2013-01-26

Vetëm ti je para meje...


Nga Flori Bruqi 


IZET DURAKU u lind në Morin të Lumës në vitin 1956, fshat ky që i takon brezit kufitar me Kosovën. Shkollën fillore e kreu në Morin, kurse të mesmen në Kukës. Më pas Izet Duraku studio për letërsi në Universitetin e Tiranës ku u diplomua në vitin 1981. Në vijim të studimeve pasuniversitare është në proces të doktoraturës në fushën e etnologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Për 5 vite ai ka punuar mësues në fshatin Domaj-Has, të qarkut të Kukësit, më pas filloi punë si gazetar në gazetën "Bashkimi", kurse për shumë vite, pas shembjes së diktaturës. Në saj të Izet Durakut, Radio Kukësi u vu në shërbim të Kosovës dhe lirisë së saj. Në vitin 1997, ai do të vendoset në Tiranë dhe do të vazhdoj punën në Radio Tirana.

Aktualisht është drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, pranë Ministrisë së Kulturës në Tiranë.

Librat e botuar:
"Drini i Bardhë", Tiranë 1985.
“Vezullim heshtash”. Tiranë 2004.
“Pragu”, Tiranë 2002
“Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar”,Tiranë 2008

Etj.

-




YJE

Flokëve të korbtë të natës
pluhur rrezëllitës, re farfuritëse
yjesh të mëdhenj, vetëtitës si buzëqeshja,
shpresa joshëse zgripit të dritës
yje të venitur prej plakjes a lodhjes sonë
s'shohim shkreptimën e lindjes
të tejdukshëm, të ngjeshur, yje të panumërt
të vegjël, prej nisjes të vegjël
sosur lëngatës së padukshme, të djegur
për dert a kotnasikoti, yje të rrallë
të fuqishëm shkretojnë kope yjesh
vrella ankthesh, kandjesh të paprovuara
mërzi e mykur bredhjesh, kotje shfrimesh
të befta, përplasje të rrasta fatesh
yjore pa e njohur hiç përplasjen...
Flokëve të korbta të natës
nuses sonë bujare që na le t'i shohim yjet.

NJË QERRE

Një qerre në pasqyrën e syve, qiejve të dridhshëm,
Si gjethet e plepishtes buzë rrugës
Zbardhja e beftë e dhëmbit të dhimbjes
Mes kremit të fjalëve, një qerre
Në pikë të drekës së shtrirë plazheve përvëluese...
Loja e përjetshme e ujit me bregun
Sulm e tërheqje, rrota e fatit në dorën
E ngashërimit të fëmijës, fanitja e muzgut
Në mëngjesin e qelqtë të thërmuar prej erës
Një qerre, shtegtim i krojeve në ëndrrën
E shkretëtirës, rikthimi i fluturimit
Në pullazin e vjetër, ylli që bie, shuhet ngadalë
Brenda meje, pa kalorës, pa kuaj, një qerre
Hija e brirëve të qeve, shatërvanë avulli
Lërimi, mbjellja, kallinjtë e shpresës
Në shtegull, oborri me pemë, pragu
Gjurmët e ngrira të hënës shtegut të ballit
Një qerre, gurëve me myshk të Drinit
Vetmisë së shelgjeve, cicërima të trembura
Pa zanafillë, një qerre kur thyhet, thonë
Gjendet udha, uuudhaaa, mrekulli e Zotit
Po çfarë duhet udha o Zot, pa qerren?!

VJESHTË A FILLIM DIMRI

Të verdhat e plepit para shtëpisë sime
shpirtit tim po shkunden pikëllime të zbehta
përndritjet e fundit pa frymë këputën në heshtje
ku shuhen pastaj, në vjeshtë a fillimdimri.
Një gjysmë ftoi i ngrënë, flakur anash rrugës
mbi gazeta të vjetra shkelur e stërshkelur,
rrotat e makinës, ah këto dreq frenash
përgjakin të dielën, dëshirën e prehjes.
Gjethe të verdha, kalamendje e zbrazët,
edhe pak lart, edhe pak pezull.
Të qëndrosh, a të biesh - vramendja e stinës
aspak s'e ndryshon vendimin e qiejve.
Si unë kqyr dielli shtatet e zhveshura.
Dhimbjet e holla të degëve, rrembat e kaltër,
treten, harrohen pa i parë kush
të humbin në ajrin e qetë të pasdites
sa të merr malli për erën dhe mjegullën.

PRAJSHËM E PJERRËT

Prajshëm e pjerrët tymnajës së plumbtë
hapsira gri kullon,
rrjedh përrenjtë e lodhur prej vetvetes
pellgje, farka vetëtimash
mërmërimë e zgjatur qiejve të Zotit
pikëpjekja jonë e avullt soset
ende pa lindur, qerpikut tënd
po shkas i kristaltë.

