2013-01-24

Nënkryetari i deritashëm i PDK-së, Fatmir Limaj, megjithëse ndodhet në burg, do të jetë kandidat për Kryesinë e Partisë.


PDK: Limaj është kandidat për kryesi
Nënkryetari i deritashëm i PDK-së, Fatmir Limaj, megjithëse ndodhet në burg, do të jetë kandidat për Kryesinë e Partisë. Edhe “aleatit” të tij më të mirë brenda partisë, Jakup Krasniqit, do t’i dërgohet ftesë për Kongresin e Përgjithshëm që mbahet këtë fundjavë, ka bërë të ditur koordinatori për zgjedhje në PDK, Basri Musmurati. Deri më tani, kandidati i vetëm për kryetar është Hashim Thaçi.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të shtunën në mbrëmje do të bëjë hapjen solemne të Kongresit të Përgjithshëm, kurse të dielën nga ora 9:30 në mëngjes, do të vazhdohet me punimet për zgjedhjen e organeve qendrore të partisë.
Ndonëse nënkryetari i partisë, Fatmir Limaj, ndodhet aktualisht në burg, si i dyshuar për krime lufte në Rastin Kleçka, ai do të jetë kandidat për anëtar të Kryesisë, ka sqaruar koordinatori për zgjedhje në PDK, Basri Musmurati, të enjten në një takim me gazetarë.
“Ne kemi qëndrim si kryesi që të kandidohet komplet kryesia, anëtarët e kryesisë deri më tash, dhe në mesin e të parëve është edhe zotëri Limaj, sepse ai është ende nënkryetar i parë i partisë, një personalitet shumë i fuqishëm i PDK-së”, ka thënë Musmurati.
Ndërsa, sekretari i partisë, Jakup Krasniqi, i cili i ka kërkuar kryetarit Hashim Thaçi që Kongresi të shtyhet për shkak të pamundësisë së pjesëmarrjes së Limajt, nuk dihet ende nëse do të marrë pjesë.
Musmurati ka thënë se atij pa dyshim se do t’i dërgohet ftesë. “Me Jakup Krasniqin është zhvilluar Partia Demokratike e Kosovës, edhe atëherë kur ne të tjerët pak kemi dashur të rrimë anash, ky gjithmonë ka iniciuar diçka që të punohet dhe ka një falënderim të veçantë për atë që e ka bërë deri më tash. Ftesën jo që s’kam arsye, por s’kam fytyrë mos me ia dërgu”, është shprehur ai.
Kryetari aktual i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të jetë i pasfiduar për të vazhduar drejtimin e partisë, të cilën e udhëheq që prej themelimit.
Por, Musmurati thotë se gara ende është e hapur. “Deri më tash ne nuk kemi ndonjë emër tjetër për kundër kandidat për kryetar të partisë, përveç Thaçit. Deri në momentin që fillon Kongresi, ne presim që ne të kemi kandidatura. Nëse nuk ka, ky do t’i hyjë procesit zgjedhor dhe Kongresi do të votojë. Kongresi është ai i cili do të vendos a do ta votojë nëse është një kandidat i vetëm me vota të hapura, ose të mbyllura”, ka sqaruar ai.
Delegatët e përzgjedhur për Kongres të Përgjithshëm, kryetarët, kryesitë dhe këshillat e degëve, ministra dhe deputet të PDK-së, bashkë me rreth 200 mysafirë të ftuar, pritet të jenë prezentë në hapjen solemne të shtunën, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...