2013-01-24

Letërsia bashkëkohore shqipe larg botës

Letërsia shqipe ka mbetur jashtë zhvillimeve evropiane e botërore dhe sfidat me të cilat përballen krijuesit letrarë në Kosovë janë të shumta, është njëri nga konstatimet që u bënë në tryezën e parë letrare të organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kosovës, i themeluar rishtas. Tryeza me titull “Sfidat e letërsisë dhe krijuesit sot në Kosovë”, bëri bashkë në hapësirën “Art Center” të Fakultetit të Arteve, shkrimtarë e studiues të letërsisë shqipe. Ata që i hapën udhë debatit me kumtesat e tyre, ishin shkrimtarët Gëzim Aliu dhe Ragip Sylaj.

Ardian Haxhaj, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, ishte i pari që mori fjalën, për të zbërthyer idenë e themelimit të klubit.

“Duke e parë se letërsia bashkëkohore shqiptare ka vlera të njëmendta artistike e kulturore dhe meriton vëmendjen e studiuesve tanë e të huaj, me bindjen se rrethanat kulturore e kanë margjinalizuar letërsinë ne e kemi themeluar këtë asocioacion”, ka shpejguar Haxhaj, derisa ka arsyetuar edhe titullin e tryezës.

“Letërsia dhe krijimi i saj në shoqërinë tonë po përballet me sfida dhe prandaj takimi i parë i dedikohet kësaj teme”, ka thënë ai.

Gëzim Aliu, studiues e shkrimtar, në kumtesë ka pasqyruar tri sfida kryesore, me të cilat, sipas tij, përballet letërsia shqiptare.

“Ato janë gjendja e rëndë teorike historike, shkrimtari dhe ai që mendon se është i tillë dhe mungesa e mbështetjes nga institucionet shtetërore”, ka thënë Aliu, i cili ka prekur edhe një tjetër sfidë me të cilën ballafaqohet letërsia bashkëkohore shqiptare.

“Shtëpia botuese është një tjetër zinxhir i cili s’ka adresë, s’ka infrastrukturë për t’u botuar një vepër letrare. Edhe në gazeta botohen fare pak shkrime letrare”, ka thënë ai.

Të gjitha këto sfida, sipas Aliut, letërsinë shqipe të ditëve të sotme, e kanë lënë jashtë zhvillimeve botërore.

“Gjendjet e rënda nëpër botë janë tokë pjellore për letërsinë, por te ne ndodh e kundërta. Letërsia shqipe mbetet jashtë zhvillimeve evropiane e botërore”, ka thënë ai.

Studiuesi Ragip Sylaj, në kumtesën me titull “Poezia e letërsisë dhe e krijuesit të saj në Kosovë”, ka thënë se pozita e letërsisë përbëhet nga trekëndëshi shkrimtar, botues e lexues.

“Përveç trekëndëshit a trekëmbëshit të përmendur, varet edhe nga vetëdija shoqërore për kulturën dhe letërsinë, nga furnizimi i bibliotekave, mësimi i saj në shkolla dhe një varg çështjesh jashtëletrare, siç janë media e interneti dhe format e tjera të komunikimit masiv”, ka thënë Sylaj. Sipas tij, në kuadër të diskutimit të çështjes së sfidave të letërsisë dhe të krijuesit në Kosovë do të mund të përmendej edhe përkthimi i letërsisë.

“Por kjo ka ngecur, veçanërisht me letërsinë që krijohet në Kosovë”, ka thënë Sylaj, derisa ka shpalosur brengën e tij më të madhe.

“Ajo që më duket më brengosëse është fakti që, me sa di unë, sfidat e letërsisë dhe të krijuesit në Kosovë janë më të mëdha dhe më të vështira se në çdo vend të tjetër të kontinentit tonë”, ka thënë ai. Pasqyrimi i kumtesave të panelistëve i la vend debatit, në të cilin u inkuadruan shkrimtarët pjesëmarrës.

Kujtim Rrahmani, studiues i letërsisë, ka thënë se sfida kryesore e letërsisë shqipe lidhet me natyrën e vetmisë që kërkon vepra letrare.

“Duket abstrakte por është esenciale sepse tregon se letërsia duhet të kthehet nga vetvetja”, ka thënë Rrahmani.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...