2018-03-13

Martin Camaj më 1957: Letra dhe studimi i panjohur mbi Kosovën.

martin camaj ilus
Martin Camaj (Telumë, 13 korrik 1927 – Mynih, 12 mars 1992) ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.

Martini leu në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje do të kalojë dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet.

Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh.

Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2[0] korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof.

Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorëve të vjetër të kolegjit jezuit P.

Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.

Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave si dhe gjuhë e let. shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku.

Contributi linguistici allo studio della genesi. Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren ne fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i 1960.

Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.

Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt.

21 janar 1965 me venia legendi në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën me qenë Privatdozent – përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente në v.akademik 1961/’62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Vepra
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.

(Agjencioni Floripress:Flori Bruqi)



Një studim për Kosovën në regjimin e Titos, menjëherë pas viteve që pasuan Luftën e Dytë Botërore, kur ajo mbeti nën jugosllavi. Martin Camaj, 32 vjeçar, e shkroi këtë shënim mbi Kosovën sipas kërkesës së Mustafa Krujës. Studimin ia ka dërguar të shoqëruar me një letër, ku ai zbulon shumë ndjesi personale dhe informacione të vyera biografike mbi këtë periudhë të jetës së tij. Camaj, ndodhej në Romë, me gruan Ninën, e cila ishte e sëmurë, ndërsa ai në një moment mjaft dëshpërues mbi të ardhmen e karrierës së tij. Ajo çka kishte lënë pas krahëve Shqipëria, në regjimin komunist dukej se ishte një kapitull i mbyllur për të, por edhe periudha e studimeve filologjike me prof. Bariqin, është ndërprerë. Ëndrra e tij është të vijojë në rrugën e studimeve, dhe e deklaron hapur dhe në këtë letër se nuk ka asnjë dëshirë të përzihet në çështje politike. Studimi i tij mbi Kosovën, po ashtu ofron informacione e analiza të vyera mbi tablonë e jetës shoqërore, kulturore dhe mbi të gjitha politike në Kosovën e mbetur nën regjimin e Titos. Çka ofronte tabloja e Revolucionit Komunist në Kosovë, çfarë politikash po gatuante udhëheqja e ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, si depërtuan malazezët në tokat e bejlerëve të pasur kosovare dhe si u manipulua populli i varfër kosovar, duke i ofruar një pjesë të tokave të konfiskuara. Duke mos e zhvilluar industrinë në Kosovë, por duke shfrytëzuar deri në ekstrem pasuritë natyrore të saj që cilat dërgoheshin në serbi, Kosova mbeti e varfër, e kjo situatë, sipas Camajt bëri që vendasit të shpërnguleshin e të kërkonin punë gjetkë në vendet e ish-Jugosllavisë. Ja çfarë shkruan Camaj në mendimet e tij mbi Kosovën: “Mosindustrializimi i këtij vendi ka shkaktuar “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shpërndarjen e shqiptarëve nëpër tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 punëtorë krahi shqiptarë tue përfshi edhe spataxhit”… Mjaft ngacmuese është analiza që Camaj bën për jetën shoqërore dhe kulturore në Kosovë, duke i bërë këto “shënime” mjaft grishëse për t’i lexuar prej kujtdo. “RILINDASI” i sjell më poshtë për lexuesit këto shënime dhe letrën e Camaj, të plota, zbardhur me besnikëri nga origjinali. Letra është gjendur në arkivin e Mustafa Krujës.

