Në mesjavë kryeministri britanik, David Cameron mbajti fjalimin ku paralajmëroi referendumin ku britanikët do të vendosin nëse duan të qendrojnë brenda Bashkimit Europian ose jo.
Përvec bujës së lajmit, ranë në sy edhe fjalët e përzgjedhura nga Cameron për transmetimin e vendimit të tij. Fraza si “do të jetë një referendum po ose jo” dhe tjetra “do të luftoj me zemër e shpirt për Britaninë në BE”, mbeten në kujtesën e qytetarëve britanikë.
Sigurisht, kryeministri Cameron ka stafin e tij të këshilltarëve dhe mes tyre edhe ata për komunikimin me publikun, që shpeshherë përcaktojnë balancat në fjalimet publike të udhëheqësve.
Një ndër ta është edhe Clare Foges, 31-vjeçarja poete britanike që mendohet si arkitektja e fjalimit të mesjavës së Cameron. Ajo është një eksperte në marrëdhëniet dhe komunikimin me publikun. Përcmon fjalimet me “linjë të padukshme për masën” nga ana politikanëve të lartë.
Në Londër po i jepen lëvdatat dhe meritat më të mëdha për “daljen faqebardhë” të Cameron, por vetë ajo tregohet modeste duke thënë se luajti thjesht një rol të vogël. Më tej ajo flet edhe për marrëdhënien e saj me kryeministrin të cilin e quan mëndjemprehtë, shakator dhe shumë i qartë në atë që kërkon nga fjalimet e tij.