Ymer
Halimi
Vijnë çastet
kur edhe politikanët i shohin dobësitë e veta dhe për shkak të presionit të vet
të brendshëm në pasigurinë e hapave politikë i frenojnë ambiciet e tyre jo
realiste dhe fillojnë të zgjedhin rrugën e maturisë. Jo rrallë ka ndodhur
kështu. A është ky çast kthese kur z. Thaçi i shtroi tepih të kuq z. Haradinaj
kur u kthye triumfues nga gjyqi i Hagës?! Unë e shoh si një çast (gjest) të mirë
për dy arsye: Besoj se fiton Atdheu, se shtendoset skena politike nga ato
urrejtje primitive politike, dhe e dyta, më pak e rëndësishme, ngadhënjeu
mendimi im. Në javën e dytë të prillit, me 2004, i kisha thënë në fytyrë, me
shprehje jo të pëlqyer, por intelektuale, z. Thaçit, se e kishte gabim qëndrimin
se kush nuk mendonte si ai është armik i tij. Qëndrim të cilin e shfaqi për
shokët e tij. I sqarova pse mendoja ashtu. Ai u bë tepër nevrik. E gjitha bëhej
në prani të një miku tonë të përbashkët, nën ombrellën e të cilit ishim që të dy
dikur. Qëndrimi im aq i hapur e aq i prerë, sigurisht e kishte arsyen. Për të
mos heshtur në jetë më obligojnë edukata e prejardhja ime familjare, qëllimi i
pastër dhe eksperienca jetësore. Megjithatë, mendimi im ngadhënjeu më 29 Nëntor
2012. Por, edhe unë jam gjallë(!).
S’ka
hamendje se konceptet trimëri dhe atdhetari kanë dallim; politikan dhe atdhetar
përsëri kanë dallim; i virtytshëm e profesionist e politikan kanë dallim;
intelektual dhe politikan kanë dallim; shtet e shtet ligjor kanë dallim. Por
s’ka hamendje se “asnjë funksion artificial a post politik nuk mund t’ua japë
njerëzve, politikanëve, ato virtyte që Zoti, natyra, edukimi dhe tradita
familjare nuk ua dha”. Ky mendim rrodhi që tremijë vjet dhe demokracitë e
vërteta e vlerësuan. Po ne si vepruam? Sa shihet në skenën tonë politike ky
vlerësim ka munguar, e sidomos të virtytshmit në politikë. Prandaj, kjo që po
thuhet zëshëm nga politikanë e njerëz të zakonshëm, po edhe nga politikanët
evropianë, se Kosova ka “gjendje të vështirë”, është edhe për shkak të
“qëndrimeve mjerane politike të politikanëve” dhe për pasojë sot kemi shtetin me
procese demokratike më të pazhvilluara, me pushtetin më të korruptuar, me
politikanë tepër të privilegjuar, me shkallën më të lartë të varfërisë dhe të
papunëve, ku prodhimi i vendit nuk e kalon atë që dikur ishte, rreth viteve
1970-ta. Sot, në shëndetin publik kemi shërbimin më të ulët të mundshëm;
arsimimi, e ripërsëris, është në pikën më të ulët të vlerësimit dhe nxënies së
dijes, administratën më megalomane e të ngarkuar jashtë çdo norme me nepotizëm.
Bile nepotizmi është platformë politike e disa partive tona politike. Ka edhe
ministra që thonë hapur: nuk mund t’i menaxhojmë disa sektorë, se krimi i
organizuar, e veprimi i parapolitikës është tepër i fuqishëm. Gjyqësia e
prokuroria kanë veprime seleksionuese, jo funksionale aq sa njësitë vlerësuese,
institute demokratke amerikane dhe europiane, po japin alarmin, si edhe vetë
njerëzit e thjeshtë të Kosovës. Thjesht kanë mbetur pak dikastere qeveritare ku
publikisht nuk pëlcitën aferat korruptive. Shkalla e zbulimit të
krimeve të rënda është në një nivel shumë të ulët. Si vend sot jemi nën alarmin
maksimal për ta luftuar varfërinë, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por ka
edhe ca politikanë që zhvilluan procese dhe shënuan ca suksese qeverisëse, falë
virtytit e profesionalizmit të tyre.
