2011-06-20

Ilir Shaqiri: ‘Kam dhënë njëmijë koncerte në trojet shqiptare dhe në Evropë’




Flet këngëtari që për 26 vjet në skenë ka krijuar 26 albume dhe shkruar 400 këngë: “Këndo dhe me zërin e bretkosës veç këndo me zërin tënd”.
Këngëtari emblemë,  Ilir Shaqiri është baba i tre djemve dhe është martuar në vitin 1984. Këngën fillimisht e ka nisur si mision, por gjatë periudhës së vështirë  që kaloi Kosova,  ai këngën e tij e vuri në shërbim të patriotizmit dhe të kombit të Kosovës, duke frymëzuar miliona shqiptarë me këngët e tij. 
Ai tregon që pas koncertit që ka zhvilluar në Evropë në shërbim të UÇK-së shumë të rinj shqiptarë pas këtij koncerti u janë bashkangjitur radhëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Është ngjitur në skenë për herë të parë në vitin 1979 me këngën  “O zambaku i Prizrenit. Ka xhiruar tri videokaseta dhe një film  televiziv  me regjisorin e njohur kosovar,  Isa Qosja.  Ka marrë  shumë çmime në festivale  dhe konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Z. Shaqiri, veç këngës keni dhe pasione të tjera?
Kam pasion të veçantë pikturën dhe mbledhjen e gjërave antike.

Si të duket ecuria e këngës popullore tradicionale shqiptare?

Ka një trend të kënaqshëm, sidomos këngët e krijuar mbi bazën e traditës shqiptare. Por,  tendencat e globalizmit janë shtrirë shumë edhe në këngët tona. Këngët e dyshimta me muzikë  ballkanike dhe me  tekst shqip unë i quaj këngë njëpërdorimshme, pasi këto këngë nuk mund të jetojnë më gjatë se një muaj. Në këtë aspekt unë kritikoj edhe mediat që i stimulojnë këto këngë me transmetime të shpeshta.

Si hyri kënga tek ju? Si pasion, apo ju nxiti dikush?

Më kanë nxitur shokët dhe shoqet e klasës. Ishte viti 1979 ku këndova për herë të parë në skenë këngën “O zambaku i Prizrenit”. E këndova në Pallatin e Kulturës në Prizren. Këngë hyri tek unë si pasion, por më vonë, duke parë periudhën  e vështirë në të cilën kalonte Kosova ky pasion mu kthye në mision. Me këngë  unë shprehja gjithçka që ndjeja për popullin tim. Gjithçka, që ka ndodhur në Kosovë, deri në çlirim e saj unë e kam arkivuar përmes këngës sime. Pas çlirimit të Kosovës i kam kënduar gjakut të derdhur për liri dhe dëshmorëve të kombit tim.  Sot i këndoj përsëri jetës, dashurisë dhe mërgimit, duke mos harruar asnjëherë këngët për luftën e lavdishme të UÇK-së, që më bëri që të jetoj i lirë në Prishtinë dhe të këndoj lirshëm në shqip.

Cilat janë disa nga këngët e tua më të dashura?

