeriu, kali e mushka janë qenie që s’marrin inat dhe që rrojnë shumë.
Punë derrash!!
Ndaj: sa qytete tona, që më parë ishin qendra të shkëlqyera madhështie e atdhedashurie, mburrjeje e krenarie (kë qytet shqiptar të zëmë ngoje më parë?), tash janë strehë punëkotësh, të prirur për tregti e luftëra tarafësh, ku nuk mund të gjejë strehë fryma e patriotizmit.
Edhe në shkollat po bën fole gjarpri i zilisë e i marrëzisë (Kujto aferat e fundit me para e emërime drejtorësh!). E luftojnë me kaq tërbim sëmundjen e herezisë (lexo: “antipatriotizmin”), sa nga urrejtja që ngjallin i shtyjnë shumë vetë të bëhen heretikë. Tamam një rreth i shpikur nga djalli, që Zot na ruaj.
U takojnë asaj race njerëzish që janë gjithnjë dalzotësit më të mirë të kundërshtarit të tyre. Kurrë nuk vrasin mendjen se ndërmjet dashurisë për të mirën dhe dashurisë për të ligën ekziston vetëm një hap i vogël.
Kështu foli... Zaratustra?
Jo, kështu foli Umberto Eko.
Për lulen e trëndafilit, apo për ne?

ÇERDHE NEPËRKASH – PA KOMENT

Turp e faqja e zezë!
Në këtë vend ka vite që ndodhin gjëra shumë të turpshme. Luftëra për pushtet, akuza për herezi për t’i zhvatur ndonjërit ndonjë prebendë. Gomari i bie lirës, bufi lëron me mburojë, buajt mprihen vetë në parmendë, lumenjtë ngjiten përpjetë rrjedhës, deti përflaket, ujku bëhet oshënar!
Gjuhet lepuri me buall, u mësohet gramatika kukuvajkave, qentë pickojnë pleshtat, të verbrit shohin memecët dhe memecët dalin e lypin bukë, milingona pjell viçin, pulat e pjekura fluturojnë, kuleçtë i gjen mbi çati, papagajtë japin mësime retorike, pulat ndërzejnë gjelat, qerrja vëhet para buajve, qeni vëhet të flerë në shtrat dhe gjithë qeniet nga janë e nga s’janë ecin kokëposhtë.
Kështu na qenkësh dashur të katandiset edhe kjo abaci, një çerdhe nepërkash. Po marrin nëpër këmbë Qytetin e Zotit, po joshin me gënjeshtra, hipokrizi e dhunë.
Shkasin si ngjalë dhe është shumë vështirë t’i kapësh në gabim.
Po ama i njohim, s’është se s’i njohim këto marifete dhelpërake!
Kapin e marrin shpesh bashkë.
Me fodullëkun e tyre dërdëllisin betime të rreme.
Betohen për Zotin, atin e plotfuqishëm, të përshenjtën Virgjëreshë e për të gjithë shenjtorët se kështu është e kështu ka qenë.
Lëre se ç’gjëra të ndyra kanë bërë dje. O, Zot në ç’duar ka rënë kisha jote! E shndërruar në prostitutë, e flashkur nga luksi, është zhytur e kënaqur në zvetënim si ai gjarpri në të ngrohtë! Njerëz pa besë e pa fe, vrasës njerëzish, batakçinj, lakmues ari, të zot për dhelpërira, të egër, armiq të besnikëve të fesë dhe përndjekës të tyre!
Qen të ndyrë, kërma të qelbura, korba të zinj, qojle të kurvës! Qenër! Qenër të tërbuar! Mësalla me dy faqe, të hunit e të litarit, të vdekur e të pakallur, të krimbur në vese! Llupës!
Ata e bëjnë një gjë dhe e dinë pse e bëjnë, por nuk e dinë pse e dinë që e dinë atë që bëjnë. Tamam të humbasë njeriu besimin në rolin njerëzor.
Zoti: Unë ju dhashë formë, e ju shkoni e bëheni ithtarë të një tjetri! Ju dhashë veshë që të dëgjoni Shkrimet, e ju mbani vesh fjalët e paganëve! Ju bëra gojën që të lavdëroni Perëndinë, e ju e përdorët për shtirjet e poetëve e për enigmat e bufonëve! Ju dhashë sytë që të shihni dritën e mësimeve të mia, e ju i vutë në punë për të zhbiruar terrin!
Larg meje, o të mallkuar, tutje në zjarrin e amshuar, që ju ka bërë gati djalli e veglat e tij! Vetë e keni kërkuar, kënaquni tani! Mos i çoni dëm shtatë ditët e fundit. Kridhemi mes mundimeve të përjetshme. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë. Ditët e Antikrishtit janë fare pranë, Uiliam, dhe unë kam frikë!
Sa më shumë bëhet e pangjashme ngjashmëria, aq më shumë na zbulohet e vërteta nën tisin e figurave tmerruese e të përçudshme dhe aq më pak qartësohet imagjinata nëpërmjet kënaqësive të mishit.
Nuk është kurrë gjë e kotë t’i njohësh më mirë armiqtë e tu.
Rrugët e Antikrishtit janë të ngadalta e dredha-dredha. Ai vjen kur ne s’e pandehim.
Mund të mëkatosh duke e tepruar së foluri ose duke e tepruar së heshturi. O Zot i madh, gjuana me rrufe këtë gjuhë që s’po flitet për së mbari!
Këtu dikujt s’ia ka qejfi që të vendosim vetë.
Derrarë e loparë që, sa hap e mbyll sytë, bëhen gjoja apostuj që duan të rrojnë pa derdhur djersë e në qejf të vet.
T’i kthesh mendimet e drejta në të padrejta e t’i shpiesh në rrjedhoja të kundërta me ligjin e Zotit e të njerëzve - kjo është tamam herezi, ose është marrëzi.
Ruaju nga lavirja e Babilonisë edhe kur merr formën e krijesës më tërheqëse që mund të bëhet. (Ruaju danajasve...)
Siç ka një shkallëzim në virtyt, ashtu ka edhe në çoroditje.
Ja se ç’thoshte teksti grek: përdor njerëzit e përvuajtur, të ulët e të shëmtuar, trupa rrondokopë, fytyra të shtrembëra.
Të gënjesh e të kapësh në befasi duke gënjyer, të thuash të kundërtën e asaj që beson, të thuash një gjë e të nënkuptosh një gjë tjetër.
Si përçapjet e ndonjë të marri. Qengja të butë e të përkorë. Një allishverish i ndyrë. Kijua frikën profetëve, o Adson, e atyre që janë gati të vdesin për të vërtetën, që zakonisht marrin me vete edhe shumë të tjerë, e shpesh para atyre vetë, e nganjëherë në vend të tyre! (...)

Octavio Lozano Paz(1914-1998)



Octavio Lozano Paz ishte poet, eseist dhe diplomat meksikan. Lindi më 31 mars 1914 në Meksiko Siti, kur vendi gjendej në mes të luftës revolucionare. Kalon pjesë të fëmijërisë së tij në ShBA dhe rininë në Francë, kurse në Indi shërbeu si diplomat i shtetit meksikan.
Jeta e tij familjare polarizohet ndërmjet dy figurave: gjyshit të tij Irineo Paz, shkrimtar, intelektual dhe i afërt i qeverisë së Porfirio Díaz dhe, babait të tij Octavio Irineo Paz, simpatizant i Revolucionit Meksikan dhe i afërt i Emiliano Zapatës.
Në vitet e para, librat e Octavio Paz u pëlqyen në formë gati unanime. Ende sot, i thirrur “primer Paz” (i pari Paz) është konsideruar nga disa kritikë si më i miri. Kritika, në përgjithësi, është përqëndruar në disa nga librat e tij si eseist “El laberinto de la soledad” (Labirinti i vetmisë), “El arco y lira” (Harku dhe lira) dhe në librat poetik “Libertad bajo palabra” (Liri nën fjalë), “Ladera Este” (Shpati lindor).
Në vitin 1990 iu nda Çmimi Nobel për Letërsi. Vdiq në vitin 1998.