Kjo
gjendje e dëshmuar është krejt e kundërt nga përgjegjësia historike që këto
gjëra të mos i lejonim të ndodhnin, aq më shumë kur vendi ynë vetëm para një
dekade dha, në një vit luftë për liri, më se 12000 të vrarë e qindra mijëra të
përdhunuar e të fyer, 120 000 shtëpi e prona të shkatërruar, e mbi 800 000 të
dëbuar nga shtëpitë e tyre. Shumëçka nga kjo u tejkalua kryesisht falë miqve
tanë, popullit të vyer dhe ëndrrës se e fituam lirinë.
Mbi
të gjitha një gjë është tepër e saktë, se në një shtet këto dobësi mund t’i
luftojë vetëm lidershipi i shtetit që është i përgjegjshëm, i gatshëm për t’i
luftuar. Por jo kur politikanëve u mungon kuraja, e fshihen pas nacionalizmit
inekzistent “se jemi të rrezikuar nga jashtë”, e politikën e ushtrojnë mbi
gënjeshtra duke i bërë ato “art të përkryer”, e instinkti i tyre mbisundohet nga
vlera materiale. Atëherë, politika është e sëmurë, e rrezikshme, e kjo po i
ndodh çdo ditë vendit.
Sot, trumbetohen nga pushteti
dy gjëra: shpallëm pavarësinë dhe ndërtuam rrugë, që janë dy elemente të
pashmangshme për këdo që do të qeveriste. Po ku do t’i linin taksat e popullit
? Por po shihet se shteti është jo funksional, ka të rrënuar themelin e
demokracisë - votën e lirë dhe sot siç thoshte filozofi Niçe: “Nënshtrimi u
shndërrua në normë morale”, te qytetaria përballë pushtetit dhe e shtetit
përballë shteteve të tjera.
Përgjegjësia bie
tek oferta e opozitës
Një gjë është e
njohur, se ndryshimet te proceset shoqërore janë tejet të ngadalshme, janë shumë
inerte. Efekte të shpejta nuk pritën. Por, vendimet pragmatike ngjallin shpresë.
Prandaj, zgjidhjen e të gjitha problemeve që ka Kosova duhet parë, sipas
rregullës demokratike, ofertës pozitë - opozitë.
Kjo gjendje kaq e rënduar nuk
do të arrihet dot të ndryshohet në mënyrën e duhur me pushtetin e tanishëm me
këtë mentalitet qeverisës, ku tranzicionit nuk i shihet fundi. Atëherë,
përgjegjësia është tek oferta e opozitës.
Por, si vepron kjo opozitë?!
Ka qëndrim jo koherent, pa liderizëm unik, tash për tash pa ofertë
cilësore. E fragmentuar, se partitë nuk janë të profilizuara dhe te to mbretëron
bajraktarizmi primitiv individualist.
Kështu, Vetëvendosja qëndrimet politike i mbështet në parimin e “të
drejtës absolute”, që në praktikën politike njihet si politikë radikale, se i
nënshtrohet mendimit, “asnjë ligj e asnjë marrëveshje nuk është detyruese”
jashtë të drejtës absolute. Vetëvendosja e ka në dorë të drejtën absolute, kur
është në pyetje privatizimi, korrupsioni, përgjegjësia politike e politikanëve,
për bisedimet Kosovë - Serbi, edhe ca neneve kushtetuese jodemokratike në
Kushtetutë dhe te zhvillimi ekonomik. Vetëvendosja nuk pajtohet që Kosova të
jetë kaq e kushtëzuar, nga brenda dhe nga jashtë nga faktori ndërkombëtar,
nëpërmes klaneve politike vendore. Lufton për identitet, shteti me qëndrim
karshi të gjitha problemeve të shtetit. Vetëvendosja mendon se Evropa
demokratike duhet bërë presion Serbisë që të heqë dorë nga ndërhyrjet në
territorin e Kosovës, po dhe pesë shteteve të saj që ta njohin Kosovën e jo
Kosovës për t’i bërë lëshime të reja Serbisë, përtej lëshimeve që i janë bërë në
Vjenë. Ajo e kërkon politikën e simetrisë. Në politikë është e mundshmja
përballë të drejtës absolute, prandaj Vetëvendosja duhet të shkojë në kahun e
rritjes së ligjimitetit të votës qytetare, por jo të humbë kohë në ndërrimin e
qeverisë.