Letra

Romë, 15 / 3 / 57

Fort i nderti dhe i dashuni Mustafa,

Po i përgjegjem dëshirës suej shum vonë. Ju lutem me më falë. Arsyenat janë të shumta që s’mujta t’iau pregadis me kohë nji mendim temin mbi gjendjen kosovare. Kam pasë gruen shum të smuet dhe vetë isha shum i tronditun mbasi ende nuk po shof ngjasë të mirë për nji sistemim të përkohshëm deri sa të vijë dita e emigrimit. Prof. Koliqi më ka ndihmue sa ka mujtë, por unë jam shum larg dëshirës dhe qëllimit tem në jetë: që të vijoj studimet filologjike shqipe të fillueme me prof. Bariqin.
Këtu po iu mbylli dhe ato pak mendime mbi Kosovë. I shkrova pa ndonji përpunim stili ase gjuhe, ashtu si më erdhën, si t’isha qenë tue bisedue me ju kambkryq, shqiptarçe. Nëse mund të më shkrueni, shfaqni ju lutem mendimin tuej mbi këto faqe tue më pyetë mbi ndonji send që nuk mund ta keni të kjartë. E kam pasë shum vështirë me iau përmbledhë në pak fjalë mendimin tem mbi Kosovë, pse kam jetue shum në Jugosllavi, sigurisht kam shum me thanë mbi ket vend, pse për me analizue çashtjen tonë atje, duhet me njoftë mirë dhe Jugosllavin e soçme. Çashtja kosovare duhet studjue dhe shikue në shum pikpamje, aq ma tepër ata që shkruejnë mbi të në Prendim sod haptas ndër publikacjone të ndryshme. Pozitën teme në Jugosllavi iau kanë zbulue jugosllavëve shqiptarët në Prendim, tue më lëvdue në shtyp dhe letra, të cilat iau dërgojshin njerëzve në Jugosllavi. Atyne që bajnë këso gabimesh iau kam thanë aqik.
Kjo lloj politike ase problematike don shkencatarë sikurse jeni ju, që njifni mirë të kaluemen dhe studjoni shkencatarisht të tashmen. Me këtë nuk due të iu thërras që të shkrueni mbi këso gjanash ju, por kënaqem që interesoheni për çashtjet tona kombtare pse kemi nevojë, ase ma mirë, kanë nevojë njerzit që merren me kso problemesh me u këshillue në shum pikpamje nga të vjetrit, nga shkencatarët e historjanët, gja që vetë komunistat e rij e bajnë. Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmenin n’idealin kombtar, flijimet tueja për ket ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë.Më shkrou dhe Genci për ju dhe u kënaqa për fjalët që tha mbi ju se jeni plot energji e se punoni për shkencën shqiptare. Ju uroj jetë, shëndet e punë të mbara me gjithë zemër.
Unë e kam vendosë nji herë e mirë mos me u përzi ndër dallavere politike, mbasi nuk ndjej kurfarë vokacjonit për ket drejtim. Dëshira ma e madhe e emja asht me vijue profesjonin tem.
Ju përshëndes përzemërsisht

Martini

Të fala shum Nina

P.s. A i muert librat që iau dërgova për Zefin? Abonimi i Gencit në Tempo?

Studimi

ÇASHTJA KOSOVARE

Çashtja kosovare mundet me u vrejtë, në të vërtetë dhe ashtu si vrehet, në pikpamje të ndryshme, mun dhe nga vetë shqiptarët nacjonalista. Qe, p.sh. emigracjoni këtu në Prendim qenka i damë dysh për sa i përket çashtjes kosovare: ” luftë dhe alarmim pse mbaroi Kosova!” bertitka nji pjesë. Nësa pjesa tjetër qenka e mendimit që mos të bahet fort zhurmë rreth kësaj çashtje, por të pritet nji moment ma i pershtatun ase ma aktual për të ba ndonji veprim diplomatik. Pak a shum dhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje. Mbas mendimit tem ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavis, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës. Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugosllave ashtu dhe çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë, nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqin fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t’i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist. Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë “bashkimi dhe vllaznimi”, gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët. Udhëheqsija e partis, përkundra asht nji klikë krejtsisht e izolueme e perzieme me dy kombësinat pa dallim. Por, për t’iau paraqitë gjendjen kosovare ase shqiptare në Jugosllavi, duhet hjedhë nji sy fakteve historike ç’prej 1945 deri në sod, tue vu në dukje shkurtimisht dhe shkaqet.

Revolucjoni komunist në Kosovë

Revolucjoni komunist në Kosovë ka qenë krejtësisht specifik, shikue nga Titoja me shokë qyshë atëherë nën prizmin nacjonal. Në të vërtetë ky revolucjon ka realizue këto masa:
I. Hakmarrje e serbëve, malazezve e maqedonasve kundra shqiptarëve që u përpoqën të bajnë Shqipnin e madhe. Ket gja ata e kryen me dorën e shqiptarëve. ( shi. Albanski jugoslovenski – V. Dedjer).

