Përmes fjalimeve, në realitetin shqiptar, është vënë re prirja për të manipuluar publikun më shumë sesa domosdoshmëria për të përkrahur nevojat dhe interesat e tij
Nga Isidor Koti
//HermesNews - ©2011//
Jeta jonë e përditshme ka kaluar në një sferë tjetër komunikimi dhe sado t’i shmangemi përballjes me sa më pak njerëz, gjithmonë gjendemi para një mase që pret t’i shprehim mesazhet tona.
Ky nuk është thjesht citim teorik ose referencë akademike, por rezultat empirik, pjesë e realitetit shqiptar e më gjerë, ku çdokush gjendet para një sfide të vështirë që është përballja me ankthin që quhet publik.
Përtej mendimit të përgjithshëm se të folurit para publikut kërkon shkathtësi, jam i bindur se kërkohet shumë më tepër se vetëm një përgatitje teknike.
komunikim
Madje shkathtësia e të folurit nuk ndihmon gjithmonë në organizimin e mendimeve, në eliminimin e të panevojshmes, në planifikimin e të folurit dhe në evitimin e kurtheve më të rëndomta.
Janë disa teknika që fatkeqësisht mungojnë jo vetëm te njerëzit e thjeshtë, por edhe te personat publik, të cilët përballen me shumë njerëz të tjerë, por nuk i njohin ose i injorojnë disa teknika mjaft të rëndësishme që të ndihmojnë të jesh i kuptueshëm dhe i besueshëm para njerëzve.
E gjithë çështja shtrohet si të ruhet vëmendja e publikut, si të koordinohen lëvizjet e folësit, pëdorimi i humorit me hijeshi, dhe mbi të gjitha si të mbahemi mend folës të mirë dhe interesantë.
Të gjitha këto i dëshirojnë të gjithë, sidomos në mbajtjen e fjalimeve, duke përfshirë këtu jo vetëm politikanët, por edhe profesionistë në mësimdhënie, sipërmarrës, gazetarë, përkthyes etj.
Secili prej tyre kërkon të rriti reputacionin dhe të krijojë një ambjent pozitiv rreth e rrotull vetes së tij.
Një nga arsyet pse shumë persona apo grupime kanë dështuar në fjalime dhe nuk kanë fituar simpatinë dhe mbështetjen e publikut ka qenë fakti se nuk kanë arsimim të mirë, njohje të mjaftueshme të kontekstit shoqëror, aftësi analitike, shkathtësi për komunikim të lehtë dhe bindës me njerëzit, sens për humor, aftësi për të qenë bindës dhe objektiv, aftësi që të pranojnë të reja në mënyrë të shpejtë dhe të respektojnë afatet.
Përmes mënyrës së të folurit dhe më pas veprave të atij që ngjitet në podium, publiku vlerëson pikë së pari nëse ka të bëjë me njerëz të pastër dhe të ndershëm që ia vlen t’i respektosh, apo e kundërta e kësaj.
Duke u ndalur pikërisht në këtë çështje, opinioni dominues për folësit publikë në Shqipëri është kritik, dhe kjo jo pa arsye.
Ata përpiqen që të krijojnë marrëdhëniet më të mira të tij me të tjerët, duke publikuar të rejat e tyre pozitive, duke siguruar fakte, të cilat i japin besueshmëri deklaratave mbi vetveten dhe, mbi të gjitha, kufizojnë dëmin që mund t’i shkaktohet emrit të mirë të tij në rastin e një krize.
Megjithatë, ajo që mbetet ndërdyshas e besueshme te publiku është pikërisht interesi i tjetërsuar. Me këtë dua të them, se në momentin kur folësi përpiqet të jetë bindës herën e parë, duke përdorur interesin e gjerë të publikut, herën e dytë, nëse ai nuk e ka zbatuar atë që thotë, bëhet i pabesueshëm dhe për të mos u dëgjuar nga fillimi në fund.
Në të shumtën e rasteve kjo ka ndodhur rëndom, jo vetëm në aspektin politik që ka qenë panorama më e dukshme dhe më e ndjeshme, por edhe në fusha të tjera të jetës.
Disa teknika që do propozoja për ata që duan t’i kenë mirë punët me komunikimin kanë të bëjnë me elementë themelorë të të folurit publik.
Folësit duhet të dinë qartësisht se cili është auditori, të cilit i drejtohen për të vendosur paraprakisht mënyrën e të shprehurit, formal, serioz apo edhe i lehtë.
Parapërgatitja e një ekstrakti mbi atë çka do komunikohet dhe improvizimi mund të jetë model i rrezikshëm.
Unë mendoj se duhet realizuar individualizimi i pikave të forta, në mënyrë që publiku t’i kuptojë tërësisht dhe të përfshihet.
Gjithmonë duhen mbajtur në konsideratë pritshmëritë, motivacionet, opinionet dhe përse gjendet aty publiku.
Një nga çështjet që harrohet më shpesh është gjendja emocionale. Nëse nuk thuhen frazat në mënyrë të sigurtë, atëhere vazhdimi i fjalimit nuk do të jetë efikas dhe bindës. Folësit harrojnë edhe kontrollin e gjesteve.
Një diskutim pa gjeste të mbarëvatjura rrezikon të duket shumë i ftohtë, i largët dhe transmeton lodhje.
Nga ana tjetër, publiku duhet të marrë pjesë njësoj si në një dialog dhe për këtë është e nevojshme të përdoren pyetje retorike. Njëkohësisht, fytyra, sytë, gjestet janë garancia më e mirë për një komunikim të besueshem.
Realisht, përmes fjalimeve, në realitetin shqiptar, është vënë re prirja për të manipuluar publikun më shumë sesa domosdoshmëria për të përkrahur nevojat dhe interesat e tij. Madje edhe disa teknika të komunikimit kanë çaluar. Fjalët e tyre kanë qenë të gjata, të paqarta, të parregullta gramatikisht dhe jo dinamike.
Më shumë është bërë përpjekje për të përdorur fjalë me prejardhje të huaj, me qëllim për të treguar tipin enciklopedik dhe auditiv. Por komunikuesit e mirë para publikut në të vërtetë përfaqësojnë rezultatin e një përgatitjeje të kujdesshme dhe ushtrimit në mënyrë sistematike.
Ata shfaqin aftësinë për të organizuar dhe përfunduar një fjalim, përcjellin argumentet, shmangin rënien e interesimit, vlerësojnë reagimet e dëgjuesve, dhe përgjigjen me një ton të sigurtë. Cili eshte gabimi kryesor qe kryejnë folësit publikë?
Nuk e dinë se të mësosh teknikat e të folurit në publik, nuk do të thotë të humbasësh spontanitetin ose të jesh i shtirur. Sa më shumë të jesh i hapur ndaj këshillave për komunikim të mirë, aq më i madh është edhe spontaniteti me të cilin flitet në publik. Kjo mund të duket paradoksale, gjithësesi duhet provuar.
http://www.hermesnews.org/articoli/stampa-articolo.asp?IDARTICOLO=20547