2013-01-24

PDK e fton AAK-në në koalicion


Me përshëndetjen për Rezolutën për Kosovën të miratuar në Këshillin e Evropës në Strasburg, ka nisur seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për këtë vit. Ligjvënësit opozitarë thanë se pasqyra e Kosovës e paraqitur në Këshillin e Evropës, ishte mjaft e errët. Ata kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ballafaqohet me sfidat që paraqiten në këtë rezolutë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Qeveria e Kosovës, në vend se të fshihej pas një paragrafi të mirë të kësaj rezolute, do duhej të merrej me sfidat e paraqitura aty. Osmani tha se edhe pse kjo rezolutë konsiderohet hap pozitiv sa i përket aspektit politik të kontakteve, pasqyra e Kosovës aty paraqitet mjaft e errët.

“Fjalët që mbizotërojnë janë korrupsion, krim i organizuar, varfëri, mungesë e sundimit të ligjit, trafikim i njerëzve, dhunë, joefikasitet dhe fenomene tjera negative që në fakt janë pasqyrim i një realiteti të hidhur me të cilin duhet të ballafaqohet Qeveria e Kosovës”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi tha se këtë rezolutë, gjithë skena politike duhet ta sheh si sinjal të kohës së veprimit, duke ndryshuar qasje, në mënyrë që pozita të largojë zyrtarët me qasje abuzive, ndërsa opozita të largojë energjitë negative. E në këtë rast, ai i bëri ftesë të hapur AAK-së për bashkëqeverisje, duke thënë se partnerin aktual, AKR-në, e tipizon mungesa e kohezionit dhe vizionit politik.

“Është koha për të bërë ndryshime në Qeveri dhe në politikat qeverisëse. Për këtë arsye lidershipi karizmatik i AAK-së, duhet të reflektojë realisht për interesat e vendit dhe jo të rrëshqas në kalkulime të papranueshme, për të përvetësuar nga momenti ndonjë objektiv të paarritshëm, sepse edhe nuk mund ta arrijë. Duhet të pranojë bashkëqeverisje të kërkuar”, tha Krasniqi.

Kjo deklaratë e Krasniqit, ka nxitur reagimin e shefes së Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, Myzejene Selmani. “Të apelojë të shkosh te kryetari i partisë tënde dhe të kuptosh a do të rrish në koalicion apo jo, sepse shumë e rrugës është që t’i së pari ke nevojë ta shikosh veten a je për koalicion apo jo”, tha Selmani.

Ndërkohë, edhe çështja e Luginës së Preshevës u bë temë në seancën e Kuvendit. Zenun Pajaziti deputet i PDK-së shprehu shqetësimin për veprimin e dhunshëm të autoriteteve të Serbisë, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesit politikë të Luginës që të jenë të bashkuar në përgjigje të këtyre veprimeve dhe të marrin masa të koordinuara për kthimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së.

Kurse, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu e akuzoi kryeministrin Hashim Thaçi për mospërkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ky kryeministër i akuzon qytetarët e pambrojtur dhe të papërkrahur për dobësi. Kjo është e pandershme dhe pafytyrësi e papranueshme”, tha Aliu.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në rend dite në seancën plenare, përveç pikave të tjera, ka edhe zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës dhe anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media





Koalicioni qeverisës mes PDK-së dhe AKR-së mund të përfundojë në fillim të shkurtit nëse kryeministri Hashim Thaçi nuk i përmbushë kërkesat e AKR-së për reforma ekonomike dhe postet ministrore, paralajmëron zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila. Por sipas Adem Grabovcit të PDK-së për këtë çështje shumë shpejt do të vendosin Thaçi e Pacolli.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar të mërkurën për “Tribuna Shqiptare” se AKR do të vazhdojë bashkëqeverisjen me PDK-në vetëm nëse kjo e fundit i plotëson kushtet për të cilat janë pajtuar në fillim të koalicionit.

“Në njëfarë forme, me krijimin e hapësirës, tash pas largimit të ministrit Agim Çeku dhe pas akumulimit të disa pakënaqësive të cilat nuk kanë të bëjnë aq shumë me postet qeverisëse ose ministrore sa kanë të bëjnë me pakënaqësinë tonë për zbatimin e reformave ekonomike, kemi ardhur tek një pikë shumë serioze dhe kjo pikë është një trajtim shumë serioz i koalicionit, por jo vetëm në raport të posteve por edhe në raport të zbatimit të reformave. Deri tash ne kemi zbatuar reformat ekonomike për aq sa na është dhënë hapësira por gjithashtu kanë ekzistuar siç e dini edhe pakënaqësi dhe ndeshje nganjëherë mes resorëve të ndryshëm në kuadër të koalicionit, që ne i kemi vlerësuar si të panevojshme”, tha Kusari-Lila, shkruan Koha.

Ajo tha se në situatën e krijuar, do ta bëjnë zgjidhjen më të mirë të mundshme. “Në rast se ne nuk do të gjejmë zgjidhje për një zbatim të programit, atëherë ne me siguri që kërkojmë nga partneri i koalicionit t’i plotësojë pozitat të cilat ne për momentin i kemi dhe t’ia dorëzojmë detyrën tonë dhe ne të vazhdojmë aktivitetin tonë si parti politike”.

Ajo tha se nëse AKR largohet nga Qeveria, atë e bënë më shumë për mos hapësirën që të zbatohet në tërësi programi ekonomik sesa për postet ministrore.