II. Shtypja e beglerëve, tregtarve dhe shtëpijave të para shqiptare dhe marrja e tokave të tyne për t’iau shpërndá kryesisht malazezve, tue qenë këta i vetmi element që mund t’u bajnë ball shqiptarëve, dhe tepricën tjerëve fshatarëve shqiptarë të vorfën, me qëllim me i afrue dhe me i zbutë tue ba me harrue skenat e përgjakshme. Nga shpërndamja e tokave shqiptarët nuk kanë përfitue për këto arsye:
A) Fryma konservatore “po na i dau shkau tokat e parisë shqiptare e nesër njisoj kanë me na i marrë pse iau ka lanë baba”.

B) Fryma e kolektivizimit komunist në kundërshtim me individualizmin e fshatarit tonë (gja analoge dhe në Malsin e Shkodrës, ku as dy % nuk kanë përfitue nga reforma agrare).C)Kosovari psikologjikisht e ka ndie vehten plotsisht të mujtun tue ra për së dytit në robni, prandej nuk ka pasë zemër të kërkojë përfitim prej beneficeve të revolucjonit si elementi ma i vorfën në Jugosllavi. Karakteristikë kryesore në mardhanjet e shqiptarëve e të qeverisë jugosllave asht mosbesimi reciprok.
Fakte vërtetuese: moskujdesi i qeverisë që në Kosovë e Metohi të ngrihen fabrika, elektrane ase të hapen udhë të reja si në Krahinat e tjera jugosllave.. Nga ana tjetër ky vend asht i mbushun me landë të para që nuk përpunohen në vend, por trasportohen në Serbi, gja kjo krejt në kundërshtim me parimin Marxisto – leninist. Mos të harrohet dhe se Kosmeti asht zyrtarisht Krahinë autonome prandej duhet të kishte nji autonomi ekonomike. Mosindustrializimi i ketij vendi ka shkaktue “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shperndamjen e shqiptarëve neper tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 puntorë krahi shqiptarë tue perfshi edhe spataxhit. U dokumentue me nji reportazhë pregatitë nga disa studenta shqiptarë në Beograd nergut për revistën e ilustrueme ZANI I RINIS. Ky artikull qe censurue dhe ndalue.)