MË DUHET

Më duhet një lughije
bar a lule, gjeth i njomë
ku ta përplas shkëmbin tim
pa kërkuar ndjesë.
Të ngulem atje, të fle
ëndrrën e livadhit të paprekur
përroit të vogël të gjumit,
turbullirës së ëmbël, mos të shoh
si drunjëzohem, gurëzohem
paqes së heshtur,
mos të më shohin dreqnit e parajsës
brirët e engjëjve...
Më duhet një lughije, hije
këndelljesh, bisqe aromash
valë që lajnë përherë rërën.

TI HAPË HERË PAS HERE

Ti hapë herë pas here derën e harresës,
Për të më kujtuar gjithnjë ekzistencën e zanave,
Shtatore të ngrira Adamësh, mbetur pa gojë prej teje,
Ka ngrirë tash lëvizja nëpër arteriet e qytetit,
Zhurmat dhe grimcat e pluhurit pezull kanë mbetur
Gjethja e shkëputur prej degës ka shtangur
Si goja e djalit që qeshi, mbeti hapur
Tullat nuk shkuan tek muri, as ranë prej tij
Plumbat e vdekjes mbetën në ajër.
Vetëm ti je para meje,
Heshta jote më ka shpuar edhe kur të kam harruar
Vjen të më përmendësh se jam ende
Në jetë i aftë të thithem prej teje
I shituar prej syve në pikë të drekës, mesnatës
Ke qenë mëngjesi im, darka ime e varfër.

SHORT’ I DRIDHJES

Short' i dridhjes në fill të erës
një degëz shelgu,
Si shelgu dridhen në fund të tij
blerimet e vjetra që moti s'i treti.
Mesi i zhveshur, irnosur prej ngricash
në maje sythat e rinj të nisjes
nga fillimi. Nëpër njëra-tjetrën
stinët në një degëz shelgu.
Shirat e vjeshtës s'na mblodhën, retë
e dimrit hapen e mbidhen
ne veç largohemi, a do të jemi në pranverë
një degëz shelgu në fill të erës.
t'i dridhim bashkë verë e dimër.

MOTRA IME

Në majë të malit motra ime, mu në kikël
borë e paparanuar, rreze dielli që rrëshqet në akull.
Mjegulla e mërzisë u mbështillet gurëve
i bën të përhirtë.
Rrufeja plakë kullotë grykat, pjell rrufetë e reja
pranë prekjes së engjëllit pa qenë Moisiu
mund të flasë kushdo me zotin.
Atje iu sulën tri shigjeta
drejt zemrës flakët e kaltra i rrit afrueshëm heshtja.
Po vdekja, a ekziston vdekja?
Pëllumbat rreth saj u bënë korba
shpatit rrokullimë deri në fund të malit
ku zien zifti i jetës,
himni i burrit që e lëshon Ora.
Tash, mali i shtërnguar në breza guri
më ngjan si Saturni.
Motra ime, një grusht kockash të bardha
kthyer në breshër.
Atje pushon, poshtë kepit pa shenja
mes dy kreshtash në ëndrrën e magmës
vullkan i fjetur...
Fëmijët e saj, a thua, do të lindin nesër
në rikrijimin e botës,
kur korbat do të mbeten korba e pëllumbat
pëllumba pa u shkrirë me njëri-tjetrin.
Motra ime, mal i premtuar heshtjesh
ku bora s'pranohet
ku rrëshqet akullit rrezja e diellit
ku mjegulla i mplakë marrëzitë tona
e rrufetë e vjetra hanë të rejat.
Motra ime
zgjimi im i vonshëm.

LANA


Kur qenkemi kaq të kthjellët
pse na turbullohen fatet?
Ky qiell padron i bujtinës
na rri mbi krye
sy i kuq ciklopi,
drurët lapëvyshkur dihasin zhegun
si trumbë qensh me llapën përjashta
mëngjesi ka firuar në hurdhën e thellë të dimrit
ku fijet e barit hollohen të kaltra
e fiskon i blertë burimi.
Pas dyzet gurësh, thonë,
ngjishja buzët përroskës, pihet uji
qëmtohet
qërohet ndyrësia
me fli e blatime të vdekurit qetësohen
kur i kujton pas dyzet ditësh
ngul këmbë për të gjallët përralla.
Pas çdo guri barëngrënës prehistorik
mbijnë me zhurmë qyngjet
turinjtë të mprehtë përqeshin tigrin e ngordhur
minjtë e mëkateve
dalin arave.
Në dhjetra urat e saj
e sheh vetën tek shtrëngon lakun
të mbytet por s'mundet
do që t'i shkojë dhe ferrit e pastër.
Sa e shkurtër rruga prej trupit tek turpi
të këputka ndarja e lumit
kur piqet me llumin
nga hurba te llurba Ura e Siratit
shembet prej peshave të rënda.