I MUNGUARI
I
Zot i pangopur që ushqehesh me timen pagjumësi;
Zot i etur që në lotët e mi etjen tënde të përjetshme freskon,
Zot bosh që godet gjoksin tim me një grusht guri,
me një grusht tymi,
Zot që më shkreton,
Zot shkretëtirë, shkëmb që lutja ime lan,
Zot që heshtjes së njeriut i përgjigjesh me një
më të madhe heshtje prapë,
Zot i zgavërt, Zot i asgjësë, Zoti im:
gjak, gjaku yt, gjaku, më udhëheq.
Gjaku i tokës,
ai i kafshëve dhe ai i përgjumjes vegjetale,
gjaku i gurëzuar i mineraleve
dhe i zjarrit që dremit në tokë,
gjaku yt,
ai i verës së ethshme që këndon në pranverë,
Zot i zhdërvjellët dhe diellor,
Zot i ngjalljes,
Yll që vret,
flaut i pagjumë që ngre thirrjen e tij
të ëmbël mes hijeve që rrëzohen,
oh Zot që në festa thërret gratë e dalldisura
dhe bën që barqet e tyre planetarë
dhe vithet e tyre të egra të rrotullohen,
gjokset e ngurtë dhe elektrik,
duke kaluar të çmendurin dhe të zhveshurin univers
dhe etjen e gjatë të natës që zbret.

Gjak, gjak që me shkëlqim barbar akoma të njollos,
gjak i derdhur në natën e sakrificës,
ai i të pafajshmëve dhe i të pabesëve,
ai i të drejtëve dhe i të tuve armiq,
gjaku yt, ai i tëndes sakfrificë.

II
Për ty ngjitem, zbres, nëpërmjet racës sime,
deri tek pusi i pluhurit
ku fara ime zhbëhet në të tjerë,
më të vjetër, pa emër,
për rrafshinat e hirit lumenj të verbër.
Të kam kërkuar, të kërkoj,
në mbrëmjen e thatë, të arsyes rrotulluese shëmtirë:
në ëndrrat e mbushura me shenja të gabuara
dhe në përrenjtë e zinj që shpërthejnë në delir:
mendimi është një shpatë që shkëlqen dhe shkatërron
dhe më pas vetëtimës s’ka asgjë
përveç një rendjeje për në pafund
dhe të takohesh me vetveten përballë në mur.
Të kam kërkuar, të kërkoj,
në inatin e pastër të të dëshpëruarve,
atje ku njerëzit për të vdekur pa ty shkojnë,
mes një mallkimi dhe një luleje me kokë të prerë.
Jo, nuk ishe në atë fytyrë të copëtuar në mijëra fytyra njësoj.
Të kam kërkuar, të kërkoj,
mes copave të natës në rrënoja,
në gërmadhat e dritës që braktis,
fëmija lypës që ëndërron në asfaltin me rërë dhe dallgë,
bashkë më qentë e natës,
fytyra të mjegullës dhe të prera
dhe hapa të shkretë të sandaleve somnabule.
Tek vetja të kërkoj: je fytyra ime në momentin që fshihet,
emri im që, kur e them, humbet, je zhdukja ime?
III
Rroftë fjala e errët
fjala e fillimit,
fillim pa fjalë,
gurë dhe gurë, thatësirë,
gjelbërim i shpejtë,
zjarr që nuk fiket,
ujë që shkëlqen në shpellë:
nuk ekziston, por jeton,
në ankthet tona të zakonshme,
në fundin bosh të çastit
— oh mërzitje —,
në punë dhe djersa, fruti i saj
në ëndrrën që dështon dhe muri që ndal.
Zot bosh, Zot i shurdhër, Zoti im
loti ynë, blasfemia,
fjala dhe heshtja e njeriut,
shenja e qarjes, shifra e gjakut,
forma e tmerrshme e asgjësë,
merimangë e frikës,
anë e pasme e kohës,
hir i botës, sekret i papërshkrueshëm,
tregoje tënden fytyrë që asgjëson,
se do të kthehem në pluhur,
në zjarr të ndyrë.

FATI I POETIT

Fjalë? Po, prej ajri,
dhe në ajër të humbura.
Më ler të humbas mes fjalëve,
më ler të jem ajri në një palë buzë,
një erë vagabonde pa rrethina
të cilën ajri e vret.
Po ashtu drita në vetvete humbet.

EPITAF PËR NJË POET

Deshi të këndonte, të këndonte
që të harronte
jetën e tij të vërtetë me gënjeshtra
dhe të kujtonte
jetën e tij gënjeshtare me të vërteta.

POEZIA

Vjen, e heshtur, sekrete,
dhe zgjon tërbimet, gëzimet.
dhe këtë ankth
që ndez çdo gjë që prek
dhe dështon në çdo gjë
një makutëri të zymtë.
Bota lëshohet dhe bie
si metali në zjarr.
Mes rrënojave të mia ngrihem përsëri,
vetëm, lakuriq, i zhveshur,
mbi gurin e paanë të heshtjes,
si një vetmitar luftarak
kundër të padukshmeve ushtri.
E vërtetë përvëlonjëse,
për ku po më shtyn?
Nuk e dua të vërtetën tënde,
pyetjen tënde të marrë.
Për çfarë është kjo luftë sterile?
Nuk është njeriu krijesa që mund të të mbajë,
lakmi që vetëm në etje ngopet,
thirrje që gjithë buzët i konsumon,
shpirt që nuk jeton në asnjë formë
të gjitha format më shumë i përvëlon.
Ngjitesh që nga shumë thellë brenda meje,
që nga qendra e turpshme e qenies sime,
ushtri, një mori.
Rritesh, etja jote më mbyt,
duke më dëbuar, tiranike,
ajo që nuk lëshohet
nga shpata jote frenetike.
Dhe vetëm ti në mua banon,
ti, pa emër, substancë e furishme,
lakmi e nëndheshme, deliron.
Godasin gjoksin tim fantazmat e tua,
me prekjen time zgjohesh ti,
ngrin ballin tim,
hap sytë e mi.
Vë re botën dhe të prek,
lëndë e paprekshme,
bashkim i shpirtit dhe trupit tim,
dhe i bëj ballë betejës që luftoj
dhe dasmave të mia të tokës.
Sytë e mi imazhet e kundërta i errësojnë,
dhe të njëjtat imazhe
të tjera, më të thella, e mohojnë,
belbëzim i përflakur,
ujëra që përmbyten në një ujë më të fshehtë dhe të dendur.
Në terrin e lagësht vdekje dhe jetë,
qetësi dhe lëvizje, janë e njëjta gjë.
Insiston, ngadhënjimtare,
sepse unë ekzistoj vetëm sepse ti ekziston,
dhe goja dhe gjuha ime u formuan
vetëm për të thënë ekzistencën tënde
dhe rrokjet e tua sekrete, fjalë
e pandjeshme në prekje dhe tiranike,
lëndë e shpirtit tim.
Je vetëm një ëndërr,
por tek ty bota ëndërron
dhe heshtja jote flet me fjalët e tua.
Prek kur takoj gjoksin tënd
kufirin elektrik të jetës,
terrin e gjakut
ku merren vesh goja e egër dhe e dashuruar,
lakmon akoma të shkatërrosh atë që do
dhe të rijetosh atë që shkatërron,
me botën, e patundur
dhe gjithmonë identike e vetvetes,
sepse nuk ndalesh në asnjë formë
as nuk vonohesh mbi atë që dështon.
Më merr, vetmitare,
më merr mes ëndrrash,
më merr nëna ime,
më zgjo nga gjithçka,
më bëj të ëndërroj ëndrrën tënde,
lyej sytë e mi me vaj,
që kur të të njoh të më njohësh.

DY TRUPA

Dy trupa ballë për ballë
janë nganjëherë dy dallgë
dhe netëve oqean.
Dy trupa ballë për ballë
janë nga një herë dy gurë
dhe netëve shkretëtirë.
Dy trupa ballë për ballë
janë disa herë rrënjë
dhe netëve gërshetim.
Dy trupa ballë për ballë
janë nganjëherë thika
dhe netëve rrufe.

SYTË E TU

Sytë e tu janë atdheu prej vetëtime dhe lotësh,
heshtje që flet,
stuhi pa erë, det pa dallgë,
zogj të burgosur, bisha të praruara të fjetura,
topaz të pafe si e vërteta,
vjeshtë në një hapësirë pylli ku drita në të këndon,
sup i një peme dhe të gjitha gjethet e saj zogj janë,
plazh që mëngjesi takon mbushur me sy,
shportë me fruta zjarri,
gënjështër që ushqen,
pasqyra të kësaj bote, dyer të atje përtej,
valëzim i qetë i detit në mesditë,
absolut që përpëlitet,
një vesë shi.