Nga të gjithë këta na dalin disa pyetje: a thue jugosllavët ase ma pikërisht komiteti qendruer i partis komuniste jugosllave parashef se do t’a humbi Kosovën nji ditë, prandej nuk derdh kapital në te, por e shfrytzon? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun per zhvillim industrijal, dhe se në në rasën e ndoj lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit ka ma ngjasë sepse ata në të vërtetë krejt industrin e randë, sidomos industrin ushtarake, e kanë perqendrue në krahinat malore të Bosnes, mirë e mprojtun nga Lindja e nga Prendimi. Por asgjamangut kjo nuk e justifikon moskujdesin për Kosmet, pse në të njajtin pozicjon strategjik gjindet edhe Maqedonija e cila ka përfitue ma tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Sod rrallë mundesh me gjetë maqedonas nëpër vende ase republika tjera tue kërkue punë, si para lufte. Partija komuniste jugosllave e ka shpëtue ket popull, i cili u gjinte në kapërcyell mes dy kombsive që dojshin me e pervetsue: serbët e bullgarët luftojnë tash dheta vjet rreth këtij vendi të vorfën për t’a asimilue tue shtypë çdo individualitet të tij me mënyrna shovene. Maqedonasit sod e ndiejnë vehten të lirë kombtarisht: kanë gjuhën e vet, kulturën e vet (letërsin, universitetin dhe folklorën e vet me kangët e bukura). E pra ky popull dhe qeveri maqedone sjellet me shqiptarë ma keq se çdo grup tjetër etnik nën shtetin jugosllav. Psikologjikisht asht fare e kuptueshme nji gja e tillë: ata tue qenë hala të ligësht dronë edhe hijen e vet. Mbasi ra fjala dhe mbi antagonizmin dhe shovenizmin mes këtyne kombësive ballkanike, due të shprehi nji ide dhe deshirë qi i rrin në zemër çdo intelektualit të ri ballkanas: zhdukja e anmiqsinave dhe idenave mes kombsivet tona. E vetmja mënyrë dhe rrugdalje asht nji konfederacjon ballkanik, që nji ditë, natyrisht në kushte tjera shoqnore dhe ekonomike, do të vijë. Do të vijë atëherë kur Ballkani të industrijalizohet ase ma mirë atëherë kur bujqt tue punue tokën me mjete moderne kanë me prodhue për vehte mjaft bereqet dhe kanë me e ndie nevojën e hapsis për të shpërnda prodhimet e veta. Por sod Ballkani asht nji vend mizerje, ku njerzit ase kombet, tue pasë barkun thatë, kujtojnë se ia ka fajin ai i vogli që asht gjallë, prandej bahet bishë karshi të ligshtit.Masa e re ka fillue t’interesohet shum për mjeshtrina të ndryshme vetëm tash në kohët e fundit. Nësa kora e vjetër vazhdon të qindrojë n’at lëvozhgën e vet që asht fanatizmi fetar dhe nacjonal, rinija shkon tue humbë fare dhe ndjenjat fetare, kështu që sod shumica e intelektualve të rij o asht injorante dhe indiferente ndaj fés ose ateiste. Puntorija e minierave (puntorija hamalle) e sidomos ajo e Trepçes 80 % asht shqiptare. Tash së fundit në Trepçë kanë shkue dhe tre inxhinjera shqiptarë, shokë të mij nga Universiteti. Përsa i përket lanjes mbas dore të Kosmetit në lamën e industrijalizimit elaborues nuk dij çka me thanë. Nga nji qëndrim i tillë i jugosllavëve, mund të na dalin vetvetiu dy pyetje: a thue këta do t’a parashofin se nji ditë kanë me humbë ket krahinë, prandej nuk derdhin kapital në te dhe vetëm mendojnë t’a shfrytzojnë? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun për zhvillimin industrijal dhe në rasën e ndonji lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit kishte me qenë ma e arsyeshme po mos të bante kontrast pozicjoni i Maqedonis që, megjithse në rasë lufte kishte me ra e para, ka përparuema tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Megjithkte maqedonasit janë diskriminatort ma të mdhaj karshi shqiptarëve të cilët hjekun të zit e ullinit nën ta. Mun maqedonasit me ne janë tregue shum brutalë dhe të parët kanë fillue me i tëbue shqiptarët për Turki. Në lidhje me qindrimin ekonomik që mbajnë jugosllavët me shqiptarët ase me Kosovë unë kam ket mendim: nuk donë që Kosmeti të përparojë fort, kështu që të mbesë gjithmonë i mvarun prej tyne. Nga ana tjetër as nji Kosmet “xhungla” nuk u intereson per shumë arsyena që kuptohen kollaj.

GJENDJA SHOQNORE E SHQIPTARËVE NË KOSMET

Asht shum e natyrshme që nji shoqni, e cila mbrenda 15 vjet ka kalue nëpër nji luftë dhe nëpër nji revolucjon të hatashëm, të ketë pësue ndryshime shum të mëdha. Thanja e ndonji definicjonit në ket mes nga unë nuk kishte me qenë me vend, mbasi, tue qenë me mish e me shpirt për gjeneracjonin e ri, sigurisht do të jepsha diçka shum subjektive. Shqiptarët e rij e të vjetër në Jugosllavi i bashkon, përgjithësisht, nji mendim i përbashkët: lirija kombtare. Të parët janë militanta, të dytët nuk donë kompromise dhe e evitojnë “shkan” në çdo mënyrë. Te të dy palët asht nji tendencë e aqikët: donë me qenë ata vetëm zota të Kosovës, prandej jam i bindun se nuk kishin me ra dakord as me shqiptarët e Shqipnis së nesërme. Për sa i perket dallimit të mbrendshëm po paraqes nji mendim superficial të serbëve të Kosovës. Këta intimisht mes tyne shqiptarët i ndajnë në tri kategori : “arnauti” shqiptarët katundarë të tipit të vjetër, me plis të bardhë në krye, gadi me e perpijë serbin në të parën rasë; “šiptari” janë shqiptarët me pantallona e xhaketa, mësuesa, nënpunsa etj.; “albanci” shqiptarët e ardhun prej Shqipnis e të ngulun në Kosovë. Ky asht nji dallim populluer e shum superficial, por shum interesant kur merret para syshë se prej kuj asht bâ.