Kusari-Lila tha se çështja e vazhdimit apo jo të koalicionit me PDK-në do të dihet shumë shpejt.



Në seancën plenare të mbajtur të enjten ka pas disa përplasje verbale mes deputetëve të koalicionit qeverisës. Deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi i ka bërë thirrje partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për bashkëqeverisje, pasi që nuk ka qenë i kënaqur me partnerin e deritashëm. Kurse deputetja nga Koalicioni për Kosovë të Re, Myzejene Selmani i ka rekomanduar Krasniqit të pyes kryetarin e tij për çështjen e koalicionit.

Deputetët kanë përshëndetur rezolutën e Këshillit të Evropës, por kanë dhënë edhe kritika në adresë të Qeverisë për mos iniciativën për anëtarësim në këtë Këshill.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi tha se këtë rezolutë, gjithë skena politike duhet ta shohin si sinjal të kohës së veprimit, duke ndryshuar qasje, pozita të largojë zyrtarët me qasje abuzive, ndërsa opozita të largojë energjitë negative.

Me këtë rast, ai i ka bërë ftesë të hapur AAK-së për bashkëqeverisje, duke thënë se partnerin aktual, AKR-në, e tipizon mungesa e kohezionit dhe vizionit politik.

“Është koha për të bërë ndryshime në Qeveri dhe në politikat qeverisëse. Për këtë arsye lidershipi karizmatik i AAK-së, duhet të reflektojë realisht për interesat e vendit dhe jo të rrëshqas në kalkulime të papranueshme, për të përvetësuar nga momenti ndonjë objektiv të paarritshëm, sepse edhe nuk mund ta arrijë. Duhet të pranojë bashkëqeverisje të kërkuar”, ka thënë Krasniqi.

Por deputetja nga KKR-së, Myzejene Selmani, i ka apeluar atij që flas me kryetarin e vet të partisë para se të flas për koalicionin.

“Të apeloj të shkosh te kryetari i partisë tënde dhe të kuptosh se a do të rrish në koalicion a jo. Dhe shumë më e rrugës është që ti më së pari ki nevojë për vetveten a je për koalicion a nuk je për koalicion”, ka deklaruar Selmani.

Ndërkohë deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se LDK edhe njëherë përshëndet miratimin e rezolutës në Këshillin e Evropës të përgatitur nga eurodeputetit, Bjorn Sydow.

Sipas saj më e rëndësishmja për vendin tonë është thirrja që bëhet në rezolutë për kontakte të drejtpërdrejta mes zyrtarëve të Këshillit Evropës dhe institucioneve të Kosovës.

Por ajo nuk ka lënë pa kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ka ndërmarr hapa për anëtarësim në këtë Këshill.

“Megjithatë dua të gjithë të kemi të qartë që hapi drejt anëtarësimit në këtë mekanizëm nuk bëhet me rezoluta, drejt anëtarësimit në këtë institucion bëhet vetëm e vetëm nga Kosova. Gabohemi që nëse presim që ftesën të na bëjë Këshilli i Evropës. Anëtarësimi bëhet me një votim final në Këshillin e Ministrave të këtij institucioni dhe Kosova e ka plotësuar kushtin formal, sepse ka 34 nga 47 vota, pra më shumë se 2/3 që kërkohet. Është për të ardhur keq që institucionet e Republikës së Kosovës kanë hezituar të bëjnë hapa konkret drejt anëtarësimit në këtë organizatë”, ka deklaruar Osmani.

Por pas këtyre kritikave ndaj Qeverisë, ka ardhur reagimi nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se Kosova ka votat për anëtarësim në KE, por jo edhe të deputetëve parlamentar.

“Republika e Kosovës është fakt që i ka votat që aplikoj për anëtarësim në Këshill të Evropës, mirëpo nuk i kemi votat e të gjithë deputetëve parlamentar të Këshillit të Evropës. I ftoj deputetët e Kuvendit që të punojnë me deputetët e Asamblesë së Këshillit të Evropës”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka kritikuar kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi për kritikat që i ka dhënë lidershipit në Luginën e Preshevës, për mos mbrojtjen e lapidarit të UÇPMB-së.

Ai ka thënë se këta politikan në Kosovë e kanë ndërtuar shtetin për përfitim personal dhe jo për mbrojtjen e shqiptarëve.

“Gjatë tërë kohës sa vazhdonin negociatat shqiptarët atje vazhdonin të duronin terrorin nga Serbia, e tash kur duhej të mbrohen ata akuzohen për qyqarëllak. Këta politikan shtetin e kanë ndërtuar për veti, për përfitim personal dhe për sigurinë e vetvetes. Por kur duhet të mbrohen ju thonë bënja qaren vetvetes”, ka theksuar Aliu.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka akuzuar institucionet e vendit për largim të investitorëve.

“Jam duke folur sot për veprimet koordinuara të përndjekjes së investitorëve të huaj që kanë shënjestër e investimeve që vijnë nga vendet që kanë qenë lider të rrugëtimit të Kosovës nga okupimi drejt pavarësisë së saj”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Një kërkesë e LDK-së që të futet në rend të ditës çështja e Fabrikës së Tubave në Ferizaj nuk ka arritur që të hyjë.

Seanca ka vazhduar punimet me rendin e ditës me miratimin e disa projektligjeve.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...