LËVIZJE

Nëse ti je pela prej qelibari
unë rruga prej gjaku jam
Nëse ti je bora e parë
unë jam ai që ndez të mëngjesit mangall
Nëse ti je kulla e natës
unë jam gozhda që të digjet në ballë
Nëse ti je batica e mëngjesit
unë jam klithma e zogut të parë
Nëse ti je shporta me portokalle
unë jam thika e diellit
Nëse ti je altari prej guri
unë jam dora që bën sakrilegj
Nëse ti je toka që bie të fle
unë jam kallami jeshil
Nëse ti je kërcimi i erës
unë jam zjarri i varrosur
Nëse ti je goja e ujit
unë jam goja e myshkut
Nëse ti je pylli i reve
unë jam sëpata që e ndan
Nëse ti je qyteti i përdhosur
unë jam shiu i shugurimit
Nëse ti je mali i verdhë
unë jam krahët e kuq të likenit
Nëse ti je dielli që lind
unë jam rruga e gjakut.

Vetëm ti je para meje...


Nga Flori Bruqi 


IZET DURAKU u lind në Morin të Lumës në vitin 1956, fshat ky që i takon brezit kufitar me Kosovën. Shkollën fillore e kreu në Morin, kurse të mesmen në Kukës. Më pas Izet Duraku studio për letërsi në Universitetin e Tiranës ku u diplomua në vitin 1981. Në vijim të studimeve pasuniversitare është në proces të doktoraturës në fushën e etnologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Për 5 vite ai ka punuar mësues në fshatin Domaj-Has, të qarkut të Kukësit, më pas filloi punë si gazetar në gazetën "Bashkimi", kurse për shumë vite, pas shembjes së diktaturës. Në saj të Izet Durakut, Radio Kukësi u vu në shërbim të Kosovës dhe lirisë së saj. Në vitin 1997, ai do të vendoset në Tiranë dhe do të vazhdoj punën në Radio Tirana.

Aktualisht është drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, pranë Ministrisë së Kulturës në Tiranë.

Librat e botuar:
"Drini i Bardhë", Tiranë 1985.
“Vezullim heshtash”. Tiranë 2004.
“Pragu”, Tiranë 2002
“Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar”,Tiranë 2008

Etj.

-




YJE

Flokëve të korbtë të natës
pluhur rrezëllitës, re farfuritëse
yjesh të mëdhenj, vetëtitës si buzëqeshja,
shpresa joshëse zgripit të dritës
yje të venitur prej plakjes a lodhjes sonë
s'shohim shkreptimën e lindjes
të tejdukshëm, të ngjeshur, yje të panumërt
të vegjël, prej nisjes të vegjël
sosur lëngatës së padukshme, të djegur
për dert a kotnasikoti, yje të rrallë
të fuqishëm shkretojnë kope yjesh
vrella ankthesh, kandjesh të paprovuara
mërzi e mykur bredhjesh, kotje shfrimesh
të befta, përplasje të rrasta fatesh
yjore pa e njohur hiç përplasjen...
Flokëve të korbta të natës
nuses sonë bujare që na le t'i shohim yjet.

NJË QERRE

Një qerre në pasqyrën e syve, qiejve të dridhshëm,
Si gjethet e plepishtes buzë rrugës
Zbardhja e beftë e dhëmbit të dhimbjes
Mes kremit të fjalëve, një qerre
Në pikë të drekës së shtrirë plazheve përvëluese...
Loja e përjetshme e ujit me bregun
Sulm e tërheqje, rrota e fatit në dorën
E ngashërimit të fëmijës, fanitja e muzgut
Në mëngjesin e qelqtë të thërmuar prej erës
Një qerre, shtegtim i krojeve në ëndrrën
E shkretëtirës, rikthimi i fluturimit
Në pullazin e vjetër, ylli që bie, shuhet ngadalë
Brenda meje, pa kalorës, pa kuaj, një qerre
Hija e brirëve të qeve, shatërvanë avulli
Lërimi, mbjellja, kallinjtë e shpresës
Në shtegull, oborri me pemë, pragu
Gjurmët e ngrira të hënës shtegut të ballit
Një qerre, gurëve me myshk të Drinit
Vetmisë së shelgjeve, cicërima të trembura
Pa zanafillë, një qerre kur thyhet, thonë
Gjendet udha, uuudhaaa, mrekulli e Zotit
Po çfarë duhet udha o Zot, pa qerren?!

VJESHTË A FILLIM DIMRI

Të verdhat e plepit para shtëpisë sime
shpirtit tim po shkunden pikëllime të zbehta
përndritjet e fundit pa frymë këputën në heshtje
ku shuhen pastaj, në vjeshtë a fillimdimri.
Një gjysmë ftoi i ngrënë, flakur anash rrugës
mbi gazeta të vjetra shkelur e stërshkelur,
rrotat e makinës, ah këto dreq frenash
përgjakin të dielën, dëshirën e prehjes.
Gjethe të verdha, kalamendje e zbrazët,
edhe pak lart, edhe pak pezull.
Të qëndrosh, a të biesh - vramendja e stinës
aspak s'e ndryshon vendimin e qiejve.
Si unë kqyr dielli shtatet e zhveshura.
Dhimbjet e holla të degëve, rrembat e kaltër,
treten, harrohen pa i parë kush
të humbin në ajrin e qetë të pasdites
sa të merr malli për erën dhe mjegullën.

PRAJSHËM E PJERRËT

Prajshëm e pjerrët tymnajës së plumbtë
hapsira gri kullon,
rrjedh përrenjtë e lodhur prej vetvetes
pellgje, farka vetëtimash
mërmërimë e zgjatur qiejve të Zotit
pikëpjekja jonë e avullt soset
ende pa lindur, qerpikut tënd
po shkas i kristaltë.

MË DUHET

Më duhet një lughije
bar a lule, gjeth i njomë
ku ta përplas shkëmbin tim
pa kërkuar ndjesë.
Të ngulem atje, të fle
ëndrrën e livadhit të paprekur
përroit të vogël të gjumit,
turbullirës së ëmbël, mos të shoh
si drunjëzohem, gurëzohem
paqes së heshtur,
mos të më shohin dreqnit e parajsës
brirët e engjëjve...
Më duhet një lughije, hije
këndelljesh, bisqe aromash
valë që lajnë përherë rërën.

TI HAPË HERË PAS HERE

Ti hapë herë pas here derën e harresës,
Për të më kujtuar gjithnjë ekzistencën e zanave,
Shtatore të ngrira Adamësh, mbetur pa gojë prej teje,
Ka ngrirë tash lëvizja nëpër arteriet e qytetit,
Zhurmat dhe grimcat e pluhurit pezull kanë mbetur
Gjethja e shkëputur prej degës ka shtangur
Si goja e djalit që qeshi, mbeti hapur
Tullat nuk shkuan tek muri, as ranë prej tij
Plumbat e vdekjes mbetën në ajër.
Vetëm ti je para meje,
Heshta jote më ka shpuar edhe kur të kam harruar
Vjen të më përmendësh se jam ende
Në jetë i aftë të thithem prej teje
I shituar prej syve në pikë të drekës, mesnatës
Ke qenë mëngjesi im, darka ime e varfër.

SHORT’ I DRIDHJES

Short' i dridhjes në fill të erës
një degëz shelgu,
Si shelgu dridhen në fund të tij
blerimet e vjetra që moti s'i treti.
Mesi i zhveshur, irnosur prej ngricash
në maje sythat e rinj të nisjes
nga fillimi. Nëpër njëra-tjetrën
stinët në një degëz shelgu.
Shirat e vjeshtës s'na mblodhën, retë
e dimrit hapen e mbidhen
ne veç largohemi, a do të jemi në pranverë
një degëz shelgu në fill të erës.
t'i dridhim bashkë verë e dimër.

MOTRA IME

Në majë të malit motra ime, mu në kikël
borë e paparanuar, rreze dielli që rrëshqet në akull.
Mjegulla e mërzisë u mbështillet gurëve
i bën të përhirtë.
Rrufeja plakë kullotë grykat, pjell rrufetë e reja
pranë prekjes së engjëllit pa qenë Moisiu
mund të flasë kushdo me zotin.
Atje iu sulën tri shigjeta
drejt zemrës flakët e kaltra i rrit afrueshëm heshtja.
Po vdekja, a ekziston vdekja?
Pëllumbat rreth saj u bënë korba
shpatit rrokullimë deri në fund të malit
ku zien zifti i jetës,
himni i burrit që e lëshon Ora.
Tash, mali i shtërnguar në breza guri
më ngjan si Saturni.
Motra ime, një grusht kockash të bardha
kthyer në breshër.
Atje pushon, poshtë kepit pa shenja
mes dy kreshtash në ëndrrën e magmës
vullkan i fjetur...
Fëmijët e saj, a thua, do të lindin nesër
në rikrijimin e botës,
kur korbat do të mbeten korba e pëllumbat
pëllumba pa u shkrirë me njëri-tjetrin.
Motra ime, mal i premtuar heshtjesh
ku bora s'pranohet
ku rrëshqet akullit rrezja e diellit
ku mjegulla i mplakë marrëzitë tona
e rrufetë e vjetra hanë të rejat.
Motra ime
zgjimi im i vonshëm.

