Mbas “Fjalorit të parë Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe”, botuar në vitin 1976
me rreth 38 mijë fjalë, një tjetër fjalor i ri me rreth 75 mijë fjalë është
botuar kohët e fundit nga gjuhëtarët Ali Dhrimo e Rami Memushaj dhe është
promovuar gjithashtu në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Sipas
gjuhëtarit Rami Memushaj “40 vjet mbas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës
Shqipe (1972) dhe 34 vjet pas hartimit të të parit fjalor drejtshkrimor të
shqipes (1976), nevoja e hartimit të një fjalori të ri drejtshkrimor erdhi duke
u bërë gjithnjë e më e domosdoshme”. Fjalori rreh të pasqyrojë në mënyrë sa më
të plotë atë pasurim dhe shpërthim të gjuhës shqipe në të gjitha stilet,
gjinitë, sidomos në këto 20 vitet e fundit, që është arritur falë punës së
lëvruesve të shqipes dhe të përkthyesve. Sipas Memushaj “Ky fjalor është një
libër që duhet të ndodhet në tryezën e atij që shkruan. Botimi pasqyron se çfarë
është arritur në njësimin e normës së gjuhës shqipe që nga viti 1972 e deri në
vitet tona, në fushën e fonetikës, gramatikës dhe drejtshkrimit”. Dy autorët e
fjalorit kanë punuar rreth tre vjet e gjysmë për hartimin e tij, pasi sipas
Memushaj, pasqyrimi i leksikut të shqipes në fjalorët normalë është e
pamjaftueshëm. “Botimi i këtij fjalori me rreth 75.000 fjalë është një ndihmesë
jona në pasurimin e leksikut të shqipes”, përfundon gjuhëtari.Ky fjalor po
botohet në kohën kur ka kërkesa për rishikimin e normës letrare nga shumë
ekspert të gjuhës. Dhe veçmas një kohë të gjatë pas botimit të fjalorit të
Mehmet Elezit është shtruar nevoja për fjalor të ri. Fjalori i Mehmet Elezit
përmban rreth 41000 fjalë e rreth 54000 kuptime, të cilat nuk gjinden në
fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e 2002. Fjalori ka edhe rreth
5300 shprehje frazeologjike. Fjalori i Elezit ilustrohet edhe me rreth 5000
fjalë të urta popullore; rreth 1000 gjëza, bestytni e paragjykime, doke,
lojë-fjalësh, të dhëna për barnatimin (mjekimin) popullor, yshtje etj. Shumë
prej tyre botohen për herë të parë. Prandaj, ishte nevojë që të botohen fjalorë
të ri që përfshijnë sa më shumë fjalë e leksik të shqipes nga të gjitha trevat
shqiptare dhe nga mërgata.