GJENDJA KULTURORE

Suksesi ma i madh asht në lamën e arsimit dhe të kulturës. Poqese shkon njeriu në vend, shef gjith këto shkolla, sidomos t’ulta, mbetet i habitun. Gjaja që të ban ma tepër përshtypje asht zelli i arsimtarëve që me nji rrogë shum të vogël punojnë natë e ditë me nji vetmohim të çuditshëm. Prandej nuk duhet të na habisin qëndrimi i sllavëve që nuk na donë as na kanë dashtë kurr të mirën e që përpiqen me çdo mënyrë me i paksue. Mjerisht ata janë kujtue se shkolla në shqiptarë asht ba dhe nji symbol ase, ma mirë me thanë, nji mjet për me shprehë ndjesitë kombtare. Kisha me thanë (dhe nuk jam i vetëm në ket gjykim) se Beogradi gjindet para nji problemi shum të madh se si me e ndalë ket zhvillim që ata e quejnë “anormal”. Ai proçesi i shtërngimit, që filloi me shpalljen e turqve në Kosmet dhe mandej me emigrimin e tyne, me gjyqet e trillueme “irredentistash” dhe “kominformbyroistash”, nuk ka mbarue ende. Njerzija shqiptare tash së fundit ka fillue me u lodhë, pse ju e dini se jeta me pushkë në faqe gjithnji mund t’i merzitet çdo idealistit. Ket gjendje shpirtnore e kam provue dhe unë, sidomos kur më mbyllën derën e çdo bashkpunimit me revista shqipe ase mundsin e botimeve në vehte. Organet (UDB, komitetet e partive etj.) që merren me demaskimin e elementave “të rrezikshëm” dijnë me i lujtë kaq mjeshtrisht spilcat dhe intrigat sa që nuk e din se kah të erdh e keqja. Me shum mjeshtri ia dalin dhe me shtij grindje, mosbesim mes intelektualve shqiptarë, të cilët tash në kohët e fundit kanë fillue me zanë mend pak, sidomos me mbylljen e Institutit albanologjik në Prishtinë dhe me gjyqet e trillueme. Tue lanë në njanën anë shkollat pse aktiviteti i tyne asht tashma shum i njoftun, Kosova ka përparue shum në pikpamje kulturore shqiptare nëpërmjet të theatrave dhe grupeve folkloristike. Kemi theatrin shqiptar profesjonal të Prishtinës, i quejtun “theatri i krahinës autonome Kosmet” i cili jep shfaqje në gjuhën shqipe nëpër tanë Kosmetin dhe Maqedonin. Tri herë bile kanë qenë dhe në Beograd theatrat profesjonalë të Shkupit, Mitrovicës e Pejës. Në Prizrend dhe në të tana qytetet e tjera ku gjindet shkolla e mesme në gjuhën shqipe funkcjonojnë grupet artistike, ku jepen shfaqje theatrale e folkloritike (kërcime popullore shqiptare, kangë me melodinat e bukura kosovare). Deri në vitin 1954 Kosova ka pasë dhe grupin artistik ase folkloristik, që mandej u shkri në ate të Serbis. Kërcimet e bukura të Kosovës shqiptare (kërcimi i Rrugovës rreth nuses me shpata, Shota – kërcimi i djalit dhe i vajzës me ritmin e gjallë e lirik) kanë ba për vehte të tanë publikun jugosllav dhe kanë fitue rekordin si në Jugosllavi ashtu dhe në Europë dhe Azi. Më ka pasë ba përshtypje të hatashme në sallën “Kolar?ev” të Beogradit kur duelën në skenë shqiptarët me veshjen e bukur të malsorëve të Rrugovës dhe me shpata të hjekun filluen dyluftimin për nusen. Në kërcim i ndiqte vetëm tupani, kështu që kur lëshoshin kambën për tokë u dridhte krejt salla. Ishte e para herë që u jepte nji shfaqje e tillë në Beograd me 1949 (tetuer), prandej publiku u entuziazmue për së tepërmi. Koreografët deri tash vonë nuk kanë ba asnji ndryshim, por i kanë lanë ashtu si kanë qenë origjinale. Folklora deri tash ishte nji mjet që qeverija e perdorte për njofjen dhe afrimin e popujve “jugosllav” mes tyne. Mirëpo nji gja e tillë ne na ka vleftë shum pse gjeneracjoni i ri jugosllav asht në evolucjon e sipër dhe vjen kadalë kadalë tue ndrrue mendimin e etënve mbi shqiptarë. Unë kam pasë shum shokë e miq mocatarë të mij e që sot janë doktora, inzhinjera etj. që simpatizojnë dhe flasin e pohojnë se populli shqiptar asht elementi ma i shtypun në Ballkan. Por asgjamangut unë jam plotësisht i bindun se çdo qeveri që të vijë në Beograd ka me luftue deri në pikën e fundit për Kosovë. Tash së fundit janë gjetë dhe disa minjera të reja me metale shum të kushtueshme dhe krejt fusha e Kosovës asht e vendosun mbi qymyr gurit; po e lamë Trepçën dhe pyjet e Kosovës që shfrytzohen gazep. Unë jam i mendimit se popujt e Ballkanit janë shum afër pse kanë dhe nji influencë kulture e histori të përbashkët, por mjerisht sod për sod jemi të shtrënguem dhe na me qenë shovena. Në këto kushte zhvillimi njerzit nuk munden me mendue ndryshej.