Të dy
grupimet e tjera opozitare politike, LDK dhe AAK, kanë një qëndrim të moderuar
karshi kërkesave që VV i konsideron të drejta absolute. Këto dy subjekte për
shkak se e kanë pasur pushtetin, janë bashkëfajtore për shumë probleme të cekura
dhe janë kooperative me pushtetin edhe në çaste të panevojshme. Thjesht, LDK-ja
është strukturë amorfe politike që mbijeton si rezultat i inercionit të saj nga
e kaluara. I mungon guximi dhe vizioni politik dhe ndihet e tradhtuar.
Ndërsa në emër të një “konstuktiviteti politik” e “gjendje të vështirë
për vendin”, e kryesisht për shkak të peshës specifike të votës ajo ka
fleksibilitet politik më shumë se çdo parti tjetër. Prandaj, kërkesa AAK-së për
hise në pushtet, në këtë çast më pak se gjysmë mandati, është një lojë
demokratike jo e zakonshme. Bile e dëmshme për shtetin dhe për vetë AAK-në.
AAK-ja, ofertën e pushtetit e refuzoi me këmbëngulje, se ishte e vetëdijshme se
nuk mund të ndikojë në qeverisje në mënyrën e duhur në një koalicion të këtillë.
Një gjë duhet të jetë e qartë për AAK-në, se PDK me koalicionin e vet e ka
legjimitetin e numrave demokratikë dhe kjo aspak nuk forcon e as nuk dobëson
proceset demokratike me hyrje në qeverisje, përveç që e stabilizon pushtetin e
sotëm. Ndërkaq, AAK-ja duhet të dijë se rruga e inkuadrimit të këtillë në
pushtet ka krijuar pushtete absolute. Këto raste njihen në praktikën politike
dhe dëmtojnë rëndë demokracinë.
Ndoshta është koha kur PDK dhe AAK po e kuptojnë çastin e kthesës
politike?! Në një mënyrë kjo po diktohet të përpjekja e PDK-ës për ta joshur në
bashkëqeverisje AAK-në, se ka deficit moral në qeverisje në këtë çast dhe
dëshiron bashkëhisedarë. Në vazhdim kërkon ta topisë opozitën. PDK e di se
aleati i saj i natyrshëm është AAK-ja, se aleatet e saj të tanishëm janë të
vdekur klinikisht dhe i nevojitet një aleat i ri, që do të llogarisë edhe për
zgjedhje të ardhme. PDK ndoshta e ka kuptuar mendimin e Getës, “gjarpri që nuk
ndërron lëkurën do vdesë”.
Por
roli i AAK-ës në opozitë është më i rëndësishëm për Kosovën, se kjo opozitë ka
detyrë që Kosovës t’ia kthej imazhin e rrënuar e njerëzve të saj t’u japë
shpresë se edhe në Kosovë mund të jetohet mirë; se Kosova ka forcë vetjake që
ta luftojë krimin, korrupsionin e papunësinë; se Kosova ka forcë reformuese që
votën e lirë, si themel demokracie, ta mbrojë dhe mund të funksionojë si shtet
ligjor dhe se integrimin europian nuk duhet parë si koncept fiktiv abstrakt
detyrues; se ne nuk shkojmë në Europë, se prapë do jemi këtu, dhe Europa nuk na
bën të pasur, por kemi detyrim të sillemi me norma europiane. Kjo opozitë, po
edhe pjesë e pozitës, duhet të jetë e gatshme të ngadhënjejë mbi grupe informale
që bënë veprime parapolitike e po kërkojnë legjimitetin te vota e popullit. Kjo
është një shkallë rreziku e provuar. Këto struktura janë instaluar në ca
segmente të qeverisjes dhe po tregojnë një agresivitet e shkelje ligjore në çdo
hap.
Opozita duhet të japë ofertën
reale për shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
dhe mbrojtjes së votës së lirë, shtegun e ngritjes ekonomike. Kjo pritet edhe
prej z. R. Haradinaj, prej pragmatizmit të tij në politikë, nëse
kjo nuk shuhet nga lakmia momentale për pushtet.