Këngët  i kam si fëmijët e mi dhe nuk mund t’i veçoj.  Në secilën këngë kam derdhur një copëz nga shpirti im. Por kënga që më mbërthen më shumë me emocione është kënga  me vargjet e  poetit tonë të madh, Naim Frashëri.
Keni kënduar në shumë shtete, ku jeni ndjerë më i emocionuar?
Kudo jam ndjerë mirë në turnetë që kam dhënë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Më shumë jam emocionuar nga  turneu që organizuam në Evropë në kohën e luftës së Kosovës. Pas këtij koncerti shumë vajza dhe djem të rinj shqiptarë janë nisur në luftë për Kosovën. Në këtë rast dua të falënderoj artistët shqiptarë, Mirush Kabashi, Çun Lajçi, Liri Lushi, Edmond  Zhulali, Arif Vladi, Agim Doçi, Manjola Nallbani, Kastriot Tusha, Ledina Çelo, dhe organizatorin e këtij Turneu Remzi  Ejupi. Për katër muaj rresht ne dhamë 68 koncerte, paratë e të cilave u derdhën në ndihmë të UÇK-së.
Cili është çasti më emocional  për ju?
Ka ndodhur në vitin 1993 gjatë një turneu në Regensburg të Gjermanisë. Kur dola në skenë hyri vëllai im i vogël në sallë. Kisha tre vjet pa e parë, pasi kishte ikur nga Kosova për të mos shkuar ushtar në ushtrinë jugosllave. Nuk u besoja syve pasi ai jetonte në Zvicër. Mu pre kënga në fyt dhe unë lashë këngën dhe shkova e përqafova vëllanë.
Nga këngëtarët shqiptarë kë keni më për zemër?
Në zemër kam të paarritshmen Vaçe Zela, Arif Vladin dhe Aurela Gaçen. Nga Kosova idhulli im është Nexhmije Pagarusha.
I keni kënduar shumë patriotizmit dhe atdhedashurisë?
Esenini thotë: “Këndo po deshe dhe me zërin e bretkosës veç këndo me zërin tënd”.
Këngët e tij hite
“Falë t’qoftë gjaku Kosovë”
“Shqipëri, o nëna ime”
“Minatori”, Udhët e mia”
“Zëri i atdheut”
“Jam Evropë”
“Jam shqiptar”
“Shkëlqimi i plisit”
“Bilbili i Kosovës”
“Sërish vjen Marsi”,
“Princesha e Dukagjinit”
“Moj e rritur në Kosovë”
“Dridhe Shkup e Shkodër”.
Ilir Shaqiri, këngëtari “Emblematik e Ballkanit”.
Ka lindur në Burojë të Drenicës me 12 qershor të vitit 1960. Shkollën e mesme për farmaci e kryen në Prizren, të lartën për gjuhë-letërsi shqipe në Prizren e Prishtinë. Në vitin 1978 del për herë të parë para publikut në Shtëpinë e Kulturës në Prizren.Ka publkuar 26 albume. Ka marrë pjesë në mbi 1000 koncerte, ku 900 prej tyre janë humanitare.Nga viti 1988 është këngëtari më i kërkuar në të gjitha kudo ku jetojnë shqiptarët. Këngët e tij janë prezantuar në shumë radio dhe TV të botës. Ai jeton  në Prishtinë dhe e gjen çdo ditë në studion e tij “Iliria”. Në vitin 1999,në koncertin ndërkombëtar të Brukselit 1999 është vlerësuar si këngëtari “Emblematik e Ballkanit”. Është dhe autor i i 400 këngëve të lehta, popullore dhe folklorike.  Gjatë Luftës së Kosovës ka zhvilluar 68 koncerte në përkrahje të UÇK-së në Evropë: Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Angli, Itali, Norvegji, Suedi, Austri, Holandë dhe Shqipëri
Çmime muzikore
Në vitin 1983, në festivalin “Rapsodët këndojnë” në Drenicë merr çmimin e parë. Në vitin 1984 me Shoqërinë Kulturore “Akumulatori” të Mitrovicës në festivalin e Kaçanikut vlerësohet si interpretues i shkëlqyeshëm dhe vokal me ardhmëri të sigurt. Më 1985, në festivalin “Theranda ‘85″ vlerësohet për interpretimin më të mirë. Në festivalin “Festarb” të vitit 1992 në Shkup merr çmimin e publikut. Më 1994 në festivalin ndërkombëtar “Folkmoot USA” 1994 në Karolinën Veriore nderohet çmim special. Në vitin 1995 në festivalin “Kënga Shqiptare” në Prishtine merr dy çmimet e para; çmimin e jurisë dhe të publikut.
Disa albume nga Ilir Shaqiri
“Djem Petrita ka rrit Drenica”
Luma e kuqe ka lidhë besë”
“Falë të qoftë gjaku Kosovë”
“Fjalët e qiririt”
“Plisat udhëtojnë kah dielli”
“Këngë e rrallë”
“Kthehu”
Këtu kam folenë”
“Liri”
“Zëri i atdheut”
“Tingujt e zjarrtë”
“Këtu shkëlqen plisi”
“Çlirimtari”
“Garda e Kosovës”
“Këngët e përndritjes”
“Bota e rinisë”
Mentor HOXHA

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...