2011-06-11

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi:Ibrahim Rugova ishte në ballë të mbrojtjes së territoreve shqiptare


PEJË – Nën patronazhin e kryeministrit Hashim Thaçi, në Shkrel të Rugovës të premten u bë përurimi i Qendrës Përkujtimore të Rexhajve të Shkrelit. Kjo u bë në përvjetorin e 133-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 132 vjetorin e Betejës së Nokshiqit. Më këtë rast, kryeministri Thaçi tha se në kuadër të rezistencës së organizuar nga kreu ushtarak dhe politik i Lidhjes së Prizrenit, Rugova pati fatin historik dhe gjeografik që të jetë në ballë të mbrojtjes së territoreve shqiptare që padrejtësisht i aspironte Mali i Zi.

Ai ka thënë se beteja e Nokshiqit e 4 dhjetorit 1879 ishte kundërvënia e parë ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokave shqiptare. “Në këtë betejë u dalluan shumë luftëtarë nga kjo krahinë historike, e cila vetëm para dhe gjatë Rilindjes Kombëtare dha 47 personalitete të shquara të lëvizjes për liri. Në këtë betejë u shquan Rexhajt e Shkrelit, që u bënë simbol i fitores së betejës së Nokshiqit, sidomos luftëtarët Adem Isufi dhe Rexhë Avdija. Nga Rugova ishte gjenerali Çelë Shabani, që bie heroikisht në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë, një muaj pas Betejës së Nokshiqit”. ka thënë kryeministri Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit theksoi se Rugova gjithmonë ka qenë pjesë e historisë shqiptare, duke dhënë kontribut të shquar gjatë Rilindjes Kombëtare, duke vazhduar me luftën kaçake ndërmjet dy luftërave botërore. “Pas luftës së Dytë Botërore, Rugova nga gjiri saj nxori veprimtarë të shquar në lëvizjen për çlirim: në Demonstratat e viti 1968, në ato të viti 1981 dhe në lëvizjen studentore. Rugova me krenari dhe dinjitet ishte e pandashme me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo dha 17 dëshmorë të lirisë”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, tha se populli shqiptar dhe veçmas ai i Kosovës kurrë nuk i kanë ndalur përpjekjet për çlirimin e vendit, prandaj kanë dhënë shume heronj, siç është edhe rasti i Rexhajve të Shkrelit. Ky manifestim u përcoll edhe nga ansambli i këngëve dhe i valleve “Rugova”, dhe recitali i aktorit Çun Lajçi.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...