IKU VERA E MIRËSIVE

Iku vera e mirësive,
Zjarri i syve u shue,
S’ka Vezuv dashnie,
Ka qetësi.
Pakëz hi plehnon trëndafilin e rrashtës teme.
Mos e trembni paqen varre,
Pse pa gajle,
Bri jush endet e për endet nji njeri.
S’ecën vetë, orëvrami,
E shtjell era,
E ka marrë malli për shi.
Shurdhni. Shok i shkretë veç etja,
Binë e kallet nëpër eshtna,
Shpirtin pa e mrri.

SHORTI I DRIDHJES

Short' i dridhjes n'fill t'erës
Nji degëz shelgu,
Si shelgu dridhen n'fund t'tij
Blerimet e vjetra që moti s'i treti.

Mesi i zhveshun, irnosë prej ngricash,
N'majë sythat e ri t'nisjes
Nga fillimi. Nëpër njana-tjetrën
Stinët në nji degëz shelgu.

Shinat e vjeshtës s'na mlodhën, retë
E dimnit hapen e mlidhen,
Ne veç largohemi, a do t'jemi n'pranverë
Si kjo degëz shelgu n'fill t'erës?!

T'i dridhim bashkë verë e dimën.

VJESHTË A FILLIM DIMNI

T'verdhat e plepit para shpis teme
Shpirtit tem po shkunden pikllime t'zbehta,
Përndritjet e funit pa frymë kputen n'heshtje
Ku shuhen pastaj,
N'vjeshtë a fillim dimni.
Nji gjysmë ftoi i ngranë,
Flakë anash udhës
Mi gazeta t'vjetra, shkelë e stërshkelë,
Rrotat e makinës,
Ah këto dreq frenash,
Përgjakin t'dielën dëshirën e prehjes.

Gjethe t'verdha,
Kalamendje e zbrazët,
Ene pak nalt, ene pak pezull...
T'qëndrosh a t'biesh –
Vramendja e stinës
Aspak s'e ndryshon vendimin e qiejve.

Si unë kqyr dielli shtatet e zhveshme.
Dhimjet e holla t'degëve,
Rremat e kaltër,
Treten,
Harrohen pa i pa askush
T'humin n'ajrin e qetë t'pasdites,
Sa t'merr malli për erën e mjegullën...

MALET JANË GJITHKUN

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
T'hutuem prej dritës, ditët ngjajnë
Kaq t'pavëmendshëm,
Gjujt e prrojve t'thamë
Sikur i luten qiellit.
Putrat e natës mshteten n'truellin
Ku me përndezje syshë ngrehen pusitë
E ditës,
Rrathët e hanës plotë honeve
Derdhin mrekulli kërcënimi.
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
N'veshjezhveshjen e motit,
Shkreptimën e reve,
Kurriz harkuem e t’çatalluem
Shkrepash. Zoti i verbtë
Përplaset si n'jerm sa n’ nji brijë
N'tjetrën.
Para dhe mas meje
Përhidhet vjedhtas jeta
Sa mezi e shoh n'shpatull.

Si drenushës,
Brinat e kohës mërthehen
Mas degshë.
Asnjë kamë përpara,
Por as prapa s’kthehesh.
Rrufeja ngrin, s’ka
Ulurimë ujku, as rënkim t'pritshëm
Gjaku t'ngroftë,
Presin me le andrra
Nji turmë pret kosën e mortjes,
Po jeta e gjen shtegun e ikjes
Botës tjetër ku gjithçka asht ndryshe.

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje,
S’dihet kur u ngulën,
Ku duen me shkue
N'viset ku ikjet dhe ardhjet vështrohen,
Ku avullohet
A shkrin harkut t'vetllave,
Ku përdridhet e rrxohet për mue nji gjethe,
Plagë e verdhë ta ndezë qetsinë teme
T'digjem s'paku,
T'ndjej paksa dhimjen.

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
Ndërrohen ernat,
Mjegullat.
Bora e re shtron mi t'vjetrën.
T'blertën man bredhi,
Atje ku si drutë e preme
Stivohen shekujt,
Hingllima e shpata
T'veja shahen e shkulen për floksh.
Si gur mi gur, kobi,
Piramida e plojës –
Pa gojë e klithma drejt qiellit.

Mund t'lahesh n't'njajtin ujë
Sa herë t'duesh,
T'flasësh vetë me Heraklitin...
Po truelli i kujtesës
I shkretë metet,
Askush nuk ngjitet,
Nuk mundet.
Lutje e thoj dëshprimi
S’të bahen flatra...
Veç savani i bardhë i borës
N'pasqyrë sheh vetveten,
Zbardhet.

Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
Gjamën kanë për emën.
Fjalën e amël
Truejnë sa del buzve t'tamlit
Humnera bahet kodër e kodra
Humon n'bark t'dhevit,
Soji i thneglave
Gjithë verën e lume kullot
Flakët e ferrit
E dimnit sheh parajsën andërr
Malet janë gjithkun, para dhe mas meje
S’dihet kur u ngulën,
Ku duen me shkue
N'viset ku pritjet dhe përcjelljet urohen,
Ku avullohet
A shkrin harkut t'vetllave,
Ku vjeshta e rrëzon për mue nji gjethe
Plag’ e verdhë e ndezë qetsinë teme
Digjem s'paku,
E ndjej paksa dhimjen.
ETJA
Me gurin Cerber n'qafë
Lodhet etja pas Kroit t'Bardhë
Dhe gjen gjithnji Kroin e Kuq

NJI LUGHIJE

M'duhet nji lughije,
Bar a lule,
Gjeth i njomë
Ku ta përplas shkamin tem
Pa kërkue ndjesë.
T'ngulem atje,
T'fle
Andrrën e livadhit t'paprekun.
Përroit t'vogël t'gjumit,
Turbullirës s'amël,
Mos t'shoh si drujzohem,
Gurzohem,
Paqes t'heshtun.
Mos t'më shohin dreqnit e parajsës,
Brinat e engjëjve...

M'duhet nji lughije, hije
Këndelljesh,
Bisqe aromash,
Valë që lajnë përherë ranën.

TI HAP HERË PAS HERE

Ti hap herë pas here derën e harresës,
Për t'më kujtue gjithnji ekzistencën e zanave,
Shtatore t'ngrime Adamësh,
Metë pa gojë prej teje.

Ka ngri tash lëvizja nëpër arteriet e qytetit,
Zhurmat dhe grimcat e pluhnit pezull kanë metë...

Gjethja e shkëputme prej degës ka shtangë,
Si goja e djalit që qeshi,
Meti haptë.

Tullat nuk shkuen tek muri,
As ranë prej tij,
Plumat e vdekjes metën n'ajër.

Vetëm ti je para meje,
Heshta jote m'ka shpue edhe kur t'kam harrue.
Vjen t'më përmendësh se jam ende n'jetë
I aftë t'thithem prej teje.

I shituem prej syve n'pikë t'drekës,
Mesnatës,
Ti je mëngjesi jem,
Darka jeme e vorfun.

NJI QERRE

Nji qerre n'pasqyrën e syve,
Qiejve t'dridhshëm
Si gjethet e plepishtes buzë rrugës.

Zbardhja e beftë e dhamit t'dhimjes
Mes kremit t'fjalëve.
Nji qerre
N'pikë t'drekës së shtrime plazheve përvëluese.

Loja e përjetshme e ujit me bregun,
Sulm e tërheqje,
Rrota e fatit
N'dorën e ngashnjimit t'fmijës,
Fanitja e muzgut
N'mëngjezin e qelqtë, t'thërmuem prej erës.

Nji qerre,
Shtegtim i krojeve n'andrrën
E shkretinës.
Rikthimi i fluturimit
N'pullazin e vjetër,
Ylli që bie,
Shuhet ngadalë
Brenda meje.
Pa kalorës, pa kuaj, nji qerre...
Hija e brinave t'qeve, shatërvanë avulli,
Lërimi,
Mjellja,
Kallijtë e shpresës
N'shtregull. Oborri me pemë,
Pragu,
Gjurmt e ngrime t'hanës shtegut t'ballit.

Nji qerre,
Gurve me myshk t'Drinit,
Vetmisë t'shelgjeve,
Cicërima t'tremuna pa zanafillë...
Nji qerre kur thyhet, thonë,
Gjendet udha.
Uudhaaa, mrekulli e zotit,
Po çfarë duhet udha, zot, pa qerren?!

PRAJSHËM E PJERRTË

Prajshëm e pjerrtë, tymnajës t'plumtë
Hapsina gri kullon,
Rrjedhin përrojtë e lodhun prej vetvetes
Pellgje,
Farka vetimash...

Mumrimë e zgjatun qiejve t'zotit,
Pikëpjekja jonë e avullt soset
Ende pa le, qerpikut tand
Po shkas i kristaltë...

MOTRA JEME

N'majë t'malit, motra jeme,
Mu n'kikël-
Borë e papranueme,
Rreze dielli që rrshet n'akull.

Mjegulla e mërzisë u mshtillet gurëve,
I ban t'përhimtë.

Rrufeja plakë kullotë grykat,
Pjell rrufetë e reja...
Pranë prekjes t'engjllit
Pa qenë Moisiu
Mund t'flasë kushdo me zotin.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...