Fitorja ma e madhja në pikpamje të kulturës ka qenë Instituti albanologjik i Prishtinës. Qe hapë në vjetin 1953 me ndihmën e Millovan Gjilasit. Ky burrë i ka pasë dashtë fort shqiptarët, shum kush thotë bile se dhe ai asht vetë me origjinë shqiptare. Mbasi kishte ra prej pozite, jam njoftë me te në bibliotekën kryesore të Beligradit po bahen 15 muej. Në bisedë e sipër më pyeti si shkon Instituti i Prishtinës.

Fill mbas kësaj pyetje nuk mujta me ndejë pa ia shprehë simpatin e shqiptarëve për te. Shtova se ndër ne flitet se ai asht origjinë shqiptare e se në Malsi kemi plot njerz me emnin Gila. “Unë jam Vasojeviq” m’u pergjegj e “sigurisht kam gjak shqiptari në vehte së pakut nepermjet grave që ia kemi grabitë njani tjetrit.” Dhe filloi me qeshë. Më foli dhe mbi historin e Vasojeviqve e malësorve, pse ai asht njeri me kulturë të madhe. Si fëmijë kishte ruejtë baktit me çobajt e Kelmendit dhe në fund më foli kundra politikanëve që ndajnë popujt. Instituti posa ka pasë fillue punën: u mblodh mbrenda nji kohe të shkurtën nji mori kangësh e prrallash, që më duket i kanë hjedhë të gjitha në kosh.

 Kur ishte tue u organizue, ka ra shpesh dhe biseda mbi ju. Kryetarit Elhami Nimanit i kam folë shpesh për ju. “Sa të fillojmë botimin e anualit” më pat thanë “do të ta grishim të marri pjesë.” Edhe ndër komunista kosovarë keni një simpati shum të madhe, pse këta (shumica) para së gjithash janë shqiptarë. Por Instituti në fjalë, në të vërtetën mbaroi edhe për mend të shqiptarëve e, mbasi nga fillimi prej shumkuj në Beograd nuk qe pa me sy të mirë, gjetën shkaqe me e mbyllë, aq ma tepër kur u dinte nga të gjithë se asht hapë me ndihmën e Gjilasit.

Tash qendrat ma të nalta mbi studimet shqiptare janë grupi albanologjik i Beogradit me tre profesora: V. Dancetoviq, Idriz Ajeti, Anton Çeta; me tre vetë në specializim mbas laurës, Dragan Micoviç, Enver Gjergjeku e Abdullah Zajmi; me afër 70 nxanës gadi të githë shqiptarë. Ky asht grupi ase kathedra ma e fortë albanologjike jashta vendit. Bariqi, si u kam shkrue, asht kryetar i Institutit Balkanologjik në Sarajevë dhe 80 % të studimeve që dalin në anualin që asht në shtyp janë mbi shqiptarë.

BURIMI: http://floripress.blogspot.al

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...