Shkruan Mimoza Enver Dajçi
Në takimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Ennepetal të Gjermanisë, e me rastin e ndarjes së Çmimit “Azem Shkreli” nga vetë Familja Shkreli, mes të ftuarve ndodhej edhe akademistja, poetja e humanistja shqiptare Znj. Rita Saliu. Juria e zgjedhur e përbërë nga Dr. Basri Çapriqi, poeti i njohur e humanisti Hasan Qyqalla e Alma Papamihali vlerësoi me Çmimin e Parë “Azem Shkreli” librin me poezi “Engjëjt nuk jetojnë në tokë” të Znj. Rita Saliu.
“Ishte kjo, një ditë tepër e veçantë për mua, e ndihesha vërtetë e privilegjuar – thotë mes të tjerave Znj. Saliu, duke kujtuar mbresat e paharuara të atyre ditëve. U preka vërtetë emocionalisht – vijon më tej ajo – kur nipi i poetit tonë të madh Azem Shkreli – Genti më dhuroi lulet e festës”.
Megjithë emocionet e para nisjes për në këtë konkurs të rëndësishëm të letërsisë shqipe, edhe ne si mike e kolege gëzonim për arritjet e sukseset e saj. E duke u nisur pikërisht nga kjo ngjarje e shënuar, si Organizatë e Gruas Shqiptare – Amerikane “Shpresë & Paqe” në SHBA i dërguam një letër falenderimi “Lidhjes së Shkrimtarëv e, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, për zj. Rita Saliu.
Rita Saliu njihet gjithashtu nga lexuesi ynë si krijuese e autore e disa librave me poezi, ku shquhet në botimet e saj me vlera artistike; “Ecje Vertikalisht nëpër Oqean”, krijime e skica të ndryshme letrare, si dhe “Engjëjt nuk jetojnë në tokë”.
Përveç ceremonisë madhështore të sponsorizuar nga vetë familja Shkreli , ku nuk munguan kumtesat, recitimet, këngët e vallet e bukura shqiptare, e cila u moderua nga znj. Blerta Kelmendi dhe Kryetari i Lidhjes Z. Martin Çuni, Rita pati edhe disa takime si humaniste e grua me ndjenja të larta bamirësie. Në një nga këto takime do të veçonim vizitën e saj në një spital gjerman, pranë një djali shqiptar, i cili vuante nga një sëmunde e rëndë.
Në këtë vizitë ajo u shoqërua nga ndihmësmjekët e bashkëshortët Hamide e Hasan Qyqalla, të cilët njëherësh njihen edhe për kontributet e tyre humane. Sigurisht Rita dhuroi diçka për fëmijën e personelin e spitalit, por vajtja e saj pranë vogëlushit të sëmurë, si nënë me një zemër të madhe la shumë mbresa pozitive edhe tek pacienti i vogel nga Obliqi, i cili i a shtrëngonte dorën e nuk i a lëshonte.
Ja se çfarë thotë poeti Qyqalla; “Pas atij manifestimi letrar të gjithëve na duhej të shkonim në shtëpi e të pushonim, por unë me time shoqe Hamiden na duhej të shkoninm në spital për të parë djalin shqiptar të sëmurë. Znj. Saliu sapo mësoi se ne do të shkonim në spital për të pare një fëmi shqiptar, megjithë problemet e saj shëndetësore dhe e lodhur nga rruga e gjatë, vendosi të vijë me ne në spital. Pra shpirti i humanists e tërhoqi Znj. Saliu edhe këtu. Ajo dhuroi diçka për fëmijën e sëmurë, e personelin e spitalit”.
Konkursi Letrar “Azem Shkreli – 2011 është kthyer tashmë në një traditë për Familjen Shkreli, si një porosi e veçantë e poetit, i cili vazhdimsht theksonte: “Kujdesuni për gjuhën dhe kulturën, kultivoheni e krijoni, se mbase kemi thesare të çmuara kombëtare”. Në këtë veprimtari letraro – artistike anagazhohen çdo vit shkrimtarë e poetë të mërgatës shqiptare nga e gjithë bota, ku ata jetojnë e punojnë.