2011-09-16

Libri për Arbën Xhaferin, libër për pjekurinë e shoqërisë shqiptare


Politikanit më emblematik shqiptar në Maqedoni, Arbën Xhaferi, nuk i ka mbetur merak të shtojë as edhe një presje në rrëfimin që është botuar nga Botimet KOHA, në formë të bashkëbisedimit me gazetarin Enver Robelli. Ky i fundit ka thënë se po t’i jepej mundësia e ribotimit të librit që e ka titulluar “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, do të kishte për Xhaferin edhe 200 pyetje të tjera. Por vetë protagonisti i librit është i bindur se i ka thënë të gjitha që kishte për t’i thënë, në pyetjet që ia ka bërë gazetari Robelli.

“Nuk i kam ikur asnjë pyetjeje, por drejtpërdrejt dhe sinqerisht jam munduar t’i shpjegoj fenomenet ashtu siç i shihja unë”, ka thënë Arbën Xhaferi për gazetën, pak pasi ka përfunduar ceremonia e promovimit të librit për të, bashkë me dhënien e shumë autografeve që ai dhe autori Robelli kanë vënë në kopjet e para të librit, i cili ka dalë rishtas në treg.

Me parathënie të publicistit Veton Surroi, libri më i ri i Botimet KOHA është promovuar të enjten pasdite, në hotelin “Victory”. Përveç tij në promovim kanë folur edhe autori i librit, Enver Robelli, dhe drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi. Poetit Ali Podrimja i ka takuar të recitonte gjashtë poezi, prej tyre një e shkruar për humanisten e shquar shqiptare Nënë Tereza dhe një tjetër për aktorin shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu.

Intelektuali që nuk ka heshtur asnjëherë ndaj fenomeneve që kanë preokupuar shoqërinë shqiptare gjithandej ku jetojnë, e di që një libër ku ai do të fliste gjerësisht për fenomene shoqërore ka ardhur pak vonë.

“Mendoj se fajin për vonesë e kam unë, meqenëse duhej paraprakisht të shkruaja një vepër për këto dukuri”, ka thënë Xhaferi, i cili nuk ka vonuar për t’u “amnistuar” pse nuk e ka bërë këtë.

“Zakonisht çështjet vitale marrin një konotacion të domosdoshëm, e çështjet esenciale lihen pas dore. Kur u paraqit Robelli që të kërkojë intervistën, unë e pranova atë dhe shfrytëzova interesimin e tij dhe të gazetës ‘Koha Ditore’ që të jap opinionin tim për ato çështje që i interesojnë opinionit përmes kureshtjes së Enver Robellit”, ka thënë Xhaferi.

Gjatë promovimit ka thënë se është ndier i emocionuar.

“Natyrisht që e përjetova me emocione, sepse arrita përmes një gazetari të jap një rrëfim të sinqertë për nocionet politike, për proceset historike, si dhe për fenomene të tjera që veprojnë në mënyrë interaktive në Kosovë, siç është çështja e religjionit dhe çështje të tjera”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka thënë se është dorëzuar para motivacionit të gazetarit, i cili parashtroi pyetje që atij i dukeshin interesante, për të bërë skenimin e një politikani, të mendjes së tij, dhe të mënyrës se si ai e kupton politikën dhe çështjet e tjera.

Por vetë gazetari Enver Robelli ka thënë se meritat për librin i ka intelektuali që ai e ka intervistuar.

“Është një arbitraritet, sepse në fakt autor i këtij libri është vetëm z. Xhaferi. Jam përpjekur që përmes pyetjeve, të cilat mua më kanë interesuar vazhdimisht ta nxis atë të flasë”, ka thënë Robelli.

Sipas tij, ajo çka e përbën një intelektual është se ai nuk shkëputet asnjëherë nga jeta e përditshme.

“Arbën Xhaferi është prej intelektualëve të rrallë që asnjëherë nuk është shkëputur nga përditshmëria, nga realiteti dhe nga rezonimi për problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohet ambienti politik dhe kulturor”, ka thënë Robelli.

Ai ka thënë se gjithherë i kanë interesuar mendimet e Xhaferit në prononcimet mediale, përderisa librin e ka parë si një mundësi që të zgjerohej më shumë në reflektimet e tij.

“Bashkëbisedimi me të më ka krijuar një kënaqësi të jashtëzakonshme. E falënderoj edhe atëherë kur më thërriste në orën 10 të natës, edhe kur e thirrja në orën 11 të natës”, ka thënë Robelli.

Tetova e viteve të rinisë së tij, Prishtina e trazuar nga politika dhe Tirana e dikurshme, janë vetëm disa nga aspektet ku është ndalur bashkëbisedimi i Robellit me Xhaferin. Por Robellit do t’i interesonin edhe qëndrimet e bashkëbiseduesit të tij për tema të tjera jashtë politikës, por që reflektojnë në politikë - mendimet e tij mbi religjionin, mbi kinematografinë e shumë më shumë.

“Në këtë kontekst doli një vepër e kompletuar”, ka thënë Robelli.

Drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka treguar se Enver Robelli e kishte iniciuar dhe zhvilluar serinë e intervistave, të cilat i quajti “40 pyetjet”, që botohet çdo të mërkurë në “Koha Ditore”.

“Deri te publikimi i intervistës me Arbën Xhaferin, që të gjitha të tjerat ishin ‘paketuar’ në nga një faqe gazete. Intervista me zotin Xhaferi u publikua në tri vazhdime - ngase nuk kishte si, e nuk kishte as pse të cungoheshin përgjigjet absolutisht interesante dhe plot peshë e përmbajtje që ua kishte dhënë pyetjeve të shtruara. Pa dyshim - ishte një intervistë e jashtëzakonshme”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” është libër në të cilin Arbën Xhaferi, thjesht, shkëlqen me të gjithë kapacitetin e të menduarit që tregon edhe shtjellimin e argumenteve që i bën.

“Leximi i librit me një frymë më ka shkaktuar kënaqësi të posaçme - sa për gjërat e reja që i kam mësuar, aq edhe për shkak të bindjes së thellë se edhe ne shqiptarët kemi pse të krenohemi me këtë figurë emblematike, të kapacitetit të këtillë intelektual”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, përvoja e gjatë publicistike dhe njohja disadekadëshe me Arbën Xhaferin do ta kenë shtyrë Veton Surroin që t’i propozonte autorit që këtë bashkëbisedim ta zgjeronte.

Publicisti Veton Surroi librin “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, e ka cilësuar si libër të pjekurisë. Ideatori i zgjerimit të botimit të mendimeve të Xhaferit ka dhënë arsyetimin për këtë gjë.

“Kur u botua intervista e parë e Enver Robellit me Arbën Xhaferin, në fillim të këtij viti, mendova se ajo që u botua aty ishte vetëm një pjesë e një libri të pabotuar. Një libri i cili duhej të dilte, e meritonte të dilte, dhe i një libri i cili në fund do të karakterizonte tërë këtë punë të tij, në një fazë të pjekurisë”, ka thënë publicisti Surroi. Për të, ky libër është i pjekurisë, edhe për faktin se autori i tij është, siç e ka quajtur Surroi, penë brilante e gazetarisë shqiptare.

“Robelli zbuloi detaje të një jete politike, të një jete kulturore dhe të një konteksti politik dhe kulturor në të cilin kanë jetuar shqiptarët”, ka thënë ai. Kjo ka bërë që Surroi të konkludojë se libri ka ardhur edhe në fazën e pjekurisë së shoqërisë shqiptare.

“Libri i Arbnit dhe i Enverit është pjekuri, të cilën e kemi mbërritur edhe si shoqëri”, ka thënë ai.

Për Surroin, Arbën Xhaferi është pa dyshim njëra prej figurave më emblematike të politikës dhe të mendimit politik shqiptar, në të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Ai ka thënë se për dallim prej shumë aktorëve politikë, Arbën Xhaferi ka studiuar për politikën brenda një konteksti më të gjerë: ka menduar dhe ka shkruar për të.

“Ai, i cili është përpjekur vazhdimisht që të imponojë racionalitet në shoqërinë shqiptare, ka qenë pa dyshim Arbën Xhaferi”, ka thënë Surroi. 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...