LANA


Kur qenkemi kaq të kthjellët
pse na turbullohen fatet?
Ky qiell padron i bujtinës
na rri mbi krye
sy i kuq ciklopi,
drurët lapëvyshkur dihasin zhegun
si trumbë qensh me llapën përjashta
mëngjesi ka firuar në hurdhën e thellë të dimrit
ku fijet e barit hollohen të kaltra
e fiskon i blertë burimi.
Pas dyzet gurësh, thonë,
ngjishja buzët përroskës, pihet uji
qëmtohet
qërohet ndyrësia
me fli e blatime të vdekurit qetësohen
kur i kujton pas dyzet ditësh
ngul këmbë për të gjallët përralla.
Pas çdo guri barëngrënës prehistorik
mbijnë me zhurmë qyngjet
turinjtë të mprehtë përqeshin tigrin e ngordhur
minjtë e mëkateve
dalin arave.
Në dhjetra urat e saj
e sheh vetën tek shtrëngon lakun
të mbytet por s'mundet
do që t'i shkojë dhe ferrit e pastër.
Sa e shkurtër rruga prej trupit tek turpi
të këputka ndarja e lumit
kur piqet me llumin
nga hurba te llurba Ura e Siratit
shembet prej peshave të rënda.

IKU VERA E MIRËSIVE

Iku vera e mirësive,
Zjarri i syve u shue,
S’ka Vezuv dashnie,
Ka qetësi.
Pakëz hi plehnon trëndafilin e rrashtës teme.
Mos e trembni paqen varre,
Pse pa gajle,
Bri jush endet e për endet nji njeri.
S’ecën vetë, orëvrami,
E shtjell era,
E ka marrë malli për shi.
Shurdhni. Shok i shkretë veç etja,
Binë e kallet nëpër eshtna,
Shpirtin pa e mrri.

SHORTI I DRIDHJES

Short' i dridhjes n'fill t'erës
Nji degëz shelgu,
Si shelgu dridhen n'fund t'tij
Blerimet e vjetra që moti s'i treti.

Mesi i zhveshun, irnosë prej ngricash,
N'majë sythat e ri t'nisjes
Nga fillimi. Nëpër njana-tjetrën
Stinët në nji degëz shelgu.

Shinat e vjeshtës s'na mlodhën, retë
E dimnit hapen e mlidhen,
Ne veç largohemi, a do t'jemi n'pranverë
Si kjo degëz shelgu n'fill t'erës?!

T'i dridhim bashkë verë e dimën.

VJESHTË A FILLIM DIMNI

T'verdhat e plepit para shpis teme
Shpirtit tem po shkunden pikllime t'zbehta,
Përndritjet e funit pa frymë kputen n'heshtje
Ku shuhen pastaj,
N'vjeshtë a fillim dimni.
Nji gjysmë ftoi i ngranë,
Flakë anash udhës
Mi gazeta t'vjetra, shkelë e stërshkelë,
Rrotat e makinës,
Ah këto dreq frenash,
Përgjakin t'dielën dëshirën e prehjes.

Gjethe t'verdha,
Kalamendje e zbrazët,
Ene pak nalt, ene pak pezull...
T'qëndrosh a t'biesh –
Vramendja e stinës
Aspak s'e ndryshon vendimin e qiejve.

Si unë kqyr dielli shtatet e zhveshme.
Dhimjet e holla t'degëve,
Rremat e kaltër,
Treten,
Harrohen pa i pa askush
T'humin n'ajrin e qetë t'pasdites,
Sa t'merr malli për erën e mjegullën...

MALET JANË GJITHKUN

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
T'hutuem prej dritës, ditët ngjajnë
Kaq t'pavëmendshëm,
Gjujt e prrojve t'thamë
Sikur i luten qiellit.
Putrat e natës mshteten n'truellin
Ku me përndezje syshë ngrehen pusitë
E ditës,
Rrathët e hanës plotë honeve
Derdhin mrekulli kërcënimi.
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
N'veshjezhveshjen e motit,
Shkreptimën e reve,
Kurriz harkuem e t’çatalluem
Shkrepash. Zoti i verbtë
Përplaset si n'jerm sa n’ nji brijë
N'tjetrën.
Para dhe mas meje
Përhidhet vjedhtas jeta
Sa mezi e shoh n'shpatull.

Si drenushës,
Brinat e kohës mërthehen
Mas degshë.
Asnjë kamë përpara,
Por as prapa s’kthehesh.
Rrufeja ngrin, s’ka
Ulurimë ujku, as rënkim t'pritshëm
Gjaku t'ngroftë,
Presin me le andrra
Nji turmë pret kosën e mortjes,
Po jeta e gjen shtegun e ikjes
Botës tjetër ku gjithçka asht ndryshe.

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
S’dihet kur u ngulën,
Ku duen me shkue
N'viset ku ikjet dhe ardhjet vështrohen,
Ku avullohet
A shkrin harkut t'vetllave,
Ku përdridhet e rrxohet për mue nji gjethe,
Plagë e verdhë ta ndezë qetsinë teme
T'digjem s'paku,
T'ndjej paksa dhimjen.

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
Ndërrohen ernat,
Mjegullat.
Bora e re shtron mi t'vjetrën.
T'blertën man bredhi,
Atje ku si drutë e preme
Stivohen shekujt,
Hingllima e shpata
T'veja shahen e shkulen për floksh.
Si gur mi gur, kobi,
Piramida e plojës –
Pa gojë e klithma drejt qiellit.

Mund t'lahesh n't'njajtin ujë
Sa herë t'duesh,
T'flasësh vetë me Heraklitin...
Po truelli i kujtesës
I shkretë metet,
Askush nuk ngjitet,
Nuk mundet.
Lutje e thoj dëshprimi
S’të bahen flatra...
Veç savani i bardhë i borës
N'pasqyrë sheh vetveten,
Zbardhet.

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
Gjamën kanë për emën.
Fjalën e amël
Truejnë sa del buzve t'tamlit
Humnera bahet kodër e kodra
Humon n'bark t'dhevit,
Soji i thneglave
Gjithë verën e lume kullot
Flakët e ferrit
E dimnit sheh parajsën andërr
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
S’dihet kur u ngulën,
Ku duen me shkue
N'viset ku pritjet dhe përcjelljet urohen,
Ku avullohet
A shkrin harkut t'vetllave,
Ku vjeshta e rrëzon për mue nji gjethe
Plag’ e verdhë e ndezë qetsinë teme
Digjem s'paku,
E ndjej paksa dhimjen.
ETJA
Me gurin Cerber n'qafë
Lodhet etja pas Kroit t'Bardhë
Dhe gjen gjithnji Kroin e Kuq

NJI LUGHIJE

M'duhet nji lughije,
Bar a lule,
Gjeth i njomë
Ku ta përplas shkamin tem
Pa kërkue ndjesë.
T'ngulem atje,
T'fle
Andrrën e livadhit t'paprekun.
Përroit t'vogël t'gjumit,
Turbullirës s'amël,
Mos t'shoh si drujzohem,
Gurzohem,
Paqes t'heshtun.
Mos t'më shohin dreqnit e parajsës,
Brinat e engjëjve...

M'duhet nji lughije, hije
Këndelljesh,
Bisqe aromash,
Valë që lajnë përherë ranën.

TI HAP HERË PAS HERE

Ti hap herë pas here derën e harresës,
Për t'më kujtue gjithnji ekzistencën e zanave,
Shtatore t'ngrime Adamësh,
Metë pa gojë prej teje.

Ka ngri tash lëvizja nëpër arteriet e qytetit,
Zhurmat dhe grimcat e pluhnit pezull kanë metë...

Gjethja e shkëputme prej degës ka shtangë,
Si goja e djalit që qeshi,
Meti haptë.

Tullat nuk shkuen tek muri,
As ranë prej tij,
Plumat e vdekjes metën n'ajër.

Vetëm ti je para meje,
Heshta jote m'ka shpue edhe kur t'kam harrue.
Vjen t'më përmendësh se jam ende n'jetë
I aftë t'thithem prej teje.

I shituem prej syve n'pikë t'drekës,
Mesnatës,
Ti je mëngjesi jem,
Darka jeme e vorfun.

NJI QERRE

Nji qerre n'pasqyrën e syve,
Qiejve t'dridhshëm
Si gjethet e plepishtes buzë rrugës.

Zbardhja e beftë e dhamit t'dhimjes
Mes kremit t'fjalëve.
Nji qerre
N'pikë t'drekës së shtrime plazheve përvëluese.

Loja e përjetshme e ujit me bregun,
Sulm e tërheqje,
Rrota e fatit
N'dorën e ngashnjimit t'fmijës,
Fanitja e muzgut
N'mëngjezin e qelqtë, t'thërmuem prej erës.

Nji qerre,
Shtegtim i krojeve n'andrrën
E shkretinës.
Rikthimi i fluturimit
N'pullazin e vjetër,
Ylli që bie,
Shuhet ngadalë
Brenda meje.
Pa kalorës, pa kuaj, nji qerre...
Hija e brinave t'qeve, shatërvanë avulli,
Lërimi,
Mjellja,
Kallijtë e shpresës
N'shtregull. Oborri me pemë,
Pragu,
Gjurmt e ngrime t'hanës shtegut t'ballit.

Nji qerre,
Gurve me myshk t'Drinit,
Vetmisë t'shelgjeve,
Cicërima t'tremuna pa zanafillë...
Nji qerre kur thyhet, thonë,
Gjendet udha.
Uudhaaa, mrekulli e zotit,
Po çfarë duhet udha, zot, pa qerren?!

PRAJSHËM E PJERRTË

Prajshëm e pjerrtë, tymnajës t'plumtë
Hapsina gri kullon,
Rrjedhin përrojtë e lodhun prej vetvetes
Pellgje,
Farka vetimash...

Mumrimë e zgjatun qiejve t'zotit,
Pikëpjekja jonë e avullt soset
Ende pa le, qerpikut tand
Po shkas i kristaltë...

MOTRA JEME

N'majë t'malit, motra jeme,
Mu n'kikël-
Borë e papranueme,
Rreze dielli që rrshet n'akull.

Mjegulla e mërzisë u mshtillet gurëve,
I ban t'përhimtë.

Rrufeja plakë kullotë grykat,
Pjell rrufetë e reja...
Pranë prekjes t'engjllit
Pa qenë Moisiu
Mund t'flasë kushdo me zotin.

Princi i dashurisë




Lefter Çipa




Teksa shfletoj “Princin e dashurisë” të Lefter Çipës, libri më i fundit poetik i publikuar jo më nga “Toena”, por nga një tjetër shtëpi botuese, “Naimi”, më vjen sakaq ndërmend një autor krejt i veçantë në letërsinë shqipe që, për më shumë se pesëdhjetë vjet, ka thurur modestisht këngë dhe vargje, ato “të legalizuara” në më se 18 përmbledhje poetike dhe ato të tjera thuajse “ilegale” që janë bërë pronë e shumë grupeve popullore e që mund të jenë sa trefishi i tyre.

Pa qenë kurrsesi një poet qyteti, pa dashur të rendë në marrëzinë e eksperimenteve të kahershme e të tashme poetike, ai e ka shkruar poezinë ashtu si i ka ardhur: herë si bejte, si krijim populli, si kumt i atypëratyshëm, si këngë e megjithatë është sot një ndër poetët më të lexuar dhe më të pangjashëm të letrave shqipe.
I gjendur përherë në provincë, por pa u shkërmoqur prej saj, Çipa i Himarës arriti megjithatë të tërhiqte shpejt vëmendjen e lexuesit në hapësirat shqiptare dhe të një vargu personalitetesh. Pavarësisht mureve që ngriheshin midis trojeve shqipfolëse, vargjet e Çipës do ta gjenin shtegtimin në këto vise, o me një grup popullor, o me një ansambël që mbështetej në krijimtarinë e tij.
Disa biografë të Cipës, në parathënie apo pasthënie, në promovim të krijimeve të tij poetike, nuk harrojnë të përmendin pjesëmarrjen e tij me këngë memoriale në gjashtë festivale folklorike poetike apo mëtojnë të nënvizojnë këngët-monument që gjenden në një sërë përmbledhjesh poetike si "Bejkë e bardhë", "Bilbilat e vendit tim", "Shqipëri moj ballëhapur", "Këngët e Ruzanës", "Dheun tim përsipër mbaj", "Për Kosovën prapë do të ngrihem", "Kënga që tret lotin", "Këngët e Akroqeranit" etj.
Jo më kot ai vlerësohet si një kreshtë e pakapshme e polifonisë shqiptare, ndërsa mijëra krijimet e tij kanë qenë pjesë e pandashme e grupeve kulturore të Pilurit, Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Ansamblit të Ushtrisë si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike. Lefter Çipa ka shkruar artikuj për autorë të shquar të letërsisë kombëtare, ka qenë bashkorganizatori i trios vlonjate, teksa shumë këngëtarë kanë muzikuar lirikat e tij mbresëlënëse.
Princi i dashurisë
Të gjitha sa më sipër më erdhën ndërmend kur mora të shfletoja përmbledhjen më të plotë poetike të Lefter Çipës, “Princi i dashurisë”. Libri ndahet në pesë pjesë: “Mos iu plakni dashurisë” (51 poezi), “Shpirti i krehur” (16 poezi), “Nëpër mua bridhte pylli” (28 poezi), “Shpirtin tim mblodha” (16 poezi) si dhe poema “O shokë vdeksha nga kënga”. Një përcjellje të librit e bën studiuesi i njohur Shaban Sinani, ndërsa në hyrje të saj është edhe një poezi që duket sikur përmbledh shtysën e krijimit:
Sikur tërë bota të prishet
Rrafsh me detin të vidhiset
Mua pa këngë s’më rrihet
Dhe brenda dheut ku flihet.
Kjo poezi me shtatë strofa të bukura duket sikur u hap rrugë krijimeve që vijnë më pas. Dhe larmia e temave dhe e këndvështrimeve është nga më të larmishmet. Çipa i thur vargje zjarrit dhe botës së natës, dashurisë, zërit të humbur, plakjes nga lakmia, këngës vetë, jevgut në parajsë mjegullimi, bejkës në borë të pashkelur dhe ëndrrës, djalërisë, diellit, syrit etj. Ashtu si në traditën popullore, vargjet e Çipës diku përcjellin një amanet, diku shpotisin një ves të keq, diku u thurin lavde shpirtrave të pambrojtur dhe në çdo krijim fjala është e vendosur si në një mozaik. Çipa të krijon ndjesinë e rreme se atë poezi mund ta shkruash edhe ti, madje shumë motive dhe figura mund t’i gjesh edhe në krijimtarinë popullore, por kur analizon vargjet, kupton se ke të bësh me një poet krejt të veçantë, që vuan mbi krijimin, që zgjedh fjalën dhe që ruan ritmin në çdo rast. Shtëpia botuese “Naimi” ka bërë një përzgjedhje të admirueshme në atë mori krijimesh që Çipa shkruan dhe gris përditë, por edhe një studiues i përkorë i poezisë e ka të vështirë të veçojë krijimet më të bukura.
Unë vetë bëra dy skeda me titujt e krijimeve më të pëlqyeshme, bëra një tjetër nga libërthi i dytë dhe i tretë, bëra një të katërt vetëm me këngët, më pas më la përshtypje të veçantë poema e vetme në libër, por kur rishfletoja poezitë e lëna mënjanë, më dukeshin ato më të bukura, më të hijshme, një tufë margaritarësh që vetëm ky bard di t’i qëndisë mjeshtërisht, çka do t’u thosha të gjithëve: Merreni këtë libër-testament të vargjeve popullore, lexojeni nga fillimi në fund dhe nuk do të mbeteni të zhgënjyer!

Gynter Grass: “‘Nobel’-i nuk më pengon të shkruaj”





Në një intervistë të fundit, nobelisti gjerman i letërsisë, Gynter Grass, rrëfen se përse vdekja nuk e tremb, mundësitë e munguara të Gjermanisë pas ribashkimit dhe planet për krijimtarinë e tij
Zoti Grass, libri juaj i ri titullohet “Fjalët e Grimit. Një deklaratë dashurie”. Cila është zanafilla e dashurisë suaj për vëllezërit Grimm, linguistët e famshëm gjermanë, që bënë edhe përmbledhjen e përrallave në shekullin XIX?
Marrëdhënia ime me Wilhelm dhe Jacob Grimm e ka zanafillën në fëmijërinë time. Unë jam rritur me përrallat e Grimëve dhe më pas kam parë edhe në teatër disa prej tyre. Mbaj mend se më çonte mamaja ime shpesh për t’i parë. Më pas vëllezërit patën një ndikim shumë të madh në punën time krijuese.
Në çfarë mënyre?
Epo ja, ndikimi i tyre ndihet në shumë shkrime të miat. Te “Miu” për shembull, ata portretizohen si ministri dhe zëvendësministri që përpiqen ta ndalojnë pyllin nga djegia.
Çfarë gjëje ju tërheq më shumë nga vëllezërit Grimm?
Mbi të gjitha natyra e tyre e pakompromis. Në vitin 1837 ata protestuan në Gottingen kundër rrëzimit të Kushtetutës (Mbretërisë së Hanoverit), që do të thoshte se u ngritën kundër shtetit. Ashtu si dhe rebelët e tjerë të grupit, të cilit i përkisnin dhe që njihej si grupi “Gottingen Shtatë”, ata për shkak të qëndresës që demonstruan i humbën pozicionet e tyre. Dhe detyra që i kishin vënë vetes pas kësaj u bë thuajse e pamundur. Bëhet fjalë për hartimin e një fjalori gjerman të fjalëve të urta dhe të proverbave. Ata mundën që ta çonin këtë përpjekje deri në germën e shtatë të alfabetit, por të tjerët që erdhën pas tyre arritën ta çonin përpjekjen deri në fund.
Po, por 120 vjet më vonë.
Po, kjo kohëzgjatje më ka bërë gjithmonë përshtypje edhe mua. Specialistë gjermanë nga të gjitha anët e Gjermanisë punuan për realizmin e kësaj vepre për 15 vjet resht. Në mesin e Luftës së Ftohtë ata u ulën qetësisht në tryezat e tyre të punës në Berlinin Lindor dhe në Gottingen dhe mblodhën shënime dhe shkrime për hartimin e këtij fjalori pan-gjerman. Ai është reflektim në fakt i tërë historisë gjermane, për të cilën kam folur te “Fjalët e Grimit”.
Po, dhe sikundër edhe historia juaj me këtë vend, luan një rol shumë të rëndësishëm në veprën tuaj.
Në librin “Lëkurat e qepës” jam përqendruar në një fazë më të hershme të jetës sime e më pas te “Kutia” kam shkruar për familjen time dhe lidhje të tjera njerëzore personale. Ky libër flet edhe për aspekte politike dhe sociale. Jeta e vëllezërve Grimm, të cilët jetuan në një periudhë historike të karakterizuar nga ndryshime radikale, ka ngjashmëri me ekzistencën time në një periudhë historikisht po aq radikale.
Të dy vëllezërit ju i përshkruani si “hulumtues e gjahtarë të fjalës”, si studiues që shqetësoheshin për domethënien dhe rregullsinë, qoftë edhe të një fjale të vetme. Ju shkruani edhe: “Nga njëra anë fjalët kanë kuptim. Nga ana tjetër ato mund të krijojnë edhe gjëra të pakuptimta. Fjalët mund të jenë mirëbërëse, por edhe vrasëse”. Në ç’mënyrë e kanë formësuar jetën tuaj kuptimet e ndryshme të fjalëve?
Kam kuptuar se fjalët janë të ngarkuara me pathos dhe dinë të krijojnë si eufori, ashtu edhe zemëratë. Një nga fjalitë që mund ta ilustronte atë që thashë është fjalia e Hitlerit: “Doni luftë totale”? Por e njëjta gjë vlen edhe për fjalitë. Në jetën time të gjatë kam dëgjuar fjalë dhe fjali që ma kanë ndryshuar jetën në të gjitha kuptimet dhe në kohë të ndryshme. Jam lëvduar dhe kritikuar. Kur më kanë kritikuar, sigurisht që nuk mund të them se nuk jam ndjerë keq dhe madje edhe kam përjetuar pak inat, por ja që ndodh, dhe kjo për shkak të forcës që ka fjala.
Cilat janë disa nga fjalët pozitive që mbani mend?
Fjalët vërtet të mrekullueshme që më kanë ndryshuar jetën për mirë janë kryesisht fjalët që unë i kam dëgjuar në fëmijëri. Janë fjalë kryesisht të vjetra, që tani nuk përdoren më, por që kur rrallë e tek i dëgjoj sot, më përcjellin një pozitivitet dhe mirësi. Edhe vëllezërit Grimm i konsideronin fjalët magjepsëse.
Duket sikur fjalët ju përcjellin ndjenja sigurie dhe paqeje...
Po, sigurisht. Është e vërtetë. Kam shkruar romanin tim, “Daullja prej teneqeje”, kur isha në Paris, ku nisa gjithashtu të punoja për “Vitet e qenit”. Por pas 4 vitesh vura re se sa i humbur ndihesha ndërsa isha i rrethuar nga një gjuhë e huaj. Më duhej patjetër që të kthehesha në Gjermani, në tokat ku flitej gjermanishtja. Përvoja ime ishte e ngjashme me atë të shumë shkrimtarëve që emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë periudhës naziste. Disa prej tyre e kishin shumë të vështirë që të jetonin në një vend të huaj, të komunikonin në një gjuhë të huaj, ndërkohë që në shtëpinë e tyre sundonte një diktator brutal. Ata kishin mall për gjuhën e tyre, t’u flisnin të tjerëve dhe t’i dëgjonin të flisnin në gjermanisht.
E njëjta gjë, edhe pse jo në përmasa të tilla, mund të vihet re edhe në vendin tuaj. Kështu, për shembull, kultura e të rinjve sot ka bërë që të futen shumë fjalë dhe shprehje të pakuptueshme për breza të tërë. Si ndiheni ju kur dëgjoni të flasin nipërit apo mbesat tuaja?
Për mua ata janë një burim i pashtershëm informacioni dhe përmes tyre mund të kuptoj ende sot zhargonin që qarkullon mes të rinjve. Ndërkaq që dëgjoj fjalë dhe shprehje të reja, e kuptoj që shumë të tjera kanë dalë jashtë përdorimit dhe janë bërë të rralla.
A ju vjen keq për këto humbje?
Në përgjithësi unë jam në një mendje me Jacob Grimm kur thoshte se ne duhet që ta lejojmë ndryshimin dhe rritjen e pakontrollueshme të një gjuhe. Edhe në rastin kur mund të përballemi me një kërcënim nga fjalët e reja. Gjuha është një qenie që ende po të mos duam ne është në ndryshim të vazhdueshëm. Në Francë, Akademia Franceze veçanërisht ka vendosur rregulla shumë strikte për gjuhën letrare dhe si pasojë mund të shohim se sa e ngurtë mund të bëhet një gjuhë kur i vendosen barriera artificiale dhe kur e mbrojmë më shumë se sa duhet.
Ju jeni një nga autorët e rrallë që i ilustroni vetë librat tuaj. Deri më sot i keni dizajnuar vetë të gjithë kapakët e librave tuaj. Përse një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për ju?
Është dora e fundit që i jap librit para se ta përfundoj dhe ta dorëzoj për botim. Për mua ilustrimi është po aq i rëndësishëm sa është fjalia e parë e librit dhe kërkon të njëjtin kujdes që kërkon edhe shkrimi i librit.
Cilat janë karakteristikat e një kopertine të mirë?
Ajo duhet që të përmbledhë dhe njëherazi të thjeshtëzojë mesazhin e librit dhe duhet të shndërrohet për të në një emblemë. Në kopertinën e librit “Vitet e qenit”, këtë e kam arritur duke vizatuar një kokë qeni që del nga hija. Ndërsa në librin “Anestezi lokale” kam zgjedhur një çakmak me një gisht që qëndron mbi të. Këtë herë kam përdorur germat. Nuk do të kishte pasur shumë vlerë sikur të kisha punuar për kopertinën me portrete të vëllezërve Grimm, sepse do të kishte dhënë vetëm një pjesë të mesazhit. Por çdo herë është një përvojë e mrekullueshme dhe unike.
Ju vazhdoni që t’i shkruani librat tuaj me një makinë shkrimi të vjetër, “Olivetti”, në një epokë kur gjithnjë e më tepër po i bëhet reklamë letërsisë në iPad apo lexuesve elektronikë. A nuk ndiheni në njëfarë mënyre si jashtë mode?
Jo. Në kompjuter një tekst duket gjithmonë si diçka e përfunduar edhe kur është shumë larg formës përfundimtare. Kjo është tunduese. Unë zakonisht e shkruaj versionin e parë të një libri të tërin pa ndërprerje dhe kur ka diçka që nuk më pëlqen, e lë bosh. Këto hapësira i mbush në versionin e shkrimit me makinën “Olivetti” dhe duke qenë se kemi të bëjmë me një makinë shkrimi, lë shumë hapësirë për të parashikuar edhe një zgjatim të madh. Në versionin e dytë bëj mbushjet e vendeve bosh dhe një lloj koordinimi mes të dyve.
A ka ndryshuar gjuha juaj gjatë dhjetëvjeçarëve, që kur keni filluar të shkruani?
Po. Fillimisht tentova që të hiqja qafe të gjitha pikat. Kur shkruaja “Macja dhe miu”, “Viette qeit” e të tjerë, ishte periudha kur shumë autorë më të vjetër se unë e ndjenin se gjuha gjermane nuk duhej t’u nënshtrohej kurrë më ekseseve.
E keni fjalën për të ashtuquajturën “letërsia e pastër”, ajo e periudhës së pasluftës, që njihej për një mënyrë shumë të pastër dhe të drejtpërdrejtë të të shprehurit?
Po, dhe ata autorë kishin shumë të drejtë që kërkonin një përkujdesje të madhe për gjuhën. Gjuha gjermane u dëmtua shumë gjatë periudhës së nazizmit. Por autorët e rinj, përfshi Martin Walser dhe Hans Magnus Enzensberger, nuk deshën që e gjithë gjuha të dënohej si e tërë, flas për atë të periudhës naziste. Si pasojë, shkrimet e mia tentonin që të shfrytëzonin gjuhën dhe ta bënin atë të jepte të gjitha gjërat që mund të japë një gjuhë. Tani, në këtë moshë, jam një njeri me përvojë dhe të shkruarit është shumë më i ndërgjegjshëm.
Çfarë doni të thoni më konkretisht?
Në shumë raste përvoja politike e jetës sime, të cilën e përshkruaj në librin “Fjalët e Grimëve”, më ka bërë të ndryshoj.
Çfarë mendoni për ribashkimin e Gjermanive?
Ende edhe sot mendoj, sikundër edhe në të shkuarën, se ne nuk duhet ta kishim aneksuar Gjermaninë Lindore në atë mënyrë tepër të nxituar. Është absurde të mendosh se si e humbëm këtë mundësi të madhe që na u dha. Nuk duhet që të ishim nxituar në atë moment. Gjermanolindorët dilnin nga dy diktatorë, ajo hitleriane dhe komuniste, njëra më e zezë se tjetra, dhe më pas iu nënshtruan edhe terapisë së shokut të kapitalizmit.
Çfarë do të kishit bërë ju?
Nuk do të kisha lejuar ribashkimin e Gjermanive me fonde të marra borxh. Ndërsa politikanët lëvdohen me ato që janë arritur gjatë këtyre viteve, e vërteta flet ndryshe. Në Lindje papunësia është në një shkallë më të lartë se në Perëndim dhe shumë zona janë braktisur, dhe për më tepër ai që konsiderohet si fenomeni i “murit në mendjet tona”, ende vazhdon. Është një mentalitet që nuk zhduket kollaj.
A mund të na thoni nëse i njihni vetes gabime të bëra në jetë?
Në rastin tim, të gjithë e dinë se unë u josha nga rinia hitleriane në vitet e mia të hershme të rinisë. E kam bërë të ditur një gjë të tillë në shumë libra. Por është një gabim nga i cili kam ditur që të nxjerr mësim.

DELINA CICI:Shumë dëshmi, një foto e bërë në Holandë, eksperimenti i parë që e prodhon... Shpjegimet e para të shkencës për vetëtimat globulare (rruzullak)


Cecina, 21 gusht 2005. Një grua dhe vajza e saj po përgatiteshin për të dalë pasdite. Gruaja po vesh vajzën, e cila është ulur në divan. Jashtë ka furtunë. Papritur në të majtë të saj shfaqet një dritë e bardhë në të verdhë, shumë e shndritshme. Kalon mes tyre dhe shpërthen. Në çati mbetet një e çarë e madhe rreth gjysmë metri. E çuditshme? Po, fenomene si këto nuk janë të shpeshta. Quhet "vetëtima globulare". Edhe shkencëtarët nuk dinë që t\‘i japin përcaktimin e duhur. Manifestohen në mënyra të ndryshme: shfaqen përkohësisht në qiell të kthjellët dhe shoqërohen nga bubullima. Shkencëtarët janë munduar që t\‘i studiojnë këto fenomene për shekuj me radhë. Kohët e fundit ka pasur një progres: për herë të parë i kanë fotografuar dhe i kanë krijuar në laborator në mënyrë bindëse.


Përshkrime në formë zigzagu

"Kanë një diametër rreth 20 cm dhe zgjasin për disa sekonda ose një minutë", shpjegon Albino Carbognani, autor i librit "I fulmini glubulari". Mund që të kenë ngjyra të ndryshme dhe shpesh lëvizin në formë zigzagu, me tendencën për të shmangur pengesat. Nuk kanë shumë energji, kështu që nuk janë të rrezikshme. Mund të lënë djegie të lehta. Shpesh formohen kur ka rrebesh, por në 30 për qind të rasteve ato shfaqen në qiell të kthjellët.

Këto fenomene janë të njohura që në antikitet edhe pse nuk kemi shumë dëshmi për këto të fundit. "Kur shfaqeshin fenomene të tilla, mendohej se ka qenë shfaqja e djallit, pasi ato lënë shenjë në qiell", cilëson Carbognani.

Në çdo rast, këto fenomene të çuditshme u kanë shtuar interesin edhe shkencëtarëve. I pari që i ka studiuar ka qenë Francois Arago, drejtues i Observatorit të Parisit në Francë, që nga 1834. Më pas kanë qenë Michael Faraday dhe Nikola Tesla në \‘800, më vonë italiani Ignazio Galli në fillim të \‘900 dhe së fundmi fizikani, i cili mori edhe çmimin "Nobel", rusi Pyotr Leonidovich Kapitza. Me gjithë studimet e tyre, vetëtimat globulare kanë mbetur një fenomen misterioz. "Ekzistojnë dy teori kryesore për t\‘i shpjeguar", thotë Carbognani. "Sipas një teorie, të propozuar nga Kapitza, ato që i prodhojnë këto të fundit janë valët radiofonike, të cilat përqendrohen në disa pika dhe \‘jonizojnë\‘ atmosferën". Prishin në këtë mënyrë molekulat e ajrit duke prodhuar elektrone dhe jone. Kështu që krijohen një tufë dritash, që quhen ndryshe "plazma" dhe njihet si vetëtima globulare.

Sipas një teorie tjetër, e cila është propozuar në vitin 2000 nga fizikanët australianë John Abrahamson dhe James Diniss, vetëtimat globulare formohen kur një rrufe godet në tokë. Në këtë mënyrë krijohet një re me "pjesë shumë të vogla", qindra herë më e hollë se diametri i një qimeje floku. Këto "pjesë shumë të vogla" tërhiqen mes tyre për shkak të forcave elektrostatike, duke prodhuar fije të holla, të cilat oksidohen në kontakt me oksigjenin e ajrit, duke prodhuar energji (dritë).

Fotoja e parë

Por cila është teoria e duhur? Dihet se për t\‘i fotografuar ato është shumë e vështirë. "Në internet gjenden shumë foto, por nuk kanë cilësi të mirë", thotë Carbognani. Ajo që bën përjashtim është një foto, e cila është fotografuar kohët e fundit në Rijswijk, gjatë një kohe me rrebesh. "Është fotoja e parë e një vetëtime globulare me të vërtetë bindëse", thotë Carbognani.

... eksperimenti i parë

Nëse fotoja, e cila është marrë në Rijswijk, është një lajm i mirë për të gjithë të pasionuarit pas këtyre fenomeneve, eksperimenti që është realizuar kohët e fundit në laboratorët e inxhinierisë në Universitetin e Tel Avivit në Izrael, sigurisht që përbën më tepër interes. Në këtë laborator, për herë të parë, Vladimir Dikhtyar dhe Eli Jerby kanë arritur që të krijojnë një vetëtimë globulare artificiale. "Arma e tyre sekrete" ka qenë një "top" i veçantë me mikrovalë, një instrument të cilin e kanë realizuar dhjetë vjet më parë. "Në disa raste formoheshin sfera të çuditshme të shndritshme", tregon Jerby. "Hera e parë që është vënë re rastësisht ka qenë viti 1997. Që atëherë kemi prodhuar këto fenomene". Cili është shpjegimi i këtij fenomeni? "Rezultatet tona janë shpjeguar mirë nga teoria e Abrahams dhe Diniss", përgjigjet Jerby.

Ende mister

Por nuk duhet të harrojmë se eksperimenti izraelit është realizuar me mikrovalë. Nuk është akoma e qartë nëse vetëtimat, ose fenomene të tjera elektrike të atmosferës, mund të krijojnë valë elektromagnetike të këtij lloji. Por të mos mendojmë më shumë për këto gjëra: mjafton të përmendet fakti se dikush ka arritur që të realizojë këto vetëtima-fantazmë në laborator dhe ky është një sukses i madh.


Dëshmi antike

Një ilustrim i fundit të \‘800, për të dokumentuar shfaqjen e një vetëtime globulare në Nizza, në Francë: sfera hyn nga dritarja


Dokumente të reja

Foto e marrë në Rijswijk, më 10 shtator 2005: është fotoja e parë bindëse e një vetëtime globulare (është evidentuar në rreth)


Ka qenë si flesh i një fotoje

Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht 2004, rreth orës 23:30. Një burrë shikon një flesh, ndërsa po afrohet drejt gardhit (më pas sheh dhe fleshe të tjera gjatë natës). Është një vetëtimë globulare, ose ndoshta "zjarri Shën Elmo"

Lëvizja në formë zigzagu

Vetëtimat globulare zakonisht zgjasin disa sekonda dhe lëvizin në formë zigzagu



Ja se si formohen (ndoshta)

1. Gjithçka fillon kur një vetëtimë godet tokën, për shembull duke rënë në një grumbull rëre

2. Nxehtësia që shkakton bën që të krijohet një gropë e madhe në rërë, që mund të prodhojë një fulgurit

3. Lëshohet edhe një re me pjesëza shumë të vogla, e cila në kontakt me oksigjenin e ajrit lëshon energji


Dy miliardë gradë!

"Makina Z", në funksion në laboratorin Sandia (SHBA), në fraksion të një sekonde, lëshon 290 trilion wat, si dhe një fuqi shumë të madhe elektrike


Akoma ekziston një mister i pazgjidhur: si ja bëjnë që të kalojnë mes për mes xhamave?



Janë sfera të mëdha 20 centimetra dhe zgjasin për disa sekonda




Në kërkim të dëshmive

Albino Carbognani, fizikan, tregon dëshmi mbi vetëtimat globulare



Mistere të tjera: zjarre & drita

Përveç vetëtimave globulare, qielli është i mbushur me fenomene të tjera misterioze, si për shembull "zjarri i Shën Elmo": sfera të shndritshme, rreth 10 cm të mëdha, të cilat krijohen nën pemë. Çfarë i shkakton? Shkarkimi elektrik, i cili është prodhuar nga të tilla objekte në prani të anës elektrike që zhvillohen në kohët me shi. Ndryshe nga vetëtimat globulare, nuk lëvizin.

Norvegjeze

Më pas janë dritat e Hessdalen, të cilat kanë marrë emrin nga fusha norvegjeze. Janë shumë të studiuara, por ende nuk dihet se çfarë janë.

Por në atmosferë ka edhe çudira të tjera, si për shembull globuj të kuq, rreth 20 km, por edhe disqe të shndritshme, që mund të arrijnë edhe 200 km

Vetëtimat mund të shkaktojnë dhembje koke, sidomos midis atyre që vuajnë nga migrena.

Vetëtimat nxisin migrenën

Shpështësia e goditjeve të migrevës rritet me një të tretat në ditët më shtrëngata, zbuluan ekspertë të Universitetit të Sinsinatit në SHBA.

Kjo është hera e parë që zbulohet një lidhje midis dhembjes kronike të kokes e kushteve metereologjike dhe besohet se studimi mund të jetë i rëndësishëm për të ndihmuar të prekurit nga migrena që të marrin trajtim parandalues.

Studimi i Universitetit të Sinsinatit u realizua nëpërmjet analizimit të qindra të dhënave nga të prekurit nga migrena, të cilët dolën vullnetarë për të marrë pjesë në këtë studim nga shtete amerikane të Ohajos apo Misurit.

Sipas të dhënave, në ditët me shtrëngata, goditjet e migrenës verifikojnë një rritje prej 28-31% nga mesatarja e përgjithshme.

”Ka disa mënyra me anë të të cilave vetëtimat mund të shkaktojnë dhembje koke”, deklaroi profesori Vincent Martin.

”Valët elektromagnetike të transmetuara nga vetëtimat janë përgjegjëset kryesore, por vetëtimat ndikojnë gjithashtu në lëshimin e disa elementëve në ajër si ozoni, i cili ndikon në lëshimin e sporeve që nxisin migrenë”. 

Tradhtëitë...


Si zbulohet tradhtia?
































Në shekullin që jetojmë, rastet klasike të ekspozimit të tradhtisë, si një takim i padëshiruar në rrugë apo më keq, në dhomën e gjumit, po shndërrohen gjithmonë e më shumë në “fanta-shkencë”. 


Epoka aktuale është ajo në të cilën tradhtia zbulohet në celularin e partnerit apo në llogaritë e rrjeteve shoqërore.

Kështu tregoi një anketë e publikuar në “Daily Mail”, me pothuajse gjysmën e njerëzve që dëshmuan se një tradhti e realizuar apo pësuar është ekspozuar pas kontrollit të celularit nga partneri.

Megjithatë, ajo që mbetet e pandryshuar është fakti se në 98% të rasteve tradhtia ekspozohet dhe në vetëm 2%, pendesa çon në kërkesë falje dhe rrëfim nga partneri që mban lidhjen paralele.

Këto janë mënyrat më të shpeshta të zbulimit të tradhëtive

1. Mesazhe të gjetura në celular - 41% i rasteve
2. Nëpërmjet rrjeteve shoqërore  - 23%
3. Nëpërmjet kontrollit të folderave dhe të dhënave të tjera në kompjuterin personal  -  13%
4. Të kapur në flagrancë  -  11%
5. Një shok/shoqe të thotë të vërtetën - 5%
6. Një anëtar i familjes ekspozon tradhtinë  -  3%
7. Tradhëtari pranon lidhjen e tij spontanisht  -  2%
8. Një mënyrë tjetër  -  2% 

Clare Foges, 31-vjeçarja poete britanike që mendohet si arkitektja e fjalimit të mesjavës së Cameron.



Poetja që qendron pas fjalimeve të Cameron
































Në mesjavë kryeministri britanik, David Cameron mbajti fjalimin ku paralajmëroi referendumin ku britanikët do të vendosin nëse duan të qendrojnë brenda Bashkimit Europian ose jo. 


Përvec bujës së lajmit, ranë në sy edhe fjalët e përzgjedhura nga Cameron për transmetimin e vendimit të tij. Fraza si “do të jetë një referendum po ose jo” dhe tjetra “do të luftoj me zemër e shpirt për Britaninë në BE”, mbeten në kujtesën e qytetarëve britanikë.

Sigurisht, kryeministri Cameron ka stafin e tij të këshilltarëve dhe mes tyre edhe ata për komunikimin me publikun, që shpeshherë përcaktojnë balancat në fjalimet publike të udhëheqësve.

Një ndër ta është edhe Clare Foges, 31-vjeçarja poete britanike që mendohet si arkitektja e fjalimit të mesjavës së Cameron.  Ajo është një eksperte në marrëdhëniet dhe komunikimin me publikun. Përcmon fjalimet me “linjë të padukshme për masën” nga ana politikanëve të lartë.



Në Londër po i jepen lëvdatat dhe meritat më të mëdha për “daljen faqebardhë”  të Cameron, por vetë ajo tregohet modeste duke thënë se luajti thjesht një rol të vogël. Më tej ajo flet edhe për marrëdhënien e saj me kryeministrin të cilin e quan mëndjemprehtë, shakator dhe shumë i qartë në atë që kërkon nga fjalimet